Shpjegimi i shkurtimit te namazit në udhëtim (Abdullah Bin Baz)

Shpjegimi i shkurtimit te namazit në udhëtim (Abdullah Bin Baz)

Pyetje:
Dëshirojmë të na shpjegoni shkurtimin e namazit në udhëtim.
A është saktësuar se Profeti salallahu alejhi ve selem e ka plotësuar namazin në udhëtim?
A përcaktohet udhëtimi me distancë apo kohë të caktuar?
Shpresojmë sqarimin e këtyre çështjeve me argumentet përkatëse nga Kurani dhe Suneti. Allahu u shpërbleftë me të mira.

Përgjigje:
Profeti salallahu alejhi ve selem e kishte zakon që, kur udhëtonte, e falte drekën dy rekate, ikindinë dy rekate dhe jacinë dy rekate.
Kështu vepronte, derisa kthehej nga udhëtimi i tij.
Kjo është që dihet nga Profeti salallahu alejhi ve selem.
Transmetohet se Profeti salallahu alejhi ve selem herë e shkurtonte namazin në udhëtim, herë e plotësonte, por kjo nuk është e saktë, përkundrazi, ajo që dihet dhe që është vërtetuar nga Profeti salallahu alejhi ve selem, në hadithe, të sakta është se ai e shkurtonte namazin në udhëtim, derisa të kthehej. Kurse akshamin e falte gjithmonë tre rekate, si në qëndrim, ashtu dhe në udhëtim.
Po ashtu sabahun e falte gjithmonë dy rekate, bile falte edhe sunetin e sabahut, si në qëndrim, ashtu dhe në udhëtim, dy rekate të shkurtra. Ndërsa sunetet e drekës, ikindisë, akshamit dhe jacisë nuk i falte kur ishte në udhëtim. Kërkohet nga muslimani që të veprojë ashtu siç ka vepruar Profeti salallahu alejhi ve selem në udhëtim.
Udhëtim tek dijetarët konsiderohet ajo distancë që përshkohet për një ditë-natë (e më shumë), e cila përafërsisht përcaktohet me 80 kilometër, qoftë që udhëton me makinë, apo me avion, apo me anije, apo me vapor, etj.
Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Kjo largësi, apo e përafërt me të, konsiderohet udhëtim, sepse kjo është që njihet në zakonin e muslimanëve si udhëtim.
Pra, nëse dikush udhëton këtë lloj largësie apo më shumë, konsiderohet udhëtar, qoftë që udhëton në këmbë, apo me deve, apo me makinë, apo me avion, apo me mjete detare, etj.
Disa dijetarë kanë thënë se udhëtimi përcaktohet sipas zakonit të banorëve të zonës dhe nuk përcaktohet me distancë të caktuar me kilometra, përkundrazi, çdo distancë që në zakonin e atij populli quhet udhëtim, do e konsiderojmë udhëtim dhe e kundërta.
Më i saktë është mendimi i shumicës së dijetarëve, dmth përcaktimi i distancës me kilometra siç e përmenda më lart.
Shumica e dijetarëve këtë e kanë zgjedhur, ndaj është mirë t’i përmbahemi kësaj sepse kjo është e transmetuar dhe nga sahabët, të cilët e njihnin fenë dhe Sunetin e Profetit salallahu alejhi ve selem më mirë se çdokush tjetër.

Sheikh Abdul Aziz Ibn Abdullah Bin Baz (Allahu e meshirofte)

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top