ABDULLAH IBËN SELAMI

abdullah_ibn_selami

ABDULLAH IBËN SELAMI

“Kush dëshiron të shohë njërin prej banorëve të xhenetit, le të shikojë Abdullah bin Selamin.”

Husajnu ibnu Selami ishte njëri prej priftërinjve të Jethribit. Medinasit, edhe pse ishin popuj të ndryshëm dhe me fe të ndrysh­me, atë e respektonin që të gjithë.

Ishte i njohur ndër njerëz me devotshmëri, mirësjellje, qëndrim burrëror dhe me drejtësi.

*  *  *

Husajni kalonte një jetë të qetë dhe të rehatshme, por në të njëjtën kohë edhe jetë serioze e të dobishme...

Kohën e tij e kishte ndarë në tri pjesë:

Një pjesë ia kushtonte adhurimit dhe ligjërimit në Sina-gogë...

Një pjesë ia kushtonte qëndrimit në kopshtin e tij duke u kuj­desur për hurmat, rreth krasitjes dhe shartimit të tyre..., dhe pjesën tjetër ia kushtonte leximit dhe studimit të Tevratit...

*  *  *

Sa herë që lexonte Tevratin ndalej gjatë në vendet (pjesët) ku paralajmërohej paraqitja e një të Dërguari në Mekë, i cili do t’i plotësojë shpalljet e gjithë të Dërguarve të mëparshëm dhe do t’i vulosë ato.

Tek studionte cilësitë dhe shenjat e këtij të Dërguari të pritur, ndjenjat e gëzimit ia përshkonin tërë trupin, kur e dinte se ai i dër­guari do të largohej prej vendit në të cilin do të dërgohet dhe do të zgjedhë Jethribin si vend për emigrim dhe qëndrim.

Sa herë që i lexonte këto lajme, apo i shkonin ndërmend, e mban­te shpresa se Allahu do t’i japë jetë që të ketë mundësi ta përjetojë paraqitjen e këtij të Dërguari të pritur, të kënaqet me takimin e tij dhe të jetë i pari që do t’i besojë atij.

*  *  *

Allahu xh.sh. iu përgjigj lutjes së tij dhe i dha jetë derisa u dër­gua Pejgamberi i mëshirës dhe i udhëzimit.

Ia bëri të mundur që të takohet me të dhe ta ketë fatin që ta sho­qërojë atë për t’i besuar të vërtetës të cilën ia kishte zbritur i Plotfuqishmi atij. Tani le t’ia japim fjalën Husajnit, që vetë të na arrëfejë se si e përqafoi Islamin, ngase ai është më i denji për këtë.

Husajn ibnu Selami rrëfen e thotë:

- Kur dëgjova për paraqitjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. fillova të mendoj për emrin, prejardhjen, cilësitë, kohën dhe ven­din e paraqitjes së tij, dhe i krahasova me atë që është shkruajtur në librat tona, derisa u binda në vërtetësinë e thirrjes së tij. Mirëpo, këto të dhëna i fsheha nga çifutët... dhe nuk bisedova me njeri në lidhje me këtë, deri ditën kur i Dërguari i Allahut doli nga Meka dhe ia mësyu Medinës.

Kur arriti në Jethrib dhe u vendos në Kuba, erdhi një lajmëtar dhe na tregoi për ardhjen e tij. Në atë moment isha në majë të një hurme duke punuar diçka në të, kurse halla ime Halide bintul Harithi ishte ulur nën pemë. Posa dëgjova lajmin brohorita nga gëzimi: Allahu ekber... Allahu ekber.

Kur e dëgjoi tekbirin tim, halla ime m’u drejtua dhe më tha: - Alla­hu të marroftë!

Për Zotin po të kishe dëgjuar se Musa bin Imrani është duke ardhur nuk do të bëje asgjë më tepër se kjo...

Asaj i thashë:

‑ Oj halla ime! Për Zotin, ky është vëllai i Musa bin Imranit në fe dhe u dërgua me atë që u dërgua Musai...

Ajo heshti pakëz dhe tha:

- A ky është ai i Dërguari për të cilin na paralajmëronit se do të dër­gohet si vërtetues i atyre që ishin para tij dhe plotësues i shpall­jeve të Allahut?!

Po ‑ i thashë.

‑ Atëherë ky qenka ai ‑ tha ajo.

Pastaj menjëherë shkova tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe pash turmën e njerëzve tek shtyheshin për t’u afruar para Pejgam­be­rit a.s. Fillova edhe unë të shtyhem derisa arrita afër tij.

Fjalët e para që dëgjova prej tij ishin:

‑ O ju njerëz shpërndani selam, jepuni ushqim të varfërve, fa­luni natën, gjersa njerëzit e tjerë flenë, që të hyni në xhenet me selam...

E shikova me vëmendje, i kënaqa sytë në shikimin e tij dhe u binda se fytyra e tij nuk është fytyrë gënjeshtari.

Iu afrova pranë dhe dëshmova para tij se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij.

U kthye nga unë dhe më pyeti:

‑ Si të quajnë?

‑ El Husajnu ibnu Selam, ‑ thashë.

Më mirë do të përkonte emri Abdullah ibnu Selam, më tha.

Me krenari do ta mbaj këtë emër ‑ Abdullah ibnu Selam, - iu për­gjigja ngase, pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nuk dë­shiroj të kem tjetër emër pas ditës së sotme.

U largova nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për në shtëpinë time dhe i thirra në Islam gruan, fëmijët dhe familjen time dhe që të gjithë besuan. Atyre iu bashkangjit edhe halla ime, Halidja, e cila ishte një plakë e shtyrë në moshë... e pastaj u thashë:

- Mbajeni në fshehtësi Islamin tim dhe tuajin nga çifutët, derisa t’ua lejoj që ta shfaqni atë!

Po ‑ më thanë ata.

Ndërkohë u ktheva tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i thashë:

‑ O i Dërguari i Allahut, me të vërtetë çifutët janë një popull shpifës dhe gënjeshtar.

Thirri prijësit e tyre, më fsheh prej tyre në njërën prej dhoma­ve të tua, pastaj pyeti për pozitën dhe autoritetin tim te ta, para se ta marrin vesh për Islamin tim e pastaj thirri në Islam.

Nëse e marrin vesh se e kam pranuar Islamin, do të më për­qe­shin dhe do të shpifin ndaj meje çdo të qenë dhe të paqenë.

I Dërguari i Allahut veproi ashtu siç i thashë, më futi në njërën prej dhomave të tij e pastaj i thirri ata dhe filloi t’u flasë për fenë islame, duke ua bërë të dashur imanin dhe duke ua përkujtuar atë që e kishin mësuar ‑ lexuar për të në librat e tyre të shenjta.

Ata filluan të polemizojnë me të, me të pavërteta dhe ta kun­dërshtojnë të vërtetën e zbritur. Unë vetëm dëgjoja. Kur Resu­lullahu i humbi shpresat prej besimit të tyre u tha:

‑ Çfarë pozite ka Husajn Ibnu Selami te ju? Ata thanë: - Ai është zotëriu ynë dhe biri i zotëriut tonë, është prifti dhe mësuesi ynë dhe biri i priftit e mësuesit tonë!

‑ Po nëse ai beson, a do të besonit edhe ju?

‑ Ruana Zot! Ai kurrë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Zoti mos e dhashtë që ai të besojë ‑ thanë ata. Atëherë u shfaqa, dola para tyre dhe u thashë:

‑ O paria e çifutëve, keni frikë  Allahun dhe pranoni atë që i ka ardhur Muhammedit. Për Zotin, ju e dini mirë se ai është i Dër­guari i Allahut, të cilin e gjeni të shkruar në Tevrat me emrin dhe cilësitë e tij. Unë dëshmoj se ai është i Dërguari i Allahut, i besoj, e vërtetoj dhe e pranoj atë.

Atëherë m’u vërsulën me fjalë fyese e nënçmuese:

Po gënjen. Për Zotin ti je më i keqi dhe biri i më të keqit prej nesh, je injorant dhe bir i më injorantit prej nesh, - dhe nuk lanë gjë të zezë pa më thënë.

Iu drejtova të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i thashë:

‑ A nuk të kam thënë se çifutët vërtet janë një popull shpifës dhe gënjeshtarë dhe janë të prirur për tradhti e mëkate?!

*  *  *

Abdullah ibnu Selami e pranoi Islamin dhe iu qas ibadetit me për­kushtimin e të eturit për ujë...

Aq shumë u dha pas dashurisë së të lexuarit të Kur’anit, saqë gjuha e tij asnjëherë nuk ndalej nga leximi i ajeteve të Tij fisnike.

U lidh me të Dërguarin e Allahut gjersa u bë si një hije e pandash­me e Resulullahut, mëngjes e mbrëmje. Ai u zotua se do të punojë për xhenet derisa një ditë i Dërguari i Allahut e përgëzoi me të, përgëzim i cili u përhap me shpejtësi rrufeje në mesin e saha­bëve fisnikë dhe mori dhenë.

Lidhur me këtë përgëzim ekziston edhe tregimi të cilin e rrëfen Kajs ibnu Ubadete dhe disa të tjerë.

Kajsi thotë:

Isha ulur në njërin nga tubimet e diturisë që mbahej në xhaminë e të Dërguarit të Allahut në Medinë.

Në atë tubim ishte një plak i moshuar, i cili, tek e shihje, ta kënaqte shpirtin dhe ta qetësonte zemrën.

Filloi t’u flasë njerëzve me fjalë të ëmbla të cilat ndikonin menjëherë në zemrat e tyre dhe lënin mbresa.

Kur u largua, disa thanë:

‑ Kush dëshiron ta shohë njërin prej banorëve të xhenetit, le ta shikojë këtë njeri (duke aluduar në Abdul-lahun).

Kush është ky? ‑ pyeta

‑ Abdullah ibnu Selami ‑ më thanë.

Thashë me vete se do ta përcjell atë dhe e përcolla.

Ai filloi të ecë gjersa pothuajse doli nga Medina, e pastaj hyri në shtëpinë e tij. Kërkova leje prej tij që të më bëjë konak, të cilën gjë e pranoi me kënaqësi.

Cilat janë nevojat e tua, o i biri i vëllaut tim? ‑ më pyeti.

I thashë:

‑ Dëgjova njerëzit tek flisnin për ty, kur dole nga xhamia:

“Kush dëshiron ta shohë njërin prej banorëve të xhenetit, le ta shikojë këtë njeri.” Për këtë arsye t’u lëshova pas që të marr vesh se si morën vesh njerëzit se ti je prej xhenetlinjve.

Tha:

- Allahu është më i Dijshmi për xhenetlinjtë. o biri im.

I thashë:

Po... por patjetër për atë që kanë thënë kanë ndonjë arsye.

- Unë do të të tregoj arsyen, - më tha.

- Atëherë ma thuaj... Allahu të shpërbleftë me të mirë, - i thashë.

Abdullahu filloi bisedën dhe tha:

- Derisa isha duke fjetur një natë, gjatë kohës së Pejgamberit a.s., më erdhi një njeri në gjumë (ëndërr) dhe më tha:

‑ “Ngrihu!” Më kapi për dore, kur sakaq para meje nga e majta m’u shfaq një rrugë, në të cilën desha të shkoja...

Më tha:

‑ Lëre atë rrugë, se ajo nuk është për ty...

Shikova në të djathtë kur, sakaq, para meje u shfaq një rrugë e ndritshme, e ai njeriu më tha:

‑ “Pasoje këtë rrugë!”

- E pasova atë rrugë derisa arrita te një kopsht i bukur dhe i gjerë, gjelbërimi i të cilit të mahniste.

Në mes tij ishte një shtyllë, rrënjët e së cilës ishin në tokë e maja në qiell.

Në majë të tij gjendej një kurorë e artë.

‑ “Mbërrije atë”, - më tha ai.

‑ Nuk mundem, ‑ i thashë.

Atëherë erdhi një shërbëtor, më ndihmoi të ngrihem derisa arrita në majë të shtyllës dhe mora kurorën me të dy duart.

Mbeta i ngjitur për atë shtyllë derisa u zgjova nga gjumi.

Të nesërmen, sapo u zgjova, menjëherë nxitova tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tregova atij për ëndrrën time, të cilën ma komentoi dhe më tha:

- Rruga që ke parë në të majtë është rruga e banorëve të zjarrit (xhehenemit), kurse rruga e djathtë, të cilën e ke parë, është rruga e banorëve të xhenetit. Kopshti që të ka magjepsur me gjel­bë­rimin dhe bukuritë e tij është Islami... Shtyllën që e ke parë në mes të atij kopshti është shtylla e fesë (besimit)... kurse kurora është lidhja më e fortë ‑ Imani, me të cilin do të jesh përherë i li­dhur ngushtë deri në vdekje! 

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top