AMR IBNUL XHAMUHU

amr ibnul xhamuhu  amr ibnul xhamuhu

AMR IBNUL XHAMUHU

Plaku që me këmbën e tij të çalë deshi të shkelë xhenetin.

 

Amr ibnul Xhamuhu ishte njëri prej prijësve të Jethribit në kohën e injorancës, prijës i fisit benu Seleme el‑Musev-vedu dhe prej njerëzve më bujarë dhe më të ndershëm të Medinës.

Ishte zakon në kohën e injorancës që paria ta ketë idhullin e vet në shtëpi, si shenjë bekimi e urate për çdo mëngjes e çdo mbrëmje, t’i bëjë kurban në rast feste dhe t’i lutet në rast të ndonjë fat­keqësie!!!

Idhulli i Amr ibnul Xhamuhut quhej me emrin “Menat”[1], të cilin e kishte ndërtuar prej llojit më të mirë të drurit.

Shpenzonte shumë në ruajtjen, kujdesjen dhe mirëmbaj-tjen e tij dhe e parfumoste me erërat më të këndshme.

*  *  *

Amr ibnul Xhamuhu i kishte kaluar të gjashtëdhjetat kur drita e besimit kishte filluar të depërtojë në shtëpitë e Jethribit, shtëpi pas shtëpie, me kontributin e misionarit të parë, Mus’ab ibnu Umejrit. Para plakut kishin besuar tre bijtë e tij: Muavvedhi, Muadhi, Hal‑ladi dhe një mocanik i tyre me emrin Muadh ibnu Xhebel...

Së bashku me tre djemtë e tij kishte besuar edhe nëna e tyre, Hindi, mirëpo plaku nuk dinte asgjë për këtë.

Hindi, gruaja e Amr ibnul Xhamuhut, kishte vënë re se shumica e bano­rëve të Medinës e pranuan fenë islame dhe nuk kishte mbetur prej parisë së Medinës askush në politeizëm, përveç burrit të saj dhe një numri të vogël rreth tij.

Hindi e donte dhe kishte respekt të madh ndaj burrit të saj, prandaj i dhembsej shumë që ai të vdiste si pabesimtar e të shko­nte në xhehnem.

Amri po ashtu kishte frikë se djemtë e tij do ta braktisin fenë e baballarëve dhe të gjyshërve të tyre e do të shkojnë pas këtij thirrësi, Mus’ab ibnu Umejrit, i cili pati sukses që brenda një kohe relativisht të shkurtër të bindë një numër të madh njerëzish që ta braktisin fenë e të parëve të tyre e të hyjnë në fenë e Muhammedit.

Kështu, një ditë prej ditësh, në bisedë e sipër, Amri i tha gruas së vet:

- Oj Hind, kujdesu që bijtë tanë të mos bien në kontakt me këtë njeri (e ka qëllimin te Mus’ab ibnu Umejri), derisa të mendojmë rreth kësaj çështjeje.

Ajo ia ktheu:

- Dëgjoj dhe përulem! Mirëpo, a do të kishe dëshiruar të dë­gjosh prej birit tënd Muadhit se ç’transmeton nga ky njeri?!

Plaku ia ktheu me nxitim:

- Vaj për ty! Mos e ka ndërruar fenë Muadhi e unë nuk po e ditkam?!

Gruaja e mirë ndjeu dhembje për plakun dhe tha: “Assesi, por ai mori pjesë në disa tubime të këtij thirrësi dhe mbajti mend diçka që thonte ai.”

Pastaj plaku tha:

- Thirre, pra, të vijë këtu.

Kur i biri erdhi para tij, ai tha:

- Lexo diçka që thotë ky njeri!

I biri nisi të lexojë:

“Më emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirë-plotit.

Lavdërimi i takon vetëm Allahut, Zot i botëve, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Sundues i Ditës së Gjyki-mit.

Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë!

Drejtona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre të cilët i bekova, jo të atyre që kanë merituar hidhërimin e as të atyre që kanë humbur!” (El‑Fatiha  1‑7) 

I mahnitur nga ajo që dëgjoi, plaku tha:

- Sa të mrekullueshme qenkan këto fjalë!

A janë të gjitha fjalët e tij sikurse këto?!

Muadhi iu përgjigj:

- Por, edhe më të mira se këto, o babai im. A do ta pranosh thirrjen e tij, sepse i tërë fisi yt i është bindur atij.

Plaku, pasi heshti një çast, tha:

- Nuk do ta pranoj thirrjen e tij, derisa të konsultoj “Menatin” e të shoh se çka do të më sugjerojë ai.

I biri atëherë i tha:

- Çka mund të të sugjerojë “Menati”, o babai im, kur ai është dru i ngurtë, nuk mendon e as nuk flet.

Plaku ia ktheu me hidhërim:

- Të thashë se unë nuk mund të marr qëndrim të prerë pa u konsultuar me të.

*  *  *

Pa humbur kohë Amr ibnul Xhamuhu u ngrit dhe shkoi te “Mena­ti”. Kur donin t’i flitnin, linin një grua plakë pas tij, e cila, sipas bindjes së tyre, përgjigjej në vend të tij sipas asaj që ai e inspi­ronte. Amri qëndroi para tij me shtatin e tij të gjatë. U mbështet në këmbën e tij të shëndoshë, sepse këmba tjetër e tij ishte e çalë. E lavdëroi atë me lavdërimet më të mira që dinte, pastaj i tha:

- O “Menat”! Nuk ka dyshim se ti e di se ky thirrësi, i cili ka ar­dhur tek ne prej Mekës, nuk dëshiron t’i bëjë keq askujt, përveç teje...

Ai ka ardhur të na ndalojë të të adhurojmë ty... Unë nuk desha ta pranoj thirrjen e tij, edhe pse dëgjova prej fjalëve të tij të bukura, derisa të marr mendimin tënd. Prandaj, më këshillo si të veproj.

Por, “Menati” nuk i dha atij kurrfarë përgjigje.

Plaku atëherë tha:

- Ndoshta ti je hidhëruar me mua. Por, unë ende nuk kam bërë asnjë gjë që të nënçmojë ty. Megjithatë, do të të lë disa ditë, derisa të të kalojë hidhërimi.”

*  *  *

Bijtë e Amr ibnul Xhamuhut e dinin se sa ishte i lidhur babai i ty­re me idhullin e tij “Menatin” dhe se ai, me kalimin e kohës, ishte bërë pjesë e tij. Mirëpo, ata e kuptuan se besimi i tij në të kishte fi­lluar të luhatej dhe ishte obligim i tyre që atë besim të mbetur të ta mënjanonin, sepse kjo ishte rruga e tij deri te besimi.

Në errësirën e natës, bijtë e Amr ibnul Xhamuhut, së bashku me shokun e tyre Muadh ibnu Xhebelin, shkuan te “Menati”, e morën atë prej vendit ku ishte vendosur dhe e hodhën në një gropë të beni Se­le­mes, ku ata hidhnin mbeturinat e tyre. Pastaj u kthyen në shtë­pitë e tyre, pa e ditur për këtë askush.

Kur u zgjua Amri në mëngjes, si zakonisht, shkoi te idhulli i tij për ta përshëndetur, por u habit kur nuk e gjeti në vendin e tij. I ze­mëruar tha:

- Vaj për ju! Kush është ai që e ka sulmuar zotin tonë?!

Por, askush prej të pranishmëve nuk iu përgjigj.

Filloi ta kërkojë brenda në shtëpi dhe jashtë saj. Nisi të bërtiste e të kërcënohej, derisa më në fund e gjeti të kthyer me kokë ­poshtë në një gropë. E lau, e pastroi, e parfumosi, e ktheu në ven­din e tij dhe tha:

- Betohem në Allahun, sikur ta dija se kush ka vepruar me ty kësh­tu, do ta kisha poshtëruar.

Kur erdhi nata e dytë, të rinjtë përsëri u lëshuan mbi “Menatin” dhe e përsëritën të njëjtin veprim.

Kur u zgjua, plaku e kërkoi dhe e gjeti në gropë, në mesin e mbe­turinave. Përsëri e mori, e lau, e pastroi, e pafumosi dhe e ven­dosi në vendin e vet.

Të rinjtë vazhduan ta përsërisin të njëjtin veprim çdo ditë. Kur plaku u lodh, një natë para se të flejë shkoi te “Menati, ia vari shpatën në qafë dhe i tha:

- O “Menat”, betohem në Allahun, se unë nuk po e di se kush ësh­­të duke e bërë këtë me ty, gjë që po e sheh edhe vetë. Nëse te ty ka ndonjë të mirë, atëherë duhet që vetë ta luftosh të keqen. Ja, kjo shpatë është me ty!

Pastaj shkoi në shtratin e tij.

Të rinjtë, posa e hetuan se plaku është në gjumin e tij më të mi­rë, ia mësyen idhullit, e morën shpatën prej qafës së tij, e nxorrën jash­të shtëpisë, e lidhën me litar te një qen i ngordhur dhe i hodhën të dy në një pus të fisit beni Seleme, në të cilin shkonin ndytësirat.

Plaku u zgjua në mëngjes dhe si çdo ditë shkoi te idhulli, por nuk e gjeti. Pa humbur kohë doli ta kërkojë. Më në fund e gjeti të kthyer me fytyrë teposhtë në pus, të lidhur me një qen të ngordhur, ndërkaq shpata i ishte marrë. Kësaj radhe plaku nuk u mundua ta nxjerrë prej grope, por e la aty ku e kishin gjuajtur dhe i recitoi këto vargje:

Betohem në Allahun se, sikur të ishe zot,

Nuk do të ishit në pus, ti dhe qeni i ngordhur.

Pas kësaj Amri hyri në fenë e Allahut.

*  *  *

Amri ibnul Xhamuhu e shijoi ëmbëlsinë e besimit, gjë që e cyti t’i kafshojë gishtat, i penduar për çdo çast të jetës së tij si pabesimtar. Për këtë ai iu kthye fesë së re me tërë trupin dhe shpirtin e tij. Kështu që e vuri veten, pasurinë dhe tre bijtë e tij në dispozicion të fesë Islame.

*  *  *

Pas një kohe të shkurtër do të ndodhë beteja e Uhudit. Amri i vë­rejti tre bijtë e tij se si përgatiteshin për të luftuar me armiqtë e Allahut xh.sh. I shihte ata duke u endur sikurse luan, e secili prej ty­re dëshironte të bjerë shehid për të fituar kënaqësinë e Allahut xh.sh. Ky qëndrim i të bijve e nxiti dhe vendosi që edhe ai të shkojë në luftë nën flamurin e Pejgamberit a.s.

Mirëpo të bijtë ishin të mendimit që ta pengonin babain e tyre në realizimin e qëllimit të tij.

Ai ishte plak, i shtyrë në moshë. Përveç kësaj, ai ishte edhe i çalë. Mosdaljen e tij në luftë, dhe të atyre si ai, e kishte lejuar edhe Allahu xh.sh.

Të bijtë i thanë:

- O babai ynë, Allahu xh.sh. të ka liruar prej kësaj. Përse atë­herë e ngarkon veten me atë që Allahu i Madhërishëm të ka liruar?

Plaku u hidhërua për së tepërmi prej fjalëve të tyre dhe u nis të ankohet te Resulullahi s.a.s. dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, bijtë e mi dëshirojnë të më pengojnë nga kjo e mirë dhe e argumentojnë këtë pse jam i çalë. Betohem në Allahun, se unë dëshiroj që me këtë këmbën time të çalë ta shkel xhenetin.

Pejgamberi a.s., atëherë iu tha të bijëve:

- Lëjeni, ndoshta Allahu do t’ia dhurojë shehidllëkun.

Atëherë të bijtë e lanë, duke iu bindur urdhrit të Resulullahut s.a.s.

Posa u afrua koha e daljes, Amr ibnul Xhamuhu e përshë-ndeti gruan e tij, ashtu siç përshëndetet ai që shkon në rrugën e pakthim.

Pastaj u kthye kah Kibleja, i çoi duart kah qielli dhe tha:

- O Zoti im, më dhuro shehidllëkun e mos më kthe të dëshpë­ruar në familjen time!!!

Pastaj u nis, i rrethuar nga të tre bijtë e tij dhe me një numër të madh njerëzish nga fisi i tij benu Seleme.

Kur lufta arriti kulmin dhe u shpartalluan njerëzit që kishin për detyrë të kujdesen për Pejgamberin a.s., u vërejt Amr ibnul Xhamuhu duke shkuar në rreshtin e parë; qëndronte i fuqishëm në këmbën e tij të shëndoshë dhe thoshte:

- Unë jam i përmalluar për xhenet, unë jam i përmalluar për xhenet! Menjëherë pas tij ishte i biri, Hal‑ladi.

Plaku dhe i biri i tij, duke e mbrojtur Resulullahun, ranë të vde­kur shehidë në fushën e betejës. Ndërmjet rënies dëshmor të bi­rit dhe babait të tij nuk ishin vetëm disa çaste.

*  *  *

Posa përfundoi lufta, u ngrit Resulullahu s.a.s. te dëshmorët e Uhudit për t’i varrosur ata, e sahabëve të vet iu tha:

“Lërini me gjakun dhe plagët e tyre, sepse unë do të jem dësh­mitar për ta.”

Pastaj vazhdoi:

“Nuk ka asnjë musliman që plagoset në rrugën e Allahut e që të mos vijë në Ditën e Kijametit duke i shkuar gjaku. Ngjyra e tij është si ngjyrë e dyllit të verdhë (safran)[2], kurse era e tij është si­kurse era e miskut.”

 

Pastaj tha:

“Varroseni Amr ibnul Xhamuhun me Abdullah ibnu Amrin, sepse ishin shokë të pandashëm në dynja.”

*  *  *

Allahu qoftë i kënaqur me Amr ibnul Xhamuhun dhe shokët e tij, dëshmorë të Uhudit, dhe ua shëndriste varret!



[1] Menati: idhull në të cilin besonin arabët në kohën e injorancës.

[2] Dyll, safran ‑ bot. Crotus Satirus).

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top