NJOFTONI ATA ME BOTËN

Të mësuarit e fëmijëve tanë për bukurinë e kulturave tjera u hap mendjet e tyre ndaj botës që i rrethon.
Shumica e fëmijëve, të cilët rriten në vendin tonë dhe vijojnë mësimet në sistemin publik shkollor, nuk marrin shumë mësime në mënyrën e vlerësimit dhe vetëdijes kulturore. Në çka fokusohet më tepër është ajo që gjendet në vendin tonë se sa bota si tërësi dhe ne duke qenë vetëm një pjesë e vogël e saj.
Edhe pse kjo duket mahnitëse, kjo vazhdon të jetë standardi i arsimimit publik shkollor të fëmijëve tanë dhe mënyra se si mendon vendi ynë për ta.
Pse ne si muslimanë duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë rëndësinë e respektit të kulturave dhe etnive tjera.
Sepse, të veprosh kështu është pjesë e pandashme e mësimit dhe praktikimit të Islamit - feja me më së shumti etni të ndryshme në formën e saj më të pastër dhe më të saktë.
Allahu thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” [Huxhuratë, 13]
Duke punuar në një shkollë islame, unë arrita të shoh para së gjithash dëmin që u shkaktohet fëmijëve tanë, kur dështojmë që t’i mësojmë të mos bëjnë dallime duke u bazuar në etni.
Një ditë një klasë bëri një shëtitje të shkurtër në fusha dhe unë isha njëra nga shoferet. Një vajzë e re libaneze që po udhëtonte me mua në veturë e pa një njeri që ishte aziatik. Ajo filloi t’i shtrembërojë fytyrën dhe të fliste në një mënyrë që tallte atë dhe kulturën e tij. Një vajzë tjetër që ishte ulur pranë saj, familja e së cilës ishte nga Malaizia, nuk ndihej rehat me veprimin e kësaj vajze.
Duke parë këto pamje nga pasqyra ime, e ndala veturën në një anë të rrugës. Unë isha shumë e prekur me vajzën dhe sjelljen e saj fanatike sa që gati e humba durimin. Mirëpo, para se të hapja gojën që të thosha diçka, e kuptova se kjo vajzë e re i kishte mësuar këto shprehi nga nëna dhe babai. Sikur të rritej në një shtëpi që çmon vendet dhe kulturat tjera kurrë nuk do të vepronte në atë mënyrë. Vazhdoja të mendoja se sa është për të të ardhur keq fakti se kjo vajzë është mësuar se ajo është e veçantë ose fisnike për shkak të prejardhjes së saj dhe gjithashtu sa dëshpërues është fakti se kjo mendje dhe zemër e re mund të bëhet aq e pamëshirshme ndaj ndjenjave të të tjerëve në vend që të ishte një shpirt i ri, i thjeshtë dhe jo një shpirt që mendon vetëm për vete. Për më tepër nëse prindërit e saj do ta kishini mësuar atë se muslimanët jetojnë në të gjitha rajonet e botës dhe përbëjnë çdo etni dhe kulturë, nuk do të kishte nevojë që të qortohej sjellja e saj. Në fund, çka është më e rëndësishme, nëse do të kishte prindër, të cilët do ta mësonin atë se ajo që e bën njeriun të mirë ose të keq nuk ka asnjë lidhje me dukjen e tyre, por është virtyti i tyre, ajo do të tregohej më e virtytshme.
Prindër, çdo gjë që ju besoni, mendoni dhe ndjeni kalon në fëmijët tuaj dhe bëhet pjesë e karakterit të tyre. Askush në këtë botë nuk mund të jetë më i mirë për shkak vendit të lindjes, ngjyrës së lëkurës ose prejardhjes familjare. Përderisa nuk fillojmë të mbjellim këtë fakt të dhënë nga Allahu në vetveten tonë, ne kurrë nuk do të bëhemi Ummet (shoqëri e) i bashkuar. Ne duhet të kuptojmë se edukata që i lëmë fëmijëve është ajo me të cilën do të jetojnë dhe ajo të cilës do t’i besojnë.
Nëse dëshiron që fëmija juaj ta dijë se ka një botë të re jashtë asaj që paraqesin mediat, atëherë ju duhet t’i njoftoni ata me botën.

Organizoje një shëtitje
Ju mund të filloni me një mësim të historisë. Filloni me zanafillën e Islamit pastaj kalo në sqarimin se ku dhe si u përhap Islami në kulturat tjera. Pastaj, trego se si Islami ndikoi në kuturat tjera dhe anasjelltas. Ka shumë histori për të cilën shumë nga ne nuk janë në dijeni dhe kurrë nuk do t’ju harxhohet materiali mësimor.

Aktivitetet globale
Vizitoje librarinë tuaj lokale dhe zdhedhni një shtet.
Kërko informata për shtetin dhe popullsinë e tij në internet.
Gatuaj ushqim të atij vendi.
Mëso gjuhët dhe se si muslimanët thojnë fjalë të ndryshme islame.
Bë biseda në internet me studentë jashtë vendit; bë përkthime brenda kësaj dhe kjo është mënyrë e mrekullueshme për të bashkëpunuar me fëmijë të kombësive tjera.
Gjej dhe vizito muslimanët nga ato rajone. Nëse është e mundur udhëto në një shtet gjatë pushimit veror ose gjeni muslimanët në komunitetin tuaj dhe bisedoni me ta për kulturën e tyre.
Mësoni mënyrat e veçanta që secili vend kremton Bajramin dhe Ramazanin.

Është një botë e vogël tek e fundit
Duke ndërruar mënyrën se si mendoni për botën dhe duke shfaqur vlerësimin tonë për kulturat tjera, ju do të ndryshoni mënyrën që fëmijët tuaj e shohin botën që i rrethon. Nuk ka njeri më të mirë se sa ai, i cili është i thjeshtë dhe ka zemër të vëmendshme.
Ju do t’i hapni mendjet dhe zemrat fëmijëve tuaj në këtë proces të mësimit të vlerësimit të këtyre kulturave dhe do t’i bëni ta kuptojnë se kjo botë tek e fundit është një botë e vogël dhe se ata janë vetëm një pikë në rërën e oqeanit; mirëpo ata akoma kanë mundësi ta ndalin valën e fanatizmit në mes të njerëzve.

(Nga anglishtja: Driton Maxhuni)
Marrë nga revista: “El-Xhumuah”, e cila botohet në Amerikë

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top