- font size decrease font size increase font size
HABBAB IBNUL ERETTI
HABBAB IBNUL ERETTI
“Allahu e mëshiroftë Habbabin, që besoi me dëshirë, emigroi me bindje dhe jetoi si luftëtar.”
Ali ibnu Ebu Talibi
Umu Enmar El Huzaijje u nis për në tregun e robërve (shërbëtorëve) në Mekë.
Dëshironte të blente një shërbëtor që t’i shërbente asaj dhe të përfitonte nga puna e tij. Një nga një filloi t’i vështrojë fytyrat e robërve të ekspozuar për shitje. Zgjedhja e saj ra në një djalosh të ri, që ende nuk kishte arritur moshën e pjekurisë. Ajo që e nxiti për ta blerë ishte shëndeti dhe shenjat e inteligjencës dhe të mençurisë që shiheshin në fytyrën e tij, kështu që e pagoi vlerën e tij dhe u largua me të.
Derisa ishin duke ecur rrugës, ajo u kthye nga djaloshi dhe e pyeti:
‑ Si e ke emrin, djalosh?
‑ Habbab, ‑ u përgjigj ai.
‑ Si e ka emrin babai yt? ‑ e pyeti prapë ajo.
‑ El-Erettu, ‑ i tha ai.
‑ Prej nga je?
‑ Nga Nexhdi.
‑ Do të thotë ti je arab!! ‑ tha ajo.
‑ Po, nga fisi Benu Temim, ‑ ia ktheu ai.
‑ Atëherë, si arrite në duart e shitësve të robërve mekas? ‑ e pyeti prapë ajo.
‑ Lagjen tonë e sulmoi njëri nga fiset arabe, na i plaçkitën bagëtitë, na i robëruan gratë dhe morën fëmijët tanë. Unë isha njëri prej atyre fëmijëve që u morën dhe dorë pas dore më sollën në Mekë dhe ja, tani arrita në duart e tua, ‑ u përgjigj me një frymë Habbabi i vogël.
* * *
Umu Enmari ia dorëzoi Habbabin njërit prej farkëtarëve të Mekës që t’ia mësojë mjeshtërinë e farkimit të shpatave. Nuk shkoi shumë kohë e djaloshi e përsosi shumë mjeshtërinë e farkimit të shpatave. Kur Habbabit iu forcua trupi, Umu Enmari ia mori një dyqan me qira, ia bleu mjetet e punës dhe filloi të përfitojë nga shkathtësia e tij në punimin e shpatave.
* * *
Nuk vonoi dhe Habbabi u popullarizua në Mekë, saqë njerëzit vinin pandërprerë për të blerë shpata te Habbabi, ngase ai ishte i sinqertë dhe kishte një afinitet të stërholluar në mjeshtërinë e punimit të tyre.
* * *
Ndonëse Hababi ishte i ri, i logjikonte gjërat me mençuri dhe urtësi të të vjetërve... Shpeshherë kur lirohej nga puna dhe mbetej vetëm, kredhej në mendime, duke menduar për këtë shoqëri injorante e cila ishte zhytur në punë të këqija fund e krye.
E rëndonte ajo që i kishte kapluar arabët, injoranca dhe verbëria, - viktimë e së cilës ishte edhe ai vetë. Shpeshherë thoshte: “Kjo errësirë patjetër duhet ta ketë fundin e saj...” E mbante shpresa se një ditë prej ditësh me sytë e vet do ta shihte zhdavaritjen e kësaj errësire dhe lindjen e dritës aq të pritur.
* * *
Fatmirësisht, pritja e Hababit nuk zgjati shumë. Mori vesh se një shkëndijë e dritës i është shfaqur njërit nga familja e Beni Hashimit, ‑ Muhammedit të birit të Abdullahut. Me nxitim shkoi tek ai dhe dëgjoi prej tij. Shkëlqimi i tij e mahniti të tërin dhe ia pushtoi tërë qenien. Pa një pa dy, ia shtriu dorën dhe dëshmoi se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoi se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij.
Ishte i gjashti që e përqafoi Islamin mbi sipërfaqe të tokës, saqë për të thuhej: Kaloi bukur një kohë e Habbabi ishte i gjashti në Islam...
* * *
Habbabi nuk e fshehu besimin e tij prej askujt, kështu që nuk shkoi shumë kohë e lajmi për Islamin e tij i arriti Umu Enmarit. Ajo, e mbushur plot pezm, hidhërim dhe urrejtje, mori me vete të vëllanë, Sibaun, të cilëve pastaj iu bashkangjitën edhe një numër i të rinjve nga fisi Huza’a dhe shkuan te Habbabi, të cilin e gjetën të thelluar në punën e tij. Sibau i doli përpara dhe i tha:
‑ Për ty na ka arritur një lajm të cilin s’kemi mundur ta besojmë.
‑ Çfarë lajmi? ‑ i pyeti Habbabi
‑ Është përhapur lajmi se ti e ke lënë fenë tonë dhe e ke përqafuar fenë e djaloshit të
‑ Nuk kam dezertuar por i kam besuar Allahut Një, i Cili nuk ka shok... I kam lënë idhujt tuaj dhe kam dëshmuar se Muhammedi është i Dërguari i Allahut dhe rob i Tij ‑ ia ktheu Habbabi fare i qetë.
Ende pa i përfunduar mirë këto fjalë, Sibau dhe ata që ishin me të, iu hodhën Hababit përmbi dhe filluan ta godasin me grushta e me shqelma, me çekanë dhe me çka u vinte në dorë prej hekurishteve, derisa e lanë në tokë, të përgjakur e pa vetëdije.
Në Mekë, me shpejtësi rrufeje, u përhap lajmi rreth asaj që ndodhi mes Habbabit dhe zonjës së tij!!!
Njerëzit u habitën nga guximi i Habbabit, ngase nuk u kishte rastisur të dëgjojnë që dikush ta kishte pranuar Muhammedin dhe të kishte dalur haptas para njerëzve duke e shpallur besimin e tij, me kaq sinqeritet dhe vendosmëri. Paria kurejshite u trondit nga rasti i Habbabit. Nuk u kishte shkuar ndërmend se farkëtari i Umu Enmarit, i cili nuk ka familje e as fis që ta mbrojë dhe ta përkrah, të marrë guxim t’i dalë përballë zonjës së vet dhe haptas t’i fyejë zotat e saj duke përdhosur fenë e baballarëve dhe gjyshërve të saj.
Pareshtur i bënin pyetje vetvetes: Nëse sot ka ndodhur kështu, a thua çka do të ndodhë nesër, çka do të bëhet me të tjerët?!... Kurejshët nuk gabuan në atë që paramenduan, sepse guximi dhe trimëria e Habbabit nxiti shumë nga shokët e tij që ta shpallnin haptas, njëri pas tjetrit, besimin e tyre.
* * *
Paria kurejshite u tubua te Qabja në krye me Ebu Sufjanin, Velid bin Mugiren dhe Ebu Xhehlin dhe biseduan për çështjen e Muhammedit dhe konkluduan se çështja e tij po rritet dita më ditë. Vendosën që ta zhdukin këtë sëmundje para se ajo të marrë përmasa edhe më të gjera dhe vendosën që çdonjëri të ndëshkojë me ndëshkimin më të rëndë ithtarët e Muhammedit në radhët e fisit të tij, derisa t’i detyrojnë ata të largohen nga feja e Muhammedit ose të vdesin...
* * *
Sibae bin Abdil Uzasë dhe fisit të tij i ra barra e torturimit të Habbabit...
Kur përcëllonte dielli në mes të ditës dhe kur rrezet e diellit digjnin tokën, e nxirrnin Hababin në periferi të Mekës, ia hiqnin petkat dhe në vend të tyre i vishnin një mburojë të hekurt. Nuk i jepnin ujë derisa rraskapitej së tepërmi, e atëherë vinin e i thonin:
‑ Ç’thua për Muhammedin?
‑ Rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij. Na ka ardhur me fe të udhëzimit dhe të drejtë, që të na nxjerrë nga errësira në dritë të vërtetë ‑ thoshte ai.
Ia shtonin edhe më shumë të rënat dhe grushtat, e pastaj i thonin:
‑ Ç’thua për Latin dhe Uzanë (zotërat e tyre)?!
‑ Dy puta të shurdhër dhe memecë që nuk bëjnë as dëm e as dobi, ‑ u thoshte ai.
Atëherë, nga tërbimi, Sibai me shokë sillnin gurë të skuqur dhe i vendosnin në shpinën e tij, derisa i rridhte lëngu i yndyrshëm nga supet.
* * *
Umu Enmari nuk ishte aspak më e butë në ndëshkimin ndaj Habbabit sesa vëllai i saj, Sibai. Ajo një ditë e kishte parë të Dërguarin e Allahut duke kaluar pranë dyqanit të Habbabit dhe kishte folur me të, gjë që e kishte shastisur.
Filloi të vinte te Habbabi ditë për ditë, e merrte një hekur të skuqur nga furra dhe ia vënte në kokë, derisa i dilte tym nga koka dhe i binte të fikët.
Habbabi kërkonte ndihmë nga Zoti, e mallkonte Umu Enmarin dhe të vëllanë e saj, Sibain.
* * *
Kur i Dërguari i Allahut u lejoi shokëve të vet të emigrojnë për në Medinë edhe Habbabi u përgatit për dalje. Ende pa e lëshuar Mekën, Allahu iu përgjigj lutjes së Habbabit kundër Umu Enmarit...
Ajo u sëmur me një dhembje të padurueshme të kokës, saqë nga dhembjet e mëdha që i ndiente ulërinte ashtu siç ulërojnë qentë...
Djemtë e saj kërkuan mjekim për të në çdo vend. Dikush iu tha: “Nuk ka shërim për të përveç nëse e djeg ngapak kokën e saj me hekur të skuqur. Ajo filloi ta fërkojë kokën e saj me hekur të skuqur, saqë nga dhembja e harronte fare dhembjen e kokës.”
* * *
Habbabi, në mikpritjen e ensarëve (vendasve) të Medinës shijoi kënaqësinë dhe prehjen shpirtërore e fizike nga e cila kishte qenë i privuar një kohë të gjatë. Syri i tij u kënaq me shikimin e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi të, pa e trazuar apo turbulluar dikush këtë çiltëri.
Me të Dërguarin e Allahut përjetoi Bedrin, duke luftuar nën flamurin e tij... Me të Dërguarin e Allahut doli edhe në Uhud, ku Allahu xh.sh. ia qetësoi shpirtin e tij tek e shihte përfundimin (vrasjen) e Sibaut nga dora e “Luanit të Allahut” Hamza bin Abdul Mutalibit... Jetoi derisa i arriti të katër “Hulefai Rrashidinët”, dhe në mbikëqyrjen e tyre kaloi një jetë të begatshme e krenare...
* * *
Një ditë, gjatë sundimit të Omerit, ai hyri te halifja. Omeri e lartësoi prezencën e tij, e lavdëroi atë dhe tha:
‑ Askush nuk ka përparësi në këtë tubim para teje, përveç Bilalit. Pastaj e pyeti për mundimet e rënda që i kishte përjetuar nga kurejshët, mirëpo atij i erdhi keq dhe u ngushtua t’i përgjigjet...
Kur Omeri insistoi edhe më, Habbabi hoqi mbulesën nga shpina e tij, saqë Omeri u trondit nga ajo që pa dhe tha:
‑ Si të është bërë shpina kështu?!
Habbabi i tha:
‑ Mushrikët ndezën dru derisa ato u bënë gaca... Pastaj m’i zhveshën petkat dhe më vendosën ato gaca mbi shpinë derisa më ra mishi copa‑copa nga eshtrat e shpinës. Zjarri u fik vetëm atëherë kur nga trupi im rrodhi lëng dhe gjak.
* * *
Në vitet e fundit të jetës së tij Habbabi u bë njëri prej të pasurve. Arriti të ketë pasuri në ar e argjend, të cilën gjë s’e kishte ëndrruar kurrë, mirëpo ai me pasurinë e tij u soll në atë mënyrë që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend... Dërhemët dhe dinarët e tij i vendosi në një vend të caktuar në shtëpi, vend të cilin e dinin të gjithë të varfërit dhe skamnorët. Këtë pasuri të tij as nuk e fshihte e as nuk e kishte futur nën dry, kështu që të varfërit vinin në shtëpinë e tij dhe merrnin nga ajo pasuri aq sa u nevojitej, pa pyetur dhe pa kërkuar leje... Edhe pas gjithë kësaj, Habbabi frikësohej se do të jepte llogari për këtë pasuri, se mos ndoshta ajo do të bëhej shkak që në botën tjetër do të ndëshkohet.
Disa nga shokët e tij tregojnë dhe thonë:
‑ Kemi hyrë te Habbabi kur ishte i sëmurë dhe parandjente se vdekjen e kishte afër dhe na tha: - Në këtë vend kam lënë tetëdhjetë mijë dërhemë, për Zotin asnjëherë nuk i kam ruajtur e as që e kam penguar ndonjërin prej tyre, - pastaj filloi të qajë me ngashërim.
‑ Ç’të shtyu të qash?! ‑ i thanë shokët.
‑ Qaj, ‑ tha ai, ‑ sepse shokët e mi shkuan e nuk shijuan asgjë nga mirësitë e kësaj jete, kurse unë mbeta dhe arrita të kem këtë pasuri, të cilës i frikësohem se është shpërblim për veprat e kësaj bote, e në jetën tjetër s’do të kem asgjë nga shpërblimet.
* * *
Kur Habbabi iu bashkangjit mëshirës së Allahut, emiri i muslimanëve, Ali ibnu Ebi Talibi, u ndal para varrit të tij dhe tha:
- Allahu e mëshiroftë Habbabin, besoi me dëshirë, emigroi me bindje (dëgjueshmëri) dhe jetoi si luftëtar... Allahu nuk ua humb mundin atyre që bëjnë vepra të mira.
Abdurr Rrahman Rafet El Basha
Përktheu: Ahmet Rama