- font size decrease font size increase font size
Një rrëfim mbi dashurinë më të bukur
NJË RRËFIM MBI DASHURINË MË TË BUKUR NDËRMJET DY NJERËZVE
Me këtë rrëfim përkufizohet koncepti i "dashurisë" e jo si duan të na tregojnë neve personalitetet e ndryshëm, si Romeo dhe Zhulieta etj
ME EMRIN E ALLAHUT, MËSHIRUESIT, MËSHIRËBËRËSIT!
- Nuk është rrëfimi mbi Romeon dhe Zhulietën apo Kajsin dhe Lejlën, ajo çfarë sot dua të tregoj është rrëfimi më i mrekullueshëm mbi dashurinë që ka ekzistuar prej krijimit të njeriut të parë deri në ditët e sotme.
Ndoshta ti mendon se çfarë ka të bëjë ky rrëfim dashurie me Islamin. Mos u mërzit, se ky rrëfim është plotësisht hallall dhe kur do ta tregoj Inshaallah do të më japësh të drejtë.
- Me këtë rrëfim përkufizohet koncepti i "dashurisë" e jo si duan të na tregojnë neve personalitetet e ndryshëm, si Romeo dhe Zhulieta etj. Dhe unë nuk dyshoj në besnikërinë e tyre. Ha-ha-ha, por diçka mungon në këto ngjarje.
Interpretuesit kryesorë të këtij rrëfimi janë Ademi dhe Hava, alejhimas-selam. Për ta kuptuar këtë më mirë, të vështrojmë njëherë prapa, shumë e shumë vjet në të kaluarën (Allahu e di më së miri!), kur Allahu, subhanehu ve teala, e krijoi njeriun e parë nga balta, ashtu siç na tregon Kur’ani i shenjtë:
"Ai e krijoi njeriun nga balta e terur (si enë balte) e pjekur." (55:14) Ai, subhanehu ue te’ala, e krijoi atë, e ngriti dhe ia dha formën më të mirë, e pajisi me arsye dhe e ngriti mbi të gjitha qeniet.
Ademi, alejhis-selam, ka jetuar në Xhenet dhe kishte gjithçka në dispozicion. Ai ndihej i vetmuar dhe i mërzitur. Kjo duket si një përrallë për fëmijë, por në të vërtetë është në hadith "sahih" me transmetim autentik. Diçka i mungonte atij, nuk mund të jetonte i vetëm në Xhenet. Ai ndihej jo i plotë, i nevojitej shoqëri, qetësi, dashuri, mëshirë, zemërbutësi, etj., dhe kërkoi nga Allahu subhanehu ve teala, që të krijonte dikë me këto cilësi, që ai të ndihej i plotë dhe të ishte vërtet i qetësuar dhe i lumtur. Allahu, subhanehu ve teala, e krijoi Havën, alejhas-selam, nga brinja e majtë e Ademit alejhis-selam.
"Ai (Allahu) është Ai që ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e prej të cilit krijoi bashkëshorten e tij për t’u qetësuar pranë saj. Kur e mbuloi ai (mashkulli) atë (gruan), ajo u ngarkua me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdoi me të, e kur u bë e rëndë, ata të dy lutën Allahun, Zotin e tyre: "Nëse na jep një (fëmijë) të mirë (pa të meta), ne do të jemi falënderues ndaj Teje". (7:189)
- Këtu dua të bëj një pushim të shkurtër, para se të vazhdoj të tregoj më tej, pasi që rrëfimet në Kur`an dhe në Sunetin e të dërguarit Muhamed, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk janë për t`u zbavitur, por për të menduar për to dhe për t`i zbatuar në jetën e përditshme.
- Çfarë mendoni, përse Allahu, subhanehu ve teala, e krijoi së pari Ademin e pastaj Havën?
- Përse Allahu, subhanehu ve teala, nuk i krijoi që të dy përnjëherë, gjë e cila për të Gjithëfuqishmin do të ishte diçka e lehtë? Ndoshta me qëllim që Ademi alejhis-selam, të ndjente se çfarë është vetmia dhe me këtë ta dinte se jeta pa të s’do të ishte e mundur, madje as në Xhenet (Allahu e di më së miri!). Ndoshta me këtë Allahu, subhanehu ve teala, do të na thotë se burri s`mund të jetoj pa grua dhe as gruaja s`mund të jetojë pa burrë (Allahu e di më së miri!). Asnjëri nga të dytë nuk është i plotë, por që të dy nga lloji dhe mënyra e tyre e krijojnë një plotësi, janë dy blloqe të së njëjtës ndërtesë.
- Nga këtu e marrim konceptin e "burrit" dhe "gruas" në Islam. Burri dhe gruaja janë dy njerëz me rrënjë të njëjta, të njëjtë në të drejta dhe detyra, me detyra dhe dallime plotësuese. Që të dy i ngjajnë njeri-tjetrit dhe secili e sjell atë që i mungon tjetrit. Gruaja është çelësi i lumturisë në dynja dhe qetësim për burrin dhe anasjellas.
- A e kupton tash hadithin: "Martesa është gjysma e dinit (fesë)"? Ti mund të falesh, të japësh zekat, të agjërosh Ramazanin, të lexosh Kur`an, etj., e kur të martohesh do ta gjesh pjesën tjetër të imanit (besimit).
- A mendon se sikur çdokush të ishte i vetëdijshëm për këtë dhe tjetrin ta konsideronte si një pjesë fondamentale të vetes së tij, do të kishte kaq shumë martesa të dështuara si sot? Sikur çdokush ta kuptonte këtë, se ai/ajo është "jo i/e plotë" a do të hiqte dorë nga pjesa tjetër e vetes së tij? Unë nuk besoj! Kështu lidhja e tyre do të bazohej në dashuri dhe mëshirë për të cilat, Allahu subhanehu ve teala, thotë në Kur`an:
"Dhe nga faktet e madhërisë së Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë." (30: 21)
- Allahu subhanehu ve teala e krijoi Ademin alejhis-selam nga argjila. Argjila është simbol i forcës dhe fuqisë, apo jo? Dhe Havën alejhas-selam, e krijoi nga një brinjë, diçka e gjallë, me jetë dhe ndjenja, e thyeshme dhe e butë. A nuk e sheh se të dy, nëse secili i kryen detyrat e veta, plotësohen dhe kurrë nuk shkëputen? Këto janë shenja të Allahut, subhanehu ve teala, të një ligji të përgjithshëm. Përse mundohen disa t’i bëjnë të dytë të barabartë, sikur të ishin të njëjtë? Përse atëherë janë "burrë" dhe "grua"? Dhe kush e heq çdo herë kartolinën më të keqe? Për fat të keq, si çdoherë gruaja!
- Kur`ani na tregon dallimet në një mënyrë jashtëzakonisht të bukur dhe na jep shembull nga koha. Allahu, subhanehu ve teala, thotë në Kur`an:
"Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Pasha ditën kur ajo shkreptin! Pasha Atë që krijoi mashkullin e femrën! Vërtet, veprimi i juaj është i llojllojtë." (92:1-4)
Natën dhe ditën në kohë, mashkullin dhe femrën në biologji, pozitiv dhe negativ në fizikë dhe astronomi, këto janë shenja që tregojnë se Krijuesi i tyre është i njëjti, është Një:
"Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit)." (51: 49)
- Shkojmë përsëri te ajeti i mëparshëm. Allahu, subhanehu ve teala, na jep një krahasim ndërmjet detyrave të ditës dhe të natës, dhe të burrit e të gruas. Dita dhe nata, të dyja 24 orë, ato e plotësojnë njëra-tjetrën, ashtu që nuk mund të shohësh kalimin nga drita në errësirë. Në disa stinë të vitit nata është më e gjatë se dita dhe ndonjëherë është anasjelltas, por me gjithë këtë ato e plotësojnë njëra-tjetrën dhe çdo herë janë 24 orë. Ato kanë detyra të ndryshme dhe nga asnjëra s’mund të hiqet dorë, as nga nata e as nga dita.
- Allahu, subhanehu ve teala, në shumë ajete në Kur`an thotë:
"Thuaj: "Sikur Allahu ta bënte natën të përhershme (t’ua zgjaste) deri në Ditën e Kiametit, ç`mendoni, cili zot tjetër pos Allahut do t’ju sillte juve dritë? A nuk merrni vesh?"
"Thuaj: "Më tregoni, nëse Allahu ua bën ditën të vazhdueshme deri në Ditën e Kiametit, cili zot pos Allahut do t’ju sillte natë që të pushoni në të? A nuk shihni (sa po gaboni)?" ( 28: 71-72)
- A e kuptoni këtë shembull? Përdoreni te gruaja dhe burri!
- Vazhdojmë me rrëfimin. Mbetëm aty kur Allahu, subhanehu ve teala e krijoi së pari Ademin alejhis-selam dhe pastaj Havën alejhas-selam. Dhe fillimisht që të dy jetonin në Xhenet. Allahu, subhanehu ve teala, u tha se çdo gjë e kishin të lejuar përveç një druri. Ademi dhe Hava alejhimas-selam, e dëgjuan mashtrimin e Iblisit dhe hëngrën nga druri i ndaluar. Dënimi i Allahut për ta ishte që të dalin nga Xheneti. Siç shohim, që të dy bënë gabim dhe u dënuan nga Allahu subhanehu ve teala dhe më vonë Allahu i fali të dy. Ajeti në vijim na tregon ngjarjen më mirë:
"(Ne i thamë) O Adem, ti dhe bashkëshortja jote zini vend në Xhenet, hani nga të doni, e mos iu afroni kësaj peme, pse do të bëheni prej zullumqarëve (të vetvetes suaj). Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t’ua zbulojë atyre pjesët e turpshme që u ishin të mbuluara dhe tha: "Zoti i juaj nuk ua ndaloi ju dyve atë pemë vetëm që të mos bëheni meleqë (engjëj), ose të mos bëheni prej të përjetshmëve." Dhe ju bëri be atyre (duke thënë) se: Unë jam këshillues për ju. Atëherë me mashtrim i zbriti (në nivel të palakmueshëm). E kur e shijuan pemën, u zbulua vendturpi i tyre dhe filluan ta mbulojnë atë (duke vënë gjeth mbi gjeth) nga gjethet e (pemëve të) Xhenetit.
Zoti i tyre i thirri (duke u thënë se): A nuk ua ndalova ju dyve atë pemë dhe a nuk ju thashë ju dyve se shejtani është armik i haptë për ju?! Ata të dy thanë: "Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë (i dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!" (Allahu) tha: "Zbritni, jeni armik i njëri-tjetrit. Në tokë ju e keni vendqëndrimin (vendbanimin) dhe përjetim deri në një kohë." Tha: "Në të (në tokë) do të jetoni (do të gjallëroni), në të do të vdisni (do të varroseni) dhe prej saj do të nxirreni (do të ringjalleni)." O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë argumentet e Allahut ashtu që ata të përkujtojnë. O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë assesi shejtani sikurse i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, zhveshi prej tyre petkun e tyre që t’ju dalë në shesh lakuriqësia e tyre. Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk e shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë."(7: 19-27)
- Bëjmë edhe njëherë një pushim ashtu që të fitojmë një mësim nga kjo pjesë e rrëfimit...
-Xheneti është shtëpia e prindërve tanë të parë, apo jo? Këtu në tokë jemi të gjithë të huaj për një kohë të caktuar. Krahaso 60 deri 70 vjet me amshueshmërinë! Si ndihesh, kur për një kohë e len shtëpinë tënde dhe shkon në udhëtim? Të merr malli për të dhe nuk mund të jesh rehat, apo?
- Dhe tani shtëpia jote e vërtetë nuk është kjo e tashmja, por është Xheneti. A nuk do të kthehesh atje? A nuk do t’i shohësh begatitë prej të cilave hëngrën prindërit tanë? Pra, nuk është aq vështirë sa mendon ti.
- Allahu, subhanehu ve teala, të sjell vetëm një kusht: të pasosh rrugën e Tij. Ai është i Cili të njeh dhe të do më shumë sesa ti veten tënde.
- Edhe në këtë botë ka "drunj të ndaluar". Allahu, subhanehu ve teala, na jep të gjitha, na ka lejuar të gjitha, na ka ngritur mbi gjithçka, krejt i kemi në afërsi dhe Ai, subhanehu ve teala, vetëm pak gjëra na ka ndaluar. Këta "drunj të ndaluar" janë për bamirësinë tonë në këtë botë. Për fat të keq ka shumë prej atyre që nuk kanë mësuar asgjë nga mësimi i prindërve tanë dhe hanë edhe më tej nga ky "dru i ndaluar" dhe krejt tjerat i lënë. Njeriu është shumë i çuditshëm!
- Çfarë mësojmë ne nga kjo pjesë e rrëfimit? Kur prindërit tanë hëngrën nga ky lloj druri, iu zbulua vendturpi dhe çfarë ishte reagimi i tyre? U mbuluan me gjethet e Xhenetit. Çfarë do të thotë kjo? Se natyrshmëria e njeriut është që të mbulohet trupi dhe jo të tregohen vendet intime. Ky dinjitet është i lindur te njeriu dhe është gjëja më e shtrenjtë çfarë ai ka, natyrisht përveç Islamit!
- Iblisi, la’netull-llahi alejh, është armiku ynë dhe ai është në një luftë të vazhdueshme kundër neve. Kush shkon pas egos dhe pasioneve, ai e ka humbur luftën dhe ai është i dështuar në këtë dhe në botën tjetër. Ndërsa të suksesshëm janë ata që e pasojnë rrugën e Allahut subhanehu ve teala.
- Pra, dënimi i prindërve tanë të parë ishte që ata të presin në tokë, sepse Allahu subhanehu ve teala, kështu iu kërcënua atyre nëse ata hanë nga druri i ndaluar. Dhe Ai e zbatoi kërcënimin, por edhe ua fali gabimin.
- Thuhet se Allahu subhanehu ve teala e zbriti Ademin alejhis-selam, në Indi e Havën alejhas-selam, në rrethinën e Xhides (Arabi Saudite). Ata e kanë kërkuar njëri-tjetrin pasi nuk mundnin të jetonin të ndarë nga njëri-tjetri dhe në fund u gjetën. Ku? Në kodrën e mëshirës, diku rreth 70 km në afërsi të Xhides. Kjo do të thotë se Ademi, alejhis-selam, ka ecur nga India deri në Arabinë Saudite me qindra kilometra ndërsa Hava alejhas-selam vetëm 70 kilometra. Përse kjo ka ndodhur kështu? Ndoshta nga kjo ka mbetur që burrat duhet të bëjnë hapin e parë dhe gruaja e ka vetëm fjalën e fundit.
- Motra të dashura! A e kuptoni tash përse burrat duhet të bëjnë kaq shumë rrotullime para se t’ju marrin? Të kërkojë ty, të premtojë se do të sillet me ty ashtu siç e meriton, të të financojë për të gjitha gjërat dhe t’i mbulojë të gjitha nevojat. Ta merr Allahun, subhanehu ve teala, si dëshmitar para prindërve tuaj, pastaj mehri, martesa dhe krejt kjo do të ishte e pamundur pa lejen tënde. Fjalën e fundit e ke ti. A e kupton përse? Sepse ti ke shumë vlerë te Allahu, subhanehu ve teala, te prindërit e tu dhe te burri. Mos u kënaq me më pak dhe mos kërko më shumë. Këto janë të drejta, të cilat t’i dha Allahu, subhanehu ve teala, dhe mos lejo të të tradhtojnë. Janë të drejtat që t`i dha Allahu subhanehu ve teala, Krijuesi yt dhe jo një njeri që është sikurse ti!
- Prandaj është e pakuptueshme se si disa burra mund të ngrenë dorën para juve. Atyre duhet t’u thuhet para fytyrës: Si mund ta bësh këtë, kur prindi yt i parë nuk mundi as në Xhenet të jetonte pa një grua? Si mund ta bësh këtë, kur prindi yt i parë me qindra kilometra ka ecur vetëm e vetëm që të takohet përsëri me gruan e tij? Si mund një njeri të jetë i atillë kur në rangun e parë e vë forcën trupore para dashurisë dhe harmonisë?
- Profeti ynë, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, shpalljen e parë e mori në shpellën "Hira" dhe vrapoi i frikësuar për në Mekë. Dhe te kush shkoi ai? Natyrisht te gruaja, Hadixhja radijall-llahu anha, e cila e mbuloi atë dhe e forcoi deri në fund të jetës së saj.
... Sipas Islamit është shumë keq ta lëndosh gruan në ndjenjat e saj, sepse ajo është një vazo lulesh, që kushton shumë, e thyeshme andaj duhet të sillesh me kujdes me të dhe t`i japësh dashuri ashtu si ua ka mësuar këtë i Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, burrave.
Gruaja u krijua nga brinja e burrit,
e jo nga këmbët për të qenë e shkelur,
as nga koka për të qenë më e ngritur se burri.
Por nga ana (krahu)...
Brinjët për të qenë e barabartë,
Krahun për të qenë e mbrojtur
dhe afër zemrës për të qenë e dashur...
Imrane Asani