UKBE BIN AMIR EL‑XHUHENIJ

ukbe_bin_amir_elxhuhenij mesoislamin.com

UKBE BIN AMIR EL‑XHUHENIJ

...Ja, i Dërguari i Allahut më në fund, pas një pritjeje të gjatë e të përmallshme, duket në horizont dhe hyn në Medinë.

Ja banorët e Medinës së ndritshme tek shtyhen nëpër rrugë, mbi kul­met e shtëpive dhe në çdo pëllëmbë të tokës së tyre, duke bro­horitur: “Allahu Ekber, Allahu Ekber ‑ La ilahe il‑la Allah Muha­mme­dun resulullah”, nga gëzimi i papërshkru-eshëm për takimin e tyre me Pejgamberin e Mëshirës dhe shokun e tij, Ebu Bekër Es‑Siddikun.

Ja edhe vashat e Medinës me defa në duar. U bien atyre dhe kën­dojnë me ngazëllim për Pejgamberin a.s.

“Lindi hëna katërmbëdhjetëshe,

Nga Thenijatul Vedaë,

Të gjithë ne falënderojmë Zotin,

Derisa ka thirrës në Allah.”

Ja suita e Resulullahit duke ecur ndërmjet rreshtave të medi­nasve, e përcjellë nga shikimet e dje­gura nga malli dhe lotët e gë­zimit nëpër fytyrat e tyre të buzëqeshura.

*  *  *

Mirëpo, Ukbe bin Amir El‑Xhuhenij nuk ishte dëshmitar i tërë kësaj pritjeje madhështore që ia bënë medinasit  Muhammedit a.s.

Kjo për arsye se ai kishte daluë në stane diku lart në bjeshkë me kopenë e tij që ta ruajë, sepse frikësohej se nga thatësia e ma­dhe do t’i shkatërrohej e do t’i humbte. Kopeja ishte e tëra që kishte në këtë dynja.

Mirëpo, gëzimi i papërshkrueshëm që e përfshiu tërë Medinën e ndritshme nuk vonoi shumë dhe u përhap edhe nëpër fshatrat e afër­ta përreth dhe ato pak më të largëta. Çdo pëllëmbë e tokës shndë­riti nga kjo dritë.

Lajmi përgëzues për ardhjen e Pejgamberit a.s. në Medinë arriti edhe te Ukbe bin Amir El‑Xhuhenij, atje lart në stane ku ishte.

Tani t’ia lëmë fjalën vetë Ukbes që të na rrëfejë mbi takimin e tij me Pejgamberin a.s.

Ukbeja thotë:

- Kur arriti Resulullahu në Medinë, unë isha duke ruajtur bagë­tinë lart në stane dhe, sapo dëgjova se ai arriti, i lashë të gjitha dhe shkova ta takoj. Kur e takova, i thashë:

‑ A ma jep besën, o i Dërguar i Allahut!

‑ Cili je ti? ‑ më pyeti ai.

‑ Ukbe bin Amir El‑Xhuhenij ‑ i thashë.

Ç’besëlidhje ke dëshirë? Besëlidhje arabe apo besëlidhje të Hixhretit? ‑ më pyeti prapë Resulullahu.

Besëlidhje të Hixhretit, o i Dërguar i Allahut, - i thashë unë.

Pasi Muhammedi a.s. më besatoi, qëndrova një natë në Me­di­në, dhe të nesërmen u ktheva prapë në bjeshkë.

*  *  *

Ishim 12 veta që kishim përqafuar Islamin e që qëndronim jash­të Medinës duke ruajtur bagëtinë nëpër bjeshkë. I thamë njëri­tjetrit: - Nuk është mirë për ne që të mos jemi afër Pejgamberit a.s. çdo ditë, që të dëgjojmë prej tij shpalljen që i vjen nga qielli. Le të shkojë çdonjëri prej nesh nga një ditë në Medinë, e ne t’ia ruaj­më bagëtinë derisa të kthehet.

Unë iu thashë: - Shkoni tek i Dërguari i Zotit një nga një e unë ia ruaj bagëtinë atij që shkon, sepse kisha kujdes të madh në ruajtjen e tyre.

*  *  *

Shokët e mi filluan një nga një të shkojnë te Pejgamberi a.s. e unë ua ruaja bagëtinë. Kur ktheheshin, e përpija me një frymë atë që e kishin dëgjuar prej Pejgamberit a.s. por nuk shkoi shumë kohë e i thashë vetvetes: ‑ I mjeri ti, o Ukbe! A për shkak të disa bagë­ti­ve të të kalojë koha e të mos jesh pranë Resulullahut s.a.v.s. për të nxënë prej tij mësimet e fesë gojarisht, pa asnjë ndërmjetë­sues?!

Prej këij çasti, - thotë Ukbeja, - vendosa që përfundi-misht ta lë e ta braktis kopenë e bagëtive, të zbres në Medinë dhe të vendosem pranë Pejgamberit a.s.

*  *  *

Kur Ukbe bin Amri e mori këtë vendim të prerë e të urtë, kurrë nuk do t’i ketë shkuar ndërmend se pas një kohe shumë të shkurtër do të bëhej njëri ndër dijetarët më të mëdhenj e më të njohur nga radhët e sahabëve dhe njëri prej lexuesve më të famshëm të tyre. Do të bëhej njëri prej udhëheqësve më të shquar ushtarakë dhe një­ri prej valive të rrallë islamë.

Thjesht, nuk kishte mundur as të paramendojë, duke e lënë ba­gë­tinë, se do të jetë pararoj e ushtrisë muslimane që do ta çli­ro­jë Damaskun dhe do të vendosë që të jetojë për një kohë në kop­shtijet e tij të bukura.

Nuk kishte mundur dot as ta përfytyronte se do të ishte njëri prej udhëheqësve ushtarakë që do ta çlironin “margaritarin e pla­netit”, Misirin (Egjiptin) dhe do të bëhej vali i tij duke kaluar edhe aty një pjesë të konsiderueshme të jetës, në bregoren e quajtur “El Mukattam”.

Sidoqoftë, të gjitha këto çështje janë prej gjërave abstrakte e të fshehta, të cilat nuk mund t’i dijë askush përveç Krijuesit të kësaj gji­thësie ‑ Allahut xh.sh.

*  *  *

Ukbe bin Amir El Xhuhenij e përcillte Pejgamberin a.s. në çdo hap sikur hija‑hijen. I merrte në dorë frerët e mushkës së Pejgam­berit a.s. kudo që shkonte i Dërguari i Allahut.

Shpeshherë ndodhte që Resulullahu ta hypë edhe atë në mushkë pas tij, saqë e quanin “truproja e Resulullahut”. Ndodhte ndonjë­he­rë që vetë Pejgamberi a.s. të zbriste nga mushka e të ecte këmbë kurse Ukbeja qëndronte ulur mbi mushkë.

Ukbeja rrëfen për këtë dhe thotë:

‑ Një ditë, së bashku me Pejgamberin a.s. kishim dalë jashtë Medinës...Unë ecja përpara duke i mbajtur frerët e mushkës, kur Pejgamberi a.s. më tha: - O Ukbe, përse nuk hip pak e unë të eci më këm­bë?  Vetëmevete doja t’i thoja  jo, por kisha frikë se moszba­ti­mi i fjalës së Resulullahut është mëkat dhe thyerje e urdhrit të tij, dhe i thashë: ‑ Si urdhëron, o i Dërguar i Zotit.

Atëherë Pejgamberi a.s. zbriti nga mushka e unë hipa për ta çuar në vend fjalën e tij.

Vazhduam kështu një pjesë të rrugës, pastaj unë zbrita e i Dër­guari hipi dhe më tha:

‑ O Ukbe! ‑ A do të t’i mësoj dy sure (kaptina) nga Kur’ani që nuk kanë zbritur kurrë si këto?

Po si jo, o i Dërguar i Zotit ‑ ia ktheva unë.

Pastaj Pejgamberi a.s. m’i lexoi kaptinat “El‑Felek” (Kul eudhu birab‑bil felek) dhe “En Nas” (Kul eudhu birab‑bin nas).

Nuk vonoi shumë dhe erdhi koha e namazit. Pejgamberi a.s e fali atë namaz me këto dy sure dhe më tha:

‑ Lexoji këto dy sure çdo herë para se të biesh në gjumë dhe pasi të zgjohesh në mëngjes!

Prej asaj kohe, ‑ thotë Ukbeja ‑ e deri në momentet e fundit të je­tës gjithmonë i kam lexuar këto dy sure.

*  *  *

Për Ukben dy preokupimet kryesore të jetës ishin: Nxënia e ditu­risë dhe Xhihadi, për të cilat u përpoq me tërë qenien e vet ta japë kontributin e tij në mënyrë sa më të ndershme e fisnike.

Në lëmin e diturisë merrte prej burimit të bujshëm të Resu­lu­llahut, derisa u bë njëri nga dijetarët më të njohur në leximin e Kur’­anit, në hadith, fikh, letërsi, kulturë, poezi, oratori dhe në shken­cën e ndarjes së trashëgimisë e të pasurisë.

E kishte zërin më të bukur e më të këndshëm prej lexuesve të Kur’anit, saqë, kur binte nata dhe qetësohej çdo gjë, merrte librin e Allahut dhe fillonte ta lexonte.

Të gjithë sahabët e dëgjonin me vëmendje e kujdes të madh, saqë prej leximit të tij u mbusheshin sytë me lot dhe u zbuteshin zem­rat nga frika e dënimit të Allahut xh.sh.

Një ditë Omeri r.a. gjatë sundimit të tij e thirri Ukben dhe i tha:

‑ O Ukbe, na lexo diçka nga Libri i Allahut!

‑ Si urdhëron, o emiri i muslimanëve ‑ iu përgjigj Ukbeja.

...dhe filloi të lexojë një pjesë të Kur’anit me aq mallëngjim, saqë Umejrit r.a. filluan t’i ravijëzohen lotët nëpër faqe derisa iu lag edhe mjekra.

*  *  *

Ukbe bin Amir El Xhuhenij la pas vetes një mus‑haf të shkruar me dorën e vet. Ky mus‑haf ka ekzistuar deri vonë në Egjipt, Kajro, në xhaminë e njohur me emrin e tij ‑ Xhamia e Ukbe bin Amir El‑Xhuheniut. Në fund të këtij mus‑hafi shkruante: “E shkroi me dorë të vet Ukbe bin Amir El Xhuhenij”

Ky mus‑haf (Kur’an) i shkruar nga dora e Ukbes është mus‑hafi më i vjetër në fytyrën e tokës, mirëpo për fat të keq ka humbur çdo gjurmë e tij, ashtu siç ka humbur edhe pjesa më e madhe e thesarit të trashëgimisë sonë të pasur kul­tu­rore‑fetare dhe kjo vetëm nga pakujdesia dhe neglizhenca jonë.

Ndërsa në fushën e xhihadit, mjafton të themi se Ukbe bin Amri mori pjesë në të gjitha luftërat që zhvilloi Pejgamberi a.s. prej Uhudit e tutje dhe ishte njëri prej atyre heronjve guximtar e sypa­trembur të cilët luftuan heroikisht për çlirimin e Damaskut.

Ebu Ubejde ibnu Xherrahu, kryekomandant i ushtrisë muslimane, e nderoi Ukben që të jetë lajmëtari përgëzues tek Omeri r.a. për çlirimin e Damaskut. Tetë ditë e tetë net rresht, prej të xhumasë e deri në xhumanë tjetër, Ukbe bin Amiri pa u ndalur udhëtoi për në Medinë që ta përgëzojë Omerin r.a. për fitoren madhështore të usht­risë muslimane.

Pastaj ishte njëri prej udhëheqësve më të shquar ushtarakë që e çliruan Egjiptin. Si shpërblim për këtë, emiri i muslimanëve ‑ Muaviu e emëroi vali të Egjiptit për tre vjet rresht.

Pas kësaj e dërgoi të luftonte për çlirimin e ujdhesës së Rodo­sit, në Detin Mesdhe.

Ukbe bin Amiri ishte i flaktë për xhihad. Të gjitha hadithet e Pej­gam­berit a.s. rreth xhihadit i kishte ngulitur thellë në shpirtin dhe qenien e tij dhe përpiqej që ato t’i zbatonte sa më shumë në jetën praktike. Ai ua transmetonte këto hadithe edhe sahabëve.

Ukbe bin Amiri ushtronte pandërprerë gjuajtjen me shigjeta, sa­që, kur donte të argëtohej, argëtohej vetëm me këtë lloj aktiviteti.

*  *  *

Kur u sëmur Ukbe bin Amir El Xhuhenij, sëmundja e vdekjes e gje­ti në Egjipt. Rreth vetes, mblodhi të gjithë djemtë e tij dhe i kë­shilloi me këto fjalë:

“O bijt e mi! Po ua lë amanet tri gjëra prej të cilave duhet të ruheni: Mos i pranoni hadithet e Pejgamberit a.s. nga askush, për­veç nga të sigurtët, mos hyni në borxh (mos kërkoni borxh prej as­kujt) edhe nëse nuk keni asgjë për të veshur përveç ndonjë palltoje të grisur dhe mos shkruani poezi që ato të mos iu preokupojnë dhe t’i largojnë zemrat tuaja nga Kur’ani.”

Pas vdekjes e varrosën në bregoren Mukattam. Kur e varrosën dhe filluan të gjurmojnë në gjësendet e tij që i kishte lënë si tra­shëgim, gjetën në to 70 e ca harqe shigjetash.

E kishte lënë amanet që ato të përdoren në luftë për lartësimin e Fjalës së Allahut xh.sh.

Allahu e ndriçoftë fytyrën e dijetarit, lexuesit e luftëtarit të madh në rrugën e Tij, Ukbe bin Amir El Xhuheniut, dhe e shpërbleftë me mirësitë e Tij, për kontributin e dhënë në lartësimin e idealeve të shenjta islame.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Sabri Bajgora

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top