Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

Pasqyrë rreth zekatit të Fitrit

Pasqyrë rreth zekatit të Fitrit

 

     Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Dhe lavdërimi e shpëtimi qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin dhe për familjen dhe të gjithë shokët e tij, e më pas:

     Këto janë disa fjalë rreth sadakatul Fitrit. E lus Allahun që të gjithë të kemi dobi prej tyre dhe ta pranoj nga të gjithë zekatin e Fitrit dhe të gjitha veprat e tjera.

 

Ç’do të thotë zekatul Fitr?

     D.m.th. zekati i cili jepet në ditën e Bajramit të Fitrit dhe përfundimit të Ramazaniut. Ajo quhet edhe: Sadakatul Fitr dhe të dyja këto emërtime janë përmendur në citate.

     Është quajtur sadakatul Fitr (lëmosha e Bajramit) kësisoj për shkak se ajo është lëmoshë para namazit të Bajramit përmes së cilës dëshirohet shpërblimi nga Allahu i lartësuar. Dhënia e sadakatul Fitrit atij që e meriton në kohën e caktuar dhe me shpirt të mirë e vë në pah vullnetin e vërtetë për ta arritur atë shpërblim. Ndërsa është quajtur zekat për shkak se në dhënien e saj – sinqerisht për hir të Allahut – ka dëlirësi për shpirtin, pastrim nga të metat e tij, përkrahje për të shtuar veprën e mirë dhe plotësim i mangësisë së tij.

    E ajo iu është bashkëngjitur Bajramit të Fitrit sikurse që i bashkëngjitet diçka shkakut të tij, ngase shkaku i dhënies së saj është dalja nga Ramazani në Bajramin e Fitrit – pas plotësimit të muajit me pamjen e hënës së re – për këtë iu është bashkëngjitur atij për shkak se është obliguar me hyrjen në ditën e Bajramit.

 

Historiku i obligimit të tij dhe argumenti për këtë:    

     Obligimi i tij ndodhi në vitin e dytë të hixhretit – d.m.th. me Ramazanin – dhe për ligjshmërinë e tij tregojnë argumentet e përgjithshme nga Kurani dhe argumentet e qarta prej Synetit si dhe konsensusi i muslimanëve. Allahu i lartësuar thotë: “Ka shpëtuar ai që është pastruar.” (El A’la: 14)  d.m.th. ka fituar dhe triumfuar plotësisht ai që e ka dëlirësuar veten e tij me dhënien e sadakës (lëmoshës) dhe kësisoj e ka graduar dhe e ka pastruar.  

     Umer b. Abdul Azizi  (Allahu e mëshiroftë) kishte traditë t’i urdhëronte njerëzit ta jepnin zekatin e Fitrit dhe e lexonte këtë ajet.

     Edhe Ikrime (Allahu e mëshiroftë) në komentin e këtij ajeti ka thënë: “Është për qëllim njeriu i cili e jep zekatin e tij përpara”, do të thotë: para namazit: të Bajramit.

     E kësisoj kanë thënë edhe disa dijetarë të selefit (Allahu i mëshiroftë) në komentin e tyre për ajetit, se për qëllim është zekatul Fitri.

      Gjithashtu është transmetuar edhe si hadith nga Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) te Ibn Huzejme në librin e tij dhe të tjerët. Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Ajo – d.m.th. zekatul Fitri – hynë në kuptimin e përgjithshëm të ajetit kuranor: “..dhe jepni zeqatin ..” (ElBekare: 43).”

     Gjithashtu është transmetuar te Buhariu dhe Muslimi me transmetime të ndryshme, hadithi: “Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka bërë obligim (farz) zekatin e Fitrit.” dhe muslimanët në vazhdimësi, në të kaluarën dhe të tashmen, kanë konsensus rreth obligimit të tij bile banorët e Medines mendonin se nuk kishte lëmoshë më të mirë se zekatul Fitri.

 

Dispozita për të

     Ibn Mundhiri (Allahu e mëshiroftë) – dhe dijetarë të tjerë – kanë treguar se ka konsensus për obligueshmërinë e saj. Ibn Ishaku (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Për dispozitën e saj ka konsensus (ixhma).

     Autori: Mjafton si argument për obligueshmërinë e tij – nëse ekziston mundësia dhe jepet në kohën e caktuar – shprehja e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta) kur kanë folur për zekatin e Fitrit  me fjalën: Farz, sikurse që e kanë shprehur këtë Ibn Umeri dhe Ibn Abasi.

     Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “E ka obliguar (farz) Pejgamberi  (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) zekatin e fitrit.” E ngjashëm janë shprehur edhe të tjerët (Allahu qoftë i kënaqur me ta).

 

Urtësia e obligimit të tij

     Zekati i Fitrit është obliguar për ta dëlirësuar shpirtin nga të metat e tij, si koprracia dhe vetitë tjera të këqija gjithashtu si pastrim për agjërimin në të cilin mund të ndikojnë dhe ta pakësojnë shpërblimin e tij fjalët dhe veprat e kota, e të ngjashme me to. Gjithashtu si inkurajim për të vepruar mirë në shenjë solidariteti me të varfrit dhe të mjerët dhe kursimin e tyre nga përbuzja e nevojës dhe lypjes ditën e Bajramit.

     Ibn Abasi transmeton nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) se ka thënë: “Pejgamberi  (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka obliguar sadakatul Fitrin si pastrim për agjëruesin prej fjalëve dhe veprave të kota dhe ushqim për të varfrit.” (E transmeton Ebu Davudi, Hakimi dhe të tjerë).

    Përmes dhënies së tij njeriu e  shfaq falënderimin për dhuntinë e Allahut të lartësuar ndaj robit të Tij me plotësimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe atë që iu është lehtësuar nga falja e namazit të natës si dhe veprat e tjera të mira.

     Përmes tij gjithashtu përhapet dashuria dhe afërsia mes shtresave të shoqërisë islame.

 

Për kë është obligim zekati i Fitrit?

     Zekati i Fitrit është pastrim i trupit kështu që është obligim për çdo musliman qoftë mashkull apo femër, i lirë apo rob, që banon në qytete, fshatra apo vendbanime të përkohshme (si beduinët). Dhe në këtë janë të pajtimit dijetarët e muslimanëve. Për këtë disa prej dijetarëve të selefit e jepnin zekatin e Fitrit edhe për foshnjën në barkun e nënës. 

     Autori: Dhënia e tij për foshnjën në barkun e nënës nuk është obligim por, ndoshta e kanë bërë këtë në shenjë falënderimi për dhuntinë e Allahut për krijimin e fëmijës dhe në shenjë afrimi me lutje  ndaj Atij që e ka dhuruar ta bëjë të mirë.

Prej argumenteve të obligueshmërisë së tij:

“I Dërguari i Allahut e ka bërë obligim sadakatul Fitrin një sa’a hurma apo një sa’a elbi për: robin dhe të lirin, mashkullin dhe femrën, të voglin dhe të madhin, prej myslimanëve, si dhe ka urdhëruar të jepet para se të dalin njerëzit për në namaz të Bajramit.”  (Buhariu dhe Muslimi) dhe hadithe të ngjashme në të cilat ceken qartazi nocionet obligim (farz) dhe urdhër. 

     Mirëpo sadakatul Fitri është obligim për të pasurin – me termin ‘i pasur’ nuk është për qëllim i pasuri që synohet te kaptina e zekatit në pasuri por, është për qëllim ai ‘i pasuri’ në kaptinën e zekatit të Fitrit - e që është personi që ka ushqim, në natën dhe ditën e Bajramit, më tepër për një sa’a apo më shumë se një sa’ nga ushqimi i tij, i familjes apo atyre që e ka obligim të shpenzoj për ta,  

     Ata që janë nën përkujdesje sikurse jetimët dhe të çmendurit e të ngjashëm me ta, sadakatul Fitrin për ta e jep kujdestari (i cili llogaritet mbikëqyrës për ta fetarisht) nga pasuria e tyre. E nëse nuk kanë pasuri, atëherë ai e jep sadakatul fitrin nga pasuria e tij për ta sikur dhe që e jep për ata që e ka obligim të shpenzoj për ta. Për shkak të kuptimit të përgjithshëm të fjalës së Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), i cili thotë: “Jepeni sadakatul Fitrin për ata që jeni përgjegjës për furnizimin e tyre.”

 

Llojet e ushqimeve nga të cilat jepet sadakatul Fitri

     Është vërtetuar se Ebu Seid El Hudrijj ka thënë: “E jepnim – sadakatul Fitrin – në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) një sa’ ushqim, një sa’ hurma, një sa’ elb apo një sa’a rrush të terur ...” (Buhariu dhe Muslimi)

      E në një transmetim të tij te Buhariu ka thënë: “Ushqimi ynë ishte elbi, rrushi i terur, djathi dhe hurmat.”

    Më mirë është të përkufizohemi në këto lloje të ushqimit të përmendura në hadith nëse ekzistojnë dhe gjenden gjithashtu ata që i pranojnë ato për t’u ushqyer me to. Duhet të jepet për sadakatul Fitrin ushqimi më i mirë dhe më i dobishëm për të varfrit, për shkak se Buhariu transmeton se Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) e jepte sadakutl Fitrin në hurma. Dhe në Muvetta transmetohet nga Nafi: “Ibn Umeri nuk e jepte sadakatul Fitrin vetëm se në hurma përveç njëherë e ka dhënë në elb – kur nuk kishin banorët e Medinës hurma – d.m.th. nuk kishte hurma në Medine dhe për këtë e dha në elb.”

       Në këtë tërhiqet vërejtja që të jepet lloji më i mirë nga këto lloje dhe ato që janë më të dobishme për të varfrit. E medh-hebi i Malikut, Shafiut, Ahmedit dhe shumicës së dijetarëve është se gruri është më i mirë e më pas hurmat. Allahu i lartësuar ka thënë: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni.” (Ali Imran: 92 ) Për këtë që u tha dhënia e sadakatul Fitrit nga njëri prej këtyre llojeve, nëse gjendet kush ushqehet me to, është më mirë për shkak se kjo është në pajtim me synetin – traditën profetike dhe është më mirë fetarisht por, nëse nuk gjenden, atëherë jepet nga ushqimet e tjera të përdorura në vend.

     Disa dijetarë – e ky është mendimi i Malikut, Shafiut, Ahmedit dhe të tjerëve – ndajnë mendimin se bën të jepet nga çdo lloj i drithit apo i frutave i cili përdoret për ushqim edhe nëse ekzistojnë pesë llojet e përmendura në hadith. Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Shejhul Islam Ibn Tejmije: dhe është argumentuar për të me fjalën e Allahut të lartësuar: “.. me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj ..” (El Maide: 89) dhe me fjalën e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Një sa’a ushqim.” e ushqimi mund të jetë grurë apo elb, dhe ka thënë: Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve dhe është mendimi më i saktë ngase, bazë në dhënien e lëmoshave (sadakave) është se ato janë obligim të jepen në shenjë solidariteti me të varfrit.”

     Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Dhe kjo është e vërteta që nuk bën të të thuhet diç tjetër, ngase qëllimi prej sadakatul Fitrit është përmbushja e nevojave që kanë të varfrit ditën e Bajramit dhe solidarizimi me ta përmes ushqimit që e hanë banorët e atij vendi, për shkak se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Mjaftoni ata në këtë ditë që të mos sillen vërdallë (në kërkim të ushqimit)”.

     Autori: Ky është ixhtihadi i këtyre dijetarëve të mëdhenj – Allahu i mëshiroftë – përndryshe nëse gjendet ndonjëri nga llojet të cilat i ka përmendur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe gjendet kush e pranon me vullnet, për shkak se ai është ushqimi i tij i zakonshëm, kjo është më mirë. Ndërsa nëse lloje të tjera të ushqimit janë më të dashura te njerëzit dhe më të lehta për ta dhënia e tyre për sadakatul Fitr është më meritore për shkak se realizohet solidariteti, mjaftohen me to dhe se dhënia e sadakatul Fitrit nga këto ushqime është ajo që duhet bërë. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Mirësi është ajo që të pushon shpirti në të dhe të qetësohet zemra ndërsa mëkat është ajo që të brenë në shpirt dhe të vërtitet në gjoks (ta shqetëson zemrën) edhe nëse njerëzit të japin fetva(në vazhdimësi).” (Transmeton Imam Ahmedi dhe Daremiu me zingjir të mirë të transmetimit.) Ebu Seid El Hudrijj ka thënë: “Për sa më përket mua unë ende e jap atë sikur që e kam dhënë në kohën e të Dërguarit Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) d.m.th. një sa’a ushqim e jo një gjysëm sa’a.”

 

 

Sasia e obliguar në dhënien e sadakatul Fitrit

     Është vërtetuar në hadithe të sakta se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “E ka obliguar zekatin e Fitrit një Sa’a.” e për qëllim me të është një sa’a në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e që është katër ‘mudd’. E një ‘mud’ është: Dy shuplakat e nje njeriu mesatar të mbushura plot me grurë të mirë apo drithëra të ngjashme me të. Ndërsa sot një sa’a llogaritet me dy kilogram e gjysmë përafërsisht, e çka jepet më tepër se kjo sasi e bën nijet si sadakë (lëmoshë) të përgjithshme. Allahu i lartësuar ka thënë: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Ez Zelzele: 7)

 

Koha e dhënies së zekatit të Fitrit

Për dhënien e zekatit të fitrit ekzistojnë dy kohë:

 

     E para: Koha e preferuar për ta dhënë atë është: prej perëndimit të diellit, natën e Bajramit, e gjerë në namaz të Bajramit dhe prej saj koha më e vlefshme është mes namazit të sabahut dhe atij të bajramit. Kjo sepse është vërtetuar në hadithin e shënuar te Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: “E ka obliguar (farz) Pejgamberi  (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) zekatin e fitrit.” e në të thotë: “si dhe ka urdhëruar të jepet para se të dalin njerëzit për në namaz të Bajramit.”. Gjithashtu kemi përmendur më parë komentin e disa dijetarëve të selefit në fjalën e Allahut të lartësuar: “Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.” (El A’la:  Se ai është njeriu i cili e jep zekatin e Fitrit ditën e Bajramit para namazit të bajramit. 

     E dyta: Koha e lejuar. Kjo kohë është para ditës së Bajramit një apo dy ditë për shkak se në sahihun e e Buhariut (Allahu e mëshiroftë) shënon se: “ Ata – d.m.th. sahabët ua jepnin zekatin e Fitrit të varfërve një apo dy ditë para Bajramit.” dhe në këtë ekzistonte konsensus mes tyre. Dhe në hadithin e transmetuar nga Ibn Abasi shënon: “Ai që e jep para namazit atij i pranohet si sadakë i Fitrit e nëse e jep pas namazit atëherë është sadakë (lëmoshë) prej sadakave.” (Transmeton Ebu Davud dhe të tjerët).

     Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Ajo që kuptohet nga hadithi është se nuk lejohet vonimi i zekatit të Fitrit pas namazit të bajramit.” 

     Autori: Ka për qëllim nëse vonohet pa ndonjë arsye dhe të tregoj se dhënia e tij përfundon me përfundimin e namazit të Bajramit.

     Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Nëse e vonon pas namazit të Bajramit, atëherë llogaritet kaza përndryshe obligimi për dhënien e tij nuk anulohet me daljen e kohës.”

     Disa dijetarë tjerë kanë thënë: “Dijetarët e fikhut janë të pajtimit se ajo nuk anulohet nëse ai që e ka obligim e vonon dhënien e tij dhe kjo i mbetet borxh atij deri sa ta kryej atë. Gjithashtu vonimi i zekatit të Fitrit pas ditës së Bajramit është haram (i ndaluar) dhe ky person duhet ta kompensoj atë. Dhe me pajtimin e gjithë dijetarëve ka mëkat nëse e vonon qëllimisht.”

 

Kujt i jepet zekati i Fitrit?

          Në hadithin e Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se: “Pejgamberi  (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka obliguar sadakatul Fitrin si pastrim për agjëruesin prej fjalëve dhe veprave të kota dhe ushqim për të varfrit.”  Sipas këtij hadithi ai i jepet vetëm të varfërve dhe jo kategorive të tjera. Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nuk lejohet dhënia  e tij vetëm se për atë që e meriton zekatin e Fitrit, e ata janë të cilët marrin për të përmbushur nevojat e tyre.”

     Lejohet që një grup njerëzish apo njerëzit e një familje ta japin zekatin e Fitrit një të varfri të vetëm sikurse që lejohet që zekati i Fitrit i një personi t’i shpërndahet më shumë se një të varfri nëse shfaqet nevoja e madhe për këtë.

    Por, duhet që t’i dorëzohet vetë të varfrit apo atij që është autorizuar nga ai që ta marrë zekatin për të.

 

Dhënia e vlerës së zekatit të Fitrit në të holla.

    Nuk lejohet që për zekat të Fitrit në vend të ushqimit të jepet vlera e tij në të holla.Për shkak se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka cituar disa lloje të ushqimeve edhe përkundër ekzistimit të vlerës së tyre. E nëse do të lejohej dhënia e vlerës së tij në të holla do ta sqaronte atë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe kjo është e bazuar në rregullën se: “nuk lejohet vonimi i sqarimit pas kohës kur shfaqet nevoja për të.” Gjithashtu nuk dihet se ndonjëri nga shokët e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka dhënë vlerën e zekatit të Fitrit në të holla – edhe pse ekzistonte mundësia për këtë në kohën e tyre – ndërsa ata janë njerëzit që më së miri e njohin synetin e tij dhe që më së shumti e pasojnë traditën e tij. Gjithashtu dhënia e tij në të holla dikton zhvlerësimin e këtij obligimi të madh dhe injorancën e njerëzve për dispozitat që kanë të bëjnë me të dhe mospërfilljen e tij.

     Imam Ahmedi ka thënë: “Nuk jepet në të holla. I është thënë: Disa njerëz thonë se Umer b. AbdulAzizi e merrte në të holla? Ka thënë: E lënë fjalën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe thonë: ka thënë filani, ndërsa Ibn Umeri ka thënë: “E ka obliguar (farz) Pejgamberi  (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) zekatin e fitrit.”  

     Autori: Dhënia e zekatit të fitrit në të holla në vend të ushqimit nuk lejohet, ngase e kundërshton fjalën dhe veprën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe veprën e shokëve të tij pas tij. Edhe nëse këtë mendim e kanë disa dijetarë megjithatë për bazë është ajo që është transmetuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e jo ajo që e kundërshton atë prej mendimeve të dijetarëve. Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Frikësohem se mos zbresin gurë nga qielli! U them juve ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ju thoni: Ka thënë Ebu Bekri dhe Umeri!!”

 

Bartja e zekatit të Fitrit nga vendi ku është personi në një vend tjetër.

     Bazë është që njeriu ta jap zekatin e Fitrit për të varfërit e vendit në të cilin iu është obliguar – dhe dhënia e tij është obligative me perëndimin e diellit natën e bajramit – e bartja e tij në një vend tjetër ndikon të vonohet dorëzimi i tij në kohën e tij të ligjshme. E ndoshta edhe përfundon me dhënien e tij në të holla dhe kësisoj humbet një obligim dhe përhapet injoranca e njerëzve për dispozitat e dhënies së tij sipas synetit të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

     Nuk është vërtetuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe nga asnjë prej udhëheqësve të drejtë, e as nga ndonjë prej Sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta) – me sa dijë unë – se e kanë bartur atë prej Medines për në vendet e tjera. Për këtë dhënia  e tij – në këtë kohë – nga një shoqëri te tjetra – e në ç’gjë thërrasin disa njerëz dhe e teprojnë – llogaritet nga veprat e shpikura nga të cilat duhet të kihet kujdes dhe duhet të informohen njerëzit se kjo është në kundërshtim me rregullat. E Allahut i drejtohemi për ndihmë.

     Ndërsa ajo që një person e obligon familjen e tij ta japin zekatin e Fitrit në vendin e tyre kurse ai është në një vend tjetër, nuk ka ngjashmëri me atë që thamë. Vërejtja ka të bëjë me dhënien e zekatit nga një person i një vendi te një vend tjetër dhe nga kjo rezultojnë vërejtjet e mëparshme të cilat u përmendën më herët.   

Për fund, lavdërimi dhe shpëtimi qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin dhe familjen e shokët e tij.

        

 Autori: Abdullah b. Salih El Kusajjir

Përkthim: Driton Lekaj

 

Read more...
Subscribe to this RSS feed
Back to top