UTBE BIN GAZVANI

utbe_bin_gazvani

UTBE BIN GAZVANI

“Vërtet, Utbe bin Gazvani ka një vend të lartë në Islam.”

Omer ibnul Hattabi

Omer ibnul Hattabi, emiri i muslimanëve, pas namazit të jacisë u shtri në shtratin e tij, me qëllim që të pushojë pak dhe të për­ga­titet për shëtitjen e tij të natës.

Mirëpo, gjumi ishte tretur nga sytë e halifes, ngase postieri e kish­te lajmëruar se ushtrisë persiane, sa herë që ishte para mposh­tjes dhe në rrezik që të shkatërrohej nga ana e muslimanëve, i vinte ndihma prej të gjitha anësh dhe nuk vononin e tubonin forcat e tyre për të vazhduar luftën.

Omerit r.a. i kishte ardhur lajmi se qyteti i “Ubul‑les” (afër Bas­rës) konsiderohej si njëri nga burimet më të rëndësishme që i ofro­nin ndihmë ushtrisë persiane, në pasuri e në njerëz.

Mu për këtë, Omeri r.a. vendosi që të dërgojë një ushtri për ta çliruar Ubul‑len dhe t’ua ndërprejë ndihmën persianëve, mirëpo u befasua nga mungesa e njerëzve që  kishte pranë.

Arsyeja e kësaj mungese qëndronte në atë se rinia, burrat dhe të vjetrit kishin dalë pothuajse që të gjithë të luftojnë në rrugën e Allahut dhe s’kishte mbetur në Medinë askush përveç një grupi të vogël.

Megjithatë, kjo nuk e luhati aspak, meqë u mbështet në stra­tegjinë e tij të pashoqe, për të cilën ishte i njohur, ... e ajo ishte: kompensimi i numrit të vogël të ushtrisë me forcën e udhëheqësit... (komandantit).

Filloi t’i analizojë, një nga një, tiparet e shokëve që kishte pra­në, siç thonë “me sitë e me shoshë” dhe sakaq brofi nga shtrati i entuziazmuar, duke thënë:

‑ E gjeta... Po, e gjeta...

Pastaj u ul përsëri në shtrat - duke thënë:

‑ Me të vërtetë, është luftëtar që përballoi sfidat e Bedrit, Uhu­dit, Hendekut dhe betejave të tjera simotra...

U shqua për trimëri të pashoqe në luftën e Jemames, asnjëherë nuk është goditur nga shpata, e shtiza e tij as që ka gabuar cakun ndonjëherë... I ka përjetuar dy emigrimet (në Abisini dhe në Me­dinë) dhe është njëri prej shtatë të parëve që pranuan Islamin në sipërfaqen e tokës...

Kur agoi mëngjesi, tha:

‑ Ma thirrni shpejt Utbe bin Gazvanin.

Atë e emëroi udhëheqës të treqind e sa njerëzve dhe i premtoi se do ta ndihmojë më vonë me disa njerëz, aq sa të ketë mundësi.

*   *   *

Kur ushtria e vogël muslimane vendosi të nisej, para tyre doli Faruku (Omeri r.a.) për ta pëcjellur udhëheqësin e saj, Utbenë, dhe e porositi duke i thënë:

‑ O Utbe, të nisa kah “Ubul‑la”. Dije se ajo është njëra prej for­ti­fikatave të armikut, e lus Allahun që të ngadhënjesh dhe ta mposhtësh atë. Kur të gjendesh pranë saj, ftoje popullin e saj që t’i besojnë Allahut. Kush të përgjigjet, zmbrapsu prej tyre, e kush refuzon, merr prej tyre “xhizjen” për të vegjlit dhe të rriturit...

Në të kundërtën, luftoj dhe mbyti pa dhembje.

Ki frikën Allahut, o Utbe, për atë që t’u ka besuar!

Ki kujdes që epshi yt mos të të shpjerë në mendje-madhësi e ta humbësh botën e amshueshme. Dije se ke pasur nderin ta shoqërosh të Dërguarin e Allahut, nder me të cilin të lartësoi i Madhërishmi. Të bëri të fortë e të pathyeshëm, pasi ishe i dobët, derisa arrite të bëhesh prijës dhe udhëheqës, që urdhrat e tua të zbatohen kur flet dhe urdhëron. Sa mirësi e madhe është kjo, nëse nuk të mash­tron epshi e të bëhesh mendjemadh, ngase mosmirënjohja ndaj këtyre dhuntive të shpie në xhehenem. Le të na mbrojë Alla­hu të dyve nga zjarri i tij!

*   *   *

Utbeja u nis me luftëtarët e tij, e me të ishte edhe gruaja e tij, në mesin e pesë grave të tjera, gra dhe motra të ushtarëve, derisa arritën afër “Ubul‑les”, në një vend plot me kallam sheqeri. S’kishin asgjë me vete për të ngrënë...

Kur i kaploi uria, Utbeja u tha disave: - Kërkoni në këtë vend diç­ka për të ngrënë, me qëllim që të shuajmë urinë.

Lidhur me kërkimin e ushqimit është një ngjarje interes-ante, të cilën e ka transmetuar njëri prej tyre duke thënë:

- Derisa kërkonim diçka për të ngrënë, hymë në një pyll të den­dur, kur ja, në njërën prej pemëve i pamë të varura dy krojshe, në njërën kishte hurma e në tjetrën kokrra të bardha, të vogla, të mbësh­tjella me lëvozhgë të verdhë. I morëm me vete. Njëri prej nesh shikoi nga krojsha në të cilën ishin kokrrat dhe tha:

‑ Ky është helm të cilin na e ka përgatitur armiku, andaj mos hani.

Atëherë i morën hurmat dhe filluam t’i hamë ...

Derisa hanim hurma, një kalë që i kishte këputur frerët, iu afrua krojshes me kokrrat e bardha dhe filloi t’i hajë. Deshëm ta presim menjëherë që së paku të përfitonim nga mishi i tij, para se të ngordhte, mirëpo pronari i tij tha: - Lëreni, se do ta ruaj atë gjithë natën dhe nëse e shoh se do të ngordhë, do ta ther.

Të nesërmen, me të gdhirë, pamë se kali ishte shëndosh dhe s’e kishte gjetur gjë.

Motra ime tha:

‑ O vëlla! E kam dëgjuar babain tim duke thënë: - Helmi nuk bën dëm nëse vendoset në zjarr dhe piqet apo zihet.

Atëherë unë mora disa nga kokrrat dhe i vendosa në një enë e ia vura flakën përfund. Nuk vonoi shumë e ajo tha:

- Ejani e shikoni si janë skuqur kokrrat, pastaj prej tyre filloi të ndahej lëvozhga dhe dilnin disa kokrra të bardha. I nxorëm në një enë të madhe për të ngrënë e Utbeja na tha: Përmendeni emrin e Allahut dhe hani prej këtij ushqimi...

Kur filluam për të ngrënë, vërejtëm se kishte një shije të mirë.

Më vonë morëm vesh se ky ushqim quhej oriz.

*   *   *

“Ubul‑leja”, të cilës ia kishte mësyer Utbeja me ushtrinë e tij të vogël, ishte një qytet i fortifikuar mirë, i ngritur në brigjet e lumit Dixhle.[1]

Persianën e kishin bërë këtë qytet depo të armëve të tyre, ndër­sa pyrgjet e tij i kishin bërë vende për roje, nga të cilat përcill­nin lëvizjet e armiqve të tyre. Megjithatë, kjo aspak nuk e pengoi Utben që t’ia mësyjë mposhtjes së “Ubul‑les”, edhe pse kishte një ushtri të vogël dhe pak armë. Me vete nuk kishte më tepër se gjash­të­qind luftëtarë, të shoqëruar nga një grup i vogël grash. Të vetmet armë të tyre ishin shpatat dhe shtizat. Për këtë arsye patjetër i duhej të përdorte mençurinë dhe strategjinë e tij.

*  *  *

Për gratë, Utbeja përgatiti flamuj, të cilët i lidhi në majë të shti­zave... Ato i urdhëroi që të shkojnë pas ushtrisë dhe u tha: Kur t’i afrohemi qytetit, çoni pluhur pas nesh me tërë forcën derisa të mbushet qielli. Kur iu afruan “Ubul‑les”, ushtarët persianë u dolën para dhe i panë muslimanët duke ardhur. Shikuan flamujt tek valë­viteshin pas tyre dhe panë se pluhuri kishte mbuluar qiellin dhe i thanë njëri‑tjetrit:

‑ Vërtet, këta janë pararoja e ushtrisë muslimane. Sigurisht se pas tyre qëndron një ushtri e hatashme e cila e ka çuar tërë këtë pluhur, kurse ne jemi shumë pak...

Në zemrat e tyre hyri frika dhe i kaploi pasiguria. Filluan t’i mbartin sendet e lehta e të shtrenjta dhe nxitonin për të hipur nëpër anijet të cilat ishin të vendosura në Dixhle, duke lënë pas vetes qy­te­tin e boshatisur. Utbeja hyri në “Ubul‑le” pa humbur asnjë ushtar e pastaj çliroi qytetet dhe fshatrat përreth, një nga një.

Të mirat e fituara materiale ishin aq të mëdha, saqë vështirë nu­mëroheshin dhe tejkaluan çdo parashikim. Kur njëri nga njerëzit e tij u kthye në Medinë, njerëzit e pyetën:

- Si janë muslimanët në “Ubul‑le”?

- Për çfarë po pyetni?! ‑ pyeti ai.

Për Zotin i kam lënë duke tubuar ar dhe argjend me të madhe. Këto fjalë të tij nxitën shumë njerëz që t’ia mësyjnë “Ubul‑les”.

*   *   *

Në këtë situatë, Utbeja kishte vërejtur se me vendosjen e ush­tarëve nëpër qytetet e çliruara, kjo do të bëjë që ata të  humbin elanin për luftë, do të mësohen me një jetë pa obligime dhe do të marrin tiparet e cilësitë e banorëve vendas.

Kjo e shtyri Utbenë që t’i shkruajë letër Omerit r.a. dhe të kërkojë leje për themelimin e Basrës, pasi që më parë ia kishte për­shkruar vendin e zgjedhur për të, e Omeri r.a. i dha leje.

*   *   *

Utbeja e bëri planin e qytetit dhe ndërtesa e parë që e ndërtoi ishte xhamia madhështore... S’është çudi, ngase për hir të xhamive ai dhe shokët e tij dolën në luftë në rrugën e Allahut... Dashuria ndaj fesë dhe ndaj xhamisë i bëri ata triumfues dhe ngadh­ënjyes ndaj armiqve të Allahut.

Ushtarët garonin se kush do të marrë më tepër tokë dhe në ndër­timin e shtëpive.

Utbeja nuk ndërtoi shtëpi për vete, por vazhdoi të jetojë në një tendë, sepse kishte ndërmend diçka tjetër...

*   *   *

Utbeja vërejti se të mirat e dynjasë i kishin preokupuar muslimanët në Basra, saqë kishin harruar vetveten dhe se ata njerëz të cilët deri dje nuk dinin për ushqim më të mirë sesa orizin e zier me lëvozhgë, kishin shijuar ushqimet e persianëve si hallvë me mjaltë; kadaifin dhe ëmbëlsira të tjera, të cilat iu kishin pëlqyer.

Nga tërë kjo mirëqenie frikësohej se të mirat e kësaj bote do t’i bëjnë muslimanët që t’i lënë pas dore detyrimeve fetare. Mu për këtë arsye tuboi njerëzit në xhaminë e Kufes, u foli dhe u tha:

‑ O ju njerëz, kësaj bote të përkohshme me të vërtetë do t’i vijë fundi, e ju do të transferoheni në botën tjetër, e cila është e përjetshme.

Përpiquni që në të të kaloni me veprat më të mira. Më keni parë mua kur isha nga shtatë besimtarët e vetëm me të Dërguarin e Allahut e nuk kishim ushqim tjetër përveç gjetheve të pemëve.

Një ditë, pata gjetur në tokë, një qyrk të cilin e mora dhe e ndava me Sa’d ibni Vekkasin, gjysmën e mori S’adi për mbulesë e gjysmën tjetër e mora unë.

E sot, secili prej nesh është mëkëmbës ‑vali i ndonjë province?

Kërkoj ndihmë dhe mbrojtje prej Allahut që të mos jem i madh në vetvete e i vogël tek Allahu...

Pas këtyre fjalëve të prekshme, njërin prej tyre e la zëvendës të vetin, u përshëndet me ta dhe u nis për në Medinë.

Kur arriti tek Omeri r.a. kërkoi prej tij që ta lirojë nga posti, por ai nuk e liroi. Utbeja insistoi me ngulm që të lirohet, por halifi nguli këmbë dhe e urdhëroi atë që të kthehet përsëri në Basra.

Iu nënshtrua urdhrit të Omerit pa dëshirë dhe duke hipur në deve tha:

‑ O Zot i Plotfuqishëm, mos më kthe atje!

Allahu i Madhërishëm iu përgjigj lutjes së tij, kështu që jo fort larg Medinës deveja e tij rrëshqiti dhe ai ra prej saj pa frymë në tokë...

Allahu e mëshiroftë Utbe bin Gazvanin!



[1] Dixhle ‑ lumë që buron në Turqi, vazhdon rrjedhën e tij nëpër Irak, për t’u derdhur pastaj në Gjirin arab (persik).

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top