THUMAME IBNU UTHALI

thumame ibnu uthali

Ishte ai i cili u vuri bllokadë ekonomike kurejshitëve.

I bllokoi ekonomikisht kurejshitët.

Në vitin e gjashtë të hixhretit, Pejgamberi a.s. vendosi t’i zgje­ro­jë kufijtë e thirrjes së tij në rrugën e Allahut xh.sh. Për këtë që­llim ai i shkroi tetë mesazhe mbretërve arabë dhe atyre joarabë, ku i fton në fenë Islame.

Në mesin e tyre ishte edhe Thumame ibnu Uthal el‑Hane-fij.

Nuk është për t’u habitur, sepse Thumame ishte njëri prej mbre­tërve arabë më me famë në kohën e injorancës, si dhe njeriu më me autoritet në fisin beni Hanife dhe njëri prej mbretërve të Jemames që nuk kishte konkurrencë.

Thumame e pranoi mesazhin e Pejgamberit a.s. me përbuzje dhe nënçmin. Fuqia dhe mendjemadhësia e tij bënë që ai t’i mbyllë veshët e të mos dëgjojë fare thirrjen e së vërtetës dhe të mirësisë.

Atë e nxiti shejtani i tij për ta mbytur të Dërguarin e Allahut e së bashku me të ta varrosë edhe Thirrjen e tij. Ai priti rastin e volit­shëm për ta likuiduar Pejgamberin a.s. dhe ndoshta do të ndodh­te krimi, sikur njëri prej xhaxhallarëve të Thumames të mos e bindte atë të hiqte dorë nga qëllimi i tij në momentin e fundit dhe kështu e shpëtoi Allahu të Dërguarin nga sherri i tij.

Nëse Pejgamberi a.s. i kishte shpëtuar torturave të Thumames, shumica e sahabëve të Pejgamberit a.s. nuk i kishin shpëtuar tortu­rave dhe keqtrajtimeve të tij. Ai priste rastin t’i shtinte në dorë ata e pastaj t’i vriste në mënyrat më mizore. Kjo bëri që Pejgamberi a.s. ta lejojë vrasjen e tij dhe këtë e shpalli para sehabëve të vet.

*  *  *

Nuk kishte kaluar një kohë e gjatë prej atyre ngjarjeve kur një ditë prej ditësh Thumame ibnu Uthali vendosi të kryejë “Umren”[1]. Ai u nis prej Jemames në drejtim të Mekës. Dëshironte të bënte “tavafin” rreth Qabes si dhe të prente “kurbanë” për idhujt që gjendeshin në Qabe.

Në kohën kur Thumame arriti në afërsi të Medinës i ndodhi diçka që ai nuk e kishte paramenduar.

Njëra prej çetave të Pejgamberit a.s., të cilat patru-llonin rreth Medinës, nga frika e ndonjë sulmi eventual të ndonjë armiku, e kishte zënë rob Thumamen ‑ duke mos e njohur ‑ e kishin sjellë në Medinë dhe e kishin lidhur para xhamisë, duke e pritur Pejgamberin a.s. të japë urdhrin e tij rreth fatit të të zënit rob.

Kur Muhammedi a.s. doli në xhami, para se të hyjë në të, e pa Thu­mamen të lidhur dhe iu drejtua sahabëve të vet:

- A e dini se kë keni zënë rob? 

Ata iu përgjigjën:

- Jo, o i Dërguari i Allahut.

Pejgamberi a.s. iu përgjigj:

- Ky është Thumame ibnu Uthal el‑Hanefij, prandaj silluni mirë ndaj tij!

Pas kësaj bisede Pejgamberi a.s. shkoi në shtëpinë e vet dhe i urdhëroi familjes së vet: “Tuboni çka të keni prej ushqimit dhe dër­go­jani Thumame ibnu Uthalit!”

Pastaj urdhëroi që deveja e tij të milet në mëngjes dhe në mbrëm­je e qumështi i saj t’i dërgohet Thumames.

Të gjitha këto u bënë para se Pejgamberi a.s. të takohet me të apo t’i flasë atij.

*  *  *

Pas një kohe Pejgamberi a.s. shkoi te Thumameja. Dëshironte ta tërhiq­te atë në fenë islame dhe i tha:

- Ç’kemi të re te ti, o Thumame? 

Ai u përgjigj:

- Tek unë ka të mira, o Muhammed. Nëse më vret, do të vrasësh një njeri që është në gjak me ty, e nëse më fal, do të të falënderoj për këtë zemërgjerësi. Po nëse dëshiron pasuri, ti vetëm urdhëro e kërko, e unë do të të jap sa të duash!

Pejgamberi a.s. e la në këtë gjendje dy ditë. Ndërkohë rre­gullisht i dërgohej ushqimi, uji si dhe i sillnin qumësht deveje.

Pas dy ditëve, Pejgamberi a.s. shkoi tek ai përsëri dhe e pyeti:

- Çkemi të re te ti, o Thumame? 

Ai u përgjigj:

- Nuk ka tek unë asgjë të re përveç asaj që të thashë më parë:

Nëse më fal gjakun, do ta di për nder. 

Nëse më vret do të vrasësh një njeri që është në gjak me ty. Po nëse dëshiron pasuri, ti vetëm urdhëro e kërko, e unë do të të jap sa të duash.

Pejgamberi a.s. e la në këtë gjendje dhe të nesërmen shkoi tek ai dhe e pyeti:

- Çkemi të re te ti, o Thumame? 

Ai u përgjigj:

- Tek unë nuk ka asgjë të re, përveç asaj që të thashë më parë:

Nëse më fal gjakun, do ta di për nder. 

Nëse më vret do ta vrasësh një njeri që është në gjak me ty. Po nëse dëshiron pasuri, ti vetëm urdhëro e kërko, e unë do të të jap sa të duash! 

Në atë moment Pejgamberi a.s. u kthye kah sahabët e tij dhe urdhëroi:

- Lirojeni Thumamen!

Sahabët menjëherë ia zgjidhën duart dhe e liruan.

Për një çast Thumameja u largua prej Xhamisë së Pejgamberit a.s. dhe arriti te disa hurma në periferi të Medi-nës, afër vendit të quajtur “Bekië”, ku kishte ujë. Aty u ndal, i dha ujë devesë, u pastrua mirë dhe përsëri u kthye në xhami.

Posa arriti pranë xhamisë, u ndal para një grupi muslima-nësh dhe tha:

- Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij!

Pastaj u nis në drejtim të Pejgamberit a.s. dhe tha:

- O Muhammed! Betohem në Allahun se nuk ka pasur në sipërfaqe të Tokës fytyrë më të urryer se fytyra jote. Ndërsa sot fytyra jote është bërë fytyra më e dashur tek unë.

Betohem në Allahun se nuk ka pasur fe që e kam urryer më shumë se fenë tënde, por sot ajo është feja më e dashur për mua.

Po ashtu, të betohem në Allahun se nuk ka pasur vend më të urryer për mua se vendi yt, por ai sot është vendi më i dashur për mua.”

Pastaj vazhdoi e tha:

“Në të kaluarën kam vrarë disa nga sahabët e tu. Cili është obli­gimi im ndaj tyre?

Pejgamberi a.s., iu përgjigj:

- Nuk ka qortim për këtë o Thumame! Feja Islame e shlyen atë që ka ndodhur më parë!

Pejgamberi a.s. pastaj e përgëzoi me mirësitë me të cilat e bekoi Allahu xh.sh., me përqafimin e fesë islame.

Shenjat e gëzimit ishin të dukshme në fytyrën e Thumames, i cili tha:

- Betohem në Allahun se do të jem i ashpër ndaj pabesimtarëve njëqind herë më shumë sesa isha ndaj sahabëve të tu. Unë, shpata ime, si dhe të gjithë ata që janë me mua, do të jemi në anën tënde dhe të fesë tënde.

- O i Dërguari i Allahut, kalorësit e tu më morën kur unë isha në rrugë për në Qabe për ta bërë “Umren”. Çka më këshillon, si të veproj?

Pejgamberi a.s. i tha:

- Vazhdo rrugën tënde! Shko e kryeje Umren tënde, sipas ligjit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe e mësoi se si të veprojë.

Thumameja u nis drejt qëllimi të tij. Posa arriti në qendër të Me­kës, u ndal dhe zëri i tij jehoi lart:

Lebbejke Allahumme Lebbejk...

“Të përgjigjem ty o Zoti im!

Të përgjigjem Ty që nuk ke shok tjetër, të përgjigjem!

Vërtet, falënderimi, begatia dhe pushteti të takon vetëm Ty!

Ti nuk ke shok tjetër!”

Ishte muslimani i parë që hyri në Mekë duke e madhëruar Allahun xh.sh.

*  *  *

Kurejshitët posa e dëgjuan zërin e madhërimit të Allahut u ngritën të hidhëruar e të tmerruar. I nxorën shpatat prej këllëfëve dhe u nisën në drejtim të zërit për ta shkatërruar atë që donte t’ua rrëmbente pushtetin.

Thumameja posa e pa popullin duke u nisur në drejtim të tij, e ngriti zërin për ta madhëruar Allahun xh.sh. dhe i shikonte ata me krenari. Në momentin kur një i ri kurejshit tentoi ta sulmojë me shigjetë Thumamen të tjerët e penguan e i thanë:

- Vaj për ty! A e di se kush është ky?!

Ky është Thumame ibnu Uthali, mbreti i Jemames.

Betohem në Allahun se, nëse atij i ndodh ndonjë e keqe, populli i tij do të na ndërprejë dërgimin e ushqimit e ne do të vdesin nga uria.

Pastaj njerëzit iu afruan Thumames, pasi i kishin  kthyer shpatat e tyre në këllëfe dhe i thanë:

- Çfarë ka ndodhur me ty, o Thumame?!

A je bërë fëmijë që e ke braktisur fenë tënde dhe të të parëve të tu?!

Ai iu përgjigj:

- Unë nuk jam bërë fëmijë, por zgjodha fenë më të mirë. Zgjo­dha fenë e Muhammedit.

Pastaj vazhdoi:

- Betohem në Zotin e Qabes se, pas kthimit tim në Jemame, nuk do t’ju arrijë asnjë kokërr gruri, apo të mira të tjera të grurit, derisa të mos i besojë fesë së Muhammedit a.s. edhe njeriu i fundit prej jush.

Kështu pra, Thumameja e bëri “Umren” para syve të kurej­shi­tëve, ashtu sikurse e kishte urdhëruar Pejgamberi a.s.

Ai preu kurbanë për hir të Allahut e jo për idhuj, ashtu siç vep­ronin pabesimtarët.

Pasi e kreu “Umren”, u kthye në vendin e vet dhe i urdhëroi po­pullit të tij që të mos u dërgojnë kurejshitëve asnjë të mirë dhe ashtu vepruan.

Bllokada, të cilën Thumameja ua kishte imponuar kurej-shitëve, di­ta ditës sa vinte e bëhej më e rëndë. U ngritën çmimet, u për­hap uria në mesin e njerëzve, derisa nisën të frikësohen për vetve­ten dhe fëmijët e tyre se do të vdesin nga uria.

Më në fund, nuk u mbet tjetër shtegdalje përveç se t’i shkruajnë një letër Pejgamberit a.s., në të cilën i thanë:

“Në marrëveshjen tonë me ty je zotuar se nuk do t’i shkëputësh marrëdhëniet familjare dhe se do të këmbë-ngulësh që të mbahen, mirëpo ti i ke ndërprerë lidhjet me ne. Baballarët tanë i vrave me shpatë dhe bëre që fëmijët tanë sot të vdesin nga uria.

Të bëjmë me dije se Thumame ibnu Uthali na e ka ndërprerë furnizimin me ushqim, gjë që na ka dëmtuar shumë. Nëse e sheh të arsyeshme t’i shkruash atij të na dërgojë gjithçka që na nevojitet prej gjërave ushqimore, do të na shpëtosh.

Pejgamberi a.s. i shkroi Thumames që t’ua heqë blloka-dën dhe t’u dërgojë atyre gjërat ushqimore, gjë të cilën e bëri menjëherë.

Thumame ibnu Uthali i mbeti besnik tërë jetë fesë islame dhe e ruajti premtimin që i kishte dhënë Pejgamberit a.s. Pas vdek­jes së Pejgamberit a.s., kur arabët nisën të braktisin fenë e Allahut grupe‑grupe dhe në mënyrë individuale, e në fisin beni Hanife u paraqit Musejlemetul Kedh‑dhabi, i cili e thirri popullin e vet që ta besojë atë si pejgamber, Thumameja iu kundërvu haptazi dhe i tha popullit të vet:

“O beni Hanife! Kini kujdes dhe ruajuni nga kjo errësirë, në të cil­ën nuk ka dritë. Betohem në Allahun, se kjo është fatkeqësi të cilën e shkroi Allahu për atë që shkon pas tij dhe sprovim për atë që nuk shkon pas tij.”

Pastaj vazhdoi:

- O beni Hanife! Duhet ta dini se nuk bashkohen dy pejgamberë në të njëjtën kohë! Po ashtu duhet ta dini se Muhammedi është i Dërguari i Allahut pas të cilit nuk ka pejgamber.

Pastaj ua lexoi tri ajetet e para të sures “El‑Mu’min”:

“Ha, Mim. Shpallja e Librit është nga Allahu i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm, i Cili fal mëkatet dhe pranon pendimin, por edhe i Cili dënon rëndë dhe posedon mirësi; nuk ka tjetër Zot përveç Atij. Tek Ai është kthimi i çdo sendi.”

Pas kësaj tha:

- Ku mund të krahasohen Fjalët e Allahut me fjalët e Musejlemes:

“Oj brektosë, krrokat sa të duash. As s’mund të pengosh pijen e as s’mund ta turbullosh ujin.”

Pastaj iu bashkangjitën ata që kishin mbetur në fenë Islame prej popullit të tij dhe vazhdoi t’i luftojë tradhtarët e fesë. Luftoi në rrugën e Allahut dhe për ta lartësuar Fjalën e Allahut në këtë tokë.

Allahu e shpërbleftë Thumame ibnu Uthalin me të mira për kontributin që dha  për fenë islame dhe për muslimanët.

Allahu xh.sh. e nderoftë atë me xhenetin, që ua premtoi të devotshmëve!



[1] Umreja është vizita e Qabes jashtë kohës së haxhit.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top