Qëndrimi ynë ndaj dijetarëve

Qëndrimi ynë ndaj dijetarëve

Duke analizuar një kohë të gjatë gjendjen e njerëzve që i japin vetes të drejtë për të dhënë vlerësimin e tyre për dijetarët, të cilët disa herë mund të bëjnë ndonjë gabim edhe në çështjet e akides, e disa herë pretendohet se kanë bërë gabime në çështjet e akides, dhe duke hulumtuar këtë çeshtje një kohë paksa të gjatë, më ra në sy një shkrim, i cili është pjesë e hyrjes së librit "Er-Rudud vet-Teakubat ala ma vekea lil-Imami en-Nevevi", në faqet 30-35 të këtij libri, ku Shejh Meshhur Haseni flet për pozitën e Imam Neveviut në mesin e ithtarëve të Sunnetit për shkak të disa shtrembërimeve që ai ua ka bërë kuptimit të haditheve ku përmenden Cilësitë e All-llahut, subhanehu ve teala.

 

Ky libër është botuar në vitin 1413/ 1993, po këtë vit edhe e kam lexuar, kurse këto ditë e shfletova përsëri dhe gjeta një sqarim shumë domethënës rreth kësaj çeshtjeje nga shejh Meshur Haseni, sqarim, të cilin duhet ta kemi parasysh gjat të gjitha vlerësimeve që i bëjmë për dijetarët duke i etiketuar ata me llojlloj etiketimesh.

 

Ai mes tjerash thotë:

 

"Qëndrimi ynë ndaj Imam Neveviut, rahimehull-llah, dhe tevilateve (shtrembërim të kuptimit të cilësive të All-llahut) të tija:

 

Këto rreshta nuk mjaftojnë për të sjellur shprehjet e dijetarëve ku lavdërohet Ebu Zekerija En-Neveviu dhe as që kam nevojë për tu koncentruar në këtë çeshtje për shkak të publicitetit dhe për shkak se është i njohur në mesin e nxënësve të dijes. Këtë gjë shumë gjërësisht e kemi treguar gjatë publikimit dhe recenzimit të librit të Ibnul-Attarit "Tuhfetul-Talibin fi terxhemti Muhjidin", andaj ai që dëshiron ti dijë këto gjëra le ti referohet këtij libri, dhe do të gjejë, inshaAll-llah, atë që e gëzon.

 

Në këtë rast dëshiroj të tërheq vërejtjen për një gjë shumë të rëndësishme: "në mesin e esharitëve ka dijetarë që kanë shërbyer sherijatin siç janë: Hafidh Ebu Bekr Bejhakiu, Hafidh Ebul-Kasim ibën Asakir, Imam El-Iz ibën Abdus-Selam dhe shumë dijetarë të vlefshëm të esharitëve, i përmendim vlerat e tyre edhe pse i tregojmë bidatet në të cilat kanë rënë, sepse e vërteta nuk pranon koncesione, kurse bidatet e tyre nuk duhet të na pengojnë që të përfitojmë nga dija e tyre, në hadithe, fikh, tefsir, histori, etj, mirëpo me kujdes.

 

Në këtë i kemi shembull selefin dhe imamët, të cilët kanë transmetuar nga shumë bidatçi, sepse e kanë ditur se janë të vërteta.

 

I ikim tekfirit (konsiderim të dikujt kafir), tedlilit (konsiderim të dikujt të devijuar) dhe tefsikut (konsiderim të dikujt fasik) të njerëzve të përcaktuar të kësaj kategorie të dijetarëve, sepse kjo nuk është nga metoda e selefit, por mjaftohemi me sqarimin e bidatit të tyre dhe replikimin ndaj tij, nëse ballafaqohemi me te.

 

Kjo e tëra vlen kundrejt dijetarëve te të cilët nuk dominon bidati dhe epshi dhe e dimë prej tyre se ata kujdesen për pasimin e Sunnetit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe hulumtimin e të vërtetës nga Kur'ani dhe Sunneti, mirëpo nuk ia ka arritur për shkak të ndonjë mëdyshjeje ose ndonjë shkaku tjetër". ("El-Akidetus-Selefijetu fi kelami rabil-Berrijeti", fq. 431).

 

E këtillë është çeshtja e Imam Neveviut, rahimehull-llah, i cili është përpjekur në kërkim të vërtetës, qëndrimit në te dhe dhënies pas saj. Askend nuk e lavdërojmë para All-llahut.

 

Në vijim do të përmendim edhe një fjali të Ibën Tejmijjes, rahimehull-llah, fjalë shumë e çmueshme, ku përmend dispozitën e fesë mbi dispozitën e dijetarit që ban tevil edhe pse ai zakonisht kapet pas të vërtetës, mirëpo nuk ia ka qëlluar në disa gjëra ose në disa raste, ku edhe ua tërhjek vërejtjen nxënësve të dijes nga pasimi i këtij dijetari në rrëshqitjet e tija ose pasimin e mendimeve të tija. Kjo ndodh për shkak të afirmitetit, devotshmërisë, hises së madhe në dije dhe numrin e madh të veprave.

 

Ai mes tjerash thotë:

 

"Askujt si takon të pasojë rrëshqitjet e dijetarëve, ashtu sikurse nuk u takon të flasin për dijetarët dhe besimtarët përpos me atë që e meritojnë, sepse All-llahu u ka falur besimtarëve gabimet që i kanë bërë, sikurse na ka treguar në Kur'an: "…Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! …". (El-Bekare: 286).

 

Kurse All-llahu u përgjigj duke u thënë: ua kam pranuar këtë kërkesë". (Muslimi).

 

Jemi urdhëruar të pasojmë atë që na është shpallur nga Zoti ynë dhe mos të pasojmë askend tjetër përpos Tij, jemi urdhëruar që mos të respektojmë krijesat në të bërit mëkate Krijuesit dhe të kërkojmë falje për vëllezërit tanë që na e kanë parakaluar me besim, duke thënë:

 

"…Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!" (El-Hashr: 10).

 

Kjo gjë është obligim për muslimanët në të gjitha çeshtjet e dyshimta, e madhërojmë urdhërin e All-llahut duke e respektuar për hirë të All-llahut, subhanehu ve teala, dhe për Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kujdesemi për obligimet që kemi ndaj muslimanëve, sidomos ndaj dijetarëve, ashtu sikur na ka urdhëruar All-llahu dhe Pejgamberi i Tij, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Ai që largohet nga kjo rrugë është larguar nga pasimi i argumentit dhe ka anuar kah pasimi i epshit dhe imitimit, pastaj i dëmton besimtarët dhe besimtaret me gjëra që nuk i kanë fituar. Ky njeri është prej zullumqarëve. Ai që i madhëron shenjtëritë e All-llahut dhe sillet mirë me robërit e All-llahut është prej evlijave të devotashëm. All-llahu e di më së miri". ("El-Fetava", 32/ 239).

 

Ai gjithashtu thotë: "Nëse sheh ndonjë shkrim (mendim) të gabuar që buron nga një imam i vjetër, atij kjo i falet për shkak të mosarritjes së argumentit te ai, mirëpo nuk i falet atij tek të cili ka arritur argumenti. Për këtë shpallet bidatçi ai, të cilit i kanë arritur argumentet e dënimit të varrit dhe të ngjajshmet me te, kurse nuk shpallet bidatçi Aisheja, radijall-llahu anha, e tjerët që nuk e kanë ditur se të vdekurit dëgjojnë në varret e tyre. Kjo gjë është një rregull i madh, andaj analizoje, sepse të sjell shumë dobi". ("El-Fetava", 6/ 61).

 

Ibën Tejmijje poashtu në një vend tjetër pasi që e përmendi grupin e shpëtuar, besimin e tij dhe argumentin e shpëtimit të tij, tha: "Gjithsecili që kundërshton diçka nga ky besim nuk është patjetër i shkatërruar, sepse ai që e kundërshton këtë gjë mund të jetë muxhtehid i cili ka gabuar dhe i falet ky gabim, ose nuk i ka arritur dija rreth kësaj çeshtjeje që të jetë kjo argument kundër tij". ("El-Fetava", 3/ 179).

 

Ai gjithashtu ka sqaruar se dijetari mund të jetë nga njerëzit që bëjnë ixhtihad dhe sipas ixhtihadit të tyre kanë bërë tevil (shtrembërim të kuptimit), njerëz me vlerë, devotshmëri, kujdes në pasimin e sherijatit dhe pasimin e gjurmëve të Pejgamberit, mirëpo ka gabuar në kuptimin e teksteve (të sherijatit), në ixhtihadin e tij dhe në tevilin që kanë bërë, ka sqaruar se ky grup i njerëzve janë të shpërblyer dhe të arsyetuar në gabimin e tyre, mirëpo nuk lejohet të pasohen në gabimin e tyre, duke thënë:

 

"Ai që preferon ndonjë vepër me të cilin i afrohet njeriu All-llahut, ose bën obligative ndonjë vepër me fjalën ose veprën e tij, duke mos e bërë pjesë të sherijatit, ai ka nxjerë sherijat, për të cilin All-llahu nuk ka dhënë leje, kurse ai që e pason në këtë gjë e konsideron ortak me All-llahun, i cili ka sjellur ligje të cilat nuk i ka lejuar All-llahu. Po, mund të jetë muteevil në këtë ligj, andaj i falet atij për shkak të tevilit të tij, nëse është muxhtehid me ixhtihad, pranë të cilit falen gabimet e tij dhe shpërblehet për ixhtihadin e tij, mirëpo nuk lejohet të pasohet në këtë gjë ashtu sikurse nuk lejohet pasimi i cilitdo njeri në fjalët dhe veprat e tija, nëse dihet se e sakta është në të kundërtën edhe pse thënësi ose vepruesi mund të jetë i shpërblyer dhe i arsyetuar". ("El-Fetava", 4/ 195).

 

Edhe përskaj kësaj nuk janë të barabartë të gjithë ata që biejnë në gabime të ngjajshme për ndonjë shkak, disa prej tyre qortohen ashpër e disa jo. Këtë konkluzë e ka nxjerur Ibën Tejmiu duke i analizuar tekstet e sherijatit dhe gjendjet e selefit dhe mes tjerash thotë:

 

"Nëse e sheh ndonjë imam që e qorton ashpër ndonjë thënës të ndonjë fjale, ose e ka bërë tekfir, kjo nuk konsiderohet rregull i përgjithshëm i cili aplikohet ndaj secilit që e thotë një fjalë të këtillë, përpos nëse ekziston kushti, i cili shkakton meritimin e qortimit të ashpër dhe tekfirit". ("El-Fetava", 11/ 471).

 

Nëse jemi duke e konfirmuar pranimin e këtij arsyetimi nga ky imam për shkak të ixhtihadit dhe tevilit, kjo nuk na detyron ta konfirmojmë gabimin dhe kundërshtimin e tij dhe të jemi dakort me një gjë të tillë.

 

Por duhet ta sqarojmë të saktën, sepse vendimi për arsyetim është për në ahiret, mosfitimi i mëkatit, fitimi i shpërblimit për shkak të ixhtihadit dhe përpjekjes është diçka, kurse refuzimi i gabimit dhe tërhekja e vërejtjes nga gabimi është diçka tjetër. (Shiko: "El-Fetava", 11/ 471). Andaj ke kujdes në këtë çeshtje dhe mos u bë prej neglizhentëve.

 

Pas kësaj e sjell edhe përfundimin si këshillë, duke sjellur fjalën e Imam Mukbiliut nga libri i tij "El-Ilmush-Shamih fi tafdilil-Haki alel-Abai vel-Meshajih", fq. 274- 275, ku ai mes tjerash thotë:

 

"Kjo është rruga e drejtë me të cilën na ka porositur All-llahu. Në këtë rrugë ecë, sepse nuk të dëmtojnë shokët nëse ecin djathtas dhe majtas, e nëse janë në këtë rrugë atëherë i ke shokë, e nëse largohen nga kjo rrugë, mos u mërzit për këtë gjë, nëse ti vet je në mes. Nëse anon nga ndonjë grup që ecë rrugicave, dije se je këshilluar me kohë, e nëse mendon se dikush prej tyre nuk është larguar nga rruga e drejtë as një pëllëmbe, dije se ke gabuar. Nëse thua: disa janë më afër e disa më larg, të vërtetën e ke thënë, mirëpo nuk e di sasinë e afrisë dhe largimit nga Zoti yt, kurse shpëtimi qëndron në kapjen për porosinë e Zotit tënd, kur thotë:

 

"Porositni në të vërtetë dhe porositni në durim". (El-Asr: 3). All-llahun e lusim për udhëzim dhe sukses".

 

Kjo është tërë ajo që kishte shkruar Shejh Meshuri në këto faqe nga ky libër i tij.

 

Mendoj se ky shkrim i Shejh Meshhur Hasenit, i cili është shkruar duke u mbështetur në fjalët e Imamit të madh dhe zemërgjërë, Ibën Tejmiut, na jep sqarime të mjaftueshme se si duhet të jetë qëndrimi i ynë ndaj dijetarëve, me disa qëndrime ose fetva të të cilëve nuk pajtohemi.

 

Nëse kështu duheshka të pozicionohemi ndaj Imamit të madh, Imam Neveviut, gabimi i të cilit pa dyshim është në një pjesë të rëndësihme të akides, e ato janë Emrat dhe Cilësitë e Tija, atëherë çka mund të themi për gabimet e dijetarëve tjerë, të cilët publikisht shprehen dhe praktikisht demonstrojnë se janë të kapur për menhexhin e selefit.

 

E lusim All-llahun të na jep dije të dobishme dhe vepra të mira, na bëftë çelës të të mirës dhe mbyllës të të keqes. Amin.

Bekir Halimi

albislami.com

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top