- font size decrease font size increase font size
Zemërimi dhe shkaktarët e tij
Zemërimi dhe shkaktarët e tij
Thuhet se zemërimi është armik i arsyes, sikurse ujku që është armik i deleve. Vështirë që futet ujku në tufën deleve e të mos i vrasë ato.
Është e vërtetë se hidhërimi mund ta shpjerë personin në mëkate. Mund të shkaktoj që veprat e tij të mira të zhduken dhe të bëhen të pavlera. Mund të shkaktoj që edhe një person i cili i bindet ligjit të kryej krime.
Në të njëjtën kohë, ne mezi gjejmë një person i cili nuk zemërohet. Në të vërtetë, nëse hasim në një person i cili nuk zemërohet kurrë, ne këtë do ta shohim si një të metë e jo si një vlerë të tij.
Problemi qëndron në atë se shumica nga ne nuk dijnë se si të veprojnë kur zemërohen. Ne nuk mund të flasim mirë dhe drejt kur jemi të zemëruar. Ne nuk kemi ushtruar vetën e as fëmijët tanë se si të zemërohen dhe për çka të zemërohen. Për shkak të kësaj, kam bërë përpjekje që të sjell së bashku atë çka thonë Kurani dhe Suneti në lidhje më këtë çështje, duke ngërthyer në vete edhe këshillat e mira nga mendimtarët e ndryshëm.
Definicioni i zemërimit
Shumë dijetarë, të fushave të ndryshme, janë munduar që ta definojnë zemërimin. Formulimi i definicioneve të tyre dukshëm ndryshon, por në parim kuptimi është i njëjtë. Kuptimi themelor i zemërimit është diçka që edhe fëmijët e vegjël e kuptojnë ashtu siç e kuptojnë të rriturit, pa kurrfarë vështirësie.
Rreziku në sqarimin dhe shpjegimin e çështjeve që janë të dukshme është që shpesh kjo paraqet mjegulli, paqartësi në ato çështje që kurrë nuk kanë qenë prezente për të filluar me to. Nga kjo është pse dijetari klasik al-Menâvî ka qenë i kënaqur që të definon zemërimin sikurse: “gjendje psikologjike që instiktivisht kuptohet.”
Natyrisht, dijetarët tjerë kanë qenë më ambicioz në definimin e zemërimit dhe duhet që t’i përmendim disa mendime të tyre:
El-Kurtubi definon zemërimin në këtë mënyrë: “Gjuhësisht, nënkupton ashpërsi. Një njeri i zemëruar që ka sjellje të ashpër.” [Tefsîr el-Kurtubî (1/150)]
Zemërimi gjithashtu është definuar si: “Ndryshimi që ndodh në lidhje me rritjen e shtypjes së gjakut që të sjell një gatishmëri hakmarrëse në gjoks.” [al-Ta`rifât]. Një tjetër definicion i dhënë është që zemërimi definohet si: “dëshirë (ndjenja e të qenit të gatshëm) për ta ngacmuar tjetrin përmes asaj që shkakton zemërimin tek ai.”
Shkaktarët e zemërimit
Shumë gjëra inicojnë zemërimin. Shkaktarët janë të shumtë dhe njerëzit dallojnë në atë se çka i zemëron ata. Ajo çka një person e konsideron të vogël, të parëndësishme, e njëjta gjë mund ta shpjer një person tjetër jashtë kontrollit.
Ja disa shkatarë të zemërimit:
1. Vetëkënaqësia: Një person mund të jetë shumë i kënaqur me mendimin e tij apo shumë krenar me statusin, pasurinë apo prejardhjen e tij. Kjo mund të sjell ndjenjë të urrejtjes ndaj të tjerëve nëse vetëdija fetare e personit është e mangët. Kjo është kur vetëkënaqësia të shpie në arrogancë dhe mendjemadhësi.
Një arrogancë e tillë është mëkat i madh. Pejgamberi, paqa dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Askush nuk do të hyj në xhenet zemra e të cilit përmban mendjemadhësi sa një grimcë.” [Sahîh Muslim (91)]
Ai gjithashtu ka thënë: “Urdhëroni njëri-tjetrin në punë të mira dhe pengoni njëri-tjetrit nga punët e ndaluara, përderisa ju i shihni njerëzit duke iu dorëzuar koprracisë, duke u dhënë pas epshit dhe duke u kapur për kënaqësitë e kësaj bote – secili person tërësisht i impresionuar me mendimet e tij personale. Kur kjo të ndodhë, bëhu i kujdesëshëm për vetën tënde dhe largohu nga punët e njerëzve të zakonshëm.” [Sunen Tirmidhî (3058) dhe Sunen Ebî Dâvûd (4341) i vërtetuar nga Ibën Hibbân (385)]
Ibën Abbas ka thënë: ‘Tri veçori janë shkatërruese: mendjemadhësia, koprracia, dhe pasimi i epsheve.”
Gjeneratat e mëhershme të muslimanëve kanë qenë shumë të kujdesshëm nga vetëkënaqësia dhe kanë këshilluar njëri tjetrin për këtë gjë, shpesh në mënyrë indirekte. Salîm b. Hanzalah transmeton se ai ka qenë duke shëtitur me një grup të njerzëve të cilët ishin ngjitur pas Ubej b. Ka’b. Kur `Umeri e pa këtë gjë, ai ngriti shkopin e tij në të. `Ubeji tha: “`Umer, çka jeni duke bërë?” `Umeri tha: “ثshtë nënçmim (përulje) për ta të vijnë pas teje dhe është sprovë për ty që të përcilleni në këtë mënyrë.” [Sunen Dârimî (527)]
2. Polemika: AbdAllah b. Husejn njëherë ka thënë: “Polemika është ajo që të shpie në zemërim, dhe Allahu e turpëron mendimin që është thënë me zemërim.”
Polemika është e dënueshme në shumë mënyra. Për këtë gjë, Islami e ka ndaluar atë. Pejgamberi, paqa dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Unë mund të garantoj shtëpi në Xhenet veçanërisht për ata të cilët heqin dorë nga polemika, edhe nëse kanë të drejtë.” [Sunen Ebi Dâvûd (4800)]
3. Shakaja: Ne e dimë që personat që janë të prirur të tregojnë shumë shaka shpesh i shpiejnë gjërat shumë larg. Nganjëherë ata thonë shprehje të pakuptimta. Herave tjera, thonë gjëra që në të vërtetë lëndojnë njerëzit dhe mundohen që t’i përmirësojnë ato duke thënë se kjo është vetëm shaka.
Kjo është pse Pejgamberi, paqa dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Askush nuk duhet që të rrëmbej diç që është pronë e dikujt tjetër – as për të vërtetë madje as për shaka (argëtim).” [Sunen Tirmidhî (2160) dhe Sunen Ebî Dâvûd (5003)]
Hâlid b. Safvân njëherë foli për temën e shakasë dhe tha: “Njëherë një person goditi shokun e tij me diç më të fortë se sa guri dhe e bëri që të ketë aromë më të rëndë se sa kokrra e mustardës dhe zbrazi mbi të diç që djeg më shumë se sa një përmbajtje në kazanin e vluar, e më pas tha – Unë vetëm bëra shaka me ty.”
Halifeja `Umar b. `Abdul-`Aziz tha: “Largoju shakasë, sepse sjell atë që është e shëmtuar dhe inicon urrejtjen.”
Mejmûn b. Mehrân tha: “Nëse një bisedë hapet me shaka, do të përfundoj me ofendime dhe shpërthime.”
4. Fjalët e ndyta dhe vulgare: Ofendimet dhe kundërshtimet digjen në zemrat e njerëzve dhe inicojnë zemërimet e tyre. Pejgamberi, paqa dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu urren fjalët e ndyta (sharjet) dhe vulgare.” [Sunen Tirmidhî (2003) dhe vërtetohet nga Ibën Hibbân (5693)]
Ekzistojnë një mori shkaktarësh të zemërimit, siç janë: pabesia (tradhëtia) ndaj të tjerëve, lakmia dhe dëshira për pozitë.
Al-Gazâlî në mënyrë të mprehtë sjell një studim: “Një nga inkurajimet e mëdha për zemërim në mes të injorantëve është prirja që të përshkruajnë sjelljet zemëruese si një kurajë (guxim), burrëri, vetërespekt dhe fisnikëri.” [Ihyâ’ `Ulûm id-Dîn (3/173)]
Duke qenë të kujdesshëm nga natyra e zemërimit dhe shkatarëve të tij kjo do të na ndihmoj neve – me ndihmën e Allahut – që të mos jemi viktimë e zemërimit.
Shkroi: Shejh Najif el-Hamad
drejtues i gjykatës në rajonin Rimâh
Përktheu: BM