Destinacioni ynë, bota tjetër

Destinacioni ynë, bota tjetër

Faqet e saj ishin të zbehta, lëkura i prekte kockat e megjithatë kjo nuk e ndalte atë. Nuk mund ta gjeje kurrë larg leximit të Kuranit. Ajo ishte gjithnjë zgjuar në dhomën ku falej, të cilën babai e kishte përgatitur për të. Në ruku, në sexhde, në këmbë, kjo ishte gjendja e saj çdo ditë.
Sa për mua, unë e kisha mendjen vetëm te revistat e modës dhe novelat.
Kënaqesha duke parë filma, saqë shkuarja te dyqani i videove me qira ishte bërë tipar dallues i imi. Siç thuhet, nëse diçka bëhet zakon i dikujt, njerëzit nisin ta dallojnë prej atij zakoni. Unë isha neglizhuese në përgjegjësitë e mia dhe namazi im karakterizohej nga dembelizmi.
Një natë, pasi kisha tre orë duke parë filma, e fika videon. Ezani po dëgjohej me ëmbëlsi në natën e qetë. Në atë moment, unë u futa nën batanijen time. Që nga dhoma e saj e gjumit u dëgjua zëri i saj. 
“Po?” A dëshiron diçka Nurije?” 
Me një fjalë ajo i prishi planet e mia: “Mos fli pa falur sabahun!” 
“Eh ... ka edhe një orë që të vijë sabahu, ky ishte vetëm ezani i parë.” 
Me ato fjalët e saj të ëmbla, ajo më thirri pranë vetes. Ajo gjithnjë ka qenë e tillë, edhe përpara se të sëmurej dhe të merrte shtratin. 
‘Hanan, a mund të ulesh pranë meje?” 
Nuk mund të refuzoja kurrë një kërkesë të sajën për shkak të sinqeritetit të saj. “Po, Nurije?” 
“Të lutem ulu pranë meje.” 
“Mirë, u ula. Çfarë ke?” 
Me zërin më të ëmbël, ajo nisi të lexojë Kuran: 
Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen Ditën e Kiametit...” (Ali Imran, 185)
Ajo u ndal duke menduar. Pastaj më pyeti: “A beson se ka vdekje?”
“Sigurisht që po.” 
‘A beson se do të mbash përgjegjësi për çdo veprim që bën, sado i madh apo i vogël?” 
“Po, por … Allahu është Falës dhe Mëshirues dhe unë kam gjithë jetën përpara.” 
‘Mjaft Hanan ... a nuk ke frikë nga vdekja dhe befasia e saj? Mendo pak për Hindin. Ajo ishte me e vogël se ti dhe vdiq në aksident rrugor. Po kështu filani dhe filania. Vdekja nuk pyet për moshë dhe mosha jote nuk mund të jetë kurrë një masë e asaj se kur do të vdesësh.”
Errësira e dhomës e mbushi lëkurën time me frikë. “Kam frikë nga errësira dhe tani ti ma fute edhe frikën e vdekjes. Si do të më zërë gjumi tani?  Nurije, mendova se na kishe dhënë fjalën që do të vije me ne për pushime gjatë verës.” 
Zëri i saj u thye dhe zemra e saj u drodh. ‘Ndoshta bëj një udhëtim të gjatë këtë vit Hanan, por diku tjetër. Ndoshta. Jetët tona janë në dorë të Allahut dhe ne i përkasim Atij.” 
Sytë e mi u mbushën me lot, të cilët rrëshqitën poshtë në faqe. Unë mendova për sëmundjen e vjetër të motrës sime, se si doktorët e kishin informuar tim atë privatisht se nuk kishte shumë shpresë se Nurija do ta linte pas sëmundjen. Megjithatë, asaj nuk i kishin treguar. Kush ia tregoi asaj? Apo ajo e ndiente të vërtetën? 
‘Çfarë po mendon Hanan?’ Zëri i saj ishte i mprehtë. ‘A mendon se po e them këtë vetëm pse jam sëmurë? Ndoshta unë mund të rroj më gjatë se njerëz që nuk janë të sëmurë. E ti Hanan, edhe sa vite do të jetosh? Njëzetë vjet ndoshta? Dyzetë? Po pastaj?’ Në errësirë ajo u zgjat për të kapur dorën time dhe e shtrëngoi lehtë. ‘Nuk ka dallime mes nesh; të gjithë kemi për ta lënë këtë botë për të jetuar në Xhenet ose për të vuajtur agoninë e Xhehenemit. Dëgjo Fjalën e Allahut: 
“...e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur shpëtim.” (Ali Imran, 185) 
E lashë dhomën e motrës e trullosur; fjalët e saj jehonin në veshët e mi. “Allahu të udhëzoftë Hanan – mos harro namazin.” 
Ora tetë e mëngjesit. Në derën e dhomës time po trokisnin. Unë zakonisht nuk zgjohem në këtë orë. Të qara. Hutim. O Allah, çfarë ndodhi? 
Gjendja e Nurijes ishte rënduar shumë pas sabahut dhe e kishin dërguar menjëherë në spital.... Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.Nuk do të bënim ndonjë udhëtim këtë vit. Ishte e shkruar ta kaloja verën në shtëpi. 
Pas një kohe të gjatë...
Ishte ora një e drekës. Mamaja telefonoi në spital. ‘Po. Mund të vini ta shihni tani.’ Zëri i babait kishte ndryshuar dhe mamaja e ndjeu se diçka kishte shkuar keq. U nisëm menjëherë. 
A ishte kjo ajo lagjja ku unë dilja zakonisht dhe më dukej e shkurtër? Përse ishte kaq e gjatë tani? Ku kishin shkuar turmat e gëzuara të njerëzve dhe trafiku që më jepte mundësinë të shihja majtas-djathtas? Të gjithë ishin zhdukur. Mamaja ime tundte kokën duke qarë, teksa lutej për Nurijen. Arritëm në hyrjen e spitalit.
Një burrë ishte duke rënkuar, një tjetër kishte bërë aksident, ndërsa një i tretë i kishte sytë si të ngrirë dhe nuk mund të thoshe a ishte i gjallë a i vdekur. Ne hipëm lart në dhomën e Nurijes. Ajo ndodhej në përkujdesje intensive.
Infermierja na u afrua dhe na tha: ‘Do t’ju çoj tek ajo.” Teksa ecnim nëpër korridor, infermierja nisi të tregonte se sa vajzë e mirë ishte Nurija. Ajo i dha zemër mamasë sime se gjendja e Nurijes ishte përmirësuar në krahasim me mëngjesin.
‘Më vjen keq. Jo më shumë se një vizitor në dhomë.’ Kjo ishte njësia e përkujdesjes intensive. Përmes dritares së vogël në derë dhe përtej veshjeve të bardha arrita të shoh sytë e motrës sime. Mamaja po rrinte pranë saj. Pas dy minutash, mamaja doli pa qenë në gjendje të mbante lotët. 
‘Mund të hysh dhe t’i japësh selam, me kusht që nuk ke për të folur shumë”, më thanë. “Dy minuta mjaftojnë.”
“Si je Nurije? Ti ishe shumë mirë dje motra ime, çfarë ndodhi?” I shtrënguam duart njëra-tjetrës. “Edhe tani jam mirë, elhamdulilah.”“Elhamdulillah ... por ... duart e tua janë kaq të ftohta.” 
U ula përkrah saj në shtratin e saj dhe i vura gishtërinjtë e mi në gjurin e saj. Ajo e largoi gjurin.
“Më fal, a të lëndova?” “Jo, vetëm se po kujtoja fjalët e Allahut: “E t’i puqet kofsha për kofshe (t’i vështirësohet gjendja).” (Kijame, 29)
... Hanan, lutu për mua. Ndoshta së shpejti për mua do të vijë dita e parë e ahiretit. Është një udhëtim i gjatë dhe nuk kam përgatitur shumë vepra të mira në valixhen time.’ 
Një lot rrodhi nga syri dhe ra në faqe nga fjalët e saj. Unë qava dhe ajo qau bashkë me mua. Dhoma u mjegullua dhe na la ne motrat të qanim së bashku. Rrëke lotësh ranë në  pëllëmbën e motrës sime, të cilën unë e mbaja me dy duart e mia. Babai tani po shqetësohej më shumë për mua.
Unë nuk kisha qarë kurrë ashtu. 
Nga dhoma ime pashë diellin e kësaj dite të dhimbshme tek perëndonte. Heshtja shtrihej kudo, edhe në korridorin e shtëpisë. Në dhomën time erdhi një kushërirë, edhe një tjetër... Vizitorët ishin të shumtë dhe të gjithë zërat poshtë përziheshin me njëri-tjetrin. Vetëm një gjë ishte e qartë: Nurija kishte vdekur! 
U ndala së dalluari se kush erdhi e kush iku. Nuk mund të mbaj mend se çfarë thanë. O Zot, ku gjendem? Çfarë po ndodh? Tani as të qaja nuk kisha më fuqi.
Nga fundi i asaj jave pastaj më treguan se çfarë kishte ndodhur. Babai më kishte marrë dorën që t’i jepja Nurijes lamtumirën e fundit dhe unë e kisha puthur atë në kokë. 
Megjithate, mbaj mend vetëm një gjë :pamjen e saj në atë shtrat, në të cilin ajo do të vdiste. Mbaj mend ajetin që recitoi ajo: 
E t’i puqet kofsha për kofshe (t’i vështirësohet gjendja).” (Kijame, 29). Dhe e dija shumë mirë vërtetësinë e ajetit vijues: “Atë ditë vetëm te Zoti yt shkohet.” (Kijame, 30) 
Atë natë hyra në dhomën ku ajo falej. Duke parë dollapët e qetë dhe pasqyrat e heshtura, nisa të mendoja per atë që kishte ndarë të njëjtin bark me mua. Nurija ishte motra ime binjake. 
Fillova të kujtoja se me kë i kisha ndarë dhimbjet e mia. Kush më kishte dhënë zemër në ditët e mia të vështira dhe kush ishte lutur për udhëzimin tim dhe kishte harxhuar aq lot duke më treguar për net e net për vdekjen dhe ditën e llogarisë. Allahu na shpëtoftë! 
Sonte është nata e parë e Nurijes në varr. O Allah, ki mëshirë për të dhe ndriçoja varrin! Ja ku është Kurani i saj dhe sixhadeja e saj... e ja ku është fustani ngjyrë trëndafili që ajo më tha se do ta fshihte deri ditën e parë të martesës, fustani që ajo donte ta ruante vetëm për bashkëshortin e saj.Nisa të kujtoja motrën dhe nisa të qaja për të gjitha ditët që kisha humbur. Iu luta Allahut të kishte mëshirë për mua dhe të pranonte pendimin tim e të më falte. Iu luta Allahut qe Nurijes t’ia lehtësonte jeten e varrit, ashtu siç lutej ajo gjithnjë në lutjet e saj. 
Në atë moment, u ndala. E pyeta veten: “Po sikur të kisha vdekur unë? Ku do të kisha shkuar?” Frika më mbuloi dhe lotët nisën të rridhnin sërish. Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi!
Ezani i parë u dëgjua butësisht nga xhamia. Sa bukur tingëlloi tani! U ndjeva e qetë dhe e çliruar teksa përsëritja fjalët e myezinit. Vura shaminë dhe u çova të falja sabahun. U fala si të ishte namazi im i fundit, namazi im i lamtumirës ashtu siç ishte falur Nurija. Ai kishte qenë sabahu i fundit i saj. Tani dhe në të ardhmen, deri në fund të jetës sime, inshallah, nëse gdhihem në mëngjes, nuk do ta llogaris veten se mund të jetoj deri në mbrëmje dhe në mbrëmje nuk do llogaris se do të çohem në sabah.
Të gjithë ne do të bëjmë të njëjtin udhëtim si Nurija – çfarë kemi përgatitur për të?

 

Abdulmalik Al-Kasim
Përktheu: Eglantina Muça 

 

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top