ZEJD IBNU THABITI

zejd_ibnu_thabiti

ZEJD IBNU THABITI

“Vallë, kush do të thurë vargje pas Hasanit dhe birit të tij? Vallë, kush do të ketë retorikë si Zejd ibnu Thabiti?”

Hasan ibnu Thabiti

Viti i dytë pas hixhretit.

Në Qytetin e Pejgamberit a.s. njerëzit mblidheshin dhe përgati­te­shin për të luftuar në Bedër.

Pejgamberi a.s. ia hedh shikimin e fundit ushtrisë së parë muslimane, e cila do të marshojë nën komandën e tij për të zhvilluar luf­të në rrugën e Allahut dhe për të jetësuar Fjalën e Tij në tokë.

Këtu, në Medinë, në radhët e muslimanëve arriti një djalosh që ende nuk i kishte mbushur trembëdhjetë vjeç, por ishte i mençur dhe mendjehollë...

Ai mbante në dorën e tij një shpatë të gjatë sa vetë ai, apo edhe më e gjatë se ai. Iu afrua Pejgamberit a.s. dhe i tha:

- Do të flijohem për ty, o Resulullah, prandaj më lejo që të jem me ty dhe t’i luftoj armiqtë e Allahut nën flamurin tënd.

Pejgamberi a.s. e shikoi gëzueshëm dhe mahnitshëm, i ra në krah në shenjë butësie dhe dashurie ndaj tij, e qetësoi dhe ia ndaloi të marrë pjesë në luftë për shkak të moshës së tij të re.

*  *  *

Djaloshi u kthye duke vringëlluar shpatën e tij për tokë, i dësh­pë­ruar dhe i pikëlluar, sepse u pengua që të ketë nderin ta sho­që­ro­jë Pejgamberin e Zotit xh.sh. në betejën e parë që do të zhvi­llonte.

Pas tij u kthye edhe e ëma e tij, En‑Nevar bintu Malik, e cila ishte më e dëshpëruar dhe e pikëlluar se i biri i saj.

Ajo dëshironte t’i ushqente sytë e vet duke e shikuar të birin e saj kur ai do të shkonte me burrat e tjerë në luftën e shenjtë, nën flamurin e të Dërguarit të Zotit xh.sh. Shpresonte që i biri do të zinte pozitën që do të gëzonte i ati  i tij te Pejgamberi a.s.

*  *  *

Kur djaloshi nga ensarët e pa se nuk pati sukses dhe fat që t’i afrohet Pejgamberit a.s. në këtë fushë për shkak të mo­shës së tij të re, ai mendjemprehtësinë e tij e përqëndroi në një fushë tjetër, e cila nuk do të ketë lidhje me moshën e tij me të cilën do të afrohet tek i Dërguari i Zotit xh.sh.

Kjo ishte dija dhe mësimi përmendsh i Kur’anit...

Ai e njoftoi të ëmën e tij për këtë ide, e ajo u bë shend e verë dhe u angazhua që djali i saj ta realizojë.

Ajo u foli për këtë burrave të fisit të saj, të cilët së bashku me dja­loshin dhe të ëmën e tij shkuan te Resulullahu dhe i thanë:

- O Pejgamber i Zotit! Ky biri ynë, Zejd ibnu Thabiti, i ka nxënë përmendsh shtatëmbëdhjetë sure nga Kur’ani dhe i këndon siç është më së miri, ashtu si të kanë zbritur Ty.

Mbi të gjitha, ai është i shkathët dhe di shkrim‑lexim. Me këtë ai dëshiron që të afrohet te ti dhe të të vijë pas, andaj dë­gjoje atë, po qe se dëshiron.

*   *   *

Kur Pejgamberi fisnik dëgjoi nga Zejd ibnu Thabiti një pjesë nga ajo që kishte mësuar përmendsh, vuri re se ai kën­donte mirë dhe i shqiptonte fjalët qartë...

Fjalët e Kur’anit tingëllonin aq bukur dhe si­kur shkëlqenin në buzët e tij, ashtu siç shkëlqejnë yjet në orbitën e qiellit... Këndimi i tij kishte ndikim dhe peshë... Pushimet e tij gja­të të kënduarit dëshmonin për kujdesin dhe të kuptuarit drejt të asaj që lexonte.

Andaj, Pejgamberi u ngazëllye shumë me të, sepse e gjeti edhe më të përgatitur seç e kishin përshkruar, e posaçërisht e gëzoi fak­ti që ai kishte zotëruar të shkruarit.

Atëherë, Pejgameri fisnik iu drejtua dhe i tha:

‑ O Zejd, mësoje shkrimin hebraik, se unë nuk jam i sigurtë se ata e marrin atë që ua them si duhet.

Ai iu përgjigj: - Po, do të angazhohem me respekt të thellë për këtë që thua, o i Dërguari i Allahut!

Ai menjëherë iu përkushtua hebraishtes, derisa e zotëroi për një kohë të shkurtër dhe filloi të shkruajë në atë gjuhë për Resulullahun a.s. kur ai dëshironte t’u shkruante hebrenjve dhe ia lexonte shkre­sat kur ata i shkruanin Pejgamberit a.s.

Pastaj ai e mësoi gjuhën siriake[1] me urdhër të të Dërguarit të Zotit xh.sh., ashtu siç e kishte mësuar hebraishten.

Me këtë, djaloshi Zejd ibnu Thabiti u bë përkthyesi personal i Pejgamberit a.s.

*  *  *

Kur Pejgamberi a.s. u bind se Zejdi i ka zotëruar gjuhët në fjalë, se shkruan e përkthen çdo gjë në mënyrë besnike e të përpiktë, atëherë i besoi Zejdit që të shkruajë mesazhin hyjnor të zbritur mbi tokë, pra të shkruajë Shpalljen e Zotit, Kur’anin e Lavdëruar.

Sa herë që zbriste diçka nga Kur’ani, Pejgamberi a.s. dërgonte ndonjërin që të thërriste Zejdin dhe i thoshte: Shkruaj o Zejd, e ai shkruante.

Ja, pra, ky është Zejdi, i cili e mësonte Kur’anin pak nga pak dhe kohë pas kohe nga vetë Resulullahu a.s. dhe rritej nën versetet e tij. I merrte fjalët e Kur’anit ashtu të freskëta nga goja e Resulu­llahut a.s. Ato i zbritnin Resulullahut a.s. sipas rrethanave dhe ne­vo­jave, dhe ai i shkruante ato dhe shpirti i fisnikërohej me dritën e udhë­zimeve të tij.

Mendja i kthjellohej kur mësonte për sekretet e dispozitave të tij...

Ky ishte djaloshi fatlum që u specializua në mënyrë aq pro­fe­sionale në fushën e Kur’anit, saqë u bë njeriu i parë me autoritet nga i cili umeti i Muhammedit a.s. do të mësojë shumë pas vdekjes së Pejgamberit a.s.

Ai ishte në krye të atyre që tubuan Kur’anin në kohën e Ebu Be­kër Es‑Siddikut, si dhe ndër të parët që tubuan dhe bashkuan mus­hafet në kohën e Othmanit r.a.

Vallë, a ka pozitë më të lartë se kjo?!

A thua, ka krenari dhe nder më të lartë që ëndërron të ketë njeriu?

*  *  *

Mësimet dhe vlera e Kur’anit ishin ato që i ndihmuan Zejdit të ndajë drejtësi në ato situata aq të ndera, saqë edhe më të mençurit ishin në dilemë. Ditën e Sekifes[2] muslimanët nuk ranë dakord se kush do të jetë pasardhës në pushtet pas Pejgamberit a.s.

 

Në një rast muhaxhirët thanë:

‑ Prej radhëve tona ishte pushteti i vetë Resulullahut, andaj edhe tani ai na takon neve.

Disa nga ensarët thanë:

- Pushteti na takon neve, sepse ne jemi më meritorë për të.

Disa të tjerë thanë:

‑ Le ta ndajmë pushtetin (hilafetin) së bashku... sepse kur e angazhonte Pejgamberi ndonjërin prej jush për ndonjë çështje, atij ia bashkangjiste edhe njërin prej nesh.

Vetëm sa s’kishte ndodhur një përçarje dhe çrregullim i madh, e ndërsa trupi i Pejgamberit a.s. ishte i mbuluar dhe ende nuk ishte varrosur.

Në atë situatë nevojitej një fjalë e prerë, vendimtare dhe udhë­zuese, sipas udhëzimeve të Kur’anit, që t’ua ndriçojë rrugën njerëzve që kishin rënë në hall dhe që ta mënjanojnë përçarjen de­risa ishte ende e vogël.

Kjo fjalë e pritur doli nga goja e Zejd ibnu Thabitit. Në ato mo­men­te iu drejtua të pranishmëve nga fisi i tij dhe iu tha:

“O burra ensarë, vërtet Pejgamberi i Zotit xh.sh. ishte prej muhaxhirëve, andaj le të jetë edhe pasuesi i tij në pushtet nga muhaxhirët, ashtu siç ishte edhe ai vetë.

Vërtet, ne ishim ensarët (ndihmëtarët) e Resulullahut a.s., an­daj le të jemi ensarë (ndihmëtarë) edhe të halifit të tij nga radhët e muhaxhirëve edhe pas vdekjes së tij, e le ta ndihmojmë atë në rrugën e drejtë dhe të vërtetë.

Pastaj ia shtriu dorën Ebu Bekrit dhe i tha: - Ky është halifi juaj, andaj zgjedheni dhe jepjani besën.

*  *  *

Me mirësinë e Kur’anit, të me studimin e vet dhe me përcjelljen e vazh­dueshme që i bënte Pejgamberit a.s. Zejdi u bë udhëzues dhe drejtues për muslimanët. Halifët e musli-manëve konsultoheshin me të për çësh­tje të vështira, ndërsa opinioni i gjerë kërkonte përcaktimin e tij për probleme të ndryshme e posaçërisht në çështjet e trashë­gimive, sepse në atë kohë në mesin e muslimanëve nuk kishte më të ditur, më të shkathët dhe më të zotin se ai në këtë drejtim. Omeri r.a. iu mbajti një fjalim muslimanëve në El‑Xhabije[3] dhe u tha:

“O ju njerëz! Kush dëshiron të pyesë për Kur’anin, le të drej­tohet te Zejd ibnu Thabiti...

Kush dëshiron të pyes për fikhun, le t’i drejtohet Mu’adh ibnu Xhebelit...

Ndërkaq, kush dëshiron të pyes për pasuri, le të më drejtohet mua, sepse Zoti më bëri valij dhe ndarës të saj...

*   *   *

Ata të cilët kërkonin dituri nga radhët e sahabëve dhe tabiinëve (pasuesve të tyre) e njohin vlerën e Zejd ibnu Thabitit, an­daj e ngritën dhe e respektuan për hir të dijes që zotëronte.

Ja, pra, eruditi i shquar, Abdullah ibnu Abassin, i cili, kur e pa Zejdin që dëshironte t’i hipte kalit të tij, u ndal para tij, ia vendosi këmbën në praqe të kalit dhe kalin e kapi për freri.

Atëherë Zejdi i tha:

‑ Mos e bë këtë, o biri i xhaxhait të Resulullahit!

‑ Kështu na kanë urdhëruar që të sillemi dhe të veprojmë me dijetarët tanë... - ia ktheu ibnu Abasi.

‑ Ma jep dorën tënde, ta shikoj! ‑ i tha Zejdi.

Ibnu Abasi e nxori dorën, kurse Zejdi anoi drejt saj, ia puthi dhe i tha:

‑ Kështu na kanë urdhëruar që të sillemi dhe të veprojmë me Ehli Bejtin (farefisin) e Pejgamberit a.s...

*  *  *

Kur Zejd ibnu Thabiti ndërroi jetë, muslimanët qanë për vdek­jen e tij dhe për atë erudit të madh. Atëherë Ebu Hurejra tha:

- Sot vdiq dijetari i madh i këtij populli (ymmeti), e ndoshta Allahu do të na e kompensojë atë me ibnu Abbasin.

Hasan ibnu Thabiti, poet i Pejgamerit a.s., e thuri një elegji me të cilën e vajtoi atë dhe vetveten dhe tha:

Vallë, kush do të thurë vargje pas Hasanit dhe birit të tij?

Vallë, kush do të ketë retorikë si Zejd ibnu Thabiti?!



[1] Gjuha siriake ishte një gjuhë semite e përhapur te disa grupe njerëzish.

[2] Sekife: Është Sekifeja e fisit Benu Sa’ide, kur muslimanët u tubuan pas vdekjes së Pejgamberit a.s. që të bisedojnë dhe të merren vesh për çështjen e hilafetit (pushtetit) pas tij.

[3] El‑Xhabije: Ishte një fshat në perëndim të Damaskut, në të cilin Omeri me sahabët u mblodhën që të konsultohen rreth çështjeve të çlirimit. Ai mbajti aty fjalimin e tij të njohur, e për këtë ajo ditë është quajtur “Dita e El‑Xhabijjes”.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top