EBU UBEJDE IBNUL XHERRAHU

ebu ubejde ibnul xherrahu

EBU UBEJDE IBNUL XHERRAHU

“Secili popull ka besnikun e vet, e besniku i këtij populli është Ebu Ubejde.”

Muhammedi a.s.

Ebu Ubejde ishte një burrë me fytyrë të pastër, pamje të bu­kur, shtathedhur, i gjatë e shpatullgjërë. Syri gëzohej me pamjen e tij, shpirti kënaqej dhe zemra qetësohej në takimin me të.

Përveç këtyre, ai kishte sjellje të mirë. Ishte modest dhe i turp­shëm. Mirëpo, nëse ashpërsohej situata dhe e kërkonte momenti, ai bëhej si luani.

Ai i përngjante tehut të shpatës në shkëlqimin e bukurisë së saj si dhe në ashpërsinë e të rënave të saj.

Ky pra është besniku i umetit të Muhammedit a.s., Amr ibnu Abdullah ibnul Xherrah El‑Fihri El‑Kureshi, i njohur me ofiqin Ebu Ubejde.

Abdullah ibnu Omeri r.a. e përshkroi atë e tha: Tre vetë nga kurejshitët janë me fytyra më të bukura, me moral më të lartë dhe janë më të turpshmit; kur të flasin, nuk të gënjejnë dhe nëse ti u flet, nuk të përgënjeshtrojnë: Ebu Bekr Es‑Sidiku, Osman ibnu Affani dhe Ebu Ubejde ibnul Xherrahu.

Ebu Ubejde ishte prej të parëve që pranoi fenë islame. Ai e pranoi Islamin në ditën e dytë, menjëherë pas Ebu Bekrit. Fenë islame e pranoi nëpërmjet duarve të vetë Ebu Bekër Es‑Sidikut. Pastaj së bashku me të, Abdurrahman ibnu Avfin, Othman ibnu Ma­dh’unin dhe El‑Erkam ibnul Ebi Erkamin shkuan te Pejgamberi a.s. dhe para tij e shqiptuan dëshminë e së vërtetës. Këta ishin shtyllat e para në të cilat u sendërtua kështjella e fortë e Islamit.

*  *  *

Ebu Ubejde e përjetoi përvojën e jetës së hidhur të muslimanëve në Mekë, prej fillimit deri në përfundimin e saj. Së bashku me muslimanët e tjerë, ai i përjetoi të gjitha peripecitë, vuajtjet, mun­dimet dhe pikëllimet, të cilat nuk i përjetoi asnjë ithtar i ndonjë fe­je tjetër në sipërfaqen e tokës, por megjithatë ata u mbeti bes­nikë parimeve islame.

Mirëpo, sprovimi i Ebu Ubejdes në ditën e Bedrit, me vrazhdësinë e vet tejkaloi çdo parashikim dhe çdo imagjinatë.

*  *  *

Ditën e Bedrit, Ebu Ubejde u vërsul në mesin e radhëve të ar­mi­kut pa pasur frikë fare. Madje, armiqtë ia kishin frikën atij. Çante radhët e tyre pa e pasur frikë vdekjen. Prandaj i ruheshin kalorësit kurejshitë dhe i shmangeshin ballafaqimit me të.

Mirëpo, vetëm një njeri e përcillte Ebu Ubejden si hije. I dilte për­para në çdo anë. Por, Ebu Ubejde ia lëshonte rrugën dhe nuk e dëshironte ballafaqimin me të.

Edhe pse ky njeri i shpeshtoi sulmet e njëpasnjë­shme, megji­tha­të Ebu Ubejde i shmangej sa ishte e mundur takimit me të. Por, më në fund, ai ia mbylli të gjitha rrugët Ebu Ubejdes dhe e pengonte për t’i luftuar armiqtë e Allahut.

Dhe më në fund, kur e shpenzoi tërë durimin, nuk i mbe­ti tjetër veçse t’ia prejë kokën me shpatë, të cilën ia ndau në dy pjesë dhe njeriu ra i vdekur para tij.

Lexues i nderuar, mos u mundo të vrasësh mendjen se kush mund të jetë njeriu i vdekur!

A nuk të thashë se sfida e shëmtuar tejkaloi çdo para-shikim dhe kapërceu çdo imagjinatë?

Ndoshta do të të duket e pabesueshme kur të kuptosh se njeriu i vdekur ishte Abdullah ibnul Xherrahu, babai i Ebu Ubejdes.

Ebu Ubejde nuk vrau babanë e vet, por ai politeiz­min, mosbesimin në personalitetin e babait të tij.

Rreth çështjes së Ebu Ubejdes dhe babait të tij, Allahu xh. sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:

“Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre e tyre, ose të bijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin dhe e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe ata do t’i shpjerë në xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty janë përgjithmonë. Allahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Të tillët janë palë (grup) e Allahut. Ta dini, pra, se ithtarët e Allahut janë ata të shpëtuarit”. (58:22)

Ky veprim i Ebu Ubejdes nuk na habit, sepse fuqia e besimit të tij në Allahun, sinqeriteti ndaj fesë dhe besnikëria ndaj umetit të Muhammedit kishin arritur kulminacionin e tyre.

Muhammed ibnu Xhaferi rrëfen e thotë:

- Erdhi një delegacion i krishterë te Pejgamberi a.s. e i thanë: “O Ebul Kasim! Dërgoje me ne njërin prej sahabëve të tu më të afërt të gjykojë mes nesh për disa konteste të ndarjes së pasurisë sonë, të cilat nuk mundëm t’i zgjidhim vetë. Ju muslimanët te ne keni respekt të veçantë.”

Pejgamberi a.s. iu tha:

- Ejani tek unë në mesditë e unë do ta dërgoj me ju një njeri të fuqishëm dhe besnik.

Omeri r.a. thotë:

- Shkova herët për ta falur nama­zin e drekës. Asnjëherë nuk e kam dashur postin më shumë se atë ditë, duke shpresuar të kem fatin të jem i zoti i atij atributi.

Pejgamberi a.s. posa e fali me ne namazin e drekës, filloi të shi­kojë djathtas e majtas. Unë ngritesha sa mundesha që t’i bija në sy. Pejgamberi a.s. vazhdoi ashtu ta hedhë shikimin e tij në mesin to­në, derisa pa Ebu Ubejde ibnul Xherrahun, të cilin e thirri e i tha:

- Shko me këta dhe gjyko në mes tyre me drejtësi rreth kontes­te­ve të tyre. Atëherë unë thashë me vete: E mori atë nder Ebu Ubejde!

Ebu Ubejde nuk shquhej vetëm me besnikëri, por tek ai bashko­hej fuqia dhe besnikëria. Kjo fuqi u manifestua në shumë ras­te.

Ajo u manifestua ditën kur Pejgamberi a.s. dërgoi një grup prej sahabëve të tij për t’i dalë në rrugë një karvani të kurejshitëve dhe për udhëheqës të grupit caktoi Ebu Ubejden r.a. Pejgamberi a.s. iu dha me vete një tarkuçe me hurma, sepse nuk kishte pasur asgjë tjetër. Ebu Ubejde ua jepte secilit prej sahabëve të tij çdo ditë nga një hurmë dhe çdonjëri prej tyre e thithte ashtu sikur­se e thith foshnja gjirin e nënës. Pastaj pinin ujë dhe kështu kjo u mjaf­tonte tërë ditën deri në mbrëmje.

*  *  *

Ndërsa ditën e betejës në Uhud, atëherë kur muslimanët u mun­dën dhe njëri nga idhujtarët filloi të çirrej:

- Më tregoni se ku është Muhammedi... Më tregoni se ku është Muhammedi...

Ebu Ubejde ishte njëri nga dhjetë personat të cilët e kishin rre­thuar Pejgamberin a.s. dhe e mbronin me kraharorët e tyre, të cilët i kishin drejtuar kah shigjetat e pabesimtarë-ve.

Kur mbaroi beteja, Pejgamberit a.s. i ishin thyer dy dhëmbët e përparshëm, i ishte lënduar balli, ndërsa dy hallka të parzmës së tij i kishin hyrë në mollëzat e syrit. Ebu Bekri deshi t’ia nxjerrë ato nga mollëzat, por kur e vërejti këtë Ebu Ubejde i tha: - Pashë Allahun ma lë mua këtë punë! Ebu Bekri ia la. Ebu Ubejde u frikësua se, nëse ia nxjerr hallkat me dorë, Pejgamberi a.s. do të ndiejë dhembje. Prandaj ia kaf-shoi të parën me tërë fuqinë me dhëmbët e përparshëm dhe e nxori, por i ra edhe dhëmbi i tij.

Pastaj e kafshoi të dytën me dhëmbin e tij të dytë, e nxori atë, por me të i ra edhe dhëmbi tjetër.

Lidhur me këtë, Ebu Bekri thotë: - Ebu Ubejde ishte prej njerëz­ve më të pashëm pa dhëmbët e përparmë.

*  *  *

Ebu Ubejde së bashku me të Dërguarin e Allahut mori pjesë në të gjitha betejat, prej fillimit të shoqërimit me të e derisa vdiq.

Me rastin e zgjedhjes së Ebu Bekrit si halife të muslimanëve në “Sekif”, Omer ibnul Hattabi i tha Ebu Ubejdes:

Shtrije dorën të të pranoj ty si halife, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: ”Secili ka besnikun e vet, e ti je besniku i këtij umeti.”

Ebu Ubejde u përgjigj:

- Nuk mund t’i dal para atij njeriu të cilin e urdhëroi Pejgam­beri a.s. të na prijë neve në namaz dhe ne u falëm pas tij derisa i Dërguari i Allahut ishte gjallë.

Pasi Ebu Bekri u zgjodh halife i muslimanëve, Ebu Ubej­de ishte njëri prej këshilltarëve dhe ndihmësve të tij me të afërt dhe më të sinqertë në vërtetësi dhe ndihmës i pakursyeshëm në mirësi.

Pas Ebu Bekrit, halifati iu besua Omer ibnul Hattabit, të cilit gji­thashtu iu bind Ebu Ubejde dhe asnjëherë nuk e kundërshtoi, për­veç në një rast.

A e di se për cilën çështje nuk e dëgjoi Ebu Ubejde halifen e muslimanëve?

Ai nuk e dëgjoi atëherë kur ndodhej në Sham në krye të ushtrisë muslimane, të cilën e udhëhiqte prej fitores në fit-ore, derisa nën komandën e tij u çlirua i tërë Shami dhe arriti deri te lumi Eufrat, në lindje dhe Azinë e Vogël, në veri.

Në atë kohë, në Sham, ishte përhapur me të madhe sëmundja e ko­lerës, saqë nuk mbahej në mend që ndonjëherë të kishin vdekur aq shumë njerëz.

Halifeja i muslimanëve ‑ Omer ibnul Hattabi, nga frika se nga kjo sëmundje mund ta pësojë edhe Ebu Ubejde, nxitoi dhe e dërgoi një emisar tek ai me një mesazh në të cilin thuhej:

- “Unë kam nevojë të madhe për ty, për çka nuk mund të të  zë­ven­­dësojë askush. Nëse të mbërrin mesazhi im natën, kërkoj prej teje që mëngjesi të të gjejë tek unë. E nëse letra ime të arrin ditën, kërkoj prej teje që mbrëmja të të gjejë tek unë.”

Posa e lexoi Ebu Ubejde letrën e halifit, tha:

- E kuptova nevojën e prijësit të muslimanëve për mua. Ai dë­shi­ron ta mbajë në jetë atë që nuk mund të mbahet. Pastaj iu përgjigj letrës së tij me këtë fjalë:

“O prijës i muslimanëve! Unë e kuptova nevojën tënde për mua. Unë gjendem në mesin e ushtrisë muslimane dhe jam njëri prej ushtarëve të saj. Nuk dëshiroj ta ruaj vetveten prej asaj që mund t’u ndodhë atyre.

Nuk dëshiroj të ndahem prej tyre, derisa Allahu ta çojë në vend urdhrin e Vet për mua dhe për të tjerët.

Kur të arrijë letra ime, më lejo të mbetem këtu ku jam!”

Posa i arriti Omerit letra e Ebu Ubejdes, e lexoi me një frymë e pastaj qau derisa iu enjtën sytë. Disa nga sahabët që ishin të pranishëm, kur panë mallëngjimin e tij të madh, e pyetën:

- Mos ka vdekur Ebu Ubejde, o prijës i besimtarëve?”

Omeri iu përgjigj:

- Jo. Mirëpo, ai është në prag të saj.

Supozimi i Omerit nuk ishte larg. Nuk shkoi pak kohë dhe Ebu Ubejde u sëmur nga kolera. Kur vërejti se i ishte afruar vdekja, i porositi ushtarët e tij me këto fjalë:

- Unë ua lë një porosi, nëse i përmbaheni, do të jeni mirë:

Faleni namazin, agjërojeni muajin e Ramazanit, jepni sada­ka­në, bëni haxhin dhe umren, këshilloni njëri‑tjetrin në mirësi, dë­gjoni prijësat tuaj e mos i tradhtoni. Kini kujdes të mos iu mash­tro­jë dynjaja, sepse njeriu, sikur të jetojë edhe një mijë vjet, patjetër do të vijë në këtë gjendje në të cilën më shihni mua.

Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin me ju!

Pastaj u drejtua kah Muadh ibnu Xhebeli e i tha: -O Muadh, priju njerëzve në namaz!

Nuk vonoi e shpirti i tij i pastër u shpërngul në ahiret. Pastaj u ngrit Muadhi dhe tha:

- O njerëz: Ju jeni të pikëlluar me humbjen e këtij njeriu. Betohem në Allahun, nuk di të kem kam parë njeri më zemërmirë e më të largët nga veprat e këqija, e as më këshilldhënës të mirë për të gjithë. Lutuni për të, Allahu ju mëshiroftë!


Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top