- font size decrease font size increase font size
SELEME IBNU KAJS EL‑ESHXHE'IJUSELEME IBNU KAJS EL‑ESHXHE'IJU
SELEME IBNU KAJS EL‑ESHXHE'IJU
Omer el‑Faruku e kaloi tërë natën pa gjumë duke ruajtur në periferi të Medinës me qëllim që njerëzit të flejnë, t'i mbyllin qepallat e tyre, të jenë të sigurtë dhe të kënaqur.
Gjatë lëvizjeve të tij ndërmjet shtëpive dhe tregjeve, ai përkujtoi burrat e mëdhenj dhe trima nga radhët e shokëve të Resulullahut, që t'i dorëzojë bajrakun dhe ta emërojë komandant ushtarak njërin prej tyre që të shkojë dhe ta çlirojë Ahvazin (krahinë e cila shtrihet në perëndim të Iranit)...
Pastaj, papritmas brohoriti duke thënë: “Triumfova në këtë çështje, po triumfova, në qoftë se dëshiron Allahu...” Kur ia dha agu i mëngjesit, ai e ftoi Seleme ibnu Kajs el‑Eshxheijun dhe i tha:
- Vërtet, unë të emëroj ty në krye të ushtrisë e cila do të drejtohet për në Ahvaz, atëherë ec me emër të Allahut dhe luftoje në rrugën e Allahut atë që nuk i beson Atij. Kur të ndesheni me armikun tuaj nga politeistët, ftoji ata në Islam, e nëse hyjnë në Islam, atëherë le të zgjedhin qëndrimin në trojet e tyre dhe të mos marrin pjesë me ju në luftë kundër të tjerëve. Ata nuk kanë kurrfarë obligimi përveç zekatit e as në pasuri (plaçkë) të luftës nuk kanë të drejtë (nuk iu takon asgjë).
- Ose le të zgjedhin që të luftojnë së bashku me ju, atëherë atyre iu takon çdo gjë, siç ju takon juve dhe obligimet e tyre janë sikurse tuajat. Nëse ata e refuzojnë hyrjen në Islam, atëherë kërko prej tyre xhizjen[1], i lërini ata në punët e tyre dhe mbrojini nga armiku i tyre, e as mos i detyroni për atë që nuk kanë mundësi. Por, nëse e refuzojnë edhe këtë, atëherë luftojini, sepse Zoti vërtet është ndihmëtari juaj kundër tyre. Në qoftë se rezistojnë në ndonjë kështjellë, pastaj kërkojnë nga ju që t'i nënshtrohen gjykimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, mos e pranoni atë prej tyre, sepse ju nuk e dini se ç'është gjykimi i Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
- Nëse kërkojnë prej jush besën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, mos ua premtoni atë, por u jepni besën tuaj...
- Nëse fitoni luftën, mos u jepni pas plaçkës, mos tradhtoni, mos luani me kokat e të vrarëve e as mos i vritni të miturit!...
Selemeja iu përgjigj: - Të dëgjoj dhe të respektoj, o prijës i muslimanëve...
Atëherë Omeri e përcolli me ngrohtësi, ia shtrëngoi dorën fort dhe kërkoi prej tij që t'u përmbahet urdhrave.
Ai e çmonte dhe e vlerësonte lart rëndësinë e ekspeditës së madhe që ia besoi përfaqësuesit të vet dhe fuqinë e ushtri-së së tij.
Arsyeja për këtë ishte se Ahvazi ishte vend malor, me rrugë të vështira, i mbrojtur në pikëpamje strategjike me shtrirjen e tij ndërmjet Basrës dhe Tuhumit të Persisë, ku banonin njerëzit e fuqishëm kurdë.
Muslimanët nuk kishin zgjidhje tjetër, përveç çlirimit të Ahvazit apo të dominojnë në të që ta mbrojnë shpinën e tyre nga sulmet e persianëve (iranasve) mbi Basra, që t'i pengojnë në synimet për të marrë Basrën, për të mos e bërë bazë ushtarake të tyre, në mënyrë që të mos rrezikohet paqja dhe siguria e Irakut...
* * *
Seleme ibnu Kajsi shkoi në krye të ushtrisë luftëtare, në rrugën e Allahut, dhe pak nga pak depërtonin në thellësi të tokës së Ahvazit gjersa u kacafytën me vrazhdësinë dhe pozitën e ashpër gjeografike të tij.
Ushtria zuri të vuaj nëpër kodrat e thepisura e të rrëpinjta duke u ngjitur mbi to e pastaj edhe duke zbritur nëpër ultësirat e mbushura me ujë.
Ajo duhej t'u bënte ballë gjarpërinjve dhe akrepave helmues, qoftë zgjuar apo fjetur.
Por shpirti i besimtarit dhe i njeriut largpamës, Seleme ibnu Kajsit, valonte me krahët e tij mbi ushtrinë e vet, ndërsa vuajtjet zunë t'u lehtësohen dhe ato terrene tejet të vështira iu dukeshin edhe më të kapërcyeshme.
Kohë pas kohe ai u jepte këshilla, të cilat i ngashërenin shpirtrat e tyre. Netët ua bënte të lumtura me zërin e ëmbël të tij duke lexuar Kur'an. Ata magjepseshin me të dhe bëheshin shend e verë. Kredheshin në mendime në përpjekje për të kuptuar domethëniet e ajeteve kur'anore.
Ata harronin vuajtjet dhe mundimet e përjetuara gjatë ditës.
* * *
Selemeja e respektoi urdhrin e halifit të muslimanëve posa u takua me popullin e Ahvazit. Ai i ftoi ata të pranojnë Fenë e Allahut, kurse ata e kundërshtuan dhe nuk e pëlqyen...
I ftoi që ta japin xhizjen, por ata edhe këtë e refuzuan me mendjemadhësi...
Atëherë muslimanëve nuk iu mbeti tjetër përveçse t'i luftojnë. E filluan luftën në rrugën e Allahut, të kënaqur nga Ai për të mirat që do t'iu dhurojë...
* * *
U zhvilluan beteja të ashpëra dhe të zjarrta, nga të cilat digjeshin dhe fluturonin pjesë të djegura nga trupi. Që të dy palët kundërshtare treguan trimëri të rrallë, që nuk është hasur në beteja të tjera.
Pastaj, nuk vonoi shumë dhe këto beteja të përgjakshme përfunduan me fitoren e pastër të muslimanëve, të cilët luftonin për ta lartësuar Fjalën e Allahut. Në këto beteja armiku pësoi humbje të mëdha.
* * *
Kur përfundoi lufta plotësisht, Selemeja shpejtoi t'ua ndajë ushtarëve të vet plaçkën e luftës. Në to gjeti një stoli të çmueshme dhe dëshiroi që t'ia dërgojë emirit të besimt-arëve dhe iu drejtua ushtarëve të vet duke iu thënë:
- Nëse kjo stoli ndahet ndërmjet jush, atëherë për ju kjo nuk do të vlejë asgjë... A jeni të kënaqur po qe se ia dërgojmë këtë Emirit të besimtarëve (Omerit r.a.)?
Ata iu përgjigjën:
‑ Po.
Atëherë ai e vendosi stolinë në një arkë të vogël, thirri njërin nga fisi El‑Eshxha' dhe i tha:
‑ Shko deri në Medinë me shërbëtorin tënd, lajmëroje Omerin r.a. mbi fitoren e shënuar dhe dorëzoja këtë stoli të çmuar!
Ekziston një histori lidhur me Omerin r.a. dhe njeriun nga El‑Eshxhe'ijjët, në të cilën mund të marrim mësime dhe këshilla. Në vazhdim po citojmë fjalët e këtij njeriu.
“Shkova së bashku me shërbëtorin tim gjer në Basra, blemë dy deve me atë pasuri që na dha Seleme ibnu Kajsi dhe ngarkuam gjërat e nevojshme për udhëtim.
Shkuam duke mbajtur anën e djathtë në drejtim të Medinës dhe kur arritëm atje kërkova emirin e besimtarëve.
Atë e gjeta duke iu ofruar drekë muslimanëve, mbështe-tur mbi një shkop mu si bariu. Ai sillej rreth sofrave dhe i thoshte shërbëtorit të tij, Jerfes:
O Jerfe, sillju këtyre mish... këtyre sillju bukë..., kurse këtyre sillju gjellë...
Posa arrita tek ai, më tha – “ulu”, dhe kur u ula mbrapa atyre njerëzve, ai më dha ushqim gjersa u ngopa. Pas ngrënies së ushqimit, Omeri më tha “ngrije sofrën tënde” e pastaj u nis për në shtëpi, kurse unë e ndoqa pas.
Kur hyra në shtëpi të tij, kërkova leje që të hyj edhe unë dhe atë e gjeta ulur mbi një dyshek prej leshi, mbështetur në dy jastëkë të lëkurës, të mbushur me lëvore të hurmës. Ma dha njërin prej tyre dhe u ula mbi të. Mbrapa tij pashë një perde nga e cila u drejtua dhe thirri:
Oj Ummu Kulthum, sillna drekën tonë...
Thashë me vete: A thua, çfarë do të jetë ushqimi i Emirit të besimtarëve të cilin e ka përgatitur enkas për vete? E shoqja ia solli bukën me lëng (vaj) ulliri mbi të cilën kishte kripë të patretur... Omeri r.a. hëngri, kurse unë kurrnjëherë nuk kam parë njeri të ketë ngrënë më mirë dhe më bukur. Ai më ofroi edhe mua ushqim për të ngrënë dhe hëngra pakëz.
Pastaj tha: - Na sillni që të pimë dhe na sollën një enë në të cilën kishte pije të kulluara nga elbi. Omeri tha: - Jepini këtij njeriu së pari. Mora enën dhe piva pak prej saj, sepse lëngu i elbit që unë kisha ishte më i kënaqshëm dhe më cilësor.
Pastaj Omeri e mori enën dhe piu gjersa u ngop dhe tha:
“El hamdu lil‑lah (Lavdi i qoftë Allahut), i Cili na ka dhënë ushqim dhe na ka bërë të mundur të ngopemi, na ka bërë të mundur të pimë ujë dhe ta shuajmë etjen tonë.”
Më në fund iu drejtova duke i thënë: - Kam ardhur te ti me një shkresë.
Ai pyeti: - Prej nga?
I thashë: - Nga Seleme ibnu Kajsi.
Omeri tha: - I mirëseardhur e i mirëpritur është Seleme dhe emisari i tij... Më trego për ushtrinë muslimane...!
Ia ktheva: - Ashtu siç dëshiron ti, o emir i besimta-rëve... Ata janë shëndosh e mirë dhe kanë ngadhënjyer ndaj armikut të tyre dhe të Allahut.
E përgëzova dhe i urova fitoren duke e lajmëruar për ushtrinë në përgjithësi e pastaj e njoftova në hollësi.
Omeri brohoriti me zë të lartë: “El hamdu lil‑lah (Lavdi i qoftë Allahut)... Ai ka dhënë dhe është i Madhëruar, ka dhuruar begati dhe ato janë shumëzuar.
Pastaj më pyeti se a kam kaluar pranë Basras. Unë i thashë: Po o emiri i besimtarëve.
Pyeti: - Si janë muslimanët?
I thashë: - Mirë janë nga Zoti.
Pyeti: - Si janë çmimet?
I thashë: - Atje janë çmimet më të ulëta.
Ai pyeti: - Si është çmimi i mishit, se mishi është artikulli kryesor ushqimor i arabëve. Arabët nuk mund të qëndrojnë dot pa të.
Unë i thashë: - Mishi është i mjaftueshëm atje.
Ai u kthye nga arka që e kisha me vete dhe pyeti:
- Ç’është ajo në duart e tua?!
I thashë: - Mbasi Zoti na ndihmoi kundër armikut tonë, i mblodhëm plaçkat e luftës, kurse Selemeja pa në to një stoli dhe i tha ushtrisë: “Vërtet, nëse kjo stoli ndahet ndërmjet jush, nuk do të arrini asgjë... A jeni të kënaqur nëse ia dërgojmë emirit të besimtarëve?”
Ata i thanë: “Po.”
Pastaj ia dorëzova arkën...
Mbasi e hapi arkën dhe pa gurët e çmueshëm të cilët ishin stoli të kuqe, të verdhë dhe të gjelbër, ai kërceu nga vendi i tij dhe e vendosi dorën në majë të arkës, e lëshoi atë në tokë dhe u shpërdanë djathtas e majtas të gjitha.
Gratë e tij menduan se desha ta vras dhe u afruan te perdja..., pastaj Omeri m'u drejtua dhe më tha: - Mblidhi ata gurë!..., Pastaj i tha shërbëtorit të tij: - Bjeri dhe sakatoje!
Fillova t'i mbledh ato që ranë në tokë, ndërsa Jerfeja më binte pandërprerë.
Pastaj Omeri më urdhëroi të ngrihem dhe tha: - Mos qofsh i falënderuar ti e as shoku yt.
Nga ai kërkova që të na lejojë një deve të na mbartë mua dhe shërbëtorin tim deri në Ahvaz, sepse shërbëtori i tij kishte marrë deven time.
E urdhëroi Jerfen që të na japë dy deve nga devetë më të mira.
Pastaj Omeri më tha: -Kur ta kryesh detyrën tënde (kur të arrish te shokët) me këto dy deve dhe e gjen atë që ka më shumë nevojë për to, atëherë jepja atij këto deve.
Pohova se do ta bëj këtë... Po, do ta bëj këtë, o emir i besimtarëve, në dashtë Zoti.
Më në fund m'u drejtua me kërcënim:
- Për Zotin, - nëse nuk i ndahet kjo stoli ushtrisë para se të shpërndahet, do të të dërrmoj.
U ktheva te Selemeja dhe i thashë: - Nuk më bekoi Zoti për atë që më caktove... Ndaje këtë stoli ndërmjet ushtarëve para se të urdhërohet ndonjë e keqe ndaj nesh. Pastaj e lajmërova ngjarjen që më ndodhi...
Nuk u largua nga ai vend gjersa e ndau stolinë ndërmjet ushtarëve.
[1] Xhizja: Është tatim i caktuar në fenë islame për jomuslimanët.
Abdurr Rrahman Rafet El Basha
Përktheu: Fadil Hasani