HATIXHE BINT HUVEJLID Featured

Abdullah bin Xhaferi transmeton se e ka dëgjuar Aliun në Kufe duke thënë se i Dërguari Muhammed (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Më e mira e grave të kohës së vet ishte Merjemja, vajza e Imranit, dhe gruaja më e mirë e kohës së saj ishte Hatixhja, vajza e Huvejlidit.” (Shënon Muslimi në Sahihun e tij).
A nuk është një nder i madh për gratë që i pari person që përqafoi Islamin ishte një grua?
Hatixhja ishte e para që dëshmoi se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se burri i saj ishte i Dërguar i Allahut. Hatixhja ka qenë gruaja e të Dërguarit Muhammed (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Atë e quanin edhe Tahra, që do të thotë “e pastër”.
Hatixhja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vinte nga një familje fisnike. Babai i saj, Huvejlidi, ishte një ndër prijësit më të respektuar të fisit të vet, derisa u vra në një betejë. Burri i saj (para të Dërguarit Muhammed, paqja qoftë mbi të) gjithashtu kishte vdekur, duke e lënë atë shumë të pasur.
Kur Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ishte ende i ri, ajo i besoi atij pasurinë e saj, duke i kërkuar të bënte tregti në Siri për të. Në atë kohë, ai respektohej nga të gjithë dhe ndershmëria, besnikëria dhe besueshmëria e tij ishte e famshme. Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) u kthye i suksesshëm nga Siria duke e bërë Hatixhen edhe më të pasur.
Pasi dëgjoi rrëfimin për udhëtimin e tij në Siri, Hatixhja mori vendimin se Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) do të ishte bashkëshorti më i mirë për të, edhe pse fisnikët më të shquar të kurejshëve e kishin kërkuar më parë pa sukses dorën e saj. Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) dhe Hatixhja u martuan.
Kur u bë martesa, Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ishte njëzet e pesë vjeç, ndërsa Hatixhja dyzetë vjeçe, e megjithatë kjo nuk ndikoi në martesën e tyre, përkundrazi, ai ishte bashkëshorti më i mirë.
Për pesëmbëdhjetë vitet që pasuan ata jetuan një jetë të lumtur së bashku dhe Hatixhja lindi disa fëmijë. Kur Xhibrili iu paraqit për herë të parë, Profeti Muhammed (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) shkoi te Hatixhja dhe i rrëfeu asaj se çfarë i kishte ndodhur. Duke dëgjuar me kujdes fjalët e tij, Hatixhja nuk ndjeu aspak frikë, përkundrazi, ajo kuptoi se bashkëshortit të saj i kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Ajo ishte e sigurtë se ai nuk ishte as i marrë e as i pushtuar nga djajtë. “Mos u shqetëso”, i tha ajo, “sepse pasha Atë që ka në dorë shpirtin e Hatixhes, shpresoj se ti do të jesh i Dërguari i këtij kombi. Allahu nuk do të të turpërojë. Ti mban lidhje të mira me farefisin, ndihmon të varfrit dhe të ngratët, i pret mirë musafirët dhe i ndihmon fatkeqët.”
Kur i Dërguari Muhammed (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) u qetësua pak, ajo shkoi bashkë me të që të bisedonte me kushëririn e saj, Vereka bin Nevfel, pasi ai ishte një njeri i ditur dhe ajo ishte e sigurtë se ai do të ishte në gjendje të shpjegonte atë që sapo i kish ndodhur burrit të saj të dashur. Vereka kishte studiuar me kujdes librat e shenjtë të çifutëve dhe të të krishterëve dhe kishte marrë shumë dije nga njerëzit më të urtë të këtyre besimeve. Ai ishte në dijeni të ardhjes së një të Dërguari tjetër (të fundit), që ishte parathënë nga Musai dhe Isai (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi ta!) dhe njihte shumë prej shenjave që do të vërtetonin identitetin e këtij të Dërguari.
Vereka i tha të Dërguarit Muhammed se ai ishte i Dërguari i Fundit. Hatixhja u gëzua së tepërmi dhe ndjeu paksa frikë kur parandjenja e saj për atë që i kish ndodhur bashkëshortit të saj në shpellën Hira u konfirmua.
Pa kaluar shumë, i Dërguari Muhammed (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) u urdhërua nga një shpallje e Allahut, përmes Xhibrilit, që t’i ftonte njerëzit që të adhuronin vetëm Allahun dhe ishte në këtë çast që Hatixhja nuk hezitoi të shprehte haptazi atë që ajo e kishte mbajtur të fshehur për pak kohë: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është i Dërguar i Allahut.”
Në vitet e vështira që pasuan, gjatë të cilave prijësit e kurejshëve bënë gjithçka që kishin në dorë për të dëbuar Muhammedin alejhi selam dhe për ta ndaluar që të përhapte mesazhin e tij, Hatixhja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) qe burimi i përhershëm i ndihmës, i përkrahjes dhe i qetësimit për të Dërguarin Muhammed, duke e ndihmuar të tejkalonte vështirësitë e mëdha që iu desh të përballonte në atë kohë. E tërë pasuria e saj u shpenzua në rrugë të Allahut për të përhapur mesazhin e të Dërguarit Muhammed për të liruar skllevërit që kishin përqafuar Islamin dhe për të ushqyer dhe strehuar komunitetin islam që kishte filluar të rritej në numër dhe në fuqi.
Hatixhja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e ndihmoi dhe e përkrahu të Dërguarin Muhammed në çdo rrugë të mundshme. Ajo sakrifikoi veten dhe pasurinë e saj për të përhapur mesazhin e të Dërguarit të Allahut në një kohë kur kurejshët ishin të tërbuar nga suksesi i tij dhe bënë çmos që të dekurajonin atë dhe pasuesit e tij, shpesh duke i torturuar rëndë ata, por më kot. Kjo vetëm sa ia rriti Hatixhes besimin dhe forcën.
Hatixhja qe e para që deklaroi haptazi shehadetin dhe nuk rreshti kurrë së ndihmuari bashkëshortin e saj. Dashuria dhe mëshira kishin lëshuar rrënjë të thella mes tyre, duke u bërë më të forta dhe të thella me kalimin e viteve, aq sa edhe vdekja nuk mundi t’i shuante. I Dërguari Muhammed (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) nuk rreshti kurrë së dashuruari Hatixhen. Megjithëse u martua me disa gra të tjera dhe i deshi të gjitha, Hatixhja zuri gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e tij. I Dërguari Muhammed (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) i tha një herë këto fjalë Aishes për Hatixhen: “Ajo besoi tek unë kur askush tjetër nuk më besoi, ajo pranoi Islamin kur njerëzit më refuzuan dhe më ndihmoi e më ngushëlloi kur askush nuk qe aty për të më ndihmuar.”
Hatixhja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeçe kur vdiq. I Dërguari i Allahut e ndeju shumë mungesën e saj. Ata kishin ndarë njëzet e pesë vjetë martese dhe ajo i kishte dhënë pesë fëmijë.
Pasi xhaxhai i tij, Ebu Talibi dhe gruaja e tij e parë, Hatixhja, vdiqën në të njëjtin vit, i Dërguari Muhammed dhe komuniteti i vogël i besimtarëve përjetuan shumë tortura e persekutime të rënda nga kurejshët. Për këtë, i Dërguari Muhammed (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) tashmë pesëdhjetëvjeçar, e quajti atë vit “Viti i Hidhërimit (Pikëllimit)”.
Ebu Hurejra transmeton se në një rast, kur Hatixhja qe ende gjallë, erdhi Xhibrili te i Dërguari Muhammed dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, Hatixhja është duke ardhur me një enë me supë (ushqim ose pije) për ty. Kur të vijë te ti, jepi selam nga Zoti i saj dhe nga unë dhe përgëzoje me një shtëpi prej margaritarësh në xhenet, në të cilën nuk ka zhurmë, as monotoni e as lodhje.”
Marrë nga:
Revista "ARGUMENTI", nr. 48.
Esma Husejn

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top