Error
  • JUser: :_load: Unable to load user with ID: 42

Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

VAHSHIJ IBNU HARB

vahshij_ibnu_harb

VAHSHIJ IBNU HARB

 “Ai ka vrarë më të mirin njeri pas Muhammedit... kurse  pastaj ka vrarë më të keqin njeri, gjithashtu”.

Historianët

A thua, kush është ai njeri që e ka lënduar zemrën e Pejgamerit a.s., atë ditë kur e vrau xhaxhanë e tij, Hamza ibnu Abdul Muttalibin, në betejën e Uhudit?!

I njëjti person, pasi kaloi në fenë islame, më vonë ka shëruar zem­rat e muslimanëve atëbotë kur vrau Musejleme el‑Kedhdhabin në betejën e Jemames.

Ai quhet Vahshij ibnu Harb el‑Habeshij, i njohur me ofiqin Ebu Deseme... Atij i ka ndodhur një ngjarje pikëlluese dhe e përgjakshme. Prandaj, lexues i nderuar, përqëndroje vëmendjen në rrë­fi­min e tij për vuajtjet që ka patur.

Vahshiu rrëfen në vetën e parë dhe thotë:

- Isha një djalosh i urtë në shërbim të Xhubejr ibnu Mut’imit, një­rit nga zotërinjtë kurejshit...

Tu’ajme, xhaxhai i tij u vra në betejën e Bedrit nga Hamza ibnu Abdu‑l‑Muttalibi, andaj ai u pikëllua pamasë dhe u betua në “Latin” dhe “Uzzanë”[1] se gjithsesi do të hakmerret për xhaxhanë e tij... Ai zuri ta presë rastin e volitshëm që ta vrasë Hamzain.

*  *  *

Nuk kaloi shumë kohë dhe kurejshitët vendosën të dalin në Uhud për ta likuiduar Muhammedin dhe për t’u hakmarrë për të afër­mit e tyre të vrarë në Bedër...

Atëherë kurejshitët organizuan çetat e tyre, tubuan aleatët dhe bënë përgatitjet e nevojshme, kurse komandën ia besuan Ebu Sufjan ibnu Harbit.

Ebu Sufjani e pa të udhës që ushtrisë t’ia bashkangjesë një grup të grave kurejshite, të cilave u ishin vrarë baball-arët, djemtë, vë­llezërit apo dikush tjetër nga të afërmit e tyre, në mënyrë që ato ta entuziazmojnë me fanatizëm ushtrinë e tyre për të luftuar, që edhe ato të rezistojnë pas burrave të tyre dhe me qëllim që të mos ikin. Në mesin e atyre grave, ndër të parat ishte gruaja e Ebu Sufjanit, Hind bintu Utbe...

Në betejën e Bedrit asaj i ishin vrarë babai, axha dhe i vëllai...

Pasi ushtria ishte përgatitur për marshim, mua m’u drejtua Xhubejr ibnu Mut’imi dhe më pyeti:

‑ O Ebu Deseme! A dëshiron të lirohesh nga skllavëria?

‑ Kush do të më lirojë mua? ‑ e pyeta.

‑ Unë, ‑ ma ktheu ai.

‑ Si? ‑ e pyeta.

‑ Nëse e vret Hamza ibnu Abdu‑l‑Muttalibin, xhaxhain e Muham­me­dit në shenjë hakmarrje për xhaxhain tim, Tu’ajme ibnu Udejjin, atëherë do të jesh i lirë, ‑ më tha ai.

‑ Kush më garanton për përmbushjen e këtij premtimi? ‑ e pyeta.

‑ Cili të dëshirosh ti, sepse për këtë do të dëshmoj para të gji­thë njerëzve.

‑ Do ta bëj atë ‑ i thashë.

Vahshiu vazhdon rrëfimin e tij dhe thotë:

- Isha një etiopian, qëlloja me shtizë ashtu sikur qëllonin etio­pia­­nët dhe kurrë nuk e huqja cakun e dëshiruar.

Mora heshtën, iu bashkangjita ushtrisë dhe ecja në fund të saj, pranë femrave, ngase nuk kisha për qëllim e as dëshirë për të luftuar.

Sa herë që kaloja pranë Hindit, gruas së Ebu Sufjanit, apo kur ajo kalonte pranë meje, e shikonte shtizën, e cila shkëlqente në duart e mia nga rrezet e diellit, dhe më thoshte:

- O Ebu Deseme! Shërona zemrat tona të zemëruara nga Muham­medi dhe kushëriri i tij.

Kur arritëm në Uhud dhe u ndeshën palët ndërluftuese, zura të kërkoj Hamzain, të birin e Abdu‑l‑Muttalibit, të cilin e kam njohur më parë. Ai nuk fshihej prej askujt sepse vendoste një pendël struci mbi kokë që t’u tregojë trimave kundërshtarë të tij se cili ishte, ashtu siç bënin arabët e fuqishëm dhe trima.

Pas pak kohe vërejta Hamzain që turfullonte në mes të luftëta­rëve siç turfullon soji i deveve më të fuqishme dhe ngjyrë përhim­ta. Ai i prente kundër­shtarët me shpatë dhe askush e asgjë nuk i bënte ballë atij, as rezistencë...

Ndërsa përgatitesha për ta qëlluar duke u fshehur prapa ndonjë druri apo guri dhe kujdesesha që të mos më vërejë, kur ja një ka­lorës kurejshit, i quajtur Siba’ibnu Abdu‑l‑Uzza, bërtiste:

‑ O Hamza! Më dil në dyluftim, më dil në dyluftim...

Atëherë Hamzai i doli në dyluftim dhe i tha:

‑ Eja, afrohu, o biri i politeistes! Eja, afrohu...!

Hamzai me të shpejtë ia priti me një të rënë me shpatë dhe ai ra në tokë duke u përpëlitur dhe zhytur në gjak mu para tij.

Në ato çaste qëndroja në pozitë të dëshiruar përballë Hamzait, lëvizja heshtën derisa u qetësova dhe u binda se e kam shenjuar, kështu që e qëllova në pjesën e poshtme të barkut dhe i doli ndër­mjet këmbëve të tij.

Atëherë ai bëri dy hapa të rëndë drejt meje, pastaj s’vonoi dhe u rrëzua përdhé, ndërsa heshta ishte në trupin e tij. Nuk ia hoqa atë derisa u binda për vdekjen e tij. Më në fund iu afrova, ia hoqa shigjetën, u ktheva në tendë dhe qëndrova aty, sepse nuk kisha nevojë për diçka tjetër pasi e vrava atë dhe do të lirohesha nga robëria.

*  *  *

Beteja u ashpërsua dhe po zhvillohej furishëm, sulmet dhe ikjet ishin të shumta, ndërsa muslimanëve, shokëve të Muhammedit, iu ngushtua rrethi dhe iu shtua numri i të vrarëve.

Në ato çaste Hindi me gratë e tjera u vërsul mbi muslimanët e vra­rë dhe zunë t’i masakrojnë ata, ua shqyenin barqet, ua nxirrnin sytë, ua prenin hundët dhe ua shkulnin veshët...

Pastaj, ato bënin qafore dhe rrathë prej hundëve dhe ve­shë­ve të prerë me të cilat u stolisën, kurse një qafore dhe dy rrathë ari m’i dha mua dhe më tha:

Ato janë të tuat... ato janë të tuat o Ebu Deseme... Ruaji, sepse janë të çmueshme!

Kur u ndal lufta në Uhud, u ktheva me ushtri në Mekë, kurse Xhubejr ibnu Mut’imi e zbatoi atë që kishte premtuar, gjegjësisht më liroi dhe u bëra i lirë.

*  *  *

Gjendja e nderë e muslimanëve filloi të ndryshojë dita‑ditës. Numri i tyre shtohej çdo çast. Sa më shumë që konsolidohej gjendja e Muhammedit dhe e muslimanëve, aq më shumë pikëllohesha dhe më kaplonte tmerri dhe frika nga vetvetja. Derisa isha ende në këtë gjen­dje, Muhammedi me ushtrinë e tij trime hyri në Mekë dhe e çliroi.

Atëherë ika në Taif që të gjej strehim dhe siguri.

Nuk vonoi shumë e edhe banorët e Taifit anuan nga feja islame dhe përgatitën një delegacion për t’u takuar me Muhammedin, me qëllim që ta shpallin botërisht se e pranojnë fenë islame.

U pendova shumë dhe rashë në dilemë. Më bëhej se toka ku ecja po më ngushtohej dhe rrugët më vështirësoheshin. Andaj men­dova të shkoj në Sham, Jemen apo gjetiu.

Për Zotin, unë isha i pikëlluar dhe i dëshpëruar pa masë, derisa u qetësova dhe u lirova nga një njeri, i cili më këshilloi: - Mjerë për ty, o Vahshij, për Zotin Muhammedi nuk vret asnjë njeri që hyn dhe pranon fenë islame dhe që pranon dëshminë e drejtë dhe të vërtetë (“La ilahe il‑lallah, Muhammedun Resulullah”).

Posa dëgjova këshillën e tij, menjëherë u drejtova kah Medina për ta kërkuar Muhammedin dhe kur arrita atje u njoftova për gjen­djen e tij dhe mësova se ai gjendej në xhami. Hyra në të pa u vërej­tur dhe me kujdes eca drejt tij derisa u ndala mu te koka e Mu­ham­me­dit dhe thashë:

- Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Kur dëgjoi dëshminë time, ngriti shikimin tek unë e pasi  më njohu e uli shikimin dhe tha:

‑ O Vahshiu, ti je?!!

‑ Po, o Resulullah, ‑ i thashë.

Ai më tha:

‑ Ulu dhe më trego se si e ke mbytur Hamzain!

Atëherë u ula dhe e informova për atë rast dhe, kur e mbarova fjalën, e largoi fytyrën nga unë dhe më tha:

‑ Mjerë për ty, o Vahshij, fshihe fytyrën tënde nga unë që kurrë mos ta shoh atë pas sotit...

Që nga ajo ditë i shmangesha që mos t’i bija në sy Pej­gam­berit fisnik, kështu që, kur uleshin sahabët para tij, unë ulesha prapa tij.

Kështu veprova derisa Muhammedi a.s. ndërroi jetë dhe shkoi në fqinjësi të Allahut.

*  *  *

Pastaj, Vahshiu vazhdon fjalën e tij dhe rrëfen:

- Edhe pse e dija se feja islame i shlyen mëkatet e bëra para se të pranohet ajo, unë mbeta i prekur thellë nga vepra e shëmtuar që kisha kryer. Atë e konsideroja vepër të keqe dhe të kob­shme, sepse me të kisha goditur fenë islame dhe muslimanët, prandaj zura të pres shansin që ta mbuloj atë vepër me një vepër të mirë.

*  *  *

Pasi Muhammedi a.s. kishte ndërruar jetë, pushtetin e kishte marrë Ebu Bekri. Atëherë fisi Benu Hanife lëshoi fenë islame dhe u bënë renegatë, shokë të Musejlemes rrenacak, ‑ prandaj halifi i Pej­gam­berit mobilizoi dhe përga-titi ushtrinë që ta luftojë Musejle­men dhe njerëzit e tij dhe t’i kthejë në fenë islame. Atëherë tha­shë në vetvete:

- Për Allahun, ky është shansi yt, o Vahshij, andaj materializoje dhe shfrytëzoje atë, mos lejo të të kalojë ky rast i volitshëm. Së bashku me ushtrinë muslimane dolëm në luftë. Mora me vete të njëj­tën shigjetë me të cilën kisha vrarë dëshmorin më të çmuar, Hamza ibnu Abdu‑l‑Muttalibin, dhe ia shtrova për detyrë vetes që ta vras Musejlemen me të njëjtën heshtë, ose të bie vetë dëshmor.

Kur muslimanët e sulmuan Kopshtin e Vdekjes (kopshtin e madh në të cilin ishte strehuar Musejlemeja dhe përkrahësit e tij) dhe u ndeshën me armiqtë e Allahut, zura t’i afrohem Musejlemes, të ci­lin e shikova duke qëndruar me shpatë në dorë, por vërejta edhe njërin nga ensarët, i cili donte të bënte të njëjtën gjë si unë.

Posa zura pozitën e përshtatshme, lëviza shtizën, e drejtova mi­rë dhe e qëllova...

Në të njëjtin moment kur e kam goditur Musejlemen, atë e ka qëlluar me shpatë edhe ensariu, andaj Zoti ynë e di se cili prej nesh e ka vrarë Musejlemen.

Po qe se unë jam ai i cili e ka vrarë, atëherë jam ai i cili ka vrarë njeriun më të mirë (Hamzain), si dhe ai që ka vrarë njeriun më të keq (Musejlemen) gjithashtu...



[1] Lati dhe Uzzaja ishin dy idhuj të mëdhenj të arabëve, të cilëve u besonin si zotëra në kohën e injorancës.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

HAKIM IBN HAZAMI

hakim_ibn_hazami

HAKIM IBN HAZAMI

“Në Mekë gjenden katër persona më të zhveshurit nga politeizmi dhe më të dëshiruarit për të pranuar fenë islame... Njëri prej tyre është Hakim ibnu Hazami.”

Muhammedi a.s.

Lexues i nderuar! A ke dëgjuar apo lexuar për jetën e këtij sahabi?

Historia ka shënuar në analet e saj se Hakimi është i vetmi nje­ri që ka lindur brenda në Qabenë e madhëruar...

Rrëfimi për lindjen e tij, në pika të shkurtra, është ky:

Nëna e tij me një grup shoqesh hyri brenda në Qabe për ta shikuar atë. Atë ditë, Qabeja ishte e hapur për një rast të cak­tuar. Në atë kohë, e ëma e Hakimit ishte shtatzënë dhe befas ndjeu dhembjet e lindjes; ajo ishte brenda saj dhe nuk arriti të dalë prej Qabes...

Asaj i është sjellë një postiqe dhe mbi të e lindi fëmijën e saj...

Fëmija e posalindur ishte Hakim ibnu Hazam ibnu Huvej-lidi.

Ai është i biri i të vëllait të nënës së besimtarëve, Hatixhe bin­tu Huvejlidit r.a.

*  *  *

Hakimi u rrit në një familje me prejardhje fisnike, të res­pek­tuar dhe të pasur. Përveç kësaj, ai ishte i mençur, i ndershëm dhe i vye­shëm, andaj fisi i tij e emëroi prijës të vet dhe i besoi një detyrë të caktuar për të ndihmuar njerëzit.

Ai ndante nga pasuria e vet për nevojat e vizitorëve të Qabesë në kohën e injorancës. Ishte i urtë dhe shok besnik i Resulullahut a.s. edhe para se ai të shpallej pejgamber.

Edhe pse ishte pesë vjet më i moshuar se Pejgamberi a.s., megjithatë ai ishte korrekt ndaj tij, sillej njerëzishëm dhe kënaqej në shoqëri dhe ndeja me të, kurse Pejgamberi a.s. ia kthente në të njëjtën masë, me dashuri dhe sinqeritet.

Pastaj u zhvilluan marrëdhëniet e afërta, të cilat u forcuan edhe më shumë kur Pejgamberi a.s. u martua me hallen e Hazamit, Hatixhe Bin­tu Huvejlidin r.a.

*  *  *

Ndoshta do të jesh i mahnitur, lexues i nderuar, pas tërë kësaj që rrëfyem për marrëdhëniet dhe lidhmërinë e Hakimit me Pejgam­berin a.s. kur do të mësosh ai nuk e pranoi fenë islame deri në ditën e çlirimit të Mekës, në kohën kur kishin ka­luar më së njëzet vjet qëkur Muhammedi ishte shpallur Pejgamber!

Për një njeri siç ishte Hakimi, të cilit Allahu i kishte dhuruar atë mendje të shquar dhe i kishte mundësuar të ketë farefisni me Pej­gamberin a.s., mendohej se do të ishte nga radhët e besimtarë të pa­rë, prej atyre që do ta legalizonin thirrjen e Pejgamberit dhe që do të udhëzohej nga udhëzimet e tij.

Por, ajo ishte dëshira e Allahut... Çfarë dëshiron Ai, ashtu edhe bëhet...

*  *  *

Siç jemi të befasuar me kalimin e tij të vonuar në fenë islame, ­ashtu ishte i befasuar me këtë edhe vetë ai.

Pasi pranoi fenë islame dhe zuri ta shijojë ëmbëlsinë e ima­nit (besimit), ai u pendua pamasë për çdo moment të jetës së kaluar në politeizëm duke mohuar Allahun dhe duke përgënjeshtruar të Dërguarin e Tij.

Kur ai e pranoi Islamin, i biri i tij e kishte parë duke qarë dhe e pyeti:

Përse qan, o baba?!

‑ Gjëra të shumta më bëjnë të qaj, ‑ ia ktheu ai.

E para, vonesa ime për ta pranuar Fenë Islame. Më kanë kaluar situata të volitshme dhe të shumta dhe sikur ta shpen­zoja tërë arin që ka toka, nuk do të arrija asgjë nga ato.

Allahu më shpëtoi në betejën e Bedrit dhe të Uhudit, kur pata thënë: “Nuk do t’i ndihmoj kurejshitët kundër Pejgamberit e as që do të dal nga Meka”. Megjithatë, u detyrova t’u ndihmoj kurejshitëve.

Pastaj, sa herë që interesohesha për Fenë Islame, shikoja bu­rrat e mbetur kurejshit, të cilët ishin të moshuar dhe ishin të lidhur ngusht me çështjen e injorancës, atëherë edhe unë veproja njësoj si ata dhe pëlqeja një gjë të tillë.

Ah, sikur të mos veproja ashtu...

Asgjë nuk na ka çuar në humnerë, vetëm se veprimi ynë i ngjashëm me veprimet e gjyshërve dhe prijësve tanë. Atëherë si të mos qaj, o djaloshi im?!!

*  *  *

Siç jemi të befasuar ne, por edhe vetë Hakimi për hyrjen e tij të vonuar në Fenë Islame, ashtu befasohej edhe Pejgamberi a.s. me një njeri mendjekthjellët dhe që kuptonte mjaft, përse Feja Islame ishte ende sekret për të, ndërsa Pejgamberi a.s. dëshironte që ai dhe njerëzit e ngja­shëm me të për nga sjelljet të nxitonin për ta pranuar fenë islame.

Një natë para çlirimit të Mekës, Pejgameri a.s. iu tha shokëve të tij:

“Në Mekë janë katër persona, të cilëve nuk ju dëshiroj politeiz­min, por dëshiroj që ata të pranojnë Fenë Islame.” Ata e pyetën:

‑ Kush janë ata, o Pejgamber i Zotit?

‑ Ata janë: Uttab ibnu Usejdi, Xhubejr ibnu Mut’im, Hakim ibnu Hazami dhe Suhejl ibnu Amri ‑ u përgjigj Pejgamberi a.s.

Dha Zoti dhe që të gjithë ata pranuan Fenë Islame.

*  *  *

Kur Muhammedi a.s. hyri në Mekë dhe e çliroi atë, ai dëshiroi ta nderojë Hakimin, andaj urdhëroi muezinin e tij që t’ia kumtojë ma­sës këtë lajm:

‑ Kush dëshmon që nuk ka zot tjetër përveç Allahut Një dhe nuk i bën shok Atij, si dhe dëshmon që Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij, ai është i sigurtë.

‑ Kush strehohet në Qabe dhe e dorëzon armën, ai është i sigurtë.

‑ Kush hyn në shtëpi të vet dhe e mbyll derën, ai është i sigurtë.

‑ Kush hyn në shtëpi të Ebu Sufjanit, ai është i sigurtë... dhe

‑ Kush hyn në shtëpi të Hakim ibnu Hazamit, ai gjithashtu është i sigurtë...

Shtëpia e Hakim ibnu Hazamit ishte në fund të Mekës, kurse ajo e Ebu Sufjanit ishte në krye të saj.

*  *  *

Hakimi pranoi fenë islame me aq përkushtim, saqë ia pushtoi shpir­tin, kurse imani ia përzeu gjakun dhe ia trazoi zemrën.

Ai i shtroi vetes detyrën që ta kompensojë gjithë atë që ka hum­bur, ta mbulojë me vepër të mirë çdo veprim të bërë kundër Pej­gamberit a.s. gjersa ishte jomusliman. Tani e tutje ai do ta shpen­zojë për të mirën e tij.

Hakimi e realizoi betimin e dhënë...:

Daru en‑Nedve ‑ shtëpi e lashtë dhe historike ‑ u bë pronë e tij...

Në atë shtëpi kurejshitët më parë mbanin kuvendimet në kohën e injorancës dhe mu aty tuboheshin kryeparët dhe prijësit e tyre që të bëjnë komplot ndaj të Dërguarit të Zotit xh.sh.

Hakimi dëshiroi që të lirohet dhe ta braktisë atë shtëpi dhe dëshironte t’ia sajojë perden e harresës asaj të kaluare të urryer, prandaj e shiti atë për njëqind mijë dërhem. Atëherë një djalosh kurejshit i tha:

- A e shite vendin më të nderuar të kurejshitëve, o xhaxha?!

Hakimi iu përgjigj:

‑ Larg je nga e vërteta, o djalosh. Të gjitha vendet e respek­tua­ra na dolën nga dora dhe nuk ka mbetur asgjë tjetër përveç de­votshmërisë, sepse unë nuk e kam shitur atë shtëpi për asgjë, por vetëm që me çmimin e saj ta blej një shtëpi në xhenet.

Dëshmoj para jush se mjetet e fituara prej saj do t’i shpenzoj në rrugën e Allahut të Lartmadhëruar.

*  *  *

Hakimi e bëri haxhin pasi pranoi fenë islame, ndërsa para vetes çoi njëqind deve të zgjedhura për sevabe të mëdha dhe të gjitha ato i theri kurban për Allahun...

Në haxhin tjetër ai u ndal në Arafat, me vete kishe njëqind ro­bër të tij dhe në qafën e secilit vendosi nga një qafore të arit, në të cilat shkruante:

“Për hir të Allahut të Lartmadhëruar, janë të lirë nga Hakim ibnu Hazami.” Pastaj i liroi që të gjithë.

Ndërkaq në haxhin e tij të tretë, para vetes çoi një mijë dele të zgjedhura, kurse në Mina të gjitha i theri kurban për Allahun dhe me mishin e tyre ushqeu muslimanët e varfër.

*  *  *

Pas betejës së Hunejnit, Hakimi kërkoi pasuri nga Pejgamberi a.s. e ai i dhuroi. Hakimi kërkoi përsëri e Pejgab-meri prapë i dha, derisa pasuria që mori arriti në njëqind deve (në atë kohë ai ende ishte i ri në fenë islame). Atëherë i Dërguari a.s. i tha:

- O Hakim! Kjo pasuri është e ëmbël dhe e dashur për shpirtin... kush e merr këtë me kënaqësinë e shpirtit, për të është i bekuar... por kush e merr me lakmi të shpirtit, ai nuk është i bekuar, por është sikur ai i cili ha dhe nuk ngopet, sepse dora e cila jep është më e mirë se ajo e cila shtrihet për të marrë.

Kur dëgjoi fjalët e Pejgamerit a.s. Hakimi tha:

‑ O Resulullah! Për Atë i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën, nuk do të kërkoj më asgjë, prej askujt, derisa të kaloj prej kësaj jete (derisa të vdes).

Hakimi e mbajti si duhet fjalën që e kishte dhënë.

Gjatë sundimit të Ebu Bekrit, e thirrën disa herë me qëllim që ta marrë atë që i takonte prej arkës shtetërore të shtetit musliman, por ai refuzoi...

Kur Omeri e mori pushtetin, edhe ai e ftoi që ta marrë hakun e vet, por ai përsëri refuzoi... Atëherë, Omeri u ngrit në mesin e nje­rëzve dhe tha:

- Dëshmoj, o muslimanë, se unë e thirra Hakimin ta marrë pasu­rinë që i takon, por ai refuzoi.

Hakimi iu përmbajt parimit të vet të njohur dhe nuk pranoi as­gjë, prej askujt, derisa vdiq...

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

ABBAD IBNU BISHRI

abbad_ibnu_bishri

ABBAD IBNU BISHRI

“Meritat e tre personave nga ensarët nuk ka mundur t’i arrijë askush. Ata janë: Sà’d ibnu Mu’adhi, Usejd ibnu El‑Hudejri dhe Abbad ibnu Bishri.”

Aisheja, nëna e besimtarëve

Abbad ibnu Bishri, emri i një personi të dëlirë dhe të ndritur që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e thirrjes së fesë islame. Nëse e kërkon në mesin e besimtarëve praktik që bëjnë namaz, lexues i nderuar, aty e gjen atë njeri të devot­shëm, të pastër, i cili kalon natën duke lexuar pjesë të Kur’anit...

Ndërsa kur e kërkon në mesin e heronjve, aty e gjen atë trim të paepur, i cili iu hyn betejave për ta lartësuar Fjalën e Allahut...

E nëse e kërkon në mesin e valijve (mëkëmbësve), atë e gjen të for­të dhe mbrojtës të pasurive të muslimanëve...

Për këtë sahab dhe dy të tjerë nga ensarët Aishja ka thënë:

“Meritat e tre njerëzve nga ensarët nuk ka mundur t’i arrijë askush, e që të tre janë nga fisi Benu Abdul Eshhel: Sa’d ibnu Mu’adhi, Usejd ibnu El‑Hudejri dhe Abbad ibnu Bishri.”

*  *  *

Abbad ibnu Bishri, nga fisi El‑Eshhelijj, në kohën kur u shfaq shkëndija e parë e udhëzimeve të Muhammedit a.s. në horizontet e Me­dinës, ishte një djalosh që sapo kishte arritur në moshën e ri­nisë; lëkurën e kishte ende të butë dhe në fytyrën e tij shkëlqente rinia, ndërsa në sjelljet e tij hetohej menç­uria dhe pjekuria, megji­thatë ai akoma nuk i kishte mbushur njëzet e pesë vjeç.

*  *  *

Ai i është bashkangjitur thirrësit të ri mekas, Mus’ab‑ibnu Umejrit, dhe të dyve u kishin zbutur zemrat në saje të lidhjeve të be­simit, ndërsa virtytet fisnike dhe të larta ata të dy i kishin bërë të pandashme.

Abbadi dëgjonte Mus’abin duke lexuar Kur’anin me zërin e tij të rrjedhshëm dhe të ngrohtë, me ritmin e tij melodik dhe tërheqës, prandaj iu shtua dashuria për Fjalën e Allahut, e cila zuri vend thellë në zemrën e tij dhe ai zuri të merret vetëm me Kur’anin, saqë e përsëriste atë natë e ditë, kur ishte i lirë dhe në lëvizje, derisa u bë i njohur në mesin e sahabëve me ofiqin “imam” dhe “shok i Kur’anit”.

*  *  *

Një natë, derisa Pejgamberi a.s. falej në dhomën e Aishes, pra­në xhamisë, dëgjoi zërin e Abbad ibnu Bishrit duke lexuar Kur’anin rrjedhshëm ashtu siç ia kishte zbritur Xhibrili Muhammedit a.s. dhe tha: “Oj Aishe! Ky është zëri i Abbad ibnu Bishrit?!”

Ajo i tha: “Po, o Resulullah.”

Atëherë Pejgamberi a.s. bëri këtë lutje për të: “O Zot, fale dhe më­shiroje atë.”

*  *  *

Në të gjitha betejat që zhvilloi Pejgamberi a.s. mori pjesë në to edhe Abbadi dhe qëndrimi i tij ishte në nivel me mbartësin e Kur’anit.

Në një rast kur Pejgamberi a.s. kthehej prej betejs “Dhatirr­rrika”, u ndal me muslimanët në një luginë për të kaluar një natë.

Muslimanët sapo kishin ndalur devetë e tyre në luginë Pejgam­beri a.s. iu drejtua atyre me këto fjalë:

‑ Kush do të bëjë roje sonte?

Abbadeja dhe Ammar ibnu Jaseri u ngritën dhe i thanë:

‑ Ne të dy, o Resulullah (Pejgameri a.s. i kishte vëlla-zëruar ata të dy kur kishin emigruar muslimanët në Medinë).

Pasi dolën në grykë të luginës, Abbadeja iu drejtua vëllaut të tij, Ammarit:

‑ Në cilën pjesë të natës dëshiron të flesh, në pjesën e parë apo në të dytën?

Ammari iu përgjigj:

‑ Do të flej në pjesën e parë, - dhe u shtri jo larg Abba-des.

*  *  *

Nata ishte e qetë. Yjet, drunjtë dhe gurët lartmadhër-onin dhe she­njtëronin Zotin e tyre duke e lavdëruar Atë në mënyrën e tyre. Atëherë Abbadeja u qetësua shpir-tërisht, kurse zemra i gjakonte për adhurim dhe Kur’an.

Ndikonte më së miri tek ai Kur’ani, kur e lexonte duke u fa­lur, prandaj bashkonte kënaqësinë e namazit me atë të leximit të Kur’anit. Ai u drejtua nga kibla, filloi namazin dhe zuri të lexojë nga kaptina “El‑Kehf” me zërin e tij melodik, të njomë dhe të ëmbël.

Ndërsa madhëronte Allahun nën dritën e shkëlqyer hyjnore, i zhytur në shkëlqimin e dritës së Tij, një njeri arriti me shpejtësi. Ai posa vërejti Abbaden nga larg, të ngritur në grykë të luginës, kuptoi se aty është Pejgamberi, kurse Abbadeja ishte roje e tij dhe e nje­rëzve të tij, atëherë ai tërhoqi harkun, mori një shigjetë dhe e qëlloi.

Atëherë Abbadeja e nxori atë nga trupi, vazhdoi leximin e Kur’­anit dhe u thellua edhe më në namaz.

Ai njeri përsëri e qëlloi me një shigjetë tjetër, ndërsa Abbadeja vep­roi si me të parën. Edhe kur e qëlloi me të tretën ai e vazhdoi na­mazin, e pas kësaj e hoqi edhe këtë të fundit dhe rrëshqitazi iu afrua shokut  (vëllait) të tij, e zgjoi nga gjumi dhe i tha:

- Zgjohu, sepse plagët më kanë dobësuar.

Posa i pa ata të dy, njeriu ua mbathi dhe iku.

*   *   *

Meqë rrobat i ishin shqyer, Ammari pa gjakun e Abba­des duke i rrjedhur rrëke nga të tri plagët e marra dhe i tha:

‑ Subhanallah, përse nuk më zgjove kur të qëlluan me shigjetën e parë?!

‑ Isha duke lexuar një sure dhe nuk dëshiroja ta ndërpreja de­risa ta mbaroja. Për Zotin, po të mos frikësohesha se do ta shkel­ja urdhrin e besuar nga Muhammedi a.s., gjithsesi do të dëshiroja më tepër vdekjen time sesa ta ndërpreja leximin e asaj sureje ‑ iu përgjigj Abbadeja.

*  *  *

Kur filluan luftërat kundër renegatëve, në kohën e sundimit të Ebu Bekrit r.a., dhe ai përgatiti ushtrinë për ta shuar atë kryengritje dhe rebelim të Musejlemes gënjeshtar, me qëllim që t’i mposhtë përkrahësit e tij dhe t’i kthejë në fenë islame, Abbadeja ishte në krye të asaj ushtrie.

Në ato beteja muslimanët fillimisht nuk shënuan ndo­një fitore që vlen për ta cekur. Kur pa se si ensarët nuk i ndihmonin muhaxhirët, por ndodhte e kundërta, Abbades iu mbush zemra vrerë. Shikoi poshtërimin që i bënin njëri‑tjetrit, sikur t’i mbu­sheshin veshët gurë e therra dhe u bind se nuk do të ketë sukses për muslimanët në këto beteja të ashpra përveç nëse veço­heshin të dy palët nga njëra‑tjetra me qëllim që secila ta mbajë përgjegjësinë e vet dhe që të dihen luftëtarët e vërtetë në rrugën e Allahut.

*  *  *

Një natë para se të zhvillohej beteja vendimtare Abbadeja pa në ëndërr si çdo i fjetur se qielli u hap për të dhe posa hyri në të qielli e përqafoi dhe ia mbylli hyrjen. Kur u zgjua nga gjumi, ëndrrën ia tre­goi Ebu Se’id El‑Huderit dhe i tha:

- Për Zotin, kjo është shenjë se unë do të bie dëshmor, o Ebu Se’id!

*  *  *

Kur agoi dita, lufta vazhdoi. Abbadeja u ngrit në një vend më të lartë dhe zuri të thërrasë: “O ju ensarë, veçohuni nga njerëzit... dhe shkatërroni këllëfet e shpatave tuaja... Mos lejoni që të qëllohet feja islame nga ana juaj...”

Ai vazhdimisht e përsëriste thirrjen derisa u tubuan tek ai rreth 400 ensarë, në krye të të cilëve ishin Thabit ibnu Kajsi, El‑Berra’ ibnu Maliku dhe Ebu Duxhane, pronari i shpatës së Resulullahut.

Abbadeja dhe ata që iu bashkangjitën atij u sul mbi armikun du­ke çarë rradhët me shpatë dhe duke i hedhur armiqtë të vdekur për dhé, derisa u thye Musejlemeja dhe përkrahësit e tij dhe u strehuan në të ashtuquajturin Kopsht të vdekjes.

Aty, te muret e Kopshtit të vdekjes, Abbadeja ra dëshmor i mbu­luar me gjakun e tij të pastër... Në trupin e tij kishte aq shumë të rëna me shpatë, goditje nga shtizat apo nga shpatat, saqë nuk njihej më, përveç nëpërmjet një shenje, në trupin e tij.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

ZEJD IBNU THABITI

zejd_ibnu_thabiti

ZEJD IBNU THABITI

“Vallë, kush do të thurë vargje pas Hasanit dhe birit të tij? Vallë, kush do të ketë retorikë si Zejd ibnu Thabiti?”

Hasan ibnu Thabiti

Viti i dytë pas hixhretit.

Në Qytetin e Pejgamberit a.s. njerëzit mblidheshin dhe përgati­te­shin për të luftuar në Bedër.

Pejgamberi a.s. ia hedh shikimin e fundit ushtrisë së parë muslimane, e cila do të marshojë nën komandën e tij për të zhvilluar luf­të në rrugën e Allahut dhe për të jetësuar Fjalën e Tij në tokë.

Këtu, në Medinë, në radhët e muslimanëve arriti një djalosh që ende nuk i kishte mbushur trembëdhjetë vjeç, por ishte i mençur dhe mendjehollë...

Ai mbante në dorën e tij një shpatë të gjatë sa vetë ai, apo edhe më e gjatë se ai. Iu afrua Pejgamberit a.s. dhe i tha:

- Do të flijohem për ty, o Resulullah, prandaj më lejo që të jem me ty dhe t’i luftoj armiqtë e Allahut nën flamurin tënd.

Pejgamberi a.s. e shikoi gëzueshëm dhe mahnitshëm, i ra në krah në shenjë butësie dhe dashurie ndaj tij, e qetësoi dhe ia ndaloi të marrë pjesë në luftë për shkak të moshës së tij të re.

*  *  *

Djaloshi u kthye duke vringëlluar shpatën e tij për tokë, i dësh­pë­ruar dhe i pikëlluar, sepse u pengua që të ketë nderin ta sho­që­ro­jë Pejgamberin e Zotit xh.sh. në betejën e parë që do të zhvi­llonte.

Pas tij u kthye edhe e ëma e tij, En‑Nevar bintu Malik, e cila ishte më e dëshpëruar dhe e pikëlluar se i biri i saj.

Ajo dëshironte t’i ushqente sytë e vet duke e shikuar të birin e saj kur ai do të shkonte me burrat e tjerë në luftën e shenjtë, nën flamurin e të Dërguarit të Zotit xh.sh. Shpresonte që i biri do të zinte pozitën që do të gëzonte i ati  i tij te Pejgamberi a.s.

*  *  *

Kur djaloshi nga ensarët e pa se nuk pati sukses dhe fat që t’i afrohet Pejgamberit a.s. në këtë fushë për shkak të mo­shës së tij të re, ai mendjemprehtësinë e tij e përqëndroi në një fushë tjetër, e cila nuk do të ketë lidhje me moshën e tij me të cilën do të afrohet tek i Dërguari i Zotit xh.sh.

Kjo ishte dija dhe mësimi përmendsh i Kur’anit...

Ai e njoftoi të ëmën e tij për këtë ide, e ajo u bë shend e verë dhe u angazhua që djali i saj ta realizojë.

Ajo u foli për këtë burrave të fisit të saj, të cilët së bashku me dja­loshin dhe të ëmën e tij shkuan te Resulullahu dhe i thanë:

- O Pejgamber i Zotit! Ky biri ynë, Zejd ibnu Thabiti, i ka nxënë përmendsh shtatëmbëdhjetë sure nga Kur’ani dhe i këndon siç është më së miri, ashtu si të kanë zbritur Ty.

Mbi të gjitha, ai është i shkathët dhe di shkrim‑lexim. Me këtë ai dëshiron që të afrohet te ti dhe të të vijë pas, andaj dë­gjoje atë, po qe se dëshiron.

*   *   *

Kur Pejgamberi fisnik dëgjoi nga Zejd ibnu Thabiti një pjesë nga ajo që kishte mësuar përmendsh, vuri re se ai kën­donte mirë dhe i shqiptonte fjalët qartë...

Fjalët e Kur’anit tingëllonin aq bukur dhe si­kur shkëlqenin në buzët e tij, ashtu siç shkëlqejnë yjet në orbitën e qiellit... Këndimi i tij kishte ndikim dhe peshë... Pushimet e tij gja­të të kënduarit dëshmonin për kujdesin dhe të kuptuarit drejt të asaj që lexonte.

Andaj, Pejgamberi u ngazëllye shumë me të, sepse e gjeti edhe më të përgatitur seç e kishin përshkruar, e posaçërisht e gëzoi fak­ti që ai kishte zotëruar të shkruarit.

Atëherë, Pejgameri fisnik iu drejtua dhe i tha:

‑ O Zejd, mësoje shkrimin hebraik, se unë nuk jam i sigurtë se ata e marrin atë që ua them si duhet.

Ai iu përgjigj: - Po, do të angazhohem me respekt të thellë për këtë që thua, o i Dërguari i Allahut!

Ai menjëherë iu përkushtua hebraishtes, derisa e zotëroi për një kohë të shkurtër dhe filloi të shkruajë në atë gjuhë për Resulullahun a.s. kur ai dëshironte t’u shkruante hebrenjve dhe ia lexonte shkre­sat kur ata i shkruanin Pejgamberit a.s.

Pastaj ai e mësoi gjuhën siriake[1] me urdhër të të Dërguarit të Zotit xh.sh., ashtu siç e kishte mësuar hebraishten.

Me këtë, djaloshi Zejd ibnu Thabiti u bë përkthyesi personal i Pejgamberit a.s.

*  *  *

Kur Pejgamberi a.s. u bind se Zejdi i ka zotëruar gjuhët në fjalë, se shkruan e përkthen çdo gjë në mënyrë besnike e të përpiktë, atëherë i besoi Zejdit që të shkruajë mesazhin hyjnor të zbritur mbi tokë, pra të shkruajë Shpalljen e Zotit, Kur’anin e Lavdëruar.

Sa herë që zbriste diçka nga Kur’ani, Pejgamberi a.s. dërgonte ndonjërin që të thërriste Zejdin dhe i thoshte: Shkruaj o Zejd, e ai shkruante.

Ja, pra, ky është Zejdi, i cili e mësonte Kur’anin pak nga pak dhe kohë pas kohe nga vetë Resulullahu a.s. dhe rritej nën versetet e tij. I merrte fjalët e Kur’anit ashtu të freskëta nga goja e Resulu­llahut a.s. Ato i zbritnin Resulullahut a.s. sipas rrethanave dhe ne­vo­jave, dhe ai i shkruante ato dhe shpirti i fisnikërohej me dritën e udhë­zimeve të tij.

Mendja i kthjellohej kur mësonte për sekretet e dispozitave të tij...

Ky ishte djaloshi fatlum që u specializua në mënyrë aq pro­fe­sionale në fushën e Kur’anit, saqë u bë njeriu i parë me autoritet nga i cili umeti i Muhammedit a.s. do të mësojë shumë pas vdekjes së Pejgamberit a.s.

Ai ishte në krye të atyre që tubuan Kur’anin në kohën e Ebu Be­kër Es‑Siddikut, si dhe ndër të parët që tubuan dhe bashkuan mus­hafet në kohën e Othmanit r.a.

Vallë, a ka pozitë më të lartë se kjo?!

A thua, ka krenari dhe nder më të lartë që ëndërron të ketë njeriu?

*  *  *

Mësimet dhe vlera e Kur’anit ishin ato që i ndihmuan Zejdit të ndajë drejtësi në ato situata aq të ndera, saqë edhe më të mençurit ishin në dilemë. Ditën e Sekifes[2] muslimanët nuk ranë dakord se kush do të jetë pasardhës në pushtet pas Pejgamberit a.s.

 

Në një rast muhaxhirët thanë:

‑ Prej radhëve tona ishte pushteti i vetë Resulullahut, andaj edhe tani ai na takon neve.

Disa nga ensarët thanë:

- Pushteti na takon neve, sepse ne jemi më meritorë për të.

Disa të tjerë thanë:

‑ Le ta ndajmë pushtetin (hilafetin) së bashku... sepse kur e angazhonte Pejgamberi ndonjërin prej jush për ndonjë çështje, atij ia bashkangjiste edhe njërin prej nesh.

Vetëm sa s’kishte ndodhur një përçarje dhe çrregullim i madh, e ndërsa trupi i Pejgamberit a.s. ishte i mbuluar dhe ende nuk ishte varrosur.

Në atë situatë nevojitej një fjalë e prerë, vendimtare dhe udhë­zuese, sipas udhëzimeve të Kur’anit, që t’ua ndriçojë rrugën njerëzve që kishin rënë në hall dhe që ta mënjanojnë përçarjen de­risa ishte ende e vogël.

Kjo fjalë e pritur doli nga goja e Zejd ibnu Thabitit. Në ato mo­men­te iu drejtua të pranishmëve nga fisi i tij dhe iu tha:

“O burra ensarë, vërtet Pejgamberi i Zotit xh.sh. ishte prej muhaxhirëve, andaj le të jetë edhe pasuesi i tij në pushtet nga muhaxhirët, ashtu siç ishte edhe ai vetë.

Vërtet, ne ishim ensarët (ndihmëtarët) e Resulullahut a.s., an­daj le të jemi ensarë (ndihmëtarë) edhe të halifit të tij nga radhët e muhaxhirëve edhe pas vdekjes së tij, e le ta ndihmojmë atë në rrugën e drejtë dhe të vërtetë.

Pastaj ia shtriu dorën Ebu Bekrit dhe i tha: - Ky është halifi juaj, andaj zgjedheni dhe jepjani besën.

*  *  *

Me mirësinë e Kur’anit, të me studimin e vet dhe me përcjelljen e vazh­dueshme që i bënte Pejgamberit a.s. Zejdi u bë udhëzues dhe drejtues për muslimanët. Halifët e musli-manëve konsultoheshin me të për çësh­tje të vështira, ndërsa opinioni i gjerë kërkonte përcaktimin e tij për probleme të ndryshme e posaçërisht në çështjet e trashë­gimive, sepse në atë kohë në mesin e muslimanëve nuk kishte më të ditur, më të shkathët dhe më të zotin se ai në këtë drejtim. Omeri r.a. iu mbajti një fjalim muslimanëve në El‑Xhabije[3] dhe u tha:

“O ju njerëz! Kush dëshiron të pyesë për Kur’anin, le të drej­tohet te Zejd ibnu Thabiti...

Kush dëshiron të pyes për fikhun, le t’i drejtohet Mu’adh ibnu Xhebelit...

Ndërkaq, kush dëshiron të pyes për pasuri, le të më drejtohet mua, sepse Zoti më bëri valij dhe ndarës të saj...

*   *   *

Ata të cilët kërkonin dituri nga radhët e sahabëve dhe tabiinëve (pasuesve të tyre) e njohin vlerën e Zejd ibnu Thabitit, an­daj e ngritën dhe e respektuan për hir të dijes që zotëronte.

Ja, pra, eruditi i shquar, Abdullah ibnu Abassin, i cili, kur e pa Zejdin që dëshironte t’i hipte kalit të tij, u ndal para tij, ia vendosi këmbën në praqe të kalit dhe kalin e kapi për freri.

Atëherë Zejdi i tha:

‑ Mos e bë këtë, o biri i xhaxhait të Resulullahit!

‑ Kështu na kanë urdhëruar që të sillemi dhe të veprojmë me dijetarët tanë... - ia ktheu ibnu Abasi.

‑ Ma jep dorën tënde, ta shikoj! ‑ i tha Zejdi.

Ibnu Abasi e nxori dorën, kurse Zejdi anoi drejt saj, ia puthi dhe i tha:

‑ Kështu na kanë urdhëruar që të sillemi dhe të veprojmë me Ehli Bejtin (farefisin) e Pejgamberit a.s...

*  *  *

Kur Zejd ibnu Thabiti ndërroi jetë, muslimanët qanë për vdek­jen e tij dhe për atë erudit të madh. Atëherë Ebu Hurejra tha:

- Sot vdiq dijetari i madh i këtij populli (ymmeti), e ndoshta Allahu do të na e kompensojë atë me ibnu Abbasin.

Hasan ibnu Thabiti, poet i Pejgamerit a.s., e thuri një elegji me të cilën e vajtoi atë dhe vetveten dhe tha:

Vallë, kush do të thurë vargje pas Hasanit dhe birit të tij?

Vallë, kush do të ketë retorikë si Zejd ibnu Thabiti?!



[1] Gjuha siriake ishte një gjuhë semite e përhapur te disa grupe njerëzish.

[2] Sekife: Është Sekifeja e fisit Benu Sa’ide, kur muslimanët u tubuan pas vdekjes së Pejgamberit a.s. që të bisedojnë dhe të merren vesh për çështjen e hilafetit (pushtetit) pas tij.

[3] El‑Xhabije: Ishte një fshat në perëndim të Damaskut, në të cilin Omeri me sahabët u mblodhën që të konsultohen rreth çështjeve të çlirimit. Ai mbajti aty fjalimin e tij të njohur, e për këtë ajo ditë është quajtur “Dita e El‑Xhabijjes”.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

REBI’A IBNU KA’BI

rebia_ibnu_kabi

REBI’A IBNU KA’BI

Rebi’a ibnu Ka’bi rrëfen në vetën e parë:

Isha në moshë djaloshare atë ditë kur drita e besimit pre­ku shpirtin tim dhe zemra ime kënaq e u qetësua kur mora mësimet e fesë islame.

Kur sytë e mi e panë për herë të parë Resulullahun a.s. e desha me një dashuri që m’i përshkoi tërë gjymtyrët.

Zura të merrem me të me pasion aq të zjarrtë, saqë lash anash çdo gjë, andaj i thashë vetes:

“Qofsh i mëshiruar, o Rebi’a, përse nuk i përkushtohesh shërbimit të Resulullahut s.a.v.s.?!

T’i paraqitem atij personalisht dhe në qoftë se më pranon, do të jem i lumtur që do të gjendem pranë tij, do ta përfitoj dashu­rinë e tij, do të jem fatlum dhe do t’i fitoj të mirat e dynjasë dhe të ahiretit (të kësaj bote dhe të botës tjetër).”

Pastaj, pa vonuar iu paraqita vetë Pejgamberit a.s. dhe e luta që të më pranojë të jem në shërbim të tij.

Ai nuk ma refuzoi lutjen dhe pranoi që të bëhem shërbë­tor i tij. Andaj, që nga ajo ditë, zura ta shoqëroj Pejgamberin a.s. mu si hija e trupit të tij.

‑ Ecja me të kudo që shkonte dhe e përcillja. Posa hidhte shiki­min nga unë, ngrihesha menjëherë dhe i paraqitesha. Sa herë që kishte ndonjë nevojë të ngutshme, shpejtoja që t’ia kryej. I shërbe­ja gjatë tërë ditës, e kur kalonte dita dhe pasi ai falte jacinë e fundit (vitrin) dhe hynte në dhomën e tij, vetëm atëherë vendosja që të largohesha.

Megjithatë, thosha me vete: - Ku do të shkosh, o Rebia?! Vallë, mos do t’i paraqitet Pejgamberit a.s. ndonjë nevojë gjatë natës? Prandaj ulesha te dera e dhomës së tij dhe nuk largohesha prej pragut të shtëpisë së tij.

Pejgamberi a.s. një pjesë të natës e kalonte duke u falur. Më bëhej se e dëgjoja duke lexuar suren “El‑Fatiha”, të ci­lën vazhdimisht e përsëriste gjatë një të tretës së natës e ndoshta edhe më gjatë, ndërsa unë lodhesha dhe e lëja atë apo më mby­lleshin sytë dhe fleja.

Nganjëherë më bëhej se e dëgjoja duke thënë: “Semi’a Allahu li men hamideh” (“Allahu e dëgjon atë njeri i cili e lavdëron Atë”). Këtë e përsëriste vazhdimisht, madje edhe më gjatë se suren “El‑Fatiha”.

*  *  *

Resulullahu e kishte princip që t’ia kthejë me të mirë çdokujt që bënte një të mirë.

Ai dëshiroi të më shpërblejë për shërbimin që i bëja. Njëherë erdhi tek unë dhe më thirri: O Rebi’a ibnu Ka’bi!

‑ Të dëgjoj dhe të përgjigjem, o Resulullah, qofsh përherë i gëzuar! ‑ ia ktheva.

Atëherë ai më tha:

‑ Kërko prej meje ndonjë gjë të ta jap.

Mendova pak e pastaj i thashë:

‑ Më jep pak afat, o Resulullah, që të mendoj se çka të kërkoj prej teje, e pastaj do të të njoftoj.

‑ Nuk prish punë, ‑ më tha ai.

Asokohe isha i ri dhe i varfër, nuk kisha familje, pasuri e as shtëpi, por strehohesha në Suffen e xhamisë[1], me të varfërit tjerë muslimanë.

Njerëzit na quanin “mysafirë të Islamit”. Kur ndonjëri sillte ndo­një sadaka te Resulullahu a.s., ai na e dërgonte atë në tërësi, e nëse dikush i dhuronte diçka, ai e merrte për vete një pjesë, kurse pje­sën tjetër na e dërgonte neve.

Shpirtërisht dëshiroja të kërkoja diçka nga të mirat e kësaj bote nga Pejgamberi a.s., në mënyrë që të bëhem i pasur, që ta gë­zoj jetën sikur të tjerët dhe të kem pasuri, grua dhe fëmijë.

Por s’vonoi shumë dhe thashë me vete: “Qofsh i shkatërruar, o Rebi’a ibnu Ka’b, vërtet kjo botë është kalimtare, andaj Allahu i Lartmadhëruar ta ka caktuar rrisk-un (kafshatën e jetës) e ai patjetër do të të arrijë.”

Pejgamberi a.s. gëzon pozitë të lartë te Zoti, prandaj për hir të asaj grade atij nuk i refuzohet asnjë kërkesë dhe thashë në vetvete të kërkoj prej Resulullahut që ai ta lutë Allahun për të më dhënë diçka nga mirësitë e ahiretit.

Kjo kërkesë më pëlqente në shpirt. Pastaj shkova tek i Dërguari i Zotit xh.sh. e ai më pyeti:

‑ Çfarë do të thuash, o Rebi’a?!

‑ O Resulullah! Unë kërkoj prej teje që ta lutësh Allahun e Lartmadhëruar që të më bëjë shoqërues tëndin edhe në xhenet, ‑ i thashë.

‑ Kush të këshilloi për këtë? ‑ më pyeti ai.

‑ Jo, për Allahun, askush nuk më ka këshilluar për këtë, por kur më the: “Kërko prej meje që të të jap”, unë shpirtërisht dëshiroja që të kërkoja diç nga të mirat e kësaj bote. Pastaj s’vonova dhe u udhë­zo­va që ta kërkoj jetën e përhershme e jo atë kalimtare. Andaj kër­kova prej teje ta lutësh Allahun që të jem shoqëruesi yt në xhe­net. Kështu i thashë Pejgamberit a.s.

Atëherë Pejgamberi a.s. heshti një kohë të gjatë dhe tha:

‑ A dëshiron diçka tjetër, o Rebi’a?

‑ Jo, o Resulullah, sepse nuk barazoj asgjë me atë që kam kër­kuar ‑ i thashë.

‑ Pra më ndihmo duke bërë sexhde të shumta ‑ më porositi Resulullahu a.s.

Atëherë fillova ta shpeshtoj adhurimin që ta kem mirësinë për ta shoqëruar Pejgamberin a.s. në xhenet, në botën e ardhshme, ash­tu siç pata fatin që t’i shërbej dhe ta shoqëroj edhe në këtë botë.

*  *  *

Prej atëherë nuk kaloi kohë e gjatë kur Pejgamberi a.s. më ftoi dhe më pyeti:

‑ A nuk do të martohesh, o Rebi’a?!

‑ Nuk dëshiroj të angazhohem me asgjë tjetër vetëm se të jem në shërbimin tënd, o Resulullah ‑ ia ktheva. ‑ Pastaj, unë nuk kam pasuri që ta paguaj mehrin për grua e as me çfarë ta furnizoj atë për jetë.

Atëherë ai heshti.

Kur më takoi herën tjetër, përsëri më pyeti:

‑ A nuk do të martohesh, o Rebi’a?!

Iu përgjigja njësoj si herën e parë.

Por kur mbeta vetëm u pendova dhe thashë: U mjerë për ty, o Re­bi’a...! Për Zotin, Pejgamberi a.s. e di më mirë se cila pjesë e iba­de­tit më shpaguhet më së miri dhe çka të kërkoj nga Zoti në këtë botë. Madje ai është informuar mirë se çfarë zotëroj.

Për Zotin, nëse Pejgamberi a.s. më fton herën tjetër për mar­tesë, gjithsesi do t’i përgjigjem pozitivisht.

Nuk kaloi kohë e gjatë dhe Pejgamberi a.s. më pyeti për herë të tretë:

‑ A nuk do të martohesh, o Rebi’a?!

‑ Po, gjithsesi do të martohem ‑ ia ktheva këtë herë, - por kush do të më martojë mua, kur jam në gjendjen të cilën edhe ti e di fare mirë?!

Atëherë ai më tha:

‑ Shko te një familje e caktuar dhe thuaju atyre: “Pejgamberi a.s. ju urdhëron që të më martoni me një vajzë tuajën.”

Unë shkova i turpëruar tek ajo familje dhe thashë: “Pejgam­beri a.s. më ka dërguar që të më martoni me një vajzë tuajën.”

Ata më pyetën të habitur: - Si thua, me një, me një vajzë tonën?!

- Po, - u thashë atyre.

Ata thanë: - Ne mirëpresim urdhrin e Resulullahut a.s., andaj mirëseke ardhur i dërguari i tij. Për Zotin, nuk do të kthehet i dërguari i Resulullahut a.s. pa iu plotësuar kërkesa... Ata më fejuan me atë vajzë...

Pastaj u ktheva te Pejgamberi a.s. dhe i thashë:

‑ O Resulullah! Erdha prej më të mirës shtëpi... Më besuan, më mirëpritën dhe më fejuan me vajzën e tyre. Por, si do ta paguaj mehrin?!

Pejgamberi a.s. ftoi Burejde ibnu El‑Hasibin, i cili ishte nga paria e fisit tim, Benu Eslem, dhe i tha:

- O Burejde, tuboje sasinë e caktuar të arit, - dhe e bëri këtë për mua.

Pejgamberi a.s. më tha:

‑ Merri këto dhe shko tek ajo familje dhe vajzës e thuaju atyre: ”Ky është mehri për vajzën tuaj.”

Shkova te familja e vajzës dhe e pagova mehrin, kurse ata e pranuan, mbetën të kënaqur dhe thanë: - Është mjaft dhe mirë...

- Po ku të marr të holla e pasuri për ta bërë dasmën?!

Pejgamberi a.s. përsëri iu drejtua Burejdes:

‑ Tuboni vlerën për të blerë një dash për Rebi’an, - e ata e blenë një dash të madh dhe të majmë.

Pejgamberi a.s. më tha:

‑ Shko tek Aishja dhe thuaji asaj të ta japë elbin!

Shkova tek ajo dhe më tha: - Merri ata shtatë sa’a[2] elb se, për Alla­hun, nuk kemi ushqim tjetër përveç tij. Mora dashin dhe elbin dhe shkova te familja e të fejuarës sime dhe ata më thanë:

‑ Sa i përket elbit, ne do ta përgatisim atë, kurse për dashin urdhëroji shokët e tu që ta përgatisin.

Mora dashin dhe bashkë me disa njerëz të fisit tim Benu Eslem e therëm dhe pastaj e ziem. Pra, tani kishim bukën dhe mishin për dasmë.

E bëra dasmën, e ftova Resulullahun dhe ai iu përgjigj ftesës sime.

Mëpastaj, Pejgamberi a.s. ma lejoi një tokë pranë asaj të Ebu Bekrit. Më hyri në qejf aq shumë jeta e kësaj bote, saqë lindi një mos­marrëveshje mes meje dhe Ebu Bekrit për një hurmë dhe i tha­shë: - Ajo është në tokën time, - kurse ai më tha: - Jo, ajo është në to­kën time. U grinda me të, e ai ma ktheu me fjalë e cila nuk më pëlqeu.

Por, pasi rodhi fjala, ai u pendua dhe më tha:

‑ O Rebi’a! Ma kthe me një fjalë të ngjashme, me qëllim që të jetë ndëshkim për mua.

‑ Jo, për Zotin, nuk do ta bëj këtë, - i thashë atij.

Atëherë ai më tha:

‑ Pra, do të shkoj te Pejgamberi a.s. dhe do t’i ankohem që po e bën ndëshkimin ndaj meje... ‑ më tha ai.

Ai u nis për te Pejgamberi a.s., kurse unë i shkova pas, e pas me­je erdhën edhe disa njerëz nga fisi im, të cilët thanë:

‑ Ai (Ebu Bekri) ka filluar i pari dhe të ka fyer e tani po shkon para teje te Pejgamberi a.s. që të ankohet kundër teje?!!

Unë u thashë: - A e dini se kush është ky?!

‑ Ky është Es‑Siddiku... ky është kryeplaku i muslima-nëve..., Prandaj kthehuni para se t’ju shikojë, meqë do të mendojë që keni ardhur për të më ndihmuar kundër tij dhe ai do të hidhërohet, pastaj do të shkojë tek Resulullahu e edhe ai do të hidhërohet për hidhë­rimin e Ebu Bekrit, dhe më në fund edhe Allahu do të hidhërohet për hidhërimin e atyre të dyve, kështu që do të shkatërrohem unë, Rebi’a, prandaj kthehuni!

Ebu Bekri arriti te Pejgamberi a.s. dhe ia tregoi ngjarjen ashtu siç ishte. Atëherë Pejgamberi a.s. e ngriti kokën dhe më pyeti:

‑ Ç’ke ti dhe Ebu Bekri, o Rebi’a?

Unë iu përgjigja:

‑ O Resulullah! Ai dëshiroi që unë t’i them njësoj siç më ka thë­në ai mua, por unë nuk veprova ashtu.

‑ Jo, mos i thuaj siç të ka thënë ty, por thuaj: Zoti ia faltë ga­bi­min Ebu Bekrit! ‑ më tha Resulullahu a.s.

Atëherë unë i thashë: - Ta faltë Allahu gabimin, o Ebu Bekër!

Derisa po shkonte rrugës, lotët i shkonin rrëke dhe tha:

- Allahu të shpërbleftë me të mirë nga ana ime, o Rebi’a!

Allahu të shpërbleftë me të mirë nga ana ime, o Rebi’a ibnu Ka’bi!



[1] Suffe: Vend i posa­çëm në xhami të Pejgamberit a.s., ku banonin më të varfërit, të cilët s’kishin shtëpi, andaj për këtë quheshin “banorë të Suffes”.

[2] Sa’a: Është njësi matëse për peshë. Një sa’ë është baraz me katër grushta plot.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

EBUL AS IBNU REBIA

ebul_as_ibnu_rebia

EBUL AS IBNU REBIA

“Më foli Ebul Asi dhe ishte i sinqertë, më premtoi dhe e mbajti besën!”

(Muhammedi a.s.)

Ebul As ibnu Rebia el Abshemij el Kureshij ishte një i ri i pa­shëm dhe elegant, saqë kushdo, që e shihte, mahnitej me tiparet e tij. Pasuria dhe mirësitë e kishin mbuluar nga çdo anë. E ndjente veten tejet krenar, pasi rridhte nga një familje me prejardhje fisnike. Mbi të gjitha, shquhej si njëri ndër kalorësit më të njohur arabë me krenarinë, burrërinë, guximin dhe besnikërinë, tipare këto të cilat i kultivonte me dashuri dhe krenari, ngase i kishte trashëgim nga të parët e tij.

*  *  *

Dashurinë për tregti Ebul Asi e trashëgoi nga kurejshitët, të ci­lët ishin të njohur me udhëtimet e tyre: dimrit dhe verës (Je­men­Sham). Devetë e tij s’kishin të ndalur nga shkuarja dhe ardhja ndër­mjet Mekës dhe Shamit. Karvani i tij numëronte mbi njëqind deve dhe mbi dyqind njerëz. Njerëzit kishin besim të madh në shkath­tësinë, sinqeritetin dhe besnikërinë e tij, kështu që pa ngurrim ia do­rë­zonin pasurinë e tyre për të tregtuar dhe për të fituar dhe gjith­monë ndaheshin të kënaqur me të.

*  *  *

Hatixhe bintu Huvejlidi, e shoqja e Muhammedit a.s., ushqente dashuri të madhe ndaj tij, sikurse ta kishte djalë të vetin. Në zem­rën dhe shtëpinë e saj Ebul Asi gëzonte respekt të veçantë dhe për­he­rë ishte i dashur dhe i mirëseardhur në atë mes.

As dashuria e Muhammedit a.s. ndaj Ebul Asit nuk ishte aspak më e vogël sesa dashuria e Hatixhes.

*  *  *

Vitet kaluan me shpejtësi e në shtëpinë e Muhammedit a.s., u rrit më e madhja bijë e tij, Zejnebja. Ajo lulëzoi ashtu siç lulëzojnë lulet e bukura kur i hapin petalet e tyre dhe lëshojnë aromë të kënd­shme. Bukurisë së saj i lakmuan shpirtrat e bijve të parisë dhe të fisnikëve të Mekës.

E si të mos e lakmonin, kur ajo ishte më fisnikja dhe më e nder­shmja prej bijave të kurejshitëve për nga familja, më fisnikja për nga babai dhe nëna dhe më e larta për nga morali dhe edukata?!

Por... si të arrinin deri te zemra e saj kur në mes të saj dhe atyre ishte i biri i tezes së saj, Ebul As ibnu Rebia, më i pashmi prej djelmërisë së Mekës?!

*  *  *

Nuk kaloi shumë kohë nga martesa e Zejnebes, bijës së Muham­medit a.s. me Ebul Asin dhe Meka shndriti nga shkëlqimi i dritës hyj­no­re. Allahu xh.sh. e dërgoi Pejgamberin e Tij, Muhammedin a.s. me udhëzim dhe fe të vërtetë. E urdhëroi që t’i thërrasë të afërmit dhe farefisin e tij në besim. E para nga femrat që i besoi ishte grua­ja e tij Hatixhja dhe bijat e tij: Zejnebja, Rukajja, Ummu­Kul­thu­mi dhe Fatimja, ndonëse ajo atëherë ishte e vogël.

Për çudi, dhëndri i tij Ebul Asi nuk deshi që të largohet nga feja e të parëve të tij dhe refuzoi të hyjë në atë fe në të cilën hyri e shoq­ja e tij Zejnebja, ndonëse e donte atë me një dashuri të pastër dhe të sinqertë.

*  *  *

Kur u ashpërsuan mosmarrëveshjet ndërmjet të Dërguarit të Alla­hut dhe kurejshitëve, disa prej tyre u thanë të tjerëve:

- Mjerë për ju... Ju me martesën e vajzave të Muham-medit me djemtë tuaj ia lehtësuat atij brengat për to. Nëse ia ktheni ato, ai sigurisht se do të merakoset për to dhe do t’ju lërë juve të qetë...

Sa ide e mirë është kjo që thatë ‑ thanë ata dhe shkuan te Ebul Asi dhe i thanë: - Ndaju nga gruaja jote dhe ktheja atë babait të saj, e ne të martojmë ty me cilëndo grua që dëshiron nga gratë më fisnike të kurejshitëve.

‑ Jo për Zotin ‑ tha ai, ‑ nuk ndahem nga gruaja ime dhe nuk e ndërroj atë me të gjitha gratë e botës... Dy bijat e tjera të Mu­hammedit a.s., Rukajjën dhe Umu Kulthumin i lëshuan dhe i kthyen në shtëpitë e prindërve të tyre. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpë­timi i Tij qofshin mbi të, u gëzua për kthimin e tyre. Dëshironte që edhe Ebul Asi të vepronte ashtu siç kishin vepruar dy të tjerët, mirë­po mbeti vetëm të shpresonte, sepse nuk kishte forcë që ta de­ty­rojë Ebul Asin ta bënte një gjë të tillë, e në anën tjetër ende nuk kishte zbritur ajeti për ndalimin e martesës së muslimanes me idhujtarin (jomuslimanin).

*  *  *

Kur i Dërguari i Allahut emigroi në Medinë, gjendja ndërmjet tij dhe kurejshitëve u acarua edhe më shumë, kur ata dolën ta luftojnë atë në Bedër, e në mesin e tyre ishte edhe Ebul Asi, i cili u detyrua të dalë me ta pa dëshirën e tij.

Ndonëse nuk kishte dëshirë që të luftojë kundër muslimanëve, pozita që kishte ai në popullin e vet e shtyu që t’u bashkangjitet aty­re në këtë betejë... Toka e Bedrit u ngrit lart me humbjen e hi­dhur që iu shkaktua kurejshëve, ku iu thyen turinjtë shirkut dhe iu dërmuan shpinat udhëheqësve të tyre. Një grup prej idhujtarëve u vranë, disa u zunë robër e disa të tjerë shpëtuan duke ikur.

Në mesin e të zënëve rob ishte edhe Ebul Asi, burri i Zejnebes, bijës së Muhammedit a.s., paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

*  *  *

I Dërguari i Allahut obligoi të zënët rob që çdonjëri prej tyre, nëse do të lirohet, duhet të paguajë dëmshpërblim në vlerë prej një mijë deri në katër mijë dërhemë, varësisht nga pozita në sho­qëri dhe pasuria që kishin.

Njerëzit filluan të udhëtojnë pandërprerë ndërmjet Mekës dhe Medinës duke çuar pasuri me të cilën do t’i lironin të zënët rob.

Edhe Zejnebja dërgoi një njeri në Medinë me dëmshpër-blimin për lirimin e burrit të saj, Ebul Asin. Në atë pasuri kish­te vënë edhe qaforen që i kishte dhuruar nëna e saj, Hatixhja, në ditën kur ia kishte uruar martesën.

Kur i Dërguari i Allahut e pa qaforen, fytyrën e tij fisnike e mbuloi një pëlhurë e hollë pikëllimi. Ndjeu një dhembshuri të thellë për bijën e tij, pastaj u kthye nga shokët e tij dhe u tha:

‑ Zejnebja e dërgoi këtë mall për lirimin e Ebul Asit. Nëse e shihni të rrugës t’ia lironi asaj bashkëshortin e zënë rob dhe t’ia ktheni mallin, veproni.

Po, o i Dërguar i Allahut, do të veprojmë ashtu siç kërkove, ‑ i thanë as‑habët e tij.

*  *  *

Para se ta lironin Ebul Asin, i Dërguari i Allahut i kushtëzoi atij lirimin me kusht që t’ia sjellë pa vonesë në Medinë vajzën e tij, Zejneben.

Ende pa arritur mirë në Mekë, Ebul Asi nxitoi ta përmbushë obli­gimin e tij... Urdhëroi të shoqen të përgatitej për udhëtim dhe e informoi se përcjellësit e caktuar nga babai i saj janë duke e pri­tur jo fort larg Mekës. Ia përgatiti ushqimin dhe mjetin për udhëtim dhe e ngarkoi të vëllanë e tij Amr ibnu Rebian që ta shoqërojë Zej­ne­ben dhe t’ua dorëzojë përcjellësve të saj personalisht.

*  *  *

Amri vuri harkun dhe shigjetat mbi supe, e vendosi Zejneben mbi deve dhe doli së bashku me të nga Meka në pikë të ditës dhe para syve të kurejshitëve. Kur e panë këtë skenë, populli i Mekës u trazua dhe iu lëshuan pas derisa e arritën. Ulërima e tyre e frikësoi dhe e trembi Zejneben...

Mirëpo, Amri sakaq rroku harkun e tij, e hapi strajcën e shi­gje­tave dhe tha: - Për Zotin, askush prej jush nuk mund t’i afrohet asaj pa ia ngulur më parë shigjetën në qafën e tij. Amri ishte shenjues me nam, saqë shigjeta e tij kurrë nuk gabonte cakun...

Ebu Sufjani, i cili i printe asaj turme njerëzish, i doli përpara dhe i tha:

‑ O biri i vëllait tim, largoje shigjetën tënde prej nesh që të mund të flasim.

Amri e lëshoi shigjetën, kurse Ebu Sufjani vazhdoi e i tha:

‑ Me të vërtetë bëre një gjest të pahijshëm dhe të pakontro­lluar kur dole me Zejneben haptazi para syve të njerëzve. Sigurisht je i vetëdijshëm se të gjithë arabët kanë marrë vesh për pësimin to­në në Bedër dhe atë çka na gjeti nga dora e babait të saj, Muhammedit.

- Nëse del me bijën e tij haptazi, ashtu siç veprove,  fiset arabe do të na quajnë frikacakë dhe do të na konsiderojnë si të ligj, prandaj kthehu me të dhe lëre disa ditë në shtëpinë e burrit të saj, që njerëzit të thonë se ne e kthyem atë, e pastaj largoje atë fshehurazi dhe dërgoje te babai i saj. Ne nuk kemi asgjë kundër që ajo t’i bashkangjitet babait të saj.

Amri u pajtua me këtë propozim dhe e ktheu Zejneben në Mekë, mirëpo nuk kaluan as dy‑tri net të plota e ai e nxori atë nën hijen e natës dhe ua dorëzoi në dorë atyre që i kishte dërguar babai i saj, ashtu siç e kishte porositur i vëllai.

*  *  *

Pas ndarjes me gruan e vet, Ebul Asi qëndroi një kohë në Mekë e pak para çlirimit të Mekës shkoi në Sham për të tregtuar. Derisa ishte duke u kthyer në Mekë u ndal të pushojë me karvanin e tij, i cili numëronte më se njëqind deve. Me vete kishte 170 njerëz. Gjatë një kontrollimi, njëra prej ekspeditave të të Dërguarit të Allahut hasi në atë karvan në afërsi të Medinës. Ata ia morën devetë Ebul Asit dhe i robëruan njerëzit e tij. Ai (Ebul Asi) u fsheh dhe nuk e gjetën dot.

Kur nata mbuloi dhenë Ebul Asi, nën perden e errësirës së saj, hyri në Medinë fshehurazi nga frika se do të diktohej, derisa arriti te Zejnebja dhe kërkoi prej saj që ta strehojë, gjë që ajo edhe e bëri.

*   *   *

Kur doli i Dërguari i Allahut për ta falur namazin e sabahut, u drej­tua në mihrab dhe mori tekbirin fillestar e pas tij morën tekbir edhe njerëzit e tjerë. Prej safit (rreshtit) të grave u dëgjua zëri i lartë i Zejnebes, e cila tha:

‑ O ju njerëz! Unë jam Zejnebja, e bija e Muhammedit. Kam strehuar Ebul Asin dhe do t’iu lutesha ta keni në konsideratë strehi­min e tij! Kur i Dërguari a.s. e mbaroi namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha:

‑ A e dëgjuat atë që e dëgjova edhe unë?!

‑ Po, o i Dërguari i Allahut, ‑ i thanë ata.

Pasha Allahun, në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk kam pasur kurrfarë dijenie për këtë derisa e dëgjova këtë që edhe ju dëgjuat ‑ tha Resulullahu, pastaj shkoi në shtëpinë e tij dhe i tha të bijës:

Respektoje shtëpinë e Ebul Asit dhe dije se nuk ke të drejtë bashkëshortësie me të. Pastaj i thirri njerëzit e ekspeditës, të cilët ia kishin marrë devetë dhe mallin Ebul Asit dhe ia kishin zënë rob njerëzit e tij, dhe u tha:

Ju e dini afërsinë e këtij njeriu te ne. Ia keni marrë mallin, por nëse keni mirësinë dhe ia ktheni atë çka është e tij, do të na bëhej qejfi, e nëse refuzoni, ajo është dhuratë e Allahut për ju, në të cilën keni të drejtë.

‑ Për hatrin tënd ne do t’ia kthejmë atij mallin e vet, o i Dër­guar i Allahut, ‑ i thanë ata.

Kur erdhi Ebul Asi që ta marrë karvanin e tij, disa i thanë:

O Ebul As, me të vërtetë ne të njohim nga më bujarët ndër kurejshitët, je djali i xhaxhait të Pejgamberit a.s. dhe dhëndër i tij, pranoje Islamin dhe ne do të heqim dorë nga kjo pasuri në favor tëndin. Kështu do ta kesh edhe mallin e mekasve, edhe do të mbe­tesh me ne në Medinë.

Sa vepër të keqe kërkoni prej meje, ‑ u tha ai. A po dëshironi që të filloj besimin tim të ri me mashtrim e tradhti?!

*  *  *

Ebul Asi me karvanin e tij vazhdoi rrugën për në Mekë derisa arriti në të dhe pasi ua ktheu të gjithëve atë që u takonte, u tha:

O paria e kurejshëve, a i ka mbetur dikujt prej jush diçka nga pasuria tek unë e që ende nuk e ka marrë?

Jo, ‑ i thanë ata. ‑ Zoti të shpërbleftë për ne, se vërtet je bes­nik dhe fisnik.

Pas këtyre fjalëve, Ebul Asi iu drejtua kurejshëve dhe u tha: - Pasi i përmbusha obligimet ndaj jush dhe i dhashë secilit prej jush atë që i takon, unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Alla­hut dhe se Muhammedi është i Dërguar i Tij.

Për Zotin, asgjë nuk më ndaloi që të deklaroj dëshminë islame para Muhammedit në Medinë, përveç frika se ju do të mendonit se desha t’ua rrëmbej pasurinë...

Kur Allahu ua ktheu atë dhe unë u lirova nga barra e saj, e pranova Islamin...

Pastaj u largua nga Meka dhe u nis për në Medinë. Menjëherë iu paraqit Resulullahut dhe deklaroi botërisht përqafimin e Islamit.

I Dërguari i Allahut e nderoi dhe e respektoi Ebul Asin siç është më së miri. Ia ktheu bshkëshorten dhe gjithmonë thoshte për të:

“Më foli Ebul Asi dhe ishte i sinqertë, më premtoi dhe e mbajti besën! .”

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

ASIM IBNU THABITI

asim_ibnu_thabiti

ASIM IBNU THABITI

“Kush lufton, le të luftojë ashtu siç lufton Asim ibnu Thabiti.”

(Muhammedi a.s.)

Kurejshitët, i madh e i vogël, zotërinj e skllevër, dolën në Uhud që ta luftojnë Muhammedin a.s.

Urrejtja shtazarake ua kishte mbushur zemrat e tyre me një egërsi të paparë dhe dëshira e hakmarrjes për të vrarët në Bedër i kish­te kapluar marrëzisht shpirtrat e tyre të trazuar.

Nuk u mjaftoi vetëm kjo, por me vete morën edhe zonjat kurej­shite, që t’i nxisnin burrat e tyre për luftë, të ndezin në shpirtrat e tyre ndjenjat luftarake dhe t’ua forcojnë vendos-mërinë e tyre sa herë që u dobësohej elani luftarak.

Në mesin e grave që dolën ishin edhe Hindi, e bija e Utbes, përndryshe e shoqja e Ebu Sufjanit, pastaj Rejta bintu Munebbih, bashkëshortja e Amr ibnul Asit dhe Sulafe bintu Sa’d me të shoqin Talhanë dhe tre djemtë e saj, Musafiun, Xhulasin dhe Kilabin, si dhe shumë gra të tjera.

*  *  *

Kur u takuan dy taborret në Uhud e zjarri i luftës filloi të ndi­zet, Hindi e bija e Utbes dhe gratë e tjera që ishin me të dolën prapa radhëve, morën defat në duar dhe duke u rënë atyre recito­nin: “Nëse vërsuleni në luftë, do t’ju përqafojmë dhe do t’ju shtroj­më shtrojat më të mira, po nëse zmbrapseni, do të ndahemi prej jush përgjithmonë.”

Brohoritjet e tyre ndeznin edhe më shumë urrejtjen në zemrat e luftëtarëve dhe thuajse ndikonin në shpirtrat e tyre si magjia.

Kur luftimet në fushëbetejë u pashitën dhe kurejshët i detyruan muslimanët që të zmbrapsen duke lënë pas shumë të vrarë, gratë e kurejshëve, të cilat i kishte pushtuar euforia e fitores, lëshonin zëra dhe ulurima duke ecur e brohoritur nëpër fushën e betejës...

Filluan t’i masakrojnë të vrarët në mënyrë shtazarake duke ua shqyer barqet, duke ua nxjerrë sytë, duke ua prerë veshët dhe duke ua sakatosur hundët.

Njëra prej tyre nuk mundi ta qetësojë tërbimin e saj shtazarak de­risa bëri nga hundët dhe veshët e dëshmorëve muslimanë qa­fore dhe bylyzykë, duke u stolisur me to në shenjë hakmarrjeje për babain, vëllanë dhe xhaxhain e saj, të cilët më parë i ishin vrarë në Bedër...

*   *   *

Por, Sulafe binti Sa’di kishte halle dhe preokupime të tjera, në dallim nga gratë kurejshite.

Ishte tejet e shqetësuar dhe e brengosur, pasi priste t’i vinte burri apo ndonjëri prej tre bijve të saj, që të marrë vesh për gjen­djen e tyre dhe pastaj t’u bashkangjitet grave të tjera në gëzimin e fitores.

Pritja e pashpresë zgjati tepër, prandaj vendosi që të futet the­llë në vendin ku ishte zhvilluar beteja dhe filloi t’i shikojë fytyrat e të vrarëve. Tek ecte mbi kufomat e të vrarëve e gjeti burrin e saj të vrarë dhe të mbuluar me gjak.

Nga pezmi, si luaneshë e tërbuar, filloi të vrapojë nëpër fu­shë­be­tejë duke kërkuar me sy bijtë e saj: Musafiun, Kilabin dhe Xhulasin.

Nuk vonoi shumë dhe i pa të shtrirë në luginën e Uhudit...

Musafiu dhe Kilabi kishin vdekur, ndërsa Xhulasin e gjeti ende të gjallë, duke u përpëlitur në ankthet e vdekjes.

*   *   *

Sulafeja u hodh përmbi djalin e saj, të cilin e kishin kapluar ethet e vdekjes, ia vendosi kokën në prehërin e saj dhe filloi t’ia fshijë gjakun nga balli dhe nga goja e tij. Lotët tashmë i ishin tharë nga fatkeqësia që e kishte goditur. Iu drejtua atij dhe e pyeti:

‑ Kush të mbyti, o biri im?

Ai u përpoq t’i përgjigjej, por ethet e vdekjes e ndalën. Megji­thatë, ajo ishte këmbëngulëse në pyetjen e saj, kështu që Xhulasi me një gjysmë zëri të mekur tha ngadalë:

‑ Më vrau Asim bin Thabiti, e vrau edhe vëllain tim, Musafiun, dhe... pastaj lëshoi frymën e tij të fundit...

*   *   *

Sulafeja u tërbua nga kjo skenë rrëqethëse. Filloi të vajtojë dhe të bërtasë duke u betuar në Latin dhe Uzanë se pezmin e saj nuk do ta ndalin as lotët e as dhembja derisa kurejshët të mos e marrin hakun nga Asim bin Thabiti dhe t’ia japin asaj kafkën e tij që të pi­jë verë në të...

Pastaj u zotua se atij që e zë apo e mbyt Asimin dhe ia sjell kokën e tij, do t’i japë çka të dojë nga pasuria e saj e vlefshme.

Lajmi i zotimit ‑ premtimit të saj u përhap me shpejtësi rrufe­je ndër kurejshë, kështu që çdo i ri nga të rinjtë e Mekës shpresonte se do ta gjejë dhe do ta mbysë Asimin dhe t’ia sjellë kokën e tij Sulafesë, mos ndoshta ai do të jetë fitues i shpërblimit të saj.

*  *  *

Pas Uhudit muslimanët u kthyen në Medinë dhe filluan ta përkuj­tojnë betejën dhe rrjedhat e saj. Për të vrarët kërkuan mëshirë nga Allahu dhe me dhembshuri e respekt përkujtonin ata të cilët u sprovuan dhe u persekutuan. Prej atyre që përmendej më së tepër­mi ishte Asim bin Thabiti. U habitën se si qe e mundur që në mesin e atyre që i kishte vrarë Asimi, të ishin edhe tre vëllezër të një shtëpie.

Dikush prej tyre tha:

‑ Si mund të çuditeni për këtë?! A nuk ju kujtohet kur i Dërguari i Allahut në prag të luftës së Bedrit na pyeti si do të luftojmë?!

A nuk ju kujtohet kur u ngrit Asimi dhe e mori harkun e tij në dorë e tha: - Kur armiku të jetë afër meje njëqind hapa, gjuajtja do të jetë me shigjeta...

Kur të afrohen aq sa i arrin shtiza, atëherë sulmi do të jetë me shtiza, gjersa të thyhen ato. Kur të thyhen shtizat, i lëmë ato më­njanë dhe i rrokim shpatat e luftojmë me to...

I Dërguari i Allahut tha:

‑ Kështu është lufta e vërtetë... kush lufton, le të luftojë ashtu siç lufton Asimi...

*   *   *

Nuk kaloi shumë kohë nga lufta e Uhudit dhe i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të, i ngarkoi gjashtë nga shokët e tij të ndershëm me një detyrë të rëndësishme. Asimin e caktoi udhë­heqës të tyre.

Grupi i zgjedhur u nis për kryerjen e asaj që i urdhëroi i Dër­guari i Allahut. Derisa ata ishin në rrugë ‑ jo larg Mekës ‑ u diktuan nga një grup prej fisit Hudhejl dhe shpejt u rrethuan prej tyre.

Asimi dhe ata që ishin me të rrokën shpatat e tyre dhe synuan luftimin e atyre që i rrethuan.

Hudhejlët u thanë: - Ju nuk keni forcë që të na kundër-viheni. Nëse dorëzoheni, për Zotin nuk do t’ju bëjmë ndonjë të keqe. Besa e Zotit qoftë mes nesh dhe jush, se nuk do t’ju dëmtojmë...

Shokët e të Dërguarit të Allahut shikuan njëri‑tjetrin, sikur do­nin të këshilloheshin se si të veprojnë.

Asimi iu drejtua shokëve të tij dhe u tha:

‑ Unë i gjallë nuk bie në dorë të mushrikut (idhujtarit). Pastaj iu kujtua zotimi i Sulafesë për të dhe me shpejtësi nxori shpatën nga këllefi duke thënë:

‑ O Zot i Madhëruar! Unë po luftoj për ta mbrojtur dhe lartësuar fenë Tënde, prandaj të lutem mbroje mishin dhe ashtin e trupit tim dhe mos lejo që trupi im të bjerë në duar të armikut!

Pas këtyre fjalëve, u vërsul mbi hudhejlasit e pas tij edhe dy prej shokëve të tij. Ata vazhduan të luftojnë me një  heroizëm të paparë derisa, u vranë njëri pas tjetrit.

Shokët e tjerë iu dorëzuan armikut, por nuk shkoi shumë dhe u tradhtuan prej tyre me tradhtinë më të keqe.

*   *   *

Në fillim, hudhejlasit nuk e dinin se njëri prej të vrarëve ishte Asimi. Kur morën vesh për këtë u gëzuan pa masë dhe filluan të mburren e të krenohen për atë që kishin bërë.

Kjo nuk ishte për t’u çuditur... A nuk ishte Sulafeja ajo që premtoi se, nëse i bie në dorë Asimi, do të pijë verë nga kafka e tij?!

A nuk ishte ajo që premtoi se atij që e sjell Asimin, të gjallë apo të vdekur, do t’i japë çka të dojë nga pasuria?!

Nuk kaluan shumë orë nga vrasja e Asimit e kurejshitët morën vesh për këtë gjë, ngase hudhejlasit banonin afër Mekës.

Paria kurejshite dërgoi një emisar të tyre te vrasësi i Asimit që t’ua jepnin kokën e tij në mënyrë që sadopak ta shuanin pezmin e Sulafesë, bijës së Sa’dit, ta përmbushnin betimin e saj dhe t’ia zbutnin një çikëz pikëllimin e saj për tre djemtë, të cilët ia kishte vrarë vetë Asimi me dorën e tij...

*   *   *

Hudhejlasit u nisën drejt trupi të Asim bin Thabitit me qëllim që t’ia ndanin kokën nga trupi, por u befasuan nga tufat e shumta të bletëve dhe të anzave që ia kishin mbuluar trupin dhe e kishin rrethuar nga çdo anë...

Sa herë që ata donin t’i afroheshin kufomës së tij, bletët dhe an­zat i sulmonin në fytyrë, ua thumbonin sytë, ballin dhe çdo pjesë të trupit të tyre duke mos i lënë fare të afroheshin.

Pas shumë orvatjeve nuk arritën deri te trupi i tij dhe gati e hum­bën shpresën. Atëherë disa prej tyre thanë:

‑ Lëreni derisa të errësohet, ngase, kur të bjerë terri, insektet do të largohen e pastaj mund ta merrni kokën e Asimit.

U ulën jo fort larg dhe prisnin..., mirëpo ende pa kaluar mirë dita dhe para se të binte muzgu, qielli u mbulua i tëri me re të zeza dhe të dendura...

Vetëtoi dhe bubulloi... dhe ra një shi të cilin banorët e asaj ane nuk e kishin përjetuar kurrë më parë. Shumë shpejt u vërshuan lugjet dhe u mbushën përrojet. Vendi u përmbyt me një vërshim të paparë...

Kur agoi, hudhejlasit filluan ta kërkonin trupin e Asimit në çdo vend, por kot, nuk i gjetën asnjë gjurmë...

Uji i madh e kishte çuar kufomën e tij shumë, shumë larg... atje ku nuk mund ta gjenin kurrë.

Allahu iu përgjigj lutjes së Asim bin Thabitit dhe e mbrojti tru­pin e tij të pastër prej masakrimit...

E mbrojti kokën e tij fisnike që të mos pihet verë me kafkën e tij...

Vërtetë, Allahu kurrsesi nuk iu mundëson jobesimtarëve mbizo­tërim të plotë mbi besimtarët.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

SAFIJE BINTU ABDUL MUTALIBI

safije_bintu_abdul_mutalibi

SAFIJE BINTU ABDUL MUTALIBI

“Safija është femra e parë muslimane që vrau pabesimtarë duke mbrojtur fenë e Allahut.”

 

Cila është kjo zonjë mendjemprehtë ndaj së cilës njerëzit ki­shin konsideratë dhe respekt shumë të madh?

Cila është kjo sahabije e famshme dhe guximtare, e cila ishte fem­ra e parë që vrau pabesimtarë në fenë islame?

Cila është kjo grua e vendosur që nxori në dritë kalorësin e parë që vringëlloi shpatën në rrugën e Allahut?

Kjo është Safije bintu Abdul Mutalibi, hashimite, kurejshite, ha­lla e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

*  *  *

Të gjitha këto cilësi e virtyte të larta Safija i përfitoi nga çdo anë: babai i saj ishte Abdul Mutalib bin Hashimi, gjyshi i të Dërguarit a.s. dhe prijësi e zotëria i kurejshëve. Nëna e saj ishte Hale bintu Vehbi, motra e Emines, nënës së të Dërguarit të Zotit.

Burri i saj i parë ishte Harith bin Harbi, vëllai i Ebu Sufjanit, i pa­ri i Beni Umejve, i cili pas një kohe vdiq dhe e la të vej.

Burri i saj i dytë ishte El Avamu bin Huvejlidi, vëllai i Hatixhes r.a., zonjës së grave arabe në kohën e injorancës dhe e para prej nënave të besimtarëve në Islam.

I biri i saj ishte Zubejr ibnul Avvami, shok i ngushtë dhe përcje­llës besnik i Muhammedit a.s. A mund të ketë nder më të madh se ky që njerëzit të lakmojnë në të përveç nderit të imanit (besimit)?!

*   *   *

Pas një kohe asaj i vdes edhe burri i dytë Avvam Ibnu Huvejlidi duke ia lënë një fëmijë të vogël, Zubejrin, të cilin, edhe pse e rriti me vuajtje e mundime të mëdha, e edukoi në shkathtësinë e kalorësisë dhe të luftës. Pasioni i tij më i preferuar ishte mprehja e shigjetave dhe rregullimi i harqeve.

Ajo e kishte edukuar në frymën e trimërisë dhe ballafaqimit me çdo rrezik. Kur e shihte se Zujberi tërhiqej apo hamendej, i binte me një të rënë jo të fortë (që të mos e lëndonte). Një ditë njëri nga xhaxhallarët e qortoi duke i thënë: Përse po e rreh kështu djalin?... Vërtet je duke e rrahur atë me pezm e urrejtje e jo siç e rreh nëna fëmijën e saj. Ajo ia ktheu me një vjershë duke thënë:

Kush thotë se e urrej, ai gënjen.

Ngase unë e rrah që të jetë i zgjuar,

të mposhtë ushtri e të vijë me trofe lufte.

Kur Allahu xh.sh. e dërgoi Pejgamberin e Tij me udhëzim dhe fe të drejtë, si tërheqës të vërejtjes dhe përgëzues të njerëzimit, e urdhëroi që të fillojë prej të afërmve të vet.

Muhammedi a.s. i tuboi pasardhësit e Abdul Mutalibit, burrat dhe gratë e tyre, të madh e të vogël, dhe u tha:

“Oj Fatime, bija e Muhammedit. Oj Safije bija e Abdul Mutta­li­bit. O bijt e Abdul Mutalibit: Vërtet nuk kam kurrfarë mundësie që nesër t’ju ndihmoj para Allahut.”

Pastaj i ftoi në besim në Allahun xh.sh dhe i nxiti që t’i besojnë misionit (shpalljes) të tij...

Pranoi kush pranoi dritën e Allahut dhe refuzoi kush refuzoi dritën e Tij, e Safija ishte prej grupit të parë që i besuan Pejgam­berit të Allahut... Ajo i bashkoi të dy krena-ritë: krenarinë familjare dhe krenarinë e Islamit.

*   *   *

Safija, e bija e Abdul Mutalibit, së bashku me të birin, Zubejrin, që në fillim iu bashkangjit radhëve të dritës. I përjetoi torturat dhe mundimet më të mëdha që përjetuan muslimanët e parë prej kurej­shitëve, e kur Allahu xh.sh i lejoi të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve hixhretin (emigrimin) për në Medinë, zonja Safije la pas vetes Mekën dhe çdo gjë që kishte nga pasuria e saj. La edhe kujtimet më të bukura të saj për të. U nis për në Medinë, duke lënë vendlindjen vetëm për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

*  *  *

Edhe pse zonja Safije kishte afër gjashtëdhjetë vjet të jetës së saj të bujshme, në fushën e xhihadit kishte qëndrime burrë­rore, saqë historia ende i rikujton me respekt dhe admirim të madh. Me këtë rast do t’i evokojmë dy momente kur heroizmi i saj i rrallë u tregua në vepër:

I pari ishte në ditën e Uhudit, kurse i dyti në ditën e Hendekut.

*   *   *

Sa i përket kontributit të saj në Uhud, ajo doli me ushtrinë muslimane në grupin e grave për luftë në rrugën e Allahut.

Mbartte ujë dhe u jepte të eturve të pinë, mprehte shigjeta dhe rregullonte harqet e dëmtuara. Me këtë punë ajo synonte edhe diç­ka tjetër, donte ta përcillte betejën me të gjitha ndjenjat...

E gjithë kjo nuk ishte për t’u befasuar, sepse në atë fushëbetejë ish­te djali i vëllait të saj Muhammedi ‑ i Dërguari i Allahut xh.sh...  ishte vë­llai i saj Hamza ‑ i biri i Abdul Mutalibit, luani sypatrembur i Alla­hut... Mbi të gjitha këto ajo e ndiente veten krenare dhe mburrej me Islamin, të cilin e kishte përqafuar me dëshirë (vullnet)... dhe vetëm për hir të kësaj feje, kishte emigruar me vetëdije të plotë... Nëpërmjet Islamit ajo e pa para vetes rrugën e ndritshme të xhenetit.

*   *   *

Kur ajo i pa muslimanët tek po ndaheshin nga i Dërguari i Alla­hut, përveç disave, dhe pa se idhujtarët gati iu kishin afruar të Dër­guarit a.s. me qëllim që ta likuidonin, hodhi me shpejtësi enët e ujit dhe u vërsul si luanesha kur i mbron të vegjlit e saj, duke i marrë një të vrari shtizën e tij me të cilën filloi t’i shpartallojë radhët e armikut dhe me zë të lartë iu drejtua muslimanëve, duke u thënë:

‑ Mjer për ju, si e keni lënë të vetmuar të Dërguarin e Allahut!

Kur e pa Safijen duke ardhur, i Dërguari i Allahut u frikësua për të se mos ligështohet kur ta shohë të vëllanë, Hamzën, të vrarë e të masakruar në mënyrë shtazarake nga idhujtarët, dhe iu drejtua të birit të saj, Zubejrit, duke i thënë:

‑ Largoje atë grua, o Zujber... Largoje!

Zubejri u drejtua nga ajo duke i thënë:

‑ Oj nënë, largohu!... Largohu!

‑ Nëse më pengon, mos më thirr më nënë ‑ i bërtiti ajo.

‑ Por i Dërguari i Allahut të urdhëron që të kthehesh...

‑ Përse të kthehem?!! Unë e kam marrë vesh se vëllai im është masakruar në rrugën e Zotit. Kur i dëgjoi këto fjalë i Dërguari i Zotit i tha Zubejrit: Lëshoja rrugën, dhe ai ia lëshoi.

*   *   *

Kur përfundoi beteja, Safija u ndal para vëllait të saj, Hamzës. E pa se ia kishin çarë barkun, ia kishin nxjerrë mushkëritë, prerë hun­dën, këputur veshët dhe ia kishin pri-shur fytyrën. Kërkoi mëshirë prej Allahut xh.sh dhe tha:

‑ Kjo është për hir të Allahut xh.sh.

Pajtohem plotësisht me caktimin e Allahut dhe për Zotin, do të bëj durim, do t’i mbështetem Atij dhe vetëm prej Tij do të kërkoj shpërblim për të.

*   *   *

Ky ishte qëndrimi i Safijes në Uhud, ndërsa sa i përket qëndrimit të saj në betejën e Hendekut, ekziston një tregim i rrallë ku men­çu­ria, inteligjenca dhe trimëria e saj u shfaqën edhe një herë.

Ja se ç’rrëfejnë librat e historisë në lidhje me këtë:

*   *   *

Ishte në traditën e Pejgamberit a.s. që kur shkonte në ndo­një­rën prej luftërave, gratë dhe fëmijët i vendoste në ndonjë forti­fikatë nga frika se mos në Medinë mund të hyjë ndonjë tradhtar gjatë kohës derisa mungonin mbrojtësit e saj (për shkak të luftës).

Ditën e Hendekut, gratë e tij, hallën dhe disa gra të muslimanë­ve i vendosi në kullën e Hasan Ibnu Thabitit, e cila ishte njëra ndër kullat më të mbrojtura dhe më të sigurta në Medinë dhe, njëkohë­sisht, më e vështira për pushtim.

Kur muslimanët ishin të zënë dhe të preokupuar rreth Hen­dekut për t’iu kundërvënë kurejshitëve dhe aleatëve të tyre, i lanë anash gratë dhe fëmijët e tyre.

Në agimin e një mëngjesi, kur errësira e natës ende nuk kishte kaluar, Safija pa siluetën e një njeriu tek lëvizte në drejtim të kullës. Përqëndroi dëgjimin dhe shikimin dhe e hetoi se ai ishte një çifut, i cili filloi të sillej rreth kështjellës duke hulumtuar për të zbuluar ata që ishin brenda. Ajo e kuptoi se ai spiunonte popullin e saj dhe kishte ardhur për të zbuluar se a ekziston në kullë ndonjë burrë që i mbron ata që ishin brenda, apo ndoshta mes mureve të saj ka vetëm gra e fëmijë.

Safija e kuptoi mirë situatën dhe tha me vete: “Çifutët e Beni Kurej­dhas shkelën marrëveshjen që e kishin me të Dërguarin e Alla­hut dhe u ndihmuan kurejshitëve e aleatëve të tyre kundër muslimanëve. Nuk ekziston askush prej muslimanëve që të na mbrojë prej tyre, kurse i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me të janë të zënë në pritje për ballafaqim me armikun. Nëse ky armik i Allahut arrin që ta përcjellë te populli i vet të vërtetën tonë, çifutët do t’i nën­shtrojnë gratë muslimane dhe do t’i robërojnë fëmijët, e kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe për muslimanët.”

*   *   *

Ajo mori me nxitim shaminë e saj dhe e mbuloi kokën. I shtrën­goi teshat mirë në bel, mori një shtyllë mbi supe dhe zbriti ngadalë drejt derës së kullës. Me shkathtësi dhe mjeshtëri hapi një vrimë në derë dhe prej saj filloi ta përcillte armikun e Allahut me syçeltësinë dhe kujdesin më të madh. Kur u bind se ai arriti në vend të për­shtatshëm ku ajo mund ta godiste, u vërsul mbi të si një shqiponjë, e ngriti shtyllën dhe i ra me të një të rënë të fuqishme dhe vdekje­prurëse derisa e plandosi përdhe... Pas të rënës së parë, pasoi e dy­ta dhe e treta, derisa ia ndali frymën.

Me shpejtësi rrufeje nxori thikën që kishte me vete, ia hoqi kokën dhe e hodhi nga maja e kullës. Koka e prerë e çifutit filloi të rrokullisej teposhtë kodrës derisa arriti në duart e çifutëve të cilët pritnin në fund të saj. Kur e panë kokën e shokut të tyre, disa prej çi­futëve thanë: “E kemi ditur se Muhammedi nuk i lë gratë dhe fëmijët pa mbrojtje...” Pastaj shkuan rrugës së tyre...

*   *   *

Allahu qoftë i kënaqur ndaj Safijes, të bijës së Abdul Mutalibit.

Ishte shembull i pashoq i gruas muslimane.

E edukoi fëmijën e saj të vetëm me edukatën më të mirë.

Kur ra dëshmor i vëllai i saj, Hamza, ajo bëri durimin më të madh për të.

Edhe pse gjatë jetës së saj e përcollën vështirësi e sprova të më­dha, gjithmonë mbeti e paluhatshme, e vendosur, e urtë dhe guximtare.

Historia shkroi me shkronja të arta në faqet e saj: “Safi­ja, e bija e Abdul Mutalibit, është femra e parë muslimane që vrau një pabesimtar, duke mbrojtur fenë e Allahut.”

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

Subscribe to this RSS feed
Back to top