NAMAZI
Muslimanët janë të obliguar që t’ua mësojnë fëmijëve të tyre namazin.
KËRKIMI I FALJES
Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka zot tjetër i cili meriton adhurimin përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
"O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!" Ali Imran, 102.
"O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju." Nisa, 1.
"O ju besimtarë, keni frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij ka shpëtuar me një shpëtim të madh." Ahzab, 70-71.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr.
Të nderuar besimtarë!
Prania e të gjithë mirësive të këtij muaji na bën ne të përjetojmë me kënaqësi të veçantë, çdo ditë-natë, orë, minutë dhe sekondë që po na e fal Allahu i Lartësuar. Do të doja të përkujtoja veten dhe juve njëkohësisht e ju të tjerët të cilët nuk janë të pranishëm në këtë hytbe për një nga adhurimet që, si çdo adhurim tjetër, është tepër i rëndësishëm. Kërkimi i faljes është ai për të cilin shumë po neglizhohet e me keqardhje po lihet pas dore edhe në këto momente të papërsëritshme për ne për nga vlera, mirësia e shansi i madh që na ofrojnë.
Të kërkuarit e faljes nënkupton mbrojtjen dhe mbulimin nga e keqja e mëkateve të bëra, kthetrave të të cilave askush nga ne nuk i shpëton. Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi i Tij fisnik na lajmërojnë dhe na këshillojnë që ta kemi shpesh ndërmend ketë gjë dhe të jemi kurdoherë të gatshëm për kryerjen me përkushtim të tij.
Kështu, në Kuran kërkimi i faljes përmendet shumë herë, Allahu i Lartësuar thotë: “...E kërkoni falje prej Allahut, se Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues!” Muzemil, 20.
Allahu i Lartësuar e lavdëron kërkuesin e faljes, madje Ai preferon që ne vazhdimisht t’i kërkojmë falje, pasi vetëm Ai është i mundshëm që të na falë mëkatet. Allahu i Lartësuar thotë: “...Të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë.” Ali Imran, 17.
Vëllezër dhe motra! Mos ta harrojmë këtë ajet, të paktën në këto ditë që po përjetojmë, asi të gjithë ne kemi mundësi ta bëjmë një gjë të tillë në momentin kur hamë syfyrin. Le të mos jemi prej atyre të cilët ngrihen në syfyr vetëm për të ngrënë, por le të shfrytëzojmë në maksimum këtë kohë tepër të favorshme për faljen e mëkateve tona.
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar i bën me dije të gjithë ata të cilët mëkatojnë, pra të gjithë neve, që nëse i lutemi për faljen e mëkateve Ai do të na falë. Në fjalët e Tij Ai thotë: “Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje tek Allahu, ai e gjen Allahun Falës dhe Mëshirues.” Nisa, 110.
Shpeshherë në tekstet tona të sheriatit, të kërkuarit e faljes përmendet bashkë me pendimin, por istigfari nënkupton të kërkuarit e faljes me gjuhë, ndërsa pendimi nënkupton vendimin e fortë të zemrës dhe qëllimin e organeve të trupit që të ndërpresin kryerjen e mëkateve.
Ju kujtojmë që praktika e kërkimit të faljes fillon me madhërimin e Allahut, pastaj me pranimin e mëkatit dhe më pas me lutjen drejtuar Allahut të Lartësuar për falje. Është mirë, madje tepër e preferueshme që njeriu vazhdimit sa të jetë e mundur t’i kërkojë Allahut falje, pasi ne mëkatojmë me dashje dhe pa dashje, por duhet që personi të jetë i kujdesshëm për momentet në të cilat Allahu pranon faljen, siç është rasti me kohët në të cilat pranohet duaja apo muaji i faljes të cilin tashmë po e përjetojmë.
Nga praktika dhe shembulli personal i Pejgamberit (alejhi selam) ne jemi të informuar, siç na ka njoftuar ai në një hadith, për lutjen më të mirë me të cilën mund t’i drejtohemi Allahut të Lartësuar për falje, lutje e cila njihet ndryshe si “mbreti i istigfarit”. Ajo është:
O Allah! Ti je Zoti im. Nuk meriton të adhurohet askush përveç Teje. Ti më krijove dhe unë jam robi Yt. I përmbahem betimit dhe premtimit që të kam dhënë, sa të kem mundësi. Tek Ty mbështetem nga të këqijat që kam bërë. E pranoj mirësinë Tënde ndaj meje dhe e pranoj mëkatin tim. Prandaj, më fal! Sepse Ti je Ai q fal mëkatet.
Gjithashtu, në një hadith tjetër që e tregon Abdullah ibn Umeri thuhet se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “O i dërguar i Allahut, më mëso një dua që ta them në namaz!” Profeti (alejhi selam) tha: “Thuaj! O Zot! Unë i kam shkaktuar vetes shumë padrejtësi, vetëm Ti je Ai që fal mëkate. Prandaj, Ti më fal e më mëshiro, sepse Ti je Ai që fal dhe mëshiron.”
Ibn Umeri thotë: “Kemi mundur që të numërojmë pejgamberin (alejhi selam) të thotë 100 herë: ‘O Zot! Më fal dhe më prano pendimin tim! Ti je Ai që pranon pendimin dhe që fal shumë’.”
Ebu Hurejre thotë se Profeti (alejhi selam) thoshte: “Vallahi, unë e lus Allahun për falje mëkatesh më shumë se 70 herë në ditë.”
Ndërsa në një transmetim tjetër: “Edhe mua më kaplon harresa, prandaj i lutem Allahut për falje nga 100 herë në ditë.”
Ndër këshillat e çmueshme përmendim këshillën e Lukmanit drejtuar birit të tij: “O biri im, mësoje gjuhën që shpesh të deklarojë: ‘Allahume gfirlij - O Zot, më fal mëkatet!’ pasi tek Allahu Allahu ekzistojnë momente kur nuk e refuzon asnjërin nga lutësit.
Dhe në fund le të përmendim disa thënie për të kërkuarit e faljes.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Lum ai që në librin e tij gjen të shënuar se është lutur shpesh për falje mëkatesh!”
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Sikur Allahu të donte ta dënonte robin e tij, nuk do ta kishte frymëzuar për falje mëkatesh.”
Katade (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky Kuran do t’ju udhëzojë edhe në sëmundjet tuaja edhe në ilaçet tuaja. Sëmundjet janë mëkatet, ndërsa ilaçet janë të kërkuarit e faljes.”
E lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej atyre njerëzve që e mbajnë gjuhën të lagur nga përmendja e kërkimit të faljes, si dhe të na bëjë prej atyre që e shfrytëzojnë këtë muaj të begatë për të kërkuar dhe gjetur sa më shumë falje! Amin!
Erion Sula
MARTESA
Nga mirësitë e Allahut për njerëzimin është që Ai vendosi në natyrën e tyre dëshirën për martesë për arsye që të mos shuhet ajo dhe të mbetet trashëgimia.
Vazhdimi i trashëgimisë njerëzore vjen vetëm me martesën. Ndërsa, martesa ka një parim tjetër në të cilën të dy bashkëshortët gjejnë në të qetësinë, forcën, vendosmërinë për jetën, gjejnë në të gjithashtu qëndrueshmërinë dhe ndërgjegjen. Qetësia shpirtërore në martesë midis burrit dhe gruas i shtyn ata që të formojnë një jetë të re, e cila paraqitet si një brez i ri. Martesa është një begati prej begative të Allahut të Madhëruar që ua ka dhuruar robërve të Vet, siç e ka përmendur në Kur’anin Famëlartë ku thotë:
Ata që i ka begatuar Allahu i Madhëruar me këtë begati, po ashtu edhe atyre që ua ka mundësuar Allahu martesën do t’u japim disa këshilla:
1. Sinqeriteti i nijetit
Nijeti është baza e një vepre, në të cilën njeriu mund t’i shndërrojë veprat e tij të zakonshme në ibadet, duke e bërë nijet që me këtë vepër ta arrijë shpërblimin e Allahut të Madhëruar. Nëse në këtë rast të dy bashkëshortët e bëjnë nijetin e martesës së tyre për njërën prej këtyre shkaqeve do të jetë e tërë jeta e tyre bashkëshortore ibadet dhe do të kalojnë një jetë të lumtur dhe do ta meritojnë shpërblimin tek Allahu i Madhëruar. Do të përmendim disa prej shkaqeve:
a) Ta bëjnë nijetin për t’iu nënshtruar urdhrit të Pejgamberit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të që e ka urdhëruar rininë të martohet. Transmetohet nga Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të se ka thënë: “O ju rini: Kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet, sepse në të vërtetë kjo do t’ia ruajë sytë nga harami dhe do t'ju mbrojë nga kurvëria.” (Shënon Buhariu).
b) Për të krijuar një familje muslimane, një familje e cila do ta adhurojë Allahun e Madhëruar, e cila do ta ketë dertin e Islamit. Një familje, e cila do të jetojë me Islamin, duke shpresuar shpërblimin e Allahut të Madhëruar.
c) Për të lindur pasardhës të devotshëm, të cilët do t’i nënshtrohen urdhrave të Allahut të Madhëruar dhe të Pejgamberit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Duke i edukuar ata me frymën islame që një ditë nëse do Allahu, të jenë prej atyre që do ta ngrenë fjalën e Allahut të Madhëruar me fjalë dhe vepra. Nëse të dy bashkëshortët i lidhin zemrat e tyre me këto qëllime, atëherë çdo sekondë e jetës së tyre do të llogaritet ibadet, gjë për të cilën do të shpërblehen në Ditën e Gjykimit, plus që do të jetojnë një jetë të begatë në këtë botë, por edhe pas vdekjes do t’u shkojnë sevapet nëse le fëmijë të hajrit siç transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Kur vdes njeriu, puna e tij ndërpritet, përveç tri gjërave: sadakasë së përhershme, dituria prej së cilës kanë dobi të tjerët dhe nga pasardhësi i mirë, i cili lutet për të vdekurin.” (Shënon Muslimi).
Allahu na mundësoftë që të lëmë mbrapa pasardhës të devotshëm, të cilët të luten për ne! Pra, nijeti i martesës duhet të jetë për këto qëllime e jo me qëllimin e bukurisë, pasurisë etj., dhe ata do të kalojnë një jetë bashkëshortore të mirë. Transmetohet nga Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të se ka thënë: “Gruaja merret për katër shkaqe: për shkak të pasurisë, për shkak të sojit të mirë, për shkak të bukurisë dhe për shkak të devotshmërisë. Zgjidhe për shkak të devotshmërisë dhe asnjëherë nuk do të jesh i zhgënjyer.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
2. Ndihmesa në ibadete
Bashkëshortët janë të detyruar që ta urdhërojnë njëri-tjetrin për mirë dhe ta nxisin njëri-tjetrin në punët e mira, siç transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Allahu e mëshiroftë burrin, i cili ngrihet natën për të falur namaz, dhe e çon nga gjumi gruan e tij për të falur namaz, e nëse nuk çohet ia fërkon fytyrën asaj me ujë, dhe Allahu e mëshiroftë gruan, e cila ngrihet natën për të falur namaz, dhe e çon nga gjumi burrin e saj për të falur namaz, e nëse nuk çohet ia fërkon fytyrën atij me ujë.” (Shënon Ebu Davudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Ahmedi).
3. Formimi i një shtëpie muslimane
Formimi i një shtëpie muslimane dhe i familjes muslimane me një besim (akide) të pastër ashtu siç na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar dhe Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke mos bërë asnjë hap pa kontrolluar se çfarë është vendimi i Sheriatit mbi një çështje, e nëse kjo vepër është e ndaluar, i largohen asaj.
4. Kalimi i një jete me dashuri
Kalimi i një jete me dashuri, mëshirë dhe marrëdhënie të mira mes tyre duke marrë shembuj nga urdhrat e Allahut të Madhëruar ku thotë:
5. Sjellja midis dy bashkëshortëve
Dy bashkëshortët duhet të sillen ndërmjet vete, ashtu si janë sjellë me njëri-tjetrin Ebu Derda dhe gruaja e tij Ummu Derda, ku transmetohet se kur hidhërohej Ebu Derda, ka heshtur gruaja e tij dhe është munduar që ta pajtojë dhe ta qetësojë atë, dhe kur është hidhëruar Ummu Derda ka heshtur burri i saj dhe është munduar që ta pajtojë dhe ta qetësojë atë. Kjo është sjellje e mirë që duhet të jetë shembull për shtëpitë tona, sa e sa njerëz që i njohim i lëshojnë gratë e tyre për shkak të moskontrollit të vetvetes gjatë hidhërimit ndaj grave të tyre, apo ndaj dikujt tjetër, e lusim Allahun e Madhëruar që t’i përmirësojmë sjelljet tona ndaj grave dhe burrave tanë.
6. Falja
Duhet ta dimë se çdo njeri gabon, kështu që ne nuk duhet të bëhemi mjet i shejtanit, qëllimi i të cilit është shkurorëzimi i dy bashkëshortëve. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
Prandaj nuk duhet ta ndihmojmë shejtanin, por duhet që të jemi të mëshirshëm dhe falës ndaj njëri-tjetrit.
7. Problemet
Problemet, mangësitë dhe gabimet e njëri-tjetrit duhet të mbesin mes dy bashkëshortëve, e mos të përhapen problemet dhe mangësitë e të dy bashkëshortëve tek të afërmit e tyre. Sepse nëse këto probleme përhapen tek te afërmit, sado i vogël që të jetë problemi, do të rritet e mund të vijë deri te shkurorëzimi i të dy bashkëshortëve.
Dasma është një sunet shumë i inkurajuar, por jo i detyruar. I Dërguari i Allahut paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të i ka thënë Abdurrahman bin Avfit: “Bëje dasmën qoftë edhe me një dele.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Është transmetuar se ai vetë i ka ushqyer njerëzit me bukë dhe mish për martesën me Zejneben, por për shkak të rrethanave të vështira, disa nga martesat e tij u festuan vetëm me një gjellë me majdanoz, ose vetëm me hurma arabe. Kështu, lloji dhe cilësia e ushqimit i është lënë mundësive të burrit, duke patur parasysh që ekstravaganca, shpërdorimi dhe të shfaqurit për sy e faqe është e ndaluar. Dasma mund të mbahet në kohën e kontratës ose pastaj, ose në kohën e konsumimit ose pastaj, sipas rrethanave dhe zakonit. Është e papëlqyer për të ftuar vetëm të pasurit dhe për t’i përjashtuar të varfrit. Ebu Hurejre, ka raportuar që Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Ushqimi më i keq është dasma, në të cilën ata që do të vinin pengohen dhe ata që do të refuzonin do të thirren.” (Shënon Muslimi).
Dhe:
"Ushqimi më i keq është ushqimi i dasmës në të cilën thirren të pasurit dhe anashkalohen të varfërit.”
Ai që ftohet personalisht në një dasmë, është i detyruar t’i përgjigjet ftesës, përveç kur ka një arsye të vlefshme për të mos shkuar. Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju është i ftuar në një dasmë, ai duhet të marrë pjesë”. (Shënon Buhariu).
Dhe:
“Kushdo që nuk i përgjigjet ftesës, nuk i është bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij”.
Një arsye e vlefshme për të mos shkuar në dasmë përfshin edhe ftesën më parë në një vend tjetër së pari, vështirësitë personale, ose sëmundja, ose duke e ditur se ndonjë gjynah mund të ndodhë, të tillë si përjashtimi i njerëzve të varfër, përgojimi, shërbimi i ushqimeve të palejuara, ose pijeve etj.. Në këtë rast ai nuk duhet të marrë pjesë, vetëm nëse ai është i aftë t’i influencojë njerëzit që të frenohen nga këto gjynahe.
Së fundi i këshilloj të martuarit dhe ata që dëshirojnë të martohen, t’i mësojnë këto këshilla dhe t’i praktikojnë ato sipas mundësive të tyre që të kalojnë një jetë më të mirë dhe më të lumtur.
Marrë nga libri:
“Senetu ula ez-zevaxh”
ALL-LLAHU I LARTËMADHËRUAR
E ai, i cili nuk e njohu Allahun, Krijuesin, Sunduesin dhe Udhëheqësin e tij, ai vërtetë ka jetuar në jetën e kësaj bote si shtazë: han dhe pinë, fle dhe zgjohet, e kështu me radhë derisa të përfundojë jeta e tij në këtë gjendje, e ai nuk e di as për çka është krijuar dhe si ka jetuar.
Libri "Islami i lehtësuar" - Ali Hasen Abdul Hamid