PLAN PRAKTIK PËR MËNYRËN E EDUKIMIT TË SUKSESSHËM

Kushtet e suksesit
Ruaje fëmijën tënd që nga momenti i lindjes nga shejtani. Ezani e pastaj ikameti të jetë fjala e parë që dëgjon nga kjo botë.
Shoqëroje çdo ditë rritjen e tij me këndimin e Kur'anit (në rukje) dhe lutje për mirësi.
Allah të jetë fjala e parë që shqipton, ndërsa fjalia e parë le të jetë “La ilahe il-lall-llah”.
Duhet të ndjekësh dispozitat e Allahut, që të jesh shembull për të.
Formo lidhje me të mbi baza dashurie, respekti dhe sigurie, që të jetë i bindshëm dhe i dëgjueshëm ndaj teje.
Respektoje dhe vlerësoje punën e tij dhe mos e urdhëro pa i treguar dobinë e saj, sepse do të veprojë pa vetëdije.

Faza e parë
Faza e parë të jetë mësimi për dashurinë e Kur'anit, sepse është burimi kryesor i fesë islame. E mbi të gjitha është fjala e Allahut. Prej mirësisë është të nisësh mësimin e fëmijës me Kuranin e Madhëruar që në moshë të vogël, pasi në këtë moshë është në gjendje të mësojë më shumë. Mundësia e fëmijës fillon nga mosha trevjeçare.
Filloja mësimin e Kur'anit me xhuzin Ame (xhuzin e fundit), se janë suret më të shkurtra.
Të shoqërohet mësimi me një komentim të lehtë, që e pranon logjika e tij.
Ambienti i mësimit të Kur'anit të jetë i dashur për fëmijën, larg kërcënimit, dhe t’i tregohet se me këtë arrihen grada të larta në xhenet.
Ai duhet të ndiejë madhërinë e Kur'anit dhe kjo gjë bëhet duke e shoqëruar leximin me abdes, parfumosje dhe qëndrim në vend të pastër.
Përdor metodën e shpërblimit dhe të lavdërimit para shokëve të vet kur mëson Kur'an. Asnjëherë mos e harro.
Përmendi histori të atyre dijetarëve që çelësin e suksesit në punën e tyre e kanë pasur me mësimin e Kur'anit përmendsh që në moshë të vogël.

Faza e dytë
Pasi ke përfunduar me sukses fazën e parë, mundohu të kalosh në fazën e dytë. Të ndjekim disa hapa që të shtojnë dashurinë për Pejgamberin alejhi selam dhe pasimin e tij në jetë.
Në çdo rast apo ngjarje mos harro të përmendësh ndonjë hadith ose histori të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e cila përshtatet me situatën. Me këtë të shfaqet mëshira dhe kujdesi i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për Ummetin e tij, e sidomos për fëmijët.
Mësoji fëmijës tënd cilësitë dhe paraqitjen e Pejgamberit alejhi selam që ta marrë shembull atë dhe personalitetin e tij.
Fëmija kërkon gjithmonë një shembull më të madh se vetja. Nëse nuk mëson cilësitë e Pejgamberit, atëherë s’mund ta marrë për shembull.
Gjithashtu fëmija shikon kë ka rreth e rrotull dhe imiton atë që është më i fortë, prandaj del detyrë mësimi i cilësive të forta shpirtërore dhe trupore të Pejgamberit alejhi selam. Kjo bëhet duke mësuar historinë e jetës së tij.
Zgjidh një libër të thjeshtë, që përshtatet me jetën e fëmijës, prej librave të historisë dhe fillo mësimin me këtë libër në një ambient të këndshëm dhe gazmor për fëmijën.
Tregoji historinë e ndonjë sahabi ose tabiini që u rrit me dashurinë për Pejgamberin alejhi selam.
Bëje fëmijën tënd të jetojë me historinë e fëmijëve sahabë, të cilët me pasimin e të gjitha mësimeve të Pejgamberit u bënë shembuj në guxim, trimëri e moral të lartë.
Përmendi shembujt e ndritur të familjes së Pejgamberit a.s. dhe se si u bënë pishtarë ndriçues. Për ne ata janë pikë referimi e jetës sonë.
Të mësojë përmendsh hadithe që i përshtaten moshës së tij. Dëgjoji çdo ditë nga një hadith duke mos harruar ta shpërblesh.

Faza e tretë
Faza e tretë le të jetë më e programuar.
Programo kohën tënde që të përmbledhësh të dy fazat e para me dëgjimin e historisë së Pejgamberit dhe mësimin e Kur'anit.
Pasuroja fjalorin me kuptime të reja, si: Ruajtja e besës, vazhdueshmëria e dhikrit të Allahut.
Mësoji përmendsh disa lutje të njohura dhe mos e le të dalë nga shtëpia apo të flejë në gjumë pa i lexuar rukje (rukje fetare të lejuar).

Fazat e tjera
Dhe kështu, i nderuar lexues, i nderuar prind që do ta edukosh fëmijën, në çdo fazë mësoji gjëra të reja, qëllime, objektiva të reja dhe kontrolloje për të parë moralin e tij.
Por, më e rëndësishme në çdo fazë është që ta shoqërosh dhe ta mbash pranë gjatë gjithë jetës tënde.
Bahri Curri

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top