Home

  • Category: Në Allahun
  • Hits: 3206

ALL-LLAHU I LARTËMADHËRUAR

 

Dije se vërtetë të njohurit e Allahut xhel-le shanuhu, besimi në Të, adhurimi ndaj Tij dhe vërtetimi i gjithë asaj që vjen nga Ai është nga gjërat më të rëndësishme me të cilën obligohet muslimani që ta mësojë, ta njeh dhe kuptojë.
E ai, i cili nuk e njohu Allahun, Krijuesin, Sunduesin dhe Udhëheqësin e tij, ai vërtetë ka jetuar në jetën e kësaj bote si shtazë: han dhe pinë, fle dhe zgjohet, e kështu me radhë derisa të përfundojë jeta e tij në këtë gjendje, e ai nuk e di as për çka është krijuar dhe si ka jetuar.
Allahu i Lartësuar thotë: " ... e ata që nuk besuan, përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri." (Muhammed, 12).
E kështu ata do të bëjnë çrregullime në tokë, do të bëjnë keq me punët e tyre, ngase ata nuk i njohin punët e mira dhe nuk dinë se cilat janë punët e këqija, nuk dinë se çka e hidhëron Allahun dhe nuk mendojnë për atë që e bënë Atë të kënaqur.

Do të thotë asnjë njeri nuk mund t’i njeh rrugët e mira për t’i shërbyer ndonjë sendi vetëm se me udhëzimin e atij që është më i ditur se ai, e si mundet pra njeriu në jetën e kësaj bote që ta luajë rolin e tij të kërkuar duke mos i përfillur urdhrat dhe obligimet e Allahut të Madhëruar, e Ai është Krijues i njeriut dhe Krijues i gjithë botëve. Allahu xhel-le shanuhu thotë: "A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësitë sekreteve, i njeh hollësitë." (Mulk, 14).

Ai, i cili nuk e njeh Allahun si Krijues të tij, i shkatërron veprat e tij, ngase ai nuk e ka kuptuar fuqinë e Atij, i cili udhëzon në rrugën e të vërtetës, fitores dhe shpëtimit, e Ai është Allahu xhel-le shanuhu.
Këto sëmundje të cilat janë përhapur në tokë, ky çrregullim i madh, i cili është prezent mes njerëzve ndodh vetëm nga shkaku i largimit të njerëzve nga udhëzimet e Krijuesit të Madhëruar dhe refuzimi për zbatimin e urdhrave të Tij.

E pastaj përfundon jeta e atyre, të cilët nuk e njohën Zotin si Krijues të tyre, duke mos ditur as pse ka filluar? Dalin prej saj duke mos ditur as pse kanë hyrë në të?

Por, ai i cili e njohu Zotin e tij, besoi në Të dhe vërtetoi gjithë atë që i erdhi prej Tij, ky është ai të cilin do ta ndihmojë Allahu i Madhëruar. Allahu i Lartësuar në Kur’anin Fisnik thotë: "E Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij." (Haxhxh, 40).

Njeriu, kjo krijesë që posedon gjymtyrë si dora, këmba, koka e të tjera, obligohet që t’i njeh detyrat e kërkuar nga ai për t’i lëvizur këto gjymtyrë.
Kjo bëhet vetëm duke i njohur urdhrat me të cilat e obligoi Allahu xhel-le shanuhu këtë njeri. Çdo njeri ka mendje, e detyrë e mendjes është të logjikuarit, e kur të mos funksionojë kjo detyrë shkatërrohet puna e mendjes, ndërpritet nga puna e saj kryesore e pikërisht kjo bëhet shkak që të largohet nga e mira dhe të afrohet kah e keqja.

Allahu xh. sh. na ka thirrur në Kur’anin Fisnik të logjikojmë në atë që jemi dhe ka thënë: "Thuaj: A është i barabartë i verbëri me atë që sheh? A nuk mendoni?" (En’amë, 50). Dhe gjithashtu thotë: "Dhe a nuk menduan ata në veten e tyre...?" (Rrumë, ).
Allahu xhel-le shanuhu kur i ka thirrur krijesat e Tij në të logjikuar e ka bërë këtë brenda fuqisë dhe mundësisë së mendjes së tyre.
Gjithashtu i Madhëruari na ka ftuar në shikimin e asaj që ka krijuar në qiej dhe në tokë, në veten tonë dhe në të gjitha krijesat. Na ka thirrur që të logjikojmë në krijimin e kësaj gjithësie ta gjerë, e cila e tëra është prej krijaturës së Allahut, i Cili është larg çdo të mete.

Pasi që njeriu të logjikojë e të meditojë do të përfundojë se për këtë gjithësi të gjerë e të madhe ka një Krijues Madhështor, Sajues të Urtë, e Ai është Allahu, i Madhëruar qoftë Zoti jonë.
Krijues i njeriut, bimëve dhe kafshëve.
Krijues i qiejve, tokës dhe deteve.
Krijues i çdo sendi që e shohim në kë këtë gjithësi të madhe.
Allahu xhel-le shanuhu është cilësuar me cilësi të qarta (të pastra e të plota) me të cilat e ka cilësuar qenien e Tij Madhështore në Kur’anin Fisnik, e gjithashtu e ka cilësuar krijesa më e ditur për Te, e ai është i Dërguari i fundit, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
E prej këtyre cilësive janë: Mëshira; Krenaria; Falja; Poshtërimi.
E shumë të tjera, të cilat gjinden në Kur’anin Fisnik dhe në hadithet e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. E qëllimi ynë kryesor në njohjen e këtyre cilësive është që të ndalemi para dobësisë sonë dhe nevojës sonë për këtë Hyjni Madhështore që është larg çdo të mete dhe mangësie.

Allahu xhel-le shanuhu na ka treguar për qëllimin, për të cilin i ka krijuar të gjitha krijesat dhe ua ka sqaruar shkakun për të cilin e ka krijuar këtë botë dhe çka në të. Allahu i Madhëruar thotë: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të adhurojnë." (Dharijatë, 56)

Prandaj adhurimi (ibadeti) është qëllim, të cilin duhet ta kryejmë me përpikëri, duke iu nënshtruar Allahut të Madhëruar dhe duke e falënderuar për atë që na ka dhënë prej begative e dhuntive të shumta.
Allahu i Lartësuar thotë: "Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato." (Nahl, 18).

Pasi që na u bë e qartë ajo çka kemi sqaruar më parë, obligohemi që ta adhurojmë Allahun me adhurim të vërtetë dhe që ky adhurim të jetë vetëm për Të duke mos i shoqëruar askënd Atij.
Lutja t’i bëhet vetëm Atij.
Të kemi frikë vetëm prej Tij.
Të kërkojmë ndihmë vetëm prej Tij.
E kështu, të gjitha llojet e ibadetit të jenë vetëm për këtë Hyjni Madhështore, Krijues dhe Furnizues, i Fuqishëm dhe i Fortë, i Cilësuar me cilësi të larta e madhështore.

Marrë nga:
Libri "Islami i lehtësuar" - Ali Hasen Abdul Hamid
Përkthyer nga Enis Rama

 

  • Category: Në Allahun
  • Hits: 3079

XHENNETI (Parajsa)

Xhenneti është vend i gjerë, madhështor të cilin e ka përgatitur All-llahu xhel-le shanuhu për robërit e Tij të cilët i janë nënshtruar në jetën e kësaj bote dhe i kanë rrespektuar urdhërat e Tij. Ai është shpërblim për besimin e tyre të sinqertë dhe punët e tyre të mira. Thotë All-lahu i Lartësuar:

" Dhe ngutuni ( me punë të mira) në falje mëkatesh nga Zoti i juaj dhe për një xhennet gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe tokës, i përgatitur për të devotshmit."( suretu-Ali Imran-133)

 

2)

All-llahu i Lartësuar në Kur’anin e Madhërishëm e ka quajtur (xhennetin) me shumë emra:

Xhennetul-meëva, Shtëpia e përhershmërisë, Firdevs, Shtëpia e shpëtimit, Shtëpia e qëndrimit, Vendbanimi i sigurtë,e emra të tjerë.

 

(3)

Në xhennet hyn vetëm ai i cili bënë vepra të mira, i cili është i cilësuar me cilësi të mira dhe veçori të lavdëruara me vlerë.

All-llahu i Lartësuar thotë:

"All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtërat dhe pasurinë e tyre me xhennet. Luftojnë në rrugën e All-llahut, mbysin dhe mbyten. (All-llahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Tevrat, Inxhil e Kur’an. E kush është më zbatues i premtimit të vet se All-llahu? Pra gëzonju tregtisë që bëtë me Të. Ky është sukses i madh.

(Të xhennetit janë) Edhe ata që pendohen, ata që sinqerisht adhurojnë, ata që falënderojnë, ata që agjërojnë, ata që bëjnë ruku, që bëjnë sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqiat edhe ata që përmbushin dispozitat e All-llahut. Pra, përgëzoi besimtarët." (Et-teube, 112).

 

(4)

All-llahu xhel-le shanuhu e ka cilësuar xhennetin me begati të përhershme dhe kënaqësia në të nuk përfundon, çdo send që është në të është pa llogari (e panumërt) dhe në të ka lumenjë të shumtë e të mëdhenjë e të lloj-llojshëm.

Prej tyre ka që e kanë ujin e mirë e të shijshëm, nuk ndryshon era e tij, e as nuk ndryshon shija apo oreksi i tij. Prej tyre ka që janë prej qumshtit të pastër e të mirë. Ka që janë prej verës e cila është e shijshme për ata që e pijnë, jo sikur vera e kësajë bote e ndaluar, e cila e shkatërron mendjen dhe e humb vetëdijen, gjithashtu nën të ka lumenj nga mjalti i kulluar.

E të tjera përveç këtyre, prej lumenjve që rrjedhin nën kështjella. Në të ka pemë dhe mish shpendësh.

 

(5)

E prej mrekullirave që i furnizon All-llahu xhel-le shanuhu banorët e xhennetit janë këto frute të shijshme që kanë shije të dalluar e të ndryshme të cilat i ngjajnë njëra tjetrës, e banorët e xhennetit mendojnë se ky është ushqim i njëjtë të cilin e kanë ngrënë më parë, por nuk është kështu.

 

All-llahu i Lartësuar thotë:

" E përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhennete në të cilët rrjedhin lumenj. Saherë që u jepet ndonjë ushqim nga frytet e tij ata, thonë:"Ky është që me të u ushqenim edhe më parë." Ngase u sillet ushqim i ngjajshëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë" (El-Bekare,25).

 

(6)

Këtë furnizim të cilin ua përgatiti Zoti i tyre- i Lartësuar qoftë-u jep që t’i shërbejnë djelmoshat, të cilët u përgjigjen kërkesave të tyre dhe ua plotësojnë dëshirat e tyre.

Këta djelmosha bartin enë dhe gota nga ari i pastër, të cilat nga bukuria dhe përsosshmëria e madhe u ngjajnë margaritarëve të derdhur.

 

All-llahu i Lartësuar thotë:

"Dhe atyre u sillen për shërbim djelmosha që përherë janë të tillë sa që kur t’i kundrosh të duken si margaritarë të derdhur." (El-Enbija, 19).

Dhe thotë: "Hyni në xhennet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar! Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë çka t’u dëshirojë shpirti dhe t’u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë." (Ez-Zuhruf, 70,71).

 

(7)

Nga begatitë e xhennetit me të cilat i begatoi All-llahu xhel-le shanuhu robërit e Tij të mirë besimtarë, të cilët veçohen prej krijesave tjera

Veshja. Veshja e banorëve të xhennetit është nga mëndafshi i hollë dhe i trashë, e këto rroba i kanë të zbukuruara me ari të kulluar e të pastër.

Gjithashtu vendbanimet e tyre janë të mira, renditja e tyre është e mrekullueshme, ku ka dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën nën të cilat rrjedhin lumenj.

Thotë All-llahu i Lartësuar: " Ndërsa ata të cilët u ruajtën për hirë të Zotit të tyre, për ata do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nën të cilat rjedhin lumenj. Premtim i All-llahut, All-llahu nuk then premtimin."(suretu-ez-Zumer-20).

 

8)

Gjërat që janë në xhennet përngjajnë vetëm në emra me gjërat e kësaj bote, ngase në të ka atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar e as nuk ka mundur ta paramendon mendja e njeriut.Thotë All-llahu i Madhëruar:

" Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim."( suretu-es-Sexhde-17).

 

9)

Në xhennet nuk ka mëkate e as fjalë të kota. Në të ka vetëm përmendje dhe madhërim të All-lahut. Paqeja e All-llahut dhe bekimi i melaikeve është mbi besimtarët e gjithashtu edhe besimtarët e bekojnë njëri tjetrin.Thotë All-llahu xhel-le shanuhu"... ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë. (u thojnë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend." ( suretu-ez-Zumer-24).

Prandaj banorët e xhennetit janë banorë të paqes dhe sigurisë, All-llahu xhel-le shanuhu ka nxjerrur prej zemrave të tyre mërzinë dhe urrejtjen ndaj njerëzve. Ata të gjithë janë vëllezër të dashur dhe në xhennet nuk i godet lodhja apo sëmundja.

 

10)

Begatia dhe dhuntia më e madhe të cilën do ta gjejnë besimtarët në xhennet është se ata do ta shohin Zotin e tyre-I Madhëruar Qoftë- dhe do ta fitojnë kënaqësinë e Tij. Thotë All-llahu i Madhëruar:" Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara) që Zotin e tyre e shikojnë."(suretu-el-Kijame-22-23).

Gjithashtu thotë: " ... dhe kënaqësi nga All-llahu që është mbi të gjitha."( suretu-et-Tevbe-72).

E kjo është nga plotësimi i begative të All-llahut ndaj robërve të Tij dhe në të njejtën kohë nder e rrespekt i Tij ndaj tyre.

 

11)

 

Xhenneti është i përhershëm nuk kalon, mbetet përgjithmonë. Për këtë arsye edhe banorët e tij janë të përhershëm, nuk iu arrinë vdekja e as shkatërrimi.Thotë All-llahu xhel-le shanuhu

" E për sa i përket atyre fatmirëve, ata janë në xhennet përgjithmonë, sa të jenë qiejt e toka, përveq ata çka do Zoti yt ( iu dhuron) shpërblim të pakëputur."( suretu-Hud-108).

Fshehtësia e kësaj përhershmërie të banorëve të xhennetit në xhennet është se: pasiqë All-llahu xhel-le shanuhu e ka ditur prej zemrave të tyre këmbëngulësinë në besim dhe vepra të mira, sadoqë të zgjatë jeta e tyre. Për këtë dëshiroi All-llahu xhel-le shanuhu që t’i shbërblejë për qëllimin dhe dëshirën e tyre, edhepse ai (xhenneti) ëhtë më madhështor dhe në shkallë më të lartë, u përcaktoi atyre këmbim që për veprat e mira dhe këmbëngulësinë e tyre në adhurim (nënshtrim) t’ua dhuroj përhershmërinë në xhennet dhe qëndrim në te duke qenë të begatuar, të lumtur dhe të gëzuar.

Ali Hasen AbdulHamid
Përktheu Enis Rama, marrë nga Islami i lehtësuar


  • Category: Në Allahun
  • Hits: 2998

KUPTIMI I DËSHMISË SË BESIMIT

Dëshmia e besimit është kriteri vendimtar nga i cili njeriu gjykohet në qenien e tij një musliman apo një jobesimtar. 
Kjo dëshmi është themelimi mbi të cilin është bazuar Islami. Koncepti i jetës, universit dhe njeriut është shpërndarë nga ai dhe mbi të është bazuar mesazhi i të gjithë të dërguarve duke filluar me Nuhun dhe duke përfunduar me Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi be sel-lem.
All-llahu i Madheruar thotë: "Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk ka zot tjetër përveç Meje pra më adhuroni." [El-Enbija:25]

All-llahu ka krijuar njerëzit dhe xhinët dhe pjesën tjetër të krijimit mbi llogarinë e dëshmisë së besimit nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut.

Si pasojë çdo gjë në këtë univers i nënshtrohet adhurimit të All-llahut të cilit i Takon krijimi dhe autoriteti.

Ai është i ditur për çdo gjë.

Kuptimi i dëshmisë së besimit

Dëshmia, ‘La ilahe ila All-llah’ përfshin dy koncepte: mohimin dhe pohimin.

E para: Dëshmia e besimit mohon çdo njeri dhe çdo gjë tjetër perveç All-llahut, të Madhëruarit atributet e hyjnise.

Te gjithë të tjerët përveç All-llahut të tillë si Engjujt, profetët dhe pjesa tjetër e njerëzimit, idhujt dhe rregjimet politike në botë nuk janë zota dhe as që duhet të adhurohen.

Kështu mohimi në ketë aspekt është jo mohimi i ekzistencës së zotave falls sesa mohimi i hyjnisë që i atribuohet atyre.

E dyta: Dëshmia e besimit pohon dhe ia jep hyjninë All-llahut të Vetëm. Që do të thotë robi duhet të besojë që All-llahu është Zoti i Vetëm i vërtetë dhe të mos adhurojë askend tjetër përveç All-llahut.

Derisa adhurimi me të gjitha aktet dhe ritet duhet ti dedikohet vetëm një Zoti që e meriton atë atëherë Zoti i vërtetë të cilin e adhurojmë duhet ti dedikohen disa atribute disa prej tyre janë:

1. Hyjnia, Njëshmëria e All-llahut i Cili ishtë i njohur si Zot i vetem, i vërtetë, i Cili nuk ka partner për të ndarë atributet e Tij hyjnore apo në dominimin e Tij

Ai është Një për të cilin të gjitha krijesat kanë nevojë.

2. I Vetmjaftueshëm. All-llahu nuk ka nevojë për askend. Ai nuk ka nevojë për ndonjë ndihmës as për një grua ose një djalë.

3. Ai ka aftesinë për të bërë çdo gjë. Nuk ka asgjë që asgjëson aftësinë e Tij. Ai bën çfarëdo që dëshiron pa lodhje ose mbështetje. Nëse Ai dëshiron të bëjë diçka, Ai vetëm i thotë asaj “Bëhu” dhe bëhet.

Ai gezon një jetë absolute e cila nuk zhduket. All-llahu është i Fundit dhe Ai është i Përjetshëm.

5. Ai është vigjilent. All-llahu nuk fle as nuk është i pakujdesshëm, Atë as nuk e zë shkatërrimi dhe gjumi.

7. Ai është i Gjithëdijshmi. Dituria e All-llahut përfshin të gjithë universin madje edhe një grimcë nuk i ikë dijes së Tij. Ai eshte i njohur me të fshehtat dhe të dukshmet, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe Ai është I njohur me mendimet e brendëshme të njeriut.

8. Krenaria dhe Madhështia i përkasin All-llahut. Nuk ka asgjë më të madhe se All-llahu as në esencen e Tij ose ne Supremacinë e Tij.

9. Ai është më i Mëshirshmi. All-llahu nuk gabon në asgjë ose nuk dënon padrejtësisht. Ai i do të devotshmit e Tij dhe falë mëkatet e atyre që pendohen tek Ai.

Pra njëri i cili posedon atribute të tilla meriton të adhurohet si Zot. All-llahu i Madhëruari, pas së gjithash është i vetmi që posedon atribute të tilla.

Ai është Mbreti, i Gjithfuqishmi, i Urti, i Vetmi, që njeh të dukshmen dhe të padukshmen i Mëshirshmi, Mëshirëploti.

Vetëm Atij që i përkasin atributet hyjnore është një Zot i vërtetë i cili e meriton adhurimin dhe të cilin i gjithë krijimi e madhëron. ثshtë për këtë arsye që dëshmia e besimit mohon të gjitha hyjnitë e tjera perveç All-llahut dhe pohon All-llahun e Vetëm sepse Ai është Zoti i vetëm i vërtetë.

All-llahu i cili është larg çdo mospërsoshmërie si rezultat gëzon atributet hyjnore.

Kjo hyjni përfshin:

E drejta për të vendosur ligje. All-llahu është Një i cili vendos ligjet për krijesat e Tij pra me këtë askush nuk mund të vendosë ligje për vetveten ose për të tjerët që nuk përkon me ato të All-llahut ose atyre të dhëna nga të dërguarit e Tij e askush nuk mund të formulojnë një tip adhurimi ose një rregullim për sjellje për individ dhe grupe.

Askush nuk ka të drejtë të vendosë për gjërat e lejuara ose të ndaluara sipas mendjes se tij.

E askush nuk ka të drejtë të vendosë një ligj dënimi sipas mendjes së tij por e drejta e tillë i takojnë vetëm All-llahut. Kushdo që i jep të drejtën vetes për të drejta të tilla ai përsupozohet sikur dëshiron të ngrisë vetëveten si Zot.

Kushdo që i bindet atij e merr atë për një Zot në vend të All-llahut.

All-llahu i madhëruar ka përmendur që kristianët kanë marrë dijetarët dhe të urtët si Zota të tjerë përveç All-llahut vetëm sepse i bindeshin zotave të tyre të cilët ndalonin gjërat që All-llahu i Ka lejuar dhe lejonin gjërat që All-llahu i ka ndaluar.

Ata e bënin këtë edhe pse e dinin që All-llahu është Zoti i vërtetë të cilit duhet ti dedikohet adhurimi edhe e dinin që All-llahu i pranon vetëm ato vepra adhurimi të cilat janë vendosur nga Ai dhe të Dërguarit e Tij.

Pra ne duhet të njohim veprat e adhurimit kështu që t’ia dedikojme ato vetëm All-llahut të Vetëm.

Tani që e dimë këtë ne e dimë që Ai ka krijuar krijesat që ta adhurojnë Atë.

Njeriu si pjesë e krijesave të Tij duhet t’ia dedikojë të gjithë jetën e tij adhurimit të All-llahut ai duhet t’i njohë ligjet e All-llahut duke i respektuar ato, kështu që çdo gjë të lejueshme që e bën me qëllim që t’i ofron All-llahut e kthen në një vepër adhurimi.

Adhurimi është një përbërje e cila përfshin çdo fjalë dhe vepër të dukshme ose të fshehtë që All-llahu e do.

Duke pasur mundesinë për të lexuar këtë mesazh të shkurtër rreth kuptimit të dëshmisë së besimit dhe urdhëresave të saj ju jeni ndofta në padurim për ta deklaruar atë dhe për të aplikuar urdhëresat e kësaj dëshmie që janë të obliguara mbi personin që e deklaron atë?

Këto janë:

1. Besimi që All-llahu është një Zot i vërtetë të cilit vetëm duhet t’i dedikohet adhurimi. Ai është Një i cili i posedon të gjitha atributet e përsosura dhe i cili është larg nga çdo mospërsosshmëri e tillë si të ketë një partnere ose një djalë.

2. Besimi që All-llahu është Krijuesi i gjërave ekzistuese, Mbajtësi, Ai i cili i jep jetë dhe vdekje, Pronari i universit, i Vetmi Sundimtarë dhe Legjislatorë.

3. Besimi që All-llahu posedon atributet e perfektshmërisë dhe larg nga çdo të metë siç na ka informuar All-llahu dhe mandej Muhamedi, i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Kur’an dhe traditën e tij. Vetëm dy burime nga të cilat ne njohim atributet e All-llahut.

Nëse Muhammedi do të gënjente kundër All-llahut, All-llahu defenitivisht do ta kishte dënuar ate.

Në të kundërt All-llahu e mbështeti atë me mrekulli që kanë provuar vërtetësinë dhe sinqeritetin në përhapjen e mesazhit te Zotit te tij.

All-llahu thotë:

Sikur të trillonte ai (Muhammedi) për Ne ndonjë fjalë. Ne do ta kapnim ate me fuqine tonë, e pataj do t’ia këputnim atij arterien e zemrës. [El-Hakka : 44,45,46]

4. Marrja e besimtarëve për shokë dhe mbështetja e tyre.

All-llahu thotë:

“Muhammedi është i dërguari i All-llahut e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër mosbesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete ti i sheh ata kah përulen (në ruku) duke rënë me fytyrë në tokë (sexhde) e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre në Teurat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhill. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet e ai trashet e forcohet dhe qëndron në trungun e vetë ajo e mahnit mbjellesin. (All-llahu i shumoi) Për t’ua shtuar më ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bën vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh. [El-Fet : 29]

5. Shmangëja nga jobesimtarët dhe qëndrimi larg prej tyre.

All-llahu thotë:

Ju e keni shembullin më të mirë të Ibrahimit dhe te ata qe ishin me të kur i thanë popullit të vet:

“Ne tërhiqemi prej jush dhe asaj që adhuroni pos All-llahut nuk besojmë tuajën, prandaj ndërmjet nesh dhe jush është e hapet armiqësia e urrejtja derisa ta besoni Vetëm All-llahun Një. (Nuk e keni shembull) Me përjashtim të fjalës së Ibrahimit thenë babait te vet: Unë do të kerkojë falje për ty te All-llahu! Zoti ynë vetëm Ty të jemi mbështetur vetëm nga Ti jemi të kthyer dhe vetëm nga Ti jemi të kthyer dhe vetëm te Ti është e ardhmja! [El-Mumtehine : 4]

Të mësipërmet janë disa urdhëra të dëshmisë së besimit si dëshmi e cila konsiderohet hyrje dhe pranimi i Islamit dhe baza e tij.

Kushdo që e pohon atë me sinqeritet dhe aplikon urdhëresat e saj do të futet përfundimisht në Parajsë me vullnetin e All-llahut.

Nëse një person i tillë ka bërë mëkate dhe ka vdekur pa u penduar është për All-llahun, Ai ta falë ate ose ta dënojë atë me zjarr por më vonë do ta nxjerr jashtë nga aty dhe do ta fusë në Parajsë pasi që është pastruar nga mëkatet e tij.

ثshtë përmendur në një traditë profetike që Musa i Dërguari i All-llahut alejhis-selam e pyeti All-llahun për t’i treguar atij një vepër adhurimi dhe ta bëjë atë praktikë të tijen.

All-llahu i madhëruar e ka urdhëruar atë: ‘O Musa thuaj: Nuk ka zot që e meriton adhurmin përveç All-llahut. Musai tha: Zoti im! Të gjithë robërit tuaj e dëshmojnë këtë dëshmi.

Për të trerguar kuptimin e dëshmisë së besimit All-llahu atëherë ka thënë: ‘O Musa sikur shtatë qiejt dhe shtatë tokat dhe të gjitha çfarë përmbajnë ato ti vendosim në një anë të peshores dhe “Nuk ka të adhuruar tjetër perveç All-llahut do te vihej në anën tjetër të saj ajo do të peshonte me shumë nga ato.

Profeti, sal-lall-llahu Alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Ai i cili e përfundon jetën e tij me përmendjen e dëshmisë së besimit që të jenë fjalët e fundit para vdekjes ai do të futet në Parajsë.”

Pohimi i dëshmisë së besimit duhet të bashkohet me përmbushjen e kushteve të saj:

1. Dituria e cila konsiston në njohjen e All-llahut si Zot i vetëm i vërtetë të Cilit duhet ti dedikohet adhurimi dhe refuzimi i të gjithë zotave të adhuruar si të rrejshëm dhe që ata prej tyre nuk mund të përfitojnë e as të dëmtohen aspak.

2. Bindja që besimi në All-llah nuk duhet të njolloset me asnjë dyshim.

3. Pranimi i të gjitha kushteve të saj.

4. Nënshtrimi që është në përmbushjen e kushteve të tij dhe i kënaqur me All-llahun si Zot dhe Muhamedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, si i dërguari i Tij.

5. Besnikëria ……… që është përmbushja e urdhërave me besnikëri.

6. Sinqeriteti që është të jetë i sinqertë në adhurmin e All-llahut duke i dedikuar të gjitha veprat e adhurmit Vetem Atij.

7. Dashuria për All-llahun të Madhëruarin dhe dashuria për të Dërguarin e Tij Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe dashuria për të devotshmit e All-llahut dhe njerëzit që i binden Atij.

Së fundi duhet të shoqërohet me dashurinë ndaj Tij, frikën e dënimit të Tij dhe Shpresën për shpërblimin e Tij, kërkimin e faljes dhe marrjen e mësimeve të Profetit të Tij Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është i fundit nga të Dërguarit e All-llahut dhe Sheriatin e Tij (ligjet dhe ritet fetare) i cili anulon të gjitha ligjet e mapërparshme (ligjet të cilat i janë zbritur profetëve tjere) dhe ritet fetare.

Ai përmban më të mirën e çdo sheriati të mëparshëm.

 

Përktheu: Ammar Ardit Kraja

Shejh Hamud M. El-Lahim,

albislami.com

  • Category: Në Allahun
  • Hits: 3128

XHEHENNEMI (Zjarri)

Ai i cili i nënshtrohet All-llahut xhel-le shanuhu, bënë vepra të mira dhe i largohet të këqiave këtë do ta shpërblen All-llahu xhel-le shanuhu me xhennet dhe do t’i dhuroj begati të përhershme duke mbetur në te përgjithmonë dhe nuk do të vdesë kurrë.

Kurse ai i cili e kundërshton All-llahun e Madhëruar, vepron punë të këqia e i lenë punët e mira nuk ka dyshim se All-lahu xhel-le shanuhu do ta ndëshkon atë për veprat e tia të këqia dhe se do ta futë në zjarrin e xhehennemit. Na faltë All-llahu neve dhe juve.

 

2)

Sikurse xhenneti edhe zjarri i ka disa emra:

Ai është ( Es-Seir) - zjarr i ndezur fort.

(Ledha) - flakë.

(El-Havije) - zjarrë me nxehtësi shumë të lartë.

(Es-Sekar) - zjarrë i cili nuk le send pa djegur.

çdo emër prej këtyre emrave dëshmonë për ashpërsinë e ndëshkimit.

 

3)

All-llahu xhel-le shanuhu e ka përshkruar zjarrin saktësishtë nga i cili thinjën flokët, shqetësohen zemrat, që me këtë të qortohen të devijuarit për devijimin e tyre. Zoti xhel-le shanuhu gjithashtu ka përmendur se lëndë djegëse të tij do të jenë njerëzit dhe gurët.Thotë All-lahu xhel-le shanuhu:" O ju që besuat, ruane vehten dhe familjet e juaja prej një zjarri, lëndë djegëse të të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara"(suretu-et-Tahrim-6).

Zjarrit nuk i mjafton vetëm ajo që do dë hudhet në te, por do të kërkojë ende, nga madhësia dhe gjerësia që e ka, derisa të mos mbetet asnjë vend i zbrazët. Thotë All-llahu xhel-le shanuhu:

" Ditën kur Ne i themi xhehennemit:"A je mbushur?" E ai thotë:"A ka ende?"(suretu-Kaf-30).

 

4)

Edhe banorët e zjarrit hanë, pinë dhe veshen , por...

Çka hanë? Çka pinë? Çka veshin?

Thotë All-llahu i Lartësuar: " A kjo pritje ( me shpërblim prej All-llahut) është më e mirë apo pema e "Zekkumit"? Ne atë e kemi bërë për zullumqarët. Ajo është një pemë që mbin në fund të xhehennemit. Pema (fryti) e saj është sikurse koka dreqërish. E ata do të hanë nga ajo dhe do të mbushin barqet prej saj. Pastaj ata do të kenë kundrejt atij ushqimi edhe ujë të valë. Mandej kthimi i tyre është në xhehennem."(suretu-es-Safat-61-68).

Pra ushqimi i tyre është:"Zekkum". Ai është dru prej llojeve më të këqia të drunjëve, ka shije të idhtë dhe erë të coftirës.

Ndërsa për pijen e tyre, thotë All-llahu i Lartësuar: " Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij ( të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhiten fytyrat. E shëmtuar është ajo pije e sa vend i keq është ai."(suretu-el-Kehf-29).

E ai është bakër i shkrirë të cilin e ka shkrirë zjarri, i cili i këput zorrët e i fërgon fytyrat.

E për veshjen e tyre All-llahu xhel-le shanuhu thotë: "... e atyre që nuk besuan u qepen rroba prej zjarri e u hudhet uji i valë mbi kokat e tyre. Që me atë u shkrihet krejtë ç’ka në barqet e tyre e edhe lëkurat. Për ata janë edhe kamxhikët e hekurtë."(suretu-el-Haxh-20-22).

 

5)

Kështu është jeta e banorëve të xhehennemit...

Dënim e fatkeqësi.

Dëshprim e ndëshkim.

Nuk vdesin e që me këtë të pushojnë, e as nuk jetojnë jetë të këndëshme që me këtë të dëfrehen.

Thotë All-llahu i Lartësuar: " E do t’i shmanget asaj, ai që është shumë i keq. I cili do të hyjë në zjarrin e madh. Dhe aty as nuk do të vdesë e as nuk do të jetojë."( suret-el-Ala-11-13).

Dhe thotë: " është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t’i hudhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne u ndërrojmë lëkura tjera që të shijojnë dënimin. All-llahu është i PlotëFuqishëm i Drejtë."(suretu-en-Nisa-56).

 

6)

Ndalu dhe shiko, a do të mund ta prekësh zjarrin apo t’i afrohesh atij në shtëpinë tënde?

Nëse do ta bëje këtë do të të digjej dora jote. Për këtë t’i largohesh prej tij dhe nuk i afrohesh. E ky zjarr prej të cilit t’i ruhesh s’është gjë pos diçka e vogël.

 

Çka do të bëshë pra?

Nuk ka dyshim se largimi yt nga ky zjarrë përcëllues do të jetë më i madh se ikja dhe largimi yt nga zjarri i kësaj bote, të cilin e sheh në shtëpinë tënde.

Kur ta njohësh gjithë këtë, dije se zjarri më i madh dhe më i fortë (më përcëllues) në këtë botë as për së afërmi nuk mund t’i afrohet zjarrit të xhehennemit.Thotë Pejgamberi sa-lall-llahu alejhi ve selem:" Zjarri i juaj të cilin ju e ndezni është pjesa e shtatëdhjetë e vapës së xhehennemit.Një nga të pranishmit tha:"Për (pasha) All-llahun o i dërguar i All-llahut sikur të jetë edhe sa ky (i kësaj bote) do të mjaftonte! Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve selem i tha:"E këtij do t’i shtohen edhe 69 pjesë tjera, të gjitha me nxehtësi sa ky."

 

7)

Banorët e xhehennemit dallojnë ( nuk janë të njejtë) në shkallën ndëshkimit, prej tyre ka që do të kenë ndëshkim të ashpër, disa do të kenë më lehtë se kjo...

Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve selem na ka lajmëruar për atë që do ta ketë dënimin më të të lehtë. A thua vallë çfarë është ai dënim?Si do ta ndien vehten ai i cili do të hudhet në të?

Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve selem thotë:" Dënimin më të ultë do ta ketë njeriu të cilit do t’i vishen nallet nga zjarri , e nga kjo do t’i vlojnë trutë, ashtu siç vlon uji në enën e bakrit, askush nuk ka parë ndëshkim më të madh, e ky do të jetë ndëshkimi më i lehtë për ta."

 

8)

E besimtarët e mirë të cilët i janë nënshtruar Zotit të tyre, i janë përgjigjur urdhërave të Tij dhe janë larguar nga ndalesat dhe qortimet e Tij, ata nuk do t’i godet asgjë nga kjo.

Por...

Ka disa nga besimtarët, falen, agjërojnë... por të cilët biejnë në disa mëkate, kundërshtojnë disa ndalesa dhe i lëjnë disa obligime ...A thua vallë si do të jetë gjendja e tyre? A do të jenë në xhennet apo në zjarr. Thotë All-llahu xh.sh.

" Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa peshoja e një kokrre të melit Ne do ta sjelim atë.E mjafton që Ne jemi llogaritës."(suretu-el-Enbija-47).

E All-llahu i Lartësuar është më i Urti i të urtëve, më i drejti i të drejtëve... E Ai, i Lartësuar qoftë për ata që do të jenë në këtë gjendje kështu do të gjykojnë; do të peshojnë mes veprave të tija të mira dhe të këqia për të cilat nuk është penduar, e nëse peshojnë më rëndë të mirat atëherë ai do të jetë në xhennet. Por nëse mëkatet e tija janë më tepër do të hynë në zjarr, e pastaj aty do të dënohet aq sa ka bërë mëkate. E pasi që t’ia plotësojë All-llahu xh.sh. dënimin në bazë të drejtësisë dhe urtësisë së Tij, do të del prej aty dhe do të hyjë në xhennet.

 

9)

Zjarri i përhershëm nuk përfundon e as nuk fiket kurrë. Banorët e zjarrit nuk do t’i godet vdekja, e as nuk do të përfundojnë. Thotë All-llahu i Lartësuar:

" E për sa i përket atyre fatkëqinjëve, ata do të jenë në zjarr, aty ata kanë dihatje, kërhamazë të vështirë ( në frymëmarrje). Aty janë përgjithmonë, sa të jenë qiejtë dhe toka, përveq atë çka do Zoti yt, vërtetë Zoti yt punon çka dëshiron."(suretu-Hud-106-107).

Fshehtësia e mbetjes së banorëve të xhehennemit përgjithmonë në zjarr është se ata ishin kryefortë (këmbëngulës) në veprimin e mëkateve, e All-llahu xh.sh. u lejoi që të veprojnë atë që kanë zgjedhur, e edhe po të jetonin me qindëra vite do të mbeteshin në mosbesimin dhe kryefortësinë e tyre.

Thotë All-llahu i Lartësuar: " E sikur t’i shihje ata kur janë ndalur pranë zjarrit e thonë:" Ah, sikur të ktheheshim ( në dunja) të mos përgënjeshtrojmë faktet e Zotit tonë e të bëhemi nga besimtarët. Jo,( s’është ashtu) po atyre u doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë, prandaj edhe sikur të ktheheshin ata do të përsëritnin atë që e kishin të ndaluar, e s’ka dyshim, ata janë gënjeshtarë."(suretu-el-En’am-27-28).

Ali Hasen AbdulHamid


Back to top