- font size decrease font size increase font size
Si mund të bëjmë një dasmë islame?
Si mund të bëjmë një dasmë islame?
Pyetje: Ju lutem mund të më sqaroni se si mund të bëjmë një dasmë islame, duke ditur zakonet tona dhe gjendjen ku ndodhemi? Ju lutem, n.q.s ka mundësi të më tregoni se si ka qenë dasma në kohen e Profetit alejhi selam dhe në kohen e selefëve e me pas. Allahu jua shpërbleftë!
Përgjigje: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar! Është e vërtetë se feja islame nuk ka lënë diçka e cila është preokupim i njeriut e të mos e ketë shpjeguar atë dhe prej gjërave që janë shpjeguar është dhe edukata e martesës. Profeti Muhamed salallahu alejhi ue selem, edukatori më i madh na ka mësuar dhe na ka treguar këto etika me fjalë dhe vepra, sepse edhe ai salallahu alejhi ue selem është martuar.
Por, prej gjërave që duhet të kihen parasysh në një martese islame shkurtimisht janë këto:
1. Të bëhet darkë (ose dasmë) dhe syneti është që ajo të jete tri ditë. Përcillet nga Enesi se Profeti salallahu alejhi ue selem u martua me Safijen dhe si mehër i beri lirimin e saj nga robëria dhe bëri darken (dasmën) tri dite. Kjo është transmetuar nga Ebu Ja'la me zinxhir të mirë dhe ky gjendet edhe te Buhari.
2. Të thërriten në të njerëz të mirë, të pasur e të varfër qofshin dhe dhëndri të pres një dash a më shumë. Enesi përcjell se kur Abdurrahman Bin Aufi e lajmëroi Profetin alejhi selam se ishte martuar, ai i tha: "Bëj dasmë qoftë dhe me një dash." Hadithi gjendet te Buhari. Por edhe nëse nuk ka mish në dasmë nuk ka gjë, sepse kur Profeti alejhi selam u martua me Safijen në dasmë nuk pati mish. Buhari dhe Muslimi.
3. Dasma të mos ketë vegla muzikore, sepse ato janë të ndaluara, me përjashtim të defit te gratë të cilat i bien defit dhe këndojnë me njëra-tjetrën këngë të lejuara e që përmbajnë kuptime të mira, sepse Rabij bint Muauidh ka thënë: "Erdhi Profeti alejhi selam dhe hyri në shtëpinë time ditën kur u martova dhe u ul mbi shtratin tim, ndërkohë që atje disa vajza të vogla po i binin defit e po këndonin..." Kjo gjendet tek Buhari.
Madje përcjell dhe Aishja se ajo ishte në dasmën e një grua e cila do martohej me një nga ensarët dhe Profeti alejhi selam i tha: "O Aishe! A nuk kishit def të këndonit, sepse ensarët i duan këngët". Buhari.
4. Duhet që gratë të ndahen nga burrat. Pra, çdo gjini të jetë në konak më vete, në mënyrë që të evitohen fitnet.
5. Nuk duhet të serviren harame si: pije alkoolike dhe mish të ndaluar. Alkooli është nëna e të gjithë të këqijave dhe, shyqyr Zotit, sot janë lehtësuar gjërat, sot gjejmë birra pa alkool për ata që nuk rrinë dot pa pirë, por lejohet gjithashtu që te burrat të këndohen ilahi, t'u mbahet ndonjë ligjëratë e shkurtër, të bëhet humor i lejuar, madje dhe të lozet. Edhe ne shqiptarëve këto tradita nuk na mungojnë, por ne vetëm duhet të mendojmë diçka: që dasma islame të mos duket si vdekje, por të ketë gjallëri dhe hare.
Këto janë disa gjëra të cilat duhet t'i kemi parasysh dhe të mundohemi t'i frikësohemi dhe t'i bindemi Allahut sa të kemi mundësi, duke marë parasysh dhe gjendjen e shoqërisë dhe vendit ku ne jemi duke bërë disi tolerime në disa gjera që nuk janë haram, në mënyrë që ta kemi më të lehte ta fusim serish këtë traditë të humbur në shoqëritë tona. Allahu ju dhente sukses dhe ju drejtoftë tek çdo e mirë!
Bledar Haxhiu
Burimijetes.com
29.07.2010