- font size decrease font size increase font size
EL‑BERRAU IBNU MALIK EL‑ENSARIJ
EL‑BERRAU IBNU MALIK EL‑ENSARIJ
“Mos e caktoni el‑Berran në krye të ushtrisë muslimane, nga frika se ai do t’i marrë në qafë ushtarët muslimanë për shkak të guximit të tij!”
Omer ibnul Hattabi
Ishte flokëshprishur, trupvogël e thatanik. Në shikim të parë syri e shikon me përbuzje dhe neveri.
Mirëpo, megjithatë, ai i mbyti njëqind pabesimtarë vetëm në dyluftim, përveç të tjerëve që ka mbytur në hovin e luftës me luftëtarët e tjerë.
Ai ishte trimi i guximshëm për të cilin Omeri u kishte shkruar mëkëmbësve të vet në të gjitha anët që mos ta caktojnë në krye të ushtrisë muslimane, për shkak të frikës se ai do t’i marrë në qafë ushtarët për shkak të guximit të tij.
Ai është el‑Berra ibnu Malik el‑Ensarij, vëllai i Enes ibnu Malik el‑Ensariut, shërbëtorit të Pejgamberit a.s.
Nëse ia nisim t’i numërojnë heroizmat e el‑Berra ibnu Malikut, lypset një kohë e gjatë dhe hapësirë e gjerë. Për këtë e shohim të arsyeshme që të përmendim këtu vetëm njërin prej heroizmave të tij të shumtë dhe kjo të rrëfen edhe për trimëritë e tij të tjera.
* * *
Kjo ngjarje fillon në çastet e para të vdekjes së Pejgamberit a.s. dhe ngritjes së shpirtit të tij te Krijuesi i tij. Atëherë kur fiset arabe nisën ta braktisin fenë e Allahut xh.sh. grupe‑grupe, ashtu sikurse kishin hyrë në të grupe‑grupe, saqë nuk mbetën në fenë islame vetëm banorët e Mekës, Medinës, Taifit dhe disa grupe aty ‑këtu, në zemrat e të cilëve Allahu xh.sh. e kishte ngulitur besimin.
* * *
Ebu Bekr Es‑Siddiku iu kundërvu kësaj kryengritjeje shkatërruese dhe qëndroi para saj si malet. Për shuarjen e saj ai përgatiti njëmbëdhjetë ushtri prej ensarëve dhe muhaxhi-rëve. Komandantëve të ushtrive ua dha njëmbëdhjetë flamuj dhe i dërgoi në anë të ndryshme të Gadishullit Arabik që t’i kthejnë renegatët në rrugën e drejtë dhe të vërtetë e t’i detyrojnë devijuesit të kthehen në rrugën e vërtetë islame edhe me përdorimin e shpatës.
Tradhtari më i fuqishëm dhe me numër më të madh ithtarësh ishte Musejlemetul Kedhabi nga fisi benu Hanife.
Nga gjiri i popullit dhe i aleatëve të tjerë Musejleme pati sukses të tubojë rreth vetes dyzet mijë luftëtarë të rreptë.
Ata e kishin përkrahur për shkak të lidhjeve fisnore e jo për shkak të besimit në të. Disa prej tyre thoshnin:
Dëshmoj se Musejlemeja është gënjeshtar,
ndërsa Muhammedi është i sinqertë,
mirëpo, gënjeshtari i Rebias,
është më i dashur për ne se i sinqerti i Mudarit.
* * *
Musejlemeja kishte ngadhënjyer kundër ushtrisë së parë të muslimanëve nën udhëheqjen e Ikreme ibnu ebi Xhehlit dhe e kishte detyruar atë të zmbrapset.
Për këtë Ebu Bekr Es‑sidiku u detyrua të dërgojë ushtrinë e dytë nën udhëheqjen e Halid bin Velidit, në përbërjen e së cilës ishte një numër i madh i sahabëve të Pejgamberit a.s. prej ensarëve dhe muhaxhirëve. Në krye të tyre ishte el‑Berrau ibnu Malik el‑Ensari dhe një numër i trimave muslimanë.
* * *
Dy ushtritë u takuan në tokën e Jemames në Nexhd. Pas një kohe fare të shkurtër, ushtria e Musejlemes tregoi epërsi të dukshme ndaj ushtrisë muslimane. Ushtarët muslimanë filluan të tërhiqen nga pozitat e tyre, derisa ithtarët e Musejlemes e morën tendën e madhe të Halid bin Velidit dhe e nxorën atë me themel. Në atë rrëmujë gati sa nuk mbytën edhe gruan e tij, sikur të mos e merrte nën mbrojtje njëri prej palës kundërshtare.
Në atë moment muslimanët e hetuan se u kanoset rreziku i madh dhe e kuptuan se, nëse ata pësojnë disfatë para Musejlemes, Islami më nuk do të mëkëmbet pas kësaj dite dhe Allahu i Vetëm nuk do të adhurohet më në Gadishullin Arabik.
Halid ibnu Velidi pa humbur kohë u ngrit dhe bëri riorganizimin e ushtrisë së tij. I dalloi muhaxhirët nga ensa-rët, ndërkaq fiset nomade arabe i ndau veç e veç.
I tuboi bijtë e çdo babai nën një flamur me qëllim që të shohë rezultatet e secilës palë në luftë dhe se prej cilës anë po goditen muslimanët.
* * *
Në mes të dy palëve u zhvillua një luftë e ashpër, të cilën muslimanët nuk e kishin përjetuar më parë. Populli i Musejlemes qëndroi në fushë të betejës sikurse malet e larta dhe nuk i frikësoi aspak e dhëna se në mesin e tyre kishte shumë të vrarë. Në atë luftë muslimanët treguan heroizëm të paparë dhe sikur të tuboheshin të gjitha ato heroizma, do të ishte njëra prej epopeve më të bukura në historinë e njerëzimit.
Ky është Thabit ibnu Kajsi, mbartës i flamurit të ensarë-ve, njeri që përgatitet për vdekje, pret qefinin dhe ia hap vetes një gropë në tokë, zbret në të deri nën gju dhe qëndron në pozitën e tij duke e mbrojtur flamurin e popullit të vet derisa bie dëshmor.
Ky është Zejd ibnul Hattabi, vëllai i Omer ibnul Hattabit r.a. duke u bërë thirrje muslimanëve:
- O ju njerëz, shtrëngoni dhëmbët, sulmoni armikun tuaj dhe shkoni përpara!
O ju njerëz, betohem në Allahun se nuk do të flas më pas kësaj fjale, asnjëherë, derisa të pësojë disfatë Musejle-meja apo unë ta takoj Allahun dhe t’ia paraqes Atij faktet e mia.
Pas kësaj e sulmoi armikun me tërë fuqinë dhe luftoi derisa ra dëshmor.
Ky është Salimi, robi i Ebu Hudhejfes, e mban flamurin e muhaxhirëve dhe populli i tij ia ka frikën se mos do të dobësohet apo do të luhatet dhe i thotë:
- Ne kemi frikë se mos do të kalojmë ty. Kurse ai u përgjigj: “Nëse më kaloni mua, sa mbartës i keq i Kur’anit jam unë!”
Pastaj u vërsul mbi armiqtë e Allahut derisa u plagos rëndë.
Mirëpo, heroizmat e të gjithëve janë të vogla në krahasim me heroizmin e el‑Berrau ibnu Malikut r.a.
Halid ibnul Velidi kur pa se zjarri i luftës sa vinte e bëhej më i nxehtë, iu drejtua el‑Berra ibnu Malikut dhe i tha:
- Shko tek ata, o djalosh i ensarëve!
El‑Berrau iu drejtua popullit të vet me këto fjalë:
- O popull i ensarëve, mos të mendojë askush prej jush se do të kthehet në Medinë. Nuk ka Medinë për ju pas sotit! Ekziston vetëm Allahu i Madhërishëm e pastaj xheneti!”
Pastaj u vërsul si vetëtima mbi pabesimtarët e me të u vërsul edhe populli i tij. Si vetëtima i shpërthente radhët dhe me shpatën e tij të mprehtë i prente qafat e armiqve të Allahut, derisa u lëkund dheu nën këmbët e Musejlemes dhe ithtarëve të tij, prandaj kërkuan shpëtim në kopshtin, që u njoh në histori më vonë me emrin “Kopshti i vdekjes”, për shkak të numrit të madh të të vdekurve në të atë ditë.
* * *
Kopshti i vdekjes ishte i gjerë dhe me mure të larta. Musejlemeja dhe disa mijëra ushtarë të tij hynë brenda, i mbyllën dyert e kopshtit dhe mbroheshin në sajë të mureve të tij të larta. Pastaj filluan t’i gjuajnë muslimanët me shigjeta, të cilat binin sikurse shiu.
Në këtë situatë pa shtegdalje u paraqit heroi dhe trimi i muslimanëve El‑Berrau ibnu Maliku dhe tha:
- O popull, më vëni mua në një mburojë dhe çojeni lartë mburojen me shigjeta e pastaj më gjuani në kopsht afër derës. Ose do të bie dëshmor ose do t’ua hap derën juve që të hyni brenda.
* * *
Sa çel e mbyll sytë, el‑Berra ibnu Malik u ul në mburojë. Ishte thatanik dhe i lehtë. Për një çast e ngritën atë dhjetëra shigjeta dhe e hodhën në kopshtin e vdekjes, në mesin e disa mijëra ushtarëve të Musejlemes. Ai zbriti mbi ta sikurse rrufeja. Luftoi me ata para derës së kopshtit me shpatën e tij derisa i mbyti dhjetë prej tyre dhe e hapi derën, e në trupin e tij kishte mbi tetëdhjetë plagë prej gjuajtjeve me shigjeta apo nga të rënat me shpatë. Muslimanët menjëherë vërshuan si bletët në kopshtin e vdekjes nga muret apo dyert e tij dhe i shtinë në veprim shpatat e tyre në qafat e tradhtarëve, të cilët ishin të mbrojtur nga muret e larta të kopshtit, derisa i vranë afër njëzet mijë veta dhe arritën deri te Musejlemeja dhe e mbytën edhe atë.
* * *
El‑Berranë e morën shokët e tij dhe e dërguan te tenda e vet që të shërohet nga plagët e marra. Halid ibnul Velidi ia shëroi plagët për afro një muaj, derisa Allahu e shëroi dhe ua mundësoi muslimanëve fitoren nga duart e tij.
* * *
El‑Berra ibnu Malik el‑Ensariju vazhdoi të kërkojë rastin të bjerë dëshmor, rast ky i cili nuk iu dha në kopshtin e vdekjes.
Ai vazhdoi të marrë pjesë në të gjitha luftërat, njëra pas tjetrës, duke dëshiruar ta realizojë dëshirën e tij të madhe për t’u takuar me Pejgamberin e tij fisnik, deri kur erdhi dita e çlirimit të Tusterit, një vend në Persi. Persianët ishin strehuar në një kështjellë të lartë. Muslimanët e rrethuan kështjellën nga të gjitha anët, por meqenëse rrethimi vazhdoi një kohë të gjatë, persianët u gjetën në pozitë të palakmue-shme, kështu që filluan të lëshojnë zinxhirë të hekurt prej mureve të kështjellës, në të cilët ishin lidhur çengele të çeliktë, të nxehura në zjarr, të cilat nguleshin në trupat e muslimanëve, pastaj i ngritnin ata ose të vdekur ose para vdekjes.
Një çengel i tillë kishte kapur Enes ibnu Malikun, vëllanë e el‑Berrau ibnu Malikut. Posa e pa, el‑Berrau kërceu në murin e kështjellës, e kapi zinxhirin, i cili e çonte vëllanë lart, dhe filloi ta heqë çengelin prej trupit të tij. Ndërkohë dora e tij filloi të digjet dhe të nxjerrë tym, mirëpo ai nuk e ndjeu dhembjen e dorës së vet derisa e shpëtoi vëllanë nga vdekja e sigurtë. Ra në tokë, pasi dora e tij kishte mbetur vetëm kockë, sepse mishi i ishte djegur.
Në këtë luftë el‑Berrau e luti Allahun xh.sh. që të bjerë shehid dhe Allahu xh.sh. iu përgjigj lutjes së tij, sepse në përfundim të luftës ai ra shehid, i gëzuar nga takimi i tij me Allahun e Madhërishëm.
* * *
Allahu xh.sh. e zbukuroftë fytyrën e el‑Berra ibnu Malikut në xhenet dhe le ta kënaqë në shoqërinë e Muhammedit a.s!
Abdurr Rrahman Rafet El Basha
Përktheu: Qemal Morina