Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

RREGULLAT E NGRËNIES DHE TË PIRJES

Rregullat_e_ngrenies_dhe_pirjes

RREGULLAT E NGRËNIES DHE TË PIRJES

a)         Rregullat të cilave duhet t’u përmbahet muslimani para ngrënies

1. Të mundohet që ushqimin dhe pijen e tij t’i fitojë me nder, e jo me tradhti a mashtrime, siç thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ju kemi dhënë.” (El-Bekare, 172)

2. Të vendosë të hajë dhe të pijë që të forcohet e të mund të punojë, ashtu që të shpërblehet me atë që ka ngrënë dhe ka pirë.

3. T’i lajë duart para se të ulet të hajë, nëse i ka të papastra ose nuk është i sigurtë në pastërtinë e tyre.

4. Të vërë ushqimin e tij në sofër mbi tokë, jo mbi tavolinë, sepse kjo është më afër devotshmërisë, siç thotë Enesi r.a.: “Nuk ka ngrënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbi huvan (tavolinë) e as në sekërgje (pjatë zbukuruese në të cilën vendoset ushqimi).” (Transmeton Buhariu)

5. Të ulet duke u gjunjëzuar (nëse ha në tokë), në shpinën e këmbëve, ose të mbështetet në këmbën e djathtë e të ulet në të majtën, ashtu siç e kishte zakon Resulull-llahu a.s., duke vepruar sipas fjalëve të tij: “Unë nuk ha duke qenë i mbështetur, sepse unë jam një njeri, ha dhe ulem si njeri.” (Transmeton Buhariu)

6. Të jetë i kënaqur me atë që është përgatitur prej ushqimit dhe të mos u bëjë naze gjellëve e ushqimeve; nëse i pëlqen, le të hajë, e nëse nuk i pëlqen, le ta lërë, ashtu siç thuhet në hadithin e Ebu Hurejres: “Nuk i ka bërë naze hajes Resulull-llahu s.a.v.s. asnjëherë. Nëse i ka pëlqyer, ka ngrënë prej saj, e nëse jo, e ka lënë.” (Transmeton Buhariu)

7. Të hajë së bashku me ndonjë tjetër, qoftë ai mysafir, farefis, fëmijë ose shërbëtor, sipas hadithit: “Tubohuni rreth sofrës suaj që të bëhet bereqet për ju.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë se hadithi është sahih)

b)        Rregullat gjatë ngrënies

1. Të fillojë me emër të Allahut, sipas fjalëve të Resulull-llahut s.a.v.s.: “Kur doni të hani, në fillim të ngrënies thoni: “Bismil-lahi”. E nëse harroni ta përmendni emrin e Allahut të Lartësuar në fillim të ngrënies, kur t’ju kujtohet, thoni: “Bismil-lahi, në fillim e deri në mbarim.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë se hadithi është sahih, i vërtetë)

2. Të mbarojë me falënderim të Allahut, duke thënë: “El hamdu-lil-lah”, sipas hadithit: Kush ha ndonjë ushqim dhe thotë: “EL HAMDU-LIL-LAH (Falënderimi i qoftë Allahut) i Cili më ushqeu me këtë dhe më furnizoi me të pa lodhjen time dhe fuqinë time”, - i falen gabimet e bëra.” (Transme-tojnë Buhariu dhe Muslimi)

3. Të hajë me tre gishtat e dorës së djathtë (nëse nuk ka lugë) e ta marrë kafshatën sa më të vogël, le ta përtypë sa më mirë e të hajë para vetes e jo nga mesi i pjatës, sipas hadithit të Pejgamberit a.s.: “O vogëlush, thuaj Bismilah, ha me të djathtën dhe ha ç’gjendet para teje.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithi: “Bereqeti (begatia) zbret në mes të pjatës me ushqim, prandaj hani nga skajet, e mos filloni nga mesi i saj.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

4. T’i lëpijë gishtat e tij para se t’i fshijë me shami a t’i lajë me ujë, sipas hadithit të Pejgamberit a.s.: “Kur të hani ushqim, të mos i fshini duart derisa t’i lëpini a të jenë të lëpira.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)

5. Nëse i bie në tokë ajo që është duke ngrënë, le ta marrë dhe le ta largojë papastërtinë prej saj e pastaj le ta hajë, duke u bazuar në hadithin: “Nëse ju bie kafshata, merreni atë dhe largojeni prej saj papastërtinë e hajeni, e mos ia lini shejtanit.” (Transmeton Muslimi)

6. Të mos fryjë në ushqimin e nxehtë e të mos e hajë atë derisa të ftohet. Po ashtu, ndalohet fryrja në ujë gjatë pirj-es. Të marrë frymë tri herë gjatë pirjes (jashtë enës për pirje), sipas hadithit që transmeton Enesi r.a.: “Resulull-llahu a.s. ka marrë frymë tri herë gjatë pirjes.” (Transmeto-jnë Buhariu dhe Muslimi) Po ashtu, transme-tohet nga Ebu Saidi se Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar fryrjen në pije. (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është sahih) Për të njëjtën çështje na flet edhe hadithi të cilin e transmeton Ibni Abasi radijAllahu-anhuma, se Pejgamberi s.a.v.s. ka nda-luar të merret frymë në enë ose të fryhet në të. (Transmeton Tirmidhiu)

7. T’i shmanget ngrënies së tepërt, sipas hadithit: “Nuk mbush njeriu enë më të dëmshme se barkun e tij. Njeriut do t’i mjaftonin disa kafshata për ta mbajtur trupin e tij, por nëse nuk mund ta ndalë veten, atëherë (le ta përpjesëtojë lukthin e tij): një të tretën për ushqim, një të tretën për pije dhe një të tretën për frymëmarrje.” (Transmetojnë Ahmedi, ibni Maxhe dhe Hakimi, hadithi është hasen)

8. Të mos marrë ushqim ose pije nëse në tubim gjendet dikush më i vjetër a me nder më të madh, sepse kjo është në kundërshtim me etikën islame dhe një sjellje e tillë bën që njeriu të shfaqet si grykës, e kjo është një cilësi e keqe dhe e palavdëruar.

9. Të mos shikojë shokët e tij gjatë ngrënies dhe të mos i mbikëqyrë ata, se ndoshta turpërohen prej tij. Por duhet ta ulë shikimin rreth asaj që hahet. Po ashtu, të mos i përcjellë ata, se kjo i pengon ata.

10. Të mos bëjë gjëra prej të cilave njerëzit neveriten dhe të mos i shkundë duart në pjatën e tij, të mos e afrojë kokën mbi pijet gjatë ngrënies ose marrjes së ushqimit, sepse mund t’i pikojë nga goja ndonjë send e të bjerë në të. Njeriu nuk duhet të flasë fjalë që kanë të bëjnë me fëlliqësira dhe plehra, se ndoshta dikush prej shokëve të tij shqetësohet, e shqetësimi i muslimanit është haram (gjë e ndaluar).

11. Kur të hajë bukë me të varfrit, le të jetë sa më bujar ndaj tyre dhe le t’u japë përparësi. Kur të hajë me shokët e tij, le të jetë i buzëqeshur dhe le të bëjë mahi (shaka). E kur të hajë bukë me njerëz të gradave të larta (si dijetarët), le të jetë me sjellje dhe nder ndaj tyre.

c)         Rregullat pas ngrënies

1. Të mos e teprojë e të ngopet, duke vepruar sipas urdhrave të Pejgamberit a.s., që të mos arrijë në pengesa shkatërruese, sepse barku u nënshtrohet lehtë sprovimeve.

2. T’i patrojë gishtat (nëse ka ngrënë pa lugë) me shami para se t’i lajë, por nëse i lan duart është më mirë se vetëm fshirja e tyre.

3. Ta mbledhë atë që ka rënë gjatë ushqimit, sepse ajo është falënderim për begatitë.

4. Ta pastrojë gojën dhe dhëmbët, se me të e përmend Allahun (xh.sh.) dhe komunikon me shokët e tij.

5. T’i falënderohet Allahut të Lartësuar pas ngrënies dhe pijes, e nëse ka pirë qumësht të thotë “Allahu im, lësho begati në atë me çka na furnizove dhe shtona prej saj!”

Kur të hajë në sofër të huaj, në fund të ngrënies, le të thotë: “Hëngrën te ti agjëruesit e ushqimin tënd e hëngrën të pastërtit, e engjëjt ju pastruan.”

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

Read more...

RREGULLAT BASHKËSHORTORE

Rregullat_bashkeshortore

RREGULLAT BASHKËSHORTORE

1. Të zbukurohet secili prej bashkëshortëve për njëri-tjetrin.

2. Burri është i detyruar të kujdeset për sunetet e fitres, të cilat janë: sunetimi, rruajtja e vendeve të turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve dhe heqja e qimeve nën sqetulla. Po ashtu, me këto rregulla obligohet edhe grua-ja; që të dy janë të detyruar të mos kalojnë më tepër se dyzet ditë pa i përmbushur këto obligime. Muslimania duhet të largohet nga traditat e jobesimtarëve (kafireve), siç është tradita e rritjes së thonjve dhe ngjyrosja e tyre.

3. Të largohet bashkëshortja nga tatuazhi, që do të thotë nga zbukurimi i trupit me pika dhe vizatime të ndryshme e po ashtu edhe nga heqja e vetullave, qoftë tërësisht a pjesërisht, ose nga heqja e qimeve të fytyrës. Të gjitha këto që përmendëm janë të ndaluara dhe njëkohësisht të mallkuara nga Pejgamberi a.s., siç thotë hadithi: “Allahu i ka mallkuar ata që bëjnë tatuazh dhe atyre që u bëhet, ato që i heqin vetullat dhe atyre të cilave u hiqen dhe ato që i ndajnë dhëmbët për zbukurim, të cilët e ndryshojnë krijesën e Allahut.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

4. Të falin bashkëshortët nga dy rekate namaz së bashku, siç transmetohet se Ibni Mesudi r.a. e paska urdhëruar Ebu Harizin që, kur t’i afrohet bashkëshortes, t’i falë ajo pas tij dy rekate namaz. (Transmetojnë Ebu Bekr bi Ebi Shejbe dhe Taberaniu)

Kjo njëkohësisht është edhe përkujtim për palën bashkë-shortore që, nëse dëshirojnë shpëtim në dunja dhe në ahiret, atëherë le ta ngrenë jetën e tyre në devotshmëri.

5. Të vërë burri dorën e tij në ballin e saj e pastaj le të thotë: BISMIL-LAHIRR-RRAHMANIRR-RRAHIM. ALLAHUMME INNI ESELUKE MIN HAJRIHA VE HAJRI MA XHEBELTEHA ALEJHI, VE EUDHU BIKE MIN SHERIHA VE SHERI MA XHEBELTEHA ALEJHI, që do të thotë: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirë-bërësit! O Allahu im, unë kërkoj prej Teje të mirën e saj dhe të mirën që ke krijuar në të dhe kërkoj të më mbrosh prej sherrit të saj dhe prej sherrit që ke krijuar në të.” (Transme-ton Buhariu)

6. Të mos harrojë bashkëshorti që, para kontaktit me bashkëshorten e tij, të thotë: BISMIL-LAHI ALLAHUMME XHENIBNASH-SHEJTANE, VE XHENNIBISH-SHEJTANE MA REZE-KTENA, që do të thotë: “Në emër të Allahut. O Allahu im, largoje shejtanin prej nesh dhe largoje shejtanin prej asaj me çka na ke pajisur (furnizuar)!” (Transmeton Buhariu)

7. Bashkëshortëve u lejohet t’i shohin pjesët e turpshme të njëri-tjetrit. Aishja r.a. thotë: “Ishim duke u larë unë dhe i Dërguari i Allahut salallahu-alejhi-ue-selem prej një ene që gjendej mes meje dhe atij. Në të përziheshin duart tona. Ai më lagte mua derisa i thosha: Më lër mua, më lër mua. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

8. Për njeriun e papastër (xhunubin) preferohet të marrë abdestt para se të shtrihet në shtrat, e nëse lahet, atëherë është edhe më mirë. Transmetohet nga Abdullah ibni Kajsi se e paska pyetur Aishen radiAllahu-anha se si vepronte Resulull-llahu-sallAllahu alejhi ue-selem kur ishte i papastër: “A pastrohej para se të binte për të fjetur apo flinte para se të pastrohej?” E ajo kishte thënë: “Të gjitha këto i bënte. Ndonjëherë pastrohej e flinte, e ndonjëherë merrte abdestt e flinte.” (Pasi mori vesh përgjigjen) Tha: “Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili ka lënë fushëveprim të gjerë në këtë çështje.” (Transmeton Muslimi)

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

 

Read more...

RREGULLAT PËR LEXIMIN E KUR’ANIT

Rregullat_e_leximit_te_kuranit

RREGULLAT PËR LEXIMIN E KUR’ANIT

1. Të lexojë Kur’an me abdestt.

2. Të pastrojë gojën me misvak (a brushë), para se të fillojë leximin e Kur’anit.

3. Të lexojë Kur’an në vende të pastra.

4. Të ulet drejt Kibles me devotshmëri, butësi, serio­zi­tet dhe kokulur.

5. Të shqiptojë me zë EUDHU BIL-LAHI MINESH-SHEJTANIRR-RRAXHIM, që do të thotë: Kërkoj prej Allahut që të më mbrojë prej shejtanit të mallkuar.

6. Të lexojë me tertil (rrjedhshëm).

7. Të logjikojë rreth asaj që lexon.

8. Kur të lexojë Kur’an, të qajë a të bëjë sikur qan.

9. Të lexojë me zë të bukur.

10. Të lexojë me zë, nëse nuk pengon ata që falen, lexojnë a flenë.

11. Të lexojë duke shikuar në Kur’an, meqë shikimi në të është ibadet (adhurim).

12. Të mos bisedojë me dikë gjatë leximit, përveçse në raste urgjente.

13. Të mos qeshë e as të mos luajë gjatë leximit të Kur’anit, e as të mos shikojë në gjërat që e zbavisin (ia tërheqin vëmendjen).

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

Read more...

RREGULLAT E DUASË (lutjes)

Rregullat_e_duase

1.    RREGULLAT E DUASË (lutjes)

 

1. Madhërimi i Allahut të Lartmadhërishëm dhe salavati mbi Pejgamberin alejhi selam para se t’ia fillojmë duasë. Ngase ne kërkojmë prej Tij që të na begatojë, të na mëshi-rojë dhe të na falë. Andaj është e arsyeshme që lutjes t’i bëjmë një hyrje që përmban falënderim dhe madhërim ndaj Zotit Lavdiplotë.

Nga Fedale bin Ubejdi transmetohet të ketë thënë: “Derisa Resulull-llahu po rrinte ulur, hyri një njeri dhe u fal, pastaj tha: “O Allah, më fal mua dhe më mëshiro.” Atëherë Muhammedi a.s. tha: “Nxitove, o ti musal-li (falës i namazit). Kur të kryesh faljen, derisa je ulur, falënderoje Allahun me atë që meriton dhe ço salavat mbi mua e pastaj bë dua.” Pastaj erdhi dhe u fal një tjetër. Falënderoi Allahun, çoi salavat mbi Pejgamberin a.s. Këtij i Dërguari i tha: “O ti musal-li, tani lutu, se të pranohet.” (Transmeton Tirmidhiu, ndërsa hadithi është sahih)

 

2. Bindja e mirë ndaj Allahut të Lartë

I Lartmadhërishmi thotë: “E kur robërit e mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet.” (El-Bekare 186)

Pra Allahu xh.sh. është afër nesh, Ai është me ne, me diturinë, me gjerësinë dhe mbrojtjen e Tij.

Pejgamberi a.s. na ka urdhëruar që çështjen e pranimit t’ia lëmë Allahut xh.sh. dhe të jemi të bindur se do ta fitoj-më atë që e shpresojmë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu-anhu se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Luteni Allahun duke qenë të bindur se Ai ju përgjigjet.” (Transmeton Tirmidhiu e hadi-thi është hasenun sahih) që do të thotë: Të besoni se Allahu xh.sh. nuk jua ndërpret të mirat e Tij. Sepse buja-ria e Tij është e gjerë, dhuntia e Tij është e madhe sa herë që lutësi lutet. Shpresa e tij e mban dhe lutja e tij është e sinqertë. Ngase, nëse shpresa e duaxhiut (lutësit) tek Allahu nuk është e fortë, duaja e tij nuk është e sinqe-rtë.

 

3. Pranimi i mëkatit 

 

Kjo punë është përsosmëri e adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar. Transmetohet nga Ali bin Ebi Talibi r.a., i cili e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Me të vërtetë Allahu mahnitet me robin kur thotë: “Nuk ka zot përveç Teje. Me të vërtetë unë i bëra vetes të padrejtë, m’i fal mua gabimet se vërtet nuk ka kush që i fal gabimet përveç Teje.” Thotë (Allahu xh.sh.): “Robi im e di se ai ka Zot i cili fal dhe dënon.” (Transmeton Hakimi, ndërsa hadithi është sahih, i vërtetë)

 

4. Vendosmëria në lutje 

 

Transmetohet prej Enes bin Malikut r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të bëni dua, të jeni të vendosur në lutjen tuaj e të mos thoni: “O Allahu im, nëse dëshiron, më jep mua,” sepse nuk ka kush që e imponon Atë.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)

Qëllimi i vendosmërisë në kërkim është të kërkosh me këmbëngulje dhe të kërkosh prej Allahut me zell.

 

5. Vrullshmëria në dua (lutje) 

Transmetohet nga Aishja radiAllahu - anha se asaj i ishte vjedhur një çarçaf dhe filloi të lutet (keq) për atë që ia kishte vjedhur. Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: “Mos e shka-rko atë.” (Transmeton Ebu Davudi, hadithi është i vërtetë) Domethënë, mos ia lehtëso me lutjen tënde mëkatin atij i cili meriton dënimin për atë që ka vjedhur.

 

6. Lutja të bëhet tri herë

 

Është vërtetuar sipas Sunetit, ashtu edhe siç gjendet në hadithin që e transmeton Muslimi nga Ibni Mesudi r.a.: “Pasi Pejgamberi a.s. e kreu namazin e tij, ngriti zërin dhe filloi të lutet për ta (kurejshitët). Ai e kishte zakon që, kur lutej, të përsëriste tri herë lutjen e tij. E këtë herë tha: “O Allah, Ti u dalsh hakut kurejshitëve! O Allah, Ti u dalsh hakut kurej-shitëve! O Allah, Ti u dalsh hakut kurejshitëve!”

 

7. Duaja (lutja) të bëhet me fjalë që kanë kuptim përmbledhës

Kjo do të thotë që fjalët në dua (lutje) të jenë të pakta por të dobishme, fjalë që i nxjerrin domethëniet më të forta me pak fjalë dhe që të arrihet qëllimi në mënyrë më përmbledhëse dhe më të qëlluar. Në “Sunenin” e Ebu Davu-dit dhe Musnedin e Ahmedit transmetohet se Aishja radi- Allahu-anha ka thënë: “Pejgamberi salallahu-alejhi-ue-sel-lem gjithmonë i mbivlerësonte duatë me kuptim përmble-dhës dhe i linte të tjerat pas tyre.”

Prej këtyre lutjeve është edhe lutja e transmetuar nga Ferve bin Naufeli: “E kam pyetur Aishen radiAllahu-anha se cilën lutje bënte Pejgamberi s.a.v.s., e ajo më tha: “Pejga-mberi a.s. kishte traditë të thotë:

ALLAHUME INI EUDHU BIKE MIN SHERR-RRI MA AMELT VE SHERR-RRI MA LEM A’MEL.

(O Allahu im, kërkoj të më mbrosh prej sherrit që kam bërë dhe prej sherrit që nuk e kam bërë.” (Transmetojnë Muslimi dhe Ebu Davudi)

Po ashtu, transmetohet nga Musa El Esh’ari r.a., se ai e kishte dëgjuar Pejgamberin a.s. duke u lutur me këtë lutje: “O Allahu im, më fal gabimin tim, paditurinë time, harxhi-min tim, në çështjet e mia, për të cilat Ti je më i dijshëm sesa unë. O Allahu im, më fal mua atë që e kam thënë me seriozitet dhe atë që e kam thënë me mahi, atë që e kam thënë gabimisht dhe atë që e kam thënë qëlli-misht dhe çdo gjë që gjendet tek unë. O Allahu im, më fal mua atë që më ka kaluar dhe atë që do të vijë. Atë që e kam bërë fshehurazi dhe atë që e kam bërë haptazi dhe atë që Ti e di më mirë se unë, se Ti je i Pari dhe i Fundit. Ti je i Fuqishëm për çdo gjë.” (Transmeton Muslimi)

 

8. Lutësi të fillojë prej vetes

Siç është përmendur në Fjalët e të Lartësuarit: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim.” (El-Hashër 10) dhe po ashtu në fjalët: “Zoti im, më fal mua dhe vëllanë tim dhe na dhuro mëshirën Tënde.” (El-A’raf, 151)

Po ashtu edhe në fjalët: “Zoti ynë, më fal (gabimet) mua dhe falua prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.” (Ibrahim, 41)

Ibni Abasi transmeton nga Ebejje bin Kabi: “Me të vërtetë Pejgamberi a.s. kur ka bërë dua për dikë, më së pari ka bërë dua për vete e pastaj për të tjerët.” (Tran-smeton Tirmidhiu)

Por kjo nuk ka qenë traditë e përhershme e Pejgam-berit a.s. sepse ka raste kur Pejgamberi a.s. ka bërë dua për të tjerët e nuk ka bërë për vete, siç është hadithi ku Pejgamberi a.s. thotë: “E mëshiroftë Allahu nënën e Ismailit, sikur ta kishte lënë Zem-Zemin, do të ishte bërë burim i përcaktuar.” (Hadithi bën fjalë për rrëfimin e Haxheres sh.p.)

 

9. Të zgjedhë kohë të përshtatshme për lutje

Prej kohëve më të përshtatshme për dua është fundi i natës, koha mes ezanit dhe ikametit, koha kur gjendemi në sexhde, kur jemi të brengosur, pas ikindisë në ditën e xhuma, në Ditën e Arafatit, koha kur bie shi, në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit etj.

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi


Read more...

MUADH IBNU XHEBELI

muadh_ibnu_xhebeli

MUADH IBNU XHEBELI

“Më i dijshmi i ymmetit tim për hallallin dhe haramin është Muadh Ibnu Xhebeli.”

Muhammedi a.s.

Kur Gadishulli Arab u ndriçua me dritën e Kur'anit dhe të drej­tësisë, djaloshi jethribas (medinas), Muadh ibnu Xhebeli, ishte ende i ri. Në vendin e tij dallohej me mendjemprehtësi, largpamësi dhe vendosmëri të lartë.

Krahas kësaj, ai ishte i pashëm, syzi, flokëkuqrremtë, dhëmbë ve­zullues, ia mbushte syrin atij që e shikonte dhe i pushtonte zemrën.

Muadhi pranoi Islamin nën ndikimin e thirrësit mekas, Mus'ab ibnu Umejrit.

Natën e ngjarjes së Akabes u shtri dora djaloshare e Muadhit dhe u përshëndet me dorën e Pejgamberit fisnik dhe ia dha besën atij me dëshirë...

Muadhi ishte në grupin e përbërë prej 72 vetave, të cilët ia mësynë Mekës dhe u gëzuan pa masë për takimin që patën me Resulullahun a.s., për përcjelljen që i bënë atij me ndërmarrjen e hapave të historisë më të shkëlqyeshme dhe për t'i shënuar faqet e saj më të ndritshme...

*   *   *

Posa u kthye nga Meka, së bashku me disa moshatarë të tij formoi një grup për t'i thyer idhujt dhe dëbuar nga shtëpitë e poli­teis­tëve në Jethrib, duke e kryer këtë herë fshehurazi e nga­njëherë edhe haptazi. Në saje të lëvizjes së tyre, njëri prej burrave më të mëdhenj të Medinës, i quajtur Amr ibnu El‑Xhumuh, pranoi fenë islame.

*   *   *

Amri ka qenë njëri prej krerëve të fisit Benu Seleme dhe njëri nga zotërinjtë e tij.

Ai mori për vete një idhull të punuar prej drurit të çmueshëm, ashtu siç bënin të gjithë autoritarët. Plaku kujdesej shumë për idhullin e tij..., saqë e mbështillte me mëndafsh, e lyente dhe e pud­roste çdo mëngjes me erëra të këndshme.

Fatosat u ngritën dhe shkuan tek idhulli i Amrit në errësirë të na­tës, e hoqën prej vendit të vet dhe dolën me të mbrapa shtëpive të fisit Benu Seleme dhe e hodhën në një gropë në të cilën grum­bu­lloheshin mbeturinat...

Posa u zgjua, plaku e kërkoi idhullin por nuk e gjeti, e kërkoi në çdo vend, derisa e gjeti të përdhosur në një gropë, të zhytur në mbe­turina, e atëherë tha: Mjerë për ju, kush bëri armiqësi ndaj zotit tonë këtë natë?!

E nxori idhullin nga mbeturinat, e pastroi, e pudrosi dhe e ktheu në vendin e mëparshëm e iu drejtua:

O “Menat”,[1] për Zotin, sikur ta di se kush e bëri këtë me ty, do ta poshtëroja...

Kur u errësua, plaku ra për të fjetur, kurse djelmoshat u për­vodhën, shkuan deri tek idhulli dhe vepruan njësoj si natën e ka­luar... Ai e kërkoi idhullin përsëri, gjersa e gjeti në një gropë tjetër... E nxori atë, e pastroi, e pudrosi dhe iu kërcënua ashpër atyre që bënë armiqësi ndaj tij...

Pasi e njëjta gjë u përsërit, plaku e nxori idhullin prej nga e kishin hedhur dhe e pastroi atë... Pastaj mori një shpatë të cilën ia vuri idhullit dhe iu drejtua duke i thënë: - Për Zotin, nuk e di kush po vepron kështu ndaj teje, gjersa ti e sheh.... Nëse ke diçka të mirë e të dobishme, o Menat, atëherë mbroje vetveten... ja këtë shpatë e ke me vete...

Përsëri gjatë natës shfaqën armiqësi ndaj idhullit dhe ia morën shpatën e varur në qafë... E lidhën te fyti një qeni të ngor­dhur dhe i hodhën që të dy në njërën prej atyre gropave.

Kur u zgjua, plaku filloi të kërkojë idhullin e vet, derisa e gjeti të hedhur në mes të mbeturinave, krahas një qeni të ngordhur dhe të përlyer në fytyrë.

Në atë rast e shikoi dhe tha:

- Për Zotin, po të ishe zot, ti nuk do të ishe në mes të një gro­pe i lidhur së bashku me një qen.

Andaj plaku nga fisi Benu Seleme pranoi Islamin dhe shqiptoi fjalën e dëshmisë.

Kur Pejgamberi a.s. arriti në Medinë, djaloshi Muadh ibnu Xhe­bel u shoqërua me të dhe e përcillte si hija objektin e vet. Nga ai mori Kur'anin dhe legjislaturën islame, derisa u bë njeri prej le­xuesve më të spikatur të Librit të Zotit prej radhëve të sahabëve si dhe u bë njohës i dispozitave të Tij...

Jezid ibnu Kutejbi në lidhje me këtë na rrëfen:

- Kam hyrë në xhami të Himsit (vend në Siri), kur, ja, një djalosh me flo­kë kaçurrela, kurse përreth tij janë mbledhur njerëzit. Kur fliste ai, dukej sikur nxirrte nga goja dritë dhe xhevahir. Pyeta: - Kush është ky?!

Më thanë: -Ky është Muadh ibnu Xhebeli.

*   *   *

Ebu Muslim El‑Havlanij[2] transmeton dhe thotë: “Kam ardhur në xhami të Damaskut, ku kishte një rreth njerëzish (tubim për të fituar dije v.j.) nga shokët eminentë të Muhammedit a.s. Në mesin e tyre qëndronte një i ri, syzi, dhëmbëbardhë dhe kurdo që nuk pajto­he­shin rreth ndonjë çështjeje në lëmin e dijes këshilloheshin me atë djalosh. Atëherë pyeta njërin që ishte ulur pranë meje.

- Kush është ky?!

Ai tha: -Është Muadh ibnu Xhebeli.

*   *   *

Kjo nuk është për të na befasuar, sepse Muadhi është edukuar dhe arsimuar në shkollën e Pejgamberit s.a.v.s. qysh kur i ka pasur thonjtë ende të butë. Ai doli nga duart e tij, e mori dijen prej burimeve të tij të begatshme, mori njohuritë nga burimi i vër­tetë dhe ishte nxënësi më i mirë i mësuesit më të mirë.

Muadhit i mjafton për dëshmi ajo që për të ka thënë Pejgamberi a.s.:

“Më i dituri nga umeti im mbi hallallin dhe haramin është Mua­dhi.” Mjafton që ai është vlerësuar mbi gjithë umetin e Muhammedit a.s., sepse ai ka qenë njëri prej gjashtë vetëve që e kanë tubuar Kur'anin në kohën e Pejgamberit a.s.

Kështu që, kur bisedonin sahabët dhe në mesin e tyre gjendej Mua­dhi, ata e shikonin me respekt për hir të diturisë që zotëronte.

*   *   *

Meqë kishte aftësi të dalluar, Muhammedi a.s. dhe dy halifët pas tij e kanë angazhuar Muadhin në shërbim të fesë islame dhe të muslimanëve.

Kur Muhammedi a.s. i sheh grupet kurejshite të cilat turma­-tur­ma hynin në Islam, ai e ndjeu nevojën e muslimanëve të rinj për një mësues të madh i cili do t'ua mësojë Islamin dhe do t'i pajisë me njo­huri mbi dispozitat islame. Atëherë Muhammedi a.s. emëroi si përfaqësues të vetin në Mekë Attab ibnu Usejdin, ndërsa Muadhin e angazhoi aty që t'ua mësojë njerëzve Kur'anin dhe që t'i pajisë ata me njohuri islame.

*   *   *

Kur erdhën emisarët e mbretërve të vendeve të Jemenit te Re­sulullahu a.s. që të pranojnë Islamin, ata kërkuan që të dërgohet me ta cilido që t'ua mësojë njerëzve fenë e tyre, atëherë Pejgam­beri a.s. vendosi që për këtë mision ta emërojë njeriun më të aftë dhe më të shkathët ndër shokët e tij. Andaj, me këtë detyrë anga­zhoi Muadhin dhe e urdhëroi të shkojë me ta.

Pejgamberi fisnik doli që ta përcjellë vetë këtë dele­ga­cion të udhërrëfyesve të dritës... Ai filloi të ecë në krahun e posh­tëm të devesë së Muadhit, gjersa ai ishte hipur.

Pejgamberi a.s. vazhdoi të ecë krahas tij dhe siç dukej kënaqej në shoqëri me Muadhin...

Pastaj i dha këtë porosi:

- O Muadh! Ndoshta nuk do të më takosh mbas këtij viti... sigu­risht se ti do të kalosh pranë xhamisë sime dhe varrit tim...

Atëherë Muadhi qau përmallshëm, sepse po ndahej nga Pejgam­beri a.s., e me të qanë edhe muslimanët...

*   *   *

Paralajmërimi i Pejgamberit fisnik u vërtetua, sepse sytë e Mua­dhit nuk u kënaqën më dhe nuk e panë Muhammedin a.s. mbas atij rasti.

Pejgamberi a.s. u nda nga kjo jetë para se të kthehet Muadhi nga Jemeni.

Pa dyshim se Muadhi qau posa u kthye në Medinë, kur pa varrin ku ishte vendosur trupi i të dashurit të tij ‑ Pejgamberit a.s.

*   *   *

Kur e mori sundimin Omeri r.a., ai e dërgoi Muadhin te fisi Benu Kilab me qëllim që t'ju ndajë atyre pasuritë e tyre dhe t'iu shpër­ndajë varfnjakëve lëmoshën e të pasurve. Muadhi e kreu me nder atë që i ishte besuar dhe u kthye te gruaja e vet me një shtrojë (e cila vendoset mbi shpinë të kafshës, nën shalë), me të cilën kish­te shkuar dhe e kishte mbështjellur për qafe, kurse e shoqja i tha:

‑ Ku është dhurata që më ke sjellë, ashtu siç ju sjellin mëkëm­bësit (sunduesit) familjeve të tyre?!

Ai iu përgjigj:

‑ Unë kisha një Përcjellës (Allahu xh.sh) gjithnjë të zgjuar që më përcillte mua.

Ajo tha:

‑ Ti ishe besnik ndaj Resulullahut dhe ndaj Ebu Bekrit, e Omeri ka dërguar përjcjellës për ty?!!

Ajo e përhapi këtë lajm te gratë e Omerit dhe iu ankua atyre... Lajmi i arriti Omerit, i cili e thirri Muadhin dhe i tha:

‑ Unë të kam dërguar ndonjë përcjellës që të të përcjellë ty?!

Ai iu përgjigj:

‑ Jo, o emir i besimtarëve, por unë nuk gjeta diçka që të arsye­to­hem tek ajo, përveç kësaj...

Omeri r.a. qeshi dhe i dha atij diçka e i tha:

‑ Bëje të kënaqur me të...

 

*  *  *

Në kohën e Omerit, atij i shkroi mëkëmbësi i Shamit, Jezid ibnu Ebi Sufjani, e i thotë:

- O emir i besimtarëve, vërtet populli i Shamit është shtuar dhe ka mbushur qytetet. Ata kanë nevojë për një njeri i cili ua më­son Kur'anin dhe fenë e tyre, prandaj më ndihmo me njerëz, o emir i besimtarëve, që do t'i mësojnë ata. Atëherë Omeri thirri pesë veta të cilët e kishin tubuar Kur'anin në kohën e Pejgamberit a.s.

Ata ishin: Muadh ibnu Xhebeli, Ubade‑tu ibnu es‑Samiti, Ebu Ej­jub el Ensariju, Ubejj ibnu Ka'bi dhe Ebu ed‑Derda', kurse Omeri iu drej­tua atyre:

- Vërtet, vëllezërit tuaj nga populli i Shamit kanë kërkuar ndihmë nga unë që t'ju dërgoj njerëz, që do t'iu mësojnë atyre Kur'anin dhe do t'i pajisin me dije për fenë e tyre, andaj më ndih­moni ‑ Zoti ju mëshiroftë ‑ tre nga ju, nëse dëshironi zgjidhuni (hidhni short), e nëse jo, atëherë do t'i caktoj tre prej jush.

Ata thanë:

‑ Përse të hedhim short? Ebu Ejjubi është i moshuar, kurse Ubejji njeri i sëmurë, andaj kemi mbetur ne të tre.

Omeri iu tha:

‑ Filloni në Hims dhe kur të kënaqeni me gjendjen aty, njëri prej jush le të mbetet aty, kurse njëri le të shkojë në Damask dhe i treti në Palestinë!

Sahabët e Resulullahut u ngritën dhe e zbatuan atë që i urdhëroi Omeri duke filluar së pari në Hims...

Pastaj aty mbeti Ubade ibnu Samiti, Ebu Derda shkoi në Da­mask, kurse Muadhi shkoi në Palestinë.

*    *    *

Muadhin atje e goditi kolera.

Në momentet e vdekjes, ai u drejtua nga kibla dhe filloi të për­sërisë këtë refren:

- Mirë se erdhe (merhaba) oj vdekje, mirë se erdhe!

Një vizitor ka ardhur mbas një mungese...

Një i dashur vizitoi me mall...

Pastaj shikoi kah qielli dhe tha:

- O Zoti im, Ti e di se vërtet nuk e kam dashur këtë botë, as qën­drimin e gjatë në të për mbjelljen e drunjve (pemëve) e as për rrje­dhën e lumenjve...

Por, isha i etur për diçka më të vlefshme (më meritore) dhe më të rëndë: për t'i mbartur vështirësitë në tubimet e dijetarëve dhe për të hyrë në radhët e përkujtuesve të dijës...

O Zoti im, pranoje shpirtin tim me mirësinë Tënde që Ti e pra­non shpirtin besimtar.

Pastaj u largua shpirti i tij i pastër nga trupi, duke qenë larg familjes dhe farefisit shpirti i thirrësit në të vërtetën i shpërngulur në rrugën e Allahut.

 


 


[1] Menat: Është emri i idhullit të cilin ai adhuronte.

[2] Ebu Muslim el‑Havlanij: Është njëri prej tabiinëve (nga gjenerata e parë pas Muhammedit a.s.) më të njohur nga Jemeni.

 

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

Read more...

SELEME IBNU KAJS EL‑ESHXHE'IJUSELEME IBNU KAJS EL‑ESHXHE'IJU

seleme_ibnu_kajs_eleshxheiju

SELEME IBNU KAJS EL‑ESHXHE'IJU

Omer el‑Faruku e kaloi tërë natën pa gjumë duke ruajtur në pe­ri­feri të Medinës me qëllim që njerëzit të flejnë, t'i mbyllin qe­pallat e tyre, të jenë të sigurtë dhe të kënaqur.

Gjatë lëvizjeve të tij ndërmjet shtëpive dhe tregjeve, ai përku­jtoi burrat e mëdhenj dhe trima nga radhët e shokëve të Resulu­llahut, që t'i dorëzojë bajrakun dhe ta emërojë komandant ushtarak njërin prej tyre që të shkojë dhe ta çlirojë Ahvazin (krahinë e cila shtrihet në perëndim të Iranit)...

Pastaj, papritmas brohoriti duke thënë: “Triumfova në këtë çësh­tje, po triumfova, në qoftë se dëshiron Allahu...” Kur ia dha agu i mën­gjesit, ai e ftoi Seleme ibnu Kajs el‑Eshxheijun dhe i tha:

- Vërtet, unë të emëroj ty në krye të ushtrisë e cila do të drej­tohet për në Ahvaz, atëherë ec me emër të Allahut dhe luftoje në rru­gën e Allahut atë që nuk i beson Atij. Kur të ndesheni me armi­kun tuaj nga politeistët, ftoji ata në Islam, e nëse hyjnë në Islam, atëherë le të zgjedhin qëndrimin në trojet e tyre dhe të mos marrin pjesë me ju në luftë kundër të tjerëve. Ata nuk kanë kurrfarë obli­gimi përveç zekatit e as në pasuri (plaçkë) të luftës nuk kanë të drej­të (nuk iu takon asgjë).

- Ose le të zgjedhin që të luftojnë së bashku me ju, atëherë aty­re iu takon çdo gjë, siç ju takon juve dhe obligimet e tyre janë sikurse tuajat. Nëse ata e refuzojnë hyrjen në Islam, atëherë kërko prej tyre xhizjen[1], i lërini ata në punët e tyre dhe mbrojini nga armiku i tyre, e as mos i detyroni për atë që nuk kanë mundësi. Por, nëse e refuzojnë edhe këtë, atëherë luftojini, sepse Zoti vërtet është ndihmëtari juaj kundër tyre. Në qoftë se rezistojnë në ndonjë kështjellë, pastaj kërkojnë nga ju që t'i nënshtrohen gjykimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, mos e pranoni atë prej tyre, sepse ju nuk e dini se ç'është gjykimi i Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

- Nëse kërkojnë prej jush besën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, mos ua premtoni atë, por u jepni besën tuaj...

- Nëse fitoni luftën, mos u jepni pas plaçkës, mos tradhtoni, mos luani me kokat e të vrarëve e as mos i vritni të miturit!...

Selemeja iu përgjigj: - Të dëgjoj dhe të respektoj, o prijës i muslimanëve...

Atëherë Omeri e përcolli me ngrohtësi, ia shtrëngoi dorën fort dhe kërkoi prej tij që t'u përmbahet urdhrave.

Ai e çmonte dhe e vlerësonte lart rëndësinë e ekspeditës së ma­dhe që ia besoi përfaqësuesit të vet dhe fuqinë e ushtri-së së tij.

Arsyeja për këtë ishte se Ahvazi ishte vend malor, me rrugë të vështira, i mbrojtur në pikëpamje strategjike me shtrirjen e tij ndër­mjet Basrës dhe Tuhumit të Persisë, ku banonin njerëzit e fu­qishëm kurdë.

Muslimanët nuk kishin zgjidhje tjetër, përveç çlirimit të Ahvazit apo të dominojnë në të që ta mbrojnë shpinën e tyre nga sulmet e persianëve (iranasve) mbi Basra, që t'i pengojnë në synimet për të marrë Basrën, për të mos e bërë bazë ushtarake të tyre, në mënyrë që të mos rrezikohet paqja dhe siguria e Irakut...

*   *   *

Seleme ibnu Kajsi shkoi në krye të ushtrisë luftëtare, në rrugën e Allahut, dhe pak nga pak depërtonin në thellësi të tokës së Ahvazit gjersa u kacafytën me vrazhdësinë dhe pozitën e ashpër gjeografike të tij.

Ushtria zuri të vuaj nëpër kodrat e thepisura e të rrëpinjta duke u ngjitur mbi to e pastaj edhe duke zbritur nëpër ultësirat e ­mbu­shura me ujë.

Ajo duhej t'u bënte ballë gjarpërinjve dhe akrepave helmues, qof­të zgjuar apo fjetur.

Por shpirti i besimtarit dhe i njeriut largpamës, Seleme ibnu Kaj­sit, valonte me krahët e tij mbi ushtrinë e vet, ndërsa vuajtjet zunë t'u lehtësohen dhe ato terrene tejet të vështira iu dukeshin edhe më të kapërcyeshme.

Kohë pas kohe ai u jepte këshilla, të cilat i ngashërenin shpirtrat e tyre. Netët ua bënte të lumtura me zërin e ëmbël të tij duke lexuar Kur'an. Ata magjepseshin me të dhe bëheshin shend e verë. Kredheshin në mendime në përpjekje për të kuptuar domethëniet e ajeteve kur'anore.

Ata harronin vuajtjet dhe mundimet e përjetuara gjatë ditës.

*   *   *

Selemeja e respektoi urdhrin e halifit të muslimanëve posa u ta­kua me popullin e Ahvazit. Ai i ftoi ata të pranojnë Fenë e Allahut, kurse ata e kundërshtuan dhe nuk e pëlqyen...

I ftoi që ta japin xhizjen, por ata edhe këtë e refuzuan me mendjemadhësi...

Atëherë muslimanëve nuk iu mbeti tjetër përveçse t'i luftojnë. E filluan luftën në rrugën e Allahut, të kënaqur nga Ai për të mirat që do t'iu dhurojë...

*   *   *

U zhvilluan beteja të ashpëra dhe të zjarrta, nga të cilat di­gjeshin dhe fluturonin pjesë të djegura nga trupi. Që të dy palët kun­dërshtare treguan trimëri të rrallë, që nuk është hasur në beteja të tjera.

Pastaj, nuk vonoi shumë dhe këto beteja të përgjakshme për­fun­duan me fitoren e pastër të muslimanëve, të cilët luftonin për ta lar­tësuar Fjalën e Allahut. Në këto beteja armiku pësoi humbje të mëdha.

*   *   *

Kur përfundoi lufta plotësisht, Selemeja shpejtoi t'ua ndajë ushta­rëve të vet plaçkën e luftës. Në to gjeti një stoli të çmueshme dhe dëshiroi që t'ia dërgojë emirit të besimt-arëve dhe iu drejtua ushta­rëve të vet duke iu thënë:

- Nëse kjo stoli ndahet ndërmjet jush, atëherë për ju kjo nuk do të vlejë asgjë... A jeni të kënaqur po qe se ia dërgojmë këtë Emi­rit të besimtarëve (Omerit r.a.)?

Ata iu përgjigjën:

Po.

Atëherë ai e vendosi stolinë në një arkë të vogël, thirri njërin nga fisi El‑Eshxha' dhe i tha:

Shko deri në Medinë me shërbëtorin tënd, lajmëroje Omerin r.a. mbi fitoren e shënuar dhe dorëzoja këtë stoli të çmuar!

Ekziston një histori lidhur me Omerin r.a. dhe njeriun nga El‑Eshxhe'ijjët, në të cilën mund të marrim mësime dhe këshilla. Në vazhdim po citojmë fjalët e këtij njeriu.

“Shkova së bashku me shërbëtorin tim gjer në Basra, blemë dy deve me atë pasuri që na dha Seleme ibnu Kajsi dhe ngarkuam gjërat e nevojshme për udhëtim.

Shkuam duke mbajtur anën e djathtë në drejtim të Medinës dhe kur arritëm atje kërkova emirin e besimtarëve.

Atë e gjeta duke iu ofruar drekë muslimanëve, mbështe-tur mbi një shkop mu si bariu. Ai sillej rreth sofrave dhe i thoshte shër­bë­torit të tij, Jerfes:

O Jerfe, sillju këtyre mish... këtyre sillju bukë..., kurse këtyre sillju gjellë...

Posa arrita tek ai, më tha – “ulu”, dhe kur u ula mbrapa atyre nje­rëzve, ai më dha ushqim gjersa u ngopa. Pas ngrënies së ushqi­mit, Omeri më tha “ngrije sofrën tënde” e pastaj u nis për në shtë­pi, kurse unë e ndoqa pas.

Kur hyra në shtëpi të tij, kërkova leje që të hyj edhe unë dhe atë e gjeta ulur mbi një dyshek prej leshi, mbështetur në dy jastëkë të lëkurës, të mbushur me lëvore të hurmës. Ma dha një­rin prej tyre dhe u ula mbi të. Mbrapa tij pashë një perde nga e cila u drejtua dhe thirri:

Oj Ummu Kulthum, sillna drekën tonë...

Thashë me vete: A thua, çfarë do të jetë ushqimi i Emirit të besimtarëve të cilin e ka përgatitur enkas për vete? E shoqja ia solli bukën me lëng (vaj) ulliri mbi të cilën kishte kripë të patretur... Omeri r.a. hëngri, kurse unë kurrnjëherë nuk kam parë njeri të ke­të ngrënë më mirë dhe më bukur. Ai më ofroi edhe mua ushqim për të ngrënë dhe hëngra pakëz.

Pastaj tha: - Na sillni që të pimë dhe na sollën një enë në të cilën kishte pije të kulluara nga elbi. Omeri tha: - Jepini këtij nje­riu së pari. Mora enën dhe piva pak prej saj, sepse lëngu i elbit që unë kisha ishte më i kënaqshëm dhe më cilësor.

Pastaj Omeri e mori enën dhe piu gjersa u ngop dhe tha:

“El hamdu lil‑lah (Lavdi i qoftë Allahut), i Cili na ka dhënë ushqim dhe na ka bërë të mundur të ngopemi, na ka bërë të mundur të pimë ujë dhe ta shuajmë etjen tonë.”

Më në fund iu drejtova duke i thënë: - Kam ardhur te ti me një shkresë.

Ai pyeti: - Prej nga?

I thashë: - Nga Seleme ibnu Kajsi.

Omeri tha: - I mirëseardhur e i mirëpritur është Seleme dhe emisari i tij... Më trego për ushtrinë muslimane...!

Ia ktheva: - Ashtu siç dëshiron ti,  o emir i besimta-rëve... Ata janë shëndosh e mirë dhe kanë ngadhënjyer ndaj armikut të tyre dhe të Allahut.

E përgëzova dhe i urova fitoren duke e lajmëruar për ushtrinë në përgjithësi e pastaj e njoftova në hollësi.

Omeri brohoriti me zë të lartë: “El hamdu lil‑lah (Lavdi i qoftë Allahut)... Ai ka dhënë dhe është i Madhëruar, ka dhuruar begati dhe ato janë shumëzuar.

Pastaj më pyeti se a kam kaluar pranë Basras. Unë i thashë: Po o emiri i besimtarëve.

Pyeti: - Si janë muslimanët?

I thashë: - Mirë janë nga Zoti.

Pyeti: - Si janë çmimet?

I thashë: - Atje janë çmimet më të ulëta.

Ai pyeti: - Si është çmimi i mishit, se mishi është artikulli kryesor ushqimor i arabëve. Arabët nuk mund të qëndrojnë dot pa të.

Unë i thashë: - Mishi është i mjaftueshëm atje.

Ai u kthye nga arka që e kisha me vete dhe pyeti:

- Ç’është ajo në duart e tua?!

I thashë: - Mbasi Zoti na ndihmoi kundër armikut tonë, i mblo­­dhëm plaçkat e luftës, kurse Selemeja pa në to një stoli dhe i tha ushtrisë: “Vërtet, nëse kjo stoli ndahet ndërmjet jush, nuk do të arrini asgjë... A jeni të kënaqur nëse ia dërgojmë emirit të besim­ta­rëve?”

Ata i thanë: “Po.”

Pastaj ia dorëzova arkën...

Mbasi e hapi arkën dhe pa gurët e çmueshëm të cilët ishin stoli të kuqe, të verdhë dhe të gjelbër, ai kërceu nga vendi i tij dhe e vendosi dorën në majë të arkës, e lëshoi atë në tokë dhe u shpër­danë djathtas e majtas të gjitha.

Gratë e tij menduan se desha ta vras dhe u afruan te per­dja..., pastaj Omeri m'u drejtua dhe më tha: - Mblidhi ata gurë!..., Pastaj i tha shërbëtorit të tij: - Bjeri dhe sakatoje!

Fillova t'i mbledh ato që ranë në tokë, ndërsa Jerfeja më binte pandërprerë.

Pastaj Omeri më urdhëroi të ngrihem dhe tha: - Mos qofsh i fa­lënderuar ti e as shoku yt.

Nga ai kërkova që të na lejojë një deve të na mbartë mua dhe shërbëtorin tim deri në Ahvaz, sepse shërbëtori i tij kishte marrë deven time.

E urdhëroi Jerfen që të na japë dy deve nga devetë më të mira.

Pastaj Omeri më tha: -Kur ta kryesh detyrën tënde (kur të arrish te shokët) me këto dy deve dhe e gjen atë që ka më shumë ne­vojë për to, atëherë jepja atij këto deve.

Pohova se do ta bëj këtë... Po, do ta bëj këtë, o emir i besimtarëve, në dashtë Zoti.

Më në fund m'u drejtua me kërcënim:

- Për Zotin, - nëse nuk i ndahet kjo stoli ushtrisë para se të shpërndahet, do të të dërrmoj.

U ktheva te Selemeja dhe i thashë: - Nuk më bekoi Zoti për atë që më caktove... Ndaje këtë stoli ndërmjet ushtarëve para se të urdhë­rohet ndonjë e keqe ndaj nesh. Pastaj e lajmërova ngjarjen që më ndodhi...

Nuk u largua nga ai vend gjersa e ndau stolinë ndërmjet ushtarëve.



[1] Xhizja: Është tatim i caktuar në fenë islame për jomuslimanët.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

Read more...

EBU HUREJRE ED‑DEJLEMIJ

ebu_hurejre_ed_dejlemij

EBU HUREJRE ED‑DEJLEMIJ

“Ebu Hurejre i ka mësuar përmendsh më shumë se një mijë e gjashtëqind hadithe të Pejgamberit a.s. dhe i ka ruajtur ato për popullin islam.”

Historianët

S'ka dyshim se ti lexues i nderuar e njeh këtë yll ndri­çues nga radhët e shokëve të Pejgamberit a.s.

A ka njeri nga umeti islam i cili nuk e njeh Ebu Hurejren?!

Në kohën e injorancës, njerëzit e thirrnin “Abdu shems” (d.m.th. rob i diellit) e kur e udhëzoi Allahu në Islam dhe u takua me të Dërguarin a.s., ai e pyeti: “Si quhesh?”

Iu përgjigj: - Quhem Abdu shems (rob i diellit).

Pejgamberi a.s. i tha: - Le të quhesh Abdurr‑Rrahman (rob i Gjithëmëshirshmit).

Ai tha: - Po, Abdurr‑Rrahman. Ty, o Resulullah, të nderoj si baba­në dhe nënën time.

Kurse shkaku pse është quajtur Ebu Hurejre (d.m. th. baba i macës së vogël) është sepse ai në fëmijëri kishte një mace të vogël me të cilën luante dhe qysh atëherë moshatarët e tij filluan ta thë­rra­sin “Ebu Hurejre (baba i macës së vogël).

Kjo u përhap dhe mori dhenë, saqë mbizotëroi edhe vetë emrin e tij të vërtetë.

Pasi u ngërthyen të gjitha këto, Pejgamberi i Zotit shpesh­herë e thërriste “Ebu Hirr‑rr” (d.m.th. baba i maçokut) për butësi dhe dashuri. Atëherë e pëlqeu më shumë të quhej “Ebu Hirr‑rr” sesa “Ebu Hurejre”, duke thënë:

- Me atë emër më ka thërritur i dashuri im, Resulullahu.

Maçoku është mashkull, kurse macja është femër, e mashkulli është më i mirë (më i vlefshëm) sesa femra...

*   *   *

Ebu Hurejra e pranoi Islamin nëpërmjet Tufejl ibnu Amrit Ed‑Dej­lemiut dhe mbeti në tokën e fisit të tij “Devs” edhe gjashtë vjet mbas hixhretit, kur shkoi me një grup nga fisi i tij te Resulullahu në Medinë.

*   *   *

Djaloshi devsian u vu në shërbim të Pejgamberit a.s. dhe në sho­qërim të Tij. Xhamia ishte vendqëndrimi i tij, kurse Pejgamberi a.s. ishte mësuesi dhe imami i tij, sepse nuk pati grua e as fëmijë gjersa ishte gjallë Muhammedi a.s. Megjithatë ai kishte një nënë plakë, e cila këmbënguli në politeizëm, kurse ai vazhdimisht e fton­te në Islam për hir të dhembjes dhe respektit që kishte ndaj saj, por ajo largohej prej tij dhe e pengonte atë.

I brengosur dhe i thyer në zemër, Ebu Hurejre largohej prej saj.

Një ditë prej ditësh ai përsëri e thirri nënën e tij në iman (be­sim) në Allahun xh.sh. dhe në Pejgamberin e Tij, kurse ajo tha një fjalë fyese për Pejgamberin a.s. që e brengosi dhe e dëshpëroi pamasë. Shkoi te Resulullahu duke qarë.

Pejgamberi a.s. e pyeti:

- Përse qan o Ebu Hurejre?!

Ai iu përgjigj:

- Vazhdimisht e ftoja nënën time në Islam, por ajo refuzonte. Kur e përsërita ftesën sot, ajo më tha një fjalë fyese për Ty, të ci­lën nuk e pëlqeva, andaj lute Allahun e Lartmadhëruar që të anojë zemra e nënës sime (e Ebu Hurejres) kah Islami.

Pejgamberi a.s. i bëri lutje Allahut për të.

 

Ebu Hurejre tregon:

- Atëherë kam shkuar në shtëpi, kur ja dera m'u mbyll dhe dë­gjo­va gurgullimën e ujit, e kur tentova të hyj, nëna ime më tha:

Qëndro në vendin tënd o Ebu Hurejre...

Pastaj veshi rrobat e veta dhe tha:

- Hy! Hyra brenda e ajo tha: - Eshhedu en lâ ilàhe il‑lall‑llah ve eshhedu en‑ne Muhammeden abduhu e resuluhu... (“Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij).

U ktheva te Resulullahu duke qarë nga gëzimi, ashtu sikurse qa­ja një orë më parë nga dëshpërimi dhe thashë:

- Të përgëzoj, o Resulullah... Allahu pranoi lutjen Tënde dhe Ai e udhëzoi nënën e Ebu Hurejres në Islam...

*   *   *

Ebu Hurejra e ka dashur Pejgamberin a.s. me një dashuri që ia ka përzier mishin dhe gjakun e tij...

Ai nuk ngopej nga shikimi tek ai dhe thoshte:

- Nuk kam parë diçka më të bukur e më të ndritshme se Resulullahun a.s., saqë më bëhet sikur dielli ecën në fytyrën e tij.

Gjithnjë falënderonte Allahun që ia mundësoi ta shoqërojë Pejgamberin e Tij dhe ta ndjekë fenë e Tij dhe thoshte:

- El hamdu lil‑lahi (Lavdi i qoftë Allahut), i Cili e udhëzoi Ebu Hurejren në Islam...

El hamdu lil‑lahi (Lavdi i qoftë Allahut), i Cili ia mësoi Ebu Hurejrës Kur'anin...

El hamdu lil‑lahi (Lavdi i qoftë Allahut), i Cili ia mundë-soi Ebu Hurejrës që ta shoqërojë Muhammedin a.s. ...

*   *   *

Ashtu siç e ka dashur Pejgamberin a.s., Ebu Hurejra e ka da­shur edhe dijen, të cilën e bëri synim dhe traditë të tij të shpre­suar.

Lidhur me këtë, Zejd ibnu Thabiti thotë:

- Gjersa unë, Ebu Hurejra dhe një shok imi ishim në xhami duke i bërë lutje Allahut të Lartmadhëruar dhe e përmendnim Atë, kur ja Resulullahu a.s. erdhi te ne dhe u ul në mesin tonë.

Ne heshtëm, kurse ai tha:

- Kthehuni në atë që ishit!

E lutnim Zotin unë dhe shoku im, para Ebu Hurejres, kurse Resulullahi e vërtetonte lutjen tonë...

Pastaj bëri lutje Ebu Hurejre duke thënë:

O Zoti im, vërtet unë të lutem Ty për atë që u lutën dy shokët e mi... Si dhe të lutem të më japësh dije që nuk harrohet...

Atëherë Resulullahu tha:

- Amin!

Pastaj edhe ne thamë:

- Edhe ne të lutemi, o Allah, për dije që nuk harrohet!

Pejgamberi tha: - Ju tejkaloi djaloshi devsian.

*   *   *

Siç e deshi dijen për vete, ashtu ia dëshiroi atë edhe të tjerëve...

Një ditë Ebu Hurejra kaloi nëpër tregun e Medinës. E fri­kësoi angazhimi njerëzve me jetën e kësaj bote si dhe thellimi i tyre në shitblerje dhe në këmbim të mallrave. Aty u ndal dhe iu drejtua atyre:

- Sa të paaftë jeni o medinas!!

 

Ata pyetën:

- Ç’ke vërejtur nga paaftësia jonë, o Ebu Hurejre?

Ai iu tha atyre:

- Mirazi (trashëgimia) i Resulullahut po ndahet e ju ende jeni këtu...! A nuk do të shkoni dhe të merrni pjesën tuaj?

Ata thanë:

- Po ku është ajo (trashëgimi), o Ebu Hurejre?

Ai tha:

- Ajo po ndahet në xhami.

Atëherë ata me shpejtësi dolën nga tregu, kurse Ebu Hurejre mbe­ti aty gjersa u kthyen ata dhe, kur e panë, i thanë:

- O Ebu Hurejre! Ne shkuam në xhami dhe hymë brenda, por as që pamë diçka aty duke u ndarë!

Ai pyeti:

- A nuk patë ndonjë njeri në xhami?!

Ata thanë:

- Po, gjithsesi... pamë njerëz duke u falur, disa duke lexuar Kur'­anin dhe disa të tjerë përkujtonin hallallin dhe haramin (të lejuarën dhe të ndaluarën)...

Ai iu drejtua atyre:

- Mjerë për ju... Ai është mirazi (trashëgimia) i Muham-medit a.s.

*   *   *

Ebu Hurejra ka vuajtur shumë për shkak të përkushtimit të tij ndaj dijes dhe përcjelljes së kuvendeve të Resulullahut a.s., aq sa s’ka vuajtur asnjë njeri nga uria dhe nga vrazhdësitë e jetës.

Ai flet në veten e parë dhe thotë:

- Vërtet, më shtohej uria, kurse unë pyetja ndonjë sahab për një ajet nga Kur'ani, ndonëse unë e dija atë, por kisha për qëllim që të më merrte me vete në shtëpi të vet me qëllim që të më jepte ushqim...

Njëherë isha shumë i uritur, saqë shtrëngoja një gur në bark dhe u ula në rrugë ku kalonin sahabët. Atypari kaloi Ebu Bekri dhe e pyeta për një ajet nga Kur'ani, ndonëse nuk e pyeta për asgjë tje­tër, por vetëm e vetëm që të më ftojë mua, por ai nuk më ftoi.

Pastaj kaloi pranë meje Omer ibnul‑Hattabi dhe e pyeta për një verset tjetër nga Libri i Allahut. Gjithashtu edhe ai nuk më ftoi, de­risa kaloi pranë meje Resululahu a.s.. E kuptoi se sa i uritur jam e tha:

- Ebu Hurejre?!

- Unë iu përgjigja: - Urdhëro Resulullah. Iu vura mbrapa dhe hyra me të në shtëpi, ai e gjeti një enë në të cilën kishte qumësht dhe iu drejtua familjes së tij:

- Prej nga ky qumësht?!

Ata i thanë:

- Ta ka dërguar një njeri.

Atëherë Pejgamberi më tha:

- O Ebu Hurejre, shko te njerëzit e Suftes[1] dhe thiri ata!

Mua s'më pëlqeu që më dërgoi për t'i thërritur ata dhe thashë me vete: “A iu mjafton ky qumësht njerëzve të Suftes?!”

Shpresoja që të marr pak nga qumështi me qëllim që të fres­kohem dhe pastaj të shkoja tek ata. Megjithatë, shkova te njerëzit e varfër, i ftova ata dhe erdhën. Kur u ulën te Resulullahu, ai tha:

- Ebu Hurejre, merre qumështin dhe jepju atyre! Fillova t'ju jap nje­rëzve gjersa u ngopën dhe pinë të gjithë, ia dhashë enën Resu­lullahut a.s., kurse ai e ngriti kokën i buzëqeshur dhe tha:

- Mbetëm unë dhe ti.

Unë i thashë:

- Po, vërtet ashtu është, o Resulullah.

Ai më tha:

- Atëherë pi, - dhe unë piva.

Mandej më tha përsëri:

- Pi, - dhe unë prapë piva.

Vazhdimisht më thoshte:

- Pi, - dhe unë pija, derisa i thashë:

- Pasha Atë, i Cili të ka dërguar Ty me drejtësi dhe të vërtetën, nuk mund të pi më asnjë pikë qumësht.

Atëherë e mori enën dhe piu prej saj...

*   *   *

Nuk kaloi kohë e gjatë nga ai rast gjersa të mirat i vërshuan muslimanët dhe iu shumëzuan fitimet, kurse Ebu Hurejra bëri pasu­ri, shtëpi, furnizime për jetë, mori grua dhe i lindi një djalë...

Por, e tërë kjo aspak nuk e ndryshoi shpirtin e tij fisnik e as që e bëri ta harrojë të kaluarën e tij. Ai thoshte:

- Jam rritur jetim, pa babë, jam shpërngulur i varfër dhe punoja si skllav te Busraja, bija e Gazvanit, vetëm për një kafshatë buke, iu ndihmoja njerëzve për të zbritur nga devetë, kurse kur iu hipnin atyre i tërhiqja ato (për kërpeshi) dhe më në fund u martova me vetë atë (Busreten)...

Lavdi i qoftë Allahut, i Cili e bëri fenë sistem jete dhe shtyllë të saj dhe e bëri Ebu Hurejren imam (ai është bërë vali i Medinës nga Muaviu...).

Ebu Hurejre u emërua disa herë vali i Medinës nga Muavi ibnu Ebi Sufjani, por ai post nuk ndikoi asnjëherë në shpirtbutësinë dhe zemërgjerësinë e tij.

Edhe pse ishte vali, një ditë kaloi nëpër rrugët e Medinës duke mbartur dru për familjen e tij, kurse pranë tij kaloi Tha'lebe ibnu Malik. Ai i tha:

- Liroje rrugën për emirin, o Ibën Malik! Ai ia ktheu emirit:

- Të mëshiroftë Allahu, a nuk po të mjafton tërë kjo fushë?! Ebu Hurejre i tha:

- Hape rrugën për emirin dhe barrën e tij mbi shpinë.

*   *   *

Ebu Hurejra fisnikëroi shpirtin e tij të dëlirë me dijën e tij të madhe, me devotshmëri dhe pietet. Agjëronte gjatë ditës, falej gja­të një të tretës së natës, pastaj e zgjonte gruan e tij, e cila gji­thashtu falej në një të tretën e pjesës tjetër të natës dhe pastaj kjo e zgjonte bijën e saj, e cila falej gjatë pjesës së tretë dhe të fundit të natës...

Pra, adhurimi ndaj Allahut në shtëpinë e tij nuk ndërpritej gja­të tërë natës...

*   *   *

Ai kishte një shërbëtore zezake nga Sudani. Një ditë ajo i kishte bërë një të keqe atij dhe i kishte fyer familjen. Ebu Hurejra sapo e ngriti shkopin për ta goditur, u ndal menjëherë e tha: - Sikur të mos ishte ndëshkimi në Ditën e Gjykimit do të të sakatoja njësoj siç më nënçmove mua, megjithatë do të të shes tek ai që më jep çmi­min e mjaftueshëm për ty, meqë kam më shumë nevojë për të ho­lla sesa për ty.

Shko, ti je e lirë, për Allahun e Lartmadhëruar.

*   *   *

E bija e tij i thoshte: - O baba, vërtet vajzat më përqe-shin dhe më thonë: Përse nuk të stolis babai me ar?!

Ai iu përgjigj:

- Vajza ime, thuaju atyre: - Vërtet, babai im ka frikë për mua se më djeg zjarri i xhehenemit (ferrit).

 

*  *  *

Ebu Hurejra nuk e pengoi vajzën e vet për t'u stolisur për shkak të koprracisë ose që të ruajë pasurinë, sepse ai ishte bujar, dorëlirë në rrugën e Allahut.

Mervan ibnu El‑Hakemi ia dërgon atij 100 dinarë ari, kurse ai të nesërmen ia dërgoi atij një shkresë dhe i tha:

- “Në të vërtetë, shërbëtori im ka gabuar dhe t'i ka dhënë dina­rët, kurse unë nuk e kam pasur qëllimin që t'i jap ty, por tjetërkujt.

Atëherë Ebu Hurejre ra në dilemë dhe i penduar tha:

“I kam shpërndarë në rrugën e Allahut dhe as që ka qëndruar tek unë asnjë dinar prej tyre, por kur të më arrijnë të ardhurat e mia nga arka shtetërore e muslimanëve, merri ata dinarë prej të ardhurave të mia.”

Mervani e bëri këtë për ta provuar atë dhe pasi e ndoqi rastin e gjeti se ishte i vërtetë.

*   *   *

Ebu Hurejra gjatë tërë jetës së tij mbeti gjithnjë me sjellje të mira ndaj nënës së vet. Sa herë që dilte prej shtëpisë, ndalej në derë të dho­mës së saj dhe i thoshte:

‑ Es-selamu alejki, oj nëna ime, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ty!

Ajo ia kthente:

Ve alejkes‑selam, o biri im, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ty gjithashtu!

Ai thoshte:

Të mëshiroftë Zoti, ashtu siç më ke edukuar kur isha i vogël!

Ajo ia kthente:

Të mëshiroftë Zoti, ashtu siç më ke respektuar edhe pasi u rrite!

Pastaj, kur kthehej në shtëpi e përsëriste të njëjtën gjë.

*   *   *

Ebu Hurejra ishte shumë i kujdesshëm dhe i thirrte njerëzit që t'i respektojnë prindërit dhe farefisin e tyre.

Ai pa njëherë dy njerëz, njëri më i moshuar se tjetri, duke ecur së bashku dhe pyeti më të riun:

‑ Kush është ky njeri me ty?

Ai tha:

‑ Ky është babai im.

Ebu Hurejre i tha:

‑ Mos e thërrit atë në emër, mos ec përpara tij dhe mos u ul para tij!...

*   *   *

Kur Ebu Hurejra u sëmur dhe u gjet para vdekjes, ai vajtoi...

Atëherë i kanë thënë:

‑ Përse po qan, o Ebu Hurejre?!

Ai është përgjigjur:

Nuk po qaj për jetën e kësaj bote..., por po qaj për udhë­timin e gjatë dhe përgatitjen e mangët për të...

Jam ndalur në fund të një rruge e cila do të më hedhë në xhenet apo në xhehenem... dhe nuk e di... në cilën prej tyre do ta kem vendin!!

Mervan ibnu Hakemi e vizitoi atë dhe i tha:

Të mëshiroftë Allahu, o Ebu Hurejre.

Në ato çaste, ai tha:

O Zoti im, vërtet e dëshiroj takimin me Ty, andaj dëshiroje o Allah takimin tim me Ty dhe të lutem shpejtoje atë (aludon në vdekje, v.jonë).

Ende pa u larguar Mervani nga shtëpia e Ebu Hurejres, ai u shkëput nga jeta e kësaj bote...

*   *   *

Allahu e mëshiroftë Ebu Hurejren me një mëshirë të gjerë, meqë ai ka ruajtur për muslimanët më tepër se 1609 hadithe të Re­su­lullahut a.s..

E shpërbleftë Allahu me të mirat e Tij për hir të Islamit dhe të muslimanëve.



[1] Njerëzit e Suftes ishin mysafirët e Allahut prej muslimanëve të varfër, të cilët nuk kishin familje, fëmijë e as pasuri dhe uleshin në Sufte (vend i posaçëm nën hije) në xhaminë e Resulullahit dhe për këtë u quajtën “njerëzit e Suftes”.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

Read more...

TALHA IBNU UBEJDIL‑LAH ET‑TEJMIJ

talha_ibnu_ubejdillah_ettejmij

TALHA IBNU UBEJDIL‑LAH ET‑TEJMIJ

“Ai që dëshiron të ketë kënaqësinë për të parë një njeri i cili ecën mbi faqen e dheut, dhe që e ka vënë në jetë zotimin e dhënë, le ta shikojë Talha Ibn Ubejdil‑lahin.”

(Muhammedi a.s.)

Talha udhëtonte me një karvan të kurejshitëve për të bërë treg­ti gjer në vendet e Shamit. Kur karvani arriti në qytetin Busra,[1] u hodhën krerët tregtarë kurejshit në tregun e ndërtuar dhe filluan të zhvillojnë tregti.

Edhe pse Talha ishte në moshë të re dhe i mungonte përvoja në tregti, ishte mendjemprehtë dhe largpamës, gjë që i jepte shans edhe atij për t'iu bërë konkurrencë atyre dhe të sigurojë fitimin e vet me meritë.

Gjersa Talha shkonte në tregun që gumëzhinte nga njerëzit që kishin ardhur nga çdo vend, atij i ndodhi një e papritur, e cila jo ve­tëm që ishte shkak për ndërrim të rrjedhave të tij jetësore në të­rësi e edhe diç më tepër, por ishte edhe përgëzuese dhe lajmëtare për ndryshimin e rrjedhave të mëtejme historike në tërësi...

Le t'ia lëmë fjalën vetë Talha ibnu Ubejdil‑lahit që të na e trans­metojë tregimin e tij prekës.

Talha thotë:

- Derisa ne ishim në tregun e Busrasë, kur, ja, një prift i krishterë po thërret në mes të të njerëzve:

“O ju tregtarë, pyetni njerëzit e këtij sezoni tregtar se a ka në mesin e tyre ndonjë njeri nga Meka.”

Unë qëllova pranë tij dhe nxitova gjer tek ai e i thashë:

- Po, unë jam prej banorëve të Mekës.

Ai më pyeti:

- A është paraqitur në mesin tuaj Ahmedi?

Kush është Ahmedi?! ‑ e pyeta.

Ai tha:

Ai është i biri i Abdullahut të ibnu Abd‑ul Mutalibit...

Ky është muaji i tij, në të cilin ai do të paraqitet...

Ai është Pejgamberi i fundit...

Ai do të e lëshojë tokën tuaj, ‑ Mekën, dhe do të shpërngulet në një vend, një tokë me gurë të zi, me hurma dhe tokë kripore, nga e cila rrjedh ujë...

Talha ka thënë:

- Fjalët e atij prifti lanë gjurmë të thellë në zemrën time, atëherë shkova me nxitim te deveja ime, e ngarkova atë, kurse mbrapa lashë karavanin dhe me ngut ia mësyva Mekës.

Kur arrita në Mekë, pyeta familjen time:

- A pati ndonjë ndodhi prej se kemi lëshuar Mekën?

Më thanë:

- Po. Muhammedi, i biri i Abdullahut, është ngritur dhe pretendon se është profet e tashmë e ka mbështetur dhe pasuar atë Ibnu Ebi Kuhafe (kanë për qëllim Ebu Bekrin).

Mandej Talha tregon dhe thotë:

- E kam njohur Ebu Bekrin, ai ishte njeri i thjeshtë, i dashur dhe i butë...

Ai ishte një tregtar i moralshëm dhe i drejtë, njerëzit e donin dhe ia pëlqenin kuvendimet e tij, për shkak se ai dinte për të kaluarën, historinë e kurejshitëve dhe se mbante në mend prejardhjet familjare të tyre.

Shkova tek ai dhe e pyeta:

- A është e vërtetë se Muhammedi, i biri i Abdullahut është shpallur Pejgamber dhe se ti e ke mbështetur dhe pasuar atë?

Ebu Bekri m'u përgjigj:

- Po... dhe filloi të më tregojë lajmin e vet si dhe dëshironte që të më tërheq për të hyrë me të në Islam, kurse unë i dhash lajmin mbi priftin. Atëherë u çudit për këtë dhe më tha:

- Eja me mua që të shkojmë te Muhammedi që ta njoftosh për këtë lajm dhe të dëgjosh se ç'do të thotë... që të hysh në fenë e Zotit...

Talha mandej tregon:

Atëherë, unë dhe Ebu Bekri shkuam te Muhammedi, i cili ma paraqiti Islamin, lexoi diçka nga Kur'ani dhe më përgëzoi për të mirat e dynjasë (kësaj bote) dhe të ahiretit (të jetës në botën e amshueshme).

Allahu pajisi zemërn time me fenë islame, e unë ia tregova laj­min e priftit të Busrasë. Ai u gëzua pa masë dhe ky gëzim pikasej edhe në fytyrën e tij...

Pastaj dëshmova para tij se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se vërtet Muhammedi është i Dërguar i Allahut.

Isha i katërti që pranova Islamin, me insistimin e Ebu Bekrit.

Kur dëgjoi familja dhe farefisi i djaloshit kurejshit se ai ka kaluar në fenë islame, iu duk sikur tiu binte rrufeja.

Nëna e tij më së tepërmi u brengos dhe u dëshpërua pse djali i saj kishte pranuar fenë islame, sepse ajo dëshironte që ai të mbi­zotëronte popullin e tij, për shkak se ai zotëronte karakter fisnik dhe virtyte të larta...

*  *  *

Populli i tij nxitoi tek ai që ta kthejë dhe ta tërheqë nga feja Islame, por e gjeti si një bjeshkë madhështore e cila nuk lëkundet dot.

Pasi u demoralizuan, duke tentuar që ta bindin me të mirë, atëherë u përpoqën ta bëjnë me anë të ndëshkimit dhe dhunës.

Në lidhje me këtë, Mes'ud ibnu Harashi thotë:

- Gjersa isha duke vrapuar ndërmjet Safasë dhe Mervesë, kur, ja, një grumbull njerëzish ndiqnin një të ri me duar të lidhura gjer te fyti, kurse ata nxitonin mbrapa tij duke e shtyrë dhe duke i rë­në mbi kokë..., ndërkaq një grua plakë e shante dhe i bërtiste...

Atëherë pyeta: - Ç'është çështja e këtij djaloshi?!

Ata thanë:

- Ky është Talha‑tu ibnu Ubejdil‑lahi, i cili është larguar nga feja e vet dhe ka pasuar djaloshin nga fisi Benu Hashim...

Përsëri i pyeta:

Kush është kjo plakë që shkon mbrapa?

Ata thanë:

- Ajo është Es‑sa'betu bintu‑l‑Hadremij, nëna e djaloshit...

Pastaj Neufel ibnu Huvejlidi, i quajtur “luan i kurej-shitëve” u ngrit dhe shkoi te Talha‑u ibnu Ubejdil‑lah dhe e lidhi atë me një litar me të cilin e lidhi edhe Ebu Bekër Es‑Siddikun, i afroi së bashku dhe ua dorëzoi të poshtërve të Mekës për t'iu dhënë ndëshkimin më të ashpër.

Për këtë shkak, Talha ibnu Ubejdil‑lahi dhe Ebu Bekr es‑Sid‑diku janë quajtur “dy të lidhurit”.

*   *   *

Ditët kalonin, ngjarjet ndodhnin njëra pas tjetrës, kurse Talha ibnu Ubejdil‑lahi përsosej. Sprovat në rrugën e Allahut dhe të Dër­gua­rit të Tij rriteshin dhe intensifikoheshin, ndërsa vetëmohimi ndaj Islamit dhe muslimanëve gjithnjë shtohej saqë muslimanët e quanin “Dëshmori i gjallë”, kurse i Dërguari a.s. e quante “Talha i mirësisë, i bujarisë dhe i fisnikërisë”.

Për secilin nga këta tituj ekziston nga një tregim i veçantë, e se­cili prej tyre shkëlqen më tepër se tjetri.

*   *   *

- Përse është quajtur “Dëshmori i gjallë” mësojmë nga ngjarja në betejën e Uhudit, kur muslimanët e braktisën Pejgamberin e Zotit dhe me të mbetën vetëm njëmbëdhjetë veta nga ensarët dhe Talha ibnu Ubejdil‑lahi nga muhaxhirët.

Pejgamberi a.s. ngjitej kodrës së bashku me ata të cilët kishin mbetur me të, prapa iu vu një grup politeistësh, të cilët dëshironin ta mbytnin.

Atëherë ai tha: - Kush i zmbraps këta, ai do të jetë shoku im në xhenet?

Talha tha: - Unë, o i Dërguar i Zotit.

Pejgamberi a.s. i tha: - Jo, ti qëndro në pozitën tënde!

Atëherë u paraqit njëri prej ensarëve dhe tha: - Unë, o i Dër­guar i Zotit.

Pejgamberi a.s. i tha: - Po, ti!

Luftoi ensariu gjersa u vra. Pejgamberi a.s. ngjitej kodrës së bashku me shokët e tij, kurse politeistët i ndiqnin pas, e atëherë ai tha:

- A nuk ekziston njeri që iu del përballë këtyre?!

Talha nxitoi përsëri dhe tha: - Unë, o Resulullah.

Resulullahu i tha jo përsëri, qëndro në pozitën tënde.

Pastaj u paraqit një tjetër nga ensarët e tha: - Unë o Resulullah.

Resulullahu i tha: - Po ti, - e ai luftoi gjersa u vra.”

Pejgamberi a.s. ngjitej kodrës vazhdimisht, kurse armiqtë e ndiq­nin mbrapa. Ai përsëriste fjalët e mëparshme e Talha i përgji­gjej gjithnjë, por Pejgamberi e ndalonte vazhdimisht, derisa u vranë të gjithë ensarët dhe nuk mbeti askush përveç Talhasë, i cili atëherë tha: - E tani, po...

Tashmë Pejgamberit a.s. i ishte thyer dhëmbi i syrit, i ishte gërvishur balli dhe i ishte lënduar buza e gjaku i rridhte nëpër fy­tyrë. Pejgamberin a.s. e kishte kapluar lodhja, kurse Talha sul­mon­te politeistët gjersa i zmbrapste e pastaj kthehej te Pejgamberi a.s. dhe i ndihmonte Atij për t'u ngjitur kodrës pak nga pak, e mbësh­teste atë dhe përsëri i sulmonte politeistët.

Kështu vazhdoi Talha derisa i zmbrapsi dhe i largoi ata nga Pej­gamberi a.s.

Lidhur me këtë, Ebu Bekri ka thënë: - Unë dhe Ebu Ubejde ibnu El Xherr‑rrah kemi qenë larg nga Pejgamberi në ato çaste, e kur arritëm tek ai dëshironim t'i ndihmonim atij, por ai na tha: - Më leni mua e shkoni te shoku juaj (kishte për qëllim Talhanë)!

Në atë moment ne pamë Talhanë duke i shkuar gjaku rrëke, kur­se në trupin e tij kishte mbi shtatëdhjetë plagë të shkaktuara nga shpata, shtiza apo shigjeta...

I ishte prerë edhe shuplaka e dorës dhe ra në një gropë i alivanosur...

Pejgamberi a.s. pas kësaj ngjarjeje thoshte: - Cilin e gëzon fak­ti që ta shikojë një njeri i cili ecën mbi sipërfaqe të tokës, dhe që e ka realizuar besën (zotimin) e dhënë, le ta shikojë Talha ibnu Ubej­dil‑lahin.

Ebu Bekri, kur përmendej Uhudi, thoshte:

- Ajo ditë e tërë i takonte Talhasë...

 

*     *     *

Ky ishte shkaku përse është quajtur Talha “Dëshmor i gjallë”, kurse për epitetin e tij “Talha i mirësisë, i bujarisë dhe i fisnikërisë” ekzistojnë njëqind e një tregime.

Njëri prej tyre është fakti që Talha ishte tregtar dhe kishte pa­su­ri të madhe, e cila kishte arritur në 700 dërhemë, kurse ai kaloi një natë i frikësuar, i mërzitur dhe i brengosur.

Bashkëshortja e tij Umu Kulthumi (bija e Ebu Bekrit) hyri tek ai dhe i tha:

Ç’është me ty o Talha (o Ebu Muhammed)?! Mos të ka goditur ndonjë e keqe nga ana jonë?!

Ai tha:

‑ Jo, vërtet ti je gruaja më e mirë e burrit musliman.

Unë kam menduar gjatë tërë natës dhe kam thënë: “Cili është mendimi i një njeriu në Allahun e tij nëse flen e kjo pasuri gjendet në shtëpinë e tij?!

Ajo e pyeti:

Çka të mundon ty ajo (pasuria)?! Ku je ti për nevojtarët nga po­pulli yt dhe miqtë e tu?! Kur të zgjohesh, ndaju atyre.

Atëherë ai tha:

‑ Të mëshiroftë Allahu, vërtet ti je e lumtur (fatbardhë), bijë e të lumturit (fatbardhit).

Të nesërmen, posa u zgjua nga gjumi nxori pasurinë nga arka... dhe ua ndau të varfërve prej muhaxhirëve dhe ensarëve.

*   *   *

Transmetohet, gjithashtu, se një njeri ka ardhur te Talha ibnu Ubejdil‑lahi dhe kërkonte ndihmë prej tij duke ia përmendur një lidhje familjare që e afronte me të, atëherë Talha i tha:

- Këtë lidhje nuk ma ka thënë askush më parë, por unë kam një tokë të cilën Uthman ibnu Af‑fani dëshiron ta paguajë 300 mijë...

Atëherë, në qoftë se dëshiron, merre atë, apo po e shes për atë çmim dhe shumën e saj do të të jap ty?

Njeriu tha se do ta merrte shumën e paguar për të...

Talha i dha atë atij...

*   *   *

Me gëzim i qoftë Talhas së mirësisë, Talhas bujar dhe fisnik, ky epitet të cilin ia dha Pejgamberi a.s.

I kënaqur qoftë me të Zoti ynë dhe ia ndriçoftë varrin e tij!



[1] Busrà: Është njëri nga qytetet e Shamit, tani ajo është në krahinën Hùran të Sirisë.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

Read more...

ESMA ‑ BIJA E EBU BEKRIT

esma__bija_e_ebu_bekrit

ESMA ‑ BIJA E EBU BEKRIT

“Esma ka jetuar njëqind vjet e nuk i ka rënë asnjë dhëmb a dhëmballë dhe në asnjë moment nuk e humbi mendjempreh­tësinë e saj, edhe përkundër pleqërisë së thellë.”

(Biografët)

Kjo është Esma ‑ sahabeja e famshme e mbuluar me kurora lav­dish nga të gjitha anët.

Babai i saj ishte shoku më i afërt i Resulullahut, gjyshi i saj ishte sahab, motra e saj ishte sahabije, burri i saj ka qenë sahabij dhe kjo mjafton që ajo vërtet të jetë krenare dhe e famshme.

Pra, babai i saj ishte Ebu Bekër Es‑Siddiku, shoku më i ngushtë i Pejgamberit a.s. gjatë jetës së tij, kurse pas vdekjes së Resulullahut ishte edhe halife (udhëheqës i muslimanëve).

Gjyshi i saj ishte Ebu Atik, babai i Ebu Bekrit.

Motra e saj ishte nëna e besimtarëve ‑ Aishja r.a.

Burri i saj ishte ndihmëtari i të Dërguarit a.s. ‑ Zubejr ibnu el Av‑vam. Kurse djali i saj ishte Abdullahu.

Kënaqësia e Zotit qoftë mbi të gjithë.

Thënë shkurt, mjafton të themi se kjo është Esma ‑ bija e Ebu Bekër Es‑Siddikut.

Esma ishte ndër të parat që pranoi Islamin, ngase këtë hap e kishin ndërmarrë para saj vetëm shtatëmbëdhjetë veta.

Është titulluar si “pronare e dy shokave ‑ brezave”, sepse duke ua përgatitur ushqimin për udhëtim Pejgamberit a.s. dhe ba­bait të saj, atë ditë kur ata emigronin, kishte bërë gati edhe një enë me ujë, por pasi që nuk gjeti diçka që t'i lidhë ato, e grisi shokën e saj në dy pjesë dhe me njërën e lidhi ushqimin, kurse me pjesën tjetër lidhi enën me ujë. Atëherë, Pejgamberi a.s. bëri lutje për të që ato dy pjesë të shokës së saj, Allahu xh.sh. t'ia zëvendësojë me dy shoka ‑ breza në xhenet. Ky është shkaku që ajo është titulluar me ofiqin “pronare e dy shokave”.

*   *   *

Ajo u martua me Zubejr ibnu El‑Av‑vamin, i cili ishte një dja­losh i varfër, pa shërbëtor që t'i shërbejë atij dhe pa pasuri me të cilën do t'i mbante fëmijët, përveç një kalë me të cilin kryenin ne­vojat elementare të shtëpisë.

Ajo sillej mirë me Zubejrin dhe i shërbente atij, duke u kuj­desur edhe për kalin e tij, duke e ruajtur dhe duke i shtypur drith për ushqim, derisa Allahu ia hapi Zubejrit rrugën e pasurimit dhe u bë njëri prej shokëve më të pasur të Muhammedit a.s.

Kur Esmës iu dha rasti për t'u shpërngulur për në Medinë, ajo me bindjen e saj në fenë Islame, në Allahun xh.sh. dhe në Pejgam­berin e Tij, edhe pse në ditët e fundit të shtatzënësisë në djalin e saj Abdullahun, i përballoi të gjitha dhe kjo nuk e pengoi asgjë për të emigruar, dhe posa arriti në Kuba e lindi fëmijën e saj.

Muslimanët e madhëruan Allahun dhe brohoritën nga gëzimi, sepse ky qe fëmija i parë që u lind si muhaxher në Medinë.

Ajo e mbarti fëmijën deri te Pejgamberi a.s. dhe e vendosi në pre­hër të tij, kurse ai bëri dua për të, mori pak lëng nga goja e tij dhe e vuri në gojën e foshnjës, i cili e përbiu atë. Kështu që gjëja e parë që përbiu foshnja ishte lëngi i dhënë nga Pejgamberi i Zotit xh.sh.

Personaliteti i Esmës karakterizohet me virtyte të larta, karak­ter të fortë dhe arsye të shëndoshë, veti këto të cilat i kanë vetëm njerëzit e rrallë.

Ajo ishte një bujare e madhe, e për të na rrëfen djali i saj Abdullahu, i cili thotë:

“Nuk më ka rastisur të shoh gra më bujare sesa tezen time Aishen dhe nënën time Esmën, por bujaria e tyre ndryshon: Sa i përket tezës sime, ajo mblidhte pak nga pak derisa mblidhte aq sa mjaftonte dhe pastaj ua ndante atë nevojtarëve, kurse nëna ime nuk lënte asgjë për nesër, por menjëherë e shpërndante.”

*   *   *

Esma ishte inteligjente dhe e mençur dhe dinte ta gjejë veten në pozita të vështira e të palakmueshme.

Mençuria e saj u dëshmua kur Ebu Bekri u nis për të emigruar du­ke e shoqëruar Muhammedin a.s. dhe mori me vete tërë pasurinë, vlera e së cilës arrinte në gjashtë mijë dërhemë, duke mos lënë asgjë për fëmijët e tij...

Kur Ebu Kuhafe, i ati i Ebu Bekrit, i cili ishte politeist, u infor­mua për këtë, erdhi në shtëpi të të birit dhe i tha Esmës: Për Zotin, po e shoh se ai me marrjen e pasurisë me vete u ka shkak­tuar vuajtje, ashtu sikurse iu ka shkaktuar vuajtje me vetë largimin e tij, mirëpo Esma iu përgjigj: Jo, kurrsesi o gjyshi im, në të vërtetë ai na ka lënë pasuri të mjaftueshme, pastaj mori ca gurë të vegjël dhe i vendosi në një dollap në të cilin lënin pasurinë e tyre më parë, i mbuloi gurët me një rrobe dhe pastaj e mori gjyshin e vet për dore, ngase ai e kishte të pamurit e dobët, dhe i tha: “O gjyshi im, shiko sa pasuri na ka lënë” kur ai e lëshoi dorën mbi gurët e mbuluar me rroba kujtoi se janë të holla dhe gurë të çmueshëm dhe tha: “Nuk është keq, nëse ua ka lënë tërë këtë pasuri.”

Me këtë Esma dëshiroi që ta qetësojë shpirtin e plakut dhe që të mos e obligojë t'i ndajë diç nga pasuria e tij... Ajo e bëri këtë nga­se e urrente që t'ia shtrijë dorën një idhujtari, qoftë ai edhe gjy­shi i saj.

*   *   *

Nëse historia i lë në harresë të gjitha qëndrimet e Esmës ‑ bijës së Ebu Bekrit, kurrsesi nuk mund të harrohen mendjemprehtësia, vendos­mëria e pashoqe dhe fuqia e besimit‑imanit me rastin e taki­mit të fundit me djalin e saj.

Kur djali i saj, Abdullah ibnu Zubejri, u zgjodh sundimtar (halif) pas vdekjes së Jezid ibnu Muavijes, botërisht e për-krahën Hixhazi, Egjipti, Iraku, Horasani dhe shumica e vendeve të Shamit. Por Benu Umejët, me qëllim që ta luftojnë atë, menjëherë bënë dyndjen e ushtrisë së madhe nën komandën e Haxh‑xhaxh ibnu Jusuf eth‑The­kafiut. Në mes tyre u zhvillua një betejë e përgjakshme, në të cilën Abdullahu tregoi trimëri të pashoqe, ashtu siç i ka hije një kalorësi trim.

Kur përkrahësit e tij filluan të shpartallohen dalëngadalë, atë­he­rë ai u strehua dhe u mbrojt te Qabja, së bashku me ata që ki­shin mbetur me të për ta mbrojtur Qaben e madhërishme. Disa orë para rënies së tij dëshmor, ai hyri tek e ëma, Esma, e cila atëbotë ishte plakë njëqindvjeçare dhe e kishte lënë të pamurit, dhe i tha:

- Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi ty, oj nëna ime!

Ajo ia ktheu: - Gjithashtu edhe mbi ty, o Abdullah... Ç'e mirë të solli ty në këtë kohë, kur gurët të cilët po i hedhin menxhenikët[1] e Haxh‑xhaxhit mbi ushtrinë tuaj në Qabe po i dridhin tmerrësisht edhe shtëpitë e Mekës?

Abdullahu iu përgjigj: - Erdha të marr mendimin tënd, oj nënë.

Ajo i tha: - Ta marrësh mendimin tim!! Për çka?!

Ai tha: - Njerëzit më kanë braktisur dhe janë larguar prej meje nga frika e Haxh‑xhaxhit ose nga lakmia për atë që ka ai, saqë edhe fëmijët dhe familja ime janë larguar nga unë, e me mua ka mbetur vetëm një numër i vogël prej njerëzve të mi. Sado që durimi i tyre të jetë i madh dhe të kenë qëndrim burrëror, ata nuk do të mund të bëjnë ballë më tepër se një apo dy orë, kurse të dërguarit e Beni Umejjitëve më kanë vërshuar me bisedime duke më premtuar se do të më japin në këtë botë atë që dëshiroj, me kusht që unë t'i hedh armët dhe t'i nënshtrohem Abdul Melik ibnu Mervanit. Ç'mendon ti për këtë oj nënë?

Ajo ngriti zërin lart dhe tha: - Kjo është çështje jote personale, o Abdullah, dhe më së miri vetë mund ta dish... Nëse je i bindur se çështja jote është e drejtë dhe se ti thërret në drejtësi, atëherë duro dhe qëndro, ashtu sikurse kanë duruar dhe qëndruar shokët e tu të cilët janë flijuar nën flamurin tënd...

Por, nëse ti e dëshiron këtë botë, atëherë sa rob i keq do të ishe. E shkatërrove veten dhe njerëzit e tu.

Ai tha: - Por, vrasja ime qysh sot do të jetë e pashmangshme.

- Nuk ka gjë, - tha ajo, flijimi është më i mirë për ty sesa t'i dorëzo­hesh Haxh‑xhaxhit me dëshirë dhe të luajnë djelmoshat e Benu Umejjes me kokën tënde.

Abdullahu iu përgjigj duke i thënë:

- Nuk i frikësohem vrasjes, por frikësohem se ata do të luajnë me kufomën time.

Ajo i tha birit të saj:

- Nuk ka çka të frikësohet njeriu pas vdekjes, sepse as delja e therur nuk e ndjen rjepjen e lëkurës...

Atëherë Abdullahut i shndriti fytyra dhe tha:

- E bekuar qofsh, oj nëna ime! Të bekuara qofshin virtytet dhe karakteri yt i lartë! Unë nuk të kam ardhur ty në këtë kohë për asgjë tjetër, përveç të dëgjoj prej teje atë që e dëgjova, kurse Allahu e di se unë nuk jam as i lodhur e as i dobësuar, Allahu është dëshmi­tari im se unë nuk e bëra këtë duke lakmuar në të mi­rat e kësaj bote, përkundrazi jam i hidhëruar dhe i prekur, ngase kërkohet për t'u lejuar hara-met. Ja, unë veç po nisem në atë që ti dë­shiron. Nëse vritem, mos u pikëllo për mua, dorëzoja çësht­jen tën­de Allahut xh.sh.

Ajo tha:

- Do të pikëllohesha për ty, sikurse të vriteshe në rrugë të gabuar.

Abdullahu i tha asaj:

- Bindu se vërtet biri yt kurrë nuk e ka përkrahur një punë të urrzer (të keqe), as që ka bërë ndonjë të ligë, as nuk ka devijuar nga rruga e Perëndisë e as që e ka tradhtuar amanetin. Dije se djali yt kurrë nuk e ka përkrahur tiraninë as ndaj muslimanëve e as ndaj jomuslimanëve lojalë dhe nuk kishte tek ai gjë më të vlefshme dhe më meritore se kënaqësia e Allahut të Madhëruar... Këtë nuk e them për ta pastruar vetveten, sepse Allahu është më i dijshëm për mua sesa unë, por them këtë për të të dhënë durim dhe kurajo në zemrën tënde.

Esmaja ia ktheu:

- Falënderimi dhe Lavdia i qoftë Allahut, i cili të drejtoi në atë që Ai dëshiron dhe në atë që edhe unë dëshiroj. Afrohu pranë meje, o biri im, që ta ndjej erën tënde dhe ta ledhatoj trupin, sepse ky mund të jetë takimi im i fundit me ty.

Abdullahu e afroi fytyrën te duart dhe këmbët e saja, ia mbuloi ato me puthje, kurse ajo e afroi hundën e saj te koka, fytyra dhe fyti i tij dhe e nuhati erën e tij, duke e prekur dhe puthur. Pastaj me duart e saj filloi t'ia prekë trupin dhe kur e preku gjoksin e tij, për një çast u ndal, i tërhoqi duart prej tij dhe tha:

- Ç’është kjo që e ke veshur, o Abdullah?!

Abdullahu iu përgjigj:

- Kjo është këmisha ime e hekurt.

Ajo i tha:

- O biri im, kjo nuk është rroba e atij që dëshiron të bjerë dëshmor ‑ shehid.

 

Ai i tha:

- Por e kam veshur për të qetësuar ty dhe zemrën tënde.

Ajo i tha birit të saj:

- Zhvishe atë, sepse ajo është pengesë e fortë për mbrojtjen dhe trimërinë tënde, është e fortë për kërcimin tënd. Pa të lëvizja është më e lehtë, e në vend të saj vishe një këmishë të gjatë, që kur të vritesh të mos zbulohet trupi (avreti) yt.

*   *   *

Abdullahu e zhveshi këmishën e hekurt dhe veshi një këmishë të gjatë (jo të hekurt), e mbërtheu atë dhe shkoi te Qabja për të vazh­duar luftën me ushtarët e tij, duke thënë: - Mos më ndaj prej dua­së (lutjes) oj nënë.

Në ato çaste ajo drejtoi duart kah qielli e tha:

‑ O Zoti im, mëshiroje ngritjen e tij natën për të falur namaz dhe qasjen e tij të fortë në terrin e natës, kur njerëzit e tjerë flej­në... O Zoti im, mëshiroje atë (Abdullahun) kur ai është i uritur dhe i etur derisa është agjërueshëm.

‑ O Zot! Mëshiroje mirësinë dhe sjelljen e tij të mirë ndaj ba­bait dhe nënës së tij...!

‑ O Zoti im, unë tashmë e kam dorëzuar në duart e Tua, jam e kënaqur me atë që ia ke caktuar atij dhe më dhuro mua për të nga sevapet e atyre që durojnë për hir të Madhërisë Sate!

Ende pa perënduar dielli i asaj dite, Abdullahu iu bashkangjit dëshmorëve të tjerë dhe shkoi në fqinjësi të Allahut të vet.

Vetëm pak ditë pas flijimit të tij, atij iu bashkangjit edhe e ëma e tij ‑ Esma, bija e Ebu Bekrit, pas njëqind vjet jetese në këtë botë. Asaj nuk i kishte rënë as dhëmbë e as dhëmballë, dhe asnjë­herë nuk e kishte humbur mendjempre-htësinë e saj, edhe përkundër pleqërisë së thellë.



[1] Menxhenik ishte mjet lufte me anën e të cilit hidheshin gurë (dhe të ngjashme) mbi fortifikata të ndryshme.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

Read more...

THABIT IBNU KAJS EL‑ENSARIJ

thabit_ibnu_kajs_elensarij

THABIT IBNU KAJS EL‑ENSARIJ

“Testamenti i asnjë njeriu nuk është realizuar, pas vdekjes së vet, përveç testamentit të Thabit Ibnu Kajsit.”

Thabit ibnu Kajsi ishte njëri nga zotërinjtë e fisit Hazrexh[1] dhe personalitet i rrallë i Jethribit (Medinës).

Ai ishte mendjehollë, i pashëm dhe orator i shkël­qye­r dhe i zëshëm. Kur fliste, ua tejkalonte oratorëve të tjerë, e kur mbante fjalim, ai i përfitonte të gjithë ata që e dëgjonin.

Ai ishte ndër të parët në Medinë që pranoi Islamin. Posa e dëgjoi një ajet kur'anor që ia lexoi thirrësi i ri mekas, ‑ Mus'ab ibnu Umejri me zërin e tij të ëmbël dhe tingullin e tij jehues, atij pushtoi Kur'ani me ëmbëlsinë e tingëllimës, ia pushtoi zemrën me qartësinë e shkëlqyer të tij si dhe e frymëzoi mendjen e tij për udhëzim të drejtë.

Atëherë, Allahu ia pajisi zemrën me besim, ia ngriti pozitën dhe nderin e tij kur iu bashkua radhëve të Pejgamberit a.s. dhe hyri nën flamurin e tij...

*   *   *

Pasi arriti i Dërguari a.s. në Medinë si i shpërngulur, atë e priti me nderimet më të larta Thabit ibnu Kajsi, me një grup kalorësish nga fisi i tij. Ai i dëshiroi Muhammedit a.s. dhe shokut të tij  Ebu Bekrs‑Siddikut mirëseardhje të përzemërt. Para tij mbajti një fjalim me një retorikë të lartë, duke e filluar atë me lavdi ndaj Allahut të Lartmadhëruar dhe duke e falënderuar Atë, pastaj u lut për falje dhe shpëtim për të Dërguarin a.s...

Ai e përmbylli fjalimin e tij me këto fjalë:

- Vërtet, ne ta japim besën, ‑ i Dërguar i Zotit ‑ të të mbrojmë ty prej gjithë asaj që e mbrojmë edhe vetveten tonë, fëmijët dhe gratë tona, atëherë çka do të fitojmë përballë kësaj?

Pejgamberi a.s. tha:

- Shpërblim do të keni xhenetin...

Ende pa ra në vesh mirë fjala “xhenet”, filluan të shëndrisin fytyrat e njerëzve nga gëzimi e hareja dhe thanë:

- Jemi të kënaqur o i Dërguar i Allahut... Jemi të kënaqur o i Dërguar i Allahut...

Që nga ajo ditë, Pejgamberi a.s. e emëroi Thabit ibnu Kajsin për orator të vetin, ashtu siç ishte Hasan ibnu Thabiti poet i tij.

Kur Pejgamberit a.s. i vinin delegacionet arabe që të krenohen, të mburren ose të garojnë me gjuhën e gojëtarëve të rrjedhshëm dhe me retorikë të lartë që kishin oratorët dhe poetët e tyre, ai ua kundërvinte Thabit ibnu Kajsin për t'i mundur oratorët, kurse Ha­san ibnu Thabitin për t'u mburrur para poetëve.

*   *   *

Thabiti ishte besimtar i denjë dhe me besim të thellë, i devotshëm dhe i sinqertë, kishte frikë dhe përkushtim ndaj Allahut të tij, ishte shumë i kujdesshëm dhe ruhej prej çdo vepre të keqe që e hidhëron Allahun e Lartmadhëruar.

Një ditë Pejgamberi a.s. e pa të frikësuar dhe të brengosur, dridhej i tëri nga frika e droja, dhe për këtë Pejgamberi a.s. i tha:

- Ç’është me ty, o Thabit?!

E ai u përgjigj:

- Kam frikë se do të jem i humbur, o Pejgamber i Zotit...

Pejgamberi a.s. e pyeti: - Përse?!

Ai tha: - Allahu i Lartmadhëruar na ka ndaluar që të lavdërohe­mi për një punë që nuk e kemi bërë, ndërsa unë, përkundrazi, kam dëshirë të lavdërohem...

Ai na e ka ndaluar mendjemadhësinë, kurse unë kam rënë në vetëkënaqësi.

Pejgamberi a.s. e qetësonte vazhdimisht gjersa më në fund i tha:

- O Thabit, a dëshiron të jetosh i lavdëruar... të vritesh e të bëhesh shehid (dëshmor) dhe të hysh në xhenet...?

Nga ky lajm i gëzuar fytyra e Thabitit iu ndriçua dhe tha:

- Gjithsesi dëshiroj dhe jam i kënaqur o Resulullah... gjithsesi dëshiroj dhe jam i kënaqur o Resulullah...

Kurse Resulullahu (i Dërguari i Allahut) i tha:

- Vërtet, kjo është për ty.

*   *   *

Pasi zbriti ajeti kur'anor:

“O ju që keni besuar, mos ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pej­gamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri‑tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju.” (El‑Huxhurat: 2)

Thabit ibnu Kajsi iu shmangej kuvendeve të Pejgamberit a.s. ‑ përkundër dëshirës së tij të madhe për të marrë pjesë në to dhe dashurisë së fortë ndaj Pejgamberit a.s. si dhe lidhmërisë së ngush­të me të. Ai u mbyll në shtëpi të vet dhe pothuajse fare nuk dilte prej saj, përveç kur dilte për të kryer namazin.

Por, Pejgamberin a.s. e kishte marrë malli për të dhe kishte thënë besimtarëve:

‑ Kush më sjell lajm për të?

Njëri nga ensarët tha: - Unë, o i Dërguar i Zotit.

Ai shkoi te Thabiti dhe e gjeti në shtëpi të vet, të dëshpëruar e kokulur, dhe i tha: Çfarë ke, o Ebu Muhammed (o Thabit)?

Thabiti u përgjigj: - Shumë keq.

Ai e pyeti: - Përse?

Thabiti tha: - Vërtet, ti e di se unë jam njeri me zë të lartë, shpesh­herë zëri im ngrihet më lart se zëri i të Dërguarit të Zotit xh.sh., ti gjithashtu e di se çka ka zbritur nga Kur'ani. Mendoj se vepra ime është humbur dhe zhdukur krejtësisht dhe unë do të jem njëri prej banorëve të xhehenemit (ferrit)...

Ai njeri u kthye te Pejgamberi a.s., e lajmëroi për atë që pa dhe dëgjoi, kurse ai i tha:

- Shko përsëri te Thabiti dhe thuaj: “Nuk je prej banorëve të xhehenemit, por do të jesh prej banorëve të xhenetit.” Ishte ky një lajmërim dhe përgëzim madhështor për Thabitin, gjë të cilën e kishte dëshiruar dhe shpresuar tërë jetën e tij.

*   *   *

Thabit ibnu Kajsi me Pejgamberin a.s. mori pjesë në të gjitha betejat, përveç asaj të Bedrit. Ai e ka futur veten në rreziqe gjatë luf­timeve për të rënë dëshmor, ashtu si e ka paralajmëruar Pejgamberi a.s., kurse rënia dëshmor ishte pranë tij për dy shtiza e edhe më afër...

Derisa ndodhën luftërat kundër renegatëve nga feja islame. Në njërën anë ishin muslimanët, kurse në anën tjetër Musejleme el­Kedh‑dhabi, gjatë kohës së sundimit të Ebu Bekrit r.a.

Në atë kohë, Thabiti ishte komandant i ushtrisë së përbërë nga ensarët, Salimi ishte komandant i ushtrisë së përbërë nga muha­xhi­rët, kurse Halid Ibnu‑l‑Velidi ishte komandant i përgjithshëm i usht­risë muslimane, të përbërë nga ensarët, muhaxhirët dhe të tjerët...

Fillimisht, në shumicën e betejave, fitoret u takonin Musej­le­mes dhe njerëzve të tij mbi ushtrinë muslimane, gjersa atyre iu dha urdhri që ta sulmojnë tendën “El Fustat” të Halidit dhe vendosën ta vrisnin gruan e tij, Ummu Temim, kur edhe arritën t'i prej­në litarët e tendës dhe ta coptojnë atë shumë keq dhe në mënyrë të egër.

Atëherë, kur Thabiti e pa përdhosjen e muslimanëve, atij iu mbush zemra plot vrer dhe dëshpërim dhe kur dëgjoi poshtrimin që i bënin njëri‑tjetrit, iu mbush gjoksi përplot dhembje dhe zemërim...

Bijtë e qyteteve i kishin futur frikën atyre të shkretë-tirave (fshatrave), kurse këta të dytët u thonin qytetarëve se ata nuk dinë të luftojnë dhe ç'është lufta...

Në ato çaste Thabiti vendosi mbi trupin e tij një bimë,[2] u mbësh­toll me qefin, u ndal te kokat e dëshmorëve dhe tha:

“O burra muslimanë, ne nuk kemi luftuar kështu me Muham­medin a.s.!

Sa keq i keni mësuar armiqtë tuaj në mënyrë që të marrin guxim ndaj jush...

Sa keq që e keni bërë shprehi t'i nënshtroheni armikut...”

Pastaj Thabiti drejtoi shikimin kah qielli dhe tha:

- O Zoti im, dëshiroj të jem i pastër te Ti, të mos bie në poli­tei­zëm ashtu siç bëri Musejleme dhe njerëzit e tij.

Dëshiroj të jem i pastër te Ti, o Allah, nga gjithë kjo që bëjnë të këtillët (ka për qëllim muslimanët).

Mandej u sul si luani i tërbuar, krah për krah me luftëtarët e bekuar:

‑ El‑Berra Ibnu Malik‑el‑Ensarij...,

‑ Zejd Ibnu‑l‑Hattabi, vëllai i emirit të besimtarëve ‑ Omerit r.a...,

‑ Salimi, zotëriu i Ebu Hudhejfës...,

si dhe me një numër të konsiderueshëm besimtarësh të mëhershëm... 

Ai zhvilloi një luftë madhështore, e cila i mbushi zemrat e be­sim­tarëve me trimëri, vendosmëri dhe durim, kurse politeistëve u futi frikën në palcë.

Ai sillte pandërprerë në të gjitha anët dhe në çdo armë, gjersa e rënduan plagët dhe u rrëzua për tokë, në fushë të betejës, i lum­tur për atë që i ka shkruar Allahu, për të ra dëshmor ashtu si e ka përgëzuar më parë i Dashuri i Allahut,  Muhammedi a.s., i kënaqur në zemër për atë që Allahu e vërtetoi triumfin  e muslimanëve para tij.

*   *   *

Thabiti kishte të veshur një këmishë të hekurt, shumë të çmuesh­me, e kur pranë tij kaloi njëri prej muslimanëve, ia zhveshi atë nga trupi dhe e mori për vete.

Natën vijuese nga rënia e Thabitit dëshmor, njëri prej muslimanë­ve e kishte pa në ëndërr duke i thënë:

“Unë jam Thabit ibnu Kajsi. A më njeh mua?”

Ai njeri ka thënë: “Po.”

Thabiti i ka thënë (vazhdimisht në ëndërr):

“Në të vërtetë, të porosis dhe të kesh kujdes që të mos thuash se kjo është një ëndërr, e ta humbasësh atë...

Vërtet, pasi u vrava dje, njëri nga muslimanët kaloi pranë meje, i përshkruar kështu‑kështu, e mori këmishën time të hekurt dhe shkoi me të në tendën e vet, në fund të vendqëndrimit të ushtrisë, nga ana e caktuar. Ai e ka vendosur atë nën një enë të tij prej dheut dhe mbi enë ka vendosur një shalë. Shko te Halid ibnu Velidi dhe thuaj atij që të dërgojë dike tek ai njeri për t'ia marrë këmishën e hekurt, seps ajo ende është në vendin e vet...

Unë të lë edhe një porosi tjetër, ki kujdes e mos thuaj se kjo është një ëndërr, e ta humbasësh atë.

Thuaj Halidit: “Kur të shkosh te halifi i të Dërguarit të Zotit xh.sh. në Medinë, thuaj atij:” Vërtet, Thabiti ka pasur një borxh... kurse ky dhe ky njeri që kanë qenë robër të tij, le të jenë të lirë, le ta kryejë borxhin tim dhe le t'i lirojë djemtë e mi...

Atëherë njeriu u zgjua nga gjumi, shkoi te Halidi dhe e laj­mëroi për atë që dëgjoi dhe pa...

Halidi dërgoi një njeri që t'ia sjellë atij këmishën e hekurt, nga ai që e kishte rrëmbyer nga Thabiti. Këmisha u gjet në vendin e vet dhe iu soll halifit ashtu siç ishte.

Posa u kthye Halidi në Medinë, i rrëfeu Ebu Bekrit r.a. për ngjarjen e Thabit ibnu Kajsit dhe porosinë e tij, kurse ai vetë lejoi që të paguhet borxhi i Thabitit e të kryhet porosia e tij.

Nuk është e njohur që ndonjërit më parë, ose më pastaj, t'i je­të lejuar që t'i kryhet porosia e vet edhe pas vdekjes, përveç Thabitit...

Zoti qoftë i kënaqur me Thabit ibnu Kajsin, i lumtur qoftë tek Allahu dhe Ai faltë një vend të lartë në xhenet!



[1] El‑Hazrexh: Është një fis me prejardhje nga Jemeni, i cili ka shkuar në Medinë dhe është vendosur aty. Së bashku me fisin Evs, ata përbënin bazën e ensarëve.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

[2] El hanut: bimë e cila vendosej mbi trupin e arabit të vdekur, të cilën në ato momente edhe Thabiti e vendosi mbi trupin e tij, në shenjë gatishmërie për të vdekur.

Read more...
Subscribe to this RSS feed
Back to top