- font size decrease font size increase font size
PIRJA E DUHANIT DHE QËNDRIMI I ISLAMIT
PIRJA E DUHANIT NË SHOQËRINË MUSLIMANE DHE QËNDRIMI I ISLAMIT PËR KËTË ÇËSHTJE
Përhapja e duhanit ndër shtetet dhe popujt muslimanë është zhvilluar kryesisht sikundër edhe në shtetet evropiane. Nga shtetet muslimane duhani është paraqitur së pari në Mbretërinë Turke, në përbërje të së cilës ka qenë edhe shteti ynë. Kjo ka ndodhur në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII.
Në Hercegovinë duhani ka filluar të mbillet në gjysmën e parë të shekullit XIX, në kohën e Ali pashë Rizvanbegoviçit (1833-1815). Asokohe te ne është zhvilluar edhe esnafi i veçantë, i përbërë nga shitësit dhe grinsit e duhanit (tutunxhinjtë dhe havaxhinjtë).
Paraqitja e duhanit në shoqërinë muslimane ka shkaktuar probleme, polemika dhe rezistencë të fuqishme. Mësuesit e mëhershëm islamë (ulemaja) deri në gjysmën e dytë të shekullit XIV nuk kanë thënë asgjë në mënyrë të prerë për pirjen e duhanit, ngase në kohën e tyre nuk ka pasur fare duhan. Por, bashkëkohësit e paraqitjes së tij dhe të periudhës së parë të tij kanë reaguar shpejt e qartë dhe kanë dhënë mendime për të. Disa prej tyre kanë konsideruar se përdorimi i duhanit në aspektin islam është i lejuar (hallall), duke marrë parasysh se ai nuk deh dhe sipas mendimit të tyre nuk është i dëmshëm. Mirëpo, shumica prej tyre dhe ata më të spikaturit menjëherë kanë thënë se duhani është i ndaluar (haram), ose së paku se është risi e qortuar dhe e dëmshme.
Ndër dijetarët e parë islamë që kanë filluar ta ndalojnë duhanin ka qenë udhëheqësi suprem fetar i muslimanëve në Stamboll, Shejhul-Islam Fahrudin Muhamed Çivizade (vdiq më 995/ 1586). Ai në gjysmën e dytë të shekullit XVI ka luftuar vendosmërisht, edhe me fjalë, edhe me penë, kundër disa dukurive të dëmshme, të cilat asokohe kishin marrë hov në botën islame, si: duhani, kafeja, burmuti dhe opiumi. Atij iu bashkuan dhe e përkrahën shumë alimë (dijetarë) të shquar.
Sulltan Murati IV (1623-1640) për këtë arsye e pati ndaluar duhanin edhe pati nxjerrë ligjin që parashihte dënimin me vdekje për duhanxhinjtë. Në disa vende (Persi) në fillim të përhapjes së duhanit duhanxhinjtë i ndëshkonin me rrahje.
Njerëzit e dijshëm (ulemaja) në Bosnje, gjithashtu e gjykonin dhe e ndalonin përdorimin e duhanit. Ka pasur raste kur shumë njerëz fillonin të pinin duhan duke mos ditur asgjë për të e veçanërisht për pasojat e tij të dëmshme, prandaj, kur pas përvojës së parë ndienin pakënaqësinë e pirjes, siç është edhe kundërmimi i pakëndshëm, ndonjëri shpejt pushonte së përdoruri dhe pastaj i këshillonte të tjerët që të vepronin ashtu. Ndër pirësit e parë të duhanit në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilët e kanë hedhur duhanin pas përvojës së keqe me të, ka qenë alimi ynë i shquar, Sufiu, dhe poeti nga shekulli XVII, Shejh Hasan Kimiu, i lindur në Sarajevë, vdiq në Zvornik në 1690. Ai ka përshtatur një poemë instruktive (kaside) në gjuhën tonë për dëmin e duhanit, duke parapëlqyer mësime të sinqerta, këshilla dhe lutje që njerëzit t’i shmangen përdorimit të duhanit. Nga kjo poemë shihet se ky kob është përhapur me shumicë qysh në kohën e tij. Ai duhanin e quan “punë e ligë” e cila i sjell njeriut turpin dhe kundërmimin e pakëndshëm. Vetë duhanin e quan me fjalën turke “tutun”, kurse për përdorimin e tij (pirjen) thotë ndonjëherë sipas mënyrës së të shprehurit turk “pi duhan”. Kështu, ndër të tjera, në poemën e përmendur ai u porosit bashkëqytetarëve të vet për duhanin edhe këtë:
Është punë e ligë,
Ta pish është turp,
Ngase është gjynah.
Braktisni duhanin!
Në të ka ankthe të ashpra,
Të gjitha rrobat qelben,
Çdokujt i gërditen.
Braktisni duhanin!
Edhe ne e kemi pirë,
Dhe ishim në qelbësirë,
Por si bogomilët.
Braktisni duhanin!
Një dijetar dhe shkrimtar tjetër nga shekulli XVIII (Mustafai, i biri Muhamedit, Akhisari, nga Prisci, vdiq më 1169/1755) ka shkruar një shqyrtim të vlefshëm në gjuhën arabe për kafenë, opiumin dhe duhanin.[1] Në të autori ynë parashtron mendimet e shumë mësuesve të shquar për ndalimin e duhanit, pasi ai paraqet shumë dëme të llojllojshme dhe thotë: “Të gjitha dëmet e duhanit nuk mund të njehsohen, as të shënohen”.
Mendim të tillë dijetarët eminentë të Islamit e kanë dhënë, në bazë të vrojtimeve të tyre të dëmeve të duhanit, të cilat qysh atëherë i kanë vërejtur dhe, kryesisht, i kanë prezantuar kështu: “Dobësimi i shëndetit te duhanxhiu, humbja e oreksit, çrregullimi i funksioneve të disa organeve, e veçanërisht të mëlçisë.”
Përveç kësaj kanë thënë: “Duhanxhiu përhap rreth vetes tym dhe kundërmim të pakëndshëm dhe kështu, me ndotjen e ajrit, shqetëson mjedisin e vet. Ky është shkak i mjaftueshëm për t’u gjykuar e për t’u ndaluar duhani, meqë parimi islam është: “Të mos shqetësohen njerëzit e tjerë”.
Krahas kësaj, me pirjen e duhanit prishen të hollat pa kurrfarë dobie, e vetë kjo u është ndaluar muslimanëve (haram).
Përveç parimeve dhe rregullave islame, të përmendura më herët, për ruajtjen e shëndetit dhe të pasurisë nga çdo gjë që i rrezikon e i shkatërron ata, në Islam ka edhe shumë rregulla nga të cilat mund të kuptohet dhe të konkludohet qartë se ndër gjërat dhe shprehitë e tjera të dëmshme edhe përdorimi i duhanit është i ndaluar. T’i përmendim së paku disa prej tyre, në mënyrë që qëndrimi i Islamit dhe mësuesve islamë në raport me duhanin të na bëhet më i qartë:Këto janë rregulla të përgjithshme, që na udhëzojnë të marrim një qëndrim më të mirë lidhur me këtë çështje, si dhe për shumë çështje të ngjashme që mund të na parashtrohen në jetë.
I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) i mëson njerëzit se Zoti ka lejuar çdo gjë që është e bukur dhe e shëndoshë, e ka ndaluar të gjitha gjërat që janë të shëmtuara e të dëmshme.
Se edhe duhani bie në gjërat e shëmtuara e të dëmshme të epsheve të njeriut, kuptojmë nga Kur’ani ku Zoti thotë:
“Mos ndiq pasionin tënd të ulët dhe mos iu bind atij, se ai do të të shpie në lajthitje, larg rrugës së drejtë të Allahut.” (Sa’d, 26).
“Mos ndiqni epshet dhe ëndjet e ulëta, që të mos shmangeni nga e vërteta dhe rruga e drejtë.” (Nisaë, 135).“Kush i frikësohet gjyqit të Zotit dhe e dëbon shprehinë e vet të keqe dhe epshet, vendi i tij është në xhenet.” (Naziatë, 40).
Askush nuk mund të mohojë se pirja e duhanit është kryesisht pasion dhe ëndje (kërkesë) e dëmshme.
Hadithet:
- “Askujt (as vetvetes, as tjetrit) nuk guxon t’i shkaktohet dëm!”
- “Ruhuni nga epshet dhe ëndjet e ulëta, ngase ato njeriun e bëjnë të verbër dhe të shurdhër!”
- “Lufta më e mirë është të luftosh kundër egos sate të keqe dhe ëndjeve të tua.”
Duke marrë parasysh të gjitha qëndrimet e përmendura nga mësimet islame dhe duke pasur parasysh ato që janë zbuluar deri më sot për dëmin e duhanit, dhe që kuptohet e zbulohet ende në shkencë; me siguri të plotë mund të thuhet se përdorimi i duhanit, sipas mësimit islam, është e urryer dhe i ndaluar. Kjo sidomos vlen kur mjeku specialist i rekomandon njeriut që ta lërë duhanin në interes të shëndetit të tij.[2]
Nga e gjithë kjo shihet qartë se sa kanë të drejtë dijetarët islamë (ulemaja), të cilët e kanë gjykuar dhe ndaluar përdorimin e duhanit dhe se sa janë të mëdha e të lartësuara ato rregulla e parime islame në bazë të të cilave ata kanë marrë qëndrim të këtillë dhe kanë dhënë zgjidhje të tillë. Këto rregulla dhe zgjidhje të ulemave duhen nderuar dhe zbatuar në praktikë. Me të vërtetë është dukuri e pikëllueshme që të kesh kësi rregullash përparimtare e të mëdha e të mos sillesh sipas tyre, por të pranosh sjellje dhe shprehi të dëmshme të përkundërta me këto!
Prandaj, çdo musliman që pi duhan, në realitet e vë veten në një situatë të çuditshme, tragjikomike, për të cilën do të duhet të mendojë thellë dhe të shikojë veten dhe sjelljet e tij nga aspekti i zgjuarsisë dhe i Islamit. Kur të veprojë kështu, do ta gjejë veten në një situatë të palakmueshme, një fotografi e shëmtuar, të cilën ai kurrë nuk do t’ia lejonte vetes, po të mendonte lirshëm e arsyeshëm dhe po ta shikonte këtë fotografi me sy dhe shpirt të zgjuar (vigjilent). Ky është shembulli ose fotografia e njeriut që për çdo ditë djeg nga një bankënotë para syve të tij duke u kënaqur me tymin dhe flakën e saj. Kushdo që vepron kështu, në mënyrë absurde dhe të padobishme, po shkatërron paratë e veta. Në realitet, ai me dhënien e parave për duhan, të cilin e ndez menjëherë para syve të vet, në fakt, i humb këto para sikur t’i kishte djegur drejtpërdrejt, vetëm se me pirjen e duhanit, së bashku me shkatërrimin dhe humbjen e parave, i shkakton dëme edhe shëndetit të vet. Pra, vetëdijshëm dhe vullnetarisht ai i jep të hollat e veta për diçka që ia rrezikon dhe ia helmon shëndetin. Atëherë, vallë a nuk është kjo një pozitë e çuditshme dhe e pakuptueshme e duhanxhiut, duke qenë rob i pirjes së duhanit? Kjo tregon se si njeriu ngandonjëherë është shumë i dobët dhe i paarsyeshëm kur ka të bëjë me kërkesat dhe shprehitë e tij, të cilat do të duhej t’i flakte. Për këtë duhet të kihet guxim dhe vullnet i fortë, e feja jonë e lartësuar, Islami, u jep pasuesve të vet këshilla të çmueshme dhe u mëson guximin dhe forcimin e vullnetit, që të mund t’i përballojnë të gjitha pasionet dhe vetitë e këqija, vetëm nëse sinqerisht e pranojnë këtë mësim dhe këto këshilla.
Vëlla i dashur, motër e dashur, të moshuar e të rinj, djalë, vajzë dhe djalosh!
Ti po e sheh dhe po e kupton qartë, duke lexuar ç’është parashtruar këtu, se feja jote e lartësuar, Islami, e urren dhe e ndalon pirjen e duhanit, prandaj urreje dhe braktise edhe ti dhe përmbaju fesë sate; do të jesh fatlum dhe i kënaqur gjatë gjithë jetës, ngase do të shpëtosh nga një shprehi e dëmshme, nga një kob tejet i madh. Nëse fatkeqësisht, pa vetëdije apo nga mosdija, ke rënë në këtë kob dhe ke bërë shprehi që të pish duhan, përpiqu me të gjitha forcat që të shkëputesh nga kobi dhe të braktisësh duhanin. Nuk duhet të hutohesh nga fakti se në mesin e shumë duhanxhinjve sheh mësuesin e fesë (ulemanë) dhe mjekun. Edhe ata në fillimin e pavetëdijshëm, kur nuk kanë ditur, kanë rënë në këtë shprehi e nuk munden lehtë ta braktisin, por të gjithë do të dëshironin të mos ishin duhanxhinj. Nëse ende nuk ke hyrë në këtë kob, ruaju e assesi mos e bë shprehi të pish duhan! Mos bjerë nën ndikimin e askujt; as të “miqve”, as të “shoqërisë”, e as të “modës”, të cilët do të donin të të shpinin e të të bindnin në këtë kob të dëmshëm. Nuk e ke shok të mirë, nuk e ke shoqëri të mirë, nuk është as njeri i kulturuar ai që do të ta mbushë mendjen që të pish duhan, prandaj mos bjer nën ndikimin e tyre! Nuk mund të jetë moderne ajo që është e dëmshme dhe që e shkatërron shëndetin dhe fatbardhësinë tënde.
Motoja jote e jetës le të jetë: “Duhani është i dëmshëm e i padenjë, duhanin e braktis përgjithmonë!”
Prandaj, vëlla i dashur dhe motër e dashur, kudo që të jeni përmbajuni këshillave dhe mësimeve shpëtimprurëse të fesë suaj të lartësuar - Islamit, duke qenë të vetëdijshëm se në këtë mënyrë do ta mbroni më së miri dinjitetin dhe nderin tuaj njerëzor!
Marrë nga:
Libri “Veset (Alkooli, duhani, bixhozi…)” nga Shebib bin Ali el-Hadiri & Kasim Dobrača; Përkthyer Muhamed I. Dolaku. [1] Shqyrtime të ngjashme, në të cilat ndalohet përdorimi i duhanit, gjenden në numër të madh ndër dorëshkrimet e kësaj biblioteke nga shkrimtarë të njohur e të panjohur.
[2] Një qëndrim të këtillë e ka pasur dhe e ka shënuar qartë edhe njëri nga dijetarët dhe shkrimtarët më të shquar islam, rektori i El-Ahzenit, Muhamed Sheltuti, vdiq më 1963; shih veprën e tij “El-Fetava.”
[2] Një qëndrim të këtillë e ka pasur dhe e ka shënuar qartë edhe njëri nga dijetarët dhe shkrimtarët më të shquar islam, rektori i El-Ahzenit, Muhamed Sheltuti, vdiq më 1963; shih veprën e tij “El-Fetava.”