USEJD IBNUL HUDEJRI

usejd_ibnul_hudejri mesoislamin.com

USEJD IBNUL HUDEJRI

“Ata, engjëjt të dëgjonin ty, o Usejd...”

(Muhammedi a.s.)

Djaloshi mekas, Mus’ab ibnu Umejri kaloi në Jethrib (Medinë) me delegacionin e parë misionar, që e njeh historia islame.

Ai ishte vendosur te Es’ad ibnu Zurareja, ‑ njëri nga paria e fisit Haz­­rexh. Në shtëpinë e tij ai gjeti një vendstrehim për vete dhe fi­lloi të përhapë thirrjen në rrugë të Allahut dhe t’i lajmrojë ata se Muhammedi (a.s.) ishte i Dërguar i Allahut. Të rinjtë e Jethribit zu­në të shkojnë me të madhe në tubimet e thirrjeve në fenë isla­me, të organizuara nga djaloshi Mus’ab ibnu Umejr.

Ëmbëlsinë e fjalëve të tij, sqarimin e fjalimit të tij, ma­dhësh­tinë e vetive të mira, bukurinë e besimit (imanit) që shkëlqente nga fytyra e tij e pashme dhe e bukur ata i përcollën me entuziazëm.

Mbi të gjitha, tek ai i tërhiqte një gjë tjetër, e ai ishte Kur’ani, që ua lexonte dhe ua komentonte kohë pas kohe, ca nga ajetet e tij të qarta, me zërin e tij melodik plot dhembshuri dhe me shqip­ti­min e tij në mënyrë magjepëse ai zbuste zemrat mizore dhe atyre u shkonin lotët në mënyrë spontane. Nje­rëzit nuk shpërndaheshin pa e pranuar fenë islame dhe u bashkoheshin radhëve të besimtarëve të mirëfilltë.

Një ditë, Es’ad ibnu Zurareja doli me mysafirin e tij të thirrjes në fenë islame, Mus’ab ibnu Umejrin, për të takuar një grup nga fisi Beni Abdul Esh’hel dhe i fton ata në fenë islame. Ata të dy hyjnë në një kopsht të Beni Abdul Esh’helit dhe u ulën te kroi i tij i ëmbël nën hi­jen e hurmës. Përreth Mus’‑abit u tubua një grup, që tashmë kish­te pranuar fenë islame dhe ca persona të tjerë që dëshironin të dëgjojnë për fenë islame. Ai zuri t’i ftojë në fenë e drejtë dhe t’i paralajmërojë për lajme të gëzuara. Njerëzit e përcillnin atë me vë­mendje të theksuar dhe nga madhështia e fjalëve të tij mbetën pa fjalë.

*  *  *

Më pas erdhi personi që kishte njoftuar Usejd ibnu El Hudejrin dhe Sead ibnu Meadhin ‑ që të dy ishin prijës të fisit Evs‑, se thirrësi në fe nga Meka ishte vendosur afër shtëpive të tyre, e ai që e kishte cytur ta bënte këtë ishte Es’ad ibnu Zurareja.

Sad ibnu Meadhi i tha Usejd ibnu El Hudejrit:

“Të gjeti e liga, o Usejd! Shko te ai djalosh mek‑kas, i cili ka ar­dhur në shtëpinë tonë, që t’i nxisë njerëzit tanë të pavendosur ta pranojnë fenë islame e t’i përdhosë zotërat tanë, ndaloja atij atë dhe (thuaj) pas sotit të mos shkelë në pragje të shtëpive tona!”

Pastaj vazhdoi duke thënë: “Sikur të mos ishte mysafir i tezakut tim, Es’ad ibnu Zurares, dhe sikur të mos ishte nën mbrojtjen e tij, unë do ta kryeja këtë punë.”

*  *  *

Usejdi mori armën e brezit dhe shkoi drejt kopshtit. Kur e pa duke ardhur, Es’ad ibnu Zurareja i tha Mus’abit:

“Mjerë ti, o Mus’ab, ky është prijës i fisit të vet, si për nga mençuria, po ashtu edhe nga pasuria. Ky është Usejd ibnu El Hudejri. Nëse ky pranon fenë islame, Islamin e tij do ta ndjekin shumë krijesa. Ai me atë rast dëshmon Allahun dhe ajo është prova më e mirë që mund të ofrojë.

Usejd ibnu El Hudejri u ndal në mes të turmës, u drejtua nga Mus’abi dhe shoku i tij e tha:

“Për çfarë pune keni ardhur në shtëpitë tona dhe provokoni nje­rë­zit tanë të dobët? Largohuni nga ky vend, nëse nuk doni të jeni të kërcënuar (prej ndonjërit) me vrasje.”

Mus’abi, me fytyrën e tij të ndritshme, që i shkëlqente nga drita e besimit, u kthye nga Usejdi dhe i foli atij me një gjuhë të sinqertë dhe tërheqëse:

“O kryepar, a ke ndonjë propozim më të mirë se ky?

E çfarë mund të jetë?” ‑ ia ktheu ai.

Ai tha:

“Ulu me ne dhe dëgjona se ç’themi. Nëse të pëlqen ajo që the­mi, ti pranojë atë, e nëse nuk të pëlqen, largohemi nga ju dhe kurrë nuk do të vijmë më.”

‑ Mirë e ke, ‑ tha Usejdi. E vuri shtizën në tokë dhe u ul.

Mus’abi filloi t’i flasë atij për të vërtetën e fesë islame. Ia lexoi ca ajete kur’anore dhe atij i ranë rrudhat e ballit dhe fytyra i shkël­qeu dhe tha:

- Sa e bukur është kjo që thua ti, sa bukur tingëllon kjo që po lexon!!!

Çfarë bëni kur dëshironi të pranoni fenë islame?

Duhet të lahesh dhe të pastrosh rrobat e tua, të dëshmosh se s’ka zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut dhe t’i falësh dy rekate, ‑ u përgjigj Mus’abi.

Ai vajti te një pus dhe u pastrua me ujin e tij. Dëshmoi se nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij. Më në fund fali dy rekate.

Atë ditë radhëve të muslimanëve iu bashkua një kalorës nga kalorësit më të shquar arab dhe njëri nga udhëheqësit e fisit Evs.

Në sajë të qëndresës së tij të matur dhe fisnikërisë së tij të trashë­guar fisi i tij e quante mjeshtër shpate dhe pene.

Krahas kalorësisë dhe aftësisë së tij për të gjuajtur me saktësi me shigjetë, ai njëherazi njohu leximin dhe shkrimin në një bashkësi shoqërore në të cilën ishin të rrallë ata që dinin të lexonin dhe të shkruanin.

Pranimi i fesë islame nga ai ishte shkas i pranimit të fesë isla­me nga ana e Sad ibnu Muadhit. Pasi pranuan fenë islame, që të dy u bënë shkaktarë që atë ta pranojnë grupe të shumta të fisit Evs.

Pas këtyre ngjarjeve Medina u bë vendmigrimi për Pejgamberin e Allahut, vendmbrojtje, strehim dhe bazë e Shtetit të Madh Islam.

*  *  *

Usejd ibnu El Hudejri e donte Kur’anin me pasion qëkur e dëgjoi nga Mus’ab ibnu Umejri, atëherë kur edhe mbolli dashuri për të, siç lind dashuria për të dashurin. Ai e pranoi atë me ëndje, me atë burim të shijes në atë ditë përcëlluese, dhe që nga ajo ditë zuri të merret me të.

Përveç kësaj, ai dallohej si luftëtar që lufton në rrugën e Allahut, dhe musliman i përkushtuar në leximin dhe komentimin e Librit të Allahut.

Zërin e kishte të ëmbël, fjalët i shqiptonte në mënyrë të qartë dhe lexonte në mënyrë të shkëlqyeshme. Ai më shumë kënaqej kur lexonte Kur’anin kur binte nata, atëherë kur mbyllen sytë dhe shpirtrat ngrihen lart në qiell.

Shokët e tij të ndershëm pritnin me padurim kur ai lexonte Kur’anin dhe hidhnin short se kush do të dëgjojë më parë le­ximin e tij.

Sa fatlum do të ishte ai njeri që i jepej rasti të dëgjonte Kur’anin du­ke e lexuar ky njeri me njomësi dhe freski mu ashtu siç iu zbrit Muhammedit a.s.

Leximin e tij e shijuan banorët e qiellit, ashtu siç e shijoi njerëzimi.

Një mesnatë, Usejdi ibnul Hudejr ishte ulur në oborrin e vet dhe pranë tij i biri, Jahja, ishte fjetur. Kali i tij, që e kishte përgatitur për luftë në rrugën e Allahut, ishte i lidhur jo larg tij.

Nata ishte e butë dhe e qetë, e hapësira qiellore e pastër dhe e çiltër.

Sytë e yjeve kundronin tokën e qetë me mall dhe simpati.

Shpirti i Usejd ibnul Hudejrit kishte dëshirë të flaktë të parfu­mosë këto hapësira me puhin e këndshëm të Kur’anit. Ai zuri ta lexojë atë me zërin e tij të ëmbël e të prekshëm.

“Elif, Lam, Mim. Ky libër, në të cilin s’ka fije dyshimi, është udhëzim për ata që janë të devotshëm, të cilët besojnë në të padukshmen, falin namazin dhe japin zeqatin nga ajo që ju kemi dhënë ne. Edhe për ata të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty dhe në atë që është shpallur para teje dhe janë të bindur thellë për jetën e ardhshme.” (El‑Bekare: 1‑4)

Kur e dëgjoi këtë, kali i tij bëri një qark që gati e këputi frerin. Ai heshti. Kali u qetësua dhe qëndroi në vend pa lëvizur.

Ai vazhdoi të lexojë:

“Ata janë në rrugën e (vërtetë ) Zotit të tyre dhe ata janë të shpëtuar.” (El‑Bekare: 5)

Kali prapë e bëri një qark më të rreptë dhe më të furishëm. Ai heshti dhe kali u qetësua...

Ai e përsëriti këtë disa herë. Kur ai lexonte Kur’anin, kali shmangej larg tij dhe shqetësohej, e kur ai heshte, kali qetësohej dhe nuk lëvizte vendit.

Ai u frikësua për birin e tij, Jahjanë, se mos po e vë atë në gjen­dje depresioni dhe shkoi ta zgjojë nga gjumi. Në atë çast ktheu shikimin  nga qielli dhe pa një re si ombrellë, që syri i njeriut kurrë më parë nuk e kishte parë, aq e bukur dhe e hijshme. Në të ishin varur sende që u ngjasonin dritareve. Horizonti u mbush plot dritë dhe ma­dhështi, që ngrihej lart gjersa u largua nga sytë e tij. Kur zbardhi dita, ai shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe i tregoi se ç’kishte parë, ndërsa Muhammedi a.s. i tha:

“Ata, engjëjt, të dëgjonin ty, o Usejd... Sikur të vazhdoje ti leximin, njerëzit do t’i shihnin ata dhe nuk do të fshiheshin prej tyre.”[1]

Siç ishte entuziast Usejd ibnul Hudejri ndaj leximit të Librit të Alla­hut, atij iu shtua entuziazmi në të njëjtën masë ndaj të Dërguarit të Allahut  dhe, siç thotë vetë, ai ishte më i devotshmi, në shkallë më të lartë që mund të jetë një njeri, më i vëmendshmi dhe më i besuari kur lexonte Kur’anin apo kur e dëgjonte atë dhe kur e shikonte Pej­gamberin e Allahut kur mbante hytbe (këshillë të së premtes) apo fjalim.

Kishte dëshirë të flaktë që trupi i tij ta prekë trupin e Pej­gamberit të Zotit, ta nuhasë dhe ta puthë atë. Një ditë i jepet rasti dhe e realizon dëshirën e tij.

Një ditë Usejdi e argëtonte popullin me kuriozitete dhe anekdota, andaj i Dërguari i Allahut e ngacmoi atë në bel me dorë, sepse i pëlqeu ajo që i tha ai.

Usejdi i tha:

“Më lëndove, o i Dërguar i Allahut!”

I Dërguari i Allahut tha:

“Ma kthe pra, në të njëjtën masë, o Usejd!”

Usejdi tha:

“Ti ke këmishë, e unë nuk kisha këmishë kur më ngacmove ti.”

Atëherë, i Dërguari i Allahut e zhveshi këmishën e vet dhe ia veshi Uejdit dhe ky zuri ta puthte mes nënsqetullës dhe belit, e Usejdi i thonte:

“Të betohem në prindët e mi, o i Dërguari i Allahut, se dëshirën e flaktë që ushqeja në zemër, që nga momenti kur të njoha, tani e realizova.”

Muhammedi a.s. e donte Usejdin në të njëjtën masë dhe e kish­te në konsideratë hyrjen e tij të hershme në fenë islame dhe mbroj­tjen që ia kishte bërë Muhammedit a.s.; Ditën e Uhudit Usejdi u ther shtatë herë me të rëna vdekjeprurëse.

Ia njihte vlerën dhe pozitën e vet në masë. Kur ndër­mje­tësonte mes njerëzve, Pejgamberi e angazhonte atë për një punë të tillë.

Usejdi tregon për një rast, ku thotë:

“Shkova tek i Dërguari i Allahut dhe i përkujtova banorët e ensarëve, se ka njerëz të varfër me nevoja të ngutshme, e prej tyre kryesisht gra. I Dërguari i Allahut më tha:

“O Usejd, ke ardhur të kërkosh ndihma në kohën kur ne e ke­mi harxhuar atë që e kishim. Kur të dëgjosh se na ka ardhur ndonjë ndihmë, na i rikujto anëtarët e asaj familjeje!”

Pas kësaj erdhi një pasuri nga Hajberi dhe e ndau atë në mes muslimanëve dhe enësarëve u dha më shumë, por edhe asaj familjeje i dha shumë, e unë i thashë:

Zoti të shpërbleftë me të mira për ndihmën që u dhe atyre, o Pejgamber i Allahut!

Ai tha:

“O popull i ensarëve! Allahu ju shpërbleftë me shpërblimet më të mira, se ju, siç kam mësuar, ishit virtuozë dhe të durueshëm, ju do të monopolizoni pas vdekjes sime. Kini durim gjersa të vijë koha të më takoni se “juve ju është premtuar kroi i xhenetit!”

Kur iu besua halifati Omer ibnul Hattabit r.a. ai u ndau be­sim­tarëve mall dhe pasuri, e mua më dërgoi një xhelabi, (pelerinë) që më binte e vogël...

Ndërkohë që isha në xhami pranë meje kaloi një djalosh kurejshit, i veshur me xhelabi të gjerë dhe të gjatë, nga ato që kishte dërguar tek unë Omeri r.a. Djaloshi e tërhiqte atë zvarrë. Unë ia rikujtova atij që ishte me mua, fjalën e Pejgamberit të Allahut a.s.:

“Ju do të monopolizoni pas vdekjes sime,” - dhe thashë Zoti e shpërbleftë të Dërguarin e Vet!

Njeriu shkoi tek Omeri dhe e njohu me atë që thashë. Omeri, derisa falesha, erdhi me të shpejtë dhe tha:

“Falu, o Usejd!”

Kur e fala namazin, m’u afrua dhe më tha:

“Çfarë ke thënë”?

Unë i tregova se ç’kisha parë dhe ç’kisha thënë.

Ai më tha:

“Allahu t’i faltë mëkatet! Atë xhelabi ia kam dërguar filanit, ai është ensari, pjesëmarrës në betimin e Akabes, në betejën e Bedrit dhe Uhudit, e nga ai e ka blerë ky djalosh kurejshit dhe e ka veshur.”

A ta merr mendja se, ajo që ka paralaj­mëruar Pej­gam­beri i Allahut,  kjo do të ndodhte në kohën time?!!”

Thashë:

Për Allahun, o prijës i muslimanëve, unë nuk mendoja se kjo do të ndodhte në kohën tënde.

Pas kësaj, Usejd ibnul Hudejri nuk jetoi gjatë dhe kaloi në bo­­tën e amshueshme gjatë sundimit të Omerit, Allahu qoftë i kë­naqur me të dy.

U pa se ai kishte një borxh prej katër mijë dërhemësh.

Trashëgimtarët e tij u interesuan për t’ia shitur ca tokë dhe me të hollat nga kjo shitje dëshironin t’ia paguanin borxhin.

*  *  *

Pasi e mori vesh këtë, Omeri tha:

“Unë nuk i lë të bijtë e vëllait tim, Usejdit, të mbeten të varfër në mesin e njerëzve...”

Pastaj u foli kreditorëve dhe ata u pajtuan të blejnë frutat dhe të lashtat që prodhonte toka e tij gjatë katër vjetëve. Çdo vit nga një mijë dërhemë.



[1] Teksti integral i këtij lajmi (hadithi) është shkruar në S. Buhari dhe Muslim.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top