SAFIJE BINTU ABDUL MUTALIBI

safije_bintu_abdul_mutalibi

SAFIJE BINTU ABDUL MUTALIBI

“Safija është femra e parë muslimane që vrau pabesimtarë duke mbrojtur fenë e Allahut.”

 

Cila është kjo zonjë mendjemprehtë ndaj së cilës njerëzit ki­shin konsideratë dhe respekt shumë të madh?

Cila është kjo sahabije e famshme dhe guximtare, e cila ishte fem­ra e parë që vrau pabesimtarë në fenë islame?

Cila është kjo grua e vendosur që nxori në dritë kalorësin e parë që vringëlloi shpatën në rrugën e Allahut?

Kjo është Safije bintu Abdul Mutalibi, hashimite, kurejshite, ha­lla e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

*  *  *

Të gjitha këto cilësi e virtyte të larta Safija i përfitoi nga çdo anë: babai i saj ishte Abdul Mutalib bin Hashimi, gjyshi i të Dërguarit a.s. dhe prijësi e zotëria i kurejshëve. Nëna e saj ishte Hale bintu Vehbi, motra e Emines, nënës së të Dërguarit të Zotit.

Burri i saj i parë ishte Harith bin Harbi, vëllai i Ebu Sufjanit, i pa­ri i Beni Umejve, i cili pas një kohe vdiq dhe e la të vej.

Burri i saj i dytë ishte El Avamu bin Huvejlidi, vëllai i Hatixhes r.a., zonjës së grave arabe në kohën e injorancës dhe e para prej nënave të besimtarëve në Islam.

I biri i saj ishte Zubejr ibnul Avvami, shok i ngushtë dhe përcje­llës besnik i Muhammedit a.s. A mund të ketë nder më të madh se ky që njerëzit të lakmojnë në të përveç nderit të imanit (besimit)?!

*   *   *

Pas një kohe asaj i vdes edhe burri i dytë Avvam Ibnu Huvejlidi duke ia lënë një fëmijë të vogël, Zubejrin, të cilin, edhe pse e rriti me vuajtje e mundime të mëdha, e edukoi në shkathtësinë e kalorësisë dhe të luftës. Pasioni i tij më i preferuar ishte mprehja e shigjetave dhe rregullimi i harqeve.

Ajo e kishte edukuar në frymën e trimërisë dhe ballafaqimit me çdo rrezik. Kur e shihte se Zujberi tërhiqej apo hamendej, i binte me një të rënë jo të fortë (që të mos e lëndonte). Një ditë njëri nga xhaxhallarët e qortoi duke i thënë: Përse po e rreh kështu djalin?... Vërtet je duke e rrahur atë me pezm e urrejtje e jo siç e rreh nëna fëmijën e saj. Ajo ia ktheu me një vjershë duke thënë:

Kush thotë se e urrej, ai gënjen.

Ngase unë e rrah që të jetë i zgjuar,

të mposhtë ushtri e të vijë me trofe lufte.

Kur Allahu xh.sh. e dërgoi Pejgamberin e Tij me udhëzim dhe fe të drejtë, si tërheqës të vërejtjes dhe përgëzues të njerëzimit, e urdhëroi që të fillojë prej të afërmve të vet.

Muhammedi a.s. i tuboi pasardhësit e Abdul Mutalibit, burrat dhe gratë e tyre, të madh e të vogël, dhe u tha:

“Oj Fatime, bija e Muhammedit. Oj Safije bija e Abdul Mutta­li­bit. O bijt e Abdul Mutalibit: Vërtet nuk kam kurrfarë mundësie që nesër t’ju ndihmoj para Allahut.”

Pastaj i ftoi në besim në Allahun xh.sh dhe i nxiti që t’i besojnë misionit (shpalljes) të tij...

Pranoi kush pranoi dritën e Allahut dhe refuzoi kush refuzoi dritën e Tij, e Safija ishte prej grupit të parë që i besuan Pejgam­berit të Allahut... Ajo i bashkoi të dy krena-ritë: krenarinë familjare dhe krenarinë e Islamit.

*   *   *

Safija, e bija e Abdul Mutalibit, së bashku me të birin, Zubejrin, që në fillim iu bashkangjit radhëve të dritës. I përjetoi torturat dhe mundimet më të mëdha që përjetuan muslimanët e parë prej kurej­shitëve, e kur Allahu xh.sh i lejoi të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve hixhretin (emigrimin) për në Medinë, zonja Safije la pas vetes Mekën dhe çdo gjë që kishte nga pasuria e saj. La edhe kujtimet më të bukura të saj për të. U nis për në Medinë, duke lënë vendlindjen vetëm për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

*  *  *

Edhe pse zonja Safije kishte afër gjashtëdhjetë vjet të jetës së saj të bujshme, në fushën e xhihadit kishte qëndrime burrë­rore, saqë historia ende i rikujton me respekt dhe admirim të madh. Me këtë rast do t’i evokojmë dy momente kur heroizmi i saj i rrallë u tregua në vepër:

I pari ishte në ditën e Uhudit, kurse i dyti në ditën e Hendekut.

*   *   *

Sa i përket kontributit të saj në Uhud, ajo doli me ushtrinë muslimane në grupin e grave për luftë në rrugën e Allahut.

Mbartte ujë dhe u jepte të eturve të pinë, mprehte shigjeta dhe rregullonte harqet e dëmtuara. Me këtë punë ajo synonte edhe diç­ka tjetër, donte ta përcillte betejën me të gjitha ndjenjat...

E gjithë kjo nuk ishte për t’u befasuar, sepse në atë fushëbetejë ish­te djali i vëllait të saj Muhammedi ‑ i Dërguari i Allahut xh.sh...  ishte vë­llai i saj Hamza ‑ i biri i Abdul Mutalibit, luani sypatrembur i Alla­hut... Mbi të gjitha këto ajo e ndiente veten krenare dhe mburrej me Islamin, të cilin e kishte përqafuar me dëshirë (vullnet)... dhe vetëm për hir të kësaj feje, kishte emigruar me vetëdije të plotë... Nëpërmjet Islamit ajo e pa para vetes rrugën e ndritshme të xhenetit.

*   *   *

Kur ajo i pa muslimanët tek po ndaheshin nga i Dërguari i Alla­hut, përveç disave, dhe pa se idhujtarët gati iu kishin afruar të Dër­guarit a.s. me qëllim që ta likuidonin, hodhi me shpejtësi enët e ujit dhe u vërsul si luanesha kur i mbron të vegjlit e saj, duke i marrë një të vrari shtizën e tij me të cilën filloi t’i shpartallojë radhët e armikut dhe me zë të lartë iu drejtua muslimanëve, duke u thënë:

‑ Mjer për ju, si e keni lënë të vetmuar të Dërguarin e Allahut!

Kur e pa Safijen duke ardhur, i Dërguari i Allahut u frikësua për të se mos ligështohet kur ta shohë të vëllanë, Hamzën, të vrarë e të masakruar në mënyrë shtazarake nga idhujtarët, dhe iu drejtua të birit të saj, Zubejrit, duke i thënë:

‑ Largoje atë grua, o Zujber... Largoje!

Zubejri u drejtua nga ajo duke i thënë:

‑ Oj nënë, largohu!... Largohu!

‑ Nëse më pengon, mos më thirr më nënë ‑ i bërtiti ajo.

‑ Por i Dërguari i Allahut të urdhëron që të kthehesh...

‑ Përse të kthehem?!! Unë e kam marrë vesh se vëllai im është masakruar në rrugën e Zotit. Kur i dëgjoi këto fjalë i Dërguari i Zotit i tha Zubejrit: Lëshoja rrugën, dhe ai ia lëshoi.

*   *   *

Kur përfundoi beteja, Safija u ndal para vëllait të saj, Hamzës. E pa se ia kishin çarë barkun, ia kishin nxjerrë mushkëritë, prerë hun­dën, këputur veshët dhe ia kishin pri-shur fytyrën. Kërkoi mëshirë prej Allahut xh.sh dhe tha:

‑ Kjo është për hir të Allahut xh.sh.

Pajtohem plotësisht me caktimin e Allahut dhe për Zotin, do të bëj durim, do t’i mbështetem Atij dhe vetëm prej Tij do të kërkoj shpërblim për të.

*   *   *

Ky ishte qëndrimi i Safijes në Uhud, ndërsa sa i përket qëndrimit të saj në betejën e Hendekut, ekziston një tregim i rrallë ku men­çu­ria, inteligjenca dhe trimëria e saj u shfaqën edhe një herë.

Ja se ç’rrëfejnë librat e historisë në lidhje me këtë:

*   *   *

Ishte në traditën e Pejgamberit a.s. që kur shkonte në ndo­një­rën prej luftërave, gratë dhe fëmijët i vendoste në ndonjë forti­fikatë nga frika se mos në Medinë mund të hyjë ndonjë tradhtar gjatë kohës derisa mungonin mbrojtësit e saj (për shkak të luftës).

Ditën e Hendekut, gratë e tij, hallën dhe disa gra të muslimanë­ve i vendosi në kullën e Hasan Ibnu Thabitit, e cila ishte njëra ndër kullat më të mbrojtura dhe më të sigurta në Medinë dhe, njëkohë­sisht, më e vështira për pushtim.

Kur muslimanët ishin të zënë dhe të preokupuar rreth Hen­dekut për t’iu kundërvënë kurejshitëve dhe aleatëve të tyre, i lanë anash gratë dhe fëmijët e tyre.

Në agimin e një mëngjesi, kur errësira e natës ende nuk kishte kaluar, Safija pa siluetën e një njeriu tek lëvizte në drejtim të kullës. Përqëndroi dëgjimin dhe shikimin dhe e hetoi se ai ishte një çifut, i cili filloi të sillej rreth kështjellës duke hulumtuar për të zbuluar ata që ishin brenda. Ajo e kuptoi se ai spiunonte popullin e saj dhe kishte ardhur për të zbuluar se a ekziston në kullë ndonjë burrë që i mbron ata që ishin brenda, apo ndoshta mes mureve të saj ka vetëm gra e fëmijë.

Safija e kuptoi mirë situatën dhe tha me vete: “Çifutët e Beni Kurej­dhas shkelën marrëveshjen që e kishin me të Dërguarin e Alla­hut dhe u ndihmuan kurejshitëve e aleatëve të tyre kundër muslimanëve. Nuk ekziston askush prej muslimanëve që të na mbrojë prej tyre, kurse i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me të janë të zënë në pritje për ballafaqim me armikun. Nëse ky armik i Allahut arrin që ta përcjellë te populli i vet të vërtetën tonë, çifutët do t’i nën­shtrojnë gratë muslimane dhe do t’i robërojnë fëmijët, e kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe për muslimanët.”

*   *   *

Ajo mori me nxitim shaminë e saj dhe e mbuloi kokën. I shtrën­goi teshat mirë në bel, mori një shtyllë mbi supe dhe zbriti ngadalë drejt derës së kullës. Me shkathtësi dhe mjeshtëri hapi një vrimë në derë dhe prej saj filloi ta përcillte armikun e Allahut me syçeltësinë dhe kujdesin më të madh. Kur u bind se ai arriti në vend të për­shtatshëm ku ajo mund ta godiste, u vërsul mbi të si një shqiponjë, e ngriti shtyllën dhe i ra me të një të rënë të fuqishme dhe vdekje­prurëse derisa e plandosi përdhe... Pas të rënës së parë, pasoi e dy­ta dhe e treta, derisa ia ndali frymën.

Me shpejtësi rrufeje nxori thikën që kishte me vete, ia hoqi kokën dhe e hodhi nga maja e kullës. Koka e prerë e çifutit filloi të rrokullisej teposhtë kodrës derisa arriti në duart e çifutëve të cilët pritnin në fund të saj. Kur e panë kokën e shokut të tyre, disa prej çi­futëve thanë: “E kemi ditur se Muhammedi nuk i lë gratë dhe fëmijët pa mbrojtje...” Pastaj shkuan rrugës së tyre...

*   *   *

Allahu qoftë i kënaqur ndaj Safijes, të bijës së Abdul Mutalibit.

Ishte shembull i pashoq i gruas muslimane.

E edukoi fëmijën e saj të vetëm me edukatën më të mirë.

Kur ra dëshmor i vëllai i saj, Hamza, ajo bëri durimin më të madh për të.

Edhe pse gjatë jetës së saj e përcollën vështirësi e sprova të më­dha, gjithmonë mbeti e paluhatshme, e vendosur, e urtë dhe guximtare.

Historia shkroi me shkronja të arta në faqet e saj: “Safi­ja, e bija e Abdul Mutalibit, është femra e parë muslimane që vrau një pabesimtar, duke mbrojtur fenë e Allahut.”

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top