Error
  • JUser: :_load: Unable to load user with ID: 42

Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

KRYERJA E NAMAZIT

 

Shtylla më e rëndësishme pas dy dëshmive të Islamit është namazi. Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e ka cilësuar atë si shtyllë të Islamit, siç është transmetuar në hadithin e Muadh bin Xhebelit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Gjithashtu, namazi është gjëja e fundit që do humbasin muslimanët, puna e parë për të cilën do të pyeten përpara Allahut të Madhëruar dhe ai e dallon muslimanin nga jomuslimani.
Për të treguar më shumë rëndësinë e namazit, mund të themi se Allahu i Madhëruar i ka obliguar këto namaze natën e Israsë dhe Miraxhit, kur Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)është ngjitur mbi shtatë qiejt.
Gjithashtu, kur banorët e zjarrit pyeten se cili ishte shkaku i hyrjes së tyre në Sekar (xhehenem) përgjigjen: ''Ne nuk ishim nga ata që falnin namazin.''
Namazi është vepër që largon nga të irrituarat dhe veset e këqia. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: ''E ti fale namazin se me të vërtetë namazi të largon nga gjërat e shëmtuara dhe të irrituara.''

Porosia e fundit me të cilën Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e porositi umetin  e tij ishte namazi. Eshtë transmetuar nga Umu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: ''Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në sëmundjen e rëndë, për shkak të së cilës ndërroi jetë, thoshte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat (të cilat i keni nën sundimin tuaj)!” Këto fjalë përsëriste derisa ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar. Ndërsa Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: ''Porosia më përmbledhëse që la Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)  në çastet kur po jepte shpirt ishte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat!”Gjithashtu, Ali bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: ''Fjalët e fundit të Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishin: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat”.

Allahu i Madhëruar kur përmend virtytet e besimtarëve në suren El muminun dhe El mearixh fillon dhe mbaron me namazin.  
Suren El muminun e fillon: "Eshtë e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përulur dhe të kujdesshëm."
Ndërsa në fund thotë: ''Dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre.'' 

Gjithashtu, në suren El mearixh thotë: ''Përveç atyre që falen, ata të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre.'' 
Ndërsa në fund të ajeteve thotë: ''Edhe ata që janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre.''
Kryerja e namazit bëhet në dy mënyra. Mënyra e parë është e detyrueshme dhe do të thotë: Të realizosh të paktën detyrimin, i cili largon nga ti përgjegjësinë dhe llogarinë. Mënyra e dytë është e pëlqyeshme (mustehab) dhe do të thotë: Plotësimi i tij me çdo gjë që është e pëlqyeshme në namaz.
Pesë namazet janë detyrë për çdo person mendërisht i shëndoshë, që ka arritur moshën e pjekurisë, qoftë mashkull apo femër. Kjo detyrë është derisa të ekzistojë shpirti në trupin e tij.

Për burrat është detyrë që namazin ta falin në xhami me muslimanët e tjerë, sepse Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Betohem në Allahun, isha gati të urdhëroja disa njerëz që të mblidhnin dru zjarri dhe të urdhëroja ndonjë të bënte thirrjen për namaz. Të lija një njeri të ju printe njerëzve në namaz, pastaj të nisesha tek ata njerëz që nuk marrin pjesë në namaz me muslimanët e tjerë dhe më pas do dëshiroja t’iu djeg shtëpitë (për shkak të faljes së namazit në to dhe mosardhjes në xhami)”. 

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Namazi më i vështirë për munafikët (hipokritët, dyfytyrëshit) është ai i sabahut dhe jacisë. Sikur ata ta dinin vlerën e tyre, do të vinin zvarrë (për ta falur në xhami). Isha gati  të urdhëroja ndonjë nga muslimanët që të bënte thirrjen për namaz dhe një tjetër ta lija imam për njerëzit, ndërkohë unë do doja të shkoja me disa burra që të digjnim shtëpitë e atyre që nuk marrin pjesë në  namazin me xhemat”. 

Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kush dëshiron që pas vdekjes ta takojë Allahun si musliman, atëherë le të kujdeset për namazin e tij. Me të vërtetë Allahu e ka urdhëruar Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të ndjekë rrugët e udhëzimit, aq sa bëri që dhe namazi të përfshihet në këto rrugë. Prandaj, nëse ndonjë nga ju falet në shtëpinë e tij, ashtu siç falen disa të papërgjegjshëm, atëherë do të linit udhëzimin e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe nëse lini udhëzimin e tij, do të humbisni. Cdo njeri që merr abdes në shtëpinë e tij, duke e përsosur atë dhe pastaj niset në xhami për t’u falur me xhemat, atëherë për çdo hap që ai hedh, Allahu do t’i japë një të mirë, do t’i ngrejë një gradë dhe do t’i fshijë një të metë. Unë e kam jetuar atë kohë kur në namazin me xhemat nuk mungonte vetëm se ndonjë munafik, i cili njihej për hipokrizinë e tij. Madje në atë kohë kishte burra që nga pamundësia e tyre për të ecur, i sillnin në xhami për krahësh, derisa i vendosnin në saf (rreshti për tu falur)”. 

Gjithashtu, Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Erdhi një burrë iverbër te Profeti(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: ''O i Dërguari i Allahut! Unë nuk kam udhërrëfyes të më tregojë rrugën për në xhami dhe kërkoi ta lejonte të falej në shtëpi. Profeti në fillim e lejoi, por kur i verbëri po largohej, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e thirri dhe i tha: “A e dëgjon thirrjen e ezanit për namaz?” Tha: “Po.” Atëherë Profeti i thotë: “Përgjigjju thirrjes!”  

Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kur nuk shihnim (mungonte) ndonjë në namazin e jacisë ose  të sabahut, krijonim mendim të keq për të”.
Për të vërtetuar më shumë obligimin e namazit me xhemat, ekzistojnë shumë ajete kuranore dhe tekste hadithi, të cilat tregojnë për faljen me xhemat edhe në kohën e luftës. 

Allahu i Madhëruar thotë: "Nëse ti gjendesh me ata për të falur namazin, atëherë një grup prej tyre të vijë të falet me ty." Gjithashtu, janë transmetuar shumë hadithe të cilat tregojnë për faljen e namazit të frikës në mënyra të ndryshme.

RREGULLAT E DUASË (lutjes)

Rregullat_e_duase

1.    RREGULLAT E DUASË (lutjes)

 

1. Madhërimi i Allahut të Lartmadhërishëm dhe salavati mbi Pejgamberin alejhi selam para se t’ia fillojmë duasë. Ngase ne kërkojmë prej Tij që të na begatojë, të na mëshi-rojë dhe të na falë. Andaj është e arsyeshme që lutjes t’i bëjmë një hyrje që përmban falënderim dhe madhërim ndaj Zotit Lavdiplotë.

Nga Fedale bin Ubejdi transmetohet të ketë thënë: “Derisa Resulull-llahu po rrinte ulur, hyri një njeri dhe u fal, pastaj tha: “O Allah, më fal mua dhe më mëshiro.” Atëherë Muhammedi a.s. tha: “Nxitove, o ti musal-li (falës i namazit). Kur të kryesh faljen, derisa je ulur, falënderoje Allahun me atë që meriton dhe ço salavat mbi mua e pastaj bë dua.” Pastaj erdhi dhe u fal një tjetër. Falënderoi Allahun, çoi salavat mbi Pejgamberin a.s. Këtij i Dërguari i tha: “O ti musal-li, tani lutu, se të pranohet.” (Transmeton Tirmidhiu, ndërsa hadithi është sahih)

 

2. Bindja e mirë ndaj Allahut të Lartë

I Lartmadhërishmi thotë: “E kur robërit e mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet.” (El-Bekare 186)

Pra Allahu xh.sh. është afër nesh, Ai është me ne, me diturinë, me gjerësinë dhe mbrojtjen e Tij.

Pejgamberi a.s. na ka urdhëruar që çështjen e pranimit t’ia lëmë Allahut xh.sh. dhe të jemi të bindur se do ta fitoj-më atë që e shpresojmë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu-anhu se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Luteni Allahun duke qenë të bindur se Ai ju përgjigjet.” (Transmeton Tirmidhiu e hadi-thi është hasenun sahih) që do të thotë: Të besoni se Allahu xh.sh. nuk jua ndërpret të mirat e Tij. Sepse buja-ria e Tij është e gjerë, dhuntia e Tij është e madhe sa herë që lutësi lutet. Shpresa e tij e mban dhe lutja e tij është e sinqertë. Ngase, nëse shpresa e duaxhiut (lutësit) tek Allahu nuk është e fortë, duaja e tij nuk është e sinqe-rtë.

 

3. Pranimi i mëkatit 

 

Kjo punë është përsosmëri e adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar. Transmetohet nga Ali bin Ebi Talibi r.a., i cili e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Me të vërtetë Allahu mahnitet me robin kur thotë: “Nuk ka zot përveç Teje. Me të vërtetë unë i bëra vetes të padrejtë, m’i fal mua gabimet se vërtet nuk ka kush që i fal gabimet përveç Teje.” Thotë (Allahu xh.sh.): “Robi im e di se ai ka Zot i cili fal dhe dënon.” (Transmeton Hakimi, ndërsa hadithi është sahih, i vërtetë)

 

4. Vendosmëria në lutje 

 

Transmetohet prej Enes bin Malikut r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të bëni dua, të jeni të vendosur në lutjen tuaj e të mos thoni: “O Allahu im, nëse dëshiron, më jep mua,” sepse nuk ka kush që e imponon Atë.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)

Qëllimi i vendosmërisë në kërkim është të kërkosh me këmbëngulje dhe të kërkosh prej Allahut me zell.

 

5. Vrullshmëria në dua (lutje) 

Transmetohet nga Aishja radiAllahu - anha se asaj i ishte vjedhur një çarçaf dhe filloi të lutet (keq) për atë që ia kishte vjedhur. Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: “Mos e shka-rko atë.” (Transmeton Ebu Davudi, hadithi është i vërtetë) Domethënë, mos ia lehtëso me lutjen tënde mëkatin atij i cili meriton dënimin për atë që ka vjedhur.

 

6. Lutja të bëhet tri herë

 

Është vërtetuar sipas Sunetit, ashtu edhe siç gjendet në hadithin që e transmeton Muslimi nga Ibni Mesudi r.a.: “Pasi Pejgamberi a.s. e kreu namazin e tij, ngriti zërin dhe filloi të lutet për ta (kurejshitët). Ai e kishte zakon që, kur lutej, të përsëriste tri herë lutjen e tij. E këtë herë tha: “O Allah, Ti u dalsh hakut kurejshitëve! O Allah, Ti u dalsh hakut kurej-shitëve! O Allah, Ti u dalsh hakut kurejshitëve!”

 

7. Duaja (lutja) të bëhet me fjalë që kanë kuptim përmbledhës

Kjo do të thotë që fjalët në dua (lutje) të jenë të pakta por të dobishme, fjalë që i nxjerrin domethëniet më të forta me pak fjalë dhe që të arrihet qëllimi në mënyrë më përmbledhëse dhe më të qëlluar. Në “Sunenin” e Ebu Davu-dit dhe Musnedin e Ahmedit transmetohet se Aishja radi- Allahu-anha ka thënë: “Pejgamberi salallahu-alejhi-ue-sel-lem gjithmonë i mbivlerësonte duatë me kuptim përmble-dhës dhe i linte të tjerat pas tyre.”

Prej këtyre lutjeve është edhe lutja e transmetuar nga Ferve bin Naufeli: “E kam pyetur Aishen radiAllahu-anha se cilën lutje bënte Pejgamberi s.a.v.s., e ajo më tha: “Pejga-mberi a.s. kishte traditë të thotë:

ALLAHUME INI EUDHU BIKE MIN SHERR-RRI MA AMELT VE SHERR-RRI MA LEM A’MEL.

(O Allahu im, kërkoj të më mbrosh prej sherrit që kam bërë dhe prej sherrit që nuk e kam bërë.” (Transmetojnë Muslimi dhe Ebu Davudi)

Po ashtu, transmetohet nga Musa El Esh’ari r.a., se ai e kishte dëgjuar Pejgamberin a.s. duke u lutur me këtë lutje: “O Allahu im, më fal gabimin tim, paditurinë time, harxhi-min tim, në çështjet e mia, për të cilat Ti je më i dijshëm sesa unë. O Allahu im, më fal mua atë që e kam thënë me seriozitet dhe atë që e kam thënë me mahi, atë që e kam thënë gabimisht dhe atë që e kam thënë qëlli-misht dhe çdo gjë që gjendet tek unë. O Allahu im, më fal mua atë që më ka kaluar dhe atë që do të vijë. Atë që e kam bërë fshehurazi dhe atë që e kam bërë haptazi dhe atë që Ti e di më mirë se unë, se Ti je i Pari dhe i Fundit. Ti je i Fuqishëm për çdo gjë.” (Transmeton Muslimi)

 

8. Lutësi të fillojë prej vetes

Siç është përmendur në Fjalët e të Lartësuarit: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim.” (El-Hashër 10) dhe po ashtu në fjalët: “Zoti im, më fal mua dhe vëllanë tim dhe na dhuro mëshirën Tënde.” (El-A’raf, 151)

Po ashtu edhe në fjalët: “Zoti ynë, më fal (gabimet) mua dhe falua prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.” (Ibrahim, 41)

Ibni Abasi transmeton nga Ebejje bin Kabi: “Me të vërtetë Pejgamberi a.s. kur ka bërë dua për dikë, më së pari ka bërë dua për vete e pastaj për të tjerët.” (Tran-smeton Tirmidhiu)

Por kjo nuk ka qenë traditë e përhershme e Pejgam-berit a.s. sepse ka raste kur Pejgamberi a.s. ka bërë dua për të tjerët e nuk ka bërë për vete, siç është hadithi ku Pejgamberi a.s. thotë: “E mëshiroftë Allahu nënën e Ismailit, sikur ta kishte lënë Zem-Zemin, do të ishte bërë burim i përcaktuar.” (Hadithi bën fjalë për rrëfimin e Haxheres sh.p.)

 

9. Të zgjedhë kohë të përshtatshme për lutje

Prej kohëve më të përshtatshme për dua është fundi i natës, koha mes ezanit dhe ikametit, koha kur gjendemi në sexhde, kur jemi të brengosur, pas ikindisë në ditën e xhuma, në Ditën e Arafatit, koha kur bie shi, në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit etj.

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi


RREGULLAT PËR LEXIMIN E KUR’ANIT

Rregullat_e_leximit_te_kuranit

RREGULLAT PËR LEXIMIN E KUR’ANIT

1. Të lexojë Kur’an me abdestt.

2. Të pastrojë gojën me misvak (a brushë), para se të fillojë leximin e Kur’anit.

3. Të lexojë Kur’an në vende të pastra.

4. Të ulet drejt Kibles me devotshmëri, butësi, serio­zi­tet dhe kokulur.

5. Të shqiptojë me zë EUDHU BIL-LAHI MINESH-SHEJTANIRR-RRAXHIM, që do të thotë: Kërkoj prej Allahut që të më mbrojë prej shejtanit të mallkuar.

6. Të lexojë me tertil (rrjedhshëm).

7. Të logjikojë rreth asaj që lexon.

8. Kur të lexojë Kur’an, të qajë a të bëjë sikur qan.

9. Të lexojë me zë të bukur.

10. Të lexojë me zë, nëse nuk pengon ata që falen, lexojnë a flenë.

11. Të lexojë duke shikuar në Kur’an, meqë shikimi në të është ibadet (adhurim).

12. Të mos bisedojë me dikë gjatë leximit, përveçse në raste urgjente.

13. Të mos qeshë e as të mos luajë gjatë leximit të Kur’anit, e as të mos shikojë në gjërat që e zbavisin (ia tërheqin vëmendjen).

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

RREGULLAT BASHKËSHORTORE

Rregullat_bashkeshortore

RREGULLAT BASHKËSHORTORE

1. Të zbukurohet secili prej bashkëshortëve për njëri-tjetrin.

2. Burri është i detyruar të kujdeset për sunetet e fitres, të cilat janë: sunetimi, rruajtja e vendeve të turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve dhe heqja e qimeve nën sqetulla. Po ashtu, me këto rregulla obligohet edhe grua-ja; që të dy janë të detyruar të mos kalojnë më tepër se dyzet ditë pa i përmbushur këto obligime. Muslimania duhet të largohet nga traditat e jobesimtarëve (kafireve), siç është tradita e rritjes së thonjve dhe ngjyrosja e tyre.

3. Të largohet bashkëshortja nga tatuazhi, që do të thotë nga zbukurimi i trupit me pika dhe vizatime të ndryshme e po ashtu edhe nga heqja e vetullave, qoftë tërësisht a pjesërisht, ose nga heqja e qimeve të fytyrës. Të gjitha këto që përmendëm janë të ndaluara dhe njëkohësisht të mallkuara nga Pejgamberi a.s., siç thotë hadithi: “Allahu i ka mallkuar ata që bëjnë tatuazh dhe atyre që u bëhet, ato që i heqin vetullat dhe atyre të cilave u hiqen dhe ato që i ndajnë dhëmbët për zbukurim, të cilët e ndryshojnë krijesën e Allahut.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

4. Të falin bashkëshortët nga dy rekate namaz së bashku, siç transmetohet se Ibni Mesudi r.a. e paska urdhëruar Ebu Harizin që, kur t’i afrohet bashkëshortes, t’i falë ajo pas tij dy rekate namaz. (Transmetojnë Ebu Bekr bi Ebi Shejbe dhe Taberaniu)

Kjo njëkohësisht është edhe përkujtim për palën bashkë-shortore që, nëse dëshirojnë shpëtim në dunja dhe në ahiret, atëherë le ta ngrenë jetën e tyre në devotshmëri.

5. Të vërë burri dorën e tij në ballin e saj e pastaj le të thotë: BISMIL-LAHIRR-RRAHMANIRR-RRAHIM. ALLAHUMME INNI ESELUKE MIN HAJRIHA VE HAJRI MA XHEBELTEHA ALEJHI, VE EUDHU BIKE MIN SHERIHA VE SHERI MA XHEBELTEHA ALEJHI, që do të thotë: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirë-bërësit! O Allahu im, unë kërkoj prej Teje të mirën e saj dhe të mirën që ke krijuar në të dhe kërkoj të më mbrosh prej sherrit të saj dhe prej sherrit që ke krijuar në të.” (Transme-ton Buhariu)

6. Të mos harrojë bashkëshorti që, para kontaktit me bashkëshorten e tij, të thotë: BISMIL-LAHI ALLAHUMME XHENIBNASH-SHEJTANE, VE XHENNIBISH-SHEJTANE MA REZE-KTENA, që do të thotë: “Në emër të Allahut. O Allahu im, largoje shejtanin prej nesh dhe largoje shejtanin prej asaj me çka na ke pajisur (furnizuar)!” (Transmeton Buhariu)

7. Bashkëshortëve u lejohet t’i shohin pjesët e turpshme të njëri-tjetrit. Aishja r.a. thotë: “Ishim duke u larë unë dhe i Dërguari i Allahut salallahu-alejhi-ue-selem prej një ene që gjendej mes meje dhe atij. Në të përziheshin duart tona. Ai më lagte mua derisa i thosha: Më lër mua, më lër mua. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

8. Për njeriun e papastër (xhunubin) preferohet të marrë abdestt para se të shtrihet në shtrat, e nëse lahet, atëherë është edhe më mirë. Transmetohet nga Abdullah ibni Kajsi se e paska pyetur Aishen radiAllahu-anha se si vepronte Resulull-llahu-sallAllahu alejhi ue-selem kur ishte i papastër: “A pastrohej para se të binte për të fjetur apo flinte para se të pastrohej?” E ajo kishte thënë: “Të gjitha këto i bënte. Ndonjëherë pastrohej e flinte, e ndonjëherë merrte abdestt e flinte.” (Pasi mori vesh përgjigjen) Tha: “Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili ka lënë fushëveprim të gjerë në këtë çështje.” (Transmeton Muslimi)

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

 

RREGULLAT E NGRËNIES DHE TË PIRJES

Rregullat_e_ngrenies_dhe_pirjes

RREGULLAT E NGRËNIES DHE TË PIRJES

a)         Rregullat të cilave duhet t’u përmbahet muslimani para ngrënies

1. Të mundohet që ushqimin dhe pijen e tij t’i fitojë me nder, e jo me tradhti a mashtrime, siç thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ju kemi dhënë.” (El-Bekare, 172)

2. Të vendosë të hajë dhe të pijë që të forcohet e të mund të punojë, ashtu që të shpërblehet me atë që ka ngrënë dhe ka pirë.

3. T’i lajë duart para se të ulet të hajë, nëse i ka të papastra ose nuk është i sigurtë në pastërtinë e tyre.

4. Të vërë ushqimin e tij në sofër mbi tokë, jo mbi tavolinë, sepse kjo është më afër devotshmërisë, siç thotë Enesi r.a.: “Nuk ka ngrënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbi huvan (tavolinë) e as në sekërgje (pjatë zbukuruese në të cilën vendoset ushqimi).” (Transmeton Buhariu)

5. Të ulet duke u gjunjëzuar (nëse ha në tokë), në shpinën e këmbëve, ose të mbështetet në këmbën e djathtë e të ulet në të majtën, ashtu siç e kishte zakon Resulull-llahu a.s., duke vepruar sipas fjalëve të tij: “Unë nuk ha duke qenë i mbështetur, sepse unë jam një njeri, ha dhe ulem si njeri.” (Transmeton Buhariu)

6. Të jetë i kënaqur me atë që është përgatitur prej ushqimit dhe të mos u bëjë naze gjellëve e ushqimeve; nëse i pëlqen, le të hajë, e nëse nuk i pëlqen, le ta lërë, ashtu siç thuhet në hadithin e Ebu Hurejres: “Nuk i ka bërë naze hajes Resulull-llahu s.a.v.s. asnjëherë. Nëse i ka pëlqyer, ka ngrënë prej saj, e nëse jo, e ka lënë.” (Transmeton Buhariu)

7. Të hajë së bashku me ndonjë tjetër, qoftë ai mysafir, farefis, fëmijë ose shërbëtor, sipas hadithit: “Tubohuni rreth sofrës suaj që të bëhet bereqet për ju.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë se hadithi është sahih)

b)        Rregullat gjatë ngrënies

1. Të fillojë me emër të Allahut, sipas fjalëve të Resulull-llahut s.a.v.s.: “Kur doni të hani, në fillim të ngrënies thoni: “Bismil-lahi”. E nëse harroni ta përmendni emrin e Allahut të Lartësuar në fillim të ngrënies, kur t’ju kujtohet, thoni: “Bismil-lahi, në fillim e deri në mbarim.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë se hadithi është sahih, i vërtetë)

2. Të mbarojë me falënderim të Allahut, duke thënë: “El hamdu-lil-lah”, sipas hadithit: Kush ha ndonjë ushqim dhe thotë: “EL HAMDU-LIL-LAH (Falënderimi i qoftë Allahut) i Cili më ushqeu me këtë dhe më furnizoi me të pa lodhjen time dhe fuqinë time”, - i falen gabimet e bëra.” (Transme-tojnë Buhariu dhe Muslimi)

3. Të hajë me tre gishtat e dorës së djathtë (nëse nuk ka lugë) e ta marrë kafshatën sa më të vogël, le ta përtypë sa më mirë e të hajë para vetes e jo nga mesi i pjatës, sipas hadithit të Pejgamberit a.s.: “O vogëlush, thuaj Bismilah, ha me të djathtën dhe ha ç’gjendet para teje.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithi: “Bereqeti (begatia) zbret në mes të pjatës me ushqim, prandaj hani nga skajet, e mos filloni nga mesi i saj.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

4. T’i lëpijë gishtat e tij para se t’i fshijë me shami a t’i lajë me ujë, sipas hadithit të Pejgamberit a.s.: “Kur të hani ushqim, të mos i fshini duart derisa t’i lëpini a të jenë të lëpira.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)

5. Nëse i bie në tokë ajo që është duke ngrënë, le ta marrë dhe le ta largojë papastërtinë prej saj e pastaj le ta hajë, duke u bazuar në hadithin: “Nëse ju bie kafshata, merreni atë dhe largojeni prej saj papastërtinë e hajeni, e mos ia lini shejtanit.” (Transmeton Muslimi)

6. Të mos fryjë në ushqimin e nxehtë e të mos e hajë atë derisa të ftohet. Po ashtu, ndalohet fryrja në ujë gjatë pirj-es. Të marrë frymë tri herë gjatë pirjes (jashtë enës për pirje), sipas hadithit që transmeton Enesi r.a.: “Resulull-llahu a.s. ka marrë frymë tri herë gjatë pirjes.” (Transmeto-jnë Buhariu dhe Muslimi) Po ashtu, transme-tohet nga Ebu Saidi se Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar fryrjen në pije. (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është sahih) Për të njëjtën çështje na flet edhe hadithi të cilin e transmeton Ibni Abasi radijAllahu-anhuma, se Pejgamberi s.a.v.s. ka nda-luar të merret frymë në enë ose të fryhet në të. (Transmeton Tirmidhiu)

7. T’i shmanget ngrënies së tepërt, sipas hadithit: “Nuk mbush njeriu enë më të dëmshme se barkun e tij. Njeriut do t’i mjaftonin disa kafshata për ta mbajtur trupin e tij, por nëse nuk mund ta ndalë veten, atëherë (le ta përpjesëtojë lukthin e tij): një të tretën për ushqim, një të tretën për pije dhe një të tretën për frymëmarrje.” (Transmetojnë Ahmedi, ibni Maxhe dhe Hakimi, hadithi është hasen)

8. Të mos marrë ushqim ose pije nëse në tubim gjendet dikush më i vjetër a me nder më të madh, sepse kjo është në kundërshtim me etikën islame dhe një sjellje e tillë bën që njeriu të shfaqet si grykës, e kjo është një cilësi e keqe dhe e palavdëruar.

9. Të mos shikojë shokët e tij gjatë ngrënies dhe të mos i mbikëqyrë ata, se ndoshta turpërohen prej tij. Por duhet ta ulë shikimin rreth asaj që hahet. Po ashtu, të mos i përcjellë ata, se kjo i pengon ata.

10. Të mos bëjë gjëra prej të cilave njerëzit neveriten dhe të mos i shkundë duart në pjatën e tij, të mos e afrojë kokën mbi pijet gjatë ngrënies ose marrjes së ushqimit, sepse mund t’i pikojë nga goja ndonjë send e të bjerë në të. Njeriu nuk duhet të flasë fjalë që kanë të bëjnë me fëlliqësira dhe plehra, se ndoshta dikush prej shokëve të tij shqetësohet, e shqetësimi i muslimanit është haram (gjë e ndaluar).

11. Kur të hajë bukë me të varfrit, le të jetë sa më bujar ndaj tyre dhe le t’u japë përparësi. Kur të hajë me shokët e tij, le të jetë i buzëqeshur dhe le të bëjë mahi (shaka). E kur të hajë bukë me njerëz të gradave të larta (si dijetarët), le të jetë me sjellje dhe nder ndaj tyre.

c)         Rregullat pas ngrënies

1. Të mos e teprojë e të ngopet, duke vepruar sipas urdhrave të Pejgamberit a.s., që të mos arrijë në pengesa shkatërruese, sepse barku u nënshtrohet lehtë sprovimeve.

2. T’i patrojë gishtat (nëse ka ngrënë pa lugë) me shami para se t’i lajë, por nëse i lan duart është më mirë se vetëm fshirja e tyre.

3. Ta mbledhë atë që ka rënë gjatë ushqimit, sepse ajo është falënderim për begatitë.

4. Ta pastrojë gojën dhe dhëmbët, se me të e përmend Allahun (xh.sh.) dhe komunikon me shokët e tij.

5. T’i falënderohet Allahut të Lartësuar pas ngrënies dhe pijes, e nëse ka pirë qumësht të thotë “Allahu im, lësho begati në atë me çka na furnizove dhe shtona prej saj!”

Kur të hajë në sofër të huaj, në fund të ngrënies, le të thotë: “Hëngrën te ti agjëruesit e ushqimin tënd e hëngrën të pastërtit, e engjëjt ju pastruan.”

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

RREGULLAT E MIKPRITJES

Rregullat_e_mikpritjes

RREGULLAT E MIKPRITJES

a)         Rregullat e thirrjes në gosti

1. Muslimani duhet të thërrasë në musafirllëk të devotshmit e jo të prishurit e të pandershmit, sipas hadithit: “Mos shoqëro askë përveç besimtarit dhe të mos e hajë ushqimin tënd askush përveç të devotshmit.” (Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Ibni Habani dhe Hakimi, hadithi është sahih)

2. Të mos i veçojë në musafirllëkun e tij të pasurit, duke mos i ftuar të varfrit, sipas hadithit: “Ushqimi më i dëmshëm është ushqimi i një ziafeti në të cilin thirren të pasurit e lihen të varfrit.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

3. Të mos ketë për qëllim që të lavdërohet e të krenohet me gostinë e tij, por ta zbatojë Sunetin e Pejgamberit alejhi selam dhe të Pejgamberëve të tjerë, si të Ibrahimit alejhi selam, i cili kishte pseudonimin “babai i mikpritjes”. Gjith-ashtu, të ketë për qëllim që me anë të mikpritjes së tij t’i gëzojë besimtarët, po ashtu të përhapë kënaqësinë dhe hare-në në zemrat e vëllezërve të tij besimtarë.

4. Të mos e thërrasë atë për të cilin e di se, nëse do të vinte, do të ngushtohej nga të pranishmit ose do të ofendo-hej nga disa prej tyre. Këtë e bën si përkujdesje për t’iu larguar ofendimit të besimtarit, e cila gjë është e ndaluar.

b) Rregullat e pranimit të thirrjes

1. Muslimani duhet t’i përgjigjet thirrjes e të mos vonohet, përveç nëse ka ndonjë pengesë, siç është frika se mos bën ndonjë dëm në fe a në trupin e vet, sipas hadithit: Kush është i thirrur, le të përgjigjet.” (Transmeton Musli-mi) Dhe hadithi: “Sikur të isha i thirrur në thundra të deles, do të isha përgjigjur, e sikur të më jepej shpatulla, do të kisha pranuar.” (Transmeton Buhariu)

2. T’i përgjigjet thirrjes, qoftë ajo nga i pasuri a i varfri, sepse, nëse nuk i përgjigjet thirrjes së fukarasë, e prek atë shpirtërisht e kjo është edhe shenjë e mendjemadhësisë, kurse mendjemadhësia është e urryer. Sa i përket përgjigjes së thirrjes së fukarave, transmetohet nga Hasan bin Ali radiallahu-anhuma, se duke kaluar pranë disa fukarave që kishin shtruar një copë buke në tokë dhe hanin, i thanë: “O bir i bijës së Pejgamberit, eja të hamë së bashku” - e ai tha: “Po, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë.” Zbriti prej mushkës dhe i shoqëroi ata në ngrënie.

3. Të mos bëjë dallim në pranimin e thirrjes së atij që është afër dhe atij që është larg. E nëse është i thirrur në dy vende, le t’i përgjigjet të parit e prej të dytit le të kërkojë falje.

4. Të mos i shmanget përgjigjes për shkak të agjërimit nafile, por le të shkojë. E nëse shoku i tij gëzohet që ai të hajë, le ta prishë agjërimin, sepse gëzimi i zemrave të besimtarëve është devotshmëri, e nëse nuk ha, le të bëjë dua për ta, sipas hadithit: “Nëse thirreni diku, përgjigjuni; nëse jeni me agjërim, bëni dua; e nëse nuk agjëroni, hani. (Transmeton Muslimi)

5. Me përgjigjen e tij të ketë për qëllim nderimin e vëllait musliman, që të shpërblehet për atë vizitë.

c) Rregullat e sjelljes në gosti

1. Të mos vonohet nga koha e caktuar, sepse mund të bezdisen njerëzit duke pritur, por as të mos shkojë para kohe e t’i befasojë ata, se ndoshta nuk janë përgatitur e mund të shqetësohen me praninë e tij.

2. Kur të hyjë në shoqëri (odë të burrave), të mos mburret, por le të hyjë kokulur. Nëse i zoti i shtëpisë i cakton vend për t’u ulur, le të ulet e të mos e kundërshtojë.

3. Le të nxitojë me shtrimin e sofrës për mysafirin, sepse duke nxituar ushqimin i bën nder mysafirit, e Allahu na ka urdhëruar që ta nderojmë mysafirin.

4. Të mos shpejtojë me ngritjen e sofrës para se të ngrihen duart e mysafirëve prej ushqimit, si dhe ta plotësojë zbrazëtinë e pjatave me ushqim.

5. T’i ofrojë mysafirit aq sa majfton, pra le ta zgjedhë mesataren, sepse nëse i ofron pak, do ta dobësojë burërrinë e nëse i ofron tepër, kalon në syefaqësi, e që të dy këto vese janë të shëmtuara.

6. Nëse shkon diku mysafir, të mos qëndrojë më tepër se tri ditë, përveç nëse kërkojnë nga ai me këmbëngulje të qëndrojë më tepër, e kur dëshiron të shkojë, duhet të marrë leje.

7. Ta përcjellë mysafirin deri jashtë shtëpisë.

8. Mysafiri ta lëshojë shtëpinë e tij i buzëqeshur dhe i kënaqur, edhe nëse ndaj hakut të tij ka pasur mungesa dhe mospërfillje. Ai duhet të veprojë kështu, sepse kjo është prej sjelljeve dhe moralit të mirë me të cilat robi arrin shkallën e agjëruesit dhe atij që falet vullnaterisht natën.

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

RREGULLAT E UDHËTIMIT

Rregullat_e_udhetimit

RREGULLAT E UDHËTIMIT

a) Rregullat para udhëtimit

1. Muslimani duhet të falë namazin e Istihares, që përbëhet prej dy rekateve, e pas tyre bën dua me duanë e Istihares. Transmetohet prej Xhabirit r.a., i cili ka thënë: “Resulull-llahu a.s. na e mësonte Istiharen për çdo çështje, siç na e mësonte ndonjë sure të Kur’anit. Ai thoshte: “Kur (doni të vendosni) për ndonjë çështje me rëndësi, falini dy rekate, veçmas nga farzet (namazet e detyrueshme), e pastaj thoni: ALLAHUME INNI ESTEHIRUKE BI ILMIKE VE ESTEKDIRUKE BI KUDRETIKE VE ESELUKE MIN FADLIKEL-ADHIM FE INNEKE TAKDIRU VE LA EKDIR VE TA’LEMU VE LA A’LEM VE ENTE AL-LAMUL-GUJUB ALLAHUME IN KUNTE TA’LEMU EN-NE HADHEL EMRE HAJRUN LI FI DINI VE MEAASHI VE AKIBETI EMRI FEKDIRHU LI VE JES-SIRHU LI THUM-ME BARIK LI FIHI. VE IN KUNTE TA’LEMU EN-NE HADHEL EMRE SHER-RUN LI FI DINI VE MEASHI VE AAKIBETI EMRI FESRIFHU AN-NI VASRIFNI ANHU VAKDIR LIJELHAJRE HAJTHU KANE THUM-ME-RDINI BIHI. (Allahu im, unë kërkoj të mirën prej Teje me diturinë Tënde, kërkoj të gjykosh me fuqinë Tënde, kërkoj prej mire-sisë Tënde madhështore, se me të vërtetë Ti mundesh e unë nuk mundem, Ti e di e unë nuk e di, se Ti je i Dijshëm për gjërat e fshehta. O Allahu im, nëse kjo çështje është e mirë për mua, për dinin tim, jetën dhe të ardhmen time, ma bë mua atë të mundur, ma lehtëso atë mua dhe bëje të bereqe-tshme për mua, e nëse kjo çështje është e keqe për mua, për dinin tim, jetën dhe të ardhmen time, largoje atë prej meje e më largo mua prej saj. E ma bë të mundur mua të mirën kudo qoftë e pastaj më bë të kënaqur)! E kur të bëjë dua, le ta përmendë çështjen e tij.” (Transmeton Buhariu)

2. Të pendohet tek Allahu i Lartësuar për çdo mëkat që ka bërë dhe të kërkojë falje për to, sepse njeriu nuk e di seç gjendet pas udhëtimit të tij në përcaktimin e Allahut. Për këtë arsye duhet t’i kthejë ato që i ka bërë me të padrejtë, le t’i paguajë borxhet, le t’ia paguajë shpenzimet atij të cilit duhet t’ia paguajë, le të kërkojë falje prej atij me të cilin ka ndonjë problem a mosmarrëveshje, të shkruajë porosi dhe le ta vërtetojë atë, le t’i lërë familjes së vet të holla për harxhime e të mos marrë nga ushqimi a përgatitja për udhë-tim asgjë përveç asaj që është hallall.

3. Të udhëtojë vetë i treti ose më tepër, duke u bazuar në hadithin: “Një udhëtar është shejtan, dy udhëtarë janë shejtanë, tre udhëtarë janë udhëtarë.” (Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ebu Davudi)

4. Le të zgjedhë shokë të mirë për udhëtim. Ngase ata e ndihmojnë në fenë e tij, e përkujtojnë kur harron dhe e mësojnë kur gabon.

5. Të zgjedhin personin që do t’i udhëheqë gjatë udhëtimit, sipas hadithit të cilin e transmeton Ebu Hurejre r.a. Resulull-llahu s.a.v.s. ka thënë: “Kur të jenë tre veta në udhëtim, le t’i udhëheqë njëri prej tyre.” (Transmeton Buhariu) E për udhëheqës le të zgjedhin atë që është më i moralshmi prej tyre, më i shoqërueshmi dhe ai i cili u jep përparësi të tjerëve dhe kërkon pëlqimin e tyre.

6. Të niset për udhëtim ditën e enjte dhe sa më herët, sipas hadithit të cilin e transmeton Ki’ab bin Maliku r.a., se Pejgamberi a.s. doli për në luftën e Tebukut ditën e enjte dhe dëshironte të udhëtonte ditën e enjte. E sipas një transmetimi tjetër: “Rrallë herë Resulull-llahu s.a.v.s. udhëtonte jashtë ditës së enjte. Pra, kur nisej në udhëtim, nisej ditën e enjte.”

Ndërsa sa i përket nisjes herët në mëngjes kemi hadi-thin: “O Allah, bekoje umetin tim kur e nisin (një punë) herët!” Me fjalën “herët” kemi për qëllim mëngjesin ose fillimin e ditës, e po ashtu është e preferueshme (mustehab) të udhëtohet në muzg. Qëllimi është të udhëtohet në fillim të natës. Thuhet se është mirë që nata të shfrytëzohet e tëra për udhëtim, sipas hadithit: “Udhëtimin fillojeni me muzg, se toka lehtësohet natën.” (Transmeton Ebu Davudi)

7. Përshëndetja me anëtarët e familjes dhe shoqërinë. Pejgamberi s.a.v.s. sa herë që nisej në udhëtim i përshë-ndeste shokët e tij duke u thënë: “Allahun jua lë të përkuj-deset për fenë, amanetin dhe kreun e punëve tuaja.” E domethënia e thënies “Allahun ua la të përkujdeset për fenë tuaj”, është: Lus Allahun ta mbrojë fenë tuaj. E qëllimi i fjalëve “amanetin...,” është: Familja dhe ata që i lë pas vetes, malli i tij, të cilin ia dorëzon për ta ruajtur besniku (zëvendësi) i tij dhe ata që kanë të njëjtin trajtim. E dome-thënia e fjalëve “kreu i punës”, është: Punët e tij të për-fundojnë me sukses, sepse çdo gjë e ka përfundimin dhe kthimin në ahiret. Prandaj çdo gjë që lihet mangët në dynja (me anë të lutjes), plotësohet në ahiret me të mira.

b) Rregullat gjatë udhëtimit

1. Pasi t’i hipim mjetit për udhëtim, duhet të bëjmë duanë e udhëtimit, siç e kishte zakon Resulull-llahu s.a.v.s. kur nisej në rrugë. Pasi drejtohej mbi kafshën e tij, thoshte tri herë ALLAHU EKBER, e pastaj lexonte duanë: SUBHANEL-LEDHI SEHHARE LENA HADHA VEMA KUN-NA LEHU MUKRININ VE INNA ILA RAB-BINA-LEMUNKAL-IBUN. ALLAHUME INNA NESELUKE FI SEFERINA HADHA EL BIR-RE VET TA KVA VE MINEL AMELI MA TERDA. ALLAHUM-ME HEV-VIN ALEJNA SEFE-RENA HADHA VATVI AN-NA BU’DEH, ALLAHUM-ME ENTES-SAHIBU FIS-SEFER VEL HALIFETU FIL EHL. ALLAHUMME INNI EUDHU BIKE MIN VA’THAISSEFER VE KEABETIL MANDHAR VE SUIL MUNKALIBI FIL MALI VEL EHL.(O Allah i Madhërishëm, në udhëtimin tonë na jep mirësi dhe devotshmëri dhe punë me të cilat Ti je i kënaqur. O Allah, na e lehtëso udhëtimin tonë e na e bë të rehatshme rrugën. Ti je shoqëruesi më i mirë në udhëtimin tonë dhe mbrojtës i familjes sonë. O Allahu im, me të vërtetë unë kërkoj që të më mbrosh nga vështirësitë, nga pakënaqësia e udhëtimit, nga shikimet qëllimkëqija dhe nga telashet në mall dhe në familje.” (Transmeton Muslimi)

2. Shqiptimi i tekbirit (Allahu Ekber) dhe i tesbihut (SubhanAllah), sipas hadithit që transmeton Xhabir bin Abdul-lahu radijAllahu anhuma: “Kur të hipni kodrës, thoni ALLAHU EKBER, e kur të zbritni, thoni SUBHANALLAH.” (Transmeton Buhariu)

3. Bërja dua gjatë udhëtimit, sipas hadithit të Pejgam-berit alejhi selam: “Tri dua janë të pranuara: Duaja e atij të cilit i është bërë e padrejtë, duaja e mysafirit (udhëtarit) dhe duaja e prindit për fëmijën e tij.” (Transmeton Buhariu)

4. Argëtimi dhe këndimi gjatë udhëtimit, sipas hadithit të Seleme bin El Ekvait r.a. i cili ka thënë: “U nisëm me Resulull-llahun sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për në Hajber. Duke udhëtuar natën, njëri prej nesh i tha Amir bin El Ekvait: “A nuk po na reciton ndonjë nga poezitë e tua?”, ngaqë Amiri ishte i njohur si poet. Atëherë ai zbriti para masës dhe filloi të recitojë: “O Allah, pa Ty nuk do të ishim të udhëzuar, nuk do të kishim dhënë lëmoshë, e as nuk do të ishim falur...” Pejgamberi alejhi selam pyeti: Kush është ky që po ju prin (me këto kaside)”? Ata thanë: “Amir bin El Ekvali.” Atëherë ai shtoi: “Allahu e mëshiroftë.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

5. Pushimi gjatë udhëtimit, ngase kjo është mirësjellje dhe përkujdesje ndaj kafshës (ose mjetit). Gjumi dhe pushimi duhet të bëhen me kujdes, në vendet ku duhet të pushohet gjatë rrugës, e sidomos natën, sepse në tokë ka insekte dhe gjallesa helmuese, ndërsa egërsirat gjatë natës ecin lirisht duke kërkuar ushqim ose hedhurinat e udhëta-rëve. Prandaj, nëse udhëtari rehatohet shumë gjatë rrugës, mund të ndodhë që pranë tij të kalojë ndonjë insekt a gjallesë tjetër dhe ta shqetësojë atë. Për këtë arsye është e preferueshme t’i shmanget pushimit rrugëve (në natyrë të hapur).

c) Disa rregulla pas udhëtimit

1. Kur muslimani kthehet prej udhëtimit, le ta thotë duanë e udhëtimit (të cilën e cekëm më parë), duke shtuar edhe këto fjalë: AIBUNE TAIBINE ABIDUN, LI RABBINA HAMIDUN. (U kthyem me pendim dhe përkushtim duke i falënderuar Zotit tonë).

E kur të afrohet te luginat ose kodrat e para të vendlindjes, le të thotë tri herë “Allahu ekber” e pastaj le të vazhdojë: LA ILAHE IL-LALLAHU VAHDEHU LA SHERIKE LEHU, LEHUL MULKU VE LEHUL HAMDU, VE HUVE ALA KUL-LI SHEJ’IN KADIR, AIBUNE TAIBUNA ABIDUNE SAXHIDUN, LI RABBINE HAMIDUN, SADEKALLAHU VA’DAH, VE NESARE ABDEH, VE HEZEMEL AHZABE VAHDEH. (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Vetëm është dhe i Pashoq. Atij i takon sundimi dhe Atij i takon falënderimi, e Ai për çdo gjë është i aftë. U kthyem me pendim, përulësi dhe përkushtim, duke falënderuar Zotin tonë. Allahu garantoi premtimin e Tij, i ndihmoi robit të Tij dhe i mposhti aleatët (jobesimtarët e bashkuar) pa ndihmën e askujt.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Është e pëlqyer (mustehab) të përsëritet (të thuhet shpesh) kjo dua: “AIBUNE TAIBUNE ABIDUN, LI RABBINA HAMIDUN (U kthyem me pendim dhe përkushtim duke i bërë Zotit tonë falënderim),” duke u bazuar në fjalët e Enesit r.a., i cili ka thënë: “Derisa kemi hyrë në qytet, Pejgamberi alejhi selam nuk ka pushuar së thëni këtë lutje.” (Transme-ton Muslimi)

2. Prej rregullave islame është që familja të lajmërohet para se personi të arrijë në vendin e tij. Është e urryer që ai të arrijë natën pa e lajmëruar familjen e tij. Pejgamberi alejhi selam e kishte ndaluar që dikush të trokiste te familja e tij natën.(Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Edhe vetë Pejgamberi alejhi selam e ka pasur traditë që te familja e tij të trokiste vetëm në mëngjes ose në mbrë-mje. (Transmeton Buhariu)

Gjithashtu, Pejgamberi alejhi selam e ka treguar (shpallur) urtësinë e kësaj ndalese kur tha: “Që të rregullohet (krihet e pastrohet) bashkëshortja e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

3. Kur të kthehet prej udhëtimit, duhet të falë dy rekate në xhami.

Për këtë bazohemi në hadithin e Pejgamberit alejhi selam, ku thuhet: “Sa herë që Pejgamberi alejhi selam kthehej nga udhëtimi në mëngjes, para se të ulej (pushonte), hynte në xhami dhe falte dy rekate (namaz).” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Për këtë kemi edhe hadithin që e transmeton Xhabiri r.a. në të cilin thuhet: “Isha me Pejgamberin alejhi selam në udhëtim dhe, kur mbërritëm në Medine, ai m’u drejtua: “Hyr në xhami dhe fali dy rekate.”

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi

RREGULLAT E SELAMIT (PËRSHËNDETJES)

Rregullat_e_selamit

RREGULLAT E SELAMIT (PËRSHËNDETJES)

1. Kur të takoni një shok, mjafton ta përshëndetni me selam duke ia shtrënguar dorën, kurse marrja në grykë vjen në shprehje vetëm kur të ktheheni nga udhëtimi. E gjithë kjo është një sjellje e mirë (mustehab), duke u mbështetur në fjalën e Enes bin Malikut, i cili thotë: “Kur takoheshin shokët e Pejgamberit (a.s), ia shtrëngonin dorën njëri-tjetrit dhe kur vinin nga udhëtimi merreshin në grykë.” (Transmeton Taberaniu, kurse Hejthemiu thotë se transmetuesit e hadithit janë autentikë)

2. Parimisht, selami është i plotë kur thuhet Esselamu alejkum ue rahmetull-llahi ue berekatuhu. Për këtë bazoh-emi në hadithin ku Umran bin Husejni thotë: Erdhi një njeri te Pejgamberi alejhi selam dhe tha: “Esselamu alejkum”. Pejgamberi ia ktheu e ai u ul. Atëherë Pejgamberi alejhi selam tha: “Dhjetë.” Pastaj erdhi tjetri dhe tha: “Esselamu alejkum ue rahmetull-llah”. Edhe këtij ia ktheu dhe ky u ul. Pas kësaj Pejgamberi alejhi selam tha: “Njëzet.” Pastaj erdhi një tjetër dhe tha: “Esselamu alejkum ue rahmetull-llahi ve berekatuhu.” Edhe këtij ia ktheu e edhe ky u ul. Kurse për këtë Pejgamberi alejhi selam tha: “Tridhjetë.” (Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu me sened të fortë)

3. Selami nuk shprehet me fjalët: “Esselamu ala menit-tebeal huda”, nëse ai që përshëndesim është musliman, por ky selam përdoret veçanërisht për jomuslimanët. Pejgamberi alejhi selam në letrën e tij dërguar Herakleut shkruante: “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Prej Muhammedit, robit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, deri te Herakleu, madhëria e romakëve (bizantinasve). Selamun ala menit-tebeal huda (Selami qoftë mbi atë që e pranon udhëzimin).”

Ndërsa urtia pas kësaj shprehjeje - Zoti e di më së miri - është që zemrat e të thirrurve të zbuten dhe që ata të ndihen të qetë dhe të sigurtë, nëse e pranojnë atë (kushtet e saj). Këtu është për qëllim udhëzimi, por nuk ka të bëjë me besimtarin, ngase ai është prej të udhëzuarve pa kurrfarë dyshimi, andaj edhe nuk vjen në shprehje dhe nuk lejohet të përshëndetet me këto fjalë shpresëdhënëse.

4. Është e papëlqyer të thuhet selami me fjalët “Alejkesselam”, duke u bazuar në transmetimin që përcillet nga Ebu Tumejme el Huxhejmi, e ky nga një njeri prej popullit të tij (në disa transmetime ceket me emër Ebu Xhura el Huxhejmi), i cili thotë: “E kërkova Pejgamberin alejhi selam e nuk mund ta gjeja dot, andaj edhe u ula. Kur, ja, një grup njerëzish e në mesin e tyre gjendej edhe ai, por unë nuk e njihja. Ai ishte duke i pleqëruar e, kur u lirua, u ngrit e me të u ngritën edhe disa prej tyre, të cilët thanë: “O Resulull-llah.” Kur e pashë atë, fillova të them: “Alejkes-selam ja Resulull-llah, alejkes-selam ja Resulull-llah, alejkes-selam ja Resulull-llah.” Ai ma ktheu: “Dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve, dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve, dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve.” Pastaj m’u afrua dhe tha: “Kur njeriu takon vëllanë e tij besimtar, le t’i thotë: Es selamu alejkum ue rahmetull-llah.” Këtë përshëndetje Pejgamberi alejhi selam ma ktheu duke më thënë: “Ue alejke ue rahmetull-llah, ue alejke ue rahmetull-llah, ue alejke ue rahmetull-llah.” (Transmetojnë Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ahmedi e të tjerë)

5. Lejohet ngritja në këmbë kur jepet selami për përurim a ngushëllim. Gjithashtu lejohet ngritja për t’i ndihmuar të paaftit (të gjymtit), ngritja e birit për babanë e tij, e gruas për burrin e saj dhe e kundërta. Po ashtu, ngritja e një personi nga vendi i tij për t’i dalë përpara mysafirit të tij ose atij që vjen nga udhëtimi. Por nuk lejohet t’i ngrihemi një personi, ose një personi tjetër që është ulur, siç është rasti me mbretërit dhe diktatorët. Vetëm nëse ngritja bëhet me ndonjë interes (dobi), siç është rasti i ngritjes së Ma’kal bin Jesarit kur, gjatë besatimit, mënjanoi degën e një peme nga koka e Resulull-llahut alejhi selam. (Transmeton Muslimi) Sa i përket ngritjes me qëllim përshëndetjeje kur shohim dikë të hyjë në një mexhlis (tubim), mendimi më i saktë për këtë është se një sjellje e tillë është e ndaluar. Sipas një transmetimi, thuhet se Muaviu ka hyrë në një shtëpi ku gjendeshin Ibni Amiri dhe Ibni Zubejri. Ibni Amiri u ngrit, kurse Ibni Zubejri mbeti ulur. Atëherë Muaviu r.a. i tha (Ibni Amirit): “Ulu, se unë e kam dëgjuar Resulull-llahun sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: Kush gëzohet kur t’i shohë njerëzit se janë ngritur për të, le ta bëjë gati ulësen e tij prej zjarri.” (Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu e të tjerë)

6. Nuk do të ishte i plotë selami nëse do të bëhej vetëm me shenjë, pa i shoqëruar shenjës edhe fjalët e selamit, duke u bazuar në hadithin që e transmeton Xhabiri r.a., ku thuhet: “Mos u përshëndetni siç përshëndeten çifutët, sepse përshëndetjet e tyre bëhen me kokë, duar dhe isharet.” (Transmeton Nesaiu me sened të mirë) Ky rregull i kushtohet atij që ka aftësi folëse dhe i nënshtrohet urdhëresave fetare. Përndryshe, një gjest i tillë do të ishte në frymën e sheriatit islam nëse personi në fjalë do të ishte i zënë me diçka që do ta pengonte në kthimin e selamit, siç është rasti me falësin e namazit, me atë që është larg, atë që është shurdh a memec etj.

7. Nxitja për ta përhapur selamin sa më shumë, sipas hadithit: “A doni t’ju udhëzoj në një gjë që, nëse e punoni do të duheni: Përhapeni selamin mes jush.” (Transmeton Muslimi) Urdhri për ta përhapur selamin u dha që të përhapet hajri (dobia), të bashkohen zemrat dhe të njësohen radhët tona.

8. S’është mirë që selamin ta lëmë e të mos e përdorim me fëmijët, sipas transmetimit që përcillet nga Enesi r.a. kur ai ishte duke kaluar pranë disa fëmijëve dhe i dha selam. Pastaj shtoi: “Një gjë të tillë e vepronte Pejgamberi alejhi selam.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Kjo me të vërtetë është një nga sjelljet më madhështore të Resulull-llahut alejhi selam. Ngase në të kemi prova se si duhet t’i ushtrojmë fëmijët që ta mësojnë Sunetin e Pejgamberit alejhi selam dhe rregullat e ligjit islam, që të edukohen me to.

9. Nuk duhet ta harrojmë selamin kur largohemi nga tubimi, sipas hadithit të Pejgamberit alejhi selam: “Kur vini në tubim, jepni selam, e nëse e shihni se më mirë është të uleni, atëherë uluni. Nëse ndërkohë ngriheni, e të tjerët ende janë të ulur, jepni selam, ngase selami i parë (kur keni hyrë në mexhlis) nuk është më i vlefshëm se selami tjetër.” (Transmetojnë Ahmedi dhe të tjerët. Hadithi është sahih)

10. Nuk lejohet që jobesimtari të përshëndetet me selam, sipas hadithit: “Mos i përshëndetni çifutët dhe të krisherët me selam, por, nëse i takoni, detyrojini ata që t’u përmbahen anëve të rrugës.” (Transmeton Muslimi)

 

Abdul-Hamid Suhejbani

Përktheu: Ferid Selimi


Subscribe to this RSS feed
Back to top