Namazi i duhasë

Namazi i duhasë

Pyetje: Selam alejkum shpresoj qe jeni mir dhasht zoti e gjithmon te jeni mir desha te bej nje pyetje lidhur me namazin, kam degjuar se namazi qe falet per te ber dua osht qe nga 15min pas lindjes se diellit e deri 15min para ardhejes se kohes se drekes e un qka dua te dij eshte se si te falet ky namaz pasi kam koh te lir edhe dua ta shpenzoj kohen duke u falur desha te dij gjith te mirat zoti ju shperbleft.

Përgjigje: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Namazi që kërkon pyetësi shpjegim është namazi i Duhasë ose siç quhet ndryshe dhe namazi i të penduarve. Ka marrë emrin Duha (jo dua), për faktin sepse kryhet paradite dhe paraditja në arabisht quhet Duha, pra ka marrë emrin e kohës në të cilën kryhet.

Dispozita dhe vlera e namazit Duha

Ky është një namaz synet, kur e pyetën njëherë Aishen –radijallahu anha-, se a e falte Profeti salallahu alejhi ue selem, namazin e Duhasë ajo u përgjigj: “Ai herë e falte namazin e Duhasë sikur të thoje se nuk do ta linte asnjëherë dhe herë e linte sikur të thoje se nuk do ta falte më asnjëherë”. Pra ky tekst na tregon se ky namaz është synet dhe jo detyrë.

Padyshim që namazi Duha ka vlerë të madhe. Nga vlerat e tij është se kush e fal këtë namaz është sikur ka dhënë 360 sadaka gjatë ditës. Muslimi përcjell nga nga Ebul-Esued Ed-Dejli –radijallahu anhu-, ky nga Ebu Dherri, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Secili prej jush është i obliguar të japë sadaka për çdo nyje të vetën. Çdo tesbih është sadaka, çdo tahmid është sadaka, çdo tehlil është sadaka, çdo tekbir është sadaka, të urdhëruarit për mirë është sadaka, largimi nga e keqja është sadaka, ndërsa të gjitha këto mund të kompensohen me dy rekate namaz duha”.

Falja e këtij namazi ka qenë në porosinë që Profeti salallahu alejhi ue selem, i ka thënë Ebu Hurejrës i cili ka thënë: “Më ka porositur i dashuri im me tre gjëra të cilat nuk do t'i lë sa të jem gjallë: agjërimin e tre ditëve në çdo muaj, namazin e duhasë dhe që të mos fle pa e falur vitrin”.

Koha e namazit Duha

Koha e namazit Duha, fillon me lejen e Allahut, nga momenti që dielli është ngritur sa një shtizë nga momenti i lindjes (në kohën kul falet bajrami), e deri pak para se të shkojë dielli në kupë të qiellit; pra afërsish 20-30 minuta para namazit të drekës, porse koha më e mirë është kur të fillojë që të djegë dielli.

Mënyra e faljes së namazit Duha

Namazi Duha mund të falet dy rekate, mund të falet katër, gjashtë apo tetë rekate, ai falet dy rekate dy rekate; pra në fundin e çdo dy rekateve jepet selam.

Dhe Allahu e di më së miri.

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

11.08.2008

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top