Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

ABDULLAH IBNU MES’UDI

abdullah ibnu mes’udi

ABDULLAH IBNU MES’UDI

“Kush dëshiron ta lexojë Kur’anin ashtu si ka zbritur, le ta lexojë sipas  kiraetit (leximit) të ibnu Ummi Abdit.”

Muhammedi a.s.

Abullah ibnu Mes’udi në atë kohë ishte një djalosh me shtat të njo­më dhe ende nuk e kishte arritur moshën e pjekurisë. Kohën e ka­lonte nëpër kodrat e Mekës, larg njerëzve, duke ruajtur delet e njërit prej zotërinjve të kurejshit, Ukbe ibnu Muajti.

Njerëzit e thërrisnin me ofiqin ibnu Ummi Abd’, por emri i tij është Abdullah, ndërsa i babait të tij Mes’ud.

*  *  *

Djaloshi dëgjonte lajmet e paraqitjes së Pejgamberit në mesin e popullit të vet, por ajo pak fare i interesonte për shkak të moshës së tij të re, në një anë, si dhe për shkak të izolimit të tij nga rrje­dhat e shoqërisë së Mekës, në anën tjetër. Ishte mësuar të shkonte herët në mëngjes me delet e Ukbesë e të kthehej me to në orët e vona të mbrëmjes.

*  *  *

Një ditë prej ditësh, djaloshi i Mekës, Abdullah ibnu Mes’udi vë­rejti prej së largu dy mesoburra hijerëndë, të cilët po shkonin në drejtim të tij, që dukeshin të lodhur e të rraskapitur. Nga udhëtimi i gjatë u ishin tharë buzët dhe fyti. Kur arritën tek ai, e përshëndetën dhe i thanë:

- O djalosh, mile njërën prej këtyre deleve që ta shuajmë etjen!

Djaloshi ia ktheu:

- Nuk mund ta bëj këtë. Delet nuk janë të miat. Ato më janë lënë në besim.

Dy mesoburrat nuk i pritën fjalët e djaloshit me përbuzje, por në fytyrat e tyre u duk një lloj kënaqësie.

Pastaj njëri prej tyre i tha djaloshit:

- Më drejto te një dele, e cila ende nuk ka pjellur. Djaloshi e drejtoi te një dele e vogël aty pranë. Njeriu iu afrua, e lidhi dhe filloi t’i prekë gjinjtë e saj me duart e tij, duke e përmendur emrin e Allahut. Djaloshi e shikoi me habi dhe tha me vete:

- Kur ka ndodhur që delja e cila ende nuk ka pjellur të nxjerrë qumësht?!

Mirëpo, nuk kaloi shumë dhe gjinjtë e deles u frynë dhe qumështi filloi të rrjedhë me bollëk.

Ndërsa njeriu tjetër mori një gur prej tokës, në formë pjate, dhe e mbushi atë me qumësht, nga e cila pinë ai dhe shoku i tij. Pastaj edhe atij i dhamë të pijë prej tij dhe ai nuk mund t’i besonte asaj që ishte duke parë...

Pasi u ngopën me qumësht, njeriu i mirë i tha gjiut të delës: Rrudhu, dhe menjëherë filloi të rrudhet, derisa u kthya në gjendjen e mëparshme.

Atëherë djaloshi i tha atij njeriu të mirë:

- Më mëso mua diçka prej atyre fjalëve që the!

Ai ma ktheu:

- Ti je djalosh i ditur.

* * *

Ky ishte fillimi i ngjarjes së Abdullah ibnu Mes’udit me Islamin...

Njeriu i mirë nuk ishte vetëm se i Dërguari i Allahut, ndërsa shoku i tij ishte Ebu Bekër Es‑Sidiku r.a....

Ata të dy kishin dalë atë ditë në kodrat e Mekes, për shkak të keqtrajtimeve dhe presioneve të shumta që bënin kurejshitët mbi ta.

*  *  *

Ashtu sikurse e deshi djaloshi Pejgamberin a.s. dhe shokun e tij, po ashtu edhe Pejgamberi a.s. dhe shoku i tij u mahnitën me djaloshin, e çmuan lart besnikërinë dhe sinqeritëtin e tij të madh dhe parashikuan se ai patjetër do të bëhet njeri i vlefshëm.

 

*  *  *

Nuk shkoi shumë kohë e Abdullah ibnu Mes’udi pranoi fenë isla­me dhe iu paraqit Pejgamberit a.s. që të jetë në shërbimin e tij, me çka pëlqeu Pejgamberi a.s.

Prej asaj dite, djaloshi fatlum Abdullah ibnu Mes’ud kaloi prej pro­fesionit të bariut të deleve në shërbimin e zotëriut të të gjitha krijesave dhe popujve.

*  *  *

Abdullah ibnu Mes’udi e përcolli të Dërguarin e Allahut ashtu siç e përcjell hija të zotin. E shoqëronte kur ai qëndronte në shtëpi dhe kur udhëtonte. Ishte me të brenda në shtëpinë e tij dhe jashtë saj... E zgjonte prej gjumit kur flente, e mbulonte kur pas­trohej, ia mbathte nallanet kur dëshironte të dilte jashtë, ia zbath­te kur ai donte të hynte. Ia mbante shkopin dhe misvakun e tij. Ia past­ronte dhomën kur ai hynte në të...

Por, edhe më tepër: Pejgamberi a.s. i lejoi atij të hynte tek ai në çdo kohë dhe të dinte të gjitha sekretet e tij, derisa u quajt njohës i sekreteve të të Dërguarit të Allahut.

*   *   *

Abdullah ibnu Mes’udi u edukua në shtëpinë e Pejgambe-rit a.s., u pajis me moralin e tij dhe e pasoi atë në të gjitha cilësitë e tij, derisa u tha për të: - Ai është njeriu më i afërt i Pejgamberit a.s., në aspektin fizik dhe moral.

Ibnu Mes’udi u shkollua në shkollën e Pejgamberit a.s. dhe ishte prej lexuesve më të mirë të Kur’anit në mesin e as‑habëve. Njohës më i mirë i sureve të tij dhe njohës më i mirë i ligjeve të Allahut.

Këtë më së miri e argumenton tregimi i atij njeriu që iu drej­tua Omer ibnul Hattabit, kur ai ndodhej në Arafat, dhe i tha:

- Po vij, o prijës i besimtarëve, prej Kufes dhe atje kam lënë një njeri, që po i dikton mus‑hafet përmendsh.

Për këtë, Omeri r.a. u hidhërua së tepërmi dhe pyeti:

- Cili është ai, vaj halli për ty?!

Ai tha: -Abdullah ibnu Mes’udi.

Pas pak kohe, Omerit i kaloi hidhërimi dhe erdhi në gjendjen e tij normale, dhe tha:

- Medet për ty! Betohem në Allahun se nuk di që ka mbetur njeri i cili ka më shumë të drejtë për këtë çështje sesa ai. Do të flas diçka për të.

Omeri e filloi tregimin e vet e tha:

- Një natë prej netësh, Pejgamberi a.s. ishte tek Ebu Bekri, bisedonin për çështjet e muslimanëve dhe unë isha i pranishëm. Nuk shkoi shumë kohë dhe Pejgameri a.s. doli, dhe ne dolëm me të. Kur hymë në xhami, pamë një njeri tek falej, të cilin nuk e njohëm, Pejgamberi a.s. u ndal dhe po e dëgjon, e pastaj u drejtua kah ne dhe tha: - Kush dëshiron ta lexojë Kur’anin, ashtu sikurse ka zbritur, le ta lexojë atë sipas kiraetit (leximit) të Ibnu Um‑mi Abdit…

Pastaj Abdullah ibnu Mes’udi u ul të lutej e Pejgamberi a.s. fi­lloi të thotë me një zë të vogël të cilin vetëm ne e dëgjonim:

- Lutu, do të jepet ty...

Lutu,  do të jepet ty...

Omeri pastaj vazhdoi të flasë.

- Thashë me vete: ”Betohem në Allahun se nesër, herët në mëngjes, gjithsesi do të shkoj tek Abdullah ibnu Mes’udi dhe do ta përgëzoj me “aminin” e të Dërguarit të Allahut në lutjen e tij.” U zgjova herët në mëngjes, shkova tek ai dhe e përgëzova, por Ebu Bekri kishte shkuar para meje për ta përgëzuar.

Betohem në Allahun se nuk kam mundur t’i paraprij Ebu Bekrit në asnjë të mirë.

*  *  *

Njohuria e Abdullah ibnu Mes’udit rreth Librit të Allahut xh.sh. ishte aq e gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse, saqë ai thoshte: - Beto­hem në Allahun, që nuk ka tjetër përveç Tij, se nuk ka asnjë ajet të Kur’anit të zbritur e që unë nuk e di se ku ka zbritur dhe për çka ka zbritur. Dhe sikur të dija se dikush tjetër ka më shumë njohuri rreth Librit të Allahut, do të shkoja të mësoja prej tij.

*   *  *

Nuk është e tepërt kjo që tha për veten Abdullah ibnu Mes’udi. Një ditë prej ditësh Omer ibnul Hattabi r.a. takon një karvan në njërin prej udhëtimeve të tij, gjatë një nate të errët që e kishte mbuluar me errësirën e saj karvanin.

Në karvan kishte qëlluar Abdullah ibnu Mes’udi e Omeri e urdhëroi një njeri t’i pyesë ata:

- Prej nga jeni?

- Prej një vendi të largët.

- Për ku jeni nisur?

Abdullahu u përgjigj:

- Për në Shtëpinë Shenjtë.

Omeri tha: “Me siguri në mesin e tyre është ndonjë alim,- (dijetar) dhe e urdhëroi një njeri dhe i thirri ata:

- Cila pjesë e Kur’anit është më madhështore?

- Allahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është Mbikëqyrës i pëhershëm dhe i përjetshëm. (2:255)

- Pyete, cila pjesë e Kur’anit është më e përsosur?

- Vërtet Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve.(16:90)

- Pyete, cili ajet i Kur’anit është më gjithëpër­fshirës?

- “E kush bën ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush bën ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë” (99:7‑8)

- Pyete, cili ajet i Kur’anit është më frikësues?

- Nuk është (shpëtim) sipas shpresave tuaja e as sipas shpresave të ithtarëve të Librit. Kushdo që bën keq, do të ndëshkohet me të dhe nuk do të gjejë pos Allahut, as mik as ndihmës. (4:123)

- Pyete, cili ajet i Kur’anit është më shpresëdhë­nës?

- Thuaj: O robërit e mi, që e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai, njëmend, fal shumë dhe është mëshirues. (39:53)

Omeri tha:

- Pyete, a është në mesin tuaj Abdullah ibnu Mes’udi?

Ata u përgjigjën:

- Betohemi në Allahun se ai është në mesin tonë.

*  *  *

Abdullah ibnu Mes’udi nuk ishte vetëm lexues i mirë i Kur’anit, dijetar dhe njeri i devotshëm, por në të njëjtën kohë ishte i fuqishëm, i vendosur, luftëtar dhe i guximshëm, kur e kërkonte nevoja.

Mjafton për të që ishte muslimani i parë në rruzullin tokësor që e lexoi Kur’anin me zë të lartë pas Pejgamberit a.s.

Një ditë prej ditësh, sahabët e Pejgamberit a.s. u tubuan në Mekë ‑ ishin nUmejrikisht pak dhe të pafuqishëm ‑ dhe thanë:

- Deri më tani asnjë herë nuk iu dha rasti kurejshitëve të dë­gjoj­në leximin e Kur’anit me zë të lartë. A gjendet dikush në mesin tonë, i cili mund ta bënte këtë?!

U paraqit Abdullah ibnu Mes’udi dhe tha:

- Unë do ta bëj këtë.

Shokët ia pritën:

- Ne kemi frikë për ty. Por, dëshirojmë që këtë ta bëjë dikush që ka familje e cila mund ta marrë nën mbrojtje, në rast se kurejshitët ia dëshirojnë të keqen atij. -Ai ia ktheu: -Më lëni mua, sepse Allahu do të më mbrojë prej sherrit të tyre.

Pas kësaj u nis në drejtim të Qabes, derisa arriti te “Mekami Ibra­him”. Ishte mesditë. Kurejshitët ishin ulur rreth Qabes. Ai u ndal te “Mekami Ibrahim” dhe nisi të lexojë me zë të lartë: “Bismil‑lahirr‑rrahmanirr‑rrahim. Err‑rrahman Al‑lemel Kur’ane. Halekal insane. Al‑lemehul bejane”.

Ai vazhdoi të lexojë derisa tërhoqi vëmendjen e kurejshitëve, të cilët të habitur pyetën: “Çka tha Ibnu Um‑mi Abdi?!

- Medet për të... Ai po lexon atë që i është zbritur Muham-medit!

Kurejshitët u ngritën të mllefosur. Filluan ta grushtojnë, t’i më­shoj­në në fytyrë, por megjithatë ai vazhdoi të lexojë derisa e për­fun­doi. Pastaj shkoi te sahabët e tij e gjaku i rridhte rrëke prej fy­tyrës. Ata i thanë:

- Për këtë ta kishim frikën.

Ndërsa Abdullahu ua ktheu:

- Betohem në Allahun se armiqtë e Tij, tani janë më të dobët në sytë e mi dhe nëse dëshironi, unë do ta përsëris këtë nesër.

Ndërsa ata ia pritën: - Jo. Mjafton kjo që bëre sot, sepse ata dëgjuan prej teje atë që e urrejnë.

*  *  *

Abdullah ibnu Mes’udi jetoi deri në kohën e halifatit të Osmanit r.a. Kur u sëmur rëndë, atë e kishte vizituar Osmani r.a. dhe e kish­te pyetur:

- Prej çka po ankohesh?

Abdullahu ia ktheu:

- Prej mëkateve të mia.

Osmani pastaj shtoi:

- Cila është dëshira jote?

Ai u përgjigj:

- Dëshiroj mëshirën e Zotit tim.

Pastaj Osmani e pyeti:

- A të urdhëroj të ta japin rrogën tënde, të cilën nuk e ke marrë vite me radhë?!

Abdullahu iu përgjigj:

- Nuk kam nevojë për të.

Osmani i tha:

- Do t’u mbetet vajzave të tua pas teje.

Abdullahu ia ktheu:

- A ke frikë se vajzat e mia do të vuajnë nga varfëria?!

- Unë i kam urdhëruar ato që ta lexojnë për çdo natë surën “El‑Vakia”, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kush e lexon suren “El Vakia” për çdo natë, assesi nuk mund të jetë i varfër.

*  *  *

Kur arriti nata, Abdullah ibnu Mes’udi kaloi në botën e am­shuesh­me, ndërsa gjuha e tij ende ishte e freskët duke përmendur Fjalët e Allahut xh.sh.


Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

EBU UBEJDE IBNUL XHERRAHU

ebu ubejde ibnul xherrahu

EBU UBEJDE IBNUL XHERRAHU

“Secili popull ka besnikun e vet, e besniku i këtij populli është Ebu Ubejde.”

Muhammedi a.s.

Ebu Ubejde ishte një burrë me fytyrë të pastër, pamje të bu­kur, shtathedhur, i gjatë e shpatullgjërë. Syri gëzohej me pamjen e tij, shpirti kënaqej dhe zemra qetësohej në takimin me të.

Përveç këtyre, ai kishte sjellje të mirë. Ishte modest dhe i turp­shëm. Mirëpo, nëse ashpërsohej situata dhe e kërkonte momenti, ai bëhej si luani.

Ai i përngjante tehut të shpatës në shkëlqimin e bukurisë së saj si dhe në ashpërsinë e të rënave të saj.

Ky pra është besniku i umetit të Muhammedit a.s., Amr ibnu Abdullah ibnul Xherrah El‑Fihri El‑Kureshi, i njohur me ofiqin Ebu Ubejde.

Abdullah ibnu Omeri r.a. e përshkroi atë e tha: Tre vetë nga kurejshitët janë me fytyra më të bukura, me moral më të lartë dhe janë më të turpshmit; kur të flasin, nuk të gënjejnë dhe nëse ti u flet, nuk të përgënjeshtrojnë: Ebu Bekr Es‑Sidiku, Osman ibnu Affani dhe Ebu Ubejde ibnul Xherrahu.

Ebu Ubejde ishte prej të parëve që pranoi fenë islame. Ai e pranoi Islamin në ditën e dytë, menjëherë pas Ebu Bekrit. Fenë islame e pranoi nëpërmjet duarve të vetë Ebu Bekër Es‑Sidikut. Pastaj së bashku me të, Abdurrahman ibnu Avfin, Othman ibnu Ma­dh’unin dhe El‑Erkam ibnul Ebi Erkamin shkuan te Pejgamberi a.s. dhe para tij e shqiptuan dëshminë e së vërtetës. Këta ishin shtyllat e para në të cilat u sendërtua kështjella e fortë e Islamit.

*  *  *

Ebu Ubejde e përjetoi përvojën e jetës së hidhur të muslimanëve në Mekë, prej fillimit deri në përfundimin e saj. Së bashku me muslimanët e tjerë, ai i përjetoi të gjitha peripecitë, vuajtjet, mun­dimet dhe pikëllimet, të cilat nuk i përjetoi asnjë ithtar i ndonjë fe­je tjetër në sipërfaqen e tokës, por megjithatë ata u mbeti bes­nikë parimeve islame.

Mirëpo, sprovimi i Ebu Ubejdes në ditën e Bedrit, me vrazhdësinë e vet tejkaloi çdo parashikim dhe çdo imagjinatë.

*  *  *

Ditën e Bedrit, Ebu Ubejde u vërsul në mesin e radhëve të ar­mi­kut pa pasur frikë fare. Madje, armiqtë ia kishin frikën atij. Çante radhët e tyre pa e pasur frikë vdekjen. Prandaj i ruheshin kalorësit kurejshitë dhe i shmangeshin ballafaqimit me të.

Mirëpo, vetëm një njeri e përcillte Ebu Ubejden si hije. I dilte për­para në çdo anë. Por, Ebu Ubejde ia lëshonte rrugën dhe nuk e dëshironte ballafaqimin me të.

Edhe pse ky njeri i shpeshtoi sulmet e njëpasnjë­shme, megji­tha­të Ebu Ubejde i shmangej sa ishte e mundur takimit me të. Por, më në fund, ai ia mbylli të gjitha rrugët Ebu Ubejdes dhe e pengonte për t’i luftuar armiqtë e Allahut.

Dhe më në fund, kur e shpenzoi tërë durimin, nuk i mbe­ti tjetër veçse t’ia prejë kokën me shpatë, të cilën ia ndau në dy pjesë dhe njeriu ra i vdekur para tij.

Lexues i nderuar, mos u mundo të vrasësh mendjen se kush mund të jetë njeriu i vdekur!

A nuk të thashë se sfida e shëmtuar tejkaloi çdo para-shikim dhe kapërceu çdo imagjinatë?

Ndoshta do të të duket e pabesueshme kur të kuptosh se njeriu i vdekur ishte Abdullah ibnul Xherrahu, babai i Ebu Ubejdes.

Ebu Ubejde nuk vrau babanë e vet, por ai politeiz­min, mosbesimin në personalitetin e babait të tij.

Rreth çështjes së Ebu Ubejdes dhe babait të tij, Allahu xh. sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:

“Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre e tyre, ose të bijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin dhe e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe ata do t’i shpjerë në xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty janë përgjithmonë. Allahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Të tillët janë palë (grup) e Allahut. Ta dini, pra, se ithtarët e Allahut janë ata të shpëtuarit”. (58:22)

Ky veprim i Ebu Ubejdes nuk na habit, sepse fuqia e besimit të tij në Allahun, sinqeriteti ndaj fesë dhe besnikëria ndaj umetit të Muhammedit kishin arritur kulminacionin e tyre.

Muhammed ibnu Xhaferi rrëfen e thotë:

- Erdhi një delegacion i krishterë te Pejgamberi a.s. e i thanë: “O Ebul Kasim! Dërgoje me ne njërin prej sahabëve të tu më të afërt të gjykojë mes nesh për disa konteste të ndarjes së pasurisë sonë, të cilat nuk mundëm t’i zgjidhim vetë. Ju muslimanët te ne keni respekt të veçantë.”

Pejgamberi a.s. iu tha:

- Ejani tek unë në mesditë e unë do ta dërgoj me ju një njeri të fuqishëm dhe besnik.

Omeri r.a. thotë:

- Shkova herët për ta falur nama­zin e drekës. Asnjëherë nuk e kam dashur postin më shumë se atë ditë, duke shpresuar të kem fatin të jem i zoti i atij atributi.

Pejgamberi a.s. posa e fali me ne namazin e drekës, filloi të shi­kojë djathtas e majtas. Unë ngritesha sa mundesha që t’i bija në sy. Pejgamberi a.s. vazhdoi ashtu ta hedhë shikimin e tij në mesin to­në, derisa pa Ebu Ubejde ibnul Xherrahun, të cilin e thirri e i tha:

- Shko me këta dhe gjyko në mes tyre me drejtësi rreth kontes­te­ve të tyre. Atëherë unë thashë me vete: E mori atë nder Ebu Ubejde!

Ebu Ubejde nuk shquhej vetëm me besnikëri, por tek ai bashko­hej fuqia dhe besnikëria. Kjo fuqi u manifestua në shumë ras­te.

Ajo u manifestua ditën kur Pejgamberi a.s. dërgoi një grup prej sahabëve të tij për t’i dalë në rrugë një karvani të kurejshitëve dhe për udhëheqës të grupit caktoi Ebu Ubejden r.a. Pejgamberi a.s. iu dha me vete një tarkuçe me hurma, sepse nuk kishte pasur asgjë tjetër. Ebu Ubejde ua jepte secilit prej sahabëve të tij çdo ditë nga një hurmë dhe çdonjëri prej tyre e thithte ashtu sikur­se e thith foshnja gjirin e nënës. Pastaj pinin ujë dhe kështu kjo u mjaf­tonte tërë ditën deri në mbrëmje.

*  *  *

Ndërsa ditën e betejës në Uhud, atëherë kur muslimanët u mun­dën dhe njëri nga idhujtarët filloi të çirrej:

- Më tregoni se ku është Muhammedi... Më tregoni se ku është Muhammedi...

Ebu Ubejde ishte njëri nga dhjetë personat të cilët e kishin rre­thuar Pejgamberin a.s. dhe e mbronin me kraharorët e tyre, të cilët i kishin drejtuar kah shigjetat e pabesimtarë-ve.

Kur mbaroi beteja, Pejgamberit a.s. i ishin thyer dy dhëmbët e përparshëm, i ishte lënduar balli, ndërsa dy hallka të parzmës së tij i kishin hyrë në mollëzat e syrit. Ebu Bekri deshi t’ia nxjerrë ato nga mollëzat, por kur e vërejti këtë Ebu Ubejde i tha: - Pashë Allahun ma lë mua këtë punë! Ebu Bekri ia la. Ebu Ubejde u frikësua se, nëse ia nxjerr hallkat me dorë, Pejgamberi a.s. do të ndiejë dhembje. Prandaj ia kaf-shoi të parën me tërë fuqinë me dhëmbët e përparshëm dhe e nxori, por i ra edhe dhëmbi i tij.

Pastaj e kafshoi të dytën me dhëmbin e tij të dytë, e nxori atë, por me të i ra edhe dhëmbi tjetër.

Lidhur me këtë, Ebu Bekri thotë: - Ebu Ubejde ishte prej njerëz­ve më të pashëm pa dhëmbët e përparmë.

*  *  *

Ebu Ubejde së bashku me të Dërguarin e Allahut mori pjesë në të gjitha betejat, prej fillimit të shoqërimit me të e derisa vdiq.

Me rastin e zgjedhjes së Ebu Bekrit si halife të muslimanëve në “Sekif”, Omer ibnul Hattabi i tha Ebu Ubejdes:

Shtrije dorën të të pranoj ty si halife, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: ”Secili ka besnikun e vet, e ti je besniku i këtij umeti.”

Ebu Ubejde u përgjigj:

- Nuk mund t’i dal para atij njeriu të cilin e urdhëroi Pejgam­beri a.s. të na prijë neve në namaz dhe ne u falëm pas tij derisa i Dërguari i Allahut ishte gjallë.

Pasi Ebu Bekri u zgjodh halife i muslimanëve, Ebu Ubej­de ishte njëri prej këshilltarëve dhe ndihmësve të tij me të afërt dhe më të sinqertë në vërtetësi dhe ndihmës i pakursyeshëm në mirësi.

Pas Ebu Bekrit, halifati iu besua Omer ibnul Hattabit, të cilit gji­thashtu iu bind Ebu Ubejde dhe asnjëherë nuk e kundërshtoi, për­veç në një rast.

A e di se për cilën çështje nuk e dëgjoi Ebu Ubejde halifen e muslimanëve?

Ai nuk e dëgjoi atëherë kur ndodhej në Sham në krye të ushtrisë muslimane, të cilën e udhëhiqte prej fitores në fit-ore, derisa nën komandën e tij u çlirua i tërë Shami dhe arriti deri te lumi Eufrat, në lindje dhe Azinë e Vogël, në veri.

Në atë kohë, në Sham, ishte përhapur me të madhe sëmundja e ko­lerës, saqë nuk mbahej në mend që ndonjëherë të kishin vdekur aq shumë njerëz.

Halifeja i muslimanëve ‑ Omer ibnul Hattabi, nga frika se nga kjo sëmundje mund ta pësojë edhe Ebu Ubejde, nxitoi dhe e dërgoi një emisar tek ai me një mesazh në të cilin thuhej:

- “Unë kam nevojë të madhe për ty, për çka nuk mund të të  zë­ven­­dësojë askush. Nëse të mbërrin mesazhi im natën, kërkoj prej teje që mëngjesi të të gjejë tek unë. E nëse letra ime të arrin ditën, kërkoj prej teje që mbrëmja të të gjejë tek unë.”

Posa e lexoi Ebu Ubejde letrën e halifit, tha:

- E kuptova nevojën e prijësit të muslimanëve për mua. Ai dë­shi­ron ta mbajë në jetë atë që nuk mund të mbahet. Pastaj iu përgjigj letrës së tij me këtë fjalë:

“O prijës i muslimanëve! Unë e kuptova nevojën tënde për mua. Unë gjendem në mesin e ushtrisë muslimane dhe jam njëri prej ushtarëve të saj. Nuk dëshiroj ta ruaj vetveten prej asaj që mund t’u ndodhë atyre.

Nuk dëshiroj të ndahem prej tyre, derisa Allahu ta çojë në vend urdhrin e Vet për mua dhe për të tjerët.

Kur të arrijë letra ime, më lejo të mbetem këtu ku jam!”

Posa i arriti Omerit letra e Ebu Ubejdes, e lexoi me një frymë e pastaj qau derisa iu enjtën sytë. Disa nga sahabët që ishin të pranishëm, kur panë mallëngjimin e tij të madh, e pyetën:

- Mos ka vdekur Ebu Ubejde, o prijës i besimtarëve?”

Omeri iu përgjigj:

- Jo. Mirëpo, ai është në prag të saj.

Supozimi i Omerit nuk ishte larg. Nuk shkoi pak kohë dhe Ebu Ubejde u sëmur nga kolera. Kur vërejti se i ishte afruar vdekja, i porositi ushtarët e tij me këto fjalë:

- Unë ua lë një porosi, nëse i përmbaheni, do të jeni mirë:

Faleni namazin, agjërojeni muajin e Ramazanit, jepni sada­ka­në, bëni haxhin dhe umren, këshilloni njëri‑tjetrin në mirësi, dë­gjoni prijësat tuaj e mos i tradhtoni. Kini kujdes të mos iu mash­tro­jë dynjaja, sepse njeriu, sikur të jetojë edhe një mijë vjet, patjetër do të vijë në këtë gjendje në të cilën më shihni mua.

Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin me ju!

Pastaj u drejtua kah Muadh ibnu Xhebeli e i tha: -O Muadh, priju njerëzve në namaz!

Nuk vonoi e shpirti i tij i pastër u shpërngul në ahiret. Pastaj u ngrit Muadhi dhe tha:

- O njerëz: Ju jeni të pikëlluar me humbjen e këtij njeriu. Betohem në Allahun, nuk di të kem kam parë njeri më zemërmirë e më të largët nga veprat e këqija, e as më këshilldhënës të mirë për të gjithë. Lutuni për të, Allahu ju mëshiroftë!


Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

ABDULLAH IBNU XHAHSHI

abdullah ibnu xhahshi

ABDULLAH IBNU XHAHSHI

I pari që u emërua komandant i besimtarëve.

 

Sahabi për të cilin do të bëjmë fjalë tani kishte lidhje të ngushta me Resulullahun s.a.v.s. dhe ishte njëri prej muslimanëve të parë.

Ai ishte i biri i tezës së Pejgamberit a.s., sepse nëna e tij, Umej­me binti Abdul Muttalib, ishte tezja e Resulullahut s.a.v.s.

Ai ishte mik i të Dërguarit të Allahut, sepse motra e tij, Zejneb bintu Xhahsh, ishte gruaja e Pejgamberit a.s. dhe njëra prej nënave të besimtarëve.

Ai është i pari që e ngriti flamurin në Islam, e pas kësaj u quajt komandant (prijës i besimtarëve)...

Ky është Abdullah ibnu Xhahsh el‑Esedijj.

*  *  *

Abdullah ibnu Xhahshi pranoi fenë islame para se të hyjë Pej­gamberi a.s. në shtëpinë e Erkamit, prandaj është prej muslimanëve të parë.

Kur Pejgamberi a.s. u lejoi sahabëve të tij të shpër-ngulen për në Medinë, për t’iu shmangur torturave të kurejshitëve dhe për ta ruajtur fenë e tyre, Abdullah ibnu Xhahshi ishte muhaxhiri i dytë, sepse i kishte paraprirë Ebu Selemeja.

Mirëpo, shpërngulja për Allahun, dhe braktisja e të afërmve dhe vendlindjes për hir të Tij nuk ishte gjë e re për Abdullah ibnu Xhah­shin, sepse ai së bashku me disa të afërm të tij para kësaj ishte shpërngulur për në Abisini.

Por, shpërngulja e tij kësaj radhe ishte më e gjerë dhe më e përgjithshme. Me atë u shpërngulën familja e tij dhe disa të afërm të tij, si dhe farefisi tjetër nga babai i tij, burra e gra, pleq dhe të rinj, djemë e vajza, sepse shtëpia e tij ishte shtëpi muslimane dhe fisi i tij ishte  fis besimtarësh.

Posa dolën nga Mekeja, shtëpitë e tyre dukeshin të pikëlluara, të vetmuara, të zbrazta, të shkreta, sikur të mos kishte jetuar në to njeri më parë e as të mos kishte fjetur njeri në to.

Nuk kaloi një kohë e gjatë prej shpërnguljes së Abdullahut dhe kush ishte me të, derisa një ditë dolën prijsat e Kurejshitëve dhe shëti­te­shin nëpër lagjet e Mekës për të parë se kush është shpër­ngulur prej muslimanëve dhe kush kishte mbetur ende në mesin e tyre. Ata ishin Ebu Xhehli dhe Utbe ibnu Rebia.

Utbeja i shikoi shtëpitë e benu Xhahshit se si era i përplaste dyert dhe tha:

- Qenkan bërë të shkreta shtëpitë e benu Xhahshit, po i qajnë banorët e tyre!

Ndërsa Ebu Xhehli ia ktheu:

- Kush janë ata që të qajnë shtëpitë për ta?!

Pastaj Ebu Xhehli e vuri dorën në shtëpinë e Abdullah ibnu Xhah­­shit, e cila ishte njëra prej shtëpive më të mira dhe më të pasura dhe nisi të plaçkisë, të marrë gjërat e saj, ashtu siç vepron pro­nari në shtëpinë e vet.

Kur i arriti lajmi Abdullah ibnu Xhahshit se çka kishte bërë Ebu Xhehli në shtëpinë e tij, i tregoi për këtë Resulullahut s.a.s. kurse Pejgamberi a.s. i tha:

- A nuk dëshiron, o Abdullah, që të të japë Allahu një shtëpi në xhenet në vend të saj?!

Atëherë Abdullahu u përgjigj:

- Si jo, o i Dërguari i Allahut!

Pejgamberi a.s. i tha:

- Ajo është për ty.

Pas kësaj, Abdullahu u qetësua.

*  *  *

Posa u stabilizua Abdullah ibnu Xhahshi në Medinë, pas vështi­rësive të shpërnguljes së parë dhe të dytë dhe posa e kishte shijuar një grimë qetësie nga mikpritja e ensarëve, pas torturave të shumta nga ana e kurejshitëve, deshi Allahu që ai të ballafaqohet me provimin më të vështirë në jetën e tij dhe të preokupohet me sprovën më të ashpër që nga koha kur ishte bërë musliman.

Prandaj, ta përcjellim me kujdes tregimin e sprovës së tij të ashpër dhe të hidhur.

*  *  *

Pejgamberi a.s. i dërgoi tetë sahabët e tij në një mision të parë ushtarak në Islam. Në mesin e tyre ishin Abdullah ibnu Xhahshi dhe Sa’d ibnu Ebi Vekkasi dhe u tha:

- Do të emëroj për komandant atë që ka durim më të madh në uri dhe etje.

Pastaj ia dha flamurin Abdullah ibnu Xhahshit dhe ishte komandanti i parë i emëruar në një grup besimtarësh.

Pejgamberi a.s. ia caktoi Abdullah ibnu Xhahshit marshu-tën e udhëtimit dhe i dorëzoi një letër, por e urdhëroi që letrën mund ta hapte vetëm pasi të kalojnë dy ditë në udhëtim.

Pasi kaluan dy ditë të udhëtimit të çetës, Abdullahu e hapi letrën, në të cilën shkruante:

“Kur ta shikosh letrën time, vazhdo udhëtimin derisa të arrish në vendin e quajtur “Nahle”, ndërmjet Taifit dhe Mekës. Prej aty për­cilli lëvizjet e kurejshitëve dhe na informo për lajmet e tyre!”

Posa e përfundoi Abdullahu leximin e letrës, tha:

- E dëgjova dhe iu përula urdhrit të Resulullahut s.a.v.s. Pastaj iu tha shokëve të vet:

- Resulullahu s.a.v.s. më ka urdhëruar të shkoj deri në “Nahle” që t’i përcjellim kurejshitët dhe ta informojmë Pejgamberin a.s. për lëvizjet e tyre. Ai ma ka ndaluar që ta detyroj ndonjërin prej jush të vijë me mua. Kush do prej jush të bjerë shehid, le të urdhërojë me mua, e ai i cili nuk e do këtë, le të kthehet i paqortuar.

Shokët iu përgjigjën:

- E dëgjuam dhe i përulemi Resulullahut s.a.v.s. Vazhdojmë rru­gën me ty ku të ka urdhëruar Resulullahu s.a.v.s.

Pastaj vazhduan rrugën derisa arritën në “Nahle” dhe filluan të përgjojnë e të shikojnë rrugët, për të përcjellur lajmet dhe lëvizjet e kurejshitëve.

Një ditë prej ditësh  vërejtën prej së largu një karvan të ku­rej­shitëve, në përcjelljen e të cilit ishin katër njerëz, e ata ishin: Amr ibnul Hadremijj, El‑Hakem ibnu Kejsan, Uthaman ibnu Abdullah dhe vëllai i tij, Mugire. Me ata ishte tregtia e Kurejshit, në të cilën kishte lëkura, rrush të thatë e gjëra të tjera që i blenin kurejshitët.

Kur e panë këtë, sahabët filluan të konsultohen në mes vete. Ish­te dita e fundit e muajve të shenjtë, në të cilët nuk lejohej der­dhja e gjakut. Më në fund thanë:

- Nëse i mbysim ata, do t’i mbysim në muajin e shenjtë. Në këtë rast do të cenohet shenjtëria e këtij muaji dhe do të jemi objekt kritike nga ana e të gjithë arabëve. Po nëse i lejojmë të kalojë kjo ditë, atëherë ata do të hyjnë në Mekë ‑ tokën e shenjtë, do të thotë në vendin e sigurt.

Sahabët më në fund erdhën në përfundim të përbashkët se du­het të sulmohen, të mbyten dhe t’u merret e tërë pasuria e karva­nit... Pas një sulmi të furishëm e mbytën një, i zunë robër dy vetë, kurse i katërti ua mbathi këmbëve dhe iku.

*  *  *

Abdullah ibnu Xhahshi së bashku me shokët i morën dy të zënët rob dhe karvanin dhe u nisën në drejtim të Medinës. Kur arritën te Resulullahi s.a.v.s. dhe pa se si kanë vepruar, nuk e pëlqeu atë veprim të tyre dhe iu tha:

- Betohem në Allahun se unë nuk ju kam urdhëruar të luftoni, por ju kam urdhëruar që t’i përcillni lëvizjet dhe lajmet e kurej­shitëve.

I ndali dy të zënët rob derisa të marrë vendim rreth çështjes së tyre, ndërsa karvanin as që e shikoi e as nuk mori prej tij ndonjë send.

Abdullah ibnu Xhahshi dhe shokët e tij u penduan shumë dhe ishin të bindur se puna e tyre kishte mbaruar, ngase nuk i ishin përmbajtur urdhrit të Resulullahut s.a.v.s.

Por, ajo që i dëshpëronte edhe më shumë ishte se vëllezërit e tyre prej muslimanëve filluan t’i qortonin dhe çdo herë që kalonin pra­në tyre u thonin:

- Këta janë ata që e kanë kundërshtuar urdhrin e Resulullahut s.a.v.s.

Por, ajo që i dëshpëroi edhe më tepër ishte kur morën vesh se kurejshitët e kishin marrë këtë ndodhi si shkak për ta diskredituar Pejgamberin a.s. në mesin e fiseve arabe, sepse ata thonin:

“Muhammedi nuk e respekton shenjtërinë e muajve të shenjtë. Ai lejoi derdhjen e gjakut në të, plaçkiti pasurinë tonë dhe i zuri rob njerëzit tanë...”

Prandaj, mos pyet për dëshpërimin e madh të Abdullah ibnu Xhahshit dhe shokëve të tij për atë që kishte ndodhur e as për turpin që ndienin ata para Resulullahut s.a.v.s. për shkak të pozitës së keqe në të cilën e kishin vënë.

*  *  *

Pasi dëshpërimi kishte arritur kulmin dhe fatkeqësia ishte bërë barrë e rëndë mbi supet e tyre, atëherë u erdhi lajmi i gëzur se Alla­hu xh.sh. ishte i kënaqur me veprimin e tyre dhe për këtë kishte zbritur ajete të Kur’anit.

Atëherë nuk mund ta marrësh me mend gëzimin e madh që i kish­te kapluar zemrat e tyre, kurse njerëzit i përqafonin ata duke i përgëzur e uruar, si dhe duke u lexuar prej Kur’anit atë çka kishte zbritur rreth veprës së tyre.

*  *  *

Lidhur me këtë, Pejgamberit a.s. i zbriti Fjala e Allahut xh.sh.:

“Të pyesin për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaj: “Luftimi në atë muaj është mëkat i madh, por shmangia nga rruga e Allahut dhe mohimi i Tij dhe tempullit të shenjtë dhe përzënia e banorëve të Tij është mëkat më i madh tek Allahu. Kurse shpifja është mëkat më i madh se vrasja!” (El‑Bekare: 217) 

Pasi zbritën ajetet e përmendura, u qetësua zemra e Pejgam­be­rit a.s., e mori karvanin, i liroi dy të zënët rob dhe u pajtua me veprimin e Abdullah ibnu Xhahshit dhe të shokëve të tij, sepse lufta e tyre ishte ngjarje me rëndësi në jetën e muslimanëve. Preja e saj ishte preja e parë që merrej në Islam, i mbyturi në të ishte pa­besimtari i parë gjakun e të cilit e kishin derdhur muslimanët, kurse dy të zënët robër ishin robërit e parë që kishin rënë në duar të muslimanëve. Flamuri i saj ishte flamuri i parë të cilin e kishin ngritur duart fisnike të Resulullahut s.a.v.s. dhe komandant i saj ishte Abdullah ibnu Xhahshi, që është quajtur komandant i parë i besimtarëve.

Pas pak kohe ndodhi beteja e Bedrit, në të cilën Abdullah ibnu Xhahshi tregoi heroizëm të jashtëzakonshëm, gjë që ishte në nivelin e besimit të tij.

Nuk shkoi pak kohë e ndodhi beteja e Uhudit, në të cilën Abdu­llah ibnu Xhahshi dhe Sa’d ibnu Ebi Vekkasi patën një ndodhi, që nuk mund të harrohet. Ia japim fjalën Sa’dit të na rrëfejë për ndo­dhinë e tij dhe të shokut të tij.

Sa’d ibnu Ebi Vekkasi tregon:

Para se të fillojë lufta e Uhudit, më takoi Abdullah ibnu Xhahshi dhe më tha:

- A nuk dëshiron t’i lutesh Allahut?! 

Iu përgjigja:

- Si jo.

U shmangëm vetëm ne të dy, unë i pari u luta e thashë:

- O Zoti im, kur ta takoj armikun më ballafaqo me një të fortë prej tyre, të mllefosur e të ashpër që ta luftoj atë dhe të më luftojë mua. Pastaj më dhuro mua fitore mbi të, derisa ta mbys atë dhe ta marrë trofeun e tij!

Abdullah ibnu Xhahshi i kishte ngritur duart gjatë lutjes sime, bëri Amin!, e pastaj tha:

- O Zoti im, më ballafaqo me një njeri të fuqishëm, guximtar, ta luftoj për hir Tëndin e të më luftojë. Pastaj të më marrë mua dhe të ma këpusë hundën time dhe veshët e mi, e kur të takoj Ty nesër, do më pyesësh:

- Përse të është këputur hunda jote dhe veshët e tu? 

E unë do të përgjigjem: 

- Për ty dhe për të Dërguarin Tënd.

Ti do të thuash: - Ashtu është! 

Sa’d ibnu Ebi Vekkasi pastaj tha:

- Lutja e Abdullah ibnu Xhahshit ishte më e mirë se lutja ime. Du­ke shëtitur në mbarim të ditës, e pashë trupin e tij të masakruar e hunda e tij dhe veshët e tij ishin varur në degët e një druri.

 

*  *  *

Allahu xh.sh. iu përgjigj lutjes së Abdullah ibnu Xhahshit, të cilën e nderoi me rënien e tij shehid (dëshmor), ashtu siç e nderoi da­jën e tij, zotëriun e dëshmorëve, Hamza ibnu Abdul Muttalibin.

Pejgamberi a.s. i varrosi të dy në një varr e lotët e tij të pastër e ujisnin dheun e tyre të parfumosur me erërat e bukura të she­hidllë­kut.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina

Read more...

AMR IBNUL XHAMUHU

amr ibnul xhamuhu  amr ibnul xhamuhu

AMR IBNUL XHAMUHU

Plaku që me këmbën e tij të çalë deshi të shkelë xhenetin.

 

Amr ibnul Xhamuhu ishte njëri prej prijësve të Jethribit në kohën e injorancës, prijës i fisit benu Seleme el‑Musev-vedu dhe prej njerëzve më bujarë dhe më të ndershëm të Medinës.

Ishte zakon në kohën e injorancës që paria ta ketë idhullin e vet në shtëpi, si shenjë bekimi e urate për çdo mëngjes e çdo mbrëmje, t’i bëjë kurban në rast feste dhe t’i lutet në rast të ndonjë fat­keqësie!!!

Idhulli i Amr ibnul Xhamuhut quhej me emrin “Menat”[1], të cilin e kishte ndërtuar prej llojit më të mirë të drurit.

Shpenzonte shumë në ruajtjen, kujdesjen dhe mirëmbaj-tjen e tij dhe e parfumoste me erërat më të këndshme.

*  *  *

Amr ibnul Xhamuhu i kishte kaluar të gjashtëdhjetat kur drita e besimit kishte filluar të depërtojë në shtëpitë e Jethribit, shtëpi pas shtëpie, me kontributin e misionarit të parë, Mus’ab ibnu Umejrit. Para plakut kishin besuar tre bijtë e tij: Muavvedhi, Muadhi, Hal‑ladi dhe një mocanik i tyre me emrin Muadh ibnu Xhebel...

Së bashku me tre djemtë e tij kishte besuar edhe nëna e tyre, Hindi, mirëpo plaku nuk dinte asgjë për këtë.

Hindi, gruaja e Amr ibnul Xhamuhut, kishte vënë re se shumica e bano­rëve të Medinës e pranuan fenë islame dhe nuk kishte mbetur prej parisë së Medinës askush në politeizëm, përveç burrit të saj dhe një numri të vogël rreth tij.

Hindi e donte dhe kishte respekt të madh ndaj burrit të saj, prandaj i dhembsej shumë që ai të vdiste si pabesimtar e të shko­nte në xhehnem.

Amri po ashtu kishte frikë se djemtë e tij do ta braktisin fenë e baballarëve dhe të gjyshërve të tyre e do të shkojnë pas këtij thirrësi, Mus’ab ibnu Umejrit, i cili pati sukses që brenda një kohe relativisht të shkurtër të bindë një numër të madh njerëzish që ta braktisin fenë e të parëve të tyre e të hyjnë në fenë e Muhammedit.

Kështu, një ditë prej ditësh, në bisedë e sipër, Amri i tha gruas së vet:

- Oj Hind, kujdesu që bijtë tanë të mos bien në kontakt me këtë njeri (e ka qëllimin te Mus’ab ibnu Umejri), derisa të mendojmë rreth kësaj çështjeje.

Ajo ia ktheu:

- Dëgjoj dhe përulem! Mirëpo, a do të kishe dëshiruar të dë­gjosh prej birit tënd Muadhit se ç’transmeton nga ky njeri?!

Plaku ia ktheu me nxitim:

- Vaj për ty! Mos e ka ndërruar fenë Muadhi e unë nuk po e ditkam?!

Gruaja e mirë ndjeu dhembje për plakun dhe tha: “Assesi, por ai mori pjesë në disa tubime të këtij thirrësi dhe mbajti mend diçka që thonte ai.”

Pastaj plaku tha:

- Thirre, pra, të vijë këtu.

Kur i biri erdhi para tij, ai tha:

- Lexo diçka që thotë ky njeri!

I biri nisi të lexojë:

“Më emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirë-plotit.

Lavdërimi i takon vetëm Allahut, Zot i botëve, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Sundues i Ditës së Gjyki-mit.

Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë!

Drejtona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre të cilët i bekova, jo të atyre që kanë merituar hidhërimin e as të atyre që kanë humbur!” (El‑Fatiha  1‑7) 

I mahnitur nga ajo që dëgjoi, plaku tha:

- Sa të mrekullueshme qenkan këto fjalë!

A janë të gjitha fjalët e tij sikurse këto?!

Muadhi iu përgjigj:

- Por, edhe më të mira se këto, o babai im. A do ta pranosh thirrjen e tij, sepse i tërë fisi yt i është bindur atij.

Plaku, pasi heshti një çast, tha:

- Nuk do ta pranoj thirrjen e tij, derisa të konsultoj “Menatin” e të shoh se çka do të më sugjerojë ai.

I biri atëherë i tha:

- Çka mund të të sugjerojë “Menati”, o babai im, kur ai është dru i ngurtë, nuk mendon e as nuk flet.

Plaku ia ktheu me hidhërim:

- Të thashë se unë nuk mund të marr qëndrim të prerë pa u konsultuar me të.

*  *  *

Pa humbur kohë Amr ibnul Xhamuhu u ngrit dhe shkoi te “Mena­ti”. Kur donin t’i flitnin, linin një grua plakë pas tij, e cila, sipas bindjes së tyre, përgjigjej në vend të tij sipas asaj që ai e inspi­ronte. Amri qëndroi para tij me shtatin e tij të gjatë. U mbështet në këmbën e tij të shëndoshë, sepse këmba tjetër e tij ishte e çalë. E lavdëroi atë me lavdërimet më të mira që dinte, pastaj i tha:

- O “Menat”! Nuk ka dyshim se ti e di se ky thirrësi, i cili ka ar­dhur tek ne prej Mekës, nuk dëshiron t’i bëjë keq askujt, përveç teje...

Ai ka ardhur të na ndalojë të të adhurojmë ty... Unë nuk desha ta pranoj thirrjen e tij, edhe pse dëgjova prej fjalëve të tij të bukura, derisa të marr mendimin tënd. Prandaj, më këshillo si të veproj.

Por, “Menati” nuk i dha atij kurrfarë përgjigje.

Plaku atëherë tha:

- Ndoshta ti je hidhëruar me mua. Por, unë ende nuk kam bërë asnjë gjë që të nënçmojë ty. Megjithatë, do të të lë disa ditë, derisa të të kalojë hidhërimi.”

*  *  *

Bijtë e Amr ibnul Xhamuhut e dinin se sa ishte i lidhur babai i ty­re me idhullin e tij “Menatin” dhe se ai, me kalimin e kohës, ishte bërë pjesë e tij. Mirëpo, ata e kuptuan se besimi i tij në të kishte fi­lluar të luhatej dhe ishte obligim i tyre që atë besim të mbetur të ta mënjanonin, sepse kjo ishte rruga e tij deri te besimi.

Në errësirën e natës, bijtë e Amr ibnul Xhamuhut, së bashku me shokun e tyre Muadh ibnu Xhebelin, shkuan te “Menati”, e morën atë prej vendit ku ishte vendosur dhe e hodhën në një gropë të beni Se­le­mes, ku ata hidhnin mbeturinat e tyre. Pastaj u kthyen në shtë­pitë e tyre, pa e ditur për këtë askush.

Kur u zgjua Amri në mëngjes, si zakonisht, shkoi te idhulli i tij për ta përshëndetur, por u habit kur nuk e gjeti në vendin e tij. I ze­mëruar tha:

- Vaj për ju! Kush është ai që e ka sulmuar zotin tonë?!

Por, askush prej të pranishmëve nuk iu përgjigj.

Filloi ta kërkojë brenda në shtëpi dhe jashtë saj. Nisi të bërtiste e të kërcënohej, derisa më në fund e gjeti të kthyer me kokë ­poshtë në një gropë. E lau, e pastroi, e parfumosi, e ktheu në ven­din e tij dhe tha:

- Betohem në Allahun, sikur ta dija se kush ka vepruar me ty kësh­tu, do ta kisha poshtëruar.

Kur erdhi nata e dytë, të rinjtë përsëri u lëshuan mbi “Menatin” dhe e përsëritën të njëjtin veprim.

Kur u zgjua, plaku e kërkoi dhe e gjeti në gropë, në mesin e mbe­turinave. Përsëri e mori, e lau, e pastroi, e pafumosi dhe e ven­dosi në vendin e vet.

Të rinjtë vazhduan ta përsërisin të njëjtin veprim çdo ditë. Kur plaku u lodh, një natë para se të flejë shkoi te “Menati, ia vari shpatën në qafë dhe i tha:

- O “Menat”, betohem në Allahun, se unë nuk po e di se kush ësh­­të duke e bërë këtë me ty, gjë që po e sheh edhe vetë. Nëse te ty ka ndonjë të mirë, atëherë duhet që vetë ta luftosh të keqen. Ja, kjo shpatë është me ty!

Pastaj shkoi në shtratin e tij.

Të rinjtë, posa e hetuan se plaku është në gjumin e tij më të mi­rë, ia mësyen idhullit, e morën shpatën prej qafës së tij, e nxorrën jash­të shtëpisë, e lidhën me litar te një qen i ngordhur dhe i hodhën të dy në një pus të fisit beni Seleme, në të cilin shkonin ndytësirat.

Plaku u zgjua në mëngjes dhe si çdo ditë shkoi te idhulli, por nuk e gjeti. Pa humbur kohë doli ta kërkojë. Më në fund e gjeti të kthyer me fytyrë teposhtë në pus, të lidhur me një qen të ngordhur, ndërkaq shpata i ishte marrë. Kësaj radhe plaku nuk u mundua ta nxjerrë prej grope, por e la aty ku e kishin gjuajtur dhe i recitoi këto vargje:

Betohem në Allahun se, sikur të ishe zot,

Nuk do të ishit në pus, ti dhe qeni i ngordhur.

Pas kësaj Amri hyri në fenë e Allahut.

*  *  *

Amri ibnul Xhamuhu e shijoi ëmbëlsinë e besimit, gjë që e cyti t’i kafshojë gishtat, i penduar për çdo çast të jetës së tij si pabesimtar. Për këtë ai iu kthye fesë së re me tërë trupin dhe shpirtin e tij. Kështu që e vuri veten, pasurinë dhe tre bijtë e tij në dispozicion të fesë Islame.

*  *  *

Pas një kohe të shkurtër do të ndodhë beteja e Uhudit. Amri i vë­rejti tre bijtë e tij se si përgatiteshin për të luftuar me armiqtë e Allahut xh.sh. I shihte ata duke u endur sikurse luan, e secili prej ty­re dëshironte të bjerë shehid për të fituar kënaqësinë e Allahut xh.sh. Ky qëndrim i të bijve e nxiti dhe vendosi që edhe ai të shkojë në luftë nën flamurin e Pejgamberit a.s.

Mirëpo të bijtë ishin të mendimit që ta pengonin babain e tyre në realizimin e qëllimit të tij.

Ai ishte plak, i shtyrë në moshë. Përveç kësaj, ai ishte edhe i çalë. Mosdaljen e tij në luftë, dhe të atyre si ai, e kishte lejuar edhe Allahu xh.sh.

Të bijtë i thanë:

- O babai ynë, Allahu xh.sh. të ka liruar prej kësaj. Përse atë­herë e ngarkon veten me atë që Allahu i Madhërishëm të ka liruar?

Plaku u hidhërua për së tepërmi prej fjalëve të tyre dhe u nis të ankohet te Resulullahi s.a.s. dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, bijtë e mi dëshirojnë të më pengojnë nga kjo e mirë dhe e argumentojnë këtë pse jam i çalë. Betohem në Allahun, se unë dëshiroj që me këtë këmbën time të çalë ta shkel xhenetin.

Pejgamberi a.s., atëherë iu tha të bijëve:

- Lëjeni, ndoshta Allahu do t’ia dhurojë shehidllëkun.

Atëherë të bijtë e lanë, duke iu bindur urdhrit të Resulullahut s.a.s.

Posa u afrua koha e daljes, Amr ibnul Xhamuhu e përshë-ndeti gruan e tij, ashtu siç përshëndetet ai që shkon në rrugën e pakthim.

Pastaj u kthye kah Kibleja, i çoi duart kah qielli dhe tha:

- O Zoti im, më dhuro shehidllëkun e mos më kthe të dëshpë­ruar në familjen time!!!

Pastaj u nis, i rrethuar nga të tre bijtë e tij dhe me një numër të madh njerëzish nga fisi i tij benu Seleme.

Kur lufta arriti kulmin dhe u shpartalluan njerëzit që kishin për detyrë të kujdesen për Pejgamberin a.s., u vërejt Amr ibnul Xhamuhu duke shkuar në rreshtin e parë; qëndronte i fuqishëm në këmbën e tij të shëndoshë dhe thoshte:

- Unë jam i përmalluar për xhenet, unë jam i përmalluar për xhenet! Menjëherë pas tij ishte i biri, Hal‑ladi.

Plaku dhe i biri i tij, duke e mbrojtur Resulullahun, ranë të vde­kur shehidë në fushën e betejës. Ndërmjet rënies dëshmor të bi­rit dhe babait të tij nuk ishin vetëm disa çaste.

*  *  *

Posa përfundoi lufta, u ngrit Resulullahu s.a.s. te dëshmorët e Uhudit për t’i varrosur ata, e sahabëve të vet iu tha:

“Lërini me gjakun dhe plagët e tyre, sepse unë do të jem dësh­mitar për ta.”

Pastaj vazhdoi:

“Nuk ka asnjë musliman që plagoset në rrugën e Allahut e që të mos vijë në Ditën e Kijametit duke i shkuar gjaku. Ngjyra e tij është si ngjyrë e dyllit të verdhë (safran)[2], kurse era e tij është si­kurse era e miskut.”

 

Pastaj tha:

“Varroseni Amr ibnul Xhamuhun me Abdullah ibnu Amrin, sepse ishin shokë të pandashëm në dynja.”

*  *  *

Allahu qoftë i kënaqur me Amr ibnul Xhamuhun dhe shokët e tij, dëshmorë të Uhudit, dhe ua shëndriste varret!



[1] Menati: idhull në të cilin besonin arabët në kohën e injorancës.

[2] Dyll, safran ‑ bot. Crotus Satirus).

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

EBU EJJUB EL‑ENSARIJ

ebu ejjub el ensarij

EBU EJJUB EL‑ENSARIJ

Do të varroset nën muret e Kostantinopojës.

 

Ky sahab i ndershëm quhet Halid ibnu Zejd ibnu Kulejbi, prej fisit beni Nexh‑xhar.

Është i njohur me ofiqin Ebu Ejjub, u përket ensarëve.

Kush prej nesh, muslimanëve, nuk e njeh Ebu Ejjub el‑Ensariun?!

Allahu xh.sh. e ngriti përmendjen e tij në Lindje dhe në Perëndim dhe e lartësoi mbi të gjitha krijesat famën e tij, kur e zgjodhi shtëpinë e tij që në të të zbresë Pejgamberi a.s., me rastin e arritjes së tij në Medinë si muhaxhir. Vetëm ky nder është mjaft për të.

Rreth vendosjes së Pejgamberit a.s., në shtëpinë e Ejjub el‑Ensariut ekziston një tregim i bukur, i cili është mirë të përsëritet gjithmonë.

Në momentin e ardhjes së Pejgamberit a.s. në Medinë, zemrat e banorëve të saj e pritën në mënyrën më madhështore me të cilën pritet një mysafir i ardhur nga një vend tjetër.

E vështronin me mall të madh, ashtu siç e pret i dashuri të dashurin e vet...

Ia çelën zemrat e tyre dhe ia hapën dyert e shtëpive të tyre që të zbresë në shtëpinë më të mirë.

Mirëpo, Pejgamberi a.s. qëndroi në Kuba, në periferi të Medi­nës, disa ditë, gjatë të cilave ndërtoi xhaminë, e cila njëko­hësisht është edhe xhamia e parë e ndërtuar për adhurim.

Pejgamberi a.s. pastaj e la Kubanë dhe hipi në devenë e vet, ndër­sa paria e Jethribit qëndroi në të dy anët e rrugës. Secili prej tyre dëshironte të ketë nderin që i Dërguari i Allahut të zbresë në shtëpinë e tij...

Secili nga paria i dilte përpara devesë dhe e joshte që të ndalej para shtëpisë së tij, duke thënë:

- Vendosu tek unë, o i Dërguari i Allahut, nën mbrojtjen time! 

Pejgamberi a.s. ua kthente atyre:

- Lëre, lëre, sepse ajo është e urdhëruar.

Kështu pra, në mesin e kësaj zhurme, deveja vazhdonte rrugën deri në cakun e saj, të cilën njerëzit e përcillnin me vështrimet e ty­re kurse zemrat i kishin shpeshtuar të rrahu-rat.

Kur deveja e kalonte një shtëpi, dëshpërohej i zoti i saj, mirëpo ringjallej shpresa në shpirtrat e atyre që u pasonin shtëpitë.

Deveja vazhdonte rrugën e njerëzit shkonin pas saj dhe dëshiro­nin të dinin nga thellësia e zemrave të tyre se kush do të ketë fatin që Resulullahu të zbresë në shtëpinë e tij, derisa ajo arriti në një shesh para shtëpisë së Ebu Ejjub el‑Ensariut dhe u ul aty.

Mirëpo, Pejgamberi a.s. nuk zbriti prej saj...

Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo u ngrit dhe nisi të ecë, kurse Pej­gamberi a.s. ia kishte lëshuar frerin. Por, nuk kaloi shumë ko­hë dhe ajo u kthye në vendin ku ishte ulur pak më parë.

Në atë moment një gëzim i papërshkruar e përfshiu zemrën e Ebu Ejjub el‑Ensariut dhe shkoi te Pejgamberi a.s., e  përshëndeti dhe i dëshiroi mirëseardhje. I mori teshat e tij me të dy duart, sikur të mbante thesarin e tërë botës dhe shkoi me to në shtëpinë e tij.

*  *  *

Shtëpia e Ebu Ejjub el‑Ensariut ishte njëkatëshe dhe mbi të nënkulmi. Ebu Ejjubi i kishte hequr të gjitha gjërat e tij që i kishte pasur nën kulm, që në të të vendosej Resulullahi.

Mirëpo, Pejgamberi a.s. preferoi vendosjen në katin e pa­rë. Për këtë Ebu Ejjubit nuk i mbeti asgjë tjetër vetëm të bindej para urdhrit të Pejgamberit a.s. dhe e vendosi aty ku shprehu dëshirën.

Posa erdhi nata, Pejgamberi a.s. shkoi në shtratin e vet, ndërsa Ebu Ejjubi së bashku me gruan e tij u ngjitën në katin e sipërm. Po­sa e mbyllën derën e dhomës së tyre, kur për një çast Ebu Ejjubi u kthya nga gruaja e tij dhe tha:

- Vaj për ty! Ç’bëmë?!

Si mund të jetë i Dërguari i Allahtu poshtë, e ne të jemi mbi të?!

Si është e mundur që ne të ecim mbi Resulullahin a.s.?! 

Si mund të jemi ne në mes Pejgamberit a.s. dhe Shpalljes?! Ne pra mbaruam! (E pat puna jonë!) U pikëlluan së tepërmi të dy bash­këshortët dhe nuk dinin si të vepronin.

Assesi nuk u qetësuan, derisa nuk dolën në pjesën e sipërme, e cila nuk ishte mbi Pejgamberin a.s. U larguan nga ajo pjesë duke ecur në majë të gishtërinjve dhe duke i ikur mesit të dhomës.

Ebu Ejjubi, posa u zgjua në mëngjes, shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha:

- Të betohem në Allahun se as unë e as shoqja ime tërë natën nuk kemi shti gjumë në sy.

Atëherë Pejgamberi a.s. i tha:

- Përse u ka ndodhur kjo, o Ebu Ejjub?!

Ai u përgjigj:

- Na u kujtua se ne jemi në katin e sipërm të shtëpisë e ti je në ka­tin e parë. Çdo herë që ne lëvizim, mbi ty do të bjerë pluhuri e do të të shqetësojë, pastaj unë u bëra pengesë ndërmjet teje dhe Shpall­jes (vahjit).

Pejgamberi a.s., pasi e dëgjoi Ebu Ejjubin, i tha:

- Mos u brengos, Ebu Ejjub! Më lehtë është për ne të jemi në ka­tin e poshtëm, për shkak të vizitave të shumta të njerëzve.

Ebu Ejjubi thotë:

- U pajtova me mendimin e Resulullahut a.s. derisa një natë bënte ftohtë, e neve na u thye një ibrik dhe iu derdh uji. U çova menjëherë unë dhe gruaja ime, por nuk kishim asnjë send për ta tharë ujin përveç një copë kadife, të cilën e përdornim si çarçaf për t’u mbuluar, dhe me të thamë ujin nga frika se do të bjerë te Pejgamberi a.s.

Të nesërmen në mëngjes shkova te Pejgamberi a.s. dhe i thashë: 

- Të betohem në babain tim dhe nënën time, unë nuk jam i kënaqur që të jem në katin e sipërm e ti të jesh në katin e poshtëm, nën mua. Ebu Ejjubi pastaj vazhdon e thotë se ia tregova rastin e ibrikut. Më në fund Pejgamberi a.s. iu përgjigj lutjes sime dhe ai hypi në katin e sipërm e unë me gruan time zbrita në katin e poshtëm. 

Pejgamberi a.s. qëndroi në shtëpinë e Ebu Ejjubit rreth shtatë muaj, derisa u ndërtua xhamia në sheshin e hapur, ku ishte ndalur deveja. Pejgamberi a.s. atëherë kaloi në dhomat, të cilat ishin ndër­tuar përreth xhamisë, për të dhe për gratë e tij. Pas kësaj u bë fqinj i Ebu Ejjubit, duke kaluar një fqinjësi shumë të mirë mes tyre!

Ebu Ejjubi e deshi aq shumë Resulullahun s.a.s. saqë kjo da­shuri ia pushtoi tërë zemrën dhe mendjen. Po ashtu, edhe Pej­gamberi a.s. e deshi Ebu Ejjubin deri në atë masë, saqë ata hynin dhe dilnin te njëri-tjetri pa farë teklifi dhe e shikonte shtëpinë e Ebu Ejjubit sikur të ishte shtëpia e tij.

*  *  *

Ibnu Abbasi r.a. tregon e thotë:

Ebu Bekri doli një ditë në xhami, kur bënte vapë e madhe. E pa Omeri r.a. dhe e pyeti:

- Ebu Bekër, ç’të shtyri të dalësh në këtë kohë?!

Ebu Bekri ia ktheu:

- Nuk më ka shtyrë të dal asgjë tjetër përveç urisë, sepse nuk kam asgjë për të ngrënë.

Omeri r.a., atëherë i tha:

- Betohem në Allahun se edhe mua nuk më ka shtyrë të dal as­gjë tjetër përveç ajo që përmende ti.

Ata ende nuk e kishin përfunduar bisedën e tyre, kur doli Pejgamberi a.s. dhe i pyeti:

- Çka ju ka shtyrë të dilni në këtë kohë?!

Ata të dy iu përgjigjën:

- Pasha Allahun, nuk kemi dalë për asgjë tjetër veçse për shkak të dhembjes së madhe që ndiejmë nga uria.

Atëherë Pejgamberi a.s. iu tha:

- Edhe unë ‑ pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij ‑ nuk kam dalë për asgjë tjetër veçse për shkak të urisë.

Pejgamberi a.s. mendoi pak e iu tha:

- Çohuni e ejani me mua! U nisën e shkuan te dera Ebu Ejjub el‑Ensariut r.a. Ebu Ejjubi dhe çdo ditë e ruante një racion të ushqimit për Pejgamberin a.s. dhe  nëse ai vonohej e nuk vinte, atë­herë ia jepte anëtarëve të familjes së vet.

Kur trokitën në derë, u paraqit Ummu Ejjubi ‑ gruaja e Ebu Ejjubit, e cila u tha:

- Mirë se na vjen Resulullahu dhe ata që janë me të!

Pejgamberi a.s. e pyeti:

- Ku është Ebu Ejjubi?

Ebu Ejjubi e dëgjoi zërin e Resulullahut s.a.s., pasi ishte duke punuar te një hurme aty afër, vrapoi menjëherë duke thënë:

- Mirë se na vjen Resulullahu dhe ata që janë me të!” Pastaj vazhdoi: “O i Dërguari i Allahut, kjo nuk është koha në të cilën vije më parë.”

 

Pejgamberi a.s. i tha:

- Po, ashtu është.

Pastaj Ebu Ejjubi shkoi te hurmeja, dhe preu një degë, në të cilën kishte hurma të buta dhe të forta.

Pejgamberi a.s. i tha:

- Nuk do të dëshiroja ta këpusësh këtë degë. Ke patur mundësi t’i mble­­dhje hurmat e saj.

Ebu Ejjubi ia ktheu:

- O Resulullah, dëshirova të hani hurma të buta dhe të forta, por për ju do të therë edhe një kafshë.

Pejgamberi a.s. i tha:

- Nëse therë diçka, mos ther prej atyre që janë duke u mjelur.

Ebu Ejjubi e mori dhe e preu një edh, pastaj i tha gruas së tij: “Zë dhe gatuaj bukë, sepse ti di më mirë të bësh bukë.” Pastaj e mori gjysmën e edhit dhe e futi për ta zier, ndërsa gjysmën tjetër e poqi. Pasi u përgatit ushqimi dhe iu shërbye Pejgamberit a.s. dhe dy shokëve të tij, Pejgamberi a.s. e mori një pjesë të mishit të edhit dhe e shtiu në një copë të bukës dhe tha:

- O Ebu Ejjub, nxito me këtë copë deri te Fatimja, sepse ka shu­më ditë që ajo nuk ka provuar diçka të tillë.

Pasi u ngopën, Pejgamberi a.s. tha:

- Bukë, mish, hurma të buta e të forta!!!

I dolën lotët, pastaj tha:

- Pasha Atë, në duart e të Cilit është shpirti im, kjo është be­ga­tia për të cilën do të pyeteni Ditën e Kijametit e, nëse e fitoni sikur­se këtë, prekeni me duart tuaja dhe thoni:

Me emër të Allahut ‑ “Bismil‑lahi”, e kur të ngiheni po ashtu thoni:

“Elhamdu lil‑lahi”.

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili ngopi e na begatoi!

Pejgamberi a.s. pastaj u çua e i tha Ebu Ejjubit:

-Eja nesër tek unë!

Pejgamberi a.s. e kishte zakon që kushdo që ia bënte ndonjë të mirë ai dëshironte që atë të mirë t’ia tejkalojë.

Mirëpo, Ebu Ejjubi nuk e dëgjoi këtë.

Atëherë, Omeri r.a. i tha:

- O Ebu Ejjub, Pejgamberi a.s. të urdhëron që nesër të shkosh tek ai.

Ebu Ejjubi, atëherë tha:

- Dëgjoj dhe i nënshtrohem urdhrit të Resulullahut!

Ebu Ejjubi shkoi të nesërmen te Pejgamberi a.s., i cili i dha një robëreshë të re, që shërbente te Pejgamberi a.s., dhe i tha:

- Sillu mirë ndaj saj, o Ebu Ejjub, sepse ne nuk kemi parë prej saj përveçse të mira gjatë tërë kohës sa ishte te ne!

Ebu Ejjubi u kthye në shtëpinë e vet. Me vete kishte edhe robë­reshën e re. E kur e pa Emmu Ejjub (gruaja e Ebu Ejjubit) pyeti:

- Për kë është kjo, o Ebu Ejjub?!

Ai u përgjigj:

- Për ne... Na e dhuroi Resulullahu s.a.v.s.

Atëherë ajo tha:

- Sa dhurues i mirë, dhe sa dhuratë fisnike është kjo!

Ebu Ejjubi shtoi:

- Pejgamberi a.s. na porositi që të sillemi mirë ndaj saj.

Ummu Ejjub, pastaj tha:

- Si të veprojmë me të që ta çojmë në vend porosinë e Pejgamberit a.s.?!

Ebu Ejjubi u përgjigj:

- Pasha Allahun, unë nuk shoh zgjidhje më të mirë, për ta çuar në vend porosinë e Pejgamberit a.s., sesa lirimin e saj.

Ummu Ejjubi ia priti:

- “Ia qëllove. Ti je në rrugë të drejtë. Pastaj e liroi”.

*  *  *

Këto janë disa fragmente nga jeta e Ebu Ejjub el‑Ensariut në kohën e paqes, por nëse të jepet rasti të njihesh me disa fragmente të jetës së tij në kohën e luftës, do të shohësh çudira...

Ebu Ejjubi r.a. gjatë tërë jetës së tij ishte i angazhuar në luftë, saqë thuhet për të se ai mori pjesë në të gjitha betejat e muslimanëve, prej kohës së Pejgamberit a.s. e deri në kohën e Muaviut, përveç nëse ka qenë i angazhuar në ndonjë luftë tjetër.

Lufta e fundit e tij, ishte beteja për çlirimin e Kostantinopojës. Muavia e kishte përgatitur ushtrinë nën ko­mandën e të birit të tij, Jezidit. Ebu Ejjubi në atë kohë ishte plak në moshën tetëdhjetëvjeçare, mirëpo mosha e tij e shtyrë nuk e kishte penguar që t’i bashkangjitej ushtrisë së Jezidit dhe t’i çajë valët e detit për të luftuar në rrugën e Allahut xh.sh.

Nuk kaloi pak kohë në përleshje me ushtrinë e armikut, derisa u sëmurë rëndë Ebu el‑Ejjubel‑Ensariu, sëmundje kjo e cila nuk i mundësoi më ta vazhdojë luftën. Atëherë vetë Jezidi erdhi ta vizitojë atë dhe e pyeti:

- A ke nevojë për ndonjë ndihme, o Ebu Ejjub?

Ebu Ejjubi iu përgjigj:

- Dërgoja të falat e mia ushtrisë muslimane dhe thuaju atyre:

“Ju porosit Ebu Ejjubi të depërtoni në thellësi të tokës së armikut, të më mbartni mua me ju, dhe të më varrosni nën këmbët tuaja te muret e Konstantinopojës” dhe pas pak kohe dha shpirt.

*  *  *

Ushtarët muslimanë iu përgjigjën dëshirës së shokut të Resu­lu­llahut s.a.s. dhe u vërsulën mbi ushtrinë e armikut, derisa arritën te muret e Konstantinopojës, dhe e mbartën Ebu Ejjubin me vete.

Atje ia hapën varrin dhe e varrosën.

Allahu xh.sh. e pastë mëshiruar Ebu Ejjub el‑Ensariun, i cili nuk deshi të vdesë ndryshe por vetëm mbi shpinën e kuajve të shpejtë, duke luftuar në rrugën e Allahut xh.sh., në moshën tetë­dhje­të­vjeçare.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

THUMAME IBNU UTHALI

thumame ibnu uthali

Ishte ai i cili u vuri bllokadë ekonomike kurejshitëve.

I bllokoi ekonomikisht kurejshitët.

Në vitin e gjashtë të hixhretit, Pejgamberi a.s. vendosi t’i zgje­ro­jë kufijtë e thirrjes së tij në rrugën e Allahut xh.sh. Për këtë që­llim ai i shkroi tetë mesazhe mbretërve arabë dhe atyre joarabë, ku i fton në fenë Islame.

Në mesin e tyre ishte edhe Thumame ibnu Uthal el‑Hane-fij.

Nuk është për t’u habitur, sepse Thumame ishte njëri prej mbre­tërve arabë më me famë në kohën e injorancës, si dhe njeriu më me autoritet në fisin beni Hanife dhe njëri prej mbretërve të Jemames që nuk kishte konkurrencë.

Thumame e pranoi mesazhin e Pejgamberit a.s. me përbuzje dhe nënçmin. Fuqia dhe mendjemadhësia e tij bënë që ai t’i mbyllë veshët e të mos dëgjojë fare thirrjen e së vërtetës dhe të mirësisë.

Atë e nxiti shejtani i tij për ta mbytur të Dërguarin e Allahut e së bashku me të ta varrosë edhe Thirrjen e tij. Ai priti rastin e volit­shëm për ta likuiduar Pejgamberin a.s. dhe ndoshta do të ndodh­te krimi, sikur njëri prej xhaxhallarëve të Thumames të mos e bindte atë të hiqte dorë nga qëllimi i tij në momentin e fundit dhe kështu e shpëtoi Allahu të Dërguarin nga sherri i tij.

Nëse Pejgamberi a.s. i kishte shpëtuar torturave të Thumames, shumica e sahabëve të Pejgamberit a.s. nuk i kishin shpëtuar tortu­rave dhe keqtrajtimeve të tij. Ai priste rastin t’i shtinte në dorë ata e pastaj t’i vriste në mënyrat më mizore. Kjo bëri që Pejgamberi a.s. ta lejojë vrasjen e tij dhe këtë e shpalli para sehabëve të vet.

*  *  *

Nuk kishte kaluar një kohë e gjatë prej atyre ngjarjeve kur një ditë prej ditësh Thumame ibnu Uthali vendosi të kryejë “Umren”[1]. Ai u nis prej Jemames në drejtim të Mekës. Dëshironte të bënte “tavafin” rreth Qabes si dhe të prente “kurbanë” për idhujt që gjendeshin në Qabe.

Në kohën kur Thumame arriti në afërsi të Medinës i ndodhi diçka që ai nuk e kishte paramenduar.

Njëra prej çetave të Pejgamberit a.s., të cilat patru-llonin rreth Medinës, nga frika e ndonjë sulmi eventual të ndonjë armiku, e kishte zënë rob Thumamen ‑ duke mos e njohur ‑ e kishin sjellë në Medinë dhe e kishin lidhur para xhamisë, duke e pritur Pejgamberin a.s. të japë urdhrin e tij rreth fatit të të zënit rob.

Kur Muhammedi a.s. doli në xhami, para se të hyjë në të, e pa Thu­mamen të lidhur dhe iu drejtua sahabëve të vet:

- A e dini se kë keni zënë rob? 

Ata iu përgjigjën:

- Jo, o i Dërguari i Allahut.

Pejgamberi a.s. iu përgjigj:

- Ky është Thumame ibnu Uthal el‑Hanefij, prandaj silluni mirë ndaj tij!

Pas kësaj bisede Pejgamberi a.s. shkoi në shtëpinë e vet dhe i urdhëroi familjes së vet: “Tuboni çka të keni prej ushqimit dhe dër­go­jani Thumame ibnu Uthalit!”

Pastaj urdhëroi që deveja e tij të milet në mëngjes dhe në mbrëm­je e qumështi i saj t’i dërgohet Thumames.

Të gjitha këto u bënë para se Pejgamberi a.s. të takohet me të apo t’i flasë atij.

*  *  *

Pas një kohe Pejgamberi a.s. shkoi te Thumameja. Dëshironte ta tërhiq­te atë në fenë islame dhe i tha:

- Ç’kemi të re te ti, o Thumame? 

Ai u përgjigj:

- Tek unë ka të mira, o Muhammed. Nëse më vret, do të vrasësh një njeri që është në gjak me ty, e nëse më fal, do të të falënderoj për këtë zemërgjerësi. Po nëse dëshiron pasuri, ti vetëm urdhëro e kërko, e unë do të të jap sa të duash!

Pejgamberi a.s. e la në këtë gjendje dy ditë. Ndërkohë rre­gullisht i dërgohej ushqimi, uji si dhe i sillnin qumësht deveje.

Pas dy ditëve, Pejgamberi a.s. shkoi tek ai përsëri dhe e pyeti:

- Çkemi të re te ti, o Thumame? 

Ai u përgjigj:

- Nuk ka tek unë asgjë të re përveç asaj që të thashë më parë:

Nëse më fal gjakun, do ta di për nder. 

Nëse më vret do të vrasësh një njeri që është në gjak me ty. Po nëse dëshiron pasuri, ti vetëm urdhëro e kërko, e unë do të të jap sa të duash.

Pejgamberi a.s. e la në këtë gjendje dhe të nesërmen shkoi tek ai dhe e pyeti:

- Çkemi të re te ti, o Thumame? 

Ai u përgjigj:

- Tek unë nuk ka asgjë të re, përveç asaj që të thashë më parë:

Nëse më fal gjakun, do ta di për nder. 

Nëse më vret do ta vrasësh një njeri që është në gjak me ty. Po nëse dëshiron pasuri, ti vetëm urdhëro e kërko, e unë do të të jap sa të duash! 

Në atë moment Pejgamberi a.s. u kthye kah sahabët e tij dhe urdhëroi:

- Lirojeni Thumamen!

Sahabët menjëherë ia zgjidhën duart dhe e liruan.

Për një çast Thumameja u largua prej Xhamisë së Pejgamberit a.s. dhe arriti te disa hurma në periferi të Medi-nës, afër vendit të quajtur “Bekië”, ku kishte ujë. Aty u ndal, i dha ujë devesë, u pastrua mirë dhe përsëri u kthye në xhami.

Posa arriti pranë xhamisë, u ndal para një grupi muslima-nësh dhe tha:

- Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij!

Pastaj u nis në drejtim të Pejgamberit a.s. dhe tha:

- O Muhammed! Betohem në Allahun se nuk ka pasur në sipërfaqe të Tokës fytyrë më të urryer se fytyra jote. Ndërsa sot fytyra jote është bërë fytyra më e dashur tek unë.

Betohem në Allahun se nuk ka pasur fe që e kam urryer më shumë se fenë tënde, por sot ajo është feja më e dashur për mua.

Po ashtu, të betohem në Allahun se nuk ka pasur vend më të urryer për mua se vendi yt, por ai sot është vendi më i dashur për mua.”

Pastaj vazhdoi e tha:

“Në të kaluarën kam vrarë disa nga sahabët e tu. Cili është obli­gimi im ndaj tyre?

Pejgamberi a.s., iu përgjigj:

- Nuk ka qortim për këtë o Thumame! Feja Islame e shlyen atë që ka ndodhur më parë!

Pejgamberi a.s. pastaj e përgëzoi me mirësitë me të cilat e bekoi Allahu xh.sh., me përqafimin e fesë islame.

Shenjat e gëzimit ishin të dukshme në fytyrën e Thumames, i cili tha:

- Betohem në Allahun se do të jem i ashpër ndaj pabesimtarëve njëqind herë më shumë sesa isha ndaj sahabëve të tu. Unë, shpata ime, si dhe të gjithë ata që janë me mua, do të jemi në anën tënde dhe të fesë tënde.

- O i Dërguari i Allahut, kalorësit e tu më morën kur unë isha në rrugë për në Qabe për ta bërë “Umren”. Çka më këshillon, si të veproj?

Pejgamberi a.s. i tha:

- Vazhdo rrugën tënde! Shko e kryeje Umren tënde, sipas ligjit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe e mësoi se si të veprojë.

Thumameja u nis drejt qëllimi të tij. Posa arriti në qendër të Me­kës, u ndal dhe zëri i tij jehoi lart:

Lebbejke Allahumme Lebbejk...

“Të përgjigjem ty o Zoti im!

Të përgjigjem Ty që nuk ke shok tjetër, të përgjigjem!

Vërtet, falënderimi, begatia dhe pushteti të takon vetëm Ty!

Ti nuk ke shok tjetër!”

Ishte muslimani i parë që hyri në Mekë duke e madhëruar Allahun xh.sh.

*  *  *

Kurejshitët posa e dëgjuan zërin e madhërimit të Allahut u ngritën të hidhëruar e të tmerruar. I nxorën shpatat prej këllëfëve dhe u nisën në drejtim të zërit për ta shkatërruar atë që donte t’ua rrëmbente pushtetin.

Thumameja posa e pa popullin duke u nisur në drejtim të tij, e ngriti zërin për ta madhëruar Allahun xh.sh. dhe i shikonte ata me krenari. Në momentin kur një i ri kurejshit tentoi ta sulmojë me shigjetë Thumamen të tjerët e penguan e i thanë:

- Vaj për ty! A e di se kush është ky?!

Ky është Thumame ibnu Uthali, mbreti i Jemames.

Betohem në Allahun se, nëse atij i ndodh ndonjë e keqe, populli i tij do të na ndërprejë dërgimin e ushqimit e ne do të vdesin nga uria.

Pastaj njerëzit iu afruan Thumames, pasi i kishin  kthyer shpatat e tyre në këllëfe dhe i thanë:

- Çfarë ka ndodhur me ty, o Thumame?!

A je bërë fëmijë që e ke braktisur fenë tënde dhe të të parëve të tu?!

Ai iu përgjigj:

- Unë nuk jam bërë fëmijë, por zgjodha fenë më të mirë. Zgjo­dha fenë e Muhammedit.

Pastaj vazhdoi:

- Betohem në Zotin e Qabes se, pas kthimit tim në Jemame, nuk do t’ju arrijë asnjë kokërr gruri, apo të mira të tjera të grurit, derisa të mos i besojë fesë së Muhammedit a.s. edhe njeriu i fundit prej jush.

Kështu pra, Thumameja e bëri “Umren” para syve të kurej­shi­tëve, ashtu sikurse e kishte urdhëruar Pejgamberi a.s.

Ai preu kurbanë për hir të Allahut e jo për idhuj, ashtu siç vep­ronin pabesimtarët.

Pasi e kreu “Umren”, u kthye në vendin e vet dhe i urdhëroi po­pullit të tij që të mos u dërgojnë kurejshitëve asnjë të mirë dhe ashtu vepruan.

Bllokada, të cilën Thumameja ua kishte imponuar kurej-shitëve, di­ta ditës sa vinte e bëhej më e rëndë. U ngritën çmimet, u për­hap uria në mesin e njerëzve, derisa nisën të frikësohen për vetve­ten dhe fëmijët e tyre se do të vdesin nga uria.

Më në fund, nuk u mbet tjetër shtegdalje përveç se t’i shkruajnë një letër Pejgamberit a.s., në të cilën i thanë:

“Në marrëveshjen tonë me ty je zotuar se nuk do t’i shkëputësh marrëdhëniet familjare dhe se do të këmbë-ngulësh që të mbahen, mirëpo ti i ke ndërprerë lidhjet me ne. Baballarët tanë i vrave me shpatë dhe bëre që fëmijët tanë sot të vdesin nga uria.

Të bëjmë me dije se Thumame ibnu Uthali na e ka ndërprerë furnizimin me ushqim, gjë që na ka dëmtuar shumë. Nëse e sheh të arsyeshme t’i shkruash atij të na dërgojë gjithçka që na nevojitet prej gjërave ushqimore, do të na shpëtosh.

Pejgamberi a.s. i shkroi Thumames që t’ua heqë blloka-dën dhe t’u dërgojë atyre gjërat ushqimore, gjë të cilën e bëri menjëherë.

Thumame ibnu Uthali i mbeti besnik tërë jetë fesë islame dhe e ruajti premtimin që i kishte dhënë Pejgamberit a.s. Pas vdek­jes së Pejgamberit a.s., kur arabët nisën të braktisin fenë e Allahut grupe‑grupe dhe në mënyrë individuale, e në fisin beni Hanife u paraqit Musejlemetul Kedh‑dhabi, i cili e thirri popullin e vet që ta besojë atë si pejgamber, Thumameja iu kundërvu haptazi dhe i tha popullit të vet:

“O beni Hanife! Kini kujdes dhe ruajuni nga kjo errësirë, në të cil­ën nuk ka dritë. Betohem në Allahun, se kjo është fatkeqësi të cilën e shkroi Allahu për atë që shkon pas tij dhe sprovim për atë që nuk shkon pas tij.”

Pastaj vazhdoi:

- O beni Hanife! Duhet ta dini se nuk bashkohen dy pejgamberë në të njëjtën kohë! Po ashtu duhet ta dini se Muhammedi është i Dërguari i Allahut pas të cilit nuk ka pejgamber.

Pastaj ua lexoi tri ajetet e para të sures “El‑Mu’min”:

“Ha, Mim. Shpallja e Librit është nga Allahu i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm, i Cili fal mëkatet dhe pranon pendimin, por edhe i Cili dënon rëndë dhe posedon mirësi; nuk ka tjetër Zot përveç Atij. Tek Ai është kthimi i çdo sendi.”

Pas kësaj tha:

- Ku mund të krahasohen Fjalët e Allahut me fjalët e Musejlemes:

“Oj brektosë, krrokat sa të duash. As s’mund të pengosh pijen e as s’mund ta turbullosh ujin.”

Pastaj iu bashkangjitën ata që kishin mbetur në fenë Islame prej popullit të tij dhe vazhdoi t’i luftojë tradhtarët e fesë. Luftoi në rrugën e Allahut dhe për ta lartësuar Fjalën e Allahut në këtë tokë.

Allahu e shpërbleftë Thumame ibnu Uthalin me të mira për kontributin që dha  për fenë islame dhe për muslimanët.

Allahu xh.sh. e nderoftë atë me xhenetin, që ua premtoi të devotshmëve!



[1] Umreja është vizita e Qabes jashtë kohës së haxhit.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

UMMU SELEMEJA

Ummu Selemeja

UMMU SELEMEJA

A di se kush është Ummu Selemeja!? Sa i përket ba­bait të saj, ai është njëri prej zotërinjve të Mahzumijve të njohur dhe njëri prej bujarëve të rrallë arabë. Ai quhej “furnizues i kalorësve”, sepse udhëtarët nuk i lënte të furnizoheshin vetë nëse ia mësynin shtëpive të tyre apo shkonin në shoqërinë e tij.

Burri i saj është Abdullah ibnu Abdul Esedi, njëri prej dhjetë të parëve që ka pranuar fenë Islame. Para tij fenë Islame e kishte pra­nuar Ebu Bekri dhe një grup i vogël, që nuk arrinte numrin e gishtë­rinjve të dy duarve.

Emri i saj është Hind, mirëpo ajo më vonë mori ofiqin Ummu Seleme dhe u bë e njohur me këtë emër.

*  *  *

Ummu Selemeja e pranoi fenë Islame së bashku me burrin e saj, kështu që edhe ajo pati nderin të jetë prej muslimanëve të parë.

Posa u përhap lajmi se Ummu Seleme dhe burri i saj e kanë pra­nuar fenë Islame, kurejshitët u ngritën në këmbë dhe filluan t’i keqtrajtojnë dhe t’i torturojnë me të gjitha mjetet në dispo­nim. Mirëpo, ata u përballuan të gjitha torturave dhe nuk u përulën.

Mirëpo, kur torturat dhe mundimet u bënë të padurue-shme dhe atëherë kur Pejgamberi a.s. u lejoi sahabë-ve të vet të shpërngulen në Abisini, ata të dy ishin në krye të muhaxhirëve.

Ummu Selemeja së bashku me burrin e saj shkoi në një vend të huaj duke lënë në Meke shtëpinë e saj të bukur, tërë pasurinë që kishte dhe farefisin e saj, duke kërkuar kënaqë-sinë e Allahut xh.sh. dhe duke llogaritur në shpërblimin e Tij.

Edhe pse Ummu Selemeja dhe muslimanët ishin nën mbrojtjen e Nexhashiut, Allahu ia shëndritë fytyrën e tij në xhenet, mirëpo malli për Meken, djepin e Shpalljes, si dhe dashuria për të Dërguarin e Allahut, burimin e udhëzimit, ia përvëlonte zemrën e saj dhe të burrit të saj.

Në Abisini kishin arritur lajmet se numri i muslimanëve në Mekë ishte rritur dhe pranimi i Islamit nga ana e Hamza ibnu Abdul Mut­ta­libit dhe Omer ibnul Hattabit i kishte forcuar radhët e tyre dhe persekutimet e kurejshitëve ishin pakësuar. Kjo bëri që një numër i muhaxhirëve të kthehet në Meke nga malli dhe dashuria për vendin e lindjes. Në mesin e tyre ishin Umu Selemeja dhe burri i saj.

*  *  *

Mirëpo, me t’u kthyer në Meke, muhaxhirët u zhgënjyen dhe kup­tuan se lajmet që u kishin arritur në Abisini nuk kishin qenë të vërteta. Me kalimin e Hamzës dhe Omerit në fenë Islame, kurej­shitët vetëm kishin shtuar edhe më shumë reprezaljet e tyre ndaj muslimanëve.

Pabesimtarët shpikën lloj‑lloj metodash për torturimin e muslimanëve, kështu që ata përjetuan vuajtje të papër­shkrueshme.

Kështu, Pejgamberi a.s. u lejoi sahabëve të tij të shpërngulen për në Medinë. Ummu Selemeja dhe burri i saj vendosën të jenë prej mu­haxhirëve të parë, për ta shpëtuar fenë e tyre dhe për t’u shpë­tuar torturave të kurejshitëve.

Mirëpo, kësaj radhe shpërngulja e Ummi Selemes dhe e burrit të saj nuk do të kalojë lehtë, ashtu siç e kishin menduar. Por, ajo ish­te e vështirë dhe e hidhur dhe pas vetes la një tragjedi, para së cilës çdo tragjedi tjetër është e lehtë.

Po ia japim fjalën Ummi Selemes të na rrëfejë për tragjedinë e saj. Ndjenjat e saj janë më të thella e më të fuqishme dhe përshkrimi i saj është më i hollësishëm dhe më i plotë.

Ummu Selemeja rrëfen e thotë:

- Pasi Ebu Selemeja vendosi të shkojmë në Medinë, përgatiti për mua një deve, më hypi në të e në prehërin tim vendosi fëmijën tonë, Selemen. Pastaj u nis dhe e kapi devenë për dore, duke mos i shkuar mendja për asgjë.

Para se të dilnim prej Mekës na panë disa njerëz të fisit benu Mahzum. Na dolën përpara dhe Ebu Selemes i thanë:

- Nëse nuk na ke pyetur për veten tënde, a thua, çka je duke bërë me gruan tënde? Ajo është bija jonë. A mendon se ne do të lejojmë ta marrësh atë prej nesh e të shkosh me të kah të duash?

Pastaj iu vërsulën atij, mua më zbritën me dhunë prej devesë dhe më morën me vete.

Posa i panë ata njerëzit e fisit të burrit tim, beni Abdul Esed, duke më marrë me dhunë mua dhe fëmijën tim, u hidhëruan për së tepërmi dhe thanë:

- Jo, për Zotin. Nuk ua lejojmë djalin që tonë ta marrë bija juaj, pasi ju ia morët me forcë vëllait tonë. Ai është fëmija ynë dhe ne kemi të drejtë në të.

Pastaj nisën ta tërheqin fëmijën tim, Selemen, para meje të dy palët, derisa ia nxorën dorën dhe e morën djalin me vete.

Për një çast e gjeta veten të vetmuar, pa askë. 

Burri im u nis në drejtim të Medinës, duke ikur për të shpëtuar fenë dhe vetveten, kurse djalin tim e rrëmbyen njerëzit e benu Abdul Esedit para duarve të mia të copëtuara e të sakatosura.

Mua më morën njerëzit e fisit benu Mahzun dhe më dërguan në shtëpitë e tyre, kështu që për një çast mbeta pa burrë dhe pa birin tim.

Prej asaj dite, çdo mëngjes dilja në shkretëtirë dhe ulesha në vendin ku më kishte ndodhur tragjedia. Rikujtoja momentet e ndarjes nga burri dhe biri im dhe ashtu vazhdoja të qaja derisa binte terri i natës.

Në këtë mënyrë vazhdoi jeta ime një vit, apo afërsisht një vit, derisa një ditë kaloi njëri prej kushërinjve të mi, të cilit i erdhi keq për gjendjen time, e u tha njerëzve të fisit tim:

- Përse nuk e lironi këtë të mjerë? Si e keni ndarë atë prej burrit dhe birit të saj?

Ende kishte në mesin e njerëzve të fisit tim, që ndienin dhem­bje për atë që më kishte ndodhur mua dhe më thanë:

- Je e lirë t’i bashkangjitesh burrit tënd, nëse dëshiron!

Mirëpo, si t’i bashkangjitem burrit tim në Medinë e ta lë djalin tim, pjesën e zemrës sime, në Mekë, te benu Abdul Esedi!?

Si mund të qetësohet dhembja ime, apo të thahen sytë e mi, kur të shkoj në Medinë dhe biri im i vogël të mbetet në Mekë e unë të mos di asgjë për të?!

Disa njerëz të mirë e ndjenë dhembjen time dhe mallin tim. Shkuan te njerëzit e benu Abdul Esedit dhe u folën atyre rreth çështjes sime dhe ata ma kthyen birin tim, Selemen.

Nuk desha të vonohem në Mekë, që të gjej ndonjë njeri me të cilin do të udhëtoja, sepse kisha frikë se mos po më ndodh ndonjë e papritur e më pengon t’i bashkangjitem burrit tim.

Prandaj, fillova ta përgatis devenë time, e vendosa djalin tim në prehër dhe u nisa në drejtim të Medinë. Dëshiroja t’i bashkan­gji­tesha burrit tim, e me mua nuk ishte askush përveç Allahut të Madhë­rishëm.

Posa arrita në “Ten’im”, takova Uthman ibnu Talhan, i cili më pyeti: 

- Për ku ia ke mësyer, oj udhëtare? 

Iu përgjigja: 

- Në Medinë, te burri im.

Më pyeti:

-Nuk është askush me ty?!

Iu përgjigja;

-Jo, për Zotin, me mua nuk është askush, përveç Allahut dhe fëmijës tim të vogël.

Atëherë më tha:

- Betohem në Allahun se nuk do të të lë vetëm, derisa të mbërrish në Medinë.

Pastaj e kapi devenë për dore dhe u nis me mua.

Ummu Selemeja pastaj shton e thotë:

- Betohem në Allahun se nuk kam shoqëruar kurrë njeri prej arabëve më të ndershëm se ai. Kur arrinte në ndonjë vend pu­shimi, e ndalte devenë time, shkonte mbrapa derisa zbritja prej saj. Pastaj e çonte nën hijen e ndonjë peme, e lidhte, shkonte larg me­je te një pemë tjetër dhe shtrihej për të pushuar nën hijen e saj.

Kur afrohej koha e nisjes, shkonte te deveja ime, e përgatiste dhe e sillte para meje, pastaj shkonte pak mbrapa dhe thoshte hip. Posa hipja dhe rregullohesha mbi deve, vinte e kapte devenë për freri dhe nisej.

Kështu vazhdoi të veprojë me mua për çdo ditë, derisa arritëm në Medinë. Posa e pa fshatin Kuba, ku banonin fisi benu Amr ibnu Avf tha: “Burri yt është në këtë fshat. Hy në të me bekimin e Alla­hut”, - e ai u kthye për në Mekë.

U bashkua familja pas një ndarjeje të gjatë. U çmallën sytë e Ummi Selemes me burrin e saj. Ebu Selemeja u gëzua pa masë për të birin dhe gruan e tij. Pastaj nisën të zhvillohen ngjarjet me një shpej­tësi të paparashikueshme.

Ndodhi beteja e Bedrit, në të cilën mori pjesë Ebu Seleme, i cili kthehet prej saj me muslimanët e tjerë pas një fitoreje bindëse.

Pastaj pason beteja e Uhudit, në të cilën tregon heroizëm të jashtëzakonshëm. Mirëpo, ai kthehet prej saj i plagosur me plagë të rënda. Vazhdoi të shërohet, saqë iu duk se plaga ishte shëruar, mirëpo ai përmirësim ishte vetëm sipërfaqësor. Pas pak kohe plaga nisi të hapet, gjë që e detyroi Ebu Selemen të mbetet në shtrat.

Në kohën kur Ebu Selemeja ishte i sëmurë në shtrat, duke mje­kuar plagët e tij, iu drejtua gruas së vet e i tha:

- Oj, Ummi Seleme! E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë:

“Atij që i ndodh ndonjë fatkeqësi e kthehet tek Allahu me fja­lët: “Ne të Zotit jemi dhe te Zoti do të kthehemi” dhe i lutet Kri­jue­sit duke thënë: “O Zoti im, te Ti kërkoj shpërblim për këtë fat­ke­qësi timen! O Zoti im, më jep tjetër më të mirë se kjo”, atëherë nuk ka dyshim se Allahu do t’i japë atij.”

*  *  *

Ebu Selemeja qëndroi disa ditë i sëmurë në shtratin e tij. Në një mëngjes erdhi Pejgamberi a.s. ta vizitojë. Posa e përfundoi vizitën dhe ende pa dalë prej derës së shtëpisë, Ebu Selemeja u nda nga kjo botë, kështu që Pejgamberi a.s., me dy duart e tij fisnike ia mbylli sytë sahabit të vet. Pastaj i çoi duart lart dhe tha:

- O Zoti im, fale Ebu Selemen dhe lartësoje gradën e tij në mesin e të dashurve të Tu! Trashëgoje atë me pasardhës të mirë!

Falna neve dhe atë, o Krijues i botëve! Zgje­roje dhe ndriçoje varrin e tij!

Ummu Selemes iu kujtua se çka i kishte transmetuar Ebu Selemeja nga i Dërguari i Allahut dhe tha:

- O Zot im, prej teje kërkoj shpërblim për këtë fatkeqësi timen!

Ajo ishte mjaftuar vetëm me kaq e nuk kishte thënë:

- O Zot im, më zëvendëso në këtë fatkeqësi time me atë çka është më e mirë se kjo!”

Këtë e kishte bërë për arsye se ajo i bënte pyetje vetes se kush mund të jetë më i mirë për të se Ebu Selemeja?!

Mirëpo, nuk shkoi pak kohë dhe ajo e plotësoi lutjen.

Muslimanët u pikëlluan për fatkeqësinë e Ummi Selemes, ashtu siç nuk u pikëlluan për asnjë fatkeqësi të mëparshme që u kishte ndo­dhur atyre. Për këtë edhe e quajtën “Ej‑jimil Arab”, apo gruaja e cila e humbi burrin e saj (e veja e arabëve).

Ummu Selemeja nuk kishte në Medinë askë prej të afërmve të saj, përveç fëmijëve të saj të vegjël.

*  *  *

Si muhaxhirët, ashtu edhe ensarët e ndienin se ishte obligimi i tyre t’i dilnin në ndihmë Ummi Selemes. Posa ajo e kreu periudhën e pikëllimit të saj, iu paraqit Ebu Bekri, i cili paraqiti gatishmërinë e tij ta marrë atë për grua, por ajo nuk iu përgjigj kërkesës së tij.

Pastaj iu paraqit Omer ibnul Hattabi, por edhe atij ia ktheu ashtu siç ia kishte kthyer shokut të tij.

Më vonë iu paraqit asaj Pejgamberi a.s. e ajo i tha atij:

- O i Dërguari i Allahut, unë kam tri cilësi:

- Unë jam grua xheloze e kam frikë se do të shohësh diçka prej meje që do të të hidhërojë e do të më dënojë Allahu për të.

Unë jam grua e shtyrë në moshë.

Jam grua me fëmijë.

Pejgamberi a.s. atëherë iu përgjigj:

- Sa i përket xhelozisë, unë do ta lus Allahun xh.sh. që ta lar­go­jë xhelozinë prej teje.

Kurse sa i përket moshës, edhe unë jam në të njëjtën moshë sikurse edhe ti.

Ndërsa sa i përket fëmijëve, fëmijët e tu janë fëmijët e mi.”

Pas kësaj Pejgamberi a.s. u martua me Ummi Selemen, kështu që Allahu iu përgjigj lutjes së saj dhe ia kompensoi asaj Ebu Sele­men me më të mirë se ai.

Prej asaj dite Hind el‑Mahzumije nuk ishte më nënë vetëm e Selemes, por ajo u bë “Nënë e të gjithë besimta-rëve”.

Allahu xh.sh. le të bëjë që fytyra e Ummi Selemes të shkëlqejë në xhenet dhe Ai qoftë i kënaqur me të!

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

EL‑BERRAU IBNU MALIK EL‑ENSARIJ

el berrau ibnu malik el ensarij

EL‑BERRAU IBNU MALIK EL‑ENSARIJ

“Mos e caktoni el‑Berran në krye të ushtrisë muslimane, nga frika se ai do t’i marrë në qafë ushtarët muslimanë për shkak të guximit të tij!”

Omer ibnul Hattabi

Ishte flokëshprishur, trupvogël e thatanik. Në shikim të parë syri e shikon me përbuzje dhe neveri.

Mirëpo, megjithatë, ai i mbyti njëqind pabesimtarë vetëm në dy­l­uf­tim, përveç të tjerëve që ka mbytur në hovin e luftës me luftëtarët e tjerë.

Ai ishte trimi i guximshëm për të cilin Omeri u kishte shkruar më­këmbësve të vet në të gjitha anët që mos ta caktojnë në krye të ushtrisë muslimane, për shkak të frikës se ai do t’i marrë në qafë ushtarët për shkak të guximit të tij.

Ai është el‑Berra ibnu Malik el‑Ensarij, vëllai i Enes ibnu Malik el‑Ensariut, shërbëtorit të Pejgamberit a.s.

Nëse ia nisim t’i numërojnë heroizmat e el‑Berra ibnu Malikut, lypset një kohë e gjatë dhe hapësirë e gjerë. Për këtë e shohim të arsyeshme që të përmendim këtu vetëm njërin prej heroizmave të tij të shumtë dhe kjo të rrëfen edhe për trimëritë e tij të tjera.

*  *  *

Kjo ngjarje fillon në çastet e para të vdekjes së Pejgamberit a.s. dhe ngritjes së shpirtit të tij te Krijuesi i tij. Atëherë kur fiset arabe nisën ta braktisin fenë e Allahut xh.sh. grupe‑grupe, ashtu si­kurse kishin hyrë në të grupe‑grupe, saqë nuk mbetën në fenë islame vetëm banorët e Mekës, Medinës, Taifit dhe disa grupe aty ‑këtu, në zemrat e të cilëve Allahu xh.sh. e kishte ngulitur besimin.

 

*  *  *

Ebu Bekr Es‑Siddiku iu kundërvu kësaj kryengritjeje shkatërrue­se dhe qëndroi para saj si malet. Për shuarjen e saj ai përgatiti njëmbëdhjetë ushtri prej ensarëve dhe muhaxhi-rëve. Komandantëve të ushtrive ua dha njëmbëdhjetë flamuj dhe i dërgoi në anë të ndryshme të Gadishullit Arabik që t’i kthejnë renegatët në rrugën e drejtë dhe të vërtetë e t’i detyrojnë devi­juesit të kthehen në rrugën e vërtetë islame edhe me përdorimin e shpatës.

Tradhtari më i fuqishëm dhe me numër më të madh ithtarësh ish­te Musejlemetul Kedhabi nga fisi benu Hanife.

Nga gjiri i popullit dhe i aleatëve të tjerë Musejleme pati sukses të tubojë rreth vetes dyzet mijë luftëtarë të rreptë.

Ata e kishin përkrahur për shkak të lidhjeve fisnore e jo për shkak të besimit në të. Disa prej tyre thoshnin:

Dëshmoj se Musejlemeja është gënjeshtar,

ndërsa Muhammedi është i sinqertë,

mirëpo, gënjeshtari i Rebias,

është më i dashur për ne se i sinqerti i Mudarit.

*  *  *

Musejlemeja kishte ngadhënjyer kundër ushtrisë së parë të muslimanëve nën udhëheqjen e Ikreme ibnu ebi Xhehlit dhe e kishte de­ty­ruar atë të zmbrapset.

Për këtë Ebu Bekr Es‑sidiku u detyrua të dërgojë ushtrinë e dytë nën udhëheqjen e Halid bin Velidit, në përbërjen e së cilës ish­te një numër i madh i sahabëve të Pejgamberit a.s. prej ensarëve dhe muhaxhirëve. Në krye të tyre ishte el‑Berrau ibnu Malik el‑Ensa­ri dhe një numër i trimave muslimanë.

*   *  *

Dy ushtritë u takuan në tokën e Jemames në Nexhd. Pas një ko­he fare të shkurtër, ushtria e Musejlemes tregoi epërsi të dukshme ndaj ushtrisë muslimane. Ushtarët muslimanë filluan të tërhiqen nga pozitat e tyre, derisa ithtarët e Musejlemes e morën tendën e ma­dhe të Halid bin Velidit dhe e nxorën atë me themel. Në atë rrëmu­jë gati sa nuk mbytën edhe gruan e tij, sikur të mos e merrte nën mbrojtje njëri prej palës kundërshtare.

Në atë moment muslimanët e hetuan se u kanoset rreziku i madh dhe e kuptuan se, nëse ata pësojnë disfatë para Musejlemes, Islami më nuk do të mëkëmbet pas kësaj dite dhe Allahu i Vetëm nuk do të adhurohet më në Gadishullin Arabik.

Halid ibnu Velidi pa humbur kohë u ngrit dhe bëri riorganizimin e ushtrisë së tij. I dalloi muhaxhirët nga ensa-rët, ndërkaq fiset noma­de arabe i ndau veç e veç.

I tuboi bijtë e çdo babai nën një flamur me qëllim që të shohë rezul­tatet e secilës palë në luftë dhe se prej cilës anë po goditen muslimanët.

*  *  *

Në mes të dy palëve u zhvillua një luftë e ashpër, të cilën muslimanët nuk e kishin përjetuar më parë. Populli i Musejlemes qënd­roi në fushë të betejës sikurse malet e larta dhe nuk i frikësoi aspak e dhëna se në mesin e tyre kishte shumë të vrarë. Në atë luftë muslimanët treguan heroizëm të paparë dhe sikur të tuboheshin të gjitha ato heroizma, do të ishte njëra prej epopeve më të bukura në his­torinë e njerëzimit.

Ky është Thabit ibnu Kajsi, mbartës i flamurit të ensarë-ve, njeri që përgatitet për vdekje, pret qefinin dhe ia hap vetes një gropë në tokë, zbret në të deri nën gju dhe qëndron në pozitën e tij duke e mbrojtur flamurin e popullit të vet derisa bie dëshmor.

Ky është Zejd ibnul Hattabi, vëllai i Omer ibnul Hattabit r.a. duke u bërë thirrje muslimanëve:

- O ju njerëz, shtrëngoni dhëmbët, sulmoni armikun tuaj dhe shkoni përpara!

O ju njerëz, betohem në Allahun se nuk do të flas më pas kësaj fjale, asnjëherë, derisa të pësojë disfatë Musejle-meja apo unë ta takoj Allahun dhe t’ia paraqes Atij faktet e mia.

Pas kësaj e sulmoi armikun me tërë fuqinë dhe luftoi derisa ra dëshmor.

Ky është Salimi, robi i Ebu Hudhejfes, e mban flamurin e muha­xhi­rëve dhe populli i tij ia ka frikën se mos do të dobësohet apo do të luhatet dhe i thotë:

- Ne kemi frikë se mos do të kalojmë ty. Kurse ai u përgjigj: “Nëse më kaloni mua, sa mbartës i keq i Kur’anit jam unë!”

Pastaj u vërsul mbi armiqtë e Allahut derisa u plagos rëndë.

Mirëpo, heroizmat e të gjithëve janë të vogla në krahasim me he­roizmin e el‑Berrau ibnu Malikut r.a.

Halid ibnul Velidi kur pa se zjarri i luftës sa vinte e bëhej më i nxehtë, iu drejtua el‑Berra ibnu Malikut dhe i tha:

- Shko tek ata, o djalosh i ensarëve! 

El‑Berrau iu drejtua popullit të vet me këto fjalë:

- O popull i ensarëve, mos të mendojë askush prej jush se do të kthehet në Medinë. Nuk ka Medinë për ju pas sotit! Ekziston vetëm Allahu i Madhërishëm e pastaj xheneti!”

Pastaj u vërsul si vetëtima mbi pabesimtarët e me të u vërsul edhe populli i tij. Si vetëtima i shpërthente radhët dhe me shpatën e tij të mprehtë i prente qafat e armiqve të Allahut, derisa u lëkund dheu nën këmbët e Musejlemes dhe ithtarëve të tij, prandaj kërkuan shpëtim në kopshtin, që u njoh në histori më vonë me emrin “Kopshti i vdekjes”, për shkak të numrit të madh të të vdekurve në të atë ditë.

*  *  *

Kopshti i vdekjes ishte i gjerë dhe me mure të larta. Musejlemeja dhe disa mijëra ushtarë të tij hynë brenda, i mbyllën dyert e kop­shtit dhe mbroheshin në sajë të mureve të tij të larta. Pastaj filluan t’i gjuajnë muslimanët me shigjeta, të cilat binin sikurse shiu.

Në këtë situatë pa shtegdalje u paraqit heroi dhe trimi i muslimanëve El‑Berrau ibnu Maliku dhe tha:

- O popull, më vëni mua në një mburojë dhe çojeni lartë mburojen me shigjeta e pastaj më gjuani në kopsht afër derës. Ose do të bie dëshmor ose do t’ua hap derën juve që të hyni brenda.

*  *  *

Sa çel e mbyll sytë, el‑Berra ibnu Malik u ul në mburojë. Ishte thatanik dhe i lehtë. Për një çast e ngritën atë dhjetëra shigjeta dhe e hodhën në kopshtin e vdekjes, në mesin e disa mijëra ushta­rëve të Musejlemes. Ai zbriti mbi ta sikurse rrufeja. Luftoi me ata para derës së kopshtit me shpatën e tij derisa i mbyti dhjetë prej tyre dhe e hapi derën, e në trupin e tij kishte mbi tetëdhjetë plagë prej gjuajtjeve me shigjeta apo nga të rënat me shpatë. Muslimanët menjëherë vërshuan si bletët në kopshtin e vdekjes nga muret apo dyert e tij dhe i shtinë në veprim shpatat e tyre në qafat e tradh­tarëve, të cilët ishin të mbrojtur nga muret e larta të kopshtit, derisa i vranë afër njëzet mijë veta dhe arritën deri te Musejlemeja dhe e mbytën edhe atë.

*  *  *

El‑Berranë e morën shokët e tij dhe e dërguan te tenda e vet që të shërohet nga plagët e marra. Halid ibnul Velidi ia shëroi plagët për afro një muaj, derisa Allahu e shëroi dhe ua mundësoi muslimanëve fitoren nga duart e tij.

*  *  *

El‑Berra ibnu Malik el‑Ensariju vazhdoi të kërkojë rastin të bjerë dëshmor, rast ky i cili nuk iu dha në kopshtin e vdekjes.

Ai vazhdoi të marrë pjesë në të gjitha luftërat, njëra pas tjet­rës, duke dëshiruar ta realizojë dëshirën e tij të madhe për t’u ta­kuar me Pejgamberin e tij fisnik, deri kur erdhi dita e çlirimit të Tusterit, një vend në Persi. Persianët ishin strehuar në një kështje­llë të lartë. Muslimanët e rrethuan kështjellën nga të gjitha anët, por meqenëse rrethimi vazhdoi një kohë të gjatë, persianët u gjetën në pozitë të palakmue-shme, kështu që filluan të lëshojnë zin­xhirë të hekurt prej mureve të kështjellës, në të cilët ishin lidhur çengele të çeliktë, të nxehura në zjarr, të cilat nguleshin në trupat e muslimanëve, pastaj i ngritnin ata ose të vdekur ose para vdekjes.

Një çengel i tillë kishte kapur Enes ibnu Malikun, vëllanë e el‑Berrau ibnu Malikut. Posa e pa, el‑Berrau kërceu në murin e kësh­tjellës, e kapi zinxhirin, i cili e çonte vëllanë lart, dhe filloi ta heqë çengelin prej trupit të tij. Ndërkohë dora e tij filloi të digjet dhe të nxjerrë tym, mirëpo ai nuk e ndjeu dhembjen e dorës së vet derisa e shpëtoi vëllanë nga vdekja e sigurtë. Ra në tokë, pasi dora e tij kishte mbetur vetëm kockë, sepse mishi i ishte djegur.

Në këtë luftë el‑Berrau e luti Allahun xh.sh. që të bjerë shehid dhe Allahu xh.sh. iu përgjigj lutjes së tij, sepse në përfundim të luf­tës ai ra shehid, i gëzuar nga takimi i tij me Allahun e Madhërishëm.

*  *  *

Allahu xh.sh. e zbukuroftë fytyrën e el‑Berra ibnu Malikut në xhenet dhe le ta kënaqë në shoqërinë e Muhammedit a.s!

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

UMEJR IBNU VEHBI

umejr ibnu vehbi

UMEJR IBNU VEHBI

“Umejr ibnu Vehbi është më i dashur tek unë se disa prej fëmijëve të mi.”

Omer ibnul Hattabi

Umejr ibnu Vehbi el‑Xhumehiju u kthye prej Bedrit shëndosh e mirë, mirëpo kishte lënë pas të birin, Vehbin, rob në duar të muslimanëve.

Umejri kishte frikë se muslimanët do ta marrin të riun me sy të keq dhe do ta torturojnë në shenjë hakmarrjeje për shkak të fajit të babait të tij, i cili e kishte keqtrajtuar Pejgamberin a.s dhe sa­habët e tjerë dhe u kishte shkaktuar dëme të shumta.

Një mëngjes Umejri u nis për në Qabe, me qëllim që të bëjë ta­vafin dhe të kërkojë ndihmë prej idhujve. Aty gjeti Safvan ibnu Umejen të mbështetur në krah. U drejtua kah ai dhe e përshëndeti:

- Mirëmëngjesi, o zotëri i kurejshitëve! 

Safvani iu përgjigj:

- Mirëmëngjesi, o Eba Vehb! Ulu këtu pranë meje të bisedojmë pak, sepse koha kalon duke biseduar.

Umejri u ul pranë Safvan ibnu Umejes. Filluan të rikujtoj-në luftën e Bedrit dhe tragjedinë e madhe që u kishte ndodhur. Nisën t’i numërojnë robërit e luftës, që kishin rënë në duar të Muham­medit dhe sahabëve të tij. Ndjenin dhembje të madhe për parinë e Kurejshit mbytur nga shpatat e muslimanëve dhe që i kishte marrë Kalibi[1] në thellësitë e tij.

Safvan ibnu Umeje ofshani thellë dhe tha:

- Betohem në Zotin se jeta nuk ka shije pas tyre.

Umejri ia priti:

- Betohem në Zotin se është ashtu si thua ti.

Pastaj heshti për disa çaste dhe tha:

- Betohem në Zotin e Qabes, se sikur të mos i kisha disa borxhe, të cilat nuk kam mundësi t’i paguaj, si dhe të mos ishin fëmijët që i lë pas dhe për të cilët kam frikë se do të humbin pas meje, do të shkoja te Muhammedi dhe do ta mbytja. Me këtë do t’i jepja fund sherrit të tij.

Pastaj vazhdoi të flasë me një zë të ulët:

- Meqënëse biri im Vehbi gjendet në duar të tyre, shkuarja ime në Jethrib nuk do të ngjallte kurrfarë dyshimi.

*  *  *

Safvan ibnu Umeje, i shfrytëzoi fjalët e Umejr ibnu Vehbit dhe deshi ta shfrytëzojë këtë rast, e iu drejtua atij me këto fjalë:

- O Umejr sa i përket borxheve të tua, unë po i marr përsipër të gjitha ato, sado e madhe të jetë shuma e tyre. Ndërsa familjen tënde do t’ia bashkoj familjes sime dhe do të interesohem për ta sa të jem gjallë unë dhe ata.

Unë kam pasuri të mjaftueshme, e cila do t’u mundësojë atyre jetë të rehatshme.

Umejri ia ktheu:

- Atëherë mbaje në fshehtësi bisedën tonë dhe mos i trego as­kujt për këtë.

Safvani i tha: - Ashtu qoftë.

*  *  *

Umejri u nis prej Qabes dhe zjarri i urrejtjes së tij kundër Mu­ham­medit ia përvëlonte zemrën. Pa u vonuar filloi të bëjë përga­titjet e duhura për ta realizuar atë që kishte vendosur. Nuk kishte frikë se dikush do të dyshonte në udhëtimin e tij, sepse anëtarët e familjeve të të zënëve robër nga kurejshitët shpeshherë udhëtonin për në Medinë, duke u përpjekur që t’i lironin anëtarët e familjeve të tyre.

Umejri urdhëroi që të përgatitet shpata e tij, të mprehet mirë dhe t’i vendoset helm. Kërkoi t’ia sjellin devenë, hipi në të dhe u nis. Ia mësyu Medinës, e në zemrën e tij fshehte urrejtjen dhe qëllimet më të këqija.

Pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, Umejri arriti në Medinë dhe u nis në drejtim të xhamisë: dëshironte Pejgamberin a.s. Posa arriti pranë derës së xhamisë, e ndali devenë dhe zbriti.

*  *  *

Omer ibnul Hattabi ‑ në atë moment ‑ ishte ulur para derës së xha­misë me disa prej sahabëve që përkujtonin Bedrin dhe pasojat e saj për palën kurejshite, numrin e madh të të zënëve robër dhe të vrarëve. Përkujtonin trimëritë që kishin treguar në atë luftë muhaxhirët dhe ensarët. Përmen­d­nin nderimin e madh që u kishte bërë atyre Allahu xh.sh. me atë fi­to­re dhe dëshpërimin dhe humbjet e mëdha që kishte pësuar armiku.

Për një moment, kur e ktheu fytyrën, Omeri vërejti Umejr ibnu Vehbin duke zbritur prej devesë dhe duke u nisur në drejtim të xhamisë me shpatën e ngjeshur në krah. Omeri u ngrit prej mexhlisit i tmerruar dhe tha:

- Ky qen është armiku i Allahut, Umejr ibnu Vehbi! Betohem në Allahun se ky ka ardhur vetëm për sherr. E kanë nxitur kundër nesh armiqtë e Mekës. Ishte agjent i tyre para betejës së Bedrit. Pastaj iu drejtua sahabëve të pranishëm me këto fjalë:

- Shkoni te Pejgamberi a.s. gjenduni pranë tij dhe kini kujdes se mos po e tradhton ky njeri i keq.

Omeri nuk vonoi dhe vetë shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha:

- O i Dërguari i Allahut! Armiku i Allahut, Umejr ibnu Vehbi ka ar­­dhur me shpatë të ngjeshur. Mendoj se nuk ka ardhur për tjetër gjë, por vetëm ka për qëllim që të bëjë ndonjë të keqe.

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

- Urdhëroje të hyjë brenda tek unë!

Omeri u nis në drejtim të Umejr ibnu Vehbit, e kapi nga rrobat, ia lidhi mbajtësen e shpates për qafe dhe e çoi në drejtim të Pejgamberit a.s.

Kur Pejgamberi a.s., e pa në këtë gjendje, e urdhëroi Omerit duke i thënë:

- Liroje, Omer!

Omeri iu bind urdhrit të Pejgamberit a.s. dhe e liroi menjëherë.

Pejgamberi a.s. pastaj iu drejtua Omerit:

- Shko prapa tij!

Omeri u tërhoq mbrapa.

Pejgamberi a.s. pastaj iu drejtua Umejr ibnu Vehbit me këto fjalë:

- O Umejr ibnu Vehb, afrohu pranë meje!

Umejri u afrua dhe i tha:

- Mirëmëngjes! (Kjo ishte përshëndetje e arabëve në kohën e injorancës)

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

- Allahu na ka nderuar me një përshëndetje më të mirë se kjo përshëndetja jote, o Umejr! Allahu na ka nderuar me përshëndet­jen e selamit (paqes). Kjo është përshëndetja e banorëve të xhenetit.

 

Umejri ia ktheu:

- Besoj se nuk është e panjohur kjo përshëndetje jona për ty.

Pastaj Pejgamberi a.s. iu drejtua me këto fjalë:

- Çfarë e mire të ka prurë këtu, o Umejr?

Umejri u përgjigj:

- Kam ardhur t’ju lutem, nëse është e mundur, të ma lironi robin e luftës të zënë te ju, keni mirësinë ndaj meje për këtë.

Pejgamberi a.s., pastaj e pyeti:

- Ç’është kjo shpatë  e varur në qafën tënde?!

Umejri u përgjigj:

- Sa të kobshme janë këto shpata! A na ndihmuan diçka në bete­jën e Bedrit?!

Pejgamberi a.s. e pyeti përsëri:

- Bëhu i sinqertë. Çka të ka shtyrë të vish deri këtu, o Umejr?!

Umejri u përgjigj:

- Nuk kam ardhur për asgjë tjetër, vetëm për atë që të thashë më parë.

Pejgamberi a.s., atëherë i tha:

- Ishe duke ndenjur ti dhe Safvan ibnu Umeje në Qabe dhe në bi­se­dë e sipër i përkujtuat të varrosurit e Kalibit, në Bedr, prej të vrarëve të kurejshëve, pastaj iu ankove atij se, sikur të mos kishe disa borxhe dhe sikur të mos kishe fëmijët që do të mbeteshin pa kujdestar, do ta mbytje Muhammedin. Pas kësaj Safvan ibnu Umeje e mori përsipër borxhin tënd dhe përkujdesjen për familjen tënde me qëllim që të më mbysësh mua...

Mirëpo, Allahu është Ai i cili të pengon në realizimin e qëllimit tënd.

 

Umejri u shtang për një çast, pastaj tha:

- Dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut.

Pastaj vazhdoi e tha:

- Të përgënjeshtronim, o i Dërguari i Allahut, derisa ishe në Meke, për lajmet të cilat të vinin nga Qielli dhe çka të zbritej ty prej Shpalljes. Mirëpo, bisedën time me Safvan ibnu Umejen nuk e dinte askush përveç meje dhe atij... Betohem në Allahun se tani jam i bindur se për këtë nuk të ka bërë me dije askush përveç Allahut. 

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili më drejtoi deri te ti që të më udhëzojë mua në fenë islame.” Pastaj e shqiptoi fjalën e dëshmisë! “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut”, dhe e pranoi fenë Islame.

Atëherë Pejgamberi a.s. i urdhëroi sahabëve të vet:

- Mësojani vëllait tuaj fenë, mësojani atij Kur’anin dhe lirojeni robin e tij!

*  *  *

Muslimanët u gëzuan pa masë me islamin e Umejr ibnu Vehbit, saqë Omer ibnul Hatabi tha:

- Një derr ishte më i dashur tek unë sesa Umejr Ibnu Vehbi, kur ai erdhi te Pejgamberi a.s., ndërsa sot është më i dashur tek unë se disa prej fëmijëve të mi!

*  *  *

Derisa Umejri pajisej me mësimet islame, e mbushte zemrën e vet me dritën e Kur’anit, dhe jetonte ditët më të lumtura dhe më të begatshme të jetës së tij, gjë që e bënë atë ta harrojë Meken dhe kush ishte në të, Safvan ibnu Umeje i bënte qejfin vetes, duke kaluar pranë klubeve të kurejshitëve e duke paralajmëruar: “Gëzohuni për një lajm të madhërishëm, i cili do t’ju vijë së shpejti e me të do ta harroni betejën e Bedrit.”

Meqenëse pritja e Safvanit u zgjat, filloi të depërtojë shqe­të­simi në shpirtin e tij. Kështu ai nisi t’i pyeste kalorësit që vinin nga Medina për Umejr ibnu Vehbin, por nuk gjente tek asnjëri përgjigjen që dëshironte.

Derisa një ditë erdhi një kalorës dhe e lajmëroi se Umejri është bërë musliman. Ky lajm i erdhi sikurse rrufeja.

Ai ishte më se i bindur se Umejr ibnu Vehbi nuk do të bëhej musliman dhe sikur ta përqafonin fenë islame të gjithë njerëzit që jetojnë në rruzullin tokësor.

*  *  *

Ndërkohë Umejr ibnu Vehbi vazhdoi të mësojë fenë islame dhe të mësojë përmendsh Fjalët e Allahut xh.sh., derisa një ditë erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: ”O i Dërguari i Allahut! Kaloi një kohë dhe unë isha i palodhshëm në shuarjen e dritës së Allahut. I keqtrajtoja pa masë të gjithë ata që kishin pranuar fenë islame. Dëshira ime është të më lejosh të kthehem në Meke që t’i thërras kurejshitët në rrugën e Allahut xh.sh dhe të Dërguarit të Tij. Nëse e pranojnë këtë prej meje, do të bëjnë një punë shumë të mirë, e nëse nuk e bëjnë, atëherë do t’i keqtrajtoj në fenë e tyre, ashtu siç veproja me sahabët e të Dërguarit të Allahut xh.sh.”

Pejgamberi a.s. e lejoi të kthehet në Meke. Me të arritur në Mekë, shkoi në shtëpinë e Safvan ibnu Umejes dhe i tha:

- O Safvan, ti je njëri prej zotërinjve të kurejshitëve dhe njëri prej më të mençurve ndër ta. A ta merr mendja se idhujt prej gurëve, që i adhuroni dhe që flijoni për ta, janë fe?!

Sa më përket mua, unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij.

*  *  *

Umejri pastaj filloi të thërrasë në rrugën e Allahut, në Meke, dhe në sajë të tij një numër i madh njerëzish e pranuan fenë islame.

Allahu e shpërbleftë Umejr ibnu Vehbin dhe ia ndriçoftë varrin.




[1] El ‑Kalib: një pus në të cilin ishin varrosur të vrarët e palës së Kurejshit në betejën e Bedrit.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

ABDULLAH IBNU HUDHAFE ES‑SEHMIJ

abdullah ibnu hudhafe es sehmij

ABDULLAH IBNU HUDHAFE ES‑SEHMIJ

“Çdo musliman ka të drejtë ta puthë kokën e Abdullah ibnu Hudhafes dhe unë i pari e bëj këtë.”

Omer ibnul Hattabi

Heroi i tregimit tonë është një njeri nga sahabët, i cili quhet ABDULLAH IBNU HUDHAFE ES‑SEHMIJ.

Historia ka mundësi të kalojë para këtij njeriu ashtu sikurse kaloi pa­ra miliona arabëve para tij pa i përmendur fare.

Mirëpo, Islami madhështor ia bëri të mundur Abdullah ibnu Hu­dha­fes të takohet me dy sundim­tarët e botës së asaj kohe: Kisranë e persianëve dhe Cezarin, perandorin e romakë-ve, dhe me secilin prej tyre të ketë nga një ndodhi, të cilat do t’i ruajë kujtesa e kohës dhe do t’i rrëfejë historia.

*  *  *

Ngjarja e tij me Kisranë e persianëve ndodhi në vitin e gjashtë të hixhretit, kur Pejgamberi a.s. vendosi t’i dërgojë disa prej saha­bëve të vet me mesazhe mbretërve dhe perandorëve të huaj, me anë të të cilëve i ftoi në fenë islame.

Muhammedi a.s. ishte i vetëdijshëm për rrezikun që mbarte në ve­te ky mision.

Emisarët e tij do të shkonin në vende të largëta, të cilat nuk ki­shin pasur rast t’i vizitonin më parë. Ata nuk kishin njohuri për gju­hët e atyre popujve e as nuk ua dinin temperamentin mbretërve të tyre.

Pastaj, do t’i ftonin ata mbretër të braktisnin fetë e tyre dhe të hiqnin dorë nga pozitat dhe pushteti që mbanin dhe të hynin në fenë e një populli, i cili deri dje ishte i nënshtruar prej tyre.

Vërtet ky ishte një udhëtim i rrezikshëm. Ai i cili merrte guximin të nisej në atë rrugë, ishte i humbur, ndërsa ai që kishte fat të kthehej prej saj, ishte i lindur për së dyti.

Prandaj Pejgamberi a.s. i tuboi shokët e vet dhe u foli atyre. Pa­si falënderon Allahun xh.sh., siç e kishte zakon, iu drejtua sahabëve të vet me këto fjalë:

- Unë dëshiroj t’i dërgoj disa prej jush te mbretërit e huaj, pran­daj mos polemizoni me mua ashtu si polemizuan të bijtë e Izraelit rreth Isait, të birit të Mejremes.

Sahabët iu përgjigjën:

- O Pejgamber i Allahut, ne jemi në gjendje të kryejmë çdo ur­dhër tëndin, dërgona kudo që dëshiron ti!

*  *  *

Pejgambari a.s. i dërgoi gjashtë prej sahabëve t’i mbartin mesa­zhet e tij te mbretërit arabë dhe ata joarabë. Në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibnu Hudhafe Es‑She-mija. Ishte emisar i Pejgamberit a.s., që mbarte mesazhin e tij te Kisra i Persisë.

*  *  *

Menjëherë pas udhëzimeve të marra nga Pejgamberi a.s., Ab­du­llah ibnu Hudhafe e përgatiti devenë e tij. U përshëndet me bashkë­shorten dhe fëmijët dhe u nis në misionin e tij të shenjtë, duke ka­luar nëpër male të larta dhe rrafshina, i vetmuar, nuk kishte me vete askë, përveç Allahut xh.sh. Pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, arriti në kryeqendrën e Persisë, në pallatin e peran­dorit. Kërkoi leje për të hyrë te perandori dhe u tregoi ndihmësve të tij për mesazhin, që kishte me vete.

Kur Kisra mori vesh për këtë, u vesh me stolitë më të bukura pe­randorake dhe e ftoi parinë dhe njerëzit më me autoritet të ma­rrin pjesë në mexhlisin e tij. Ata iu përgjigjen ftesës. Pas­taj urdhëroi që t’i lejohet Abdullah ibnu Hudhafes të hyjë në pallatin e tij.

Abdullahu hyri te Perandori i persianëve i veshur me xhelabijen[1] e tij të hollë dhe me shallin e tij të bardhë prej materiali të vrazh­dë, në të cilin dukej modestia arabe.

Megjithatë, ai ishte kryelartë, i vendosur. Në tërë trupin e tij ndiente fuqinë e Islamit dhe në thellësinë e zemrës së tij vlonte kre­naria e imanit (besimit).

Posa e pa se ishte nisur në drejtim të tij, Kisra i dha shenjë një­rit prej njerëzve të tij që t’ia merrte mesazhin prej dorës, por Abdullahu i tha:

- Jo! Mua më ka urdhëruar i Dërguari i Allahut që këtë mesazh ta dorëzoj ty, personalisht në dorë, dhe unë nuk mund ta shke­l urdhrin e të Dërguarit të Allahut.

Atëherë, Kisra iu drejtua njerëzve të tij:

- Lëreni të afrohet pranë meje! 

Abdullahu iu afrua Kisrasë dhe ia dorëzoi mesazhin e Pejgambe­rit a.s. me dorën e vet.

Kisra dha urdhër që të vijë një çatip arab prej banorëve të Hi­res.[2] Për një çast hyri çatipi, e Kisra e urdhëroi ta hapë mesazhin para tij dhe t’ia lexojë atij, në të cilin, përveç të tjerash, shkruante:

“Me emrin e Allahut, të Mëshiruesit e Mirë­bërësit.

Prej Muhammedit, të Dërguarit të Allahut, deri te Kisra, të ma­dhit të Persisë. Paqja qoftë mbi atë që i përmbahet udhëzimit...!”

Posa dëgjoi vetëm këtë pjesë të mesazhit në zemrën e Kisrës gu­foi hidhërimi si zjarri. Fytyra e tij u skuq e u bë all dhe i gufuan da­ma­rët për arsye se Pejgamberi a.s. kishte filluar mesazhin me em­rin e vet. E tërhoqi mesazhin prej dorës së çatipit të vet dhe nisi ta shqyejë, pa e ditur fare se ç’përmbajtje kishte në vazhdim, e në ndërkohë nisi edhe të bërtasë:

- Mua të më shkruajë  kështu, e ai është robi im?!!

Pastaj dha urdhër që Abdullah ibnu Hudhafe të nxirret prej mexhlisit të tij dhe ashtu u veprua.

 

*  *  *

Abdullahu doli prej mexhlisit të Kisras dhe nuk dinte se çka do të bënte Allahu me të.

A do të mbytet apo do të lihet i lirë?

Mirëpo, pasi mendoi një çast, tha:

“Pasha Allahun, le të ndodhë me mua çkadoqoftë, pasi që unë e do­rëzova mesazhin e Pejgamberit a.s.” Nuk vonoi, i hipi devesë dhe u nis. 

Pas një kohe, Kisrasë i kaloi hidhërimi, urdhëroi që të  hyjë tek ai Abdullahu, por ai nuk ishte. E kërkuan në të gjitha anët, por ai kishte humbur pa shenjë, pa gjurmë.

E kërkuan në rrugën që shpiente drejt Gadishullit Arabik, por më kot, ai kishte shkuar.

Kur kishte arritur në Medinë, pas një udhëtimi të mundimshëm, Abdullahu u paraqit te Pejgamberi a.s. dhe i tregoi se çka kishte ndo­dhur me Kisranë dhe shqyerjen e mesazhit. Atëherë Pejgamberi a.s. tha:

- Allahu ia shkatërroftë perandorinë!!!

Ndërkohë, Kisra i shkruajti Badhanit, mëkëmbësit të tij në Jemen: “Dërgoja atij njeriu që është paraqitur në Hixhaz dy njerëz të fuqishëm nga ana jote dhe udhëroji ata të ma sjellin mua.”

Pa humbur kohë, Badhani dërgoi dy njerëz të fuqishëm, nga më të afërtit e tij, te Pejgamberi a.s. dhe me vete ua dha një letër në të cilën kërkonte prej tij të nisej së bashku me ata për t’u takuar me Kisran pa u vonuar.

Në bisedë me ta Badhani kërkoi prej tyre që ta hulumto-jnë çësh­tjen e Pejgamberit a.s. dhe t’i sjellin atij informata më të plota për të.

*  *  *

Ata u nisën dhe pas një kohe arritën në Taif, ku u takuan me disa tregtarë të Kurejshit dhe në bisedë e sipër i pyetën ata edhe për Muhammedin a.s. Ata u përgjigjën se ai gjendet në Jethrib. Treg­tarët e Kurejshit vazhduan rrugën e tyre të gëzuar e të kënaqur dhe filluan t’i përgëzonin kurejshitët me këto fjalë:

- Gëzohuni sepse Kisra do t’i kundërvihet Muhammedit dhe do t’ju kursej prej sherrit të tij!

Ndërkohë të dy njerëzit u drejtuan kah Medina dhe pas një udhëtimi të gjatë arritën atje, e takuan Pejgamberin a.s. dhe ia do­rëzuan letrën e Badhanit duke i thënë:

“Mbreti i mbretërve, Kisra, i shkroi mbretit tonë Badhanit, të dërgojë dikë që të të çojë ty deri tek ai. Ne kemi ardhur që të nisesh me ne; nëse vjen, do t’i flasim Kisrasë për atë që është në të mirën tënde dhe të të kursejë nga keqtrajtimet dhe torturat. Nëse e refuzon këtë, ti e njeh fuqinë dhe vrazhdësinë e tij për të shkatërruar ty dhe popullin tënd.”

Pejgamberi a.s. buzëqeshi dhe u tha atyre:

- Kthehuni sot te devetë tuaja dhe ejani nesër tek unë!

Kur erdhën të nesërmen te Pejgamberi a.s. e pyetën:

- A je përgatitur të udhëtosh me ne për t’u takuar me Kisranë? 

 

 

Pejgamberi a.s. u përgjigj:

- Nuk do ta takoni Kisranë pas sotit. Atë e vrau Allahu. Atë e për­­mbysi prej pushteti i biri Shirevejhi, në këtë natë dhe në këtë muaj.

Ia hodhën një vështrim fytyrës së Pejgamberit a.s. dhe dukeshin shenjat e habisë në fytyrat e tyre, pastaj i thanë:

- A e di se çfarë je duke thënë?! A t’i shkruajmë Badhanit për këtë?!

Pejgamberi a.s. ua ktheu:

- Po. Thojini po ashtu se feja ime do ta mbulojë tërë terri­torin e perandorisë së Kisrasë. Nëse e pranon fenë islame, do të ta jap atë që është nën sundimin tënd dhe do të të bëj sundues të popullit tënd.

Dolën prej Pejgamberit a.s. dhe u nisën të shkojnë te Badhani për ta informuar për tërë atë që kishin parë dhe dëgjuar.

Pasi i dëgjoi Badhani me vëmendje, u tha:

- Nëse ajo që ka thënë është e vërtetë, atëherë ai është Pej­gamber, e nëse jo, atëherë ne do të kemi tjetër qëndrim ndaj tij.

Nuk shkoi shumë kohë dhe Badhanit i arriti letra e Shirevejhit, në të cilën shkruante:

“Ju bëjmë me dije se unë e kam mbytur Kisranë dhe këtë nuk e kam bërë për asgjë tjetër, por vetëm në shenjë hakmarrjeje për po­pu­llin tim. Ai lejoi mbytjen e njerëzve më të ndershëm, e gratë e tyre i merrte robëresha dhe ua konfiskonte pasurinë. Posa të arri­jë letra ime, bindju urdhrit tim, ti dhe të gjithë ata që janë me ty!”

Posa përfundoi Badhani letrën e Shirevejhit, e hodhi në një anë dhe e shpalli pranimin e fesë islame dhe me të e pranuan Islamin të gjithë persianët që ishin në Jemen.

Kjo ishte ngjarja që kishte ndodhur në takimin e Abdullah ibn Hu­dhafes me Kisranë e Persisë.

Cila ishte ngjarja që kishte ndodhur në takimin me Cezarin, të madhin e Romës (Bizantit).

Takimi i tij me Cezarin ndodhi gjatë sundimit të Omer ibnul Hattabit r.a. Ai takim ishte prej ngjarjeve më madhë-shtore në histori.

Në vitin e nëntëmbëdhjetë të hixhretit Omeri r.a. dërgoi një ekspeditë ushtarake për të luftuar kundër romakëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Abdullah ibnu Hudhafe Es‑Sehmi-ju. Cezari ishte informuar për motivacionin dhe moralin e lartë, me të cilin njiheshin ushtarët muslimanë, si dhe besimin e madh që kishin ata në luftën e tyre në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Cezari i urdhëroi ushtarët e tij që nëse e zënë rob ndonjë ush­tarë musliman, t’ia sjellin të gjallë. Deshi Allahu xh.sh. që Abdu­llah ibnu Hudhafe të zihet rob dhe të bjerë në duart e romakëve. Ushtarët e dërguan te perandori i tyre dhe i thanë: “Ky është njëri prej sahabëve të parë të Pejgamberit a.s., me duart tona e zumë rob dhe ua sollëm juve.”

*  *  *

Perandori romak e shikoi gjatë Abdullah ibnu Hudhafen e pastaj tha:

- Unë të ofroj ty një gjë.

Abdullahu pyeti:

- Ç’është ajo?!

Perandori iu përgjigj:

- Të ofroj të bëhesh i krishterë. Nëse e pranon këtë, do të lë të lirë dhe do të nderoj me çfarëdo pozite të duash.

Robi (Abdullahu) iu përgjigj me krenari dhe me vendosmëri: - Larg asaj! Vdekja për mua është një mijë herë më e dashur se ajo që më ofron!

Cezari ia ktheu:

- Unë po shoh se je njeri i mençur. Nëse më përgjigjesh në atë që të ofrova, do të jesh pjesëmarrës në konzën time dhe do ta ndajmë së bashku pushtetin tim.

Robi i lidhur me pranga buzëqeshi dhe tha:

- Të betohem në Allahun se, sikur të ma dhuroje tërë pasurinë tënde dhe tërë pasurinë që kanë arabët, me qëllim që ta braktis fenë e Muhammedit a.s., për aq sa vetëm njëherë lëviz syri, nuk do ta bëja kurrë.

Kur e pa kokëfortësinë e tij, Perandori i tha:

- Atëherë do të të mbys.

Abdullahu ia ktheu:

- Bë ç’të duash!

Perandori urdhëroi që të kryqëzohet dhe i tha xhelatit në gju­hën romake:

- Hidheni afër duarve të tij! I ofronte atij të bëhej i krish­te­rë, mirëpo ai refuzoi.

Atëherë i tha:

- Hidheni afër këmbëve të tij. I ofronte ta braktiste fenë e vet, por ai prapë e refuzoi ofertën.

Perandori urdhëroi të heqin dorë prej tij. Kërkoi prej xhelatit ta zbre­së nga dërrasa e kryqëzimit. Pastaj kërkoi t’i sjellin një vorbë të madhe, të cilën e mbushën me vaj dhe e vunë mbi zjarr derisa vloi. Pastaj i mori dy muslimanë të zënë robër dhe urdhëroi që njëri prej tyre të hidhet në të. Për një çast i tërë mishi iu shkri dhe iu panë eshtrat.

Perandori iu drejtua Abdullah ibnu Hudhafes dhe i ofori përsëri të bëhet i krishterë, por këtë herë refuzimi i tij ishte edhe më i fu­qi­shëm se herëve të tjera.

Pasi humbi çdo shpresë se do ta braktiste fenë islame, urdhë­roi ta hidhnin në vorbën e mbushur me vaj të vluar, në të cilin gje­ti vdekjen shoku i tij musliman. Në momentin kur e morën ta hidhnin në të, i lotuan të dy sytë. Njerëzit e Cezarit e vërejtën këtë dhe i thanë: “Robi po qan.” Perandori mendoi se ai po qan nga frika se po i dhimbsej jeta, prandaj urdhëroi e tha:

“Kthejeni tek unë!” Kur ia sollën përpara, i ofroi të bëhet i krish­ter, por Abdullahu përsëri refuzoi.

Atëherë, Perandori e pyeti:

- Medet për ty. Ç’është ajo që të shtyu të qash?! 

Abdullahu u përgjigj:

- Ajo që më bëri të qaj ishte se thashë me vete: “Të hedhin në këtë vorbë dhe të del shpirti. Do të dëshiroja që të kem aq shpirtra sa është numri i qimeve në trupin tim dhe të gjithë ata të hidhen në këtë vorbë, në rrugën e Allahut.

Diktatori, atëherë i tha:

- A don ta puthësh kokën time e të të liroj?! 

Abdullahu iu përgjigj:

- Me kusht që t’i lirosh edhe të gjithë ushtarët muslimanë të zë­në robër.

Cezari u përgjigj:

- Po, do t’i liroj dhe muslimanët e zënë robër.

Abdullahu tregon:

Thashë me vete: “Ta puth kokën e njërit prej armiqve të muslimanëve dhe të lirohem unë dhe të gjithë muslimanët e zënë robër, ky ndoshta nuk është mëkat i madh për mua.

Pastaj iu afrua atij dhe ia puthi kokën. Atëherë, perando-ri ro­mak dha urdhër që të tubohen të gjithë muslimanët e zënë robër dhe të lirohen.

*  *  *

Pas lirimit nga robëria, Abdullahu shkoi te Omer ibnul Hattabi r.a. dhe i lajmëroi për këtë, për Omeri u gëzua shumë. Pasi i shi­koi robërit, u tha:

- Është detyrim i çdo muslimani ta puthë kokën e Abdullah ibnu Hu­dha­fes dhe unë filloj i pari.

Pastaj u ngrit dhe ia puthi kokën...



[1] Veshje tradicionale arabe, këmishë e gjatë deri në fund të këmbëve.

[2] Hire ‑ vend në Irak, në mes të Nexhefit dhe Kufes.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...
Subscribe to this RSS feed
Back to top