I Dërguari i Allahut dhe gjenetika

I Dërguari i Allahut dhe gjenetika

Gjithnjë në hadithet e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, gjejmë sinjale shkencore të mrekullueshme në fusha të ndryshme, ndër to është edhe gjenetika.

Në një lajm të ri shkencor, shkencëtarët thonë se një rast i rrallë ka ndodhur në Gjermani e ai është lindja e binjakëve, ku njëri prej tyre është i zi kurse tjetri i bardhë. Të dy bashkëshortët u befasuan në kryeqytetin gjerman, Berlin, kur bashkëshortja ganeze lindi binjakë, njëri i bardhë dhe tjetri i zi. Rrjeti ganez peacefmonline ka theksuar se ky është një rast rrallë, i cili ndodh një në një milion lindje. Të dy foshnjat kanë lindur nga prindi gjerman dhe nëna ganeze.

Doktoresha e nënës nga sektori obstetrik gjinekologjik në spitalin e Lichtenberg, Brigitte Weber, thotë: "Nuk mund ta besonim atë që kemi parë. Të gjithë të pranishmit në spital erdhën për t'i parë binjakët, kurse nëna herë shikonte njërin e herë tjetrin. Dr. Weber thotë: "Është e çuditshme të lindin binjakë me ngjyra plotësisht të ndryshme. Ky është rasti i parë në spitalin tonë. Kurse nëna thotë se ajo ka kaluar një kohë para se të mësonte se ç'kishte ndodhur duke shtuar se po imagjinoj veten të ulur në një vend të caktuar për lojëra kur nënat të më përshkruajnë me çmenduri kur t'u them atyre se këta dy binjakë të vegjël janë të mitë."

Pa dyshim se kush e mediton këtë lajm do të shohë një fenomen të çuditshëm. Me gjithë zhvillimin e madh mjekësor që po përjeton ky shekull, shkencëtarët akoma mbesin të paaftë para shpjegimit të një fenomeni të tillë dhe e konsiderojnë si çështje të çuditshme. Sikur të mos ekzistonin ligje të shkencës së gjenetikës, përmes të cilave shkencëtarët mund ta shpjegojnë këtë dukuri, çështja do t'i ngjante një mrekullie.

Ekzistojnë shumë fenomene të çuditshme përreth nesh. Ashtu siç kemi parë një foshnje të lindur me ngjyrë të zezë duke pasur parasysh se prindërit e saj ishin me ngjyrë të bardhë, edhe e kundërta mund të ndodhë ndonjëherë. Sa herë kemi parë fëmijë që lindin e nuk iu përngjajnë asnjërit prind. Kur shkencëtarët zbuluan ligjet e gjenetikës, është sqaruar realiteti i çështjes. 

Gjithashtu, është sqaruar se çdo qelizë prej qelizave të njeriut përmban një numër të madh gjenesh që bashkëveprojnë, ndryshojnë dhe mbarten nga një brez në tjetrin. Për rrjedhim, mund të shohim dy prindër me ngjyrë të bardhë, mirëpo ndonjë i afërm i tyre mund të jetë me ngjyrë të zezë, është e mundshme që ata të lindin një foshnje të zezë (mundësia është e vogël, mirëpo mund të ndodhë). Fakti që na intereson këtu është se rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në kohën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të. A thua si e trajtoi Profeti i mëshirës atë rast? Si i korrigjonte besimet e gabuara? Si i ndriçonte mendjet dhe jepte sinjale rreth shkencës së gjenetikës.

Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi se një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe i tha: "O i Dërguar i Allahut! Bashkëshortja ime lindi foshnje të zezë.
Tha Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të: “A posedon deve? Tha:“Po”.
Tha Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të:“Çfarë ngjyre kanë ato?” 
Tha: “Të kuqe.”
Tha Pejgamberi, paqja e Allahut qoftë mbi të:“A ke ngjyrë dheu (kafeje)”.
Tha: “Po, ka si kjo ngjyrë. E si mund të ndodhë kjo", pyeti i Dërguari i Allahut? Burri i tha: “Ka mundësi ta ketë kapur ndonjë gjen." I Dërguari i tha: “Me siguri edhe këtë e ka kapur ndonjë gjen”!

Të dashurit e mi! Shikoni se si i Dërguari i Allahut, nuk habitej nga kjo çështje dhe e largoi dyshimin nga burri. Logjika e atëhershme obligonte se çdo femër e cila lind fëmijë që dallon nga vëllezërit dhe prindërit e tij, të akuzohej për amoralitet dhe kjo gjë shkaktonte shumë probleme dhe çrregullime. 

Sikur i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, të donte reputacion, afërsinë e njerëzve dhe këtë botë, do të pajtohej me mendimin e tij, mirëpo ai sinjalizoi mundësinë e ndodhjes së kësaj çështjeje dhe i solli shembull devenë se si deveja e kuqe mund të lindë një deve me ngjyrë kafeje.

Këto lajme shkencore nuk duhet të na kalojnë pa kujtuar një ajet ose hadith. Kështu duhet të jetë gjendja e besimtarit, gjendje përkujtimi dhe meditimi të vazhdueshëm. Përkujtimi nuk është thjesht vetëm ta lavdërojmë, falënderojmë ose madhërojmë Allahun e Lartësuar, por ekziston edhe një përkujtim i llojit tjetër. Sa herë që shohim një ndodhi, fenomen ose lajm shkencor, gjithnjë duhet të kujtojmë Fuqinë e Allahut të Lartësuar dhe urtësinë e Tij. Kështu është gjendja e besimtarit. Ne duhet ta falënderojmë Allahun e Madhërishëm kur shohim këto dukuri, ashtu siç na ka mësuar Allahu i Gjithëdijshëm kur thotë: "Dhe thuaj: “Falënderimi qoftë për Allahun, Ai do t’jua tregojë shenjat e Tij e ju do t’i njihni ato!” E Zoti yt, nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që bëni ju."(Neml, 93).

Përktheu: Almedin Ejupi

KlubiKulturor

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top