ZEJDUL HAJRI

zejdul_hajri mesoislamin.com

ZEJDUL HAJRI

“Ti ke dy cilësi, të cilat i do Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij: durimin dhe shpirtmadhësinë.”

Muhammedi a.s.

Njerëzit janë me karaktere të ndryshme. Ata që ishin më të zgje­dhurit në kohën e injorancës janë më të zgjedhurit edhe në Islam.

Ja, po të sjellim dy pamje të një sahabi fisnik. E para për­shkru­an vrazhdësinë e injorancës, ndërsa e dyta përshkruan butësinë e Islamit.

Ky sahabij është “Zejdul Hajl” (Zejdi i kuajve), siç e quanin nje­rë­zit në kohën e injorancës dhe “Zejdul Hajr” (Zejdi i mirësisë), ash­tu siç e quajti Pejgamberi a.s. pas kalimit të tij në Fenë Islame.

Pamjen e parë e gjejmë në librat e letërsisë, në të cilat shkruhet:

Shejbaniu transmeton nga një plak i fisit Beni Amir, i cili kishte thënë:

- Ishte një vit i thatë, gjatë të cilit u dogjën të lashtat e ngor­dhën shtazët, dhe një njeri prej nesh me tërë familjen e vet shkoi në El Hire[1], i la aty dhe u tha:

“Pritni këtu derisa të kthehem përsëri.”

Pastaj u betua se nuk do të kthehet derisa të bëhet i pasur apo të vdesë.

Mori pak ushqim me vete dhe udhëtoi tërë ditën derisa ra nata. Para tij gjeti një tendë, afër së cilës ishte një gomar i lodhur, dhe tha me vete:

“Kjo është plaçka e parë.” U nis në drejtim të tij, filloi ta zgjidhë, por kur deshi të hipë mbi të dëgjoi një zë duke thirur: Lëre atë e shpëtoje vetveten!” E la gomarin dhe shkoi.

Pastaj udhëtoi shtatë ditë rresht deri në një vend pushimi për deve, e aty afër ishte një tendë e madhe me një kupolë prej lëkure, e cila jepte shenjë për pasuri dhe begati, dhe njeriu tha me vete:

“Në këtë vend patjetër duhet të ketë deve dhe në këtë tendë patjetër duhet të ketë njerëz.”

Pastaj iu afrua tendës ‑ pak para perëndimit të diellit ‑ dhe në të gjeti një plak të lodhur. U ul prapa tij e plaku nuk e hetoi fare.

Nuk kaloi shumë kohë dhe perëndoi dielli e aty arriti një kalo­rës i fuqishëm, hipur në një kalë të lartë e rreth tij ishin dy robër që shkonin në të majtë dhe në të djathtë dhe me të afër njëqind deve, të cilave u printe një deve e madhe. Aty ra deveja e madhe dhe rreth saj ranë edhe të tjerat.

- Mile këtë, - i tha kalorësi njërit prej robërve të vet, duke i dhë­në shenjë për njërën nga devet e majme, - dhe jepi të pijë qumësht pla­kut.

Ai e moli atë, derisa u mbush ena, ia ofroi para duarve të pla­kut dhe u largua pak. Plaku piu një gëllënjkë apo dy e pastaj e la. Atëherë iu afrova plakut fshehtasi, ia mora enën dhe e piva tërë qu­mështin e mbetur. Robi u kthye, e mori enën dhe tha:

- O Zotëriu im, plaku e piu të tërë qumështin, kalorësi u gëzua për së tepërmi dhe tha:

- Mile këtë, - duke i dhënë shenjë për një deve tjetër. Përsëri e la enën para duarve të plakut. Robi e zbatoi urdhrin e zotëriut të vet. Plaku e piu përsëri një gëllënjkë dhe e la. Unë mora dhe e piva gjysmën e qumështit. Nuk desha ta pijë të tërin që të mos ngjallja dyshim te kalorësi.

Pas kësaj, kalorësi e urdhëroi robin tjetër që të prejë një dele. Kalorësi u çua, vetë ia pjeku delen plakut dhe e ushqeu me duart e veta derisa ai u ngop, dhe atëherë nisi të hajë ai dhe dy robërit e tij.

Nuk kaloi shumë dhe të gjithë shkuan të flejnë nëpër shtretërit e tyre dhe i zuri një gjumë i thellë.

Atëherë u drejtova te deveja kryesore, e zgjidha, i hipa dhe pas saj u nisën edhe devetë e tjera dhe kështu vazhdova udhëtimin të­rë natën. Kur agoi mëngjesi, shikova në të gjitha anët dhe nuk vërej­ta se më përcillte kush. Kështu vazhdova derisa u erdhi mesdita.

Nuk kaloi shumë kohë dhe, posa u ktheva anash, pashë diçka që i përngjante shqiponjës apo një shpendi të madh. Kur u afrua pranë meje, vërejta se ai ishte një kalorës hipur në kalin e tij dhe vazh­donte të vinte kah unë derisa më në fund vërejta se ai ishte kalorësi, që kërkonte devetë e tij.

Atëherë e lidha devenë, nxora një shigjetë prej strajcës dhe e vura në hark. Devetë i lashë prapa meje. Kalorësi qëndronte larg meje dhe më tha:

- Zgjidhe frerin e devesë!

Unë ia ktheva:

- Assesi. Ka ditë që kam lënë disa gra të uritura në “El‑Hire” dhe jam betuar se do të kthehem tek ato vetëm atëherë kur të grumbulloj pasuri, ase i vdekur.”

Ai më tha:

- Atëherë, ti je i vdekur. Zgjidhe frerin e devesë!

Unë ia ktheva:

- Nuk do ta zgjidhi.

Ai përsëri më tha:

- Medet për ty. Ti je i mashtruar.

Pastaj tha:

- Më trego mua lidhjen e devesë. Nyjet ishin tri. Pastaj më pyeti se në cilën prej nyjeve dëshiroj ta hidhte shigjetën. I dhashë shenjë në të mesmen. E hodhi shigjetën dhe ia qëlloi asaj sikur ta kishte lidhur me dorën e vet. Pastaj e qëlloi të dytën dhe të tretën. Atëherë nuk më mbeti tjetër vetëm ta kthej shigjetën në strajcën time dhe qëndrova para tij i dorëzuar. U afrua pranë meje, e mori shpatën dhe harkun tim dhe tha:

- Hip pas meje! Hipa pas tij dhe më tha:

- Çfarë mendon se do të bëj me ty?

Iu përgjigja: - Mendoj më të keqen.

Më pyeti: Përse?!

Iu përgjigja: - Për atë që bëra ndaj teje.

Për mundin që të shkaktova dhe më në fund Allahu ta mundësoi të më kapësh.”

Atëherë më tha:

- A mendon se unë do të sillem keq ndaj teje kur ti je ai që e shoqërove “Muhelhelin” (e ka fjalën për babain e vet) në pirjen dhe ushqimin e tij dhe fjete me të atë natë?!!

Posa dëgjova emrin e Muhelhelit, i thashë:

- Ti je “Zejdul Hajl”?!

Më tha: -Po. Unë jam.

I thashë:

- Sillu mirë ndaj robit tënd!

Më tha: - Mos u merakos për këtë dhe më mori deri në vendin e tij dhe më tha:

- Betohem në Allahun se, sikur të ishin të miat këto deve, të gji­that do t’i jepja ty, por ato janë të njërës prej motrave të mia. Rri me mua disa ditë, sepse së shpejti kam ndërmend të ndërmarr një sulm e ndoshta do të plaçkis diçka.”

Nuk kaluan as tri ditë e ai e sulmoi fisin “Benu HUmejr” dhe plaç­kiti mbi njëqind deve e të gjitha m’i fali mua. Po ashtu me mua dërgoi disa njerëz të tij që të më mbrojnë nga çdo sulm eventual derisa të arrija në “El‑Hire”.

*  *  *

Ky ishte personaliteti i Zejdul Hajlit në kohën e injorancës, ndër­sa për personalitetin e tij në Islam na rrëfejnë librat e historisë, të cilat thonë:

Posa i arritën lajmet e Pejgamberit a.s. Zejdul Hajlit, ai u ndal dhe i studioi disa nga parimet në të cilat thërriste ai. E përgatiti kar­va­nin e tij dhe i ftoi disa nga të parët e popullit të vet që të vizi­tojnë Jethribin dhe të takohen me Pejgamberin a.s. Me të u nis një delegacion i madh prej fisit “Taj”, në mesin e të cilëve ishin Zurru ibnu Sedusi, Malik ibnu Xhubejri, Amir ibnu Xhuvejni dhe shumë të tjerë. Kur arritën në Medinë, u nisën në drejtim të xhamisë së Pejgamberit a.s. dhe i lidhën devetë e tyre te dera e xhamisë.

Në momentin e arritjes së tyre, Pejgamberi a.s. ishte duke u folur muslimanëve nga minberi i tij. Atyre u pëlqyen fjalët e tij, u habitën nga përqendrimi i madh i muslimanëve dhe ndikimi i fjalëve të tij në mendjet dhe zemrat e tyre.

Kur Pejgamberi a.s. e vërejti praninë e tyre iu drejtua muslimanëve me këto fjalë:

- Unë jam më i mirë për ju sesa Uz‑zaja[2] dhe të gjithë ata që i adhuroni...

Unë jam më i mirë për ju sesa deveja e zezë, të cilën ju e adhuroni.

* * *

Fjalët e Pejgamberit a.s. ndikuan në mënyra të ndryshme te Zejdul Hajli dhe tek ata që ishin me të. Disa prej tyre iu përgjigjën të vërtetës dhe e pranuan atë, e disa të tjerë nuk iu përgjigjën dhe u treguan kryelartë.

Një grup fitoi xhenetin e grupi tjetër meritoi xhehenemin. Zurru ibnu Sedusi, kur e pa Pejgamberin a.s. në atë pozitë të lartë dhe shikimet dhe zemrat e besimtarëve të drejtuara kah ai, iu ngjall zilia në shpirt kurse zemrën e kaploi frika. Pastaj iu drej­tua atyre që ishin me të dhe u tha:

- Unë po shoh para meje një njeri, që i paska përfituar zem­rat e arabëve, por unë nuk lejoj që ai të përfitojë edhe zemrën time.

Pastaj u nis në drejtim të Shamit. I qethi flokët dhe kaloi në Krishterizëm.

Ndërsa Zejdi dhe të tjerët patën një qëndrim krejtësisht tjetër. Posa e përfundoi Pejgamberi a.s. hytben e tij, Zejdul Hajli u ngrit në mesin e muslimanëve; kishte një pamje shumë të bukur, një sjell­je shumë të mirë dhe ishte shumë i gjatë, saqë kur ishte hipur në kalë, këmbët i preknin në tokë, sikur të kishte hipur mbi një gomar...

Qëndroi me shtatin e tij të hedhur, e lëshoi zërin e tij të lartë dhe të gjatë e tha: - O Muhammed! Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Tij. Atëherë, Pejgamberi a.s. u nis drejt tij dhe e pyeti:

- Kush je ti?

Ai iu përgjigj: - Unë jam Zejdul Hajl ibnu Muhelhelit!

Pejgamberi a.s. atëherë ia ktheu:

- Jo, tani e tutje je Zejdul Hajr (Zejdi i mirësisë) e jo Zejdul Hajl (Zejdi i kuajve).”

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili të solli këtu prej luginave e maleve të tua dhe ta zbuti zemrën për Islam.

Pas këtij momenti ai u bë i njohur me emrin “Zejdul Hajr”.

Pejgamberi a.s. pastaj shkoi me të në shtëpinë e vet dhe me të ishte Omer ibnul Hattabi dhe një grup i sahabëve. Kur arritën në shtë­pi, Pejgamberi a.s. i ofroi Zejdit një mbështe-tëse, por atij i erdhi keq të mbështetet në prani të Pejgam-berit a.s., dhe ia ktheu, e kështu vazhduan t’ia kthejnë njëri‑tjetrit mbështetsën tri herë.

Kur të gjithë u ulën nëpër vendet e tyre, Pejgamberi a.s. i tha Zejdul Hajrit:

- O Zejd! S’ka ndodhur që një njeri të ma përshkruajnë dikë e, kur më është dhënë rasti ta shoh atë, kam vërejtur se nuk ka qenë ash­tu siç ma kanë përshkruar, përveç teje dhe përshkrimit tënd.

Pastaj tha:

- O Zejd! Ti ke dy cilësi të cilat i do Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Zejdi pyeti:

- Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut?

Pejgamberi a.s. u përgjigj: Durimin dhe shpirtmadhë-sinë.

Zejdi atëherë tha:

- Falënderimi i qoftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i Cili bëri tek unë ato cilësi që i do Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Pastaj u drejtua nga Pejgamberi a.s. dhe tha:

- O i Dërguar i Allahut! M’i jep treqind kalorës dhe do t’i sulmoj ata atje ku janë strehuar, në Perandorinë Romake, dhe do t’i mund.

Pejgamberi a.s. e madhëroi këtë aspiratë të Zejdit dhe tha:

- Zoti të ruajtë ty, o Zejd! Sa njeri i mirë që je!

Së bashku me Zejdin e pranuan fenë islame të gjithë njerëzit e fisit të tij.

Kur Zejdi deshi të kthehej së bashku me njerëzit e fisit të tij në shtëpitë e tyre në Nexhd, atë e përcolli Pejgamberi a.s. dhe tha:

- Sa njeri i mirë është ky!

Sa i madh do të jetë kontributi i tij sikur të shpëtojë nga së­mun­dja e Medinës!

Në atë kohë në Medinë ishte përhapur një sëmundje ngjitëse. Posa u largua prej saj, Zejdul Hajri u sëmur. Posa e hetoi këtë, ai u tha shokëve që ishin në përcjelljen e tij: “Më largoni prej vendit të Kajsit, sepse ne kemi qenë në armiqësi me ta në kohën e injoran­cës. Betohem në Allahun se nuk do të luftoj asnjë njeri, derisa të takohem me Krijuesin tim.”

* * *

Zejdul Hajri e vazhdoi udhëtimin e tij në drejtim të shtëpive të fisit të tij në Nexhd, edhe pse dhembjet e sëmundjes sa vinin e shto­heshin pas çdo çasti. Kishte një dëshirë të vetme; të takohej me popullin e vet dhe ata ta pranonin fenë islame para tij.

Kështu, ai vazhdoi të bëjë gara me vdekjen, mirëpo më në fund ajo e mundi. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai vdiq në mes të rrugës. Prej kohës kur ai kishte pranuar fenë islame ishte një kohë tejet e shkurtër gjatë së cilës nuk kishte bërë asnjë mëkat.



[1] El‑Hire, qytet në Irak ndërmjet Nexhefit dhe Kufes.

[2] Uz‑za: Idhull i madh prej idhujve që arabët adhuronin gjatë kohës së injorancës.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Qemal Morina

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top