SHKAQET DHE ILAÇI PËR SHËRIMIN E KRIMEVE TË TË MITURVE

4. SHOQËRIA E KEQE
Një faktor tjetër që shpie në devijimin e fëmijëve është të shoqëruarit me shokë të këqij. Nëse fëmija është i dobët në besim dhe i mungon karakteri i mirë, atëherë ai do të ndikohet lehtë nga shoqërimi i shokëve të ligë dhe nga sjellja, e cila e bënë të vështirë që ta shpëtojmë atë nga pasojat shkatërruese.
Islami, me udhëzimet e veta edukative, ka urdhëruar prindërit dhe mësuesit të kenë karakter të mirë, të shfaqin zemërbutësi dhe t’i trajtojnë fëmijët me mirësi, kështu që ata do të rriten sipas vlerave etike, pavarësisë së karakterit dhe si rezultat të ndiejnë se janë të respektuar.
Në pjesën vijuese ne i referohemi udhëzimeve islame që kanë të bëjnë me principet morale, duke përfshirë trajtimin dhe mirëkuptimin e mirë.
“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” [Nahl, 90]
“Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” [Ali Imran, 159]
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Allahu e donë mirësinë në çdo çështje.” [Transmeton Buhariu]
Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojnë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ata, të cilët i mëshirojnë të tjerët janë të falur nga Allahu. Mëshironi ata që janë në tokë që Allahu t’ju mëshirojë juve.”
Pikat e përmendura më sipër paraqesin udhëzimet më të rëndësishme të Islamit sa i përket mirësisë, fjalëve të mira dhe trajtimit të duhur. Nëse prindërit dëshirojnë që pasardhësit e tyre të çojnë jetë të virtytshme dhe të drejtë, ata duhet të implementojnë këto rregulla dhe punë sipas udhëzimit të tyre.
Nëse ata do t’i trajtojnë fëmijët e tyre duke përdorur dhunë, ata do t’i trajtonin ata padrejtësisht. Dhe do të ishin njerëzit, të cilët mbjellin devijimin, mosmirënjohjen dhe rebelimin në fëmijët e tyre.
Një njeri erdhi tek Omer bin Hatabi duke u ankuar për mosmirënjohjen e djalit. Omeri e thirri djalin dhe e qortoi për shkak të mosmirënjohjes së tij ndaj babait dhe për shkak të harrimit të detyrave që ka ndaj babait të vet. Djali i tha: “O halife i besimtarëve, a nuk ka djali të drejta fëmijërore?” Omeri tha: “Po në të vërtetë!” Djali e pyeti atë: “Cilat janë këto të drejta, o halife i besimtarëve?” Omeri u përgjigj: “Të zgjedhë nënën e tij, t’i jap emër të mirë dhe t’ia mësojë Kur’anin”. Djali tha: “O halife i muslimanëve, babai im nuk ka bërë asnjërën nga këto. Nëna ime është e zezake, ai më dha emrin e brumbullit dhe nuk më mësoi asnjë fjalë nga Kur’ani!”.
Omeri e shikoi babain dhe tha: “Ju u ankuat te unë për mosmirënjohjen e djalit tënd, por ju keni qenë përpara mosmirënjohës ndaj tij dhe keni iniciuar jomirësinë në të!”. Në këtë mënyrë Omeri ia ngarkoi njeriut përgjegjësinë për mosmirënjohjen e djalit të tij.
Në librat e biografive, transmetohet se Muavije bin Ebu Sufjan u zemërua me djalin e tij Jezidin. Ai kërkoi mendimin e Ahnaf bin Kajsit lidhur me këtë. Ky i fundit u përgjigj: “Ata janë frytet e zemrave tona dhe shtyllat e shpinave tona.”
Për ta, ne duhet të japim tokën dhe qiejt. Nëse të kërkojnë ndihmë jepu; nëse zemërohen qetësoji, sepse ata ju shprehin mirëkuptim dhe demonstrojnë ndaj jush dashurinë më të madhe. Mos i trajtoni ata me përçmim se mos ngopen me ju dhe dëshirojnë vdekjen tuaj.
Prindërit duhet t’iu vënë veshin këtyre pikave, t’i trajtojnë pasardhësit e tyre me mirësi dhe të zbatojnë metodat më të mira arsimore në edukimin e tyre.

Marrë nga libri: “Edukimi i fëmijëve në Islam”
Abdullah Nasih Ulvan
(Nga anglishtja: Driton Maxhuni)

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top