Ky postulat është thënë nga pedagogu i gjithë njerëzimit, reformatori i shpirtrave, njeriu më i përsosur, Muhammedi alejhi selam. Si nëna të reja, le të reflektojmë pak mbi kuptimin e këtij postulati dhe le të shohim përgatitjen tonë në përmbushjen e detyrës që Allahu i Madhëruar na ka lënë amanet. Mënyra se si jemi rritur dhe edukuar ndikon dukshëm në mënyrën si po i rritim dhe edukojmë fëmijët tanë. Teksa bashkëveprojmë me fëmijët, na vijnë ndër mend në mënyrë të pavetëdijshme shprehjet dhe mënyrat e sjelljes e të reagimit të prindërve tanë. Kjo do të thotë se mënyra si jemi rritur dhe edukimi që kemi marrë do të jenë bazë për edukimin e fëmijëve tanë.
Por, tashmë detyrës tonë si prindër i shtohet edhe një detyrë tjetër, ajo e përsosjes së vetvetes dhe mosrënia në stilet e gabuara të edukimit në të cilët ranë prindërit tanë për shkak të periudhës në të cilën kaluan rininë e tyre. Pedagogjia e ditëve të sotme në teorinë e saj e ka vërtetuar shprehjen e ndritur të Pejgamberit tonë alejhi selam: “Edukimi i fëmijës fillon 20 vjet para lindjes së tij”.
Çdo nënë dëshiron që fëmija i saj të bëhet i sjellshëm, i bindur, i aftë, të pajiset me virtyte të larta, si sinqeriteti, besnikëria, falja e të tjerëve, kontrolli i vetvetes, mëshira, sakrifica, butësia, etj.. Lind pyetja:
Si do t’i mbjellë nëna në natyrën e fëmijës të gjitha këto?
A ka njohuri të mjaftueshme ajo?
Si do t’ia dalë mbanë kësaj detyre?
Qëllimi i edukimit të fëmijëve duhet të shkojë paralelisht me qëllimin e krijimit tonë. Pejgamberi Muhammed alejhi selam ka thënë: “Unë jam dërguar për të përsosur moralin e mirë.”
Ibën Halduni (1332-1406) shprehet se edukimi konsiston në trajnimin intelektual dhe moral të njerëzimit, nëpërmjet të cilit realizohen dhe përmbushen potencialet e tij të fshehura, ndërtohen vetitë e karakterit dhe njëkohësisht transmetohet dija dhe kultura nga njëri brez te tjetri.
Imam Gazaliu (1058-1111), një nga mendimtarët më të mëdhenj të Islamit, shprehet se qëllimi i edukimit është zhvillimi i karakterit dhe i personalitetit. Ai duhet të ketë për qëllim mbjelljen e vetive të dobishme në sjelljen e fëmijës. Fëmija lind i mirë nga natyra e tij. Janë prindërit ata që e drejtojnë rrugës së virtytit ose të vesit. Gjithashtu, ai mendon se edukimi duhet t’i mundësojë fëmijës të dallojë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra, sjelljen e drejtë nga sjellja e gabuar. Për këtë, ai mendon se një ndihmë e madhe është trajnimi fetar, i cili është bazë në formimin e një karakteri të mirë.
Rëndësia e përgatitjes së nënës
Procesi ndërtues psiko-social, dy të tretat e të cilit zhvillohen gjatë viteve të para të jetës së fëmijës, nuk është një fenomen që duhet t’i lihet rastësisë. Pasojat e mosplotësimit të nevojave apo çrregullimet në formimin emocional, intelektual, social dhe etik gjatë periudhës së fëmijërisë transformohen në probleme të njerëzimit. Nëse e konsiderojmë edukimin e fëmijës si edukim të njerëzimit, ky fakt do të na mësojë të marrim në konsideratë ligjet dhe principet që përcaktojnë drejtimin e zhvillimit natyror të njeriut. Duke vëzhguar aventurën përmes së cilës kalon zhvillimi i fëmijës, do të jemi në gjendje të zbulojmë “sekretet tona” dhe “sekretet e historisë, shoqërisë dhe njerëzimit”. Ky zbulim për ne do të hedhë dritë mbi arsyen pse dhe në çfarë shkalle kanë filluar të kalben rrënjët e njerëzimit dhe si mund ta tejkalojmë këtë situatë. Do të shohim se njohuria jonë rreth mirërritjes së fëmijëve dhe përgjegjësia jonë për t’i edukuar na detyrojnë t’i japim përparësi edukimit dhe përsosjes së vetvetes. Ajeti 11 i sures Rra’d ka diçka për t’i thënë kujtdo që është në ankth për dinjitetin dhe lumturinë e njerëzimit si dhe për mirëqenien e shoqërisë: “Vërtet asnjëherë Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë vetveten.” (Rra’d, 11).
Iniciativa e njeriut për të vënë në pikëpyetje shoqërinë duke vënë më parë në pikëpyetje vetveten shfaqet si pika më e mirë e nisjes për transformimin e shoqërisë. Vetëm në saje të edukimit nënat do ta kuptojnë më mirë strukturën psikologjike të fëmijës, karakteristikat përcaktuese të marrëdhënies nënë-fëmijë dhe veçanërisht ligjin e identifikimit të vetvetes me dikë tjetër – marrja e një personi si model për ta imituar, i cili është më dominanti nga ligjet e të mësuarit që janë në natyrën e fëmijës. Nëna që e ndien thellë obligimin që ka për të ngulitur dhe parë te fëmija cilësitë që ajo dëshiron t’i ketë, shfaq qëllimin për t’u përpjekur që të ndryshojë personalitetin e saj në drejtim të cilësive të synuara dhe bën përpjekje serioze për ta arritur këtë qëllim. Arsyeja më e kuptueshme e motivimit, çuditërisht e shkallës së lartë, e vënë re në këtë aspekt është dëshira e fortë natyrore për t’i rritur fëmijët në mënyrën më të mirë. Duhet të theksojmë faktin se të mësuarit nuk është thjesht një mbledhje informacioni, por një proces që lidhet direkt me personalitetin, i cili rezulton në përjetimin e një transformimi personal. Të mësuarit si një proces thelbësor i aktivitetit ndërtues, i përhapur prej personalitetit të gruas drejt shoqërisë me një reaksion zinxhir, fokusohet dhe bazohet veçanërisht mbi fushën e vlerave.
“Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi, pastaj Allahu e fillon krijesën tjetër. Është e vërtetë se Allahu ka mundësi për çdo send.” (Ankebutë, 20).
“Pra, ata nuk janë duke pritur vetëm ligjin e të parëve, e në ligjin e Allahut kurrë nuk do të hasësh devijim.” (Fatir, 43).
Duke na drejtuar vëmendjen tonë drejt natyrës, shoqërisë dhe historisë, Kur’ani i Shenjtë, që u zbrit për të transformuar shoqërinë, na kërkon që të mësojmë ligjet që sundojnë krijimin, qenien njerëzore dhe shoqërinë dhe të shpjegojmë, vlerësojmë dhe orientojmë jetën tonë sipas këtyre ligjeve. Këto janë ligjet, të cilat bënë që shoqëritë e mëparshme të shkatërroheshin, sepse nuk u kushtuan vëmendje ligjeve të Allahut.
Ka një mënyrë për të përfituar nga dija, si një mjet sundimi që është përdorur gjerësisht përgjatë historisë. Kjo mënyrë mund të vihet në funksionim vetëm nga individi, ajo është arritja e PËRSOSMËRISË (virtytit). Nëse ky është qëllimi që duhet arritur, një nga pikat më të mira për të nisur të përfitojmë njohuri është njohuria për “vetveten”.
Duke pasur parasysh se dy të tretat e zhvillimit intelektual të fëmijës zhvillohen gjatë 6 vjetëve të para të jetës, atëherë nëna duhet të marrë ndihmë edukative. Ajo është faktori më i rëndësishëm në shtrimin e themelit të të menduarit të lirë, produktiv dhe krijues në vend të imitimit. Gjithashtu, nëna duhet të marrë ndihmë edukative në forcimin e kapacitetit të fëmijës për të analizuar, sintetizuar dhe izoluar në zhvillimin e tij gjuhësor dhe në mbështetjen e mekanizmit të tij intelektual që do të mbështetet mbi arsyetimin, të kuptuarit dhe përvetësimin në vend të memorizimit të thjeshtë.
Qëllimi i kërkimit shkencor të quajtur “Projekti i Zhvillimit të Hershëm te Fëmija dhe Edukimi i Nënës”, i cili nisi në vitin 1982 në Universitetin e Bogaziçi, nën drejtimin e Prof. Ç. Kagitçibasi (rezultatet e të cilit u shpallën më 1991), ishte të ndihmonte nënat të mbështesnin zhvillimin e fëmijëve të tyre duke u bërë më të ndjeshme dhe duke i kushtuar më tepër vëmendje nevojave të tyre fizike, emocionale, intelektuale dhe sociale. Rezultatet e përfituara tregonin faktin se “për vlefshmërinë dhe suksesin e edukimit parashkollor, që kontribuon gjerësisht në zhvillimin multidimensional të fëmijës, ai duhet të edukohet nga një nënë e edukuar në ambientin e tij, pa u izoluar (larguar) nga familja.
Vetëm një nënë e edukuar mund të njohë rëndësinë e dashurisë (afeksionit) të nënës dhe “rëndësinë e marrëdhënies cilësore fytyrë më fytyrë midis nënës dhe fëmijës dhe rolin e saj në ngulitjen e kodeve bazë të sjelljes së fëmijës, të cilat zgjatin gjatë gjithë jetës. Vetëm një nënë e edukuar mund të vlerësojë rëndësinë e funksionit të saj amësor. Vetëm një nënë e edukuar mund të perceptojë nevojat psikologjike të fëmijës, të cilat janë në ndryshim gjatë procesit të zhvillimit dhe mund të parandalojë zhvillimin defektoz të identitetit duke shfaqur reagimet dhe sjelljet e duhura karshi fëmijës.
Vetëm një nënë e edukuar mund të arrijë të dallojë pikat e mangëta dhe pamjaftueshmërinë në procesin e zhvillimit të fëmijës dhe të marrë masat e nevojshme. Vetëm një nënë e edukuar mund të mbështesë zhvillimin intelektual të fëmijës, i cili fillon të kristalizohet gjatë periudhës 0-6 vjeç, periudhë kur plotësohen dy të tretat e këtij zhvillimi.
Vetëm një nënë e edukuar mund të japë ndihmë konstruktive në formimin e personalitetit të fëmijës duke i kushtuar vëmendjen e duhur në dhënien e dijeve të përshtatshme që mbrojnë mirëqenien psikologjike të fëmijës.
Edukimi i fëmijëve është pika më e përshtatshme për ndërtimin e një shoqërie të re, e cila do të formohet mbi bazën e principit të sundimit të botës së brendshme në vend të sundimit të botës së jashtme. Ka ardhur koha të ndryshojmë krejtësisht konceptin aktual mbi edukimin, i cili është i zhveshur nga doktrina e vlerave që vendosin një disiplinë të brendshme, e cila vë mbi shpatullat tona përgjegjësi në lidhje me të tjerët rreth nesh dhe ka për qëllim pastrimin dhe qëndresën e palëkundur ndaj dëshirave të egos.
Të edukosh fëmijët do të thotë të vetëpërsosesh!
Marsela Tareli
Marrë nga:
Revista “Argumenti”, numër 55, tetor 2006.