ABBAD IBNU BISHRI

abbad_ibnu_bishri

ABBAD IBNU BISHRI

“Meritat e tre personave nga ensarët nuk ka mundur t’i arrijë askush. Ata janë: Sà’d ibnu Mu’adhi, Usejd ibnu El‑Hudejri dhe Abbad ibnu Bishri.”

Aisheja, nëna e besimtarëve

Abbad ibnu Bishri, emri i një personi të dëlirë dhe të ndritur që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e thirrjes së fesë islame. Nëse e kërkon në mesin e besimtarëve praktik që bëjnë namaz, lexues i nderuar, aty e gjen atë njeri të devot­shëm, të pastër, i cili kalon natën duke lexuar pjesë të Kur’anit...

Ndërsa kur e kërkon në mesin e heronjve, aty e gjen atë trim të paepur, i cili iu hyn betejave për ta lartësuar Fjalën e Allahut...

E nëse e kërkon në mesin e valijve (mëkëmbësve), atë e gjen të for­të dhe mbrojtës të pasurive të muslimanëve...

Për këtë sahab dhe dy të tjerë nga ensarët Aishja ka thënë:

“Meritat e tre njerëzve nga ensarët nuk ka mundur t’i arrijë askush, e që të tre janë nga fisi Benu Abdul Eshhel: Sa’d ibnu Mu’adhi, Usejd ibnu El‑Hudejri dhe Abbad ibnu Bishri.”

*  *  *

Abbad ibnu Bishri, nga fisi El‑Eshhelijj, në kohën kur u shfaq shkëndija e parë e udhëzimeve të Muhammedit a.s. në horizontet e Me­dinës, ishte një djalosh që sapo kishte arritur në moshën e ri­nisë; lëkurën e kishte ende të butë dhe në fytyrën e tij shkëlqente rinia, ndërsa në sjelljet e tij hetohej menç­uria dhe pjekuria, megji­thatë ai akoma nuk i kishte mbushur njëzet e pesë vjeç.

*  *  *

Ai i është bashkangjitur thirrësit të ri mekas, Mus’ab‑ibnu Umejrit, dhe të dyve u kishin zbutur zemrat në saje të lidhjeve të be­simit, ndërsa virtytet fisnike dhe të larta ata të dy i kishin bërë të pandashme.

Abbadi dëgjonte Mus’abin duke lexuar Kur’anin me zërin e tij të rrjedhshëm dhe të ngrohtë, me ritmin e tij melodik dhe tërheqës, prandaj iu shtua dashuria për Fjalën e Allahut, e cila zuri vend thellë në zemrën e tij dhe ai zuri të merret vetëm me Kur’anin, saqë e përsëriste atë natë e ditë, kur ishte i lirë dhe në lëvizje, derisa u bë i njohur në mesin e sahabëve me ofiqin “imam” dhe “shok i Kur’anit”.

*  *  *

Një natë, derisa Pejgamberi a.s. falej në dhomën e Aishes, pra­në xhamisë, dëgjoi zërin e Abbad ibnu Bishrit duke lexuar Kur’anin rrjedhshëm ashtu siç ia kishte zbritur Xhibrili Muhammedit a.s. dhe tha: “Oj Aishe! Ky është zëri i Abbad ibnu Bishrit?!”

Ajo i tha: “Po, o Resulullah.”

Atëherë Pejgamberi a.s. bëri këtë lutje për të: “O Zot, fale dhe më­shiroje atë.”

*  *  *

Në të gjitha betejat që zhvilloi Pejgamberi a.s. mori pjesë në to edhe Abbadi dhe qëndrimi i tij ishte në nivel me mbartësin e Kur’anit.

Në një rast kur Pejgamberi a.s. kthehej prej betejs “Dhatirr­rrika”, u ndal me muslimanët në një luginë për të kaluar një natë.

Muslimanët sapo kishin ndalur devetë e tyre në luginë Pejgam­beri a.s. iu drejtua atyre me këto fjalë:

‑ Kush do të bëjë roje sonte?

Abbadeja dhe Ammar ibnu Jaseri u ngritën dhe i thanë:

‑ Ne të dy, o Resulullah (Pejgameri a.s. i kishte vëlla-zëruar ata të dy kur kishin emigruar muslimanët në Medinë).

Pasi dolën në grykë të luginës, Abbadeja iu drejtua vëllaut të tij, Ammarit:

‑ Në cilën pjesë të natës dëshiron të flesh, në pjesën e parë apo në të dytën?

Ammari iu përgjigj:

‑ Do të flej në pjesën e parë, - dhe u shtri jo larg Abba-des.

*  *  *

Nata ishte e qetë. Yjet, drunjtë dhe gurët lartmadhër-onin dhe she­njtëronin Zotin e tyre duke e lavdëruar Atë në mënyrën e tyre. Atëherë Abbadeja u qetësua shpir-tërisht, kurse zemra i gjakonte për adhurim dhe Kur’an.

Ndikonte më së miri tek ai Kur’ani, kur e lexonte duke u fa­lur, prandaj bashkonte kënaqësinë e namazit me atë të leximit të Kur’anit. Ai u drejtua nga kibla, filloi namazin dhe zuri të lexojë nga kaptina “El‑Kehf” me zërin e tij melodik, të njomë dhe të ëmbël.

Ndërsa madhëronte Allahun nën dritën e shkëlqyer hyjnore, i zhytur në shkëlqimin e dritës së Tij, një njeri arriti me shpejtësi. Ai posa vërejti Abbaden nga larg, të ngritur në grykë të luginës, kuptoi se aty është Pejgamberi, kurse Abbadeja ishte roje e tij dhe e nje­rëzve të tij, atëherë ai tërhoqi harkun, mori një shigjetë dhe e qëlloi.

Atëherë Abbadeja e nxori atë nga trupi, vazhdoi leximin e Kur’­anit dhe u thellua edhe më në namaz.

Ai njeri përsëri e qëlloi me një shigjetë tjetër, ndërsa Abbadeja vep­roi si me të parën. Edhe kur e qëlloi me të tretën ai e vazhdoi na­mazin, e pas kësaj e hoqi edhe këtë të fundit dhe rrëshqitazi iu afrua shokut  (vëllait) të tij, e zgjoi nga gjumi dhe i tha:

- Zgjohu, sepse plagët më kanë dobësuar.

Posa i pa ata të dy, njeriu ua mbathi dhe iku.

*   *   *

Meqë rrobat i ishin shqyer, Ammari pa gjakun e Abba­des duke i rrjedhur rrëke nga të tri plagët e marra dhe i tha:

‑ Subhanallah, përse nuk më zgjove kur të qëlluan me shigjetën e parë?!

‑ Isha duke lexuar një sure dhe nuk dëshiroja ta ndërpreja de­risa ta mbaroja. Për Zotin, po të mos frikësohesha se do ta shkel­ja urdhrin e besuar nga Muhammedi a.s., gjithsesi do të dëshiroja më tepër vdekjen time sesa ta ndërpreja leximin e asaj sureje ‑ iu përgjigj Abbadeja.

*  *  *

Kur filluan luftërat kundër renegatëve, në kohën e sundimit të Ebu Bekrit r.a., dhe ai përgatiti ushtrinë për ta shuar atë kryengritje dhe rebelim të Musejlemes gënjeshtar, me qëllim që t’i mposhtë përkrahësit e tij dhe t’i kthejë në fenë islame, Abbadeja ishte në krye të asaj ushtrie.

Në ato beteja muslimanët fillimisht nuk shënuan ndo­një fitore që vlen për ta cekur. Kur pa se si ensarët nuk i ndihmonin muhaxhirët, por ndodhte e kundërta, Abbades iu mbush zemra vrerë. Shikoi poshtërimin që i bënin njëri‑tjetrit, sikur t’i mbu­sheshin veshët gurë e therra dhe u bind se nuk do të ketë sukses për muslimanët në këto beteja të ashpra përveç nëse veço­heshin të dy palët nga njëra‑tjetra me qëllim që secila ta mbajë përgjegjësinë e vet dhe që të dihen luftëtarët e vërtetë në rrugën e Allahut.

*  *  *

Një natë para se të zhvillohej beteja vendimtare Abbadeja pa në ëndërr si çdo i fjetur se qielli u hap për të dhe posa hyri në të qielli e përqafoi dhe ia mbylli hyrjen. Kur u zgjua nga gjumi, ëndrrën ia tre­goi Ebu Se’id El‑Huderit dhe i tha:

- Për Zotin, kjo është shenjë se unë do të bie dëshmor, o Ebu Se’id!

*  *  *

Kur agoi dita, lufta vazhdoi. Abbadeja u ngrit në një vend më të lartë dhe zuri të thërrasë: “O ju ensarë, veçohuni nga njerëzit... dhe shkatërroni këllëfet e shpatave tuaja... Mos lejoni që të qëllohet feja islame nga ana juaj...”

Ai vazhdimisht e përsëriste thirrjen derisa u tubuan tek ai rreth 400 ensarë, në krye të të cilëve ishin Thabit ibnu Kajsi, El‑Berra’ ibnu Maliku dhe Ebu Duxhane, pronari i shpatës së Resulullahut.

Abbadeja dhe ata që iu bashkangjitën atij u sul mbi armikun du­ke çarë rradhët me shpatë dhe duke i hedhur armiqtë të vdekur për dhé, derisa u thye Musejlemeja dhe përkrahësit e tij dhe u strehuan në të ashtuquajturin Kopsht të vdekjes.

Aty, te muret e Kopshtit të vdekjes, Abbadeja ra dëshmor i mbu­luar me gjakun e tij të pastër... Në trupin e tij kishte aq shumë të rëna me shpatë, goditje nga shtizat apo nga shpatat, saqë nuk njihej më, përveç nëpërmjet një shenje, në trupin e tij.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top