Home

  • Category: Familja
  • Hits: 3682

MARTESA

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë:
هُوَ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَجَعَلَ مِنْهَا زَوْجَهَا لِيَسْكُنَ إِلَيْهَا - الأعراف: 189
“Është Ai që ju ka krijuar juve nga një njeri i vetëm (Ademi) dhe prej tij Ai krijoi bashkëshorten e tij (Havanë) me qëllim që ai të shijonte kënaqësinë e jetës me të”. (A’rafë, 189).
Nga mirësitë e Allahut për njerëzimin është që Ai vendosi në natyrën e tyre dëshirën për martesë për arsye që të mos shuhet ajo dhe të mbetet trashëgimia.
Qëllimi i krijimit të njeriut në këtë botë është që ai të adhurojë Allahun të vetëm e pa shok. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë:
وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْأِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُون - الذاريات: 56
“Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhinët, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua”. (Dharijatë, 56).
Vazhdimi i trashëgimisë njerëzore vjen vetëm me martesën. Ndërsa, martesa ka një parim tjetër në të cilën të dy bashkëshortët gjejnë në të qetësinë, forcën, vendosmërinë për jetën, gjejnë në të gjithashtu qëndrueshmërinë dhe ndërgjegjen. Qetësia shpirtërore në martesë midis burrit dhe gruas i shtyn ata që të formojnë një jetë të re, e cila paraqitet si një brez i ri. Martesa është një begati prej begative të Allahut të Madhëruar që ua ka dhuruar robërve të Vet, siç e ka përmendur në Kur’anin Famëlartë ku thotë:
وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجاً لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَةً إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآياتٍ لِقَوْمٍ يَتَفَكَّرُون - الروم: 21
“Dhe nga faktet (e madhështisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëz që mendojnë.” (Rrum, 21).
وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَاما - الفرقان : 74
“Edhe ata që thonë: Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bëj shembull për të devotshmit.” (Furkan, 74).

Ata që i ka begatuar Allahu i Madhëruar me këtë begati, po ashtu edhe atyre që ua ka mundësuar Allahu martesën do t’u japim disa këshilla:

1. Sinqeriteti i nijetit
Nijeti është baza e një vepre, në të cilën njeriu mund t’i shndërrojë veprat e tij të zakonshme në ibadet, duke e bërë nijet që me këtë vepër ta arrijë shpërblimin e Allahut të Madhëruar. Nëse në këtë rast të dy bashkëshortët e bëjnë nijetin e martesës së tyre për njërën prej këtyre shkaqeve do të jetë e tërë jeta e tyre bashkëshortore ibadet dhe do të kalojnë një jetë të lumtur dhe do ta meritojnë shpërblimin tek Allahu i Madhëruar. Do të përmendim disa prej shkaqeve:
a) Ta bëjnë nijetin për t’iu nënshtruar urdhrit të Pejgamberit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të që e ka urdhëruar rininë të martohet. Transmetohet nga Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të se ka thënë: “O ju rini: Kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet, sepse në të vërtetë kjo do t’ia ruajë sytë nga harami dhe do t'ju mbrojë nga kurvëria.” (Shënon Buhariu).
b) Për të krijuar një familje muslimane, një familje e cila do ta adhurojë Allahun e Madhëruar, e cila do ta ketë dertin e Islamit. Një familje, e cila do të jetojë me Islamin, duke shpresuar shpërblimin e Allahut të Madhëruar.
c) Për të lindur pasardhës të devotshëm, të cilët do t’i nënshtrohen urdhrave të Allahut të Madhëruar dhe të Pejgamberit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Duke i edukuar ata me frymën islame që një ditë nëse do Allahu, të jenë prej atyre që do ta ngrenë fjalën e Allahut të Madhëruar me fjalë dhe vepra. Nëse të dy bashkëshortët i lidhin zemrat e tyre me këto qëllime, atëherë çdo sekondë e jetës së tyre do të llogaritet ibadet, gjë për të cilën do të shpërblehen në Ditën e Gjykimit, plus që do të jetojnë një jetë të begatë në këtë botë, por edhe pas vdekjes do t’u shkojnë sevapet nëse le fëmijë të hajrit siç transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Kur vdes njeriu, puna e tij ndërpritet, përveç tri gjërave: sadakasë së përhershme, dituria prej së cilës kanë dobi të tjerët dhe nga pasardhësi i mirë, i cili lutet për të vdekurin.” (Shënon Muslimi).
Allahu na mundësoftë që të lëmë mbrapa pasardhës të devotshëm, të cilët të luten për ne! Pra, nijeti i martesës duhet të jetë për këto qëllime e jo me qëllimin e bukurisë, pasurisë etj., dhe ata do të kalojnë një jetë bashkëshortore të mirë. Transmetohet nga Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të se ka thënë: “Gruaja merret për katër shkaqe: për shkak të pasurisë, për shkak të sojit të mirë, për shkak të bukurisë dhe për shkak të devotshmërisë. Zgjidhe për shkak të devotshmërisë dhe asnjëherë nuk do të jesh i zhgënjyer.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

2. Ndihmesa në ibadete
Bashkëshortët janë të detyruar që ta urdhërojnë njëri-tjetrin për mirë dhe ta nxisin njëri-tjetrin në punët e mira, siç transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Allahu e mëshiroftë burrin, i cili ngrihet natën për të falur namaz, dhe e çon nga gjumi gruan e tij për të falur namaz, e nëse nuk çohet ia fërkon fytyrën asaj me ujë, dhe Allahu e mëshiroftë gruan, e cila ngrihet natën për të falur namaz, dhe e çon nga gjumi burrin e saj për të falur namaz, e nëse nuk çohet ia fërkon fytyrën atij me ujë.” (Shënon Ebu Davudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Ahmedi).

3. Formimi i një shtëpie muslimane
Formimi i një shtëpie muslimane dhe i familjes muslimane me një besim (akide) të pastër ashtu siç na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar dhe Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke mos bërë asnjë hap pa kontrolluar se çfarë është vendimi i Sheriatit mbi një çështje, e nëse kjo vepër është e ndaluar, i largohen asaj.

4. Kalimi i një jete me dashuri

Kalimi i një jete me dashuri, mëshirë dhe marrëdhënie të mira mes tyre duke marrë shembuj nga urdhrat e Allahut të Madhëruar ku thotë:
وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوف - النساء: 19
“Çoni jetë të mirë me to…”. (Nisaë, 19).

5. Sjellja midis dy bashkëshortëve

Dy bashkëshortët duhet të sillen ndërmjet vete, ashtu si janë sjellë me njëri-tjetrin Ebu Derda dhe gruaja e tij Ummu Derda, ku transmetohet se kur hidhërohej Ebu Derda, ka heshtur gruaja e tij dhe është munduar që ta pajtojë dhe ta qetësojë atë, dhe kur është hidhëruar Ummu Derda ka heshtur burri i saj dhe është munduar që ta pajtojë dhe ta qetësojë atë. Kjo është sjellje e mirë që duhet të jetë shembull për shtëpitë tona, sa e sa njerëz që i njohim i lëshojnë gratë e tyre për shkak të moskontrollit të vetvetes gjatë hidhërimit ndaj grave të tyre, apo ndaj dikujt tjetër, e lusim Allahun e Madhëruar që t’i përmirësojmë sjelljet tona ndaj grave dhe burrave tanë.

6. Falja
Duhet ta dimë se çdo njeri gabon, kështu që ne nuk duhet të bëhemi mjet i shejtanit, qëllimi i të cilit është shkurorëzimi i dy bashkëshortëve. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
فَيَتَعَلَّمُونَ مِنْهُمَا مَا يُفَرِّقُونَ بِهِ بَيْنَ الْمَرْءِ وَزَوْجِهِ - البقرة: 102
"E, mësonin (njerëzit) prej tyre dyve atë (magji) me të cilën ndanin burrin prej gruas së vet…”. (Bekare, 102).
Prandaj nuk duhet ta ndihmojmë shejtanin, por duhet që të jemi të mëshirshëm dhe falës ndaj njëri-tjetrit.

7. Problemet

Problemet, mangësitë dhe gabimet e njëri-tjetrit duhet të mbesin mes dy bashkëshortëve, e mos të përhapen problemet dhe mangësitë e të dy bashkëshortëve tek të afërmit e tyre. Sepse nëse këto probleme përhapen tek te afërmit, sado i vogël që të jetë problemi, do të rritet e mund të vijë deri te shkurorëzimi i të dy bashkëshortëve.

Dasma është një sunet shumë i inkurajuar, por jo i detyruar. I Dërguari i Allahut paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të i ka thënë Abdurrahman bin Avfit: “Bëje dasmën qoftë edhe me një dele.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Është transmetuar se ai vetë i ka ushqyer njerëzit me bukë dhe mish për martesën me Zejneben, por për shkak të rrethanave të vështira, disa nga martesat e tij u festuan vetëm me një gjellë me majdanoz, ose vetëm me hurma arabe. Kështu, lloji dhe cilësia e ushqimit i është lënë mundësive të burrit, duke patur parasysh që ekstravaganca, shpërdorimi dhe të shfaqurit për sy e faqe është e ndaluar. Dasma mund të mbahet në kohën e kontratës ose pastaj, ose në kohën e konsumimit ose pastaj, sipas rrethanave dhe zakonit. Është e papëlqyer për të ftuar vetëm të pasurit dhe për t’i përjashtuar të varfrit. Ebu Hurejre, ka raportuar që Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Ushqimi më i keq është dasma, në të cilën ata që do të vinin pengohen dhe ata që do të refuzonin do të thirren.” (Shënon Muslimi).
Dhe:
"Ushqimi më i keq është ushqimi i dasmës në të cilën thirren të pasurit dhe anashkalohen të varfërit.”
Ai që ftohet personalisht në një dasmë, është i detyruar t’i përgjigjet ftesës, përveç kur ka një arsye të vlefshme për të mos shkuar. Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju është i ftuar në një dasmë, ai duhet të marrë pjesë”. (Shënon Buhariu).
Dhe:
“Kushdo që nuk i përgjigjet ftesës, nuk i është bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij”.
Një arsye e vlefshme për të mos shkuar në dasmë përfshin edhe ftesën më parë në një vend tjetër së pari, vështirësitë personale, ose sëmundja, ose duke e ditur se ndonjë gjynah mund të ndodhë, të tillë si përjashtimi i njerëzve të varfër, përgojimi, shërbimi i ushqimeve të palejuara, ose pijeve etj.. Në këtë rast ai nuk duhet të marrë pjesë, vetëm nëse ai është i aftë t’i influencojë njerëzit që të frenohen nga këto gjynahe.

Së fundi i këshilloj të martuarit dhe ata që dëshirojnë të martohen, t’i mësojnë këto këshilla dhe t’i praktikojnë ato sipas mundësive të tyre që të kalojnë një jetë më të mirë dhe më të lumtur.

Marrë nga libri:
“Senetu ula ez-zevaxh”
Xhavahir bint Muhammed
(Përktheu: Arsen Muskurti)

  • Category: Familja
  • Hits: 2278

OJ BIJA IME!

cherryUnë jam një njeri që ka hyrë në dekadën e pestë të jetës. Jam përshëndetur me rininë dhe ëndrrat e saj. Kam shëtitur nëpër shumë vende, jam takuar dhe jam njohur me njerëz dhe vende të ndryshme. Dëgjoji nga unë ca fjalë të vërteta dhe të sinqerta nga përvoja e jetës sime, të cilat nuk do t'i dëgjosh nga të tjerët.

Kemi shkruar dhe kemi thirrur për përmirësimin e moralit, që njerëzit të largohen nga epshet dhe ngatërresat, sa që na janë lodhur lapsat dhe gjuhët tona, por e tërë kjo pa ndonjë rezultat. Gjërat e shëmtuara jo që nuk u larguan, por përkundrazi u shtuan, e ngatërresat u përhapën. Zbulimi i bukurive tek femrat vazhdoi të shtohej dhe të zgjerohej prej një vendi në vend tjetër, sa që nuk mbetën pa u prekur me këtë gjë të shëmtuar as shtetet islame.
Nuk patëm sukses dhe nuk mendoj se do të kemi sukses. A e dini pse?
Ngase, ende sot e kësaj dite nuk ua kemi mësyer dyerve të përmirësimit, e as nuk e dimë rrugën tek Ai.
Rruga e shpëtimit është para teje, oj bija ime. Çelësat janë në duart e tua, e nëse beson në ekzistimin e saj dhe punon për të hyrë në të, gjendja do të të përmirësohet.
Është e vërtetë se mashkulli është ai, i cili e bën hapin e parëtë mëkatit, këtë nuk e bën femra, por po të mos ishte dëshira jote ai nuk do të afrohej. Po të mos ishte dëshira jote, butësia jote, ai nuk do të insistonte. Ti ia hape derën e ai hyri. I the hajnit: Urdhëro ..., e kur të vodhi hajni, fillove të bërtasësh: Ndihmë, më vodhën...! E po ta dije ti se të gjithë meshkujt janë si ujqit, e ti je një qengj, do të ikje prej tyre sikur që ikën qengji nga ujku, dhe po ta dije se ata të gjithë janë hajna, do të ruheshe prej tyre sikur që ruhet viktima prej hajnit.
Ujku do nga qengji veçse mishin  e tij, e atë çfarë do mashkulli nga ti është më e vlefshme për ty se sa mishi për qengjin, dhe kjo gjë është më e keqe për ty se sa vdekja për qengjin. Ai do nga ti gjënë tënde të shtrenjtë: Nderin tënd me të cilin krenohesh, dhe për të cilin jeton. 
Ngase jeta e vajzës, nderin e së cilës ia ka marrë mashkulli, është njëqind herë më e rëndë se sa vdekja për qengjin, mishin e të cilit  ia kishte ngrënë ujku.... Po për Zotin, nuk e shikon një i ri një femër përveç se në iluzionet e veta e zhvesh atë dhe e paramendon pa rroba.
Po të betohem për herë të dytë, mos i beso asaj çfarë të thonë disa meshkuj se ata në femër nuk shohin veç se moralin dhe sjelljet e saj dhe se ata bisedojnë me të si shokë dhe si të tilla edhe i duan ato. Po të betohem se kjo është rrenë.
Po t'i dëgjojmë bisedat e të rinjve kur janë vetëm, do të dëgjoje fjalë të trishtueshme. I riu nuk të buzëqesh, e as nuk të folë fjalë të buta ose nuk ta bën ndonjë shërbim, përveç se kjo është një parapërgatitje për t'ia arritur qëllimit.
Çfarë pas kësaj, çfarë o vajzë? Mendo!
Bashkoheni në kënaqësi për një moment, e pas kësaj ai të harron, e ti përgjithmonë do t'i ndiesh pasojat e saj. Ai do të vazhdojë të kërkojëndonjë femër tjetër të pakujdesshme dhe ta vjedhë nga ajo nderin e saj, e te ti në barkun tënd do të mbetet pjella e tij. Me ty do të mbeten brengat dhe turpi. Kjo shoqëri zullumqare do t'ia falë atij, dhe do të thonë: Ka qenë i ri, kishte gabuar pak, por është penduar. E ti do të mbetesh me mërzinë dhe turpin tënd gjatë tërë jetës, shoqëria ty nuk do ta falë kurrë.
Andaj, nëse e takon ule kokën dhe shikimin tënd, bëja me dije refuzimin tënd... E nëse në këtë mënyrë nuk largohet, por gjen guxim të të afrohet dhe të gjuaj me fjalë, atëherë lirisht mund ta nxjerrësh këpucën prej këmbës dhe ta godasësh atë në kokë. Nëse do ta kishe bërë një gjë të këtillë do ta kishe vërejtur se secili, i cili kalon atypari do të të ndihmonin ty, e të pamoralshmit e tjerë nuk do të kishin pasur guxim që ta bënin një gjë të tillë. E nëse është i mirë dhe pendohet për gjestin e bërë, atëherë do ta kërkojë lidhjen në mënyrë të lejuar; do të kërkojë martesë me ty.
E femra, pa marrë parasysh pasurinë e saj ose pozitën dhe famën që ka, ajo shpresën dhe lumturinë më të madhe e ka në martesë, ku do të bëhej grua e mirë, nënë e kujdesshme, si dhe edukatore e shtëpisë.
Në këtë dëshirë janë të njëjta mbretëreshat dhe princeshat, artistet e Holivudit, të cilat janë të famshme dhe me ndikim, me të cilat mashtrohen shumë prej femrave.
Martesa është dëshira më e madhe e femrës, qoftë edhe delegate në parlament a pushtetare.
Prostitutën nuk e marton askush. Edhe ai, i cili e mashtron femrën e ndershme duke i premtuar asaj martesë, nëse e mashtron e lë dhe shkon. Pastaj shkon dhe e marton ndonjëren prej femrave të ndershme për arsye se ai nuk pranon që zonja e shtëpisë dhe nëna e vajzës së tij të jetë prostitutë.
E mashkulli nëse është i pamoralshëm, nëse nuk gjen në tregun e kënaqësisë femër që do të pranonte t'ia dorëzojë nderin e saj atij dhe të jetë lodër në duart e tij, nëse nuk gjen femër të pakujdesshme që do të jetonte me të sipas fesë së Iblisit (shejtanit), atëherë do të kërkojë ndonjë femër që do të jetë grua e tij sipas parimeve islame.
Shkatërrimi i martesave është nga ju vajza!
Po të mos ishin të pamoralshmet nga mesi i juaj, nuk do të prisheshin martesat e as nuk do të shtohej tregu i amoralitetit.... E atëherë, pse nuk punoni? Pse nuk punojnë femrat e ndershme në luftimin e kësaj të keqe? Ju duhet të prini në këtë, ngase jeni më të afta se ne në këtë çështje, ngase ju e dini më mirë gjuhën e femrave dhe mentalitetin e tyre. Dhe për shkak se askush nuk do të humb më shumë se ju, femrat e ndershme, të edukuara dhe fetare. Në shumë shtëpi tani gjejmë femra, të cilat janë për martesë, por nuk e gjejnë dot atë, me të cilin do të martohej, për arsye se të rinjtë kanë gjetur shoqe të interesit, të cilat ua plotësojnë nevojat, andaj nuk kanë nevojë për martesë. Andaj, duhet që të formoni shoqata të femrave të përbëra nga shkrimtare, mësuese, studente dhe intelektuale të tjera, që të përpiqemi për t'i kthyer motrat tuaja të devijuara në rrugë të drejtë.
Frikësojini ato duke ua përkujtuar zotin, e nëse nuk frikësohen, atëherë tërhiquani vërejtjen nga sëmundjet e ndryshme, e nëse edhe pas kësaj nuk ndryshojnë, atëherë foluni atyre me gjuhën e realitetit, dhe thuani atyre: Ju jeni vajza të bukura, andaj edhe meshkujt vijnë dhe ju sillen vërdallë. Por, a thua rinia dhe bukuria juaj do të zgjasë përgjithmonë? A thua ka qenë diç e përhershme që rinia dhe bukuria juaj të jetë e përhershme? E si do të jetë me ju kur të plakeni e t'ju shtrembërohet shpina e t'ju rrudhet fytyra? Kush do të pyet për ju? A e di kush interesohet për plakat dhe kush i nderon ato? Djemtë dhe vajzat e tyre, nipat dhe mbesat e tyre. Disa plaka janë mbretëresha në familjet e tyre duke qëndruar edne në fronin e tyre, e janë të tjerat me të cilat ju e dini më mirë se ç'bëhet.
Prandaj, a mund të krahasohet kjo kënaqësi me atë mjerim? Dhe a do ta kishe blerë me këtë fillim një përfundim të tillë?
E shembuj të këtillë nuk ka nevojë që t'i tregojmë. Prandaj punoni që t'i udhëzoni motrat tuaja të mjera e të devijuara, dhe nëse këtë nuk mund ta bëni, atëherë punoni në ruajtjen e e femrave të shëndosha nga sëmundja e tyre dhe të tinejxhereve të reja të papërvoja që të mos e ndjekin rrugën e tyre.
Unë nuk kërkoj nga ju që femra muslimane sot të bëhet menjëherë ashtu si duhet të jetë muslimanja e vërtetë, assesi. Unë e di se kthimi i përnjëhershëm zakonisht është i pamundur, por dëshiroj që të kthehemi kah e mira hap pas hapi, sikur që kishit shkuar kah e liga hap pas hapi. Ju i shkurtuat rrobat tuaja copë pas cope, e larguat mbulesën, tërë këtë ndryshim e bëtë me durim pas një kohe të gjatë.
Burrat e ndershëm nuk e kishin ndier menjëherë këtë ndryshim, e revistat e ndryshme e nxisin këtë amoralitet së bashku me të pamoralshmet, kështu gjersa arritëm në këtë gjendje, me të cilën gjendje Islami assesi nuk është i kënaqur, e as feja e krishtere nuk është e kënaqur me këtë gjendje, të cilën edhe shtazët do ta refuzonin.
Nëse dy gjela do të ngatërroheshin për një pulë, ata do ta mbytnin njëri tjetrin nga xhelozia dhe dëshira për ta mbrojtur pulën.
Ndërsa, sot burrat muslimanë fare nuk i xhelozojnë gratë e tyre muslimane, të cilat ecin të zbuluara plazheve dhe rrugëve tona. Ata nuk xhelozojnë as nëse ndonjë i huaj ua shikon fytyrat, duart, gjoksat e grave të tyre. Me një fjalë, edhe nëse shikojnë çdo gjë të turpshme në to.
Por, përkundrazi gjen burra muslimanë, të cilët nëpër klube dhe kafene të ndryshme të elitës ua ofrojnë gratë e tyre muslimane të huajve që të vallëzojnë me to, ku puqet gjoksi me gjoks, barku me bark, goja me faqe, e krahu është i lidhur me trupin e saj dhe ndaj tërë kësaj të keqe askush nuk thotë asgjë. Nëpër universitete të rinjtë muslimanë rrinë me vajza të reja muslimane, të cilat pjesët e turpshme të tyre i kanë të zbuluara dhe askush as për këtë të keqe nuk bën vërejtje, as etërit dhe nënat e këtyre vajzave muslimane, e shembuj të tillë kemi shumë.
Këta shembuj nuk largohen për një ditë, e as duke nxituar, por vetëm nëse i kthehemi së vërtetës nga e njëjta rrugë me të cilën kemi shkuar nga e liga, edhe nëse tani këtë rrugë e shohim të largët, ngase ai që nuk shkon rrugës përveç së cilës nuk ka rrugë tjetër, nuk e arrin asnjëherë qëllimin.
Nëse zbulohet fytyra ashtu siç e ka krijuar Zoti, e pranojmë një gjë të tillë. Por, të përzihet femra me meshkuj të huaj, kjo është krejt tjetër gjë. Femra e zbuluar s'guxon të jetë vetëm në shtëpi me shokun e burrit, ose t'ia japë dorën kolegut të vet në universitet, ose ta zgjatë bisedën dhe të shëtitë me të rrugëve dhe të përgatitë me të së bashku provimet dhe të harrojë se Zoti e ka krijuar atë femër e atë mashkull dhe se të dy gjinive u ka krijuar epshe ndaj njëri tjetrit, e këtë gjë të krijuar nuk mund ta ndërrojë as ajo, as ai, e as tërë njerëzit e këtij planeti, e as t'i barazojë të dy gjinitë dhe t'i fshijë këto emocione nga ata. E ata, të cilët thërrasin në barazinë dhe përzierjen e dy gjinive, janë gënjeshtarë nga të dy anët. Për arsye se ata me këtë nuk dëshirojnë të arrijnë gjë tjetër përveç se të shkaktojnë kënaqësi të gjymtyrëve dhe të epsheve të veta, t'i kënaqin sytë e tyre, por ata nuk gjejnë guxim ta thonë këtë haptazi, andaj fillojnë t'i maskojnë qëllimet e tyre me këso fjalë tërheqëse, pas së cilave nuk qëndron gjë.
Prosperiteti, civilizimi, jeta në universitet (jashtë rregullave islame) nuk janë përveç se fjalë boshe.
Ata gënjejnë, ata nuk e njohin të vërtetën, për ata e vërteta nuk është ajo e cila qëndron përballë së keqes, por sipas tyre e vërteta është ajo, e cila vjen nga perëndimi, qoftë vallëzim a lakuriqësi, përzierja nëpër universitete, zbulimi i trupit nëpër fusha sportive a plazhe.
Ndërsa, e keqe është çdo gjë që vjen nga feja, xhamia dhe nga studimet fetare, edhe nëse nderi, udhëzimi, etika dhe pastërtia, ajo e zemrës dhe ajo e trupit mësohen aty.
Në shtetet perëndimore ka shumë familje, të cilat me një përzierje të këtillë të gjinive jo vetëm që nuk pajtohen, por edhe e kundërshtojnë atë. 
Ka shumë prindër atje, të cilët nuk lejojnë që vajzat e tyre të rritura të dalin me djem ose që ai ta shoqërojë vajzën e tyre deri në kinema dhe nuk e lëshojnë atë gjersa nuk vërtetohen me përmbajtjen e filmit, e nëse e dinë përmbajtjen e tij dhe binden se filmi nuk ka skena të fëlliqura, atëherë i lëshojnë ato që të shkojnë në kinema.
Unë me këtë nuk po ju mbaj ligjëratë të rinjve, e as nuk pres që të më dëgjojnë. Unë e di se ata mund të më kundërshtojnë dhe të mos e pëlqejnë mendimin tim, për arsye se shumë kënaqësi, të cilat i kanë në dorë po ua ndaloj. Unë po ju drejtohem juve, femrave të reja. Juve të rejave muslimane, të ndershme dhe të moralshme. Askush nuk do të pësojë më shumë se ju. Mos u bëni viktimë e Iblisit (shejtanit). Mos i dëgjoni fjalët e etyre, të cilët ua zbukurojnë jetën e përzier me meshkuj në emër të lirisë, qytetërimit, prosperitetit dhe shpirtit universal. Për arsye se shumica e tyre nuk janë të martuar dhe nuk kanë fëmijë dhe nuk u intereson asgjë tjetër, përveç se kënaqësia trupore. Ndërsa, unë jam baba i pesë vajzave dhe kur ju mbroj ju, i mbroj edhe vajzat e mia dhe jua dua të mirën sikur që ua dua vajzave të mia.
Askush prej tyre nuk do të kujdeset që ta kthejë nderin e humbur të femrës, e nëse femra bie moralisht, nuk mund të gjesh askënd t'i ndihmojë asaj dhe ta ngrejë nga ajo ndytësi, por përkundrazi i sheh që të gjithë se si vrapojnë pas bukurisë së saj, e nëse refuzon largohen prej saj, sikur që qentë ikin nga ngordhësira, në të cilën nuk ka mbetur asnjë copë mishi.
Kjo ishte këshilla ime për ty, oj bija ime.
Kjo është e vërteta e mos i dëgjo të tjerët. Dhe dije se çelësat e përmirësimit janë në duart e tua e assesi në duart tona, të meshkujve. Nëse ti do, mund të përmirësohesh e edhe të tjerat të përmirësohen.

Ali Tantavi

(Nga arabishtja: Irfan Salihu)

  • Category: Familja
  • Hits: 3965

TRADHTIA BASHKËSHORTORE

“Dhe mos iu bashkoni amoralitetit në martesë, ky është mëkat i ndyrë dhe rrugë e keqe!” (Israë, 32).
Tradhtia bashkëshortore është shprehje e dezorganizimit të personalitetit dhe krizës së thellë morale të njërit ose të dy partnerëve bashkëshortorë. Parakusht esencial për të, paraqet mungesa e ndërgjegjes si dhe sistemit të qëndrueshëm të vlerave etike, që formohen në proceset e identifikimit brenda familjes primare, në fëmijëri dhe gjatë periudhës së adoleshencës, para martesës.
Shumë herë mashkulli dhe femra hyjnë në lidhjen martesore pa koshiencë substanciale për personalitetet e njëri tjetrit, të motivuar vetëm për të përmbushë nevojat e paplotësuara psikologjike nga fëmijëria e hershme. Martesa e këtillë, cilësohet me frustrime, pakënaqësi, dëshpërim dhe konflikte të vazhdueshme.
Në këto rrethana, personalitetet narcisoide, me strukturë të dobët morale, të cilat para vetes, në shumicën e rasteve vendosin qëllime të paarritshme, që nuk janë në pajtim me mundësitë e tyre intelektuale, emocionale dhe sociale e sjellin veten në gjendje të frustrimit dhe të ankthit të vazhdueshëm duke dobësuar mekanizmat mbrojtës të Un-it ndaj shtytjeve epshore seksuale.
Tradhtisë bashkëshortore i paraprinë edhe humbja e dashurisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet burrit dhe gruas, të cilët martesën dhe njëri tjetrin e shfrytëzojnë për plotësimin e nevojave të natyrës trupore dhe materiale dhe jo për të ndërtuar qeniet e tyre shpirtërore në kuadër të martesës, si lidhje të shenjtë, që zhvillohet nën bekimin e Krijuesit.
Faktor i rëndësishëm parandalues për këtë të keqe të madhe shoqërore që drejtpërdrejtë e shkatërron familjen, është themelimi me kohë, i identitetit të pjekur fetar tek adoleshentët, para martesës. Në këtë mënyrë, martesa vihet në relacion me plotësimin e urdhrave të Zotit, duke siguruar transcendencë të investimeve emocionale nga vetja në familje, si dhe duke mbizotëruar në mënyrë të suksesshme, shtytjet epshore dhe ndjenjat e hakmarrjes, të cilat përndryshe e udhëheqin individin e frustruar në martesë, atëherë kur identiteti i pjekur, veçanërisht ai fetar mungon.
Tradhtia për fat të keq ekziston si një ndër elementet e jetës mes dy partnerëve. Kjo nuk duhet të merret si absolute pasi që tradhtia nuk është karakteristikë e të rinjve gjithandej, por mund të konkludohet se është në rritje e sipër dhe karakterizon jetën mes partnereve në lidhje martesore apo jashtë martesore. Tradhtia në jetën martesore dallon nga ajo e jetës jashtë martesore. Ky vlerësim imi rrjedh nga efektet negative që mund të rrjedh tradhtia në lidhje martesore dhe tradhtia jashtë kësaj lidhje. Natyrisht që të dy këto dukuri janë të papranueshme dhe dallohen për nga pasojat që sjellin në një shoqëri. Tradhtia më e ndërlikuar paraqitet në rastet e një çifti martesor, të cilët kane fëmijë të përbashkët. Unë e konsideroj se është i pamundur ekzistimi i dy të martuarve pas tradhtisë qofte nga ana e burrit ose gruas. Kushti më i rëndësishëm që ndikon në zgjatjen e jetës bashkëshortore janë fëmijët e lënë pas. Pasi që te prindi ekziston ndjenja e dashurisë ndaj fëmijës. Mirëpo kjo vazhdimësi pason në defekte tjera të ndryshme.
Nëse me të vërtetë dashuron, atëherë jeni i lidhur edhe fizikisht edhe shpirtërisht e edhe emocionalisht....
E nëse tradhton d.m.th. që keni tradhtuar në shumë aspekte, unë sinqerisht mendoj se nuk duhet pasur edhe një shans për arsye se është shumë e vështirë të krijohet një lidhje prapë e fortë ndoshta si ka qenë (nëse ka qenë), sepse po këta dy njerëz kanë qenë ata që e kanë shkatërruar atë lidhje, e dyshoj shumë që të njëjtit do të krijojnë diçka të fortë për arsye të ndryshme....
Po e ritheksoj dashuria nuk është kompulsion dhe nuk duhet marrë e as kuptuar si të tillë, ajo krijohet mbi baza të forta shpirtërore e fizike apo...? Unë mendoj kështu!
Dashuria dhe tradhtia është një temë shumë delikate dhe konfuze. Njeriu mund të qëndrojë në dashuri për një dite, një muaj, një vit, 10 vjet ose më shumë, por kurrë nuk mund të jetë i dashuruar për tërë jetën me të njëjtin person. Njeriu është i dashuruar për sa kohë që tek personat e tjerë sheh fytyrën e të dashurit (ose të dashurës). Kur kjo periudhe mbaron, mbaron edhe periudha e dashurisë, por kjo nuk do te thotë se fillon periudha e tradhtisë. Personi fillon të shikojë femra ose meshkuj të tjerë, mbasi natyra e ka bërë të tillë dhe nuk është faji i tij. Të tilla momente mund të fillojnë në fillim të jetës bashkëshortore ose edhe më vonë dhe mendërisht mund të biesh në dashuri me personin e ri (qoftë femër apo mashkull), e cila në varësi të karakterit mund të udhëheqë edhe në dashuri fizike.
Por, kjo nuk do të thotë se ju nuk e doni më bashkëshortin (bashkëshorten). Në këto momente ju me mendje jeni një besnik (besnike), por instinkti të shtyn në një akt tjetër, te cilin mund ta quajmë tradhti. Metoda më e mirë për t’iu shmangur këtij akti është të folurit hapur me partnerin tënd dhe t’i shprehësh sinqerisht ndjenjat që janë zhvilluar në trurin tënd dhe në shpirtin tënd. Në qoftë se partneri është një person me horizont të gjerë, që do të kuptojë, do të jetë më e lehtë për ty. Ti do të biesh përsëri në dashuri me bashkëshortin (bashkëshorten) tënde, por kjo nuk do të thotë se ky fenomen nuk do të përsëritet. Përsëri një bisedë e hapur ndihmon, por mbas kësaj fillon etapa e besnikërisë, e cila të bën ta ndjesh veten shumë të plakur dhe gjithmonë diçka të re kërkon, por që asnjëherë nuk vjen. E vetmja mënyrë për të eliminuar të tilla momente mërzie është organizimi i piknikëve familjare, ekskursioneve, pushimeve dhe shëtitjet, te cilat sjellin një variacion në rutinën e jetës së përditshme.
Ass.Dr.Mr.Sci. Ferid Agani
  • Category: Familja
  • Hits: 2241

SI TA BËNI GRUAN TUAJ TË LUMTUR!?

(Kjo që vijon është pjesa e parë e përmbledhjes së librit “Si ta bëni gruan tuaj të lumtur!” nga Shejh Muhammed Abdul-Halim Hamid)

1. Pranim i bukur
Pas kthimit nga puna, shkolla, udhëtimi, ose çka do që ju ka ndarë:
- Filloni me një përshëndetje të mirë.
- Filloni me Esselamu Alejkum dhe me buzëqeshje. Selami është sunet dhe dua për atë në të njëjtën kohë.
- Shtrëngoni duart me të (përshëndetuni me dorë) dhe lërini lajmet e këqija për më vonë!

2. Të folurit e ëmbël dhe ftesa mahnitëse
- Zgjidhni fjalë, të cilat janë pozitive dhe largohuni atyre që janë negative.
- Keni kujdes në atë që flitni dhe kushtoni vëmendjen kur ajo flet.
- Flitni me qartësi dhe përsëritni fjalët nëse ka nevojë derisa ajo të kuptojë.
- Thirreni me emra të mirë, të cilët i pëlqejnë asaj, p.sh. e dashura ime, loçkë, etj.

3. Dashamirësia dhe rekreimi
- Kaloni kohë duke biseduar së bashku.
- Tregoni asaj lajme të mira.
- Përkujtoni çastet e mira që keni kaluar së bashku.

4. Lojërat dhe zbavitjet
- Bërja e shakave dhe sensi për humor.
- Loja ose garimi me njëri-tjetrin në sport ose diçka tjetër.
- Dalja për të parë forma të lejuara (hallall) të zbavitjes.
- Largimi prej gjërave të ndaluara (haram) si forma të zbavitjes.

5. Ndihma në shtëpi
- Kryerja e punës që ndihmon dhe të cilën ju si individ mund apo pëlqeni ta kryeni në shtëpi, sidomos kur ajo është e sëmurë ose e lodhur.
- Gjëja më e rëndësishme është të jetë e qartë dhe e dukshme se burri e çmon punën e vyeshme të gruas.

6. Konsultimi
- Në mënyrë specifike në çështjet familjare.
- Dhënia e ndjenjës se mendimi i saj është i rëndësishëm për ty.
- Analizimi i mendimit të saj me kujdes.
- Të jeni të gatshëm të ndërroni mendimin tuaj për mendimin e saj nëse është më i mirë.
- Falënderimi për ndihmën që ka dhënë me mendimet e veta.

7. Vizitimi i tjerëve
- Zgjedhja e njerëzve të edukuar mirë e të pjekur me të cilët do të ndërtohen marrëdhënie. Ka shpërblim të lartë në vizitimin e kushërinjve dhe njerëzve të devotshëm. (Jo duke humbur kohë gjatë këtyre vizitave!).
- Të ketë kujdes për sjellje islame gjatë vizitave.
- Mos ta detyrojë t’i vizitojë ata, me të cilët nuk ndjehet e rehatshme.

8. Sjellja gjatë udhëtimit
- Ofroni lamtumirën dhe përshëndetje të ngrohtë si dhe këshilla të mira.
- Le t’i thotë që të lutet për te.
- Kërko prej kushërinjve të devotshëm dhe shokëve që të kujdesen për familjen gjatë mungesës sate.
- Jepi të holla të mjaftueshme për gjërat për të cilat mund të ketë nevojë.
- Mundohuni që të mbani kontakt me te qoftë me telefon, e-mail, letra, etj.
- Kthehuni sa më shpejt.
- Sillni një dhuratë për të!
- Tentoni që të mos ktheheni në kohë të papritur ose gjatë natës.
- Merreni me vete nëse është e mundur.

9. Mbështetja financiare
- Burri duhet të jetë zemërgjerë brenda mundësive të tij financiare. Ai nuk duhet të jetë koprrac me të hollat e tij (por jo edhe shkapërdar).
- Ai fiton shpërblime për të gjitha shpenzimet për mirëmbajtjen e saj, madje edhe për një copë të vogël të bukës me të cilën e ushqen me dorën e vet (sipas hadithit).
- Ai me të madhe nxitet që t’i jap të holla asaj para se ajo të kërkojë.

10. Parfumosja (me erëra të mira) dhe zbukurimi fizik
- Praktikimi i sunetit në largimin e qimeve prej vendeve të turpshme dhe nënsqetullave.
- Gjithmonë të jetë i pastër dhe i rregulluar.
- Të vendos parfum për të.

11. Marrëdhënie (seksuale)
- Është e obligueshme që të kryhet zakonisht (në mënyrë të rëndomtë) nëse nuk keni arsyetim (sëmundje, etj.).
- Filloni me “Bismilah” dhe me duanë e të Dërguarit.
- Kryeni hyrjen vetëm në vendin e përshtatshëm (jo në anus).
- Filloni me paralojë duke përfshirë fjalë dashurie.
- Vazhdoni derisa e keni kënaqur dhe përmbushur edhe dëshirën e saj.
- Pas kësaj relaksohuni dhe bëni shaka.
- Largohuni marrëdhënieve gjatë menstruacioneve, pasi që është haram.
- Bëni çka të mundeni që të mos e dëmtoni nivelin e turpit dhe modestisë siç është heqja e teshave së bashku, në vend se të kërkojë që ajo t’i heq e para derisa ai e shikon atë.
- Gjatë marrëdhënies shmanguni prej pozitave, të cilat mund të jenë të dëmshme për të, si për shembull, duke shkaktuar shtypje në gjoksin e saj dhe duke bllokuar ajrin e saj, sidomos nëse jeni të rëndë.
- Zgjidhni kohë të përshtatshme për marrëdhënie dhe bëhuni të kuptueshëm pasi që ajo ndonjëherë mund të jetë e sëmurë ose e stërlodhur.

12. Mbrojtja e intimitetit dhe fshehtësive
- Largohuni prej shpalljes së informatave private siç janë fshehtësirat nga dhoma e fjetjes, problemet e saj personale dhe çështje tjera private.

13. Dhënia e ndihmës në dëgjueshmërinë ndaj Allahut
- Zgjohuni në pjesën e tretë të natës të falni “kijamul lejl” (namaz nafile që kryhet gjatë natës me suxhud dhe ruku të gjatë).
- Mësojani asaj atë që e dini prej Kur’anit dhe tefsirit.
- Mësojani asaj “Dhikrin” (mënyra të ndryshme për ta përkujtuar Allahun sipas shembullit të të Dërguarit) në mëngjes dhe në mbrëmje.
- Nxiteni që të harxhojë të holla për hir të Allahut siç është sadakaja (lëmosha).
- Merreni në haxh ose në umre kur keni mundësi financiare për ta bërë këtë.

14. Tregimi i respektit ndaj familjes së saj dhe shokëve
- Merreni që ta vizitojë familjen e saj dhe kushërinjtë, e sidomos prindërit e saj.
- Ftoni ata që ta vizitojnë atë dhe mirëpritni.
- Jepni dhurata në raste të veçanta.
- Ndihmoni kur ka nevojë me të holla, mund, etj..
- Mbani marrëdhënie të mira me familjen e saj pas vdekjes së saj nëse ajo vdes e para.
Po ashtu në këtë rast burri nxitet që të veprojë sipas sunetit dhe të vazhdojë të jap prej asaj që ajo ka dhanë gjatë jetës së saj, shoqeve të saj dhe familjes.

15. Stërvitja dhe këshillimi islam
Kjo përmban:
- Themelet e Islamit.
- Detyrat dhe të drejtat e saj.
- Leximi dhe shkrimi.
- Nxitja e saj që të marrë pjesë në ligjërata dhe tubime shkencore.
- Rregullat islame dhe dispozitat lidhur me gratë.
- Blerja e librave islame dhe kasetave për bibliotekën e shtëpisë.

16. Xhelozia e mirë
- Sigurohuni që ajo të mbajë hixhab të përshtatshëm para se të dalë prej shtëpisë.
- Ndaloni përzierjen me meshkujt jo-mahrem.
- Largohuni prej xhelozisë së tepruar. Shembuj të kësaj janë:
a) Duke analizuar secilën fjalë dhe fjali që ajo e thotë duke i mbingarkuar fjalët e saj me kuptime, të cilat ajo nuk i ka menduar.
b) Duke ia ndaluar asaj që të dalë prej shtëpisë kur arsyet për këtë janë të drejta.
c) Duke ia ndaluar që t’i përgjigjet telefonit, etj..

17. Durimi dhe butësia
- Problemet priten në çdo martesë, prandaj kjo gjë është normale. Ajo që është e gabuar janë reagimet e tepërta dhe zmadhimi i problemeve deri sa të shkaktojë prishjen e martesës.
- Zemërimi duhet të tregohet vetëm atëherë kur ajo i tejkalon të gjithë kufijtë e Allahut (subhanehu ve teala), duke i vonuar namazet, duke u marrë me përgojim, duke shikuar gjëra të ndaluara në TV, etj..
- Faljani gabimet që ajo i bën ndaj juve (shiko numër 18).
- Si mund që më së miri t’ia përmirësoni gabimet e saj?:
a) Së pari, me këshilla të qarta dhe që nënkuptohen, disa herë me radhë.
b) Mandej duke ia kthyer shpinën asaj në krevat (duke i shprehur ndjenjat tuaja, pakënaqësinë dhe qortimin). Vëreni se kjo nuk do të thotë që ta lëni dhomën e fjetjes e të kaloni në një dhomë tjetër, apo duke e braktisur shtëpinë dhe për të shkuar në ndonjë vend tjetër, ose të mos bisedohet me të.
c) Zgjedhja e fundit është që lehtë t’i mëshohet asaj (atëherë kur lejohet). Në këtë rast burri duhet ta ketë në konsideratë këtë që vijon:
* Ai duhet ta dijë se është sunet që t’i largohet rrahjes sikur që edhe i Dërguari (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka bërë, duke mos rrahur asnjëherë ndonjë grua të tij ose rob.
* Ai duhet ta bëjë këtë vetëm në raste ekstreme të mosdëgjueshmërisë, p.sh. duke refuzuar shpeshherë pa arsye marrëdhëniet seksuale, në mënyrë konstante duke mos u falur në kohë, duke e braktisur shtëpinë për periudha të gjata të kohës pa leje, dhe refuzimi që t’i tregojë atij se ku ka qenë, etj..
* Nuk duhet të bëhet përveç pasi është larguar nga krevati dhe pasi që është zhvilluar biseda me të siç është përmendur në Kur’an.
* Ai nuk duhet t’i mëshojë fuqishëm me qëllim që ta dëmtojë, ose t’i mëshojë në fytyrë ose në pjesët tjera të ndjeshme të trupit.
* Ai nuk duhet ta turpërojë siç është rasti me rrahjen me këpucë, etj..

18. Falja dhe ndëshkimi i përshtatshëm
- Mbajtja llogari vetëm për gabimet më të mëdha.
- Faljani gabimet që janë bërë në drejtim të tij (burrit), por mbani llogari për gabimet e bëra në drejtim të Allahut, p.sh. vonimi i namazit, etj..
- Përkujtojani vetes të gjitha të mirat që ajo i bën sa herë që të bëjë ndonjë gabim.
- Mbani mend se të gjithë njerëzit gabojnë prandaj mundohuni të gjeni arsye për të, siç mund të jetë rasti se ajo është e lodhur, e pikëlluar, e ka ciklin e saj mujor ose se përkushtimi i saj ndaj Islamit është në rritje.
- Shmanguni sulmeve ndaj saj për shkak të ushqimit të keq pasi që i Dërguari (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) asnjëherë nuk ka fajësuar asnjë prej grave të tij për këtë. Nëse e pëlqen ushqimin, ai hanë, dhe nëse nuk e pëlqen atëherë ai nuk hanë dhe nuk komenton.
- Para se të deklarojë se ajo është në gabim, tentoni prirje tjera indirekte, të cilat janë më të lehta sesa akuzimet direkte.
- Largohuni prej përdorimit të ofendimeve dhe fjalëve, të cilat dëmtojnë ndjenjat e saj.
-Atëherë kur bëhet e nevojshme të diskutohet ndonjë problem pritni që të jeni në vetmi dhe larg prej të tjerëve.
- Të pritni derisa zemërimi të bie pak, sepse të ndihmon që të mbani kontrollin e fjalëve tuaja.
Back to top