Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

NU’MAN IBNU MUKARRIN EL MUZENI

numan_ibnu_mukarrin_el_muzeni mesoislamin.com

NU’MAN IBNU MUKARRIN EL MUZENI

“Imani (besimi) ka shtëpi, por edhe hipokrizia ka shtëpi, e shtëpia e Beni Mukarrenit është njëra nga shtëpitë e besimit.”

(Abdullah ibnu Mes’ud)

Shtëpitë e fisit Muzejne shtriheshin afër Jethribit, në rrugën e gja­të në mes të Medinës dhe Mekës. I Dërguari i Allahut kishte mig­ru­ar në Medinë. Lajmet i vinin pandërprerë fisit Muzejne prej vizi­to­rëve të hershëm dhe udhëtarëve. Për të dëgjoheshin vetëm fjalë të mira.

Një mbrëmje, kryepari i fisit, Nu’man ibnu Mukarrin el Muzenij, u ul në log me vëllezërit dhe pleqtë e fisit të tij dhe  u tha:

“O burra! Për Allahun, ne nuk kemi dëgjuar për Muhammedin tje­tër përveç fjalëve të mira, thirrja e tij nuk është gjë tjetër përveç thirrje e mëshirës, bamirësisë dhe drejtësisë. Vallë, çfarë bëj­më ne? Presim ende, ndërsa njerëzit ngarendin tek ai pareshtur!”

Pastaj vazhdoi dhe tha:

“Unë për vete kam vendosur të shkoj herët tek ai, në agim. Kur të zgjohem, kush do të më bashkohet, le të përgatitet.”

Fjalët e Nu’manit i prekën zemrat e fisit dhe, sapo ia dha agu i mëngjesit, ai vuri re se të dhjetë vëllezërit e tij dhe katërqind kalorësit e fisit Muzejne ishin bërë gati që të shkojnë me të në Jethrib për të takuar Pejgamberin e Allahut dhe për të pranuar fenë islame.

Ndonëse atë vit kishte mbajtur mot i thatë, që nuk kishte lënë pikë qumështi e as bimë, pasoja këto që i ndjeu Muzejneja, prapë­seprapë N’umani kishte vendosur që t’i prijë atij grupi dhe të shkojë te Pejgamberi i Allahut pa marrë me vete asgjë për të dhe muslimanët.

Megjithatë, Nu’mani bëri një qark rreth shtëpisë së vet dhe shtëpive të vëllezërve të vet dhe mblodhi ato që kishin mbetur nga plaçkat e luftës dhe shkoi me to te Pejgamberi i Allahut.

Ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të, deklaruan para Muhammedit (a.s.) se e pranojnë fenë islame.

Banorët e Jethribit u gëzuan shumë për ardhjen e Nu’man ibnu Mukarrrinit me shokët e tij. Kësisoji nuk mbeti shtëpi arabe pa e pranuar fenë islame prej tij, nga njëmbëdhjetë vëllezërit e lindur nga një baba dhe një nënë. Së bashku me ta fenë islame e pranuan edhe katërqind kalorës.

Pejgamberi fisnik u gëzua shumë që Nu’mani pranoi fenë islame.

“Por, disa beduinë besojnë në Allahun dhe botën tjetër dhe atë që e japin e konsiderojnë si veprim të devotshëm, i cili i afron tek Allahu, dhe me këtë veprim janë të denjë të nderohen me bekimet e Pejgamberit. Vërtet ato (veprime) i afrojnë ata tek Ai. Allahu (së shpejti) do t’i përfshijë në mëshirën e Vet, se Ai fal dhe është Mëshirëplotë.” (Et-teube:99)

Nu’man ibnu Makarrini iu bashkua radhëve nën flamurin e Pej­gam­berit të Allahut. Ai mori pjesë në të gjitha betejat e tij, në të cilat tregoi trimëri dhe vendosmëri të rrallë

Kur halifatin e mori Es‑Sidik‑u (Ebu Bekri), ai dhe fisi i tij Beni Muzejne qëndruan besnikërisht. Ata luajtën rol vendimtar në shka­tërrimin e renegatëve dhe trathtarëve të fesë islame.

Kur halifati kaloi në duar të El Farukut (Omer‑it r.a.), Nu’man ibnu Mukarrin kishte për ta kryer në kohën e tij një detyrë, që historia ende e përmend me fjalë miradie dhe mirënjohjeje.

Pak para Betejës së Kadisisë, Sa’d ibnu Ebi Vek-kasi ‑ komandant i ushtrisë muslimane, dërgoi një delegacion te Kisra Jezdexhurdi nën udhëheqjen e Nu’man ibnu Mukarrinit për ta ftuar atë popull në fenë islame. Kur arritën në kryeqytetin e Kisrasë, në Medain, kër­kuan leje të hyjnë dhe u lejuan të hyjnë. Pastaj ata ftuan përk­thyesin dhe i thanë:

- Pyeti çka i ka shtyrë që të vijnë në shtëpitë tona dhe pse dë­shirojnë të na luftojnë? Mbase ju na e keni lakmi dhe keni marrë guxim të na bëni sfidë për shkak se ne kemi larguar vëmendjen tonë nga ju e nuk dëshironim t’ju sulmojmë?!

Nu’man ibnu Mukarrini iu kthye personit që e kishte pranë e i tha:

- Nëse dëshironi, po ju përgjigjem atyre në emrin tuaj. Nëse ndo­njëri prej jush dëshiron të flasë, le të urdhërojë, ta dëgjoj!”

Ata i thanë:

- Pra, fol ti! Pastaj u kthyen nga Kisraja (Mbreti) dhe i thanë se ky njeri flet në gjuhën tonë, pra dëgjoje se ç’thotë!

Nu’mani e falënderoi Allahun dhe e madhëroi Atë, ia bëri beki­met dhe përshëndetjet e Allahut të Dërguarit të Tij, dhe tha:

‑ Allahu pati mëshirë ndaj nesh, ndaj na e dërgoi një të Dërguar i cili na urdhëron për gjëra të mira dhe na urdhëron t’i bëjmë ato. Na njofton me gjërat e këqija dhe të dëmshme dhe na i ndalon ato.

Ai na ka premtuar se, nëse i përgjigjemi në të gjithë atë që ai na ka ftuar, Allahu do të na sjellë të mira në këtë botë dhe në botën e ardhshme.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Allahu na ndihmoi t’i përballojmë vështirësitë dhe na solli begati, na këndelli nga sjelljet e çoroditura dhe na përudhi në sjellje me edukatë, çrrënjosi armiqësitë tona e na solli mëshirë dhe kultivoi vëllazërim.

Ai na ka urdhëruar që t’i ftojmë njerëzit tek ajo që është për të mirën e tyre. Dhe këtë apel po e fillojmë me fqinjët tanë.

Ne po ju ftojmë të pranoni fenë tonë. Ajo është fe që na udhëzon të bëjmë mirësi në tërësi dhe në të njeriu gjen kënaqësinë dhe motivimin për jetë. Ajo flet keq e më keq për gjërat e shëmtuara dhe na e tërheq vërejtjen që mos t’i punojmë. Ata që besojnë, i nxjerr nga errësira e mosbesimit dhe dhuna e saj në dritën e besimit dhe në drejtësinë e tij.

Nëse ju na përgjigjeni pozitivisht dhe pranoni Islamin, ne po ju lëmë Librin e Allahut dhe po ju angazhojmë të gjykoni sipas dispozitave të tij.

Ne po largohemi dhe po ju lëmë rehat me hallet tuaja. Nëse nuk pranoni Fenë e Allahut, ne do të marrim nga ju tagrën (xhizjen) dhe do t’ju mbrojmë.

Nëse refuzoni “xhizjen”, do t’ju luftojmë.

Ai u mërdhez nga zemërimi nga fjalët që dëgjoi, dhe tha:

Unë nuk kam parë popull në rruzullin tokësor që ka qenë më kryeneë se ju, me numër më të vogël, aq i përçarë dhe në gjendje aq të keqe!

Ne ua kemi besuar çështjen tuaj prefektëve të rrethinës dhe ata do të merren vesh me ju. Pastaj iu ul pakëz tensioni dhe shtoi: - Nëse është nevoja e ngutshme, që ju ka shtyrë të vini këtu, po ju japim ushqim gjersa t’ju vijë bereqeti në shtëpitë tuaja. Do t’ju veshim juve dhe popullin tuaj. Kemi emëruar, nga mesi ynë, një prijës i cili do të sillet butë ndaj jush.

Një anëtar i delegacionit reagoi në atë mënyrë saqë zemërimi i Mbretit sërish shpërtheu dhe tha:

- Po të vriteshin emisarët edhe unë do t’ju vritja. Çohuni prej këtu, se nuk keni ç’të kërkoni tek unë dhe njoftojeni prijësin tuaj se unë do të dërgoj Rustumin (komandantin e ushtrisë persiane) që t’ju luftojë gjersa ta varrosë atë dhe juve së bashku në hendekun e Kadisisë.[1]

Pastaj urdhëroi që t’ia sjellin një grusht dhe, të cilën ia sollën. Ai u tha njerëzve të vet: - Dërgojeni te më i madhi i tyre,por para juve çonie që t’i shohin njerëzit gjersa të dalin ata nga portat e kryeqytetit të pushtetit tonë. Ata pyetën delegacionin:

- Kush është më i respektuari prej jush?

Asim ibnu Omer iu afrua atyre dhe iu përgjigj:

- Unë jam.

Ata e ngarkuan me mall gjersa doli nga qyteti. Pastaj ai ia ngar­koi atë devesë për t’ia dërguar Sa’ad ibnu Ebi Vek‑kasit dhe e përgë­zoi se Allahu do t’ua hapë muslimanëve portat e Persisë dhe do t’ua bëjë të mundur t’i qeverisin ato troje.

Më pas u zhvillua Beteja e Kadisijes, hendeku i së cilës u mbu­lua me mijëra kufoma të njerëzve të vrarë, nga ushtria muslimane por nga ajo e Kisrasë.

Persianët nuk iu nënshtruan pushtimit të Kadisijes. Ata bashku­an radhët e tyre dhe mobilizuan forcat e tyre derisa u numri i tyre shkoi në 150 mijë luftëtarë.

Kur El Faruku (Omer r.a.) mori lajmin për këtë mobilizim të madh, ai vendosi të shkojë edhe vetë t’i bëjë ballë kësaj sfide të madhe.

Por masa e muslimanëve e hodhi poshtë një vendim të tillë dhe i propozuan të dërgojë një komandant të besuar për të kryer këtë mision të rëndësishëm. Omeri tha:

-       Më tregoni ju njeriun që ta angazhoj në atë front.

Ata i thanë:

- Ti më së miri, e njeh ushtrinë tënde, o prijës i muslimanëve.

Pastaj ai vazhdoi:

- Për Allahun, unë do të angazhoj në krye të ushtrisë së muslimanëve që kur të takohen të dy palët luftuese, do të jetë më i moshuari, e ai është Nu’man ibnu Mukarrin El Muzenij.

Ata i thanë:

- Ai është komandant i qëlluar. Ai i shkroi Nu’manit dhe i tha:

“Nga shërbëtori i Allahut, Omer ibnu Hattabi drejtuar Nu’man ibnu El Mukkarrinit.

Pas përshëndetjes...

Më kanë arritur lajme se grupe të mëdha të persianëve janë tubuar rreth jush në qytetin Nehavend. Kur të arrijë kjo letër imja nisu për atje me emrin e Allahut, me ndihmën e Tij dhe me muslimanët që janë me ty. Ata mos i vë në pozitë të vështirë, në mënyrë që të mos pësojnë... se një musliman është më i dashur për mua se njëqind mijë dinarë!”

Nu’mani u përgatit me ushtrinë e tij për t’u ballafaquar me armi­kun. Ai dërgoi përpara një pararojë kalorësish për të vëzh­guar rrugën. Kur kalorësit iu afruan Nehavendit, kuajt e tyre u nda­lën. I shtynë ata, por nuk u nisën. Kalorësit zbritën për të mësuar se çfarë ndodhi (me kuajt e tyre).

Në shputat e këmbëve të tyre gjetën thela hekuri, të cilat u ngjanin majave të gozhdave. Ata shikuan terrenin, me ç’rast panë se si persianët kishin shpërndarë gjemba nëpër shtigje, që shpienin në Nahavend, për t’i penguar kalorësit dhe këmbësorinë që mos të hyjnë në qytet.

*  *  *

Kalorësit vëzhgues e njoftuan Nu’manin se ç’kishin parë dhe kër­kuan nga ai që të japë mendimin e vet për atë çështje. Ai urdhëroi që të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të ndezin zjarr natën me qëllim që armiku t’i shohë ata.

Me atë rast ata simuluan se po frikësohen dhe se gjoja janë para një disfate, ndaj shprehën dëshirën për t’iu bashkuar atyre dhe kërkojnë që t’ua heqin gjembat e hekurit që i kishin vendosur.

Kjo dredhi e kalorësve muslimanë ndaj persianëve u shkoi për­dore dhe shpejt panë pararojën e ushtrisë muslimane duke ecur para tyre të mposhtur gjersa dërguan punëtorët e tyre, të cilët pastruan rrugët nga gjembat. Muslimanët iu vërsulën atyre, i sulmuan dhe i pushtuan ato shtigje.

*  *  *

Nu’man ibnu Makarrin u stacionua me ushtrinë e vet në lartësitë e “Nehavendit” dhe vendosi ta befasonte me sulm armikun e tij. Ai i tha ushtrisë së vet:

“Unë do të thërras me zë të lartë tri herë. Kur ta madhëroj Zo­tin për herë të parë, le të vihet në gjendje gatishmërie ai që nuk ka qenë i përgatitur. Kur ta madhëroj Atë për herën e dytë, le ta ngjeshë secili prej jush armën në trup. E kur ta madhëroj Atë për herë të tretë, unë do t’u vërsulem armiqve të Allahut, pra vërsuluni edhe ju me mua.”

Nu’man ibnu Makarrin mori tre tekbiret e tij dhe iu vërsul ara­dhave të armikut porsi luan. Pas tij vërshoi sakaq ushtria muslimane mu si lumi. Në mes palëve ndërluftuese u zhvillua një betejë e ashpër, për çka historia ka dëshmuar rrallë.

Ushtria persiane u shpartallua si më keq. Fushat dhe bri­gjet u mbushën me të vdekur, e gjaku i tyre vërshonte nëpër shtigje dhe rrugica. Kali i Nu’manit u vra, por edhe Nu’mani u qëllua me një të rënë vdekjeprurëse. Vëllai i tij ia mori flamurin nga dora dhe e mbuloi me një “xhelabi” të gjatë që e kishte me vete. Ai nuk u tregoi muslimanëve se kishte vdekur Nu’mani.

Kur u arrit kjo fitore e madhe, të cilën muslimanët e quajtën “triumf i triumfeve”, ushtarët ngadhnjimtarë pyetën për prijësin e tyre të patrembur, Nu’man ibnu Mukarrinin...

Vëllai i tij e ngriti xhelabinë nga ai dhe tha:

“Ky është prijësi juaj. Allahu ia plotësoi dëshirën me këtë fito­re dhe ai ia përfundoi jetën si dëshmor.”



[1] Vend në Irak, në perëndim të Nexhefit.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

Read more...

ABDULLAH IBNU ABASI

Fragmente_nga_jeta_e_sahabeve_-_abdullah_ibnu_abasi

ABDULLAH IBNU ABASI

“Ai është djalosh i pjekur, ka gjuhë dhe stil të të pyeturit, zemër dhe mend...”

(Omer Ibnul Hattab)

Ky shok i shquar i Pejgamberit a.s. ishte tejet madhështor nga pikëpamja e sjelljeve. Atij nuk i kaloi gjë pa punuar.

Atij iu shtua nami në mesin e shokëve të Pejgamberit a.s., e si­kur të lindte pak më vonë, ai nuk do të kishte nderin të jetë në sho­qërinë e të Dërguarit të Allahut.

Njeri i një farefisi me nam. Ky është djali i xhaxhait së Pejgamberit a.s. Gëzonte nam për dituri, se ishte dijetar i vyeshëm i umetit të Muhammedit a.s. dhe burim i pashtershëm i dijes së tij. Gëzonte nam për devotshmërinë që kishte. Ai shpeshherë agjëronte ditën dhe rrinte zgjuar natën, duke u falur, kërkonte t’ia falë Allahu gabimet gjersa vinte  agu i mëngjesit. Qante nga frika e Zotit gjersa i shko­nin lotët nëpër faqe. Ai është Abdullah ibnu Abasi, dijetar, njohës i Zotit dhe i umetit të Muhammedit, i cili më së miri e njihte Librin e Allahut dhe më së miri zotëronte komentimin e tij, më i afti për të depërtuar në kuptimin e thellë të tij dhe njohës i objektivave dhe fshehtësive të tij.

Ibn Abasi u lind tri vjet para hixhretit (shpërnguljes së muslimanëve nga Meka në Medinë). Kur vdiq Pejgamberi a.s., ai i ishte vetëm 13 vjeç. Megjithatë ai i ka mbajtur mend 1660 hadithe (të Muhammedit a.s.), për t’ua treguar ato muslimanëve, të cilat i vër­tetojnë Buhariu dhe Muslimi në koleksionet e tyre.

Kur e lindi e ëma, e çoi te Pejgamberi i Allahut , i cili e fërkoi me jargët e tij. Ajo që hyri më së pari në gojën e tij ishte jarga e pastër e Pejgamberit të Bekuar. Me atë ai u frymëzua për adhurim e urtësi, siç thotë Fjala e All‑ahut xh.sh.: “Ai që pajiset me urtësi, ai është pajisur me shumë të mira.”

*  *  *

Si iu hoq amuleti djaloshit hashimit dhe hyri në moshën shta­tëvjeçare, ai zuri ta shoqëronte Pejgamberin e Allahut me një sho­që­rim të ngushtë, mu si syri me syrin. Djaloshi ia përgatiste ujin për abdest Pejgamerit a.s. kur ai e kishte ndërmend të merte abdest. Falej pas tij kur ai falej. Dhe ulej prapa tij kur vendoste të udhë­tonte, gjersa u bë si hije e trupit të tij. Ai i qepej pas kudo që shkon­te Pejgamberi a.s. Gjatë asaj kohe kishte zemër dhe ndërgjegje të pastër dhe me vete mbante të gjitha mjetet për të shënuar (thënie apo porosi të tij).

*  *  *

Ai rrëfen për vete dhe thotë:

I Dërguari i Allahut një ditë po përgatitej për të marrë ab­dest. Unë ia përgatita ujin me të shpejtë, aq sa munda, e ai u gëzua për këtë veprim timin...

Kur po bëhej gati për t’u falur, më dha shenjë që të qën­droja afër tij. Kur mbaroi faljen, ai ma bëri me dorë dhe më tha:

“Kush ta ndaloi që të jesh afër meje, o rob i Allahut?” E unë i thashë:

‑ Ti je më i madhëruar të të shikoj karshi dhe më i dashur sesa të jem krah për krah me ty, o i Dërguar i Allahut! Ai ngrit duart drejt qiellit dhe tha:

“O Zot, i dhuroji urtësi këtij fëmije!”

Allahu iu përgjigj lutjes së Pejgamberit të Tij dhe djaloshit i dhuroi urtësi, që ia tejkaloi njerëzve më të urtë.

S’ka dyshim se dëshironi dini disa qëndrime të urtësisë së Abdulla ibnu Abasit. Ja, pra, po ju sjellim një qëndrim, besojmë se ai do të mjaftojë. 

Kur disa shokë të Aliut u larguan nga radhët e tij dhe e lanë të vetmuar në konfliktin në mes tij dhe Muaviut r.a., atëherë Abdull‑llahu i tha Aliut r.a.:

- Më lejo mua, o Prijës i muslimanëve, që të kontaktoj me popullin dhe t’u flas!

Ai më tha:

- Unë po frikësohem prej tyre për fatin tënd.

- Jo, kurrsesi (mos u frikëso), në emër të Zotit!

Pastaj ai shkoi tek ata, dhe kurrë nuk kishte parë njerëz më të angazhuar në ibadet se ata.

Ata i thanë:

- “Mirësevjen o ibnu Abas... Çfarë të solli ty këtu?”

‑ Kam ardhur për të biseduar me ju, ‑ tha ai.

Disa prej tyre thanë:

“Mos i flisni!”

E disa të tjerë shtuan: “Fol, të dëgjojmë! Ç’thua!?” Ai tha:

“Më tregoni se çka nuk ju pëlqen nga biri i xhaxhait të Pejgam­berit të Allahut, burrit të bijës së tij dhe i pari që i besoi atij.”

Ata thanë:

“Jemi të zemëruar me të për shkak të këtyre tri çështjeve:

E para: ai ka caktuar njerëz arbitrar në Fenë e Allahut...

E dyta: ai e luftoi Aishen dhe Muaviun dhe nuk i ka marrë pre lufte e as robër...

E treta: ai e ka shlyer titullin prijës i besimtarëve, edhe pse muslimanët ia kanë dhënë betimin dhe e kanë njohur për prijës të tyre.”

Ai tha:

“Çfarë mendoni nëse unë ju rikujtoj diçka dhe ju citoj nga Libri i Allahut dhe nga hadithet e Pejgamberit a.s., të cilin nuk duhet ta hidhni poshtë, a do të hiqni dorë nga qëndrimi juaj?”

Ata thanë:

Po.”

Ai tha:

“Sa i përket fjalës suaj se ai ka emëruar sundues arbitrar në Fenë e Allahut, po ju tregoj se Allahu i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:

“Mos mbytni gjahun duke qenë ju në ihram. E kush e mbyt atë me qëllim, atëherë dënohet që në kafshë shtëpiake të ngjash­me ta falë ose të kompensohet vlera e saj.” (El‑Maide: 96)

Po ju përbej me Allahun se a është më e rëndësishme që nje­rëzit të ruajnë gjakun dhe jetën e tyre duke u pajtuar me njëri­‑tjetrin apo të shprehin mendimin e tyre për një lepur, vlera e të cilit është një e katërta e dërhemit?!”

Ata thanë:

“Jo, më e rëndësishme është ruajtja e gjakut të muslimanëve dhe pajtimi mes tyre.”

Ai pyeti:

“A u morëm vesh për këtë çështje?”

Ata thanë:

“Për Zotin, po.”

Ai vazhdoi;

“Sa i përket fjalës tuaj se Aliu ka luftuar dhe nuk i ka marrë robëreshat e luftës, siç ka vepruar Pejgamberi i Allahut, unë ju pyes nëse dëshironi të merrni rob lufte nënën tuaj, Aishen, dhe t’a trajtoni atë siç trajtohen robëreshat e luftës?!

Nëse thoni po; atëherë ju jeni pabesimtarë. Por nëse thoni: se ajo nuk është nëna juaj, ju prapë jeni pabesimtarë, se Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Pejgamberi është më i afërt dhe më i respektuar se vetë besimtarët (farefisi i gjakut), ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre (për misionin dhe përgjegjësinë e tyre që kanë si nëna të besimtarëve).” (El Ahzab:6)

Pra, ju merreni këtë si të doni.”

Pastaj tha:

“A mbaruam gjithashtu edhe me këtë çështje?”

Ata thanë:

“Për Allahun, po.”

Ai vazhdoi. “Sa i përket fjalës suaj se Aliu vetë e ka anuluar titullin e prijësit të besimtarëve, po ju tregoj se kur Pejgamberi i Allahut kërkoi nga politeistët, në Ditën e Hudejbies, që ta shkruaj­në në marrëveshjen paqësore që arritën tekstin “Për këtë (çësh­tje) jemi marrë vesh me Muhammedin, të Dërguarin e Allahut”, ata thanë: “Po të besonim se ti je i Dërguari i Allahut, nuk do të të pen­gonim nga Qabja e as nuk do të të luftonim, por shkruaj tekstin: “Muhammedi, i biri i Abdull‑llahut”. Ai lëshoi pe në kërkesën e tyre dhe u tha:

“Për Allahun, unë jam i Dërguar i Allahut, edhe pse ju më përgënjeshtoni.”

A përfunduam edhe me këtë ‑ i pyeti ata Abdu­llahu.

“Për Allahun, po,” ‑ ia kthyen ata.

Si rezultat i këtij takimi, në të cilin Abdull‑llah ibnu Abasi demonstroi urtësi të rrallë, ishte kthimi i njëzet mijë pjesëtarëve të larguar nga radhët e Aliut. Katër mijë të tjerë këmbëngulën që të qëndrojnë në armiqësi ndaj tij, në shenjë mërie dhe mospajtimi me të vërtetën.

*  *  *

Djaloshi Abdullah ibnu Abasi kishte trasuar çdo rrugë të dijes dhe kishte bërë çmos për t’u pajsur me dituri. Ai vazhdoi të pijë nga uji i pashtershëm i Pejgamberit të Allahut sa ishte ai gjallë. Kur i Dërguari i Allahut ndërroi jetë, ai u drejtua nga dijetarët e tjerë sahabë dhe zuri të marrë dije prej tyre.

Nga rrëfimi i tij në vetën e parë:

Kur më arrinte ndonjë hadith te ndonjëri njeri prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut, unë shkoja te dera e shtëpisë së atij njeriu në kohën e gjumit, në mesditë, dhe mbështetesha në xhelabinë ti­me në pragun e shtëpisë së tij. Aty era më hidhte pluhur vazhdi­misht. Sikur të dëshiroja të merrja leje për të hyrë brenda, ai do të më lejonte. Pritjen e bëja me qëllim që ta kënaqja atë. Kur ai dilte nga shtëpia e më shihte në këtë gjendje, më thoshte:

‑ O biri i xhaxhait të Pejgamberit, çka të ka sjellur ty këtu? Përse nuk ke dërguar dikë që të vijë tek unë? E unë i thoja se kam arsye­tim për se kam ardhur te ti, se dija kërkohet dhe nuk vjen vetvetiu. Më pas e pyesja për një hadith.

Ashtu siç ibnu Ab‑basi i përkushtohej kërkimit të diturisë, po ashtu e çmonte vlerën e dijetarëve.

Ja ku është Zejd ibnu Thabiti, regjistrues i Vahjit (shpalljes) i janë lënduar këmbët duke ecur tepër, - dhe prijës i banorëve të Medinës në Jurisprudencë, Fikh, Kiraet dhe Feraidin (trashëgiminë), - që po bëhej gati për të hipur mbi një kafshë, kur para tij del djaloshi hashimij, Abdullah ibnu Abasi, siq qëndron robi para zotëriut të vet, e kap frerin dhe niset me devën e tij.

Zejdi i tha:

‑ Lëre atë, o biri i xhaxhait të Pejgamberit të Allahut!

‑ Kështu jemi urdhëruar të sillemi me dijetarët tanë, ia ktheu ibnu Abasi.

Atëherë, Zejdi i tha:

Më trego dorën tënde, të ta shoh!

Ibnu Abasi ia ofroi dorën e vet. Ai u përkul mbi dorën e tij, e puthi dhe i tha: “Kështu jemi urdhëruar të sillemi me pjesëtarët e familjes së Pejgamberit tonë.”

*  *  *

Ibnu Abasi iu dha me përkushtim kërkimit të diturisë derisa arri­ti një diapazon të gjerë të dijes me të cilin i mahniti dijetarët e mëdhenj. Lidhur me të, Mesruk ibnu “El Exhde”, njëri nga bashkëk­o­hanikët e sehabëve të Pejgamberit, ka thënë:

‑ Kur e shikoja ibnu Abasin, thoja me vete: Njeriu më i bukur. Kur fliste, thoja ky është njeri që flet me një gjuhë elekuente dhe qenka shumë i ditur.

Kur ibnu Abasi u pajis me dituri aq sa lakmonte, ai u bë mësues (i shquar) dhe filloi t’i mësojë njerëzit. Shtëpia e tij u bë universitet i muslimanëve... U bë universitet me plot kuptimin e fjalës që ka në kohën e sotme.

I gjithë dallimi në mes të universitetit të ibnu Abasit dhe uni­ver­si­teteve tona është se në universitetet tona grumbullohen dhje­tëra profesorë, e ndonjëherë edhe qindra sish, kurse, sa i përket universitetit të ibnu Abasit, ai funksiononte me një profesor të vetëm, e ai ishte ibnu Abasi. Njëri prej sahabëve të tij thotë: “Kam marrë pjesë në një tubim të ibnu Abasit dhe ma merr mendja se tu­bimet e tij do të ishin krenari për të gjithë kurejshët. Kam parë njerëz që tuboheshin nëpër rrugët që shpienin në shtëpinë e tij, ndërsa ato ishin të ngushta për t’i pranuar të gjithë ata njerëz dhe nuk kishin nga të kalonin. Hyra në shtëpinë e tij dhe e njoftova se ishin tubuar njerëzit te dera e tij, e ai më tha:

“Sill ujin të marr abdest!”

Ai mori abdest dhe shtoi:

“Dil e thuaju se kush dëshiron të pyesë për Kur’anin dhe shkronjat e tij, le të hyjë.”

Unë dola dhe u thashë njerëzve për atë që më porositi. Ata fi­lluan të hyjnë brenda, derisa u mbush e tërë shtëpia me njerëz. Asnjë pyetje, nuk mbeti pa përgjigje. Ai u përgjigj ashtu siç shtroheshin pyetjet, madje edhe më hollësisht.

Pastaj u tha:

‑ Lirojuni rrugën vëllezërve tuaj!

Ata dolën përjashtë. Pastaj më tha:

“Dil e thuaju se kush dëshiron të pyesë për tefsirin (komentimin) e Kur’anit dhe shpjegimet rreth tij, le të hyjë!”

Dola dhe u thashë, ashtu siç më urdhëroi.

Ata hynë gjersa u mbush e tërë oda dhe shtëpia. Asnjë pyetje nuk mbeti pa përgjigje, ashtu siç i shtroheshin atij, madje edhe më hollësisht.

Pastaj tha:

‑ Dil e thuaju se kush dëshiron të pyes për gjërat e lejuara (hallall) dhe të palejuara (haram) në Islam dhe për jurisprudencën islame, le të hyjë.

Dola dhe u thashë. Ata zunë të hyjnë, derisa u mbush tërë shtëpia.

Nuk mbeti asnjë pyetje pa përgjigje. Ai iu përgjigj atyre ashtu siç e pyetën. Pastaj u tha:

‑ Lirojuni rrugën vëllezërve tuaj! Dhe ata dolën nga shtëpia.

Ai më tha:

Dil dhe thuaju se kush dëshiron të pyesë për të drejtën e trashë­gi­misë (faraidin) dhe çështjet e ngjashme me to, le të hyjë!

Dola dhe u thashë ashtu siç më tha ai. Ata zunë të hyjnë bren­da, derisa u mbush e tërë shtëpia. Asnjë pyetje nuk mbeti pa përgjigje.

Pastaj u tha:

‑ Lirojuni rrugën vëllezërve tuaj! Pastaj më tha: - Dil dhe thuaju se kush dëshiron të më pyesë për gjuhën arabe, poezinë dhe fjalët e panjohura arabe, le të hyjë brenda.

Të interesuarit për këtë çështje zunë të hyjnë brenda, derisa u mbush e tërë shtëpia. Asnjë pyetje, nuk mbeti pa përgjigje. Transmetuesi i këtij tregimi thotë:

“Sikur i tërë fisi Kurejsh të mburrej me të, do të ishte një nam i madh për të.”

*  *  *

Ibnu Abasi r.a. e kishte parë të arsyeshme që njohuritë e ndrysh­me t’ua mësojë njerëzve në ditë të caktuara, në mënyrë që të mos bëhet tollovi e ngjashme siç bëhej kohë më parë.

Një ditë në javë vendosi të merret vetëm me komentimin e Kur’anit.

Një ditë merrej me jurisprudencën islame.

Një ditë merrej me studimin e betejave të të Dërguarit të Allahut.

Një ditë merrej me poezi.

Një ditë merrej me evokimin e ditëve të mëdha të arabëve.

Kurrë nuk është ulur pranë tij ndonjë dijetar e të mos ta ketë dë­gjuar atë me vëmendje të veçantë.

Kur ndonjë njeri e pyeste për ndonjë çështje, kurrë nuk nda­hej prej tij pa mësuar diçka të re.

*  *  *

Në sajë të dijes dhe aftësisë së tij për jurisprudencën islame, ibnu Abasi arriti të bëhet këshilltar i Hulifai rashidinëve, edhe pse ishte në moshë të re. Kur i drejtoheshin njerëzit për zgjidhjen e ndo­­një problemi, apo për ndonjë çështje të vështirë, ibnu Hattabi i fton­te sahabët e vjetër dhe të avancuarit në dije dhe krahas tyre e fton­te edhe Abdullah ibnu Abasin. Kur shkonte ibnu Abasi e nderonte atë dhe e afronte në tubimin e vet dhe i thoshte:

- Po na mundon një problem i vështirë. Ky dhe problemet e ngjash­­me janë për ty që t’i zgjidhësh. Ai (ibnu Hattabi) u qortua nga masa për respektin që i bëri djaloshit dhe për futjen në radhën e dijetarëve, meqë ishte ende i ri. Lidhur me këtë, ai tha:

“Ky është djalosh i pjekur, di të flasë mirë, të pyesë dhe ka zemër të artë.”

Megjithëse ibnu Abasi iu përkushtua në veçanti mësimit dhe aftë­simit të njerëzve, ai nuk harroi detyrimin ndaj masës së gjerë. Prandaj, organizonte tubime në të cilat mbante ligjërata dhe jepte këshilla. Në ligjëratat e tij vihej në dukje fjala e tij prej ora­tori drejtuar atyre që bëjnë gabime:

“O ti që bën gabim! Mos mendo se do të shpëtosh nga dënimi për gabimin tënd. Dije se pasojat e gabimit janë më të mëdha sesa vetë gabimi që e ke bërë.

Vërtet, mosturpërimi nga ata engjëj që ke në krahun e djathtë dhe të majtë kur ti bën gabim nuk është aspak mëkat më i vogël se gabimi që bën.

Vërtet ti qesh kur bën gabim, por ti nuk e di se çfarë do të të sjellë Allahu më rëndë se vetë gabimi që ke bërë.

Gëzimi yt për gabimin e bërë, në çastin kur e bën, është mëkat më i madh sesa vetë gabimi që ke bërë.

Vërtet, dëshpërimi yt për gabimin, kur të shpëton pa e bërë, është më i rëndë se vetë gabimi.

Vërtet ke frikë nga era kur ta zbulon fshehtësinë, ndërsa ti po bën gabim me qenien tënde dhe nuk të tronditet zemra nga shikimi i Allahut, gabim ky më i rëndë se gabimi i bërë. A e di se cili ishte gabimi i Ejubit a.s. kur Allahu e vuri në sprovë me trupin (shëndetin) dhe mallin e tij?

Mëkati i tij ishte se një i gjorë kërkoi ndihmë tek ai (për ta këshilluar) se si t’i hiqet padrejtësia dhe nuk e çau kokën për të.”

Ibnu Abasi nuk ishte prej atyre njerëzve që flasin për ato vepra të cilat nuk i bëjnë dhe as prej atyre njerëzve që ua ndalojnë të tjerëve veprat e shëmtuara e vetë nuk ndalohen prej tyre. Por ishte nga ata që agjërojnë shpesh dhe natën e kalojnë në adhurim.

Lidhur me të Abdullah ibnu Meliku ka njoftuar:

“Unë e kam shoqëruar ibnu Abasin r.a. nga Meka në Medinë. Kur u vendosëm në një shtëpi, ndërsa njerëzit flinin nga rraskapitja e madhe, ai qëndroi zgjuar gjysmën e natës duke bërë namaz.

Një natë e pashë duke lexuar: (ajetin kur’anor) “Agonia e vdek­jes do të sjellë të vërtetën (para syve të tij) e (atij i thuhet) “Kjo është dita nga e cila orvateshe të ikësh.” (Kaf:19) Ai zuri ta për­së­risë atë dhe të qajë me zë gjersa ia dha agu i mëngjesit. Ne mësuam fare mirë, pas tërë asaj që ai tregtoi, se Abdullah ibnu Abasi ishte njëri prej njerëzve më të mirë (për nga sjelljet dhe veprat) dhe më i pashmi për nga fytyra. Ai qante nga frika e Allahut në mesnatë derisa i rridhnin lotët si gurra nëpër faqet e tij të lë­muara e të hijshme, shtrati i të cilëve i gjasonte ciklit të gurrës.

Ibn Abasi kishte arritur synimet e veta nga madhështia e ditu­risë.

Halifi i muslimanëve, Muavi ibnu Ebi Sufjani atë vit shkoi në haxh. Edhe Abdullah ibnu Abasi shkoi në haxh, por ai nuk ushtronte kurrfarë pushteti, as kishte pozitë të ndonjë princi.

Muaviu kishte një grup njerëzish funksionarë të shtetit të tij, por grupi i njerëzve që kërkonte dituri tek Abdullahu ia tejka­lonte në numër grupit të njerëzve të halifit.

Ibnu Abasi jetoi shtatëdhjetë e një vjet, gjatë të cilave muslimanëve u dhuroi dituri, mprehtësi, urtësi dhe shembull për adhurim.

Kur i erdhi vdekja, Muhammed ibnu El Hanefij dhe shokët e tjerë të të Dërguarit të Allahut dhe vazhduesit eminentë të rrugës së Pejgamberit i dërguan atij bekimet dhe përshëndetjet e tyre.

Derisa po ia hidhnin dheun në varrin e tij, të pranishmit dë­gjuan një njeri duke lexuar ajetin kur’anor:

“O ti shpirt i qetësuar, kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur dhe kënaqës, hy te robërit e Mi dhe në Parajsën Time.” (El Fexhër:3)

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

Read more...

USEJD IBNUL HUDEJRI

usejd_ibnul_hudejri mesoislamin.com

USEJD IBNUL HUDEJRI

“Ata, engjëjt të dëgjonin ty, o Usejd...”

(Muhammedi a.s.)

Djaloshi mekas, Mus’ab ibnu Umejri kaloi në Jethrib (Medinë) me delegacionin e parë misionar, që e njeh historia islame.

Ai ishte vendosur te Es’ad ibnu Zurareja, ‑ njëri nga paria e fisit Haz­­rexh. Në shtëpinë e tij ai gjeti një vendstrehim për vete dhe fi­lloi të përhapë thirrjen në rrugë të Allahut dhe t’i lajmrojë ata se Muhammedi (a.s.) ishte i Dërguar i Allahut. Të rinjtë e Jethribit zu­në të shkojnë me të madhe në tubimet e thirrjeve në fenë isla­me, të organizuara nga djaloshi Mus’ab ibnu Umejr.

Ëmbëlsinë e fjalëve të tij, sqarimin e fjalimit të tij, ma­dhësh­tinë e vetive të mira, bukurinë e besimit (imanit) që shkëlqente nga fytyra e tij e pashme dhe e bukur ata i përcollën me entuziazëm.

Mbi të gjitha, tek ai i tërhiqte një gjë tjetër, e ai ishte Kur’ani, që ua lexonte dhe ua komentonte kohë pas kohe, ca nga ajetet e tij të qarta, me zërin e tij melodik plot dhembshuri dhe me shqip­ti­min e tij në mënyrë magjepëse ai zbuste zemrat mizore dhe atyre u shkonin lotët në mënyrë spontane. Nje­rëzit nuk shpërndaheshin pa e pranuar fenë islame dhe u bashkoheshin radhëve të besimtarëve të mirëfilltë.

Një ditë, Es’ad ibnu Zurareja doli me mysafirin e tij të thirrjes në fenë islame, Mus’ab ibnu Umejrin, për të takuar një grup nga fisi Beni Abdul Esh’hel dhe i fton ata në fenë islame. Ata të dy hyjnë në një kopsht të Beni Abdul Esh’helit dhe u ulën te kroi i tij i ëmbël nën hi­jen e hurmës. Përreth Mus’‑abit u tubua një grup, që tashmë kish­te pranuar fenë islame dhe ca persona të tjerë që dëshironin të dëgjojnë për fenë islame. Ai zuri t’i ftojë në fenë e drejtë dhe t’i paralajmërojë për lajme të gëzuara. Njerëzit e përcillnin atë me vë­mendje të theksuar dhe nga madhështia e fjalëve të tij mbetën pa fjalë.

*  *  *

Më pas erdhi personi që kishte njoftuar Usejd ibnu El Hudejrin dhe Sead ibnu Meadhin ‑ që të dy ishin prijës të fisit Evs‑, se thirrësi në fe nga Meka ishte vendosur afër shtëpive të tyre, e ai që e kishte cytur ta bënte këtë ishte Es’ad ibnu Zurareja.

Sad ibnu Meadhi i tha Usejd ibnu El Hudejrit:

“Të gjeti e liga, o Usejd! Shko te ai djalosh mek‑kas, i cili ka ar­dhur në shtëpinë tonë, që t’i nxisë njerëzit tanë të pavendosur ta pranojnë fenë islame e t’i përdhosë zotërat tanë, ndaloja atij atë dhe (thuaj) pas sotit të mos shkelë në pragje të shtëpive tona!”

Pastaj vazhdoi duke thënë: “Sikur të mos ishte mysafir i tezakut tim, Es’ad ibnu Zurares, dhe sikur të mos ishte nën mbrojtjen e tij, unë do ta kryeja këtë punë.”

*  *  *

Usejdi mori armën e brezit dhe shkoi drejt kopshtit. Kur e pa duke ardhur, Es’ad ibnu Zurareja i tha Mus’abit:

“Mjerë ti, o Mus’ab, ky është prijës i fisit të vet, si për nga mençuria, po ashtu edhe nga pasuria. Ky është Usejd ibnu El Hudejri. Nëse ky pranon fenë islame, Islamin e tij do ta ndjekin shumë krijesa. Ai me atë rast dëshmon Allahun dhe ajo është prova më e mirë që mund të ofrojë.

Usejd ibnu El Hudejri u ndal në mes të turmës, u drejtua nga Mus’abi dhe shoku i tij e tha:

“Për çfarë pune keni ardhur në shtëpitë tona dhe provokoni nje­rë­zit tanë të dobët? Largohuni nga ky vend, nëse nuk doni të jeni të kërcënuar (prej ndonjërit) me vrasje.”

Mus’abi, me fytyrën e tij të ndritshme, që i shkëlqente nga drita e besimit, u kthye nga Usejdi dhe i foli atij me një gjuhë të sinqertë dhe tërheqëse:

“O kryepar, a ke ndonjë propozim më të mirë se ky?

E çfarë mund të jetë?” ‑ ia ktheu ai.

Ai tha:

“Ulu me ne dhe dëgjona se ç’themi. Nëse të pëlqen ajo që the­mi, ti pranojë atë, e nëse nuk të pëlqen, largohemi nga ju dhe kurrë nuk do të vijmë më.”

‑ Mirë e ke, ‑ tha Usejdi. E vuri shtizën në tokë dhe u ul.

Mus’abi filloi t’i flasë atij për të vërtetën e fesë islame. Ia lexoi ca ajete kur’anore dhe atij i ranë rrudhat e ballit dhe fytyra i shkël­qeu dhe tha:

- Sa e bukur është kjo që thua ti, sa bukur tingëllon kjo që po lexon!!!

Çfarë bëni kur dëshironi të pranoni fenë islame?

Duhet të lahesh dhe të pastrosh rrobat e tua, të dëshmosh se s’ka zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut dhe t’i falësh dy rekate, ‑ u përgjigj Mus’abi.

Ai vajti te një pus dhe u pastrua me ujin e tij. Dëshmoi se nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij. Më në fund fali dy rekate.

Atë ditë radhëve të muslimanëve iu bashkua një kalorës nga kalorësit më të shquar arab dhe njëri nga udhëheqësit e fisit Evs.

Në sajë të qëndresës së tij të matur dhe fisnikërisë së tij të trashë­guar fisi i tij e quante mjeshtër shpate dhe pene.

Krahas kalorësisë dhe aftësisë së tij për të gjuajtur me saktësi me shigjetë, ai njëherazi njohu leximin dhe shkrimin në një bashkësi shoqërore në të cilën ishin të rrallë ata që dinin të lexonin dhe të shkruanin.

Pranimi i fesë islame nga ai ishte shkas i pranimit të fesë isla­me nga ana e Sad ibnu Muadhit. Pasi pranuan fenë islame, që të dy u bënë shkaktarë që atë ta pranojnë grupe të shumta të fisit Evs.

Pas këtyre ngjarjeve Medina u bë vendmigrimi për Pejgamberin e Allahut, vendmbrojtje, strehim dhe bazë e Shtetit të Madh Islam.

*  *  *

Usejd ibnu El Hudejri e donte Kur’anin me pasion qëkur e dëgjoi nga Mus’ab ibnu Umejri, atëherë kur edhe mbolli dashuri për të, siç lind dashuria për të dashurin. Ai e pranoi atë me ëndje, me atë burim të shijes në atë ditë përcëlluese, dhe që nga ajo ditë zuri të merret me të.

Përveç kësaj, ai dallohej si luftëtar që lufton në rrugën e Allahut, dhe musliman i përkushtuar në leximin dhe komentimin e Librit të Allahut.

Zërin e kishte të ëmbël, fjalët i shqiptonte në mënyrë të qartë dhe lexonte në mënyrë të shkëlqyeshme. Ai më shumë kënaqej kur lexonte Kur’anin kur binte nata, atëherë kur mbyllen sytë dhe shpirtrat ngrihen lart në qiell.

Shokët e tij të ndershëm pritnin me padurim kur ai lexonte Kur’anin dhe hidhnin short se kush do të dëgjojë më parë le­ximin e tij.

Sa fatlum do të ishte ai njeri që i jepej rasti të dëgjonte Kur’anin du­ke e lexuar ky njeri me njomësi dhe freski mu ashtu siç iu zbrit Muhammedit a.s.

Leximin e tij e shijuan banorët e qiellit, ashtu siç e shijoi njerëzimi.

Një mesnatë, Usejdi ibnul Hudejr ishte ulur në oborrin e vet dhe pranë tij i biri, Jahja, ishte fjetur. Kali i tij, që e kishte përgatitur për luftë në rrugën e Allahut, ishte i lidhur jo larg tij.

Nata ishte e butë dhe e qetë, e hapësira qiellore e pastër dhe e çiltër.

Sytë e yjeve kundronin tokën e qetë me mall dhe simpati.

Shpirti i Usejd ibnul Hudejrit kishte dëshirë të flaktë të parfu­mosë këto hapësira me puhin e këndshëm të Kur’anit. Ai zuri ta lexojë atë me zërin e tij të ëmbël e të prekshëm.

“Elif, Lam, Mim. Ky libër, në të cilin s’ka fije dyshimi, është udhëzim për ata që janë të devotshëm, të cilët besojnë në të padukshmen, falin namazin dhe japin zeqatin nga ajo që ju kemi dhënë ne. Edhe për ata të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty dhe në atë që është shpallur para teje dhe janë të bindur thellë për jetën e ardhshme.” (El‑Bekare: 1‑4)

Kur e dëgjoi këtë, kali i tij bëri një qark që gati e këputi frerin. Ai heshti. Kali u qetësua dhe qëndroi në vend pa lëvizur.

Ai vazhdoi të lexojë:

“Ata janë në rrugën e (vërtetë ) Zotit të tyre dhe ata janë të shpëtuar.” (El‑Bekare: 5)

Kali prapë e bëri një qark më të rreptë dhe më të furishëm. Ai heshti dhe kali u qetësua...

Ai e përsëriti këtë disa herë. Kur ai lexonte Kur’anin, kali shmangej larg tij dhe shqetësohej, e kur ai heshte, kali qetësohej dhe nuk lëvizte vendit.

Ai u frikësua për birin e tij, Jahjanë, se mos po e vë atë në gjen­dje depresioni dhe shkoi ta zgjojë nga gjumi. Në atë çast ktheu shikimin  nga qielli dhe pa një re si ombrellë, që syri i njeriut kurrë më parë nuk e kishte parë, aq e bukur dhe e hijshme. Në të ishin varur sende që u ngjasonin dritareve. Horizonti u mbush plot dritë dhe ma­dhështi, që ngrihej lart gjersa u largua nga sytë e tij. Kur zbardhi dita, ai shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe i tregoi se ç’kishte parë, ndërsa Muhammedi a.s. i tha:

“Ata, engjëjt, të dëgjonin ty, o Usejd... Sikur të vazhdoje ti leximin, njerëzit do t’i shihnin ata dhe nuk do të fshiheshin prej tyre.”[1]

Siç ishte entuziast Usejd ibnul Hudejri ndaj leximit të Librit të Alla­hut, atij iu shtua entuziazmi në të njëjtën masë ndaj të Dërguarit të Allahut  dhe, siç thotë vetë, ai ishte më i devotshmi, në shkallë më të lartë që mund të jetë një njeri, më i vëmendshmi dhe më i besuari kur lexonte Kur’anin apo kur e dëgjonte atë dhe kur e shikonte Pej­gamberin e Allahut kur mbante hytbe (këshillë të së premtes) apo fjalim.

Kishte dëshirë të flaktë që trupi i tij ta prekë trupin e Pej­gamberit të Zotit, ta nuhasë dhe ta puthë atë. Një ditë i jepet rasti dhe e realizon dëshirën e tij.

Një ditë Usejdi e argëtonte popullin me kuriozitete dhe anekdota, andaj i Dërguari i Allahut e ngacmoi atë në bel me dorë, sepse i pëlqeu ajo që i tha ai.

Usejdi i tha:

“Më lëndove, o i Dërguar i Allahut!”

I Dërguari i Allahut tha:

“Ma kthe pra, në të njëjtën masë, o Usejd!”

Usejdi tha:

“Ti ke këmishë, e unë nuk kisha këmishë kur më ngacmove ti.”

Atëherë, i Dërguari i Allahut e zhveshi këmishën e vet dhe ia veshi Uejdit dhe ky zuri ta puthte mes nënsqetullës dhe belit, e Usejdi i thonte:

“Të betohem në prindët e mi, o i Dërguari i Allahut, se dëshirën e flaktë që ushqeja në zemër, që nga momenti kur të njoha, tani e realizova.”

Muhammedi a.s. e donte Usejdin në të njëjtën masë dhe e kish­te në konsideratë hyrjen e tij të hershme në fenë islame dhe mbroj­tjen që ia kishte bërë Muhammedit a.s.; Ditën e Uhudit Usejdi u ther shtatë herë me të rëna vdekjeprurëse.

Ia njihte vlerën dhe pozitën e vet në masë. Kur ndër­mje­tësonte mes njerëzve, Pejgamberi e angazhonte atë për një punë të tillë.

Usejdi tregon për një rast, ku thotë:

“Shkova tek i Dërguari i Allahut dhe i përkujtova banorët e ensarëve, se ka njerëz të varfër me nevoja të ngutshme, e prej tyre kryesisht gra. I Dërguari i Allahut më tha:

“O Usejd, ke ardhur të kërkosh ndihma në kohën kur ne e ke­mi harxhuar atë që e kishim. Kur të dëgjosh se na ka ardhur ndonjë ndihmë, na i rikujto anëtarët e asaj familjeje!”

Pas kësaj erdhi një pasuri nga Hajberi dhe e ndau atë në mes muslimanëve dhe enësarëve u dha më shumë, por edhe asaj familjeje i dha shumë, e unë i thashë:

Zoti të shpërbleftë me të mira për ndihmën që u dhe atyre, o Pejgamber i Allahut!

Ai tha:

“O popull i ensarëve! Allahu ju shpërbleftë me shpërblimet më të mira, se ju, siç kam mësuar, ishit virtuozë dhe të durueshëm, ju do të monopolizoni pas vdekjes sime. Kini durim gjersa të vijë koha të më takoni se “juve ju është premtuar kroi i xhenetit!”

Kur iu besua halifati Omer ibnul Hattabit r.a. ai u ndau be­sim­tarëve mall dhe pasuri, e mua më dërgoi një xhelabi, (pelerinë) që më binte e vogël...

Ndërkohë që isha në xhami pranë meje kaloi një djalosh kurejshit, i veshur me xhelabi të gjerë dhe të gjatë, nga ato që kishte dërguar tek unë Omeri r.a. Djaloshi e tërhiqte atë zvarrë. Unë ia rikujtova atij që ishte me mua, fjalën e Pejgamberit të Allahut a.s.:

“Ju do të monopolizoni pas vdekjes sime,” - dhe thashë Zoti e shpërbleftë të Dërguarin e Vet!

Njeriu shkoi tek Omeri dhe e njohu me atë që thashë. Omeri, derisa falesha, erdhi me të shpejtë dhe tha:

“Falu, o Usejd!”

Kur e fala namazin, m’u afrua dhe më tha:

“Çfarë ke thënë”?

Unë i tregova se ç’kisha parë dhe ç’kisha thënë.

Ai më tha:

“Allahu t’i faltë mëkatet! Atë xhelabi ia kam dërguar filanit, ai është ensari, pjesëmarrës në betimin e Akabes, në betejën e Bedrit dhe Uhudit, e nga ai e ka blerë ky djalosh kurejshit dhe e ka veshur.”

A ta merr mendja se, ajo që ka paralaj­mëruar Pej­gam­beri i Allahut,  kjo do të ndodhte në kohën time?!!”

Thashë:

Për Allahun, o prijës i muslimanëve, unë nuk mendoja se kjo do të ndodhte në kohën tënde.

Pas kësaj, Usejd ibnul Hudejri nuk jetoi gjatë dhe kaloi në bo­­tën e amshueshme gjatë sundimit të Omerit, Allahu qoftë i kë­naqur me të dy.

U pa se ai kishte një borxh prej katër mijë dërhemësh.

Trashëgimtarët e tij u interesuan për t’ia shitur ca tokë dhe me të hollat nga kjo shitje dëshironin t’ia paguanin borxhin.

*  *  *

Pasi e mori vesh këtë, Omeri tha:

“Unë nuk i lë të bijtë e vëllait tim, Usejdit, të mbeten të varfër në mesin e njerëzve...”

Pastaj u foli kreditorëve dhe ata u pajtuan të blejnë frutat dhe të lashtat që prodhonte toka e tij gjatë katër vjetëve. Çdo vit nga një mijë dërhemë.



[1] Teksti integral i këtij lajmi (hadithi) është shkruar në S. Buhari dhe Muslim.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

Read more...

MEXHZEETU IBNU THEVËR ES‑SEDUSI

mexhzeetu_ibnu_thevr_essedusi mesoislamin.com

MEXHZEETU IBNU THEVËR ES‑SEDUSI

Mexhze’etu ibnu Thevri ishte trim i patrembur. Ka mbytur njëqind pabesimtarë në dyluftime. A thua, sa ka vrarë në fushëbetejë?

(Historianët)

Këta janë trimat e mëdhenj të ushtrisë së Allahut, të cilët i shkun­din pluhurin Kadisijes të ngazëllyer se Allahu ua dhuroi fitoren.

Të gëzuar për shpërblimin që u është caktuar vëllezërve të tyre që ranë dëshmorë, ata mbetën me dëshirë të flaktë për të marrë pje­së edhe në beteja të tjera, të ngjashme me Luftën e Kadisijes për nga madhështia e tyre.

Ata pritnin me padurim që t’u vijë urdhri nga Halifi Omer ibnul Hattabi për t’a vazhduar Luftën e Shenjtë, ta çrrënjosin pushtetin e Kisras që nga rrënjët.

*  *  *

Nuk zgjati shumë parandjenja dhe dëshira e tyre e zjarrtë, u realizua.

Ja, ai është i dërguari i El Farukut (Omerit r.a.) që po vjen nga Me­di­na në Kufe. Ai sjell me vete një urdhër nga Halifi për valiun e tij, Ebu Musa el Esh’ari‑un, për të shkuar me ushtrinë e tij që të takohet me ushtrinë e muslimanëve, e cila po vinte nga Basra. Ato të dyjat duhet të nisen së bashku për në Ahvaz[1] për të ndjekur dhe shkatërruar  Hurmezanin[2], dhe ta çlirojnë qytetin Tustere ‑ margaritar i pushtetit mbretëror dhe perlë e trojeve të Persisë.

Në urdhëresën, të cilën Halifi ia dërgoi Ebu Musasë, thuhej që atë duhet ta shoqërojë kalorësi trim dhe prijësi i tyre i respektuar, Mexhze’etu ibnu Thevër Es‑Sedusi, prijës i fisit Beni Bekër.

Ebu Musa el‑Esh’ariu iu përgjigj urdhrit të Halifit të muslimanëve. Mobilizoi ushtrinë e tij dhe në krye të saj emëroi Mexhze­etu ibnu Thevër Es‑Sedusin.

Ai (Mexhzeetu) me ushtrinë e tij iu bashkua ushtrisë islame që po vinte nga Basra. Dhe të dyjat së bashku shkuan për të luftuar në rrugën e Allahut.

Ata vazhduan të çlirojnë qytetet dhe të pastrojnë bunkerët. Hur­mezani ikte para tyre prej një vendi në një vend tjetër, gjersa arriti në qytetin Tustere, ku u strehua në fortifikatën e tij.

*  *  *

Tustereja, vend ku u strehua Hurmezani, ka natyrë të bukur dhe është më i fortifikuari.

Përveç këtyre veçorive, ai është qytet i lashtë dhe me një histori të gjatë. Është ndërtuar në rrafshnaltë, në trajtë të kalit. Ai furnizohet me ujë nga një lumë që quhet Tigris (Lumi Tigris). Mbi të ka ujëvara me pishina, të cilat i ka ndërtuar Mbreti Sabur për ta ngritur në to ujin e lumit përmes tuneleve nëpër nëntokë.

Pishinat dhe ujëvarat e Tustere me tunelet e tij janë mre­ku­lli nga mrekullitë e rralla në fushën e ndërtimit. Ato janë të ndër­tuara me gurë të mëdhenj, të përforcuar me shtylla të hekurta. Pishina dhe të gjithë tunelet e qytetit janë mbuluar me llamarina plumbi.

Përreth Tustere-s gjenden mure të larta të rrethuara me stre­himore.

Historianët kanë thënë për të:

“Ai është muri i parë dhe më i madh që është ndërtuar mbi dhe.”

Më pas, Hurmezani kishte hapur rreth murit një hendek të madh, që vështirë kapërcehej. Pas tij ishte vendosur elita e ushtrisë persiane.

*  *  *

Ushtria islame ishte llogoruar rreth hendekut të Tustere‑s. Aty qëndruan tetëmbëdhjetë muaj, pa arritur ta kalojnë atë. Gjatë asaj kohe muslimanët zhvilluan tetëdhjetë beteja me ushtrinë persiane.

Secila prej këtyre betejave fillonte me dyluftimin mes dy kalo­rësve të të dy ushtrive, e pastaj shndërrohej në luftë të ashpër shkatërruese.

Në këto dyluftime Mexhze’etu ibnu Thevri u sprovua me sprova nga më të vështirat, të cilat i hutuan mendjet e njerëzve, mahnitën kundërshtarët por, njëkohësisht, edhe miqtë.

Ai arriti t’i vriste njëqind trima të rrallë të kalorësve kun­dër­shta­rë gjatë zhvillimit të dyluftimeve. Nga emri i tij persianëve zu­ri t’u hyjë frika në palcë, ndërkaq në zemrat e mysliamanëve shto­hej dinjiteti dhe krenaria.

Ata që nuk kanë pasur rastin të dinë, tashmë mësuan (për mo­ti­vin) pse prijësi i muslimanëve dëshiroi që ky trim i paepur ta për­gatisë aradhën sulmuese të ushtrisë muslimane.

Në betejën e fundit, nga ato të tetëdhjetat, muslimanët zhvi­lluan ekspedita të furishme, të njëmendta. Persianët në këtë bete­jë, ua lanë muslimanëve urat e instaluara dhe viaduktet që çonin mbi hendek. Ata kërkuan strehim në qytet dhe ua mbyllën muslimanëve dyert e fortifikatës së pakapërcyeshme.

Pas këtij durimi të gjatë, muslimanët kaluan prej gjendjes së keqe në një situatë edhe më të vështirë. Persianët zunë të hedhin rrebesh shigjetash nga lartësitë e kullave. Ata filluan të lëshonin zin­xhirë të hekurt përmbi mure, e në krye të çdo zinxhiri kishte gre­pa me zjarr të furishëm.

Kur ndonjë ushtar musliman ia mësynte të hipte në mur apo t’i afro­hej, ata e lidhnin te muri dhe e tërhiqnin lart në kullë. Trupi i tij digjej, mishi i binte copë‑copë derisa vdiste.

*  *  *

Vuajtjet e muslimanëve u shtuan edhe më shumë. Ata zunë t’i luten Allahut me zemra të përvuajtura dhe të frikësuara, që t’ua largojë vuajtjet dhe t’ua mundësojë fitoren ndaj armikut të Tij dhe të tyre.

*  *  *

Ndërsa Ebu Musa el Esh’ariu meditonte për ta kaluar murin e madh të Tusteres, pa shpresë se do t’ia dilte, para tij ra një shi­gjetë që vinte nga lart, mbi mure. Kur e shikoi, në të gjeti një mesazh në të cilin thuhej:

“Ju kam besuar juve, o tog i muslimanëve! Unë kërkoj siguri për veten time, për pasurinë, për familjen time dhe për ata që vijnë pas meje, kurse unë po marr për detyrë t’ju çoj te një shteg përmes të cilit do të depërtoni në qytet.”

Ebu Musa i shkroi letër dërguesit të shigjetës përmes së cilës e njof­toi se do t’ia plotësojë kushtet e parashtruara dhe ia hodhi po ashtu me shigjetë. Njeriu u bind për mbështetjen e muslimanëve, meqë ai dinte sinqeritetin që kanë ata kur premtojnë dhe për zbatimin e besëlidhjes së tyre. Ai u përvodh nga të tjerët, pa u hetuar, nën hijen e errësirës.

Ai i tregoi Ebu Musasë hallin e tij të vërtetë dhe tha:

- Ne jemi nga paria e popullit. Hurmezani e ka vrarë vëllain tim të madh dhe ka sulmuar e plaçkitur familjen e tij. Ai më ka halë në sy, kështu që unë dhe fëmijët e mi ende ruhemi prej tij.

Unë e pashë të arsyeshme ta pranoj drejtësinë tuaj ndaj pa­drej­tësisë së tij, ndërgjegjen tuaj të pastër ndaj tradhtisë së tij. Ndaj, vendosa t’ju çoj në një shteg të fshehtë, përmes të cilit do të depërtoni në Tustere.

Pra, më jep një njeri guximtar dhe të mençur, të jetë prej aty­re që zotëron notin, me qëllim që t’ia tregoj rrugën!

Ebu Musa El Esh’ariu ftoi Mexhzeetu ibnu Thevrin dhe i tregoi me besim çështjen për të cilën e kishte ftuar, dhe i tha:

- Më ndihmo të gjej një njeri nga njerëzit e tu, që është i men­çur, i vendosur dhe që ka aftësi të jashtëzakonshme për not!

- Më emëro mua, në vend të atij njeriu, o prijës! ‑ i tha Mexhzeetu.

- Nëse dëshiron të jesh ai njeri, atëherë qofsh nën bekimin e Zotit! ‑ ia ktheu Ebu Musa dhe e këshilloi mirë që mos ta humbë rrugën dhe të mësojë saktësisht se ku gjendet vendi ku është e vendosur porta. Të përcaktojë vendin ku gjendet Hurmazani, ta vërtetojë identitetin e tij dhe të mos bëj gjë tjetër (gabimisht) për­veç kryerjes së detyrave për të cilat është urdhëruar.

*  *  *

Mexhzeetu ibnu Thevri u nis në rrugën e gjatë, në errësirën e natës, me udhërrëfyesin e tij persian, i cili e solli te një tunel nëntokë, që lidhte lumin me qytetin.

Tuneli shtrihej në formën e tij të gjerë deri te  pusi i ujit dhe ai e kalonte duke ecur në këmbë, por në disa vende ishte i ngushtë dhe ai detyrohej ta kalonte me not. Në disa vende ai kishte marrë formë gjar­përuese, e në disa të tjera kishte formën e drejtë...

Ai vazhdoi rrugën me të gjersa arriti te shtegu përmes të cilit arrihej në qytet. Udhërrëfyesi ia tregoi Mexhzeetusë Hurmezanin, vra­sësin e vëllait të vet, dhe vendin ku ai po qëndronte i siguruar.

Kur e pa Hurmezanin, i shkoi mendja ta “përshëndeste” me një shigjetë në gjoks, por nuk vonoi iu kujtua porosia që i kishte dhënë Ebu Musa, që të mos bëjë ndonjë gabim. Këtë dëshirë të flaktë (për ta mbytur Hermezanin) e mbajti në vete dhe, para se t’ia jepte agu i mëngjesit, u kthye nga kishte ardhur.

Ebu Musa përgatiti treqind veta nga ushtria islame, të cilët ishin trima mbi trima, të fortë dhe të qëndrueshëm. Ua mësoi no­tin dhe prijës të tyre emëroi Mexhzeetu ibnu Thevrin. I këshilloi dhe u dëshiroi rrugë të mbarë dhe u tha që tekbiri të jetë shenjë kushtrimi e ushtrisë muslimane për ta mësyar qytetin.

Mexhzeetu urdhëroi ushtarët e tij t’i zhveshin ca rroba, aq sa mun­den, që të mos u rëndohet trupi nga rrobat e lagura... Ai ua tërhoqi vërejtjen që të mos marrin me vete asgjë përveç shpatave të tyre... I këshilloi që t’i ngjeshin ato në trup, nën rroba... Ai kaloi me ta një të tretën e fillimit të natës.

*  *  *

Mexhzeetu ibnu Thevri dhe ushtria e tij trime mbetën afro dy orë duke u kacafytur me pengesat e atij tuneli të rrezikshëm, të cilat herë i tejkalonin, herë mposhteshin prej tyre.

Kur arritën në shtegun që shpiente në qytet, Mexhzeetu vuri re se tuneli ia kishte gllabëruar dyqind e njëzet ushtarë të ushtrisë së tij, nga e cila i kishin mbetur vetëm tetëdhjetë veta...

Kur Mexhzeetu shkeli në truallin e qytetit me shokët e vet, të gjithë së bashku i nxorën shpatat, shkuan te rojet e fortifikatës, i therën rojet në gjokse, pastaj kërcyen te porta dhe e hapën atë duke thënë tekbir. Tekbiri i tyre brenda bashkë­je­honte me tekbirin e vëllezërve të tyre përjashtë.

Në mëngjes, muslimanët u vërsulën në qytet. Mes tyre dhe ar­miq­ve u zhvillua një betejë e ashpër. Historia pak ka dëshmuar për furitë e luftërave të tilla, për nga trishtimi dhe numri i madh i të vrarëve.

*  *  *

Ndërsa lufta zhvillohej nga të gjitha anët, Mexhze’etu e vuri re Hur­mezanin në sheshin e luftës, u drejtua nga ai dhe kërceu me shpatë. Pas pak, një grup ushtarësh e rrëmbyen atë dhe e fshehën, me qëllim që të mos e shohë njeri.

Pastaj, ai e pa prapë, u vërsul kah ai dhe e sulmoi...

Mexhzeetu dhe Hurmezani iu vërsulën njëri‑tjetrit me shpata. Dhe që të dy e qëlluan njëri‑tjetrin me të rëna vdekjeprurëse. Shpa­ta e Mexhzeetus u drodh, nuk e goditi kundërshtarin, por shpata e Hurmezanit qëlloi...

Trimi i paepur ra i vdekur në sheshin e luftës. Sytë e tij mbetën të ngazëllyer për atë që Allahu e kishte caktuar të jetësohet me duart e këtij trimi.

Ushtria muslimane vazhdoi luftën derisa Allahu ua mundësoi fi­toren dhe Hurmezani u zu rob nga muslimanët.

*  *  *

Me të shpejtë, sihariqet filluan ta njoftojnë El‑Farukun me lajme të gëzuara mbi fitoren e arritur. Ata çonin përpara Hurme­zanin që ta shohë Halifi. Mbi kokë kishte kurorën e vet, të stolisur me xhevahirë, e në supe kishte rroba të stolisura me fije ari.

Megjithatë, sihariqet në zemrat e tyre sillnin edhe një ngu­shëllim të sinqertë për Halifin, me rastin e vrasjes së kalorësit të tij të paepur ‑ Mexhzeetu ibnu Thevri.




[1] Ahvaz: vend në perëndim të Iranit.

[2] Hurmezan: komandant i ushtrisë persiane.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

Read more...

ABDULLAH IBNU UM‑MI MEKTUMI

abdullah_ibnu_ummi_mektumi mesoislamin.com

ABDULLAH IBNU UM‑MI MEKTUMI

“Njeriu i verbër për të cilin Allahu zbriti gjashtëmbëdhjetë ajete, të cilat u lexuan dhe do të vazhdojnë të lexohen derisa të ndërrohet nata dhe dita.”

Komentatorët

Kush është ky për të cilin u qortua Pejgamberi fisnik prej mbi shta­të qiejve me qortimin më të ashpër dhe më të dhembshëm?!

Kush është ky për të cilin zbriti Xhebraili besnik në zemrën e Pejgamberit fisnik me shpallje nga ana e Allahut?!

Ai është Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi, muezini i Pejgam-berit a.s.

*  *  *

Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi ishte mekas, kurejshit. Me Pej­gam­berin a.s. e lidhnin lidhjet familjare. Ai ishte i biri i dajës së nënës së besimtarëve, Hatixhes, të bijës së Huvejlidit r.a.

Babai i tij ishte Kajs ibnu Zaidi, kurse nëna e tij ishte Atika bin­tu Abdullah. Është quajtur Umu Mektum, sepse ajo e kishte lin­dur atë të vërbër!

*  *  *

Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi e përjetoi lindjen e dritës në Me­kë dhe Allahu ia zgjeroi zemrën e tij me iman (besim) dhe ishte prej muslimanëve të parë.

Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi i përjetoi vuajtjet e muslimanëve në Mekë me të gjitha sakrificat dhe qëndrueshmëritë.

Vuajti nga mundimet dhe torturat e kurejshitëve ashtu sikurse edhe as‑habët e tjerë. Mirëpo, ai i përballoi të gjitha torturat­ dhe asnjëherë nuk iu dobësua besimi. Përkundraj, ato ndikuan që lidhja e tij me fenë e Allahut të forcohet, dashuria e tij për Librin e Tij të jetë më e madhe dhe dashuria e tij për Pejgamberin a.s. të shtohet.

*  *  *

Dashuria e tij ndaj Pejgamberit a.s. dhe dëshira e tij për ta më­suar përmendsh Kur’anin e Madhërishëm bëri që ai të shfry­tëzojë çdo rast për këtë qëllim.

Dëshira e tij që të jetë sa më gjatë në shoqëri me Pejgamberin a.s. nganjëherë e mashtronte që ta merrte pjesën e vet dhe pjesën e tjetërkujt...

Në këtë kohë, Pejgamberi a.s. ballafaqohej me të madhe me pa­ri­në kurejshite, lakmonte në Islamin e tyre. Një ditë prej ditësh u takua me Utbe ibnu Rebian, vëllanë e tij, Shejbe ibnu Rebian, Amr ibnu Hishamin, të njohur me ofiqin Ebu Xhehl, Umeje ibnu Halefin, El‑Ve­lid ibnul Mugiren, babain e Sejfullahut dhe Hali­din dhe hyri me ta në dialog, duke ua ofruar atyre parimet islame, duke shpresuar se ata do t’i përgjigjen apo së paku do t’i ndërprejnë torturat e tyre ndaj as‑habeve të tij.

*  *  *

Në momentin kur Pejgamberi a.s. ishte duke biseduar me ta, iu afrua Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi, e luti t’ia lexojë një ajet të Kur’anit dhe i tha:

- O i Dërguari i Allahut, më mëso diçka prej atyre që të ka më­suar ty Allahu!

Por, Pejgamberi a.s. ia ktheu shpinën atij, e shi­koi mrrolshëm dhe shkoi pas parisë kurejshite, duke shpresuar se ata do ta pra­nojnë Fenë Islame dhe me kalimin e tyre në Islam ai do të forcohet dhe thirrja e re do të fitojë një fuqi të re.

Posa Pejgamberi a.s. e përfundoi bisedën e tij me ata dhe u nda prej tyre dhe  deshi të kthehej te familja e tij, Allahu xh.sh. ia mori një pjesë të të pamurit të tij dhe iu duk sikur diçka i mëshonte në kokën e tij.

Allahu xh.sh. pastaj e zbriti Fjalën e Vet:

“U vrenjt dhe ktheu shpinën. Ngase atij i erdhi i verbri. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. Apo do të këshi­llohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi! E ai që nuk ndien nevojë (për Zotin) pse ka pasuri, ti atij i vë veshin. Po ti nuk ke përgjegjësi pse ai nuk pastrohet. Ndërsa ai që nxiton edhe vjen te ti. Ngase ai frikësohet. E ti nuk ia vë veshin atij! Kurrsesi! (ashtu mos bëj). Ai është mësim. Andaj kush do, e merr atë mësim (Kur’anin). Është në fletë të çmueshme. Me vlerë të lartë e të ruajtur. Në du­ar të udhëtuesve (engjejve). Fisnikë e të pagabueshëm.” (80:1‑16)

Gjashtëmbëdhjetë ajete i zbriti Xhebraili besnik në zemrën e Pejgamberit fisnik rreth çështjes së Abdullah ibni Um‑mi Mektumit, të cilat lexohen prej ditës së zbritjes e deri më sot dhe do të vazh­dojnë të lexohen derisa të ekzistojë toka dhe krijesat mbi si­për­faqen e saj.

Prej asaj dite, Pejgamberi tregoi respekt të veçantë ndaj Abdu­llah ibnu Um‑mi Mektumit. Kur shkonte tek ai, e ofronte pranë mexhlisit të vet, e pyeste për gjendjen e tij dhe çdo nevojë që kish­te ai ia plotësonte.

Kjo nuk duhet të na çudisë aspak, sepse për këtë njeri Pejgam­be­ri a.s. ishte qortuar prej mbi shtatë qiejve në mënyrën më të ashpër.

*   *   *

Kur kurejshitët e ashpërsuan terrorin dhe reprezaljet e tyre ndaj Pejgamberit a.s. dhe atyre që ishin me të, Allahu xh.sh. ua lejoi muslimanëve të bëjnë hixhret. Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi ishte i pari që e lëshoi vendlindjen duke ikur për hir të ruajtjes së fesë së vet.

Ai dhe Mus’ab ibnu Umejri ishin prej të parëve që arritën në Medinë nga sahabët e Pejgamberit a.s.

Posa arriti në Jethrib, Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi dhe shoku i tij, Mus’ab ibnu Umejri, filluan të shkonin nëpër njerëz për t’ua mësuar leximin e Kur’anit dhe bazat elementare të fesë.

Me ardhjen në Medinë Pejgamberi a.s. e mori Abdullah ibnu Um‑mi Mektumin dhe Bilal ibnu Rebahin si dy muezina të muslimanëve, të cilët pesë herë në ditë e thërrisnin me zë të lartë fjalën e dëshmisë, i ftonin njerëzit në punën më të mirë dhe i nxitnin në shpëtim.

Bilali e thirrte ezanin, kurse Ibnu Um‑mi Mektumi bënte ikame­tin, apo ndoshta ezanin e thirrte Ibnu Um‑mi Mektumi kurse ikame­tin e bënte Bilali.

Bilali dhe Ibnu Um‑mi Mektumi ishin të njohur për banorët e Medinës, në veçanti gjatë muajit të Ramazanit, sepse muslimanët hanin syfyr kur njeri prej tyre e thirrte ezanin dhe i jepnin fund sy­fyrit kur ezanin e thirrte tjetri.

Bilali e thirrte ezanin natën dhe i çonte njerëzit në syfyr, ndër­sa Ibnu Um‑mi Mektumi priste agimin e mëngjesit dhe asnjëherë nuk  gabonte.

Pejgamberi a.s. e respektonte aq shumë Ibnu Um‑mi Mektumin saqë e caktoi zëvendës të vetin në Medinë më shumë se dhjetë he­rë kur ai nuk ishte prezent aty. Njëra prej tyre ishte dita kur Pej­gamberi a.s. mori pjesë në ekspeditën e çlirimit të Mekës.

Pas betejës së Bedrit, Allahu xh.sh. ia zbriti Pejgamberit a.s. di­sa ajete kur’anore me anë të të cilave lartësohet vlera e atyre që luftojnë në rrugën e Allahut dhe kanë përparësi ndaj atyre të cilët nuk marrin pjesë në luftë, që ta nxisë luftëtarin në luftën e tij dhe ta përbuzë atë që nuk merr pjesë në luftë për shkak të indiferentizmit të tij. Kjo ndikoi dukshëm në shpirtin e ibnu Um‑mi Mektumit dhe i erdhi rëndë të mos jetë pjesëmarrës në këtë të mirë, dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut, sikur të mund të luftoja, do të vija në luf­të.” Pastaj e luti Allahun xh.sh. nga thellësia e zemrës që t’i zbre­së ndonjë pjesë të Kur’anit për të dhe për ata që janë të ngjashëm me të, të cilët janë të penguar të marrin pjesë në luftë për shkak të ndonjë të mete të tyre dhe filloi të lutet me një bindje të thellë:

“O Zoti im, largoje pengesën time!

O Zoti im, largoje pengesën time!”

Allahu xh.sh. shumë shpejt iu përgjigj lutjes së tij.

Zejd ibnu Thabiti, shkruesi i shpalljes së Pejgamberit a.s., thotë:

“Isha pranë Pejgamberit a.s. kur e kapi një kllapi dhe kofsha e tij ra mbi kofshën time. Nuk kisha parë asnjë gjë më të rëndë se kofsha e Pejgamerit a.s. Pastaj i doli kllapia dhe tha:

- Shkruaj o Zejd! Unë shkruajta:

“Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që ndejtën (që nuk luftuan) dhe ata që me pasurinë dhe me jetën e tyre luftuan në rrugën e Allahut.” (4:95)

Posa e dëgjoi këtë, ibnu Um‑mi Mektumi u ngrit dhe tha: - O i Dër­guari i Allahut, po si është puna me ata të cilët nuk kanë mun­dë­si të marrin pjesë në luftë?! Ende pa i mbaruar të gjitha fjalët, përsëri Pejgamberin a.s. e zuri një kllapi dhe kofsha e tij ra mbi kofshën time, sikurse herën e parë. Pastaj i doli kllapia dhe tha:

- Lexo atë që shkrove, o Zejd! Unë lexova: “Nuk janë të barabartë  prej besimtarëve ata që ndejtën (që nuk luftuan) dhe ata që me pasurinë dhe me jetën e tyre luftuan në rrugën e Allahut.” Pastaj më tha: - Shkruaj “Me përjashtim të atyre që ishin të penguar pa vullnetin e tyre.”

Kështu pra zbriti përjashtimi që aq shumë e dëshiroi Ibnu Um‑mi Mektumi.

Edhe pse Allahu xh.sh e liroi Abdullah ibnu Um‑mi Mektumin dhe të tjerët si ai prej pjesëmarrjes në luftë, shpirti i tij ambicioz nuk u qetësua me qëndrimin me ata që nuk luftuan dhe vendosi të marrë pjesë në luftë për hir të Allahut...

Ai e bëri këtë për arsye se shpirtrat e mëdhenj nuk janë të kënaqur vetëm se me vepra të mëdha.

Prandaj, që prej asaj dite, ai lakmoi që mos t’i kalojë asnjë be­te­jë dhe ia caktoi vetes vendin në sheshin e luftës. Ai thonte që:

- Më lëni mua ndërmjet dy radhëve dhe ma jepni flamurin ta mbaj dhe ta ruaj...

Unë jam i verbër dhe nuk mund të iki...

* * *

Në vitin e katërmbëdhjetë të hixhretit, Omer ibnul Hattabi ven­dosi të hyjë me persianët në betejën vendimtare që ta shpar­tallojë shtetin e tyre, ta shkatërrojë fuqinë e tyre dhe me këtë t’u hapë rrugët ushtrive muslimane. Për këtë qëllim iu shkruajti më­këm­bësve të tij e u tha:

“Bëni mobilizimin e përgjithshëm. Të gjithë ata që kanë armë, kuaj dhe pasuri drejtojini tek unë sa më parë të jetë e mundur!”

Grupet e muslimanëve filluan t’i përgjigjen thi­rrjes së Farukut (Ome­rit r.a.) dhe vërshuan në drejtim të Medinës nga çdo anë. Në me­sin e tyre ishte edhe luftëtari i verbër Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi.

Faruku r.a. e caktoi në krye të ushtrisë së madhe Sa’d ibnu Ebi Vekkasin, të cilin e këshilloi dhe e përcolli jashtë Medinës.

Kur ushtria muslimane arriti në Kadisije, u paraqit Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi, i veshur me parzmore dhe me tërë pajisjet e tij lufta­rake, vullnetarisht për të mbajtur flamurin e muslimanëve: ta mbrojë atë apo të vdesë me të në dorë.

*  *  *

Dy ushtritë u përleshën tri ditë të vështira e të përgjakshme...

Dy palët luftuan me aq ashpërsi, saqë historia e luftërave nuk mbante mend një luftë të tillë, derisa në agimin e ditës së tretë muslimanët korrën fitore bindëse. Në këtë luftë mori fund së ekzis­tuari njëra prej perandorive më të mëdha në histori...

Pushoi se ekzistuari një ndër fronet më të vjetra...

U ngrit lart flamuri i monoteizmit në tokën e paganizmit...

Çmimi i kësaj fitoreje ishte me qindra e mijëra shehidë. Në me­sin e atyre shehidëve ishte Abdullah ibnu Um‑mi Mektumi...

U gjet i vdekur, i larë me gjakun e tij, duke e përqafuar fort fla­murin e muslimanëve.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

EBU DHERR EL‑GIFARI

ebu_dherr_el_gifari mesoislamin.com

EBU DHERR EL‑GIFARI

“Nuk mbajti toka e as nuk njohu qielli njeri më të drejtë se Ebu Dherrin.”

Muhammedi a.s.

Në luginën “Veddan”, e cila e lidh Mekën me botën e jashtme, jetonte fisi “Gifar”.

Fisi “Gifar” jetonte me ato dromca të vogla të tregtisë, që  mbartnin karvanet e kurejshëve duke shkuar në Sham apo duke u kthyer prej tij.

Ndoshta jetonin edhe nga plaçkitja e këtyre karvaneve, nëse ata nuk u jepnin atë që dëshironin ata.

Xhundub ibnu Xhunadete, i njohur me ofiqin Ebu Dherr, ishte njëri prej bijve të këtij fisi. Mirëpo, ai dallohej prej tyre me guxi­min, mençurinë dhe largpamësinë e tij...

Ai me plot keqardhje i shikonte pjesëtarët e popullit  të vet që i adhuronin idhujt e ndryshëm.

Ai i shikonte me përbuzje besimet në të cilat besonin arabët për shkak se ato nuk kishin kurrfarë vlere.

Ai priste paraqitjen e një pejgamberi të ri, i cili do t’ua mbush­te njerëzve mendjet dhe zemrat dhe do t’i nxirrte prej errësi­rës në dritë.

*  *  *

Pas pak kohe, derisa ishte në shkretëtirën e tij, Ebu Dherrit i arriti lajmi i paraqitjes së Pejgamberit të ri në Mekë, e ai i tha vëllait të vet, Enisit:

- Shko deri në Mekë, studio lajmet e këtij njeriu që pretendon se është pejgamber dhe thotë se atij i vjen shpallja nga qielli, dëgjo disa prej fjalëve të tij dhe më sill diçka prej tyre.

*  *  *

Enisi shkoi në Mekë dhe u takua me të Dërguarin e Allahut, dëgjoi prej tij, pastaj u kthye në shkretëtirë, ku ishte duke e pritur me padurim Ebu Dherri. Ai e pyeti me plot dashuri për lajmet e pejgamberit të ri.

Enisi i tha:

- Betohem në Allahun se pashë një njeri që thërret në moral të lartë dhe thotë fjalë që nuk janë poezi.

Ebu Dherri atëherë pyeti:

- Ç’thonë njerëzit për të?

Ai u përgjigj:

- Thonë se është magjistar, fallxhi dhe poet.

Ebu Dherri tha:

- Betohem në Allahun se nuk e ke shuajtur etjen time e as nuk e ke kryer porosinë time. A pranon të kujdesesh për familjen time e unë të shkoj atje dhe ta studioj çështjen e tij?

Enisi i tha:

- Po. Mirëpo, ki kujdes me njerëzit e Mekës.

*  *  *

Ebu Dherri u përgatit për rrugë, mori me vete një kënatë të vogël me ujë dhe të nesërmen u nis në drejtim të Mekës. Dëshironte të takohej me Pejgamberin a.s. dhe të studionte vetë çështjen e tij.

*  *  *

Ebu Dheri arriti në Mekë i frikësuar nga banorët e saj. Atij i kishin arritur lajmet e hidhërimit të kurejshëve për përbuzjen e zotërave të tyre nga ana e pasusve të Muhammedit.

Për këtë ai nuk dëshiroi të pyes askë për Muhammedin, sepse  nuk e dinte se njeriun që do ta pyeste a do të ishte prej pasuesve apo kundërshtarëve të tij.

 

*  *  *

Kur erdhi nata, ai u shtri në Qabe. Rastësisht kaloi atypari Aliu r.a., e njohu se është jabanxhi dhe i tha:

“Eja tek unë o njeri!” Shkoi me të dhe atë natë e kaloi tek ai. Në mëngjes e mori kënatën dhe janxhikun e tij dhe u kthye në Qabe, duke mos e pyetur njeri‑tjetrin për asnjë send.

Ebu Dherri e kaloi edhe ditën e tij të dytë duke mos u njohur me Pejgamberin a.s. Kur erdhi mbrëmja, i mori sendet që kishte me vete prej Qabes dhe pranë tij kaloi Aliu r.a., i cili i tha:

- A nuk ka ardhur koha që njeriu të dijë shtëpinë e vet?!

Pastaj e shoqëroi deri në shtëpi, bujti përsëri natën e dytë, dhe nuk e pyetën njëri‑tjetrin për asnjë send.

Natën e tretë Aliu i tha shokut të vet:

- A më tregon ç’të solli në Mekë?

Ebu Dherri i tha:

- Unë erdha në Mekë prej një vendi të largët. Dëshiroj të tako­hem me Pejgamberin e ri dhe të dëgjoj diçka që thotë ai.

Shenjat e gëzimit u dukën në fytyrën e Aliut r.a. e i tha:

- Betohem në Allahun se ai vërtet është i Dërguari i Allahut dhe ai... dhe ai...

Nesër në mëngjes eja pas meje. Nëse shoh diçka prej së cilës kam frikë për ty, unë do të ndalem, do të bëj sikur dua të derdh ujë, e nëse vazhdoj, përcillmë dhe hy aty ku do të hyj unë.

*  *  *

Atë natë, Ebu Dherri nuk i mbylli sytë nga gëzimi se do të ta­kohet me Pejgamberin a.s. dhe dëshira për të dëgjuar diçka që i shpallet atij.

Në mëngjes, Aliu u nis me mysafirin e tij për në shtëpinë e Pej­gamberit fisnik e pas tij shkonte Ebu Dherri, duke e përcjellë hap pas hapi, pa shikuar as majtas e as djathtas, derisa më në fund hyn në shtëpinë e Pejgamberit a.s. e Ebu Dherri tha:

- Es‑selamu alejke ja resulullah”! (Paqja e Zotit qoftë mbi ty, o i Dërguar i Allahut!)

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

- Ve alejke selamullahi ve rahmetuhu ve berekatuhu” (Edhe mbi ty qoftë paqja e Allahut, mëshira dhe begatia e Tij!)

Ebu Dherri ishte i pari që e përshëndeti Pejgamberin me përshëndetjen islame, pastaj ajo u përhap dhe u përgjithësua.

*  *  *

Pejgamberi a.s. filloi ta ftojë Ebu Dherrin në fenë islame dhe ia lexonte Kur’anin. Aty për aty e shpalli fjalën e dëshmisë dhe hyri në fenë e re para se të largohej prej aty. Ishte i katërti apo i pesti prej atyre që kishin pranuar fenë islame.

Ia japim fjalën Ebu Dherrit të na tregojë pjesën e mbetur të tregimit të tij, i cili thotë:

Pas kësaj qëndrova me Pejgamberin a.s. në Mekë, i cili m’i mësoi bazat e fesë islame, më mësoi të lexojë disa pjesë të Kur’anit e pastaj më tha:

- Mos i trego askujt për Islamin tënd në Mekë, sepse unë kam frikë se do të të vrasin.

Atëherë thashë:

- Betohem në Allahun, në duart e të Cilit është shpirti im, se nuk do të largohem nga Meka derisa të shkoj në Qabe dhe të bërtas me tërë fuqinë time për thirrjen e vërtetë në mesin e kurejshitëve. Pejgamberi a.s. heshti.

Shkova në Qabe. Kurejshitët ishin ulur dhe bisedonin në mes vete. Shkova në mesin e tyre dhe bërtita me zë të lartë: O Kurejshë! Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut.

Ende pa arritur fjalët e mia në veshët e popullit, të gjithë u tmerruan dhe u ngritën prej kuvendimeve të tyre dhe thanë:

- Na e sillni atë të marrë.

U ngritën dhe filluan të më rrahin deri në vdekje. Aty më kapi El‑Abas ibnu Abdul Mutalibi, xhaxhai i Pejgamberit, i cili më mori në mbrojtje, pastaj iu drejtua atyre dhe iu tha: - Medet për ju! A doni të vrisni një njeri prej “Gifarit”, kurse rruga e karvaneve tuaja është nëpër tokën e tyre?! Largohuni prej meje!

Pasi më doli kllapia, shkova te Pejgamberi a.s. Kur pa se çka më kishte ndodhur, më tha:

- A nuk ta ndalova që të shpallësh Islamin tënd?

I thashë:

- O i Dërguari i Allahut. Kjo më brente thellë në shpirt dhe desha ta bëja.

Atëherë më tha:

- Shko te populli yt! Lajmëroji ata për atë që ke parë dhe që ke dë­gjuar. Thirri ata në fenë e Allahut. Me siguri Allahu do të të shpërblejë ty për të gjitha këto.

Kur të të arrijë lajmi se unë e kam shpallur thirrjen islame hap­tazi, eja tek unë.

Ebu Dherri pastaj vazhdon e thotë:

- U nisa dhe arrita në vendlindjen time. Më takoi vëllai im, Enisi, i cili më pyeti:

- Ç’bëre?

I thashë:

- Unë e pranova fenë islame.

Nuk kaloi shumë kohë dhe atij Allahu ia zgjeroi kraharorin e i tha:

“Edhe unë pranova fenë tënde.”

Pastaj shkuam te nëna jonë dhe e thirrëm në fenë islame, e cila po ashtu e pranoi.

Prej asaj dite nisi kjo familje besimtare të thërras në fenë Islame duke i përballuar të gjitha vështirësitë derisa në fisin “Gifar” e pra­nuan fenë islame një numër i madh i njerëzve dhe filluan ta falin namazin.

Një grup tjetër tha:

“Do të mbesim në fenë tonë e kur të shkojë Pejgamberi në Medi­në do ta pranojmë fenë islame. Por kur Pejgamberi a.s. kaloi në Medinë, ata e pranuan fenë islame. Pejgamberi a.s. për këtë kishte thënë:

- Fisin Gifar e ka falur Allahu. Ata e pranuan Islamin, Allahu i shpëtoftë!

Ebu Dherri qëndroi në shkretëtirën e tij derisa kaloi beteja e Bedrit, e Uhudit dhe e Hendekut. Pastaj kaloi në Medinë, iu përkushtua Pejgamberit a.s. dhe kërkoi leje që të jetë në shërbimin e tij. Pejgamberi a.s. e lejoi të jetë në shërbimin e tij dhe ai u kënaq me shoqërimin e tij dhe u gëzua që ishte në shërbimin e të Dërguarit.

Pejgamberi a.s. vazhdoi t’i japë përparësi atij mbi të tjerët dhe ta respektojë atë. Asnjëherë nuk ndodhi që të takojë e të mos përshëndetet dhe të mos i buzëqeshë.

*  *  *

Kur Pejgamberi a.s. kaloi në botën e amshueshme, Ebu Dherri nuk pati durim të qëndrojë në Medinën e ndritshme, pasiqë ajo kish­te mbetur pa zotëriun e saj. Prandaj ai u shpërngul diku në fshatrat e Shamit dhe qëndroi atje gjatë hilafetit të Ebu Bekr Es‑Sidikut dhe Omer ibnul Hatabit r.a.

Gjatë halifatit të Osmanit r.a. shkoi të jetojë në Damask dhe vërejti dhënien e muslimanëve pas begative të kësaj bote, e cila e habiti dhe e bëri ta gjykojë atë mënyrë të jetesës. Osman ibnu Afani r.a. e ftoi në Medinë. Ai iu përgjigj ftesës së tij dhe shkoi. Mi­rë­po ai nuk e pëlqeu dhënien e njerëzve pas të mirave të kësaj bote, por edhe njerëzit nuk e pëlqenin qëndrimin e tij ndaj tyre. Për këtë, Osmani e urdhëroi të transferohej në fshatin “Rebdha”, një fshat i vogël në afërsi të Medinës, në të cilin u shpërngul dhe jetoi larg njerëzve një jetë asketi, larg begative të kësaj bote, duke u mbështetur në përvojën e Pejgamberit a.s. dhe dy as‑habëve të tij, të cilët e preferuan jetën e amshueshme nga të mirat e jetës së përkohshme.

*  *  *

Një ditë prej ditësh tek ai hyri një njeri dhe nisi të hedhë shiki­min në të gjitha anët e shtëpisë së tij, por nuk vërejti as­një orendi.

Atëherë e pyeti: - O Ebu Dherr, ku janë orenditë e tua?!

Ai iu përgjigj. - Ne kemi një shtëpi atje (e kishte fjalën për ahi­retin), ku e dërgojmë pasurinë tonë më të mirë.

Njeriu e kuptoi qëllimin e tij dhe i tha:

- Mirëpo, ti patjetër duhet të kesh pasuri, derisa je në këtë shtëpi (do të thotë në këtë dynja).

Ai u përgjigj: - Mirëpo i zoti i shtëpisë nuk na lë në të.

* * *

Emiri i Shamit ia kishte dërguar atij treqind dinarë dhe i kishte thënë:

- Përdori këto për nevojat e tua. Mirëpo, ai ia ktheu dinarët atij dhe i tha: “A nuk gjeti emiri i Shamit njeri tjetër, vetëm mua?!”

Në vitin tridhjetë e dy sipas hixhretit, sahabi i devotshëm kaloi në jetën e amshueshme. Për të Pejgamberi a.s. kishte thënë:

“Nuk mbajti toka e as nuk njohu qielli njeri më të drejtë se Ebu Dherri.”

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

ADIJ IBNU HATIM ET‑TAIJ

adij_ibnu_hatim_et_taij mesoislamin.com

ADIJ IBNU HATIM ET‑TAIJ

“Ti besove kur nuk besuan, e pranove kur e mohuan, ishe besnik kur tradhtuan, sulmove kur të tjerët ikën.”

Omer ibnu Hattabi

Në vitin e nëntë të hixhretit njërit prej mbretëve arabë, pas një mospërfiljeje të gjatë, iu zbut zemra për iman  dhe iu bind Pej­gam­berit a.s. pas refuzimit dhe kundërshtimit.

Ai ishte Adij ibnu Hatim Et‑Taij, babai i të cilit ishte shembull për bujari e zemërgjërësi.

* * *

Adiji e trashëgoi udhëheqjen nga babai i vet dhe fisi Taj e zgjodhi për mbret. Ata u obliguan t’ia japin një të katërtën e pasurisë së tyre dhe ia dorëzuan udhëheqjen e tyre.

Kur Pejgamberi a.s. e shpalli haptas thirrjen e tij të vërtetë dhe arabët filluan t’i përgjigjen thirrjes së tij, vend pas vendi, Adiji pa në thirrjen e Pejgamberit një konkurencë të fortë, e cila do ta mposh­te autoritetin dhe pushtetin e tij. Për këtë e urrejti Pejgam­berin a.s. për së tepërmi ‑ edhe pse ai nuk e njihte atë ‑ dhe ndjeu ndaj tij një armiqësi të jashtëzakonshme.

Këtë qëndrim armiqësor ndaj Islamit e mbajti afër njëzet vjet derisa Allahu ia hapi zemrën ndaj thirrjes së vërtetë.

* * *

Për kalimin e Adijit në Islam ekziston një tregim që nuk mund të harrohet.

Atëherë ia japin fjalën njeriut të na rrëfejë për tregimin e tij, sepse ai për këtë është më kompetent.

Adiji thotë:

Nuk besoj se ka ekzistuar dikush në mesin e arabëve që e ka urryer më shumë se unë Pejgamberin a.s. kur ka dëgjuar për të. Isha njeri me autoritet në mesin e popullit tim, isha i krishterë. Prej popullit tim merrja një të katërtën e pasurisë së tyre ashtu sikur­se vepronin edhe mbretërit e tjerë arabë.

Prandaj, kur dëgjova për të Dërguarin e Allahut, e urreva atë.

Mirëpo, kur fuqia e tij u rrit dhe ushtritë e tij filluan të shë­ti­sin prej lindjes deri në perëndim të tokave arabe, i thashë njërit prej robërve të mi, i cili ruante devetë e mia:

Përgatit disa nga devetë e mia më të majme dhe më të shpejta dhe lidhi ato afër meje, e nëse dëgjon për ushtrinë e Muhammedit apo për ndonjë nga patrullat e tij se ka shkelur në këtë pjesë, më laj­mëro.

Një ditë prej ditësh ia behu robi im dhe më tha:

- O zotëria im! Atë që ke pasur ndërmend ta bësh, nëse në to­kën tënde shkelin kuajt e Muhammedit, atë bëje tani!

I thashë:

- Përse?! Të pastë nëna!

Ai më tha: - Unë pashë disa flamuj që valonin afër shtëpive tona dhe pyeta për ta e dikush më tha se ata janë të ushtrive të Muhammedit.

Atëherë i thashë:

- Përgatit devetë për të cilat të pata urdhëruar më parë dhe si­lli këtu afër meje.

Pastaj, pa humbur kohë, u çova dhe i ftova anëtarët e familjes si­me dhe fëmijët e mi të largohemi nga toka të cilën aq shumë e kishim dashur dhe u nisëm me nxitim të udhë-tojmë në drejtim të Shamit, që të bashkangjitem me bashkëluftarët e mi të krish­terë dhe të vendosem në mesin e tyre.

Ngutja e madhe me të cilën u nisëm nuk më mundësoi t’i tuboj të gjithë anëtarët e familjes sime dhe vërejta se kisha lënë një motër në vendlindje, në Nexhd, me njerëzit e tjerë që kishin mbetur prej fisit “Taj”.

Nuk kisha kurrfarë mundësie të shkoja ta merrja.

Vazhdova rrugën me njerëzit e familjes sime derisa arrita në Sham dhe atje u vendosa në mesin e bashkëfetarëve të mi.

Kurse, sa i përket motrës sime, asaj i kishte ndodhur ajo që kishte parashikuar dhe ia kisha pasur frikën.

*  *  *

Derisa unë isha në Sham, më arritën lajmet se kalorësit e Mu­ham­medit i kishin sulmuar shtëpitë tona dhe e kishin marrë motrën time në mesin e të zënëve robër të tjerë dhe e kishin çuar në Jethrib.

Atje ishte vendosur me robëreshat e tjera në një hapësirë te hyrja e xhamisë. Atypari kaloi Pejgamberi a.s. e ajo u ngrit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, më vdiq babai, u tret ai që duhej të kujdesej për mua, të lutem në Allahun ki mirësi për mua!”

Pejgamberi pyeti: - Kush është kujdestari yt?

Ajo u përgjigj: - Adij ibnu Hatimi.

Pejgamberi ia ktheu:

- I ikuri prej Allahut dhe të Dërguarit të Tij?!

Pejgamberi a.s. pastaj shkoi dhe e la atë.

Të nesërmen, Pejgamberi a.s. kaloi atypari dhe ajo ia tha të njëjtat fjalë që ia kishte thënë një ditë më parë. Edhe Pejgamberi ia dha të njëjtën përgjigje.

Të pasnesërmen, Pejgamberi a.s. kaloi atypari, por ajo e kishte humbur shpresën dhe nuk i tha asgjë. Mirëpo, një njeri që ishte pra­pa saj i tha çohu dhe fol. Ajo u ngrit dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut, më vdiq babai e u tret kujdestari, të lutem në Allahun ki mirësi për mua!

Pejgamberi a.s. i tha:

- Ashtu qoftë!

Ajo pastaj vazhdoi:

- Unë dëshiroj t’i bashka­ngjitem familjes sime në Sham.

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

- Por mos nxito të dalësh prej këtu derisa të gjesh ndonjë njeri prej fisit tënd në të cilin ke besim të plotë për të të çuar deri në Sham. Kur ta gjesh një njeri të këtillë, më lajmëro.

Posa u largua Pejgamberi a.s., ajo pyeti për njeriun i cili e nxiti që t’i flasë Pejgamberit a.s. Dikush i tha se ai ishte Ali ibnu Ebi Talibi r.a.

Ajo qëndroi aty derisa erdhi një karvan në mesin e të cilëve kish­te njerëz të cilëve ajo u besonte. Atëherë ajo shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha:

- O i Dërguari i Allahut. Ka ardhur një grup i njerëzve të fisit tim, në mesin e të cilëve ka të atillë që kam besim se do të më çojnë deri te familja ime në Sham.

Pejgamberi a.s. e veshi atë, ia dhuroi një deve që ta mbartë si dhe ia dha disa të holla, të cilat do t’i mjaftonin për rrugë. Kështu ajo u nis me karvanin.

Adiji pastaj vazhdon e thotë:

- Ne i përcillnim lajmet dhe e pritnin ardhjen e saj, por assesi nuk mund t’i besonim lajmeve që flitnin për sjelljet e mira të Mu­hammedit dhe për bami­rësi ndaj saj, megjithë armiqësinë time ndaj tij.

Derisa unë isha ulur në mesin e anëtarëve të familjes sime, vërejta prej së largu një grua mbi deve që ishte drejtuar kah ne. I habitur bërtita:

E bija e Hatimit!

Kur qëndroi para nesh, nisi të më flasë e nevrikosur: Ti je ndërprerës i marrëdhënieve fami­ljare, ti je mizor...

E more familjen tënde dhe fëmijët e tu, por e lë motrën tënde.

Unë i thashë:

- Motra ime. Thuaj vetëm atë që është e mirë.

Kështu fillova t’i flas me fjalë të mira derisa u qetësua. Pastaj më tregoi tërë ndodhi­në e saj, që ishte identike me atë që kisha dëgjuar më parë.

Pastaj e pyeta, se ajo ishte grua e zgjuar dhe e vendosur:

- Çfarë mendon ti për atë njeri (e kisha fjalën për Muhammedin a.s.)?

Ajo u përgjigj:

- Mendimi është ‑ betohem në Allahun ‑ që t’i bashkangjitesh atij sa më parë nëse është pejgamber, ngase atij që i bashkangjitet i pari i takon merita më e madhe.

E nëse është mbret, nuk do të jesh i përbuzur tek ai, kur ai e di se kush je.

*  *  *

Adiji vazhdon e thotë:

- U përgatita për rrugë dhe u nisa te Pejgamberi a.s. në Medinë. Unë isha informuar se ai kishte thënë:

“Unë e lus Allahun që t’i bashkojë duart e Adijit me duart e mia.” Hyra tek ai ‑ ishte në xhami ‑ dhe e përshëndeta.

Pyeti: - Kush është ky njeri?

Iu përgjigja: - Adij ibnu Hatimi.

Menjëherë u çua në këmbë, më kapi për dore dhe u nisëm për në shtëpinë e tij.

Betohem në Allahun se, derisa ishim duke shkuar për në shtëpi, atë e takoi një grua plakë dhe e dobët, që me vete kishte një fë­mijë, e ndali dhe nisi t’i flasë për disa nevoja të saj. Pejgamberi vazhdoi me ata të dy derisa ia kreu kërkesat e tyre e unë pritja në këmbë...

Atëherë thashë me vete: “Betohem në Allahun se ky nuk është mbret.”

Pastaj më kapi për dore dhe u nis me mua derisa arritëm në shtëpinë e tij. E mori një poste dhe ma ofroi.

Më tha: - Ulu.

Unë u turpërova prej tij dhe thashë:

- Jo. Ti do të ulesh në të.

Ai ma ktheu:

- Jo. Ti do të ulesh.

E dëgjova dhe u ula në të. Ndërsa Pejgam­beri a.s. u ul në tokë, sepse në shtëpi nuk kishte asgjë tjetër.

Atëherë thashë me vete: - Betohem në Allahun se ky nuk është mbret.

Pastaj u drejtua kah unë dhe tha:

- Eh, o Adij ibnu Hatim! A nuk ishe ti ithtar i sektit krishtero‑sabej?

Ia ktheva: - Po, ashtu është.

Pastaj më tha: - A nuk ia merrje popullit tënd një të katërtën e pasurisë, gjë që nuk ta lejon feja jote?

I thashë: - Po. Atëherë e kuptova se është Pejgamberi i dërguar nga ana e Allahut.

Pastaj Pejgamberi vazhdoi e më tha:

- Ndoshta ty, o Adij, të pengon të hysh në këtë fe varfëria e madhe që mbretëron në mesin e muslimanëve. Betohem në Allahun se shumë shpejt ata do të pasurohen saqë, nuk do të ketë kush ta marrë atë.

Ndoshta, ty, o Adij, ‑ të pengon të hysh në këtë fe ajo që po e sheh numrin e vogël të muslimanëve dhe numrin e madh të armiqve të tyre. Betohem në Allahun se shumë shpejt do të dëgjosh se gruaja do të shkojë vetëm e hipur mbi devenë e saj prej Kadi­sisë për të vizituar këtë Shtëpi, duke mos pasur frikë askë tjetër përveç Allahut xh.sh.

Apo ndoshta ty të pengon të hysh në këtë fe ajo që je duke e parë se pasuria dhe pushteti është në duart e jomuslimanëve. Beto­hem në Allahun se shumë shpejt do të dëgjosh se pallatet e bardha të Babilonisë do të çlirohen nga muslimanët dhe se thesarët e Kisra bin Hurmuzit do të bëhen të tyre.

I habitur i thashë: - Thesaret e Kisra ibnu Hurmuzit?!

Ai ma ktheu:

- Po. Thesarët e Kisra ibnu Hurmuzit.

Adiji tha:

“Atëherë shqiptova fjalën e dëshmisë së vërtetë dhe pranova fenë islame.”

*  *  *

Allahu xh.sh. i dha jetë të gjatë Adij ibnu Hatimit, i cili gjithnjë thoshte:

- U realizuan dy dhe mbeti e treta. Edhe ajo do të bëhet patjetër. E pashë gruan të niset prej Kadisisë mbi devenë e saj pa farë frike derisa të arrijë në këtë Shtëpi.

Deshi fati të jem ndër kalorësit e parë që sulmuam thesaret e Kisras dhe i morëm ato.

Betohem në Allahun se së shpejti do të vijë e treta.

* * *

Deshi Allahu xh.sh. ta realizojë fjalën e Pejgamberit a.s.  E treta u realizua në kohën e halifit të devotshëm dhe modest, Omer ibnu Abdul Azizit, kur u shumua pasuria e muslimanëve, derisa njeriu thërriste se kush do ta marrë pasurinë e zekatit prej të varfërve të muslimanëve e nuk gjendej askush.

Pejgamberi a.s. e tha të vërtetën.

Adij ibnu Hatimi e mbajti betimin e vet.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

ZEJDUL HAJRI

zejdul_hajri mesoislamin.com

ZEJDUL HAJRI

“Ti ke dy cilësi, të cilat i do Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij: durimin dhe shpirtmadhësinë.”

Muhammedi a.s.

Njerëzit janë me karaktere të ndryshme. Ata që ishin më të zgje­dhurit në kohën e injorancës janë më të zgjedhurit edhe në Islam.

Ja, po të sjellim dy pamje të një sahabi fisnik. E para për­shkru­an vrazhdësinë e injorancës, ndërsa e dyta përshkruan butësinë e Islamit.

Ky sahabij është “Zejdul Hajl” (Zejdi i kuajve), siç e quanin nje­rë­zit në kohën e injorancës dhe “Zejdul Hajr” (Zejdi i mirësisë), ash­tu siç e quajti Pejgamberi a.s. pas kalimit të tij në Fenë Islame.

Pamjen e parë e gjejmë në librat e letërsisë, në të cilat shkruhet:

Shejbaniu transmeton nga një plak i fisit Beni Amir, i cili kishte thënë:

- Ishte një vit i thatë, gjatë të cilit u dogjën të lashtat e ngor­dhën shtazët, dhe një njeri prej nesh me tërë familjen e vet shkoi në El Hire[1], i la aty dhe u tha:

“Pritni këtu derisa të kthehem përsëri.”

Pastaj u betua se nuk do të kthehet derisa të bëhet i pasur apo të vdesë.

Mori pak ushqim me vete dhe udhëtoi tërë ditën derisa ra nata. Para tij gjeti një tendë, afër së cilës ishte një gomar i lodhur, dhe tha me vete:

“Kjo është plaçka e parë.” U nis në drejtim të tij, filloi ta zgjidhë, por kur deshi të hipë mbi të dëgjoi një zë duke thirur: Lëre atë e shpëtoje vetveten!” E la gomarin dhe shkoi.

Pastaj udhëtoi shtatë ditë rresht deri në një vend pushimi për deve, e aty afër ishte një tendë e madhe me një kupolë prej lëkure, e cila jepte shenjë për pasuri dhe begati, dhe njeriu tha me vete:

“Në këtë vend patjetër duhet të ketë deve dhe në këtë tendë patjetër duhet të ketë njerëz.”

Pastaj iu afrua tendës ‑ pak para perëndimit të diellit ‑ dhe në të gjeti një plak të lodhur. U ul prapa tij e plaku nuk e hetoi fare.

Nuk kaloi shumë kohë dhe perëndoi dielli e aty arriti një kalo­rës i fuqishëm, hipur në një kalë të lartë e rreth tij ishin dy robër që shkonin në të majtë dhe në të djathtë dhe me të afër njëqind deve, të cilave u printe një deve e madhe. Aty ra deveja e madhe dhe rreth saj ranë edhe të tjerat.

- Mile këtë, - i tha kalorësi njërit prej robërve të vet, duke i dhë­në shenjë për njërën nga devet e majme, - dhe jepi të pijë qumësht pla­kut.

Ai e moli atë, derisa u mbush ena, ia ofroi para duarve të pla­kut dhe u largua pak. Plaku piu një gëllënjkë apo dy e pastaj e la. Atëherë iu afrova plakut fshehtasi, ia mora enën dhe e piva tërë qu­mështin e mbetur. Robi u kthye, e mori enën dhe tha:

- O Zotëriu im, plaku e piu të tërë qumështin, kalorësi u gëzua për së tepërmi dhe tha:

- Mile këtë, - duke i dhënë shenjë për një deve tjetër. Përsëri e la enën para duarve të plakut. Robi e zbatoi urdhrin e zotëriut të vet. Plaku e piu përsëri një gëllënjkë dhe e la. Unë mora dhe e piva gjysmën e qumështit. Nuk desha ta pijë të tërin që të mos ngjallja dyshim te kalorësi.

Pas kësaj, kalorësi e urdhëroi robin tjetër që të prejë një dele. Kalorësi u çua, vetë ia pjeku delen plakut dhe e ushqeu me duart e veta derisa ai u ngop, dhe atëherë nisi të hajë ai dhe dy robërit e tij.

Nuk kaloi shumë dhe të gjithë shkuan të flejnë nëpër shtretërit e tyre dhe i zuri një gjumë i thellë.

Atëherë u drejtova te deveja kryesore, e zgjidha, i hipa dhe pas saj u nisën edhe devetë e tjera dhe kështu vazhdova udhëtimin të­rë natën. Kur agoi mëngjesi, shikova në të gjitha anët dhe nuk vërej­ta se më përcillte kush. Kështu vazhdova derisa u erdhi mesdita.

Nuk kaloi shumë kohë dhe, posa u ktheva anash, pashë diçka që i përngjante shqiponjës apo një shpendi të madh. Kur u afrua pranë meje, vërejta se ai ishte një kalorës hipur në kalin e tij dhe vazh­donte të vinte kah unë derisa më në fund vërejta se ai ishte kalorësi, që kërkonte devetë e tij.

Atëherë e lidha devenë, nxora një shigjetë prej strajcës dhe e vura në hark. Devetë i lashë prapa meje. Kalorësi qëndronte larg meje dhe më tha:

- Zgjidhe frerin e devesë!

Unë ia ktheva:

- Assesi. Ka ditë që kam lënë disa gra të uritura në “El‑Hire” dhe jam betuar se do të kthehem tek ato vetëm atëherë kur të grumbulloj pasuri, ase i vdekur.”

Ai më tha:

- Atëherë, ti je i vdekur. Zgjidhe frerin e devesë!

Unë ia ktheva:

- Nuk do ta zgjidhi.

Ai përsëri më tha:

- Medet për ty. Ti je i mashtruar.

Pastaj tha:

- Më trego mua lidhjen e devesë. Nyjet ishin tri. Pastaj më pyeti se në cilën prej nyjeve dëshiroj ta hidhte shigjetën. I dhashë shenjë në të mesmen. E hodhi shigjetën dhe ia qëlloi asaj sikur ta kishte lidhur me dorën e vet. Pastaj e qëlloi të dytën dhe të tretën. Atëherë nuk më mbeti tjetër vetëm ta kthej shigjetën në strajcën time dhe qëndrova para tij i dorëzuar. U afrua pranë meje, e mori shpatën dhe harkun tim dhe tha:

- Hip pas meje! Hipa pas tij dhe më tha:

- Çfarë mendon se do të bëj me ty?

Iu përgjigja: - Mendoj më të keqen.

Më pyeti: Përse?!

Iu përgjigja: - Për atë që bëra ndaj teje.

Për mundin që të shkaktova dhe më në fund Allahu ta mundësoi të më kapësh.”

Atëherë më tha:

- A mendon se unë do të sillem keq ndaj teje kur ti je ai që e shoqërove “Muhelhelin” (e ka fjalën për babain e vet) në pirjen dhe ushqimin e tij dhe fjete me të atë natë?!!

Posa dëgjova emrin e Muhelhelit, i thashë:

- Ti je “Zejdul Hajl”?!

Më tha: -Po. Unë jam.

I thashë:

- Sillu mirë ndaj robit tënd!

Më tha: - Mos u merakos për këtë dhe më mori deri në vendin e tij dhe më tha:

- Betohem në Allahun se, sikur të ishin të miat këto deve, të gji­that do t’i jepja ty, por ato janë të njërës prej motrave të mia. Rri me mua disa ditë, sepse së shpejti kam ndërmend të ndërmarr një sulm e ndoshta do të plaçkis diçka.”

Nuk kaluan as tri ditë e ai e sulmoi fisin “Benu HUmejr” dhe plaç­kiti mbi njëqind deve e të gjitha m’i fali mua. Po ashtu me mua dërgoi disa njerëz të tij që të më mbrojnë nga çdo sulm eventual derisa të arrija në “El‑Hire”.

*  *  *

Ky ishte personaliteti i Zejdul Hajlit në kohën e injorancës, ndër­sa për personalitetin e tij në Islam na rrëfejnë librat e historisë, të cilat thonë:

Posa i arritën lajmet e Pejgamberit a.s. Zejdul Hajlit, ai u ndal dhe i studioi disa nga parimet në të cilat thërriste ai. E përgatiti kar­va­nin e tij dhe i ftoi disa nga të parët e popullit të vet që të vizi­tojnë Jethribin dhe të takohen me Pejgamberin a.s. Me të u nis një delegacion i madh prej fisit “Taj”, në mesin e të cilëve ishin Zurru ibnu Sedusi, Malik ibnu Xhubejri, Amir ibnu Xhuvejni dhe shumë të tjerë. Kur arritën në Medinë, u nisën në drejtim të xhamisë së Pejgamberit a.s. dhe i lidhën devetë e tyre te dera e xhamisë.

Në momentin e arritjes së tyre, Pejgamberi a.s. ishte duke u folur muslimanëve nga minberi i tij. Atyre u pëlqyen fjalët e tij, u habitën nga përqendrimi i madh i muslimanëve dhe ndikimi i fjalëve të tij në mendjet dhe zemrat e tyre.

Kur Pejgamberi a.s. e vërejti praninë e tyre iu drejtua muslimanëve me këto fjalë:

- Unë jam më i mirë për ju sesa Uz‑zaja[2] dhe të gjithë ata që i adhuroni...

Unë jam më i mirë për ju sesa deveja e zezë, të cilën ju e adhuroni.

* * *

Fjalët e Pejgamberit a.s. ndikuan në mënyra të ndryshme te Zejdul Hajli dhe tek ata që ishin me të. Disa prej tyre iu përgjigjën të vërtetës dhe e pranuan atë, e disa të tjerë nuk iu përgjigjën dhe u treguan kryelartë.

Një grup fitoi xhenetin e grupi tjetër meritoi xhehenemin. Zurru ibnu Sedusi, kur e pa Pejgamberin a.s. në atë pozitë të lartë dhe shikimet dhe zemrat e besimtarëve të drejtuara kah ai, iu ngjall zilia në shpirt kurse zemrën e kaploi frika. Pastaj iu drej­tua atyre që ishin me të dhe u tha:

- Unë po shoh para meje një njeri, që i paska përfituar zem­rat e arabëve, por unë nuk lejoj që ai të përfitojë edhe zemrën time.

Pastaj u nis në drejtim të Shamit. I qethi flokët dhe kaloi në Krishterizëm.

Ndërsa Zejdi dhe të tjerët patën një qëndrim krejtësisht tjetër. Posa e përfundoi Pejgamberi a.s. hytben e tij, Zejdul Hajli u ngrit në mesin e muslimanëve; kishte një pamje shumë të bukur, një sjell­je shumë të mirë dhe ishte shumë i gjatë, saqë kur ishte hipur në kalë, këmbët i preknin në tokë, sikur të kishte hipur mbi një gomar...

Qëndroi me shtatin e tij të hedhur, e lëshoi zërin e tij të lartë dhe të gjatë e tha: - O Muhammed! Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Tij. Atëherë, Pejgamberi a.s. u nis drejt tij dhe e pyeti:

- Kush je ti?

Ai iu përgjigj: - Unë jam Zejdul Hajl ibnu Muhelhelit!

Pejgamberi a.s. atëherë ia ktheu:

- Jo, tani e tutje je Zejdul Hajr (Zejdi i mirësisë) e jo Zejdul Hajl (Zejdi i kuajve).”

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili të solli këtu prej luginave e maleve të tua dhe ta zbuti zemrën për Islam.

Pas këtij momenti ai u bë i njohur me emrin “Zejdul Hajr”.

Pejgamberi a.s. pastaj shkoi me të në shtëpinë e vet dhe me të ishte Omer ibnul Hattabi dhe një grup i sahabëve. Kur arritën në shtë­pi, Pejgamberi a.s. i ofroi Zejdit një mbështe-tëse, por atij i erdhi keq të mbështetet në prani të Pejgam-berit a.s., dhe ia ktheu, e kështu vazhduan t’ia kthejnë njëri‑tjetrit mbështetsën tri herë.

Kur të gjithë u ulën nëpër vendet e tyre, Pejgamberi a.s. i tha Zejdul Hajrit:

- O Zejd! S’ka ndodhur që një njeri të ma përshkruajnë dikë e, kur më është dhënë rasti ta shoh atë, kam vërejtur se nuk ka qenë ash­tu siç ma kanë përshkruar, përveç teje dhe përshkrimit tënd.

Pastaj tha:

- O Zejd! Ti ke dy cilësi të cilat i do Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Zejdi pyeti:

- Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut?

Pejgamberi a.s. u përgjigj: Durimin dhe shpirtmadhë-sinë.

Zejdi atëherë tha:

- Falënderimi i qoftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i Cili bëri tek unë ato cilësi që i do Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Pastaj u drejtua nga Pejgamberi a.s. dhe tha:

- O i Dërguar i Allahut! M’i jep treqind kalorës dhe do t’i sulmoj ata atje ku janë strehuar, në Perandorinë Romake, dhe do t’i mund.

Pejgamberi a.s. e madhëroi këtë aspiratë të Zejdit dhe tha:

- Zoti të ruajtë ty, o Zejd! Sa njeri i mirë që je!

Së bashku me Zejdin e pranuan fenë islame të gjithë njerëzit e fisit të tij.

Kur Zejdi deshi të kthehej së bashku me njerëzit e fisit të tij në shtëpitë e tyre në Nexhd, atë e përcolli Pejgamberi a.s. dhe tha:

- Sa njeri i mirë është ky!

Sa i madh do të jetë kontributi i tij sikur të shpëtojë nga së­mun­dja e Medinës!

Në atë kohë në Medinë ishte përhapur një sëmundje ngjitëse. Posa u largua prej saj, Zejdul Hajri u sëmur. Posa e hetoi këtë, ai u tha shokëve që ishin në përcjelljen e tij: “Më largoni prej vendit të Kajsit, sepse ne kemi qenë në armiqësi me ta në kohën e injoran­cës. Betohem në Allahun se nuk do të luftoj asnjë njeri, derisa të takohem me Krijuesin tim.”

* * *

Zejdul Hajri e vazhdoi udhëtimin e tij në drejtim të shtëpive të fisit të tij në Nexhd, edhe pse dhembjet e sëmundjes sa vinin e shto­heshin pas çdo çasti. Kishte një dëshirë të vetme; të takohej me popullin e vet dhe ata ta pranonin fenë islame para tij.

Kështu, ai vazhdoi të bëjë gara me vdekjen, mirëpo më në fund ajo e mundi. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai vdiq në mes të rrugës. Prej kohës kur ai kishte pranuar fenë islame ishte një kohë tejet e shkurtër gjatë së cilës nuk kishte bërë asnjë mëkat.



[1] El‑Hire, qytet në Irak ndërmjet Nexhefit dhe Kufes.

[2] Uz‑za: Idhull i madh prej idhujve që arabët adhuronin gjatë kohës së injorancës.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

IKREME IBNU EBI XHEHLI

ikreme_ibnu_ebi_xhehli mesoislamin.com

IKREME IBNU EBI XHEHLI

“Do t’iu vijë juve Ikremeja si besimtar dhe muhaxhir. Mos e fyeni babain e tij, sepse fyerja e të vdekurit  e mundon të gjallin dhe nuk e arrin të vdekurin!

Muhammedi a.s.

“Mirë se erdhe, o kalorës muhaxhir!”

Nga përshëndetja e Pejgamberit a.s. drejtuar Ikremes.

Ishte në dekadën e tretë të jetës së tij ditën kur Pejgamberi i mëshirës e shpalli haptazi thirrjen e tij në rrugën e drejtë.

Ishte më i autoritori dhe më i pasuri prej kurejshitëve.

Me siguri se edhe ai do të kalonte në fenë Islame, ashtu siç vep­ruan mocanikët e tij si Sa’d ibnu Ebi Vekkasi, Mus’ab ibnu Umejri dhe të tjerët prej familjeve më të njohura të Mekës, sikur të mos ishte babai i tij.

A thua, kush ishte babai i tij?

Ai ishte mizori më i madh i Mekës, prijësi i parë i shirkut (po­li­teizmit), persekutuesi dhe torturuesi më i madh, me anë të të cilit Allahu e sprovoi imanin e besimtarëve dhe e vuri në sprovë sin­qeritetin e besimtarëve, por ata u mbetën besnikë parimeve të tyre. Ai ishte Ebu Xhehli dhe kjo mjaf­ton...

Ky ishte babai i tij. Ndërsa ai është Ikreme ibnu Ebi Xhehl El‑Mah­zumij, njëri nga kryetrimat e rrallë kurejshitë dhe njëri ndër kalorësit më të shquar prej tyre.

*  *  *

Ikreme ibnu Ebi Xhehli e gjeti veten në armiqësi me Muham­medin a.s. për shkak se babai i tij ishte prijës i kurejshëve dhe për këtë ushqente armiqësi të madhe ndaj Pejgamberit a.s. Po ashtu, ai i tor­turoi as’habët e tij në mënyrat më të shëmtuara dhe të gjitha vepri­met e tij kundër fesë islame dhe muslimanëve e kënaqnin ba­bain e tij.

Ditën kur babai i tij ishte në krye të ushtrisë në betejën e Bed­rit dhe u betua në Latin dhe Uzanë se nuk do të kthehet në Mekë pa e mundur Muhammedin, ai me ushtrinë e tij u ndal në Bedër dhe aty qëndroi tri ditë duke therur shtazë, duke pirë raki, duke kënduar e vallëzuar.

Kur Ebu Xhehli e udhëhoqi atë betejë, i biri i tij Ikremeja ishte dora e tij e djathtë.

Mirëpo Lati dhe Uzzaja nuk iu përgjigjën lutjes së Ebu Xhehlit, sepse ata nuk dëgjojnë.

Ata nuk i dolën në ndihmë në betejën e tij, sepse nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë.

Vetë Ebu Xhehli ra në sheshin e luftës së Bedrit. Këtë e pa edhe vetë Ikremeja, kur shigjetat e muslimanëve thithnin gjakun e babait të tij, dhe e dëgjoi atë me veshët e vet duke lëshuar ofshamat e fundit.

*  *  *

Ikremeja u kthye në Mekë pasi kishte lënë kufomën e të parit të kurejshitëve në Bedër. Disfata nuk ia kishte mundësuar ta merr­te me vete për ta varrosur në Mekë. Ikja për ta shpëtuar kokën e kishte detyruar që t’ia lërë kufomën e babait të vet muslimanëve, të cilët e kishin hedhur në “El‑Kalib”[1] bashkë me dhjetëra kufoma të tjera të pabesimtarëve, të cilët i kishte mbuluar rëra e shkretëtirës.

*  *  *

Prej asaj dite qëndrimi i Ikremes ndaj Islamit kishte ndryshuar tërësisht.

Në të kaluarën ai luftonte për shkak të babait të vet, ndërsa sot ai luftonte për t’u hakmarrë për gjakun e babait të vet.

Prej këtu, Ikremeja dhe një grup tjetër, baballarët e të cilëve ishin vrarë në betejën e Bedrit, nxitën zjarrin e hakmarrjes në zem­rat e pabesimtarëve të kurejshitëve ndaj Muhammedit, si rezul­tat i të cilës ishte përgatitja dhe shkuarja e tyre për ta luftuar Pej­gamberin a.s. në Medinë, e që në historinë islame njihet me emrin Beteja e Uhudit.

*  *  *

Ikreme ibnu Ebi Xhehli shkoi në Uhud dhe me vete mori edhe gruan e tij, Umu Hakimin, me qëllim që bashkë me gratë e tjera të ku­rej­shitëve, të cilat kishin humbur të afërmit e tyre në betejën e Bedrit, të qëndronin në prapavijë, t’u binin defave, me duhej t’u jepnin kurajo kurejshitëve në luftë kundër muslimanëve dhe t’u jep­nin zemër kalorësve të tyre në rast se ata do të tentonin ta lësho­nin betejën.

* *  *

Kurejshitët e kishin caktuar komandant Halid ibnu Velidin në anën e djathtë të kalorësisë, ndërsa në anën e majtë Ikreme ibnu Ebi Xhehlin. Të dy kalorësit pabesimtarë korrën sukses  në atë bete­jë, duke treguar epërsi të dukshme mbi ushtrinë e Muhammedit a.s. dhe sahabëve të tij. Ky sukses i pabesimtarëve bëri që Ebu Sufjani të thotë:

- Kjo është hakmarrje për ditën e Bedrit.

* * *

Në betejën e Hendekut pabesimtarët e mbajtën të rrethuar Me­di­nën disa ditë me radhë, derisa Ikremeja nuk mundi të durojë më dhe vërejti një vend të ngushtë në Hendek dhe e detyroi kalin e tij ta kalojë atë. Pas tij kështu vepruan edhe disa të tjerë, por këtë e pa­goi me kokë Amr ibnu Abd Vud‑din El‑Amiri...

Ndërsa Ikremen e shpëtoi vetëm ikja.

*  *  *

Ditën e çlirimit të Mekës kurejshitët e panë se nuk kanë mun­dësi t’i kundërvihen Muhammedit dhe sahabëve të tij. Prandaj ven­do­sën që ta lënë të hyjë në Mekë. Ajo që u ndihmoi të ndërmarrin kë­të vendim ishte fakti se Pejgamberi a.s. i kishte urdhëruar ko­mandantët e ushtrisë së tij që të mos e përdornin forcën, vetëm në rast mbrojtjeje.

* * *

Mirëpo, Ikreme ibnu Ebi Xhehli dhe një grup me të nuk i ishin përmbajtur vendimit të kurejshëve dhe iu kundërvënë usht­risë së madhe. Mirëpo, Halid Ibnul Velidi në një përleshje të vogël i mposhti ata; disa prej tyre u vranë e të tjerët ikën. Në mesin e të ikurve ishte edhe Ikreme ibnu Ebi Xhehli.

* * *

Ikremeja tashmë ishte penduar thellë. Pas kësaj që ndodhi, atij nuk i kishte mbetur më vend në Mekë, meqenëse ajo tani ishte në duar të muslimanëve. Pejgamberi a.s. kishte shpallur amnisti të përgjith­shme për kurejshitët. Mirëpo, ai i kishte përjashtuar prej kësaj am­nes­tie disa persona dhe kishte urdhëruar që ata të vriteshin, edhe nëse gjenden nën perdet e Qabes.

Në krye të këtij grupi ishte Ikreme ibnu Ebi Xhehl. Për këtë ai e kishte lëshuar fsheh­tasi Mekën dhe ishte nisur në drejtim të Jeme­nit, sepse nuk i kishte mbetur vend tjetër.

*  * *

Ndërkohë, bashkëshortja e Ikremes, Umu Hakimi dhe Hindu bin­tu Utbe, të shoqëruara nga dhjetë gra kurejshite, vendosën të shkoj­në te shtëpia e Pejgamberit a.s. për të dhënë betimin e be­suesh­mërisë dhe të dëgjueshmërisë. Ato hynë te Pejgamberi a.s., ku ishin dy gratë e tij, vajza e tij Fatimja, si dhe disa gra të familjes be­nu Abdul Muttalib. Së pari, fjalën e mori Hindi, e cila e kishte mbu­luar fytyrën e saj në shenjë turpi për shkak të masakrimit të xha­xhait të Pejgamberit a.s., Hamza ibnu Abdul‑Mut‑talibit, në luftën e Uhudit:

- O i Dërguari i Allahut! Falënderimi dhe lavdërimi i qoftë Alla­hut, i Cili e forcoi dhe e lartësoi Fenë të cilën Ai Vetë e zgjodhi. Unë kërkoj prej teje të kesh mëshirë ndaj meje për shkak të lidhjeve tona familjare. Unë që sot jam grua besimtare e sinqertë.

Pastaj e zbuloi fytyrën e saj dhe vazhdoi:

- Unë jam Hindi, e bija e Utbes, o i Dërguari i Allahut. Atëherë, Pej­gamberi a.s. i tha:

- “Mirësevjen!”

Ndërsa ajo ia ktheu:

- Betohem në Allahun se nuk ka pasur në sipërfaqen e tokës shtë­­pi më të urryer dhe më të nënçmuar se shtëpia jote, ndërsa sot nuk ka në sipërfaqen e tokës shtëpi më të dashur se shtëpia jote.

Pejgamberi a.s., atëherë i tha: Por, edhe më tepër se kaq.

Pastaj e mori fjalën Umu Hakimi, gruaja e Ikremes ibnu Ebi Xhehlit, e cila në fillim deklaroi se e pranoi Fenë Islame, pastaj tha:

- O i Dërguari i Allahut! Ikremeja iku për në Jemen nga frika jote, se do ta vrasësh. Të lutem, fale atë, të faltë Allahu.

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

- I falur qoftë.

Pa vonuar, Umu Hakimi doli për ta kërkuar bashkëshortin e saj, Ikremen. Me vete mori një rob të saj romak. Posa kaluan një pjesë të gjatë të rrugës, djaloshi e ndryshoi sjelljen ndaj zonjës së tij, por ajo me premtime dhe zvarritje e mashtroi derisa arriti në një fshat arab dhe kërkoi ndihmë prej tyre. Ata e lidhën djaloshin dhe e burgosën.

Ajo vazhdoi rrugën e saj derisa e takoi Ikremen në bregdet, në provincën Tihame[2], kur ai ishte duke u marrë vesh me një marinar musliman për mbartjen e tij. Marinari i thoshte:

“Paguaj që të çoj matanë detit.”

Ikremeja i thoshte atij:

- Si të paguaj?

Ai ia ktheu:

Thuaj: - Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij.

Ikremeja ia ktheu:

- Unë nuk ika për asgjë tjetër vetëm prej kësaj.

Në momentin kur ata ishin duke biseduar rreth kësaj, Umu Hakimi i doli përpara Ikremes dhe i tha:

- O biri i xhaxhait tim! Po vij nga njeriu më fisnik, më bamirës dhe njeriu më i mirë, nga ana e Muhammedit, të birit të Abdu­lla­hut. Kërkova prej tij të të falë dhe ai të fali. Prandaj, mos e humb veten kot.

Ikremeja pyeti i habitur.

- Ti bisedove me të?!

Ajo ia ktheu:

- Po. Unë bisedova me të dhe ai të fali.

Kështu vazhdoi ta qetë­sojë dhe ta sigurojë derisa ai u bind të kthehet me të.

Pastaj i rrëfeu atij për ndodhinë e djaloshit romak. Ikremeja kaloi pranë fshatit arab dhe në shenjë hakmarrjeje e mbyti djaloshin para se ta pranonte fenë islame.

Gjatë kthimit për në Mekë, ata u kthyen të pushojnë në një shtëpi dhe Ikremeja deshi të ketë marrëdhënie intime me bashkë­shor­ten e tij, por ajo nuk e pranoi një gjë të tillë dhe i tha:

- Unë jam muslimane, kurse ti je pabesimtar.

Kjo sjellje e saj e habiti Ikremen dhe tha:

- Ajo që na pengon të kemi marrëdhënie intime në mes nesh ësh­të çështje e madhe.

Në momentin kur Ikremeja i ishte afruar Mekës, Muhammedi a.s. u tha as‑habëve të tij.

- Do t’ju vijë Ikreme ibnu Ebi Xhehli, besimtar dhe muhaxhir, e mos e fyeni babain e tij, sepse fyerja e të vdekurit e shqetëson të gjallin e nuk e arrin të vdekurin.

Nuk shkoi shumë kohë dhe Ikremeja së bashku me bashkëshorten e tij arriti aty ku ishte Pejgamberi a.s. Kur e pa Pejgamberi a.s. u ngrit i gëzuar për të. Posa u ul Pejgamberi a.s., Ikremeja qëndroi para tij dhe i tha:

- O Muhammed! Umu Hakimi më lajmëroi se ti më ke falur mua...

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

- Ka thënë të vërtetën. Ti je i falur.

Ikremeja pastaj pyeti:

- Në çfarë thërret ti, o Muhammed?

Pejgamberi a.s. iu përgjigj:

- Të thërras të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam rob dhe i Dërguari i Tij. Të falësh namazin, të ja­pësh zekatin, - derisa i numëroi të gjitha bazat e Islamit.

Ikremeja pastaj ia ktheu:

- Betohem në Allahun se ti thërret vetëm në atë që është e vër­tetë dhe urdhëron vetëm në mirësi. Pastaj shtoi e tha:

- Betohem në Allahun, se ti, edhe para thirrjes në Islam, ishe më i sinqerti, më besniku dhe më bami­rësi ndër ne.

Pastaj ia shtriu dorën dhe tha: - Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Ti je robi dhe i Dërguari i Tij, e pastaj shtoi:

- O i Dërguari i Allahut! Më mëso ta them fjalën më të mirë.

Pejgamberi a.s. i tha:

- Thuaj: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij.”

Ikremeja pastaj tha:

- Pas kësaj çfarë?

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

- Thuaj: “Dëshmoj para Allahut dhe dëshmoj para këtyre që janë prezentë se unë jam musliman, luftëtar dhe muhaxhir.”

Ikremeja e përsëriti këtë pas Pejgamberit a.s.

Atëherë, Pejgamberi a.s. i tha:

- Sot nuk ekziston asnjë send që kërkohet prej meje t’ia jap di­kujt, e të mos të ta jap edhe ty.

Atëherë Ikremeja tha:

- Unë kërkoj të më falësh çdo armiqësi që kam treguar ndaj teje, në çdo vend që jam takuar me ty, apo çdo fjalë që kam thënë kundër teje, qoftë në prezencën tënde apo atëherë kur ti nuk ishe prezent.

Pejgamberi a.s. tha:

- O Zoti im! Falja Ikremes çdo armiqësi që ka treguar ndaj meje dhe çdo udhëtim të tij që ka shkuar për ta shuar dritën Tënde. Fal­ja atij çdo përpjekje për ta nëpërkëmbur nderin tim në prezencën apo mosprezencën time.

Pas kësaj fytyra e Ikremes ndriçoi nga gëzimi dhe tha:

- Të betohem ty, o i Dërguari i Allahut, se nuk do të lë asnjë pje­së të pasurisë sime të cilën e kam shpenzuar në të kaluarën për ta penguar thirrjen Tënde e e të mos e jap dyfishin e saj në rrugën e Allahut, si dhe do ta dyfishoj luftën time në rrugën e Allahut.

*  *  *

Prej asaj dite Ikremeja iu bashkangjit radhëve të thirrjes islame si një kalorës trim në sheshet e luftës, adhurues i devotshëm, lexues i Librit të Allahut. Ai e vinte mus‑hafin në fytyrën e tij dhe thoshte:

“Libri i Zotit tim... Fjala e Zotit tim...” dhe qante nga frikë e Allahut.

Ikremeja e mbajti premtimin dhënë Pejgamberit a.s. Nuk ndodhi që muslimanët e bënin ndonjë luftë pas kalimit të tij në Islam e që ai të mos merrte pjesë në të apo të dërgohej ndonjë pat­ru­llë vëzhguese e ai të mos ishte në krye të saj.

Në luftën e Jermukut, Ikremeja hyri në luftë ashtu si vrapon i eturi pas ujit për ta shuar etjen e tij kur bën vapë e madhe.

Në një moment kur muslimanëve u ishte ngushtuar rrethi, zbriti prej kalit të vet, e theu këllëfin e shpatës së tij dhe u fut thellë në mesin e radhëve të romakëve. Kur e vërejti Halid ibnul Velidi iu afrua dhe i tha:

- Mos e bë këtë, o Ikreme, sepse vdekja jote do të jetë e rëndë për muslimanët. Ndërsa ai ia ktheu:

- Më lër mua, o Halid!

- Ti je me të Dërguarin e Allahut prej një kohe të gjatë, ndërsa unë dhe babai im ishim prej armiqve më të mëdhenj të tij. Më lejo t’i shlyej disa nga mëkatet e mia të kaluara. Pastaj tha:

- Unë e luftova Pejgamberin a.s. në shumë beteja e si të iki sot prej romakëve?!

Kjo nuk mund të ndodhë kurrë!

Pastaj iu drejtua muslimanëve me këtë thirrje:

- A dëshiron dikush të vdesë me mua? I pari u paraqit xhaxhai i tij, El‑Harith ibnu Hishami dhe Dirar ibnu El‑Ezveri në mesin e katër­qind muslimanëve dhe luftuan afër tendës së Halid ibnul Velidit dhe shpenzuan në mbrojtjen e saj edhe atomin e fundit të fuqisë së tyre.

Pasi përfundoi lufta e Jermukut me fitoren e madhe të muslimanëve, në tokën e saj kishin mbetur shtrirë tre luftëtarë të lodhur nga plagët që kishin marrë, e ata ishin: El‑Harith ibnu Hishami, Aj‑jash ibnu Ebi Rebia dhe Ikreme ibnu Ebi Xhehl. Harithi kishte kërkuar një pikë ujë për të shuar etjen nga plagët që rën­do­nin mbi trupin e tij dhe, kur ia sollën ujin, e shikoi Ikremen dhe tha:

- Jepjani atij.

Kur ia afruan atij, ai e shikoi Aj‑jashin dhe tha:

- Jepjani atij.

Kur i afruan Aj‑jashit, e panë se e kishte lëshuar shpirti.

Kur u kthyen te dy shokët e tij, panë se edhe ata i ishin bash­kangjitur atij. Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata! Allahu ua bëftë të mundur të pinë ujë prej kroit të Kevtherit, që kurrë më të mos kenë etje. Allahu ua dhuroftë bukuritë e Firdevsit që të kënaqen me të përgjithmonë!



[1] Një pus i thellë në të cilin ishin hedhur kufomat e pabesimtarëve të cilët ishin vrarë në betejën e Bedrit.

[2] Vend në bregdetin e Detit të Kuq.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...

SELMAN EL‑FARISI


Selman_Farisiu

SELMAN EL‑FARISI

“Selmani është prej nesh‑ Ehli‑Bejtit”

Muhammedi a.s.

Ky është rrëfimi ynë për njeriun që kërkonte të gjente të vër­te­tën, për njeriun që hulumtonte të zbulonte Allahun.

Ky është rrëfimi për Selman El‑Farisiun, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Po ia japim fjalën vetë Selmanit të na rrëfejë ngjarjet e tregimit të tij, sepse ndjenjat e tij janë më të thella, rrëfimet e tij janë më precize dhe më të sinqerta.

Ja se si e tregon Selmani rrëfimin e tij:

- Isha djalosh persian prej Isfahanit, nga fshati “Xhej‑jan”.

Babai im ishte kryetar i fshatit, më i pasuri ndër ta dhe me auto­ritet të lartë.

Isha krijesa më e dashur tek ai prej ditës kur u linda dhe kjo da­shuri sa vinte e shtohej me kalimin e kohës, derisa nga frika se do të më ndodhë diçka më mbylli në shtëpi ashtu siç mbyllen vajzat.

Isha adhurues i zjarrit dhe arrita në hierarkinë më të lar­të, derisa m’u besua ndezja e zjarrit që ai të mos fiket asnjëherë, as ditën as natën.

Babai im kishte një kopsht të madh, i cili na jepte të lashta të shum­ta, e ai interesohej për të dhe i merrte të lashtat e tij.

Një ditë prej ditësh babai ishte i zënë me punë të tjera, të ci­lat nuk ia mundësuan shkuarjen në fshat dhe më tha:

- O djali im, unë nuk mund të shkoj në kopsht për atë që po e sheh edhe vetë. Shko ti sot atje dhe kujdesu për të.” U nisa me qëllim që të shkoj te kopshit ynë. Duke shkuar rrugës, kalova pranë një kishe të të krishterëve e cila, pasi dëgjova zërat e tyre duke u lutur, më tërhoqi vëmendjen.

*  *  *

Nuk dija asgjë për të krishterët apo për besimtarët e feve të tjera për shkak të periudhës së gjatë të izolimit tim dhe ndër­prerjes së kontakteve me njerëzit. Kur i dëgjova zërat e tyre, hyra brenda në kishë që t’i shoh se çka po bëjnë.

Pas një meditimi të gjatë më pëlqeu mënyra e lutjes dhe lak­mo­va fenë e tyre dhe thashë:

Për Zotin kjo fe është më e mirë se feja jonë. Betohem në Alla­hun se fare atë ditë nuk u ndava prej tyre deri në mbrëmje dhe nuk shkova te kopshti i babait tim.

Pastaj i pyeta ata:

- Ku është burimi i kësaj feje?

Më thanë: - Në Sham (Siri).

Në mbrëmje u ktheva në shtëpi dhe babai filloi të më pyes se ç’kisha bërë. Unë iu përgjigja:

- O babai im! Rrugës për në kopshtin tonë kalova pranë një kishe në të cilën luteshin disa njerëz. Zërat e tyre tërhoqën vëmendjen time dhe hyra brenda. Lutjet e tyre më pëlqyen dhe aty qëndrova derisa perëndoi dielli.

Babai im u tmerrua nga veprimi im dhe më tha:

- O djali im! Në fenë e tyre nuk ka asgjë të mirë! Feja jote dhe e baballarëve të tu është më e mirë se ajo.

Unë ia ktheva:

- Assesi, për Allahun, feja e tyre ishte më e mirë se feja jonë. Babai im u frikësua prej kësaj që thashë dhe pati frikë se do ta brak­tis fenë tonë. Prandaj më burgosi në shtëpi dhe m’i lidhi këmbët.

Shfrytëzova rastin e parë dhe i lajmërova të krishterët:

- Nëse shkon ndonjë karvan për në Sham, më lajmëroni.

Nuk shkuan pak ditë dhe arriti tek ata një karvan që shkonte për në Sham. Më lajmëruan për këtë dhe shpejt e shpejt i zgjidha këmbët dhe dola me ata duke u fshehur derisa arrita në Sham.

Kur arrita atje, pyeta: - Kush është njeriu më i devotshëm i kësaj feje?

Ata u përgjigjën:

- Ipeshkvi, kujdestari i kishës. Shkova tek ai dhe i thashë:

- Unë e pëlqeva Krishterimin dhe dëshiroj të të shoqëroj ty, të jem në shërbimin tënd, të mësoj prej teje dhe të lutem me ty.

Ai më tha:

Urdhëro. Hyra tek ai dhe fillova t’i shërbej atij.

Nuk shkoi pak kohë dhe kuptova se ai ishte njeri i keq. I urdhë­ronte besimtarët të jepnin lëmoshë dhe u premtonte shpërblime të mëdha prej saj. Mirëpo, prej tërë asaj që ata i jepnin, ai nuk u jepte asgjë të varfërve dhe atyre që kishin nevojë për ndihmë. Por, të gjitha i ruante për vete, derisa më në fund grumbulloi shtatë qypa me ar.

Kjo sjellje e tij më bëri ta urrej. Nuk vonoi dhe vdiq. Të krishterët, si zakonisht, u tubuan për ta varrosur, e unë u thashë atyre:

Njeriu, për varrosjen e të cilit jeni tubuar ishte njeri i keq. Ai ju urdhëronte të jepni lëmoshë dhe, kur ju e bënit atë, ai ato i ruante për vete dhe nuk u shpërndante asgjë të varfërve.

Ata më pyetën të habitur:

- Si mund ta dish ti këtë?!

Unë ua ktheva:

- Për ta vërtetuar këtë, po ju drejtoj te thesari i tij.

Ata më thanë:

- Na drejto pra atje. Ua tregova vendin e thesarit të tij të fshehtë prej ku nxorën shtatë qypa përplot ar dhe argjend. Kur e panë këtë, thanë:

- Për Zotin, nuk do ta varrosim.

Pastaj e gozhduan atë në një vend publik dhe e gjuajtën me gurë.

Pas pak kohe, në vend të tij zgjodhën një njeri tjetër. E shoqë­rova edhe atë dhe nuk kisha parë në jetë njeri më modest se ai, e as më të dhënë për botën tjetër, as më të devotshëm. Ai lutej natën dhe ditën. E desha shumë dhe me të kalova një kohë të gjatë dhe para se të vdiste i thashë:

- Të lutem, te kush më këshillon të shkoj pas teje?

Ai u përgjigj:

- O djaloshi im! Nuk di të gjendet ndonjë njeri si unë në këto anë, përveç njërit në Mosul, i cili nuk ka devijuar nga parimet e Krishterimit, prandaj shko dhe bashkangjitju atij.

Pasi vdiq shoku im, iu bashkangjita atij njeriu në Mosul. Kur arrita tek ai, i rrëfeva tregimin tim dhe i thashë:

- Filani më këshilloi para se të vdiste që të të shoqëroj dhe më tregoi se ti je besnik dhe i përmbahesh parimeve të vërteta të Krishterimit.

Atëherë ai më tha:

- Qëndro këtu tek unë!

U vendosa tek ai dhe vërejta se sjelljet dhe veprat e tij ishin për çdo lëvdatë. Por, ai ishte në moshë të shtyrë dhe nuk shkoi shumë kohë dhe vdiq. Por, para se ta lëshonte shpirti, e pyeta:

- O filan! Si duket, ti do të kalosh në jetën e amshueshme dhe ti e di gjendjen dhe hallin tim. Te kush më këshillon të shkoj pas teje?

Ai me dhembje m’u drejtua duke më thënë:

- O djaloshi im! Për Zotin, nuk di të ketë njeri në këto anë si­kurse unë, përveç njërit në “Nes‑sibin”, e ai është filani. Shko tek ai.

Pasi e varrosëm shokun tim, u shkova në “Nes‑sibin” dhe i tregova atij tregimin tim dhe për porosinë e shokut tim, e ai më tha:

- Qëndro tek unë. U vendosa aty dhe vërejta se veprat dhe sjell­jet e tij ishin sikurse të të dy shokëve të tij të mëparshëm. Por, nuk shkoi shumë kohë, e edhe atij i erdhi vdekja. Para se të kalonte në jetën e amshueshme e pyeta:

Ti e di hallin tim, te kush më këshillon të shkoj pas teje?

Ai m’u drejtua me këto fjalë:

O djaloshi im! Për Zotin, unë nuk njoh njeri që është në gjendjen në të cilën isha unë, me përjashtim të njërit në Amurije, e ai është filani. Të këshilloj të shkosh tek ai. Shkova në Amurije tek ai dhe i tregova për hallin tim, dhe ai më tha:

- Qëndro tek unë! U vendosa aty dhe betohem në Allahun se ishte në rrugën e shokëve të tij. Gjatë qëndrimit tek ai, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet që i kisha bërë, m’i kishte dhuruar disa lopë dhe dhurata të tjera.

Nuk kaloi shumë kohë dhe edhe atë e gjeti ajo që i kishte gjetur dy shokët e tij të mëparshëm. Por, para se të vdiste, e pyeta:

- Ti e di çështjen time, te kush më këshillon të shkoj pas teje dhe si të veproj?

Ai më tha:

- O djaloshi im, betohem në Allahun se nuk ka mbetur njeri në sipërfaqen e tokës që i përmbahet asaj që ne i përmbahemi... Mirëpo është afruar koha e paraqitjes së një Pejgamberi në tokat arabe, i cili do ta mbartë mbi supet  e tij fenë e Ibrahimit, pastaj do të shpërngulet prej vendlindjes së tij në një vend ku ka shumë hurma dhe ai ka shenja të cilat nuk mund të fshihen. Ai e pranon dhuratën, por jo edhe lëmo­shën dhe në mes krahëve të tij mban vulën e profetësisë. Nëse ke mundësi të arrish në atë vend, të këshilloj të shkosh atje.

Nuk kaloi shumë kohë dhe shoku im ndërroi jetë. Unë qëndrova një kohë në Amurije, derisa atypari kaloi një karvan tregtarësh arabë të fisit “Kelb”. Pas një bisede, u thashë atyre:

- Nëse më merrni mua deri në tokat arabe, do t’ju jap lopët dhe këto dhurata. Ata më thanë:

- Po, do të të marrim. Ua dhashë ato dhe më morën. Por kur arritëm në vendin e quajtur “Vadil Kura”, më tradhtuan dhe më shitën te një çifut, i cili më mori me vete dhe më caktoi që të jem në shërbimin e tij. Nuk shkoi shumë kohë e erdhi për vizitë tek ai njëri prej kushërinjve të tij nga fisi beni Kurejdha dhe më bleu prej tij. Menjëherë më mori me vete në Jethrib dhe i pashë palmat, të cilat m’i kishte përmendur zotëriu im në Amurije. E njoha Medinën në bazë të përshkrimit të tij. Aty u vendosa te zotëriu im.

Në atë kohë, Pejgamberi a.s. e thërriste në fe popullin vet në Mekë. Mirëpo, unë nuk kisha dëgjuar për paraqitjen e tij për shkak të detyrimeve të mia të shumta që m’i impononte skllavëria.

Nuk shkoi shumë kohë dhe Pejgamberi a.s. u shpërngul për në Jethrib. Për Allahun, unë kisha hipur në majë të një hurmeje të zotëriut tim, ku isha duke kryer disa punë, ndërsa zotëriu im ishte ulur nën hijen e saj. Kur papritmas erdhi njëri nga kushërinjtë e tij dhe i tha:

- I vraftë Allahu “Benu Kajletët”[1]! Ata janë tubuar sot në “Kuba”, duke pritur ardhjen e një njeriu që vjen nga Meka e pohon se është pejgamber.

Posa i dëgjova fjalët e tij më hipi një mundim dhe u shqetësova deri në atë shkallë saqë më kapi frika se do të bie mbi zotëriun tim. Menjëherë nisa të zbres prej hurmës dhe fillova t’i them atij njeriut:

- Çfarë po thua?! Përsërite edhe njëherë lajmin...” Prej fjalëve të mia, zotëriu im u hidhërua shumë dhe më goditi rëndë dhe më tha:

- Çka po të hyn në udhë ty kjo?! Shko atje ku ishe, në punën tënde!

*   *   *

Kur ra muzgu i mbrëmjes, mora disa hurma që i kisha mble­dhur dhe u drejtova atje ku pandehja të ishte Pejgamberi. Hyra tek ai dhe, pasi e përshëndeta, i thashë:

“Kam dëgjuar se ti je njeri i mirë. Me vete ke shokë jabanxhi, të cilët kanë nevojë për ndihmë. Ja, kjo është që më ka qëlluar mua për t’ua dhënë juve si lëmoshë (sadaka) dhe e pashë se ju keni më shumë të drejtë në këtë sesa të tjerët.” Pastaj iu afrova atij, e ai u tha sahabëve të vet:

- Hani... ndërsa ai e tërhoqi dorën e nuk hëngri.

Atëherë thashë me vete: ”Kjo është njëra prej shenjave.”

Pastaj u ktheva dhe nisa të mbledh disa hurma të tjera dhe, kur Pejgamberi a.s. kaloi prej Kubas në Medinë, shkova tek ai e i thashë:

- Unë vërejta se ti nuk po e ha sadakën (lëmoshën) dhe ja, këto hurma t’i kam sjellë dhuratë, në shenjë nderimi dhe respekti ndaj teje. Ai i hëngri disa prej tyre dhe i urdhëroi sahabët që edhe ata të hanë me të, gjë që edhe e bënë.

Atëherë thashë me vete:

“Kjo është shenja e dytë...”

Pastaj shkova te Pejgamberi a.s. në “Bekie El‑Garkad”[2], ku ishte duke varrosur njërin prej sahabëve të vet. E pashë ulur e në trup kishte dy copë pëlhurash. I dhashë selam e pastaj u solla mbra­pa shpinës, se mos do ta shoh vulën, të cilën ma kishte përshkruar zotëriu im në Amurije.

Kur e hetoi Pejgamberi a.s. se jam duke shikuar shpinën e tij, e kuptoi qëllimin tim. Atëherë e hoqi mbulesën e tij prej shpinës dhe unë e pashë vulën në mes të dy krahëve të tij. Atëherë m’u bë e qartë se ky ishte Pejgamberi, që ma kishte përshkruar shoku im në Amurije. Iu hodha në shpinë dhe fillova ta puth dhe të qaj, ndërsa Pejgamberi a.s. me gjakftohtësi më pyeti:

- Çfarë ke?

Atëherë i tregova rrëfimin tim që nga fillimi. Shenjat e habisë dukeshin të qarta në fytyrën e tij. U gëzua që  sahabët e tij ishin të pranishëm aty dhe e dëgjuan atë prej gojës sime. Edhe ata ishin të habitur dhe të gëzuar.

*  *  *

Përshëndetjet dhe selamet tona qofshin për Selman El‑Farisiun, i cili nuk ngurroi e as nuk u lodh ta kërkojë të vërtetën në çdo vend.

Përshëndetjet tona qofshin për Selman El‑Farisiun, i cili, në mo­mentin kur e njohu, besoi në të vërtetën, me besimin më të fortë dhe më të thellë.

Paqja e Zotit qoftë mbi Selman El‑Farisiun ditën kur ai vdiq dhe ditën kur ai do të ringjal



[1] Benu Kajlete: fiset Evs dhe Hazrexh.

[2] Vend në Medinë që është kthyer në varreza.


Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina
Read more...
Subscribe to this RSS feed
Back to top