EDUKIMI I FËMIJËVE SIPAS PARIMEVE ISLAME

Allahu xh.sh., me fuqinë e Tij, e krijoi këtë gjithësi prej asgjëje. Mirëpo, kjo gjithësi duke e pasur fillimin, gjithashtu do ta ketë edhe mbarimin, shkatërrimin e vet. Në këtë grup bën pjesë edhe njeriu, i cili lind, rritet, zhvillohet, jeton dhe më në fund plaket dhe vdes.

Meqenëse është ligj i Allahut i caktuar në natyrë, që gjeneratat e vjetra të shkojnë, ndërsa gjeneratat e reja t’i zëvendësojnë, Allahu xh.sh. i obligoi muslimanët që t’i edukojnë dhe aftësojnë pasardhësit e tyre, që të jenë të gatshëm dhe të përgatitur mirë për ta pranuar emanetin e Allahut xh.sh. - Fenë Islame dhe obligimet e jetës.
Sipas definicionit islam, natyra e muslimanit duhet të jetë gjithnjë e butë, fisnike, e afërt. Duhet të jetë i drejtë si ndaj të pasurit dhe të varfërit, të ndershmit dhe të pandershmit, nuk guxon ta urrejë askë, nuk guxon të ketë zili, të gënjejë, të dëshmojë rrejshëm, të betohet rrejshëm, të mashtrojë, e të tjera. Duhet ta respektojë të drejtën e çdonjërit  dhe në çdo gjë duhet të ketë durim.
Muslimani duhet të jetë anëtar i dobishëm dhe i vyeshëm i bashkësisë së vet, shoqërisë, dhe kudo që të jetë.
Mirëpo, për të pasur njerëz të tillë është e nevojshme, që dikush ata t’i edukojë, aftësojë dhe t’i  ngrit në këtë drejtim që nga fëmijëria. Për këtë qëllim kemi ajete kur’anore dhe hadithe të Muhammedit a.s. që na urdhërojnë për edukimin e fëmijëve.
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë:n“O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara.” [Tahrimë, 6]
Obligimi për edukimin e fëmijëve, në radhë të parë, iu është ngarkuar prindërve, ngase ata janë shkaktarët e ardhjes së fëmijëve të tyre në këtë botë, pastaj mësuesëve të mësim-besimit dhe arsimtarëve e profesorëve të shkollave nëpër të cilat kalon fëmiu - nxënësi i tyre. Prindërit janë edukatorët e parë të fëmiut, dhe shtëpia e prindërve është shtëpia e parë në të cilën fëmiu merr mësimet e para.
Për të qenë edukimi i suksesshëm dhe i frytshëm, së pari duhet që vetë prindërit të jenë të edukuar në frymën islame, t’i kryejnë obligimet fetare dhe të largohen prej atyre gjërave që janë të ndaluara në fe. Këtë e kërkon edhe Allahu xh.sh. ku që në fillim të ajetit, që e cituam më lartë thotë:
“O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj...” [Tahrimë, 6]
Prindërit duhet të vëjnë marrëdhënie të drejta dhe të sinqerta ndërmjet veti, sepse edhe ky është një faktor me rëndësi në edukimin e  fëmijëve, sepse fëmijët janë si shiriti i magnetofonit, i cili inçizon çdo gjë që e dëgjon, ashtu edhe fëmijët inçizojnë çdo gjë që e shohin dhe e dëgjojnë nga prindërit e tyre. Sjelljet dhe marrëdhëniet e mira e korrekte ndërmjet dy prindërve ndikojnë pozitivisht në edukimin e fëmijëve. Përkundrazi, në një familje, në të cilën shfaqen për ditë grindje të shpeshta e përdoren orë e çast fjalë fyese e banale ndërmjet dy bashkëshortëve në prani të fëmijëve, aty pasojat mund të jenë fatale dhe mund të ndodh diçka që më vonë kurrë nuk do të përmirësohet!!!
Muhammedi a.s. në një hadith ka thënë:
“Çdo fëmijë lind me natyrë të përshtatshme dhe të pastër islame, e më vonë prindërit e bëjnë çifut, krishter ose adhurues të zjarrit.”
Fëmiu lind me natyrë të pastër islame, por çfarë do të bëhet kur të rritet, varet nga karakteri i edukatës dhe mësimit që ia japin prindërit.
Prindërit duhet të kujdesen që të mos i lëshojnë fëmijët e tyre pa kontrollë dhe pa përcjellje, ngase në edukimin e fëmijëve, ashtu si ndikon faktori i brendshëm, e që janë prindërit, ashtu ndikon edhe faktori i jashtëm.
Faktori i jashtëm është rrethi ku jeton fëmiu dhe shoqëria me të cilën shoqërohet, prindërit duhet të kujdesen se ku po shkon dhe me kënd po shoqërohet. Muhammedi a.s. ka thënë:
Atë që nuk e edukojnë prindërit e edukon koha.”
E çfarë është koha sot po dihet fare mirë!!! Muhammedi a.s. në një hadith tjetër thotë:
“Krijesa e Allahut nuk do të vijë para Tij me mëkat më të madh se sa ai, që ka lejuar anëtarët e familjes të ngelin pa edukim të drejtë islam dhe pa njohuri të mjaftueshme mbi dispozitat islame, pa të cilat edhe nuk mund të jetohet në jetën islame.”
Edukimi i fëmijëve në mënyrë të drejtë nuk është punë e lehtë dhe që bëhet brenda ditës. Por, në këtë drejtim duhet shumë mund, përpjekje dhe angazhim i pandërprerë.
Për këtë  arsye edhe Muhammedi a.s. për ata prindër që përpiqen  t’i edukojnë dhe ndihmojnë fëmijët e tyre thotë:
“Allahu e mëshiroftë prindin, i cili angazhohet dhe e ndihmon fëmiun e vet për të mësuar dhe për të bërë atë që është mirë ta bëjë!”
Prindërit, që i edukojnë fëmijët e tyre drejtë, kanë dobi prej tyre si në këtë botë, poashtu edhe në botën tjetër, e në anën tjetër do të jenë të mëshiruar nga Allahu xh.sh..
Në një hadith Muhammedi a.s. thotë:
“Prindërit nuk i lënë trashëgim më të mirë fëmijëve të tyre se sa edukatën e mirë.”
Muhammedi a.s. për ta vënë në spikamë nevojën e edukimit të fëmijëve në një hadith tjetër thotë:
“Të gjithë jeni barinjë dhe të gjithë do të përgjigjeni për tufën tuaj. Kryetari i popullit është bari i popullit dhe do të përgjigjet për popullin e vet. Njeriu është bari i familjes së vet dhe do të përgjigjet për të. Gruaja është bareshë e shtëpisë së burrit dhe do të përgjigjet për të. Shërbëtori është bari i pasurisë së zotëriut dhe do të përgjigjet për të. Thënë shkurt, të gjithë jeni barinjë dhe të gjithë do të përgjigjeni për tufën tuaj; për punën që iu është besuar.”
Edhe në një hadith tjetër Muhammedi a.s. thotë:
“Ti ke obligime ndaj Allahut, ndaj vetes, ndaj fëmijës tënd,... Përmbushi obligimet ndaj çdonjërit prej tyre!”
Prindërit duhet të kujdesen që fëmijëve qysh në vegjëli t’ua mësojnë: Eudhubilahi..., Bismilahi..., Rabbijessir..., përshendetjen islame “ES-SELAMU ALEJKUM”, t’i mësojnë t’i respektojnë të vjetrit dhe të diturit, me qenë korrekt dhe të njerëzishëm në shoqëri e çdokund.
Gjithashtu duhet kujdesur që t’u mësojnë fëmijëve edhe shumë dituri, ngase Muhammedi a.s. ka thënë:
“Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman dhe muslimane.”
Me regjistrimin e fëmiut në shkollë apo te mësuesi i mësim-besimit, prindi përsëri nuk e kryen obligimin, ai duhet vazhdimisht ta përcjellë, si po shkon në mësime, me kënd po shoqërohet, si po sillet etj. Edhe gjatë pushimeve e festave nuk duhet lëshuar pa kontrollë dhe përcjellje.
Detyrë e prindërve është që fëmijëve të tyre t’u ngjesin emra të mirë, sipas Islamit, ngase emri njeriun nuk e përcjellë vetëm prej lindjes e deri në vdekje, por edhe pas vdekjes. Është detyrë islame që prindi t’ia ngjesë emrin sipas Islamit, sepse Muhammedi a.s. thotë:
“Ju në Ditën e Gjykimit do të thirreni sipas emrit tuaj. Pra, në bazë të kësaj, ngjitnu emra të mirë!” Kurse në një hadith tjetër thotë:
“Ngjitnu fëmijëve tuaj emra të mirë, sepse edhe në xhenet do të thirren po me ata emra.”
Një ndër detyrat prindërore ndaj djemve është që në kohë të përshtatshme t’i bëjnë synet. Rregullat e synetimit rrjedhin qysh prej kohës së Ibrahimit a.s., të cilit Allahu xh.sh. pos tjerash i pat thënë edhe këto:
-të shkurtohen mustaqet,
-të pastrohen dhëmbët me misvak (apo brushë),
-të prehen thonjtë,
-të pastrojnë mirë fytin, gojën dhe hundën, dhe
-të bëhen djemtë synet.
Një ndër detyrat themelore të prindërve ndaj fëmijëve të tyre është mësimi për namaz. E dimë se namazi është njëra nga pesë detyrat islame për çdo musliman dhe muslimane  moshërritur. Sikur  që është obligim për prindërit që të falin namazin, poashtu ata  kanë obligim, që edhe fëmijët e vet t’i mësojnë për namaz. Allahu xh.sh. në Kur’an urdhëron:
“Urdhëro familjen tënde të falë namaz, edhe ti vetë zbatoje atë!” [Ta ha, 132]
Përveç kësaj, prindërit janë të obliguar që fëmijëve t’ua mësojnë edhe leximin e Kur’anit, ngase Muhammedi a.s. ka thënë:
“Edukoni fëmijët tuaj, që t’i duan dhe bëjnë tre sende, ato janë:
-ta duan Pejgamberin e Zotit,
-ta duan familjen e vet, dhe
-ta lexojnë Kur’anin.”
Muhammedi a.s. atyre prindërve që ua mësojnë fëmijëve të tyre leximin e Kur’anit, u premton shpërblime të mëdha nga Allahu xh.sh. në Ahiret duke thënë:
“Allahu i Lartësuar, atij që fëmijës së vet ia mëson drejt leximin e Kur’anit, në Ditën e Gjykimit në shenjë mirënjohjeje për këtë kujdes do t’ia varë në qafë xherdanin e nurit (të ndritshëm), kështu që të gjithë të ringjallurit do të habiten nga bukuria e tij.”
Kurse në një hadith tjetër thotë:
“Ai që e mëson Kur’anin dhe njëkohësisht e konfirmon jetën e vet me dispozitat e Kur’anit, prindërve të tij në Ditën e Gjykimit do t’u dhurohet një kurorë, shkëlqimi i të cilës do të jetë më i bukur se sa shkëlqimi i diellit. A, çka mendoni, si do të shpërblehet i atilli (kur prindit të tij i bëhet aq nder)?”

Bahri Curri

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top