Error
  • JUser: :_load: Unable to load user with ID: 42

Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

XHA’FER IBNU EBI TALIBI

xhafer_ibnu_ebi_talibi mesoislamin.com

XHA’FER IBNU EBI TALIBI

“E kam parë Xha’ferin në xhenet. Dy krahët e tij të përgjakur i kishte të stolisur me pendla shumëngjyrëshe.”

(Hadith sherif)

Nga pasardhësit e Abdu Menafit[1] ishin pesë persona që kishin ngjashmëri shumë të madhe me Muhammedin a.s., saqë ndonjërit me pamje të dobët këta të pestë mund t’i ngatë­rro­he­shin me të Dërguarin e Allahut xh.sh. Lexues i nderuar, sigurisht se edhe ti je kureshtar dhe ke dëshirë që t’i njohësh më për së afërmi këta pesë persona që i përngjanin aq shumë Pejgamberit a.s., mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Këta ishin:

1. Ebu Sufjan ibnu Harith ibnu Abdul Mutalibi – djalë i xhaxhait të xhaxhait të Pejgamberit a.s. dhe njëherazi edhe vëlla i tij nga qumështi.

2. Kuthemu ibnul Abbas ibnu Abdul Mutalibi gjithashtu djalë i xhaxhait të Pejgamberit a.s.

3. Es‑Saib ibnu Ubejde ibnu Abdi Jezid ibnu Hashimi ‑ gjyshi i Imam Shafiut r.a.

4. Hasan ibnu Ali ‑ nipi i Pejgamberit a.s., i cili prej këtyre të pestëve i përngjante më së tepërmi, dhe

5. Xha’fer ibnu Ebi Talibi ‑ vëllai i “emirul mu’minin”, Aliut r.a.

Tani eja të ndriçojmë ca pamje nga jeta e këtij të fundit, Xha’fer ibnu Ebi Talibit.

‑ Ebu Talibi, edhe përkundër pozitës së lartë, nderit dhe auto­ri­tetit të madh që gëzonte ndër kurejshitët, gjendjen materiale e kishte mjaft të ligë. Gjendja sa vinte i keqësohej edhe më tepër për shkak të thatësisë së madhe që mbretëronte atë vit në Mekë, saqë të gjitha të mbjellat ishin tharë e shkretuar. Atëbotë nga familja e Benu Hashimit nuk kishte njerëz më të pasur se Mu­ham­medi a.s. dhe xhaxhai i tij, Abbasi.

Një ditë prej ditësh, Muhammedi a.s. iu drejtua Abbasit dhe i tha: ‑ O xhaxhai im! A nuk po sheh se vëllai yt, Ebu Talibi, ka shumë fëmijë, e njerëzit i ka goditur thatësia, skamja dhe uria, prandaj eja të shkojmë tek ai e t’ia lehtësojmë pak këtë gjendje të vësh­tirë. Unë do ta marr në përkujdesje një djalë të tij dhe ti merr një tjetër.

Abbasi ia ktheu:

‑ Më thirre në mirësi dhe më nxite që të bëj mirë, o nipi im. Pas kësaj, shkuan te Ebu Talibi dhe i thanë: “Ne deshëm që të ta lehtësojmë pak barrën e fëmijëve, derisa të kalojë kjo gjendje e vësh­tirë që i ka goditur njerëzit.”

Ai u tha:

- Nëse ma lini pranë Akilin[2], merrni prej të tjerëve kë të doni. Kështu që Muhammedi a.s. e mori në përkujdesje Aliun, ndërsa Abbasi mori Xha’ferin.

Derisa Aliu r.a. ishte në shtëpinë e Muhammedit a.s., kur zbriti shpallja hyjnore dhe ishte i pari nga fëmijët që i besoi atij, Xha’feri jetoi me xhaxhain e tij, Abbasin, derisa arriti në moshën madhore, pas­taj pranoi Islamin dhe u pavarësua prej tij.

Xha’fer ibnu Ebi Talibi së bashku me bashkëshorten e tij, Esma binti Umejsin, iu bashkua karvanit të dritës (grupit të muslimanëve) që nga fillimi. Të dy e përqafuan Islamin nëpërmjet Ebu Bekrit r.a., para se të hynte i Dërguari i Allahut në shtëpinë e Erkamit.

Këta dy të rinj përjetuan mundimet, torturat dhe nënçmimet më të rënda nga kurejshitët, ashtu siç i përjetuan edhe muslimanët e parë, por i përballuan me durim të gjitha sepse e dinin se rruga për në xhenet dhe në dritën e shpë­timit është e shtruar me plot gjemba, vështirësi, dhembje e mundime. Mirëpo, ajo që i mundonte dhe i brengoste më së tepërmi ata të dy si dhe muslimanët e tjerë, ishte se kurejshitët ua ndalonin atyre t’i shfaqin haptazi ndjenjat e tyre fetare, duke i penguar në çdo kohë dhe në çdo vend ta shijojnë kënaqësinë e adhurimit (ibadetit).

Gjatë kësaj gjendjeje të mjerueshme Xha’ferit së bashku me bashkëshorten e tij dhe një grupi muslimanësh iu lejua që të shpër­ngulet në Abisini (Etiopia e sotme). Në fytyrën e Xha’ferit shiheshin shenjat e pikëllimit dhe të mërzisë. I vinte shumë vështirë t’i ndajë këta besimtarë të pastër e të pafajshëm nga pragu i vatrave të tyre, nga shtëpitë ku kishin kaluar fëmijërinë dhe çastet më të lumtura rinore, pa bërë kurrfarë faji, vetëm pse thonin: “Zoti ynë është Allahu”. Mirëpo, edhe përkundër dëshirës së tij të flaktë, ai nuk kishte asgjë në dorë që të mund t’i zmbrapste të këqijat e kurej­shitëve ndaj tyre.

*  *  *

Kur arriti grupi i muhaxhirëve të parë në Abisini në krye me Xha’fer ibnu Talibin r.a., ata u vendosën nën mbrojtjen dhe kujde­sin e mbretit të drejtë e të ndershëm, Nexhashiut. Për herë të parë pas përqafimit të Islamit përjetuan shijen e sigurisë, duke ndie­r kënaqësi shpirtërore në ibadetin e tyre, pa i penguar askush në këtë lumturi të çiltër.

Kurejshitët, sapo morën vesh për shkuarjen e këtij grupi muslimanësh në Abisini, filluan menjëherë me shantazhet dhe intrigat e tyre për kthimin në Mekë ose likuidimin e tyre të plotë fizik, ngase kishin zili dhe urrejtje të madhe ndaj tyre.

Tani t’ia japim fjalën Ummi Selemasë të na rrëfejë për një ngjar­je, dëshmitare e së cilës ishte vetë.

Ummi Selema rrëfen e thotë:

...Kur arritëm në tokën e Abisinisë, hasëm në fqinjësinë më të mirë. Zemrat tona u prehën dhe u qetësuan, sepse mund ta adhu­ronim Allahun xh.sh. lirisht, pa na e thënë kush as më të voglën fja­lë. Kur kurejshitët morën vesh për këtë gjë, filluan menjëherë dre­dhitë dhe makinacionet e tyre tinzake për kthimin tonë duke dër­guar te Nexhashiu dy burrat më autoritativë të tyre: Amër ibnu Asin dhe Abdullah ibnu Ebi Rebian. Ata kishin marrë me vete dhurata shumë të çmueshme për Nexhashiun dhe patrikët e tij, të cilat i kishin zgjedhur nga toka e Hixhazit me kujdes, sipas shijes së tyre të stërholluar. Ata ishin të porositur nga kurejshitët që çdo patriku t’i jepet dhurata e tij para se të fillojnë bisedimet dhe negociatat me mbretin rreth çështjes sonë. Pasi arritën në Abisini, ata të dy së pari u takuan me murgjit e Nexhashiut dhe çdonjërit prej tyre ia dorëzuan dhuratën e dedikuar enkas për të, duke i thënë: “Në to­kën tuaj kanë gjetur strehim disa prej djemve tanë të mashtruar e të marrë, të cilët lanë fenë e të parëve të tyre dhe futën përçarje në mesin e popullit tonë. Prandaj, kur t’i flasim ne mbretit për këtë çështje, ju këshillojeni atë që të na i dorëzojë pa i pyetur fare për fenë e tyre të re. Pas kësaj bisede, patrikët u premtuan atyre se do t’i flasin mbretit për këtë punë.

...Amri dhe Abdullahu shkuan te Nexhashiu, ia dorëzuan dhura­tat e çmueshme ‑ të cilat ai i pëlqeu së tepërmi, pastaj i thanë: “O mbret i nderuar! Në mbretërinë tënde kanë gjetur mbrojtje dhe strehim një grup prej fundërrinës dhe më të këqinjve të rinisë sonë. Agjitojnë në një fe të cilën s’e njihni as ju e as ne. Janë lar­gu­ar nga feja jonë e nuk duan të hyjnë as në fenë tuaj. Neve na kanë dërguar te ju paria e popullit tonë, prindërit, xhaxhallarët dhe të afërmit e tyre, që të na i ktheni prapë, sepse ata përçanë fenë dhe popullin tonë.”

Pas këtyre fjalëve, Nexhashiu ktheu kokën dhe shikimin nga pat­ri­kët e tij dhe ata njëzëri i thanë: “Kjo që thanë këta të dy është plotësisht e vërtetë, o mbret i nderuar, e tekefundit populli i tyre e di më së miri se ç’faj kanë bërë këta të rinj, prandaj më së miri është që t’i kthesh ata andej nga kanë ardhur.”

Nga këto fjalë të patrikëve mbreti u zemërua aq shumë, saqë me zë të lartë u tha: “Jo! Për Zotin, nuk e dorëzoj asnjërin prej tyre derisa t’i thërras e t’i pyes për atë që u mvishet. Nëse janë ashtu siç thonë këta të dy do t’ua dorëzoj, e nëse është e kundërta, do t’i mbroj ata me tërë qenien time dhe do të kujdesem për fqi­një­sinë e tyre, nëse dëshirojnë që të jem ende mikpritës i tyre.”

*  *  *

Umi Selema vazhdon:

Pas kësaj Nexhashiu na thirri në një takim. Para se të shkojnë tek ai u mblodhëm të gjithë dhe i thamë njëri‑tjetrit:” Mbreti do të na pyesë për fenë tonë, prandaj le ta shfaqim haptazi atë që be­sojmë, e në emrin tonë të mos flasë askush tjetër përveç Xha’fer ibnu Ebi Talibit.”

...Kur shkuam te Nexhashiu, i pamë murgjit të ulur në të djath­të dhe në të majtë të tij, të gjithë të veshur me pelerina të gjelbërta, me kësula në kokë dhe me libra të hapur para vetes. Në mesin e tyre vërejtëm edhe Amër ibnul Asin dhe Abdullah ibnu Ebi Rebian. Pasi zumë vendet, Nexhashiu u kthye drejt nesh dhe na pyeti. ‑ Çfarë është kjo fe e re të cilën po e predikoni, për shkak të së cilës u larguat nga feja e të parëve tuaj dhe nuk doni të hyni në fenë tonë të krishterë e as në ndonjë fe tjetër?

Xha’fer ibnu Ebi Talibi u ngrit dhe tha:

‑ O mbret i nderuar e fisnik!...Ne ishim një popull i padijshëm e injorant. Adhuronim idhujt, hanim coftinat, bënim çdo të keqe, shkëputnim lidhjet farefisnore, i keqtrajtonim fqinjtë dhe i forti e keqtrajtonte të ligun. Vazhduam kështu në këtë gjendje derisa Allahu xh.sh. na e dërgoi një Pejgamber nga mesi ynë, të cilit ia dimë prejardhjen, drejtësinë, besnikërinë dhe dëlirësinë e tij.

Na thirri t’i besojmë dhe ta adhurojmë vetëm një Zot, Allahun xh.sh., dhe të largohemi nga adhurimi i gurëve dhe i idhujve të pashpirtë, të cilëve u besonim ne dhe të parët tanë.

Na urdhëroi që ta flasim të vërtetën, t’i çojmë në vend ama­netet, t’i mbajmë lidhjet farefisnore, të sillemi mirë ndaj fqinjëve, të përmbahemi nga të ndaluarat dhe gjakderdhja, na ndaloi të këqijat dhe nga dëshmia e rrejshme, nga ngrënia e pasurisë së je­timit dhe shpifjet ndaj grave të ndershme.

Na urdhëroi që të besojmë vetëm një Zot dhe të mos i bëjmë shok Atij, ta falim namazin, ta japim zekatin dhe ta agjërojmë ramazanin.

E ne iu përgjigjëm thirrjes së tij dhe e pasuam në atë që i erdhi nga ana e Allahut duke iu përmbajtur me përpikëri hallallit dhe haramit. Populli ynë, o mbret i nderua, u soll armiqësisht ndaj ne­sh, na mundoi me mundimet më të rënda, vetëm e vetëm që të na largojnë nga kjo fe dhe të na detyrojnë që prapë t’u kthehemi e t’i adhurojmë idhujt, që as nuk flasin e as nuk shohin.

Pas tërë këtyre vuajtjeve e mundimeve, ia mësymë vendit tuaj dhe zgjodhëm fqinjësinë tënde me shpresë se këtu do të gjejmë prehje e qetësi.

Kur i dëgjoi Nexhashiu të gjitha këto fjalë nga Xha’fer ibnu Ebi Talibi, iu drejtua atij dhe i tha:

‑ A keni me vete diçka nga ajo që i ka zbritur Pejgamberit tuaj nga ana e Allahut?

‑ Posi, - ia ktheu Xha’feri.

‑ Atëherë më lexoni diçka prej saj ‑ tha Nexhashiu.

Xha’feri lexoi një pjesë nga kaptina Merjem, derisa përfundoi me ajetet rreth lindjes së Isait a.s.

Umi Selema vazhdon e thotë:

Pasi dëgjoi këto fjalë të shenjta të Kur’anit, Nexhashiu qau me lot, derisa iu lag edhe mjekra, e së bashku me të qanë edhe patrikët, derisa iu lagën edhe librat nga lotët e tyre.

‑ Kjo me të cilën ka ardhur i Dërguari juaj dhe ajo që i ka zbri­tur Isait dalin nga i njëjti burim drite, ‑ tha Nexhashiu dhe pastaj u kthye nga Amri dhe shoku i tij dhe iu tha: ‑ Shkoni, se për Zotin nuk jua dorëzoj kurrë!

Kur dolëm prej Nexhashiut, - thotë Umi Selema, - Amr ibnul Asi na u kërcënua duke i thënë shokut të tij:

‑ Për Zotin, nesër do të shkoj prapë te mbreti dhe do t’i them atij disa fjalë nga të cilat do t’i mbushet zemra me pezm dhe urrej­tje ndaj tyre dhe do ta nxis që t’i shkatërrojë, t’i humbë dhe t’i tretë rrënjët e tyre.

Abdullah ibnu Ebi Rebia i tha: - Mos e bë këtë, o Amër, se teke­fundit ata janë të afërmit tanë, edhe pse janë ndarë nga ne.

‑ Hesht e mos fol!, ‑ i tha Amri atij, se për Zotin do ta njoftoj mbre­tin me diçka që këtyre do t’u dridhen këmbët. Do t’i them se këta thonë për Isain, të birin e Merjemes, se ishte njeri i rëndomtë (rob i zotit) e jo hyjni!

*  *  *

Të nesërmen Amri shkoi te Nexhashiu dhe i tha:

O mbret i nderuar! Ata të cilët dje i strehove dhe i mbrojte thonë për Isain “fjalë të mëdha”, prandaj thirri edhe njëherë dhe pyeti se çka mendojnë për të.

‑ Kur e morëm vesh këtë, - thotë Umi Selema, - të gjithëve na kaploi një mërzi dhe dëshpërim të cilin s’e kishim përjetuar kurrë më parë. Kuvenduam me njëri‑tjetrin për atë se çka do t’i themi mbretit kur të na pyesë për Isain a.s. dhe thamë: “Për Allahun, nuk do të themi tjetër përveç asaj që ka thënë Allahu xh.sh. dhe nuk do të shmangemi nga ajo që ka thënë i Dërguari ynë, e le të ndodhë pas kësaj çka të dojë.” Ne prapë u morëm vesh dhe ramë në ujdi që në emrin tonë të flasë Xha’feri. Kur shkuam te Nexhashiu, i pamë murgjit e tij të ulur në të njëjtat vende, siç ishin ulur edhe herën e kaluar. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe Amër ibnul Asi dhe shoku i tij, ‑ Abdullahu. Kur dolëm para mbretit, na e priti përpara me fjalët:

‑ Çka thoni ju për Isain, të birin e Merjemes?!

‑ Themi atë që i zbriti të Dërguarit tonë nga ana e Allahut xh.sh., ‑ ia ktheu Xha’feri.- Themi se Isau është rob i Zotit, i Dërguar i Tij dhe “Fjalë e Tij” për virgjëreshën Merjeme.

Kur i dëgjoi Nexhashiu këto fjalë të Xha’ferit, i mëshoi tokës me dorë dhe tha: “Për Zotin, nuk ka dallim as sa një fije floku në mes Isait dhe asaj çka i ka zbritur të Dërguarit tuaj.”

Patrikët rreth Nexhashiut ofshanë thellë nga mo­spajtimi me fjalët që  dëgjuan prej tij...

Atëherë Nexhashiu iu drejtua atyre dhe u tha: “edhe nëse ofshani”, pastaj u kthye nga ne dhe tha: “Shkoni, se do të jeni të sigurtë. Ai që ju shan do të dënohet e ai i cili përpiqet t’u bëjë ndonjë të keqe dhe të cenojë dinjitetin tuaj, ‑ do të ndëshkohet.

Për Zotin, nuk mund të lejoj që unë të vishem me rroba ari e ndonjërin prej jush ta godasë ndonjë e ligë.”

Pas këtyre fjalëve prekëse, Nexhashiu hodhi shi­kimin e tij drejt Amrit dhe shokut të tij dhe tha: “Kthejuani këtyre njerëzve dhuratat e tyre, se nuk kam nevojë për to!”

Me këto fjalë Ummi Selema e përfundon rrë­fimin e saj dhe tho­të: - Amër ibnul Asi dhe Abdullah ibnu Rebia dolën të thyer, të nën­çmuar e me kokë të ulur nga turpi, ndërsa ne qëndruam te Nexha­shiu edhe një kohë të gjatë në mikpritjen dhe fqinjësinë e tij më të mirë.”

Xha’fer ibnu ebi Talibi së bashku me bashkëshorten e tij qën­dru­an në mikpritjen e Nexhashiut dhjetë vjetë të sigurtë, në prehje dhe qetësi.

Në vitin e 7‑të të hixhretit ai u largua nga toka e Abisinisë së bash­ku me një grup muslimanësh dhe ia mësyen Medinës. Kur arritën, i Dërguari a.s. kthehej nga Hajberi[3] si ngadhënjyes e fitim­tar.

Aq shumë u gëzua për ardhjen e Xha’ferit, saqë tha:

‑ Nuk di për çka të gëzohem më tepër! Për çlirimin e Hajberit apo për ardhjen e Xha’ferit?

As gëzimi i muslimanëve, e posaçërisht i atyre të varfër-ve, nuk ishte më i vogël sesa gëzimi i Muhammedit a.s. për kthimin e Xha’­ferit, sepse ai ishte shumë i kujdesshëm, i ndieshëm dhe shpirtmirë ndaj të varfërve.

Për të na rrëfen Ebu Hurejra dhe thotë:

‑ Xha’feri ishte njeriu më i mirë për ne të varfërit. Na merrte dhe na ushqente në shtëpinë e tij me atë çka kishte derisa i sosej ushqimi. Prandaj nuk e quanim kot “babai i të varfërve”.

Mirëpo, qëndrimi i Xh’ferit në Medinë nuk zgjati shumë. Në fi­llim të vitit 8 hixhrij, i Dërguari a.s. përgatiti një ushtri kundër ro­ma­këve diku në tokat e Shamit (Sirisë), e në krye të saj për ko­mandant emëroi Zejd ibnu Harithin, dhe tha: “Nëse Zejdi vritet ose plagoset, komandant le të jetë Xha’fer ibnu Ebi Talibi, e nëse edhe Xha’feri vritet apo plagoset, komandant le të bëhet Abdullah ibnu Revaha, e nëse edhe Abdullahu vritet apo plagoset, atëherë muslimanët le të zgjedhin një komandant nga mesi i tyre.”

Kur muslimanët arritën në vendin e quajtur “Mu’tete” (vend në Jordaninë e sotme), panë se ushtria romake kishte përgatitur kundër tyre 100 mijë ushtarë të përkrahur gjithashtu edhe nga 100 mijë arabë të krishterë nga fiset “Lahm”, Xhudham” dhe “Kuda’a”, kurse ushtria muslimane numëronte vetëm 3 mijë ushtarë. Dyqind mijë kundër tre mijëve!!!

Kur dy ushtritë u ndeshën në dyluftim, u zhvillua një luftë e rrep­të. Nuk vonoi shumë e komandanti musliman Zejdi, i cili ishte futur thellë në radhët e armikut, ra shehid.

Atëherë Xha’fer ibnu Ebi Talibi kërceu nga kali, ia preu frerët e tij, që të mos mund ta kalëronin as armiqtë e tij, dhe ngriti lart fla­murin duke u futur thellë në radhët e armikut dhe duke broho­ritur:

“Oh, sa i bukur është xheneti kur të afrohesh pranë tij.

Me shumë pije të mira e të ftohta,

E romakëve si romakë e u është afrua ndëshkimi i tyre,

Ata janë të pafe (qafira) pa lidhje farefisnore,

Cilindo që e takoj prej tyre duhet me i ra,

Se kundër tyre për mua zgjidhje është vetëm lufta”.

Vazhdoi kështu të depërtojë nëpër radhët e armikut me shpatën e tij duke luftuar me një heroizëm të rrallë, derisa e goditën dhe ia këputën krahun e djathtë. Mirëpo ai menjëherë e mori flamurin në dorën e majtë por nuk vonoi shumë e ia këputën edhe krahun e maj­të. Pas kësaj e mori flamurin dhe e shtrëngoi me muskujt e gjok­sit të tij, derisa e goditën për së treti dhe ia çanë trupin në dy pjesë. Pas tij, flamurin e mori Abdullah ibën Revaha, i cili luftoi he­roi­kisht derisa edhe ai ra shehid në rrugën e Allahut...

*  *  *

Kur i arriti Pejgamberit a.s. lajmi se të tre komandantët e tij kanë rënë dëshmorë në fushën e betejës, u mërzit dhe u pikëllua shumë. Menjëherë shkoi në shtëpinë e djalit të xhaxhait të tij, Xha’­ferit. E pa gruan e tij Esmën tek përgatitej për pritjen e bashkë­shortit të saj.

Ajo sa i kishte kryer punët e shtëpisë, i kishte pastruar fë­mijët dhe i kishte veshur e parfumosur ata me erërat më të mira…

Esma na rrëfen për ardhjen e të Dërguarit a.s. në shtëpinë e saj dhe thotë: “Kur ia behu te ne Resulullahu, e pashë se fytyrën e tij fis­ni­ke ia kishin mbuluar shenjat e dëshpërimit dhe të mërzisë. Me­gjithëse nuk dëshiroja ta pyesja për Xha’ferin, prapëseprapë ndje­va një rrënqethje të ftohtë e të frikshme dhe thashë me vete: Vallë a mos i ka ndodhur diçka Xha’ferit?!”

Na përshëndeti dhe tha:M’i sill fëmijët e Xha’ferit këtu!”

Ata u afruan rreth tij të gëzuar e plot hare. Secili prej tyre shty­hej që të afrohej sa më afër Resulullahut.

Pejgamberi a.s. ua lëmoi flokët me dashuri e dhëmb­shu­ri dhe nga sytë e tij të bekuar i pikonin lotët.

- Përse po qan o i Dërguar i Zotit? ‑ i thashë, - a mos të ka arri­tur ndonjë lajm për Xha’ferin dhe shokët e tij?

Po, tha Pejgamberi a.s., ‑ ata sot kanë rënë shehidë në rrugën e Allahut.

Kur i dëgjuan fëmijët këto fjalë dhe panë nënën e tyre duke qa­rë e dënesur me lot, nga fytyrat e tyre të njoma u tret buzëqeshja dhe u strukën nëpër vendet e tyre pa bërë asnjë zë, kurse i Dërguari i Allahut u ngrit, i fshiu sytë e tij të përlotur dhe tha:

“O Allah i Gjithmëshirshëm! Trashëgoje Xha’ferin në fëmijët e tij!”

“O Allah i Gjithmëshirshëm! Trashëgoje Xha’ferin në familjen e tij”, dhe shtoi:

“E kam parë Xha’ferin në xhenet. Dy krahët e tij të përgjakur i kishte të stolisur me pendla shumëngjyrëshe.”



[1] Prej stërgjyshërve të Resulullahut s.a.v.s.

[2] Akili ‑ Ky është Akil ibnu Talib, vëllai i madh i Aliut r.a.

[3] Hajberi: kështjellat e hebrenjve, të cilat i çliroi i Dërguari  i Allahut s.a.v.s. në vitin e shtatë të hixhretit.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Sabri Bajgora

EBU SUFJAN BIN HARITHI

ebu_sufjan_bin_harithi mesoislamin.com

EBU SUFJAN BIN HARITHI

“Ebu Sufjan bin Harithi do të jetë zotëri i djelmërisë (rinisë) në xhenet.”

(Muhammedi a.s.)

Rrallë herë mund të ndodhë që të ndërlidhen shkaqet dhe koin­ci­dencat ndërmjet dy personave sikurse ndërmjet Muhammedit a.s. dhe Ebu Sufjan bin Harithit.

Ebu Sufjani ishte bashkëkohanik i Pejgamberit a.s. Që të dy u lin­dën në një periudhë kohore shumë të afërt mes vete dhe që të dy u rritën në të njëjtën familje.

Ishte djali i xhaxhait të Pejgamberit, sepse babai i tij Harithi dhe Abdullahu, ‑ babai i Muhammedit a.s., ishin vëllezër, që të dy djem të Abdul Mutalibit. Njëkohësisht ishte edhe vëlla i Pejgamberit a.s. nga qumështi, ngase që të dy u ushqyen dhe u rritën nga gjiri i Halimes.

Përveç të gjitha këtyre, ishte edhe shok shumë i afërt e intim me Pej­gamberin a.s. para se t’i vinte shpallja kishte edhe ngjash­mëri tejet të madhe me të.

A ju merr mendja se mund të keni parë apo dëgjuar për ndonjë afërsi dhe lidhje më të fortë se kjo ndërmjet Muhammedit a.s. dhe Ebu Sufjan bin Harithit?!

Për këtë arsye të gjithë menduan se njeriu i parë që më së shpejti do t’i përgjigjej dhe do ta përkrahte Thirrjen e Muhammedit a.s., s’do të ishte askush tjetër përveç Ebu Sufjanit. Mirëpo, ndodhi e kun­dërta. Ndodhi ajo që askush nuk mund as ta paramendonte!

Atëherë kur Pejgamberi a.s. ende nuk kishte filluar thirrjen e tij hap­tazi, kur i thërriste në Islam të afërmit dhe farefisin e tij, në shpir­tin e Ebu Sufjanit u ndez dhe shpërtheu flaka e mërisë dhe e urrej­tjes ndaj Muhammedit a.s. Tërë ajo miqësi dhe shoqëri e ngush­të u shndërrua dhe u kthye në armiqësi, e farefisnia dhe vë­llam­ria në shkëputje e kundërshtim.

*  *  *

Atëbotë kur zbriti shpallja hyjnore, Ebu Sufjani ishte njëri ndër kalorësit më të njohur të kurejshitëve dhe ndër poetët më të famshëm e më me nam ndër ta.

Mirëpo, fatkeqësisht, ai tërë fuqinë e tij fizike dhe atë të fjalës e orientoi në luftë dhe fyerje kundër Muhammedit a.s., kundër fesë isla­me dhe kundër muslimanëve në përgjithësi. Çdo luftë që zhvi­lluan kurejshitët kundër të Dërguarit të Zotit dhe çdo e keqe që binte mbi muslimanë, Ebu Sufjani patjetër do të ishte iniciator dhe ndezës i tyre.

*  *  *

Ai e zgjoi djallin e brendshëm të poezisë së tij të ndyrë dhe nuk prajti së fyeri dhe ofenduari me gjuhën e tij nepërkë dhe vullgare personalitetin e Pejgamberit a.s., duke folur kundër tij fjalë të ulëta dhe jonjerëzore.

*  *  *

Kjo armiqësi ndaj Pejgamberit a.s. zgjati për­afër­sisht 20 vjet, gjatë të cilave nuk la gjë të ligë e të keqe pa bërë kundër muslimanëve.

*  *  *

Pak para çlirimit të Mekës, ishte shkruar nga i Madhi Zot që Ebu Sufjani ta pranojë fenë islame. Për Islamin e tij nëpër librat e histo­risë islame është shënuar një rrëfim mjaft interesant.

Tani do t’ia japim fjalën vetë Ebu Sufjanit që të na rrëfejë se si e përqafoi fenë islame, ngase vetëm ai më së miri mund të na i përshkruajë ndjenjat, përjetimet dhe emocionet e tij gjatë pranimit të Islamit.

Ebu Sufjani rrëfen e thotë:

Kur çështja e Islamit mori krah dhe u përforcua, u përhap laj­mi se Pejgamberi a.s. është nisur për në Mekë që ta çlirojë atë. Mua m’u ngushtua toka nën këmbë dhe thashë: “Ku të shkoj tani, nga t’ia mbaj, me kë do të jem?!”

Shkova te bashkëshortja dhe fëmijët dhe u thashë:

‑ Përga­titu­ni për ta lëshuar Mekën, sepse ardhja e Muhammedit është afruar. Nëse muslimanët më gjejnë këtu, ata do të më vrasin gjithsesi.

‑ A edhe tani nuk je duke e parë se arabët dhe jo arabët e kanë përkrahur Muhammedin dhe e kanë përqafuar fenë e tij? Në vend se të ishte i pari që ta ndihmoje dhe përkrahje, ti akoma je vendosmërisht kundër tij ‑ ma pritën me furi të gjithë fëmijët.

Vazhduan kështu të më flasin për fenë islame dhe të ma bëjnë të afërt në zemër, derisa më në fund Allahu ma hapi gjoksin për Islam.

*  *  *

Dola prej shtëpie dhe i thashë shërbëtorit tim, Medhkurit: ‑ Përgatit një deve dhe një kalë për udhëtim.

Me vete mora tim bir, Xha’ferin, dhe ia mësymë me shpejtësi “Ebvasë” vend në mes të Mekës dhe Medinës, ku ishte ndalur Pej­gamberi a.s. me ushtrinë e tij gjatë rrugës për në Mekë.

Kur u afrova afër “Ebvasë”, u maskova në mënyrë që të mos më njohë dikush e të më vrasë para se të arrij te Pejgamberi a.s. që para tij ta shpallja botërisht Islamin tim.

Vazhdova të ecja ashtu me kujdes të madh, duke u munduar t’u iki sa më shumë pararojave muslimane, që ishin të drejtuara me fytyrë nga Meka, nga frika se do të më njohë ndonjëri prej sa­habëve të Muhammedit a.s.

Derisa isha në atë gjendje u duk Resulullahu me suitën e tij. U afrova dhe dola para tij që të më shohë, mirëpo, kur më pa, menjë­herë e ktheu kokën në anën tjetër. I dola më shpejtësi në krahun tjetër, por, ai veproi si herën e parë.

*  *  *

Kurrë nuk dyshoja, se Pejgamberin a.s. nuk do të gëzohet për Islamin tim dhe se edhe sahabët do të gëzohen për gëzimin e tij.

Mirëpo, kur muslimanët e vërejtën mospërfilljen e Muhammedit a.s. ndaj meje, edhe ata filluan të më shikojnë mërrolshëm.

Takova Ebu Bekrin, por ai as që më foli. Afër tij pashë Omerin dhe e shikova me një shikim të butë e lutës, duke shpresuar se do t’i zbutet zemra për mua. Miëpo ai ishte edhe më i ashpër se Ebu Bekri, saqë e nxiti edhe njërin prej ensarëve që të më ndjekë pas duke më thënë: ‑ O armik i Allahut, ti je ai që e ke munduar Muhammedin a.s. dhe shokët tij. Armiqësinë tënde ndaj Pejgamberit e ke përhapur dhe e ke shpallur haptazi në lindje e në përëndim!”

Ensariu vazhdoi të më fyejë dhe ta ngrejë zërin edhe me tepër, kurse muslimanët e tjerë vetëm më shikonin në mënyrë armiqësore, duke e miratuar në heshtje një veprim të tillë të tij .

Në atë turmë njerëzish, pashë xhaxhan tim, Abasin, dhe kërkova mbrojtje prej tij dhe i thashë: - O xhaxha im! Shpresoja se i Dërguari i Alla­hut do të gëzohet për Islamin tim, në mos për asgjë tjetër, atë­herë për shkak të afërsisë farefisnore ndërmjet nesh dhe për shkak të pozitës që kam në mesin e popullit tim. Prandaj, të lutem, foli të Dërguarit a.s. që të më flasë, të më shikojë dhe të më pranojë.

Ai më tha: ‑ Jo, për Allahun, nuk mund t’i flas dot asnjë fjalë pas asaj mospërfilljeje që pashë ndaj teje sot, përveç nëse më je­pet ndonjë rast i volitshëm.

‑ E tani, në dorë të kujt po më le?! ‑ i thashë.

‑ Më vjen keq, por nuk mund të bëj asgjë më tepër nga ajo që dëgjove- ma ktheu ai.

Mua më kaploi pikëllimi dhe fillova të brengosem së tepërmi kur papritmas e pashë djalin e xhaxhait, Aliun r.a. Iu afrova dhe i fola për çështjen time, por edhe ai m’i tha po të njëjtat fjalë që m’i tha xhaxhai ynë, Abasi.

Atëherë u ktheva edhe njëherë tek xhaxhai im dhe i thashë: ‑ O xhaxhai im! Nëse nuk mund ta zbusësh zemrën e Pejgamberit a.s. ndaj meje, atëherë hiqma qafe këtë njeri që më është lyer prapa e po më shan, duke i nxitur edhe të tjerët të më fyejnë e shajnë.

‑ Përshkruama atë njeri, - më tha ai. Kur ia përshkrova tha: - Ky është Nuajman bin Harith En‑Nexhariji. E thirri dhe i tha:

‑ O Nuajman! Ebu Sufjani është djali i xhaxhait të Pejgamberit dhe djalë i vëllait tim. Nëse sot i Dërguari i Allahut është i hidhë­ruar me të, nesër sigurisht se do të jetë i kënaqur me të, prandaj hiqju qafe. Atëherë Nuajmani tha:

- Nuk do ta bezdis më pas këtij çasti.

*  *  *

Kur Muhammedi a.s. arriti në Xhahfe[1], u ula me birin tim, Xha’­ferin, mu para tendës së tij. Kur doli i Dërguari a.s. nga tenda e tij dhe më pa, e largoi fytyrën dhe shikimin e tij nga unë. Mirëpo, megjithatë, unë nuk e humbja shpresën dhe në çdo vend që ai ndalej, ulesha para tendës së tij.

Vazhdova kështu një kohë derisa gati më humbi shpresa dhe durimi dhe i thashë të shoqes: “Për Zotin, ose i Dërguari i Allahut do të më pranojë, ose unë dhe ky djalë do të tretemi diku nëpër shkretëtirat e pafundme derisa të vdesim etjeje dhe urie.”

Kur i dëgjoi Resulullahu këto fjalë të mia, iu zbut pak zemra, doli nga tenda dhe më shikoi më butësisht sesa herëve të tjera, megji­thëse unë kisha dëshirë ta shihja duke buzëqeshur.

*  *  *

Pastaj i Dërguari a.s. hyri në Mekë, e unë isha në mesin e muslimanëve. Kur u afrua pranë Qabës nxitova të jem me të duke mos iu nda­rë më për asnjë moment, sikur hija‑hijes.

Në ditën e “Hunejnit” u mblodhën arabët për ta luftuar Pej­gam­­berin a.s. me një ushtri të madhe dhe armatim të fortë, me të vetmin qëllim që njëherë e përgjithmonë ta shkatërrojnë e ta çrrë­njosin Islamin nga Siujdhesa Arabe. Kur Muhammedi a.s. së bashku me shokë të tij (sahabët) doli për t’u ndeshur me ta, dola edhe unë me të, rrëfen Ebu Sufjani. Kur i pashë turmat e mëdha të idhuj­tarëve, thashë:

‑ Për Zotin, sot do ta kompensoj tërë atë kohë që më ka kaluar në armiqësi ndaj Pejgamberit a.s. I Dërguari a.s. do ta shohë vull­ne­tin dhe dëshirën time, me çka Allahu xh.sh. do të jetë i kënaqur e sigurisht edhe vetë ai.

Kur u ndeshën dy ushtritë, idhujtarët u sulën me ashpërsinë dhe furinë më të egër, kundër muslimanëve. Në radhët e muslimanëve për një moment hyri frika dhe paniku. Njerëzit filluarn të largohen dhe të ikin nga Resulullahu, saqë ishim para një humbjeje të ma­dhe.

Atëherë Muhammedi a.s., sikur një kodër e madhe dhe e pa­tund­shme, nxori shpatën që të mbrojë veten dhe ata që ishin rreth tij.

Kur e pashë këtë skenë rrënqethëse, kërceva nga kali me aq furi, saqë e theva edhe këllëfin e shpatës. Vetëm Allahu xh.sh. e di se në ato çaste më parë dëshiroja vdekjen time sesa vdekjen e Resu­lullahut s.a.v.s. Xhaxhai im, Abasi, qëndroi në të majtë të tij duke marrë në dorë frerët e mushkës së Pejgamberit a.s., ndërsa unë qëndrova në krahun tjetër me shpatë në dorë duke mbrojtur të Dërguarin a.s.

Pejgamberi a.s. kur vërejti vendosmërinë time për luftë kundër armiqve, iu drejtua Abasit dhe e pyeti: ‑ Kush është ky?

‑ Vëllai yt dhe djali i xhaxhit tënd, Ebu Sufjan bin Harithi ‑ i tha Abasi, dhe vazhdoi t’i flasë për mua duke i thënë: - pranoje, o i Dër­guari i Allahut, pranoje dhe largoje hidhërimin tënd ndaj tij.

Atëherë Pejgamberi a.s. tha: - Ashtu qoftë, se edhe Allahu ia fali tërë atë armiqësi të tij ndaj meje.

Nga këto fjalë, mu duk se zemra do të më flu­turonte nga gëzimi. Pejgamberi a.s. edhe një herë u kthye nga unë dhe më tha: - O vëlla, pasha jetën time, ec përpara dhe godit!

Fjalët e Resulullahut, thotë Ebu Sufjani, ma ngjallën vullnetin, forcën dhe elanin për luftë. Më dukej vetja sikur po fluturoja duke goditur idhujtarët dhe duke i zmbrapsur ata. Pas meje vinin edhe muslimanët e tjerë duke luftuar e brohoritur: ”Allahu Ekber ‑ Allahu Ek­ber”, derisa i dëbuan dhe i shpartalluam përfundimisht radhët e armiqve.

*  *  *

Pas luftës së “Hunejnit”, Ebu Sufjani jetoi nën hijen e këna­që­sisë së shoqërimit me të Dërguarin e Allahut xh.sh., mirëpo më kurrë nuk e ngriti shi­kimin e tij në fytyrën e Resulullahut, ngase tur­pë­rohej kur e kujtonte të kaluarën e tij të hidhur në injorancë dhe sjelljet e tij jonjerëzore ndaj Muha­mmedit a.s.

Ebu Sufjanin e brente ndjenja e pendimit për ditët e tij të zeza në injorancë, i privuar nga drita e Allahut xh.sh, dhe e Librit të Tij, Kur’anit. Për kët arsye iu fut me përkushtim të madh mësimit të Kur’anit ditën dhe natën, duke lexuar ajetet e tij dhe duke u thelluar në studimin e tyre.

Me tërë qenien u largua nga kënaqësitë dhe të mirat e kësaj bo­te duke u afruar pranë dritës së Allahut xh.sh., saqë një ditë Pej­gamberi a.s., kur e pa tek hynte në xhami, i tha Aishes:

A e di kush është ky, oj Aishe?

Jo, o i Dërguar i Zotit ‑ ia ktheu ajo.

Ky është djali i xhaxhait tim, Ebu Sufjani, i tha ai. - Shikoje, ai gjith­monë i pari hyn në xhami dhe i fundit del prej saj.

Kur Pejgamberi a.s. kaloi në jetën e amshueshme pranë Mëshi­rës së Allahut xh.sh., Ebu Sufjan bin Harithi u mërzit shumë për të, ashtu siç mërzitet nëna për të birin e vetëm të saj dhe qau me lotët e të dashurit për të dashurin e tij, duke thurur në të njëjtën kohë një elegji ‑ kaside të dhimbshme e pikëlluese, e cila preku thellë ndjenjat e çdo besimtari.

*  *  *

Gjatë kohës së sundimit të Farukut (Omerit r.a), Ebu Sufjani ndjeu se i është afruar fundi i jetës dhe vetë e mihu varrin ku do të varrosej. Nuk kaluan as tri ditë të plota dhe erdhi momenti për ta dorëzuar shpirtin. Vetëm ca çaste para vdekjes, të shoqen, fë­mijët dhe familjen e tij i porositi me këto fjalë:

“Mos qani për mua, se për Zotin, prej atij momenti që e kam pranuar fenë islame, nuk kam bërë më asnjë mëkat”... pastaj shpirti i tij i pastër kaloi në ahiret.

Namazin e xhenazes ia fali vetë Omeri r.a., i cili u pikëllua shu­më për vdekjen e tij. Edhe sahabët e tjerë u mërzitën shumë, ngase vdekjen e tij e konsideruan humbje të madhe për fenë islame dhe për muslimanët në përgjithësi.




[1] Vend ndërmjet Mekës dhe Medinës (katër ditë rrugë në këmbë prej Mekës.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Sabri Bajgora

SA’D IBNU EBI VEKASI

sad_ibnu_ebi_vekasi

SA’D IBNU EBI VEKASI

“Gjuaj o Sa’d, gjuaj! Babë e nënë kurban i bëfsha për ty!”

(Muhammedi a.s. me këto fjalë e nxiste Sa’din në luftën e Uhudit)

“Ne njeriun e kemi urdhëruar për sjellje të mira ndaj prin­dërve të vet, sepse nëna e vet e mbarti me mundime të shumta dhe pas dy vjetëve iu ndau gjirin. (E porositëm) Të jesh mirë­njo­hës ndaj Meje, ndaj dy prindërve të tu , sepse vetëm tek Unë është kthimi juaj.”(Llukman ‑ 14)

Lidhur me zbritjen e këtyre ajeteve fisnike përshkruhet një ngjarje e rrallë dhe e mrekullueshme këto ajete shkakt-uan një ndeshje ndjenjash dhe emocionesh në shpirtin e një djaloshi trup­njomë, ku ngadhënjyes dolën e mira ndaj së keqes dhe imani ndaj kufrit.

Kryeheroi i këtij tregimi është njëri prej djemve më fisnikë të Mekës, nga prejardhja, i cili mburrej gjithmonë me dashurinë e ma­dhe ndaj prindërve të vet. Ky i ri është Sa’d ibnu Ebi Vekasi r.a.

Kur shkëlqeu drita e pejgamberisë në Mekë, Sa’di ishte një dja­lë në lulen e rinisë, i butë nga ndjenjat dhe kishte një sjellje të shkëlqyer ndaj pri­ndërve, e posaçërisht ushqente dashuri të madhe ndaj nënës së vet.

Edhe pse Sa’di atëbotë ishte në prag të të shtatë­mbëdhjetave, dinte t’i logjikojë gjërat me arsyen e mendjes së tij si ndonjë plak i urtë. Ai nuk gjente dot prehje në argëtimet e ndryshme si mo­canikët e tij, por merrej me riparimin e shigjetave, shtizave, har­qeve dhe ushtronte përdorimin dhe më­nyrën e hedhjes së tyre, sikurse ta dinte se po përgatitej për një çështje të madhe e të rëndësishme. Atij nuk i flente zemra as në besimin e kotë të popullit të tij, sikurse po priste që t’i zgjatej ndonjë dorë e fortë, e ven­dosur dhe e sjellshme që ta nxjerrë nga kjo errësirë e thellë.

 

*  *  *

Gjersa ai ishte në këtë gjendje, deshi Allahu që ta fisnikërojë tërë njerëzimin me këtë “Dorë të Mëshirës”. Kjo “dorë” ishte ajo e krijesës më të lavdishme, ‑ e Muhammedit a.s., e në pëllëmbën e tij një yll hyjnor i shkëlqyeshëm, libri i Allahut ‑ Kur’ani i Madhëruar!

Nuk vonoi shumë e Sa’di iu përgjigj thirrjes dhe udhëzimit të vërtetë. Njihet si i treti prej burrave që e pranuan Islamin dhe i ka­tërti ndër ta parët në përgjithësi.

Për këtë mburrej dhe me plot krenari thoshte:

‑ Qëndrova shtatë ditë e unë i treti në Islam.

Gëzimi i Pejgamberi a.s. për Islamin e Sa’dit ishte i papër­shkrue­­shëm, sepse tek ai shihte shenjat e fisnikërisë dhe të pje­kurisë, të cilat paralajmëronin se kjo “hënë e re” së shpejti do të bëhet “hënë e plotë”.

Shpresonte se prejardhja fisnike e Sa’dit dhe familja e tij e pas­tër e autoritative ndoshta do të ngjallin ndjenjat e xhelozisë te të rinjtë e Mekës, që edhe ata ta ndjekin rrugën e tij.

Mbi të gjitha këto, Sa’di ishte prej dajallarëve të Pejgamberit a.s., sepse ishte nga fisi Benu Zehre, prej të cilit ishte edhe Eminia, e bija e Vehbit, nëna e Muhammedit a.s. Pejgamberi gjithnjë mbu­rrej me këtë afërsi.

Transmetohet se Muhammedi a.s. një ditë prej ditësh gjersa ishte ulur me disa prej as‑habëve, e pa Sa’d ibnu Ebi Vekasin duke ardhur dhe u tha shokëve:

‑ Ky është daja im! Ky është daja im! A ka kush prej jush dajë më të mirë?

*  *  *

Megjithatë, përqafimi i Islamit nga Sa’d ibnu Ebi Vekasi nuk ishte i lehtë e pa brenga. Ky djalosh besimtar iu ekspozua sprovave më të rënda e më të vështira që mund të ekzistojnë, saqë edhe Allahu xh.sh. zbriti ajete nga Kur’ani enkas për çështjen e tij.

Le t’ia japim fjalën vetë Sa’dit që të na rrëfejë për këtë sprovë të rrallë:

Sa’di thotë: - Tri netë para se të pranoj Islamin, pashë në ën­dërr sikur isha fundosur në thellësitë e errësirave të pafundme të detit, e ndërsa vazhdoja ende të fundosesha në këto thellësira të errëta, para meje ndriçoi një dritë të cilës i shkova pas. I pashë disa njerëz që kishin arritur tek ajo dritë para meje e prej tyre dallova Zejd ibnu Harithin, Ali ibnu Ebi Talibin dhe Ebu Bekër Siddikun.

‑ Qe sa kohë jeni këtu? ‑ i pyeta.

‑ Ka ca kohë, - më thanë ata.

Pasi agoi dita e nesërme, mora vesh se i Dërguari i Allahut, Muhammedi a.s., është duke thërritur në Islam fshehtazi dhe e kuptova se Allahu me mirësitë e Tij dëshiroi që të më nxjerrë nga errësira në dritën e amshueshme.

Me nxitim shkova te Muhammedi a.s., derisa e takova atë në luginën Xhijad.[1] Pasi Resulullahu e fali namazin e ikindisë, e përqafova para tij Islamin, e nuk e kishte pranuar askush tjetër para meje, përveç atyre të treve që pashë në ëndërr: Zejdi, Aliu dhe Ebu Bekri.

Sa’di vazhdon më tej rrëfimin e tij dhe thotë: - Pasi nëna ime dëgjoi se unë kam përqafuar fenë islame u zemërua dhe u hidhërua shumë me mua. Mirëpo, meqë unë isha djalë fort i sjellshëm dhe i kuj­desshëm ndaj nënës, asaj nuk iu durua pa më pyetur: ‑ O Sa’d, ç’është kjo fe të cilën e pranove e që të shtyu ta lësh fenë e prin­dërve të tu? Ose lëre këtë fe të re, ose unë as nuk do të ha e as nuk do të pi derisa të vdes. Ty pastaj do të të copëtohet zemra nga pikë­lli­mi, do të pendohesh për atë që ke bërë dhe do të jesh gjithmonë i turpëruar para njerëzve derisa të jesh gjallë.

Mos e bë këtë, oj nënë e dashur ‑ i thashë unë, - se për Zotin kurrë nuk do ta lë këtë fe të pastër që e zgjodha, për asnjë çmim!

Mirëpo ajo vazhdoi kërcënimet e saj. E refuzoi ushqimin disa di­të me radhë, derisa iu ligështua trupi dhe i humbi tërë fuqia.

Unë, thotë Sa’di, - çdo ditë shkoja tek ajo duke e lutur që të hajë ose të pijë bile diçka, por ajo refuzonte me ngulm duke u betuar se nuk do të fusë gjë në gojë derisa të vdesë ose unë ta braktis fenë islame.

Atëherë i thashë: ‑ Oj nëna ime e shtrenjtë! Unë të dua shumë, por Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të dashur e më të shtrenjtë për mua dhe, për Zotin, sikur ti, oj nëna ime, t’i kishe një mijë shpirtë­ra e ata të të dalin njëri pas tjetrit, unë kurrë nuk do ta lë këtë fe!

Kur e pa seriozitetin dhe vendosmërinë time lëshoi pe dhe filloi të hajë e të pijë, edhe pse pa dëshirën e saj.

Kjo ishte arsyeja që Allahu xh.sh. të zbresë në lidhje me ne aje­tin kur’anor:

“E nëse ata të dy (prindërit) tentojnë që ti të më përshkru­ash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata (në këtë çështje) por në çështjet e jetës së kësaj bo­te të kesh mirëkuptim ndaj tyre...(Llukman: 15)

*  *  *

Dita në të cilën Sa’d ibnu Ebi Vekasi pranoi Islamin ishte ndër ditët më të lumtura për muslimanët dhe ndër më të frytshmet për fenë islame.

Në luftën e Bedrit  Sa’dit dhe vëllait të tij, Umejrit, lidhet një ngjarje e rrallë që nuk harrohet. Umejri atëbotë ishte një djalë i ri i cili sapo kishte arritur moshën madhore.

Kur i Dërguari i Allahut e rreshtoi ushtrinë muslimane para bete­jës, Umejri, vëllai i Sa’dit u fsheh në radhët e tyre nga frika se do ta shohë i Dërguari a.s. dhe do ta kthejë për shkak të moshës së tij të re. Mirëpo, megjithatë, Muhammedi a.s. e vërejti dhe e ktheu.

Atëherë Umejri i ri filloi të qajë me ngashërim, saqë preku the­llë ndjenjat e Pejgamberit a.s. dhe zbuti zemrën e tij, kështu që më në fund e lejoi që të jetë në mesin e luftëtarëve.

Sa’di u gëzua pa masë për këtë, saqë ia lidhi këllefin e shpatës së tij Umejrit të vogël dhe që të dy vëllezërit u nisën për të mar­shu­ar në luftë për lartësimin e Fjalës së Allahut si dy luan sypa­trem­bur.

Pas përfundimit të luftës, Sa’di u kthye në Medinë i vetëm, ndër­sa Umejrin e kishte lënë dëshmor në tokën e Bedrit, duke e lu­tur Allahun xh.sh., për mirëqenien dhe fatbardhësinë e tij në ahiret.

*  *  *

Në luftën e Uhudi, kur muslimanëve filloi t’u dridhej edhe dheu nën këmbët, askush nuk mbeti afër Pejgamberit a.s. përveç një grupi të vogël prej 10 vetash. Në mesin e tyre ishte edhe Sa’d ibnu Ebi Veka­si duke mbrojtur të Dërguarin me harkun e tij. Sa herë  që gjuante me shigjetë, idhujtarët binin të vdekur në vend para tij.

Kur e pa i Dërguari i Allahut këtë akt trimërie, filloi ta trimëro­jë dhe ta nxisë edhe më shumë Sa’din duke thënë:

“Gjuaj, o Sa’d, gjuaj! Babë e nënë kurban i bëfsha për ty!”

Gjatë gjithë jetës së tij Sa’di mburrej e krenohej me këto fjalë të Pejgamberit a.s. për të në ditën e Uhudit.

*  *  *

Mirëpo, kulmin e famës, Sa’di e arriti atëherë kur Omeri r.a. vendosi që të hyjë në luftë kundër persianëve, që shkatërrojë përfundimisht perandorinë e tyre dhe t’i çrrënjosë njëherë e përgjth­mo­në rrënjët e idhujtarisë në sipërfaqen e tokës.

Ai lëshoi një proklamatë përmes së cilës thirri të gjithë ata që kishin armë, kuaj, mburoja, që ishin të guximshëm, të mençur dhe që kishin ushqim të mjaftueshëm për t’i përballuar vështirësive të udhë­timit dhe të luftës.

Nuk vonoi shumë dhe në Medinë, nga të gjitha anët, filluan të arrij­në njerëzit grupe‑grupe. Atëherë kur u tubuan, Omeri r.a. fi­lloi konsultimet me sahabët se kujt t’ia besojë udhëheqjen dhe ko­mandën e ushtrisë.

Të gjithë qenë njëzëri për luanin sypatrembur, Sa’d Ibnu Ebi Vekasin. Omeri r.a. e thirri Sa’din, ia dorëzoi komandën mbi ushtri­në dhe në të dalë të Medinës u ndal dhe e këshilloi me këto fjalë:

“O Sa’d! Mos u bë mendjemadh kur të thonë “daja i Pejgam­berit”, sepse Allahu nuk e heq të keqen me të keqe, por e heq me të mirë.

‑ O Sa’d! Askush nuk mund të krenohet me afërsi te Zoti përveçse me respekt. Të gjithë njerëzit janë të barabartë tek Allahu. Allahu është Zoti i tyre e ata janë robërit e Tij, të cilët dallohen prej njëri‑tjetrit vetëm me devotshmëri dhe respekt të Tij. Prandaj shiko dhe vepro ashtu siç ka vepruar Pejgamberi a.s., sepse ajo ësh­të rruga më e drejtë!”

Ushtria e bekuar muslimane vazhdoi rrugën dhe në përbërjen e saj ishin 99 pjesëmarrës të luftës së Bedrit, 319 që kishin qenë prezentë në besëlidhjen “Bej’atu Rridvan”, 300 që kishin marrë pjesë në çliri­min e Mekës me Pejgamberin a.s. dhe 700 prej djemve të sahabëve.

Muslimanët arritën në Kadisijje[2], e në ditën e fundit të luftës së tyre me persianët, ditë e quajtur “Jevmu herir” (Dita e vringëlli­mit të shpatave), ata vendosën që përfundimisht t’i japin fund luf­tës. E rrethuan armikun nga të gjitha anët duke depërtuar thellë në radhët e tyre me brohoritjet: La ilahe il‑la Allah, Allahu Ekber, derisa arritën që kokën e prerë të komandantit të ushtrisë persiane  “Rrustumit”, ta ngrejnë lart në shtizat e tyre. Kur e panë ushtarët persianë këtë pamje trishtuese, në zemrat e tyre u fut frika dhe llahtaria, saqë nuk dinin më nga t’ia mbanin.

Çdo shenjim i muslimanëve mbaronte me goditjen dhe vrasjen e ushtarëve persianë, madje shpeshherë edhe me vetë armët e tyre.

Mjafton të përmendim se vetëm viktimat e fundosura në radhët e armikut ishin mbi 30 mijë.

*  *  *

Sa’di jetoi një jetë të gjatë dhe ku Allahu i dhuroi pasuri të madhe, mirëpo, kur i erdhi momenti i vdekjes e afroi pranë vete, një pelerinë të leshtë, të vjetër e të grisur dhe tha:

Më mbështillni me të, sepse me të kam luftuar kundër idhuj­ta­rëve në Bedër dhe me të dua ta takoj Allahun xh.sh. në ahiret!



[1] Njëra prej luginave të Mekës.

[2] Vend afër Kufes, në të cilin u zhvillua beteja vendimtare ndërmjet muslimanë­ve dhe persianëve, në të cilën ngadhënjyen muslimanët me një fitore madhështo­re. Kjo luftë u zhvillua në vitin 16 Hixhrijj.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Sabri Bajgora

HUDHEJFE IBNUL JEMANI

hudhejfe_ibnul_jemani

HUDHEJFE IBNUL JEMANI

“Atë që ua thotë Hudhejfeja, besojeni (merreni për të vërtetë) dhe atë që ua lexon Abdullah ibnu Mes’udi, lexojeni!”

(Hadith sherif)

“Zgjidh kë ke më të dashur në shpirt, në daç bëhu prej muhaxhirëve, në daç prej ensarëve.”

Këto fjalë ia tha Pejgamberi a.s. Hudhejfes kur e takoi për herë të parë në Mekë. Ndërsa për mundësinë e tij që të zgjedhë, se a do të shkojë me grupin e muhaxhirëve apo të ensarëve, është thurur një tregim mjaft interesant...

El‑Jemani, babai i Hudhejfes, ishte mekas nga fisi Beni Abs, por u gjaksua me një familje dhe u detyrua që ta lëshojë Mekën dhe të shpërngulet për në Jethrib (Medinën e ardhshme).

Aty u miqësua me familjen e Beni Abdel Eshheliut dhe u martua me një vajzë të tyre, e cila i lindi një djalë, të cilin e quajti: Hudhejfe.

Pasi kaloi një kohë, u hoqën ndalesat për kthyerjen e Jema­nit në Mekë. Ai filloi të lëvizte shpesh ndërmjet Mekës dhe Medi­nës. Megjithatë, kohën më të madhe e kalonte në Jethrib (Medinë).

Kur shkëlqeu drita e Islamit në Siujdhesën Arabe, Jemani, babai i Hudhejfes, ishte njëri prej atyre të dhjetëve nga delegacioni i Beni Absit, të cilët erdhën te Pejgamberi a.s. dhe e shpallën Islamin e ty­re para tij.

*  *  *

Për këtë arsye Hudhejfeja konsiderohej me prejardhje mekase, i rritur në Medinë. Hudhejfeja u rrit në familje islame, i edukuar nën kujdesin dhe ngrohtësinë e gjirit prind-ëror, të cilët ndër të parët përqafuan fenë e Allahut xh.sh. Hudhejfeja e përqafoi Islamin para se ta shohë Pejgamberin a.s.

*  *  *

Emocionet dhe ndjenjat e zjarrta të Hudhejfes për ta takuar të Dër­guarin e Zotit ia kishin pushtuar tërë qenien. Çdo ditë pyes­te për të, ndërsa dashuria dhe dëshira e madhe për ta parë atë sa vinin e shtoheshin edhe më tepër.

Udhëtoi enkas për në Mekë vetëm që ta shohë Resulullahun dhe, kur e pa, pa një pa dy e pyeti: - A jam unë prej muhaxhirëve apo prej ensarëve, o i Dërguar i Allahut?

- Zgjidhe cilën e ke më të dashur në shpirt, në daç bëhu prej muha­xhirëve në daç prej ensarëve”, i tha Pejgamberi a.s.

Prej ensarëve, prej ensarëve, o i Dërguar i Allahut, iu përgjigj Hudhejfeja.

*  *  *

Kur u shpërngul Muhammedi a.s. në Medinë, Hudhejfeja nuk iu nda kurrë duke e përcjellur atë si hija‑hijen.

Mori pjesë në të gjitha luftërat dhe betejat që zhvilloi i Dër­guari i Zotit, përveç luftës së Bedrit.

Për mosshkuarjen dhe mospjesëmarrjen në këtë luftë le të na rrëfejë vetë Hudhejfeja, kur thotë:

‑ Ajo që më pengoi të jem i pranishëm në Bedër është se unë dhe babai im ishim jashtë Medinës. Idhujtarët kurejshitë na zunë dhe na pyetën:

‑ Për ku jeni nisur?

‑ Në Medinë, iu përgjigjëm ne.

Nuk ju besojmë dot, - thanë ata, - sepse ju dëshironi t’i bash­kangji­te­ni Muhammedit!

‑ “Nuk duam të shkojmë askund përveç Medinës, - iu thamë prapë ne. Por ata refuzuan të na lëshojnë derisa  morën premtimin prej nesh se nuk do t’i ndihmojmë Muhammedit a.s. kundër tyre e as nuk do të luftojmë në radhët e tij.

Vetëm pas këtij premtimi na liruan që të shkojmë në shtëpi, rrëfen Hudhejfeja.

Kur arritëm në Medinë, shkuam te Resulullahu dhe i treguam për ngjarjen dhe për besën e dhënë kurejshitëve, pastaj e pyetëm se çka të bëjmë? Si të veprojmë?!

‑ T’i mbajmë premtimet me ta, duke kërkuar prej Allahut ndihmë kundër tyre, ‑ na tha Resulullahu s.a.v.s.

*  *  *

Ndërsa në luftën e Uhudit Hudhejfeja mori pjesë së bashku me të atin. Hudhejfeja në këtë betejë u sprovua me sprovat më të më­dha e më të vështira, duke dalë prej saj shëndosh e mirë, kurse ba­bai i tij Jemani ra dëshmor; jo nga shpata armike, por nga shpatat muslimane!

Në ditën e luftës së Uhudit Pejgamberi a.s. vendosi Jemanin dhe Thabit bin Vakshiun në vendstrehimore së bashku me gratë dhe fëmijët, sepse që të dy ishin pleq të vjetër e të moshuar.

Kur u ndez lufta me tërë ashpërsinë e saj, Jemani i tha shokut të vet:

- A thua, çfarë po presim ne?! Për Zotin, nuk na ka mbetur nga jeta në këtë botë asgjë më tepër sesa një grimcë e vogël. Ne jemi plakur e rrëzbitur dhe sot apo nesër mund të vdesim, prandaj përse të mos i marrim shpatat tona e t’i bashkangjitemi të Dërguarit a.s. Mos ndoshta Allahu xh.sh. na nderon me gradën e shehidit.

Pas këtyre fjalëve, morën shpatat dhe u futën në zemër të luf­tës. Gjersa Allahu e fisnikëroi Thabit bin Vakshiun me gradën e dësh­morit nga duart e idhujtarëve, Jemanin, babain e Hudhejfes, e go­ditën dhe e plagosën shpatat e muslimanëve duke mos e njohur.

Kur e pa këtë skenë, Hudhejfeja filloi të thërrasë me zë të lartë: - Ai është babai im! Ai është babai im!... por askush nuk mundi ta dëgjojë nga zhurma e luftës që po zhvillohej dhe plaku ra i vdekur në tokë nga shpatat e muslimanëve.

Hudhejfeja nuk tha më asgjë, përveç: “Allahu ua faltë. Ai është Falësi dhe Mëshiruesi më i madh!”

Pejgamberi a.s. deshi që t’ia kompensojë Hudhejfes gjakun e babait, por Hudhejfeja nuk pranoi dhe tha: - Ai kërkoi që të binte dësh­mor dhe atë e arriti. O Zot, dëshmo se unë ua fala gjakun e tij muslimanëve.

Për këtë durim dhe qëndrim stoik të tij, Hudhejfeja u ngrit lart në piedestal dhe në autoritet te Pejgamberi a.s.

 

*  *  *

Muhammedi a.s. i sprovoi aftësitë dhe zotësitë e Hudhejfes në tri gjëra:

‑ mendjeprehtësinë e rrallë në zgjidhjen e shpejtë të problemeve (rasteve të vështira e të ndërlikuara),

‑ të kuptuarit e menjëhershëm të çështjeve, dhe

‑ mbajtjen e sekreteve “në shtatë dryna” pa ia zbuluar askujt.

*  *  *

Problemi më i madh me të cilin ballafaqoheshin muslimanët në Medinë ishin munafikët (hipokritët - dyfytyrëshit), nga ana e heb­renj­ve dhe përkrahësve të tyre dhe intrigat e komplotet që ata i për­gatisnin Pejgamberit a.s. dhe shokëve të tij.

Muhammedi a.s. të vetmit shok që ia besoi një sekret tejet të fshehtë ‑ “emrat e munafikëve” ‑ ishte Hudhejfeja. Atë e porositi që t’i përcjellë lëvizjet dhe aktivitetet e tyre, në mënyrë që muslimanët të kenë kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për manovrim e mbrojtje nga rreziku i tyre për fenë islame dhe për muslimanët.

Nga ky çast, Hudhejfes i dhanë ofiqin ‑ “Njeriu besnik i sekreteve të Muhammedit a.s.”

*  *  *

I Dërguari i Allahut,  Muhammedi a.s., në shumë momente të vështira, vendimtare e kritike, u mbështet në prirjet dhe afinitetin e pashtershëm të Hudhejfes, e më së shumti në mendjehollësinë e tij të rrallë e të pashoqe.

Këtë prirje të tij Pejgamberi a.s. e përdori në kulmin e tendosjes gjatë luftës së “Hendekut”, kur muslimanët ishin të rrethuar nga armiqtë e tyre nga të gjitha anët. Nga ky rre­thim, që zgjati shumë, muslimanët u sprovuan me vështirësitë më të mëdha që mund të përjetohen në këtë jetë.

Pothuajse kishin humbur të gjitha shpresat, saqë disa prej muslimanëve paksa të luhatshëm filluan të flasin e të dyshojnë në ndih­mën dhe përkrahjen e Allahut xh.sh.

Mirëpo, në anën tjetër, as kurejshitët e as aleatët e tyre nuk ishin në gjendje aspak më të mirë në këto çaste vendimtare. Allahu xh.sh. derdhi mbi ta hidhërimin e Tij, ua dobësoi fuqinë dhe ua lu­ha­ti vendosmërinë. Ua dërgoi një furtunë të madhe që ua shkatërroi tendat, ua fiku zjarret dhe ua verboi e nxiu sytë me rërë dhe pluhur.

Në këso momentesh vendimtare të historisë, ku përcaktohen rrje­dhat dhe kahet e luftërave, kemi dëshmi të shumta se taborri që i pari luhatet dhe zmbrapset, e humb luftën, kurse ai taborr që e për­mban veten dhe ka përgatitje strategjike më të përsosur, fiton.

Mu në këto çaste vendimtare, Pejgamberi a.s. pati nevojë për përvojën dhe aftësitë e Hudhejfes dhe vendosi që nën hijen e errët të natës ta dërgojë atë mu në zemër të ushtrisë armike, që t’i sjellë lajmet e tyre, para se ata të marrin vendim për sulm.

Tani t’ia lëmë fjalën vetë Hudhejfes që të na rrëfejë për “Aventurën e tij të vdekjes”...

- Ajo natë ishte e errët dhe e ftohtë. Kurrë nuk kishim parë e as përjetuar natë më të errët se ajo. Në atë errësirë nuk mund të shihnim asgjë. Nga shpejtësia e erës, që po frynte me aq rrëmbim, dëgjoheshin zëra të fortë dhe fishkëllima sikur të bubullimës.

Ishim të rrethuar nga të gjitha anët. Në anën e epërme gjendej Ebu Sufjani me idhujtarët e Mekës, kurse në anën e poshtme kishim fisin e hebrenjve Beni Kurejdha, nga të cilët kishim frikë për sigurinë e familjeve tona.

Munafikët filluan të kërkojnë leje nga Pejgamberi a.s. duke thë­në: “Shtëpitë tona i kemi të pambrojtura nga armiku,” -kurse në realitet ato nuk ishin të pambrojtura. Secilin që kërkoi leje të shko­jë, Pejgamberi a.s. e la të lirë, derisa mbetën afro treqind veta.

Pas kësaj, Pejgamberi a.s. filloi të ecë në mesin e radhëve tona duke na shikuar një nga një, derisa arriti tek unë. Unë s’kisha asgjë mbi trup që të më mbronte nga të ftohtit, përveç një copëz petke të gruas sime, që nuk m’i mbulonte as gjunjtë.

U afrua pranë meje derisa isha i shtrirë në tokë dhe pyeti:

‑ Kush është ky?

‑ Jam Hudhejfeja ‑ iu përgjigja.

‑ Hudhejfeja?!! ‑ u çudit Resulullahu.

‑ Po, o i Dërguar  i Allahut ‑ i thashë dhe u mblodha pak, ngase nuk mund të ngritesha në këmbë prej urisë dhe të ftohtit të madh që ndieja.

‑ Diçka atje poshtë po ndodh me ta (armiqtë). Përvidhu disi fshehtaz te ta dhe na i sill lajmet e tyre! ‑ më tha i Dërguari a.s.

U nisa drejt tyre duke u dridhur pak nga të frika e pak nga të ftohtit. Duke çarë errësirën dëgjova Pejgamberin a.s. duke u lutur për mua: “O Allah i Plotfuqishëm, ruaje Hudhejfen nga para dhe nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta, nga lart dhe nga poshtë.”

Për Zotin, ende pa e kryer mirë lutjen e tij Pejgamberi a.s., Allahu xh.sh. ma largoi tërë frikën që më kishte pushtuar dhe tërë të ftohtit që më kishte kapluar.

Kur u largova pak, Pejgamberi a.s. më thirri me zë dhe me tha:

‑ O Hudhejfe! Mos ndërmerr asgjë me kokën tënde derisa të kthehesh!

‑ Mos u merakos, o i Dërguar i Allahut ‑ i thashë.

...Vazhdova të përvidhem nëpër errësirë derisa hyra në mesin e ushtrisë armike dhe u shtira sikur isha njëri prej tyre.

Nuk vonoi shumë dhe Ebu Sufjani u ngrit që t’iu flasë atyre dhe tha: ‑ O paria e kurejshitëve! Do t’ua them juve ca fjalë, por kam frikë se mos këto fjalë do t’i arrijnë Muhammedit. Le të shikojë secili prej jush bashkëulësin e vet që të jeni të sigurtë se s’ka prej tyre në mesin tonë.

Atëherë, unë reagova me shpejtësi, duke e kapur përdore atë që ishte ulur pranë meje dhe e pyeta: - Kush je ti? - Filani, i biri i filanit ‑ ma ktheu ai.

Pastaj Ebu Sufjani vazhdoi e tha:

‑ O paria e kurejshitëve! Nuk i kemi punët mirë. Kafshët na kanë ngordhur, hebrenjtë e fisit Benu Kurejdha na e kanë kthyer shpinën, era e fortë na shkatërroi ashtu siç po e shihni edhe ju, pran­daj ngrihuni të ikim prej këtu, sepse unë do të tërhiqem i pari. Pas këtyre fjalëve, Ebu Sufjani hipi mbi devenë e tij, ia zgjidhi frerët dhe e goditi me qëllim që të ngrihet.

Po të mos më kishte urdhëruar i Dërguari i Allahut që të mos ndër­marr asgjë, në atë çast do ta vrisja Ebu Sufjanin me shigjetën time.

Atëherë u ktheva te Pejgamberi a.s. dhe e gjeta duke u falur. Pa­si përfundoi namazin, u ula pranë Resulullahut dhe ia tre­gova lajmet e kurejshitëve. U gëzua aq shumë, saqë u ngrit në këm­bë duke e falënderuar dhe lartësuar Allahun xh.sh. për ndihmën e Tij.

*  *  *

Hudhejfe ibnul Jemani, gjatë tërë jetës së tij kurrë nuk i zbuloi sekretet e Resulullahut s.a.v.s. mbi hipokritët.

Prijësit (halifët) e muslimanëve shpeshherë konsultohe-shin me të lidhur me çështjet e hipokritëve, saqë Omeri r.a. kur vdiste di­kush prej muslimanëve pyeste: - A ka ardhur Hudhejfeja t’ia falë na­ma­zin e xhenazes? Nëse i thonin po, atëherë ia falte edhe ai, e nëse i thonin jo, atëherë dyshonte dhe nuk dilte t’ia falte namazin atij të vdekuri.

Njëherë Omeri r.a. e pyeti: - A është në mesin e punëtorëve të mi dikush prej munafikëve?!

Po, është një, - i tha Hudhejfeja.

Atëherë, më trego ‑ e luti Omeri r.a.

Jo, nuk mund ta bëj këtë, - ia ktheu Hudhejfeja.

Mirëpo, thotë Hudhejfeja, - sikur dikush ta kishte inspiruar Ome­rin për atë munafik, ai menjëherë e gjeti dhe e përzuri.

*  *  *

Sigurisht se shumë pak njerëz e dinë se Hudhejfeja çli­roi Nehavendin, Dejnuren, Hamedhanin dhe Rrejjen, qytete të mëdha persiane, dhe ishte shkaktar i bashkimit të muslima-nëve në një mus‑haf, kur njerëzit gati sa filluan të përçahen në Librin e Allahut.

Përkundër të gjitha këtyre, Hudhejfe ibnul Jemani kishte frikë të madhe për vetveten nga dënimi i Allahut xh.sh.

Kur e rëndoi sëmundja e vdekjes, disa shokë i erdhën në vizitë në mes të natës:

Çfarë kohe është tani? ‑ i pyeti ata.

Jemi afër mëngjesit ‑ iu përgjigjën.

Atëherë, Hudhejfeja u lut dhe tha: ‑ Kërkoj mbrojtjen e Alla­hut nga mëngjesi që më shpie në zjarr (xhehenem), kërkoj mbroj­tjen e Allahut nga mëngjesi që më shpie në zjarr (xhehenem)!

Pastaj tha: ‑ A e sollët qefinin?

Po ‑ i thanë ata.

‑ Mos e teproni me qefin ‑ u tha ai, - se nëse kam ndonj mirësi tek Allahu, e ndërrroj atë me ndonjë më të mirë, e nëse është e kundërta, atëherë do të mbesë edhe pa të, dhe vazhdoi: - O Zot! Ti e di se më shumë e kam dashur varfërinë se pasurinë, modestinë se krenarinë dhe vdekjen më shumë se jetën.

...Dhe duke lëshuar frymët e fundit të jetës tha:

“I dashuri shkon tek i dashuri (tek ai që është përmalluar për ta parë e takuar). Do të shpëtojë ai që pendohet.”

‑ Allahu e mëshiroftë Hudhejfe ibnul Jemanin!

‑ Ishte vërtet shembull dhe ideal i lartë për brezat që do të vijnë!

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Sabri Bajgora

UKBE BIN AMIR EL‑XHUHENIJ

ukbe_bin_amir_elxhuhenij mesoislamin.com

UKBE BIN AMIR EL‑XHUHENIJ

...Ja, i Dërguari i Allahut më në fund, pas një pritjeje të gjatë e të përmallshme, duket në horizont dhe hyn në Medinë.

Ja banorët e Medinës së ndritshme tek shtyhen nëpër rrugë, mbi kul­met e shtëpive dhe në çdo pëllëmbë të tokës së tyre, duke bro­horitur: “Allahu Ekber, Allahu Ekber ‑ La ilahe il‑la Allah Muha­mme­dun resulullah”, nga gëzimi i papërshkru-eshëm për takimin e tyre me Pejgamberin e Mëshirës dhe shokun e tij, Ebu Bekër Es‑Siddikun.

Ja edhe vashat e Medinës me defa në duar. U bien atyre dhe kën­dojnë me ngazëllim për Pejgamberin a.s.

“Lindi hëna katërmbëdhjetëshe,

Nga Thenijatul Vedaë,

Të gjithë ne falënderojmë Zotin,

Derisa ka thirrës në Allah.”

Ja suita e Resulullahit duke ecur ndërmjet rreshtave të medi­nasve, e përcjellë nga shikimet e dje­gura nga malli dhe lotët e gë­zimit nëpër fytyrat e tyre të buzëqeshura.

*  *  *

Mirëpo, Ukbe bin Amir El‑Xhuhenij nuk ishte dëshmitar i tërë kësaj pritjeje madhështore që ia bënë medinasit  Muhammedit a.s.

Kjo për arsye se ai kishte daluë në stane diku lart në bjeshkë me kopenë e tij që ta ruajë, sepse frikësohej se nga thatësia e ma­dhe do t’i shkatërrohej e do t’i humbte. Kopeja ishte e tëra që kishte në këtë dynja.

Mirëpo, gëzimi i papërshkrueshëm që e përfshiu tërë Medinën e ndritshme nuk vonoi shumë dhe u përhap edhe nëpër fshatrat e afër­ta përreth dhe ato pak më të largëta. Çdo pëllëmbë e tokës shndë­riti nga kjo dritë.

Lajmi përgëzues për ardhjen e Pejgamberit a.s. në Medinë arriti edhe te Ukbe bin Amir El‑Xhuhenij, atje lart në stane ku ishte.

Tani t’ia lëmë fjalën vetë Ukbes që të na rrëfejë mbi takimin e tij me Pejgamberin a.s.

Ukbeja thotë:

- Kur arriti Resulullahu në Medinë, unë isha duke ruajtur bagë­tinë lart në stane dhe, sapo dëgjova se ai arriti, i lashë të gjitha dhe shkova ta takoj. Kur e takova, i thashë:

‑ A ma jep besën, o i Dërguar i Allahut!

‑ Cili je ti? ‑ më pyeti ai.

‑ Ukbe bin Amir El‑Xhuhenij ‑ i thashë.

Ç’besëlidhje ke dëshirë? Besëlidhje arabe apo besëlidhje të Hixhretit? ‑ më pyeti prapë Resulullahu.

Besëlidhje të Hixhretit, o i Dërguar i Allahut, - i thashë unë.

Pasi Muhammedi a.s. më besatoi, qëndrova një natë në Me­di­në, dhe të nesërmen u ktheva prapë në bjeshkë.

*  *  *

Ishim 12 veta që kishim përqafuar Islamin e që qëndronim jash­të Medinës duke ruajtur bagëtinë nëpër bjeshkë. I thamë njëri­tjetrit: - Nuk është mirë për ne që të mos jemi afër Pejgamberit a.s. çdo ditë, që të dëgjojmë prej tij shpalljen që i vjen nga qielli. Le të shkojë çdonjëri prej nesh nga një ditë në Medinë, e ne t’ia ruaj­më bagëtinë derisa të kthehet.

Unë iu thashë: - Shkoni tek i Dërguari i Zotit një nga një e unë ia ruaj bagëtinë atij që shkon, sepse kisha kujdes të madh në ruajtjen e tyre.

*  *  *

Shokët e mi filluan një nga një të shkojnë te Pejgamberi a.s. e unë ua ruaja bagëtinë. Kur ktheheshin, e përpija me një frymë atë që e kishin dëgjuar prej Pejgamberit a.s. por nuk shkoi shumë kohë e i thashë vetvetes: ‑ I mjeri ti, o Ukbe! A për shkak të disa bagë­ti­ve të të kalojë koha e të mos jesh pranë Resulullahut s.a.v.s. për të nxënë prej tij mësimet e fesë gojarisht, pa asnjë ndërmjetë­sues?!

Prej këij çasti, - thotë Ukbeja, - vendosa që përfundi-misht ta lë e ta braktis kopenë e bagëtive, të zbres në Medinë dhe të vendosem pranë Pejgamberit a.s.

*  *  *

Kur Ukbe bin Amri e mori këtë vendim të prerë e të urtë, kurrë nuk do t’i ketë shkuar ndërmend se pas një kohe shumë të shkurtër do të bëhej njëri ndër dijetarët më të mëdhenj e më të njohur nga radhët e sahabëve dhe njëri prej lexuesve më të famshëm të tyre. Do të bëhej njëri prej udhëheqësve më të shquar ushtarakë dhe një­ri prej valive të rrallë islamë.

Thjesht, nuk kishte mundur as të paramendojë, duke e lënë ba­gë­tinë, se do të jetë pararoj e ushtrisë muslimane që do ta çli­ro­jë Damaskun dhe do të vendosë që të jetojë për një kohë në kop­shtijet e tij të bukura.

Nuk kishte mundur dot as ta përfytyronte se do të ishte njëri prej udhëheqësve ushtarakë që do ta çlironin “margaritarin e pla­netit”, Misirin (Egjiptin) dhe do të bëhej vali i tij duke kaluar edhe aty një pjesë të konsiderueshme të jetës, në bregoren e quajtur “El Mukattam”.

Sidoqoftë, të gjitha këto çështje janë prej gjërave abstrakte e të fshehta, të cilat nuk mund t’i dijë askush përveç Krijuesit të kësaj gji­thësie ‑ Allahut xh.sh.

*  *  *

Ukbe bin Amir El Xhuhenij e përcillte Pejgamberin a.s. në çdo hap sikur hija‑hijen. I merrte në dorë frerët e mushkës së Pejgam­berit a.s. kudo që shkonte i Dërguari i Allahut.

Shpeshherë ndodhte që Resulullahu ta hypë edhe atë në mushkë pas tij, saqë e quanin “truproja e Resulullahut”. Ndodhte ndonjë­he­rë që vetë Pejgamberi a.s. të zbriste nga mushka e të ecte këmbë kurse Ukbeja qëndronte ulur mbi mushkë.

Ukbeja rrëfen për këtë dhe thotë:

‑ Një ditë, së bashku me Pejgamberin a.s. kishim dalë jashtë Medinës...Unë ecja përpara duke i mbajtur frerët e mushkës, kur Pejgamberi a.s. më tha: - O Ukbe, përse nuk hip pak e unë të eci më këm­bë?  Vetëmevete doja t’i thoja  jo, por kisha frikë se moszba­ti­mi i fjalës së Resulullahut është mëkat dhe thyerje e urdhrit të tij, dhe i thashë: ‑ Si urdhëron, o i Dërguar i Zotit.

Atëherë Pejgamberi a.s. zbriti nga mushka e unë hipa për ta çuar në vend fjalën e tij.

Vazhduam kështu një pjesë të rrugës, pastaj unë zbrita e i Dër­guari hipi dhe më tha:

‑ O Ukbe! ‑ A do të t’i mësoj dy sure (kaptina) nga Kur’ani që nuk kanë zbritur kurrë si këto?

Po si jo, o i Dërguar i Zotit ‑ ia ktheva unë.

Pastaj Pejgamberi a.s. m’i lexoi kaptinat “El‑Felek” (Kul eudhu birab‑bil felek) dhe “En Nas” (Kul eudhu birab‑bin nas).

Nuk vonoi shumë dhe erdhi koha e namazit. Pejgamberi a.s e fali atë namaz me këto dy sure dhe më tha:

‑ Lexoji këto dy sure çdo herë para se të biesh në gjumë dhe pasi të zgjohesh në mëngjes!

Prej asaj kohe, ‑ thotë Ukbeja ‑ e deri në momentet e fundit të je­tës gjithmonë i kam lexuar këto dy sure.

*  *  *

Për Ukben dy preokupimet kryesore të jetës ishin: Nxënia e ditu­risë dhe Xhihadi, për të cilat u përpoq me tërë qenien e vet ta japë kontributin e tij në mënyrë sa më të ndershme e fisnike.

Në lëmin e diturisë merrte prej burimit të bujshëm të Resu­lu­llahut, derisa u bë njëri nga dijetarët më të njohur në leximin e Kur’­anit, në hadith, fikh, letërsi, kulturë, poezi, oratori dhe në shken­cën e ndarjes së trashëgimisë e të pasurisë.

E kishte zërin më të bukur e më të këndshëm prej lexuesve të Kur’anit, saqë, kur binte nata dhe qetësohej çdo gjë, merrte librin e Allahut dhe fillonte ta lexonte.

Të gjithë sahabët e dëgjonin me vëmendje e kujdes të madh, saqë prej leximit të tij u mbusheshin sytë me lot dhe u zbuteshin zem­rat nga frika e dënimit të Allahut xh.sh.

Një ditë Omeri r.a. gjatë sundimit të tij e thirri Ukben dhe i tha:

‑ O Ukbe, na lexo diçka nga Libri i Allahut!

‑ Si urdhëron, o emiri i muslimanëve ‑ iu përgjigj Ukbeja.

...dhe filloi të lexojë një pjesë të Kur’anit me aq mallëngjim, saqë Umejrit r.a. filluan t’i ravijëzohen lotët nëpër faqe derisa iu lag edhe mjekra.

*  *  *

Ukbe bin Amir El Xhuhenij la pas vetes një mus‑haf të shkruar me dorën e vet. Ky mus‑haf ka ekzistuar deri vonë në Egjipt, Kajro, në xhaminë e njohur me emrin e tij ‑ Xhamia e Ukbe bin Amir El‑Xhuheniut. Në fund të këtij mus‑hafi shkruante: “E shkroi me dorë të vet Ukbe bin Amir El Xhuhenij”

Ky mus‑haf (Kur’an) i shkruar nga dora e Ukbes është mus‑hafi më i vjetër në fytyrën e tokës, mirëpo për fat të keq ka humbur çdo gjurmë e tij, ashtu siç ka humbur edhe pjesa më e madhe e thesarit të trashëgimisë sonë të pasur kul­tu­rore‑fetare dhe kjo vetëm nga pakujdesia dhe neglizhenca jonë.

Ndërsa në fushën e xhihadit, mjafton të themi se Ukbe bin Amri mori pjesë në të gjitha luftërat që zhvilloi Pejgamberi a.s. prej Uhudit e tutje dhe ishte njëri prej atyre heronjve guximtar e sypa­trembur të cilët luftuan heroikisht për çlirimin e Damaskut.

Ebu Ubejde ibnu Xherrahu, kryekomandant i ushtrisë muslimane, e nderoi Ukben që të jetë lajmëtari përgëzues tek Omeri r.a. për çlirimin e Damaskut. Tetë ditë e tetë net rresht, prej të xhumasë e deri në xhumanë tjetër, Ukbe bin Amiri pa u ndalur udhëtoi për në Medinë që ta përgëzojë Omerin r.a. për fitoren madhështore të usht­risë muslimane.

Pastaj ishte njëri prej udhëheqësve më të shquar ushtarakë që e çliruan Egjiptin. Si shpërblim për këtë, emiri i muslimanëve ‑ Muaviu e emëroi vali të Egjiptit për tre vjet rresht.

Pas kësaj e dërgoi të luftonte për çlirimin e ujdhesës së Rodo­sit, në Detin Mesdhe.

Ukbe bin Amiri ishte i flaktë për xhihad. Të gjitha hadithet e Pej­gam­berit a.s. rreth xhihadit i kishte ngulitur thellë në shpirtin dhe qenien e tij dhe përpiqej që ato t’i zbatonte sa më shumë në jetën praktike. Ai ua transmetonte këto hadithe edhe sahabëve.

Ukbe bin Amiri ushtronte pandërprerë gjuajtjen me shigjeta, sa­që, kur donte të argëtohej, argëtohej vetëm me këtë lloj aktiviteti.

*  *  *

Kur u sëmur Ukbe bin Amir El Xhuhenij, sëmundja e vdekjes e gje­ti në Egjipt. Rreth vetes, mblodhi të gjithë djemtë e tij dhe i kë­shilloi me këto fjalë:

“O bijt e mi! Po ua lë amanet tri gjëra prej të cilave duhet të ruheni: Mos i pranoni hadithet e Pejgamberit a.s. nga askush, për­veç nga të sigurtët, mos hyni në borxh (mos kërkoni borxh prej as­kujt) edhe nëse nuk keni asgjë për të veshur përveç ndonjë palltoje të grisur dhe mos shkruani poezi që ato të mos iu preokupojnë dhe t’i largojnë zemrat tuaja nga Kur’ani.”

Pas vdekjes e varrosën në bregoren Mukattam. Kur e varrosën dhe filluan të gjurmojnë në gjësendet e tij që i kishte lënë si tra­shëgim, gjetën në to 70 e ca harqe shigjetash.

E kishte lënë amanet që ato të përdoren në luftë për lartësimin e Fjalës së Allahut xh.sh.

Allahu e ndriçoftë fytyrën e dijetarit, lexuesit e luftëtarit të madh në rrugën e Tij, Ukbe bin Amir El Xhuheniut, dhe e shpërbleftë me mirësitë e Tij, për kontributin e dhënë në lartësimin e idealeve të shenjta islame.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Sabri Bajgora

HABIB IBNU ZEJD EL‑ENSARI

habib_ibnu_zejd_el_ensari

HABIB IBNU ZEJD EL‑ENSARI

“Ju bekoftë Allahu për hir të Ehli‑Bejtit  dhe ju mëshiroftë për hir të tyre.”

Muhammedi a.s.

Në një shtëpi ku përhapej aroma e imanit (besimit), që përfshinte secilin prej këndeve të saj, ku në fytyrat e përvuaj­tura të çdo banuesi pikaseshin shenjat e flijimit dhe të heroiz­mit, u rrit Habib ibnuu Zejd el Ensariu.

*  *  *

Babai i tij ishte Zejd ibnu Asimi, njëri nga muslimanët e parë të Jethribit dhe njëri nga shtatëdhjetë dëshmitarët e Akabës, të cilët e mirëpritën Pejgamberin a.s. dhe u zotuan se do ta mbështesin dhe ndih­mojnë me të gjitha mjetet. Me të ishte bashkëshortja dhe dy bijat e tij.

Nëna e tij ishte Ummu Amare, nga fisi El‑Mazini. Ajo ishte fem­ra e parë e cila mori armët për ta mbrojtur fenë e Allahut dhe të Dërguarin e Tij, Muhammedin a.s.

Vëllai i tij ishte Abdullah ibnu Zejdi, i cili e shpalosi gjoksin e tij para Pejgamberit a.s. me qëllim që ta mbrojë në betejën e Uhudit.

Pejgamberi a.s. ka thënë për të:

“Ju bekoftë Allahu për hir të Ehli‑Bejtit (familjes së Mu­ham­me­dit a.s.). Ju mëshiroftë Allahu për hir të Ehli - Bejtit...”

*  *  *

Drita hyjnore (besimi) kish depërtuar në zemrën e Habibit dhe ish­te vendosur e përqendruar në të, kur ai akoma ishte i ri dhe fare i njomë.

Ai pati fatin që, bashkë me nënën, babain, tezen dhe vëllanë e tij të shkojë në Mekë, me qëllim që të marrë pjesë së bashku me grupin prej 70 vetave, që kishin bërë vepra fisnike dhe heroike në përpjekjet për të ndërtuar historinë islame, dhe të shtrijë dorën e tij të vogël për ta përshëndetur Pejgamberin a.s. nëpër errësirë të natës, në Akabe.

Që nga ajo ditë, Pejgamberi a.s. u bë më i dashur për të sesa babai dhe nëna e tij...

Feja islame ishte më e shtrenjtë sesa jeta e tij...

*   *   *

Habibi nuk mori pjesë në luftën e Bedrit, sepse atëherë ishte shumë i vogël, as nuk pati nderin që të merrte pjesë në Uhud, sepse ende nuk ishte i zoti për të mbajtur armën... Por, më vonë, kur u rrit, mori pjesë në të gjitha betejat që zhvilloi Pejgamberi a.s. Ky njeri për Pejgamberin a.s. ishte simbol nderi dhe në secilën betejë dëshmonte se e meritonte atë nder, meqë kishte qëndrimin e një shpirti flijues. Megjithëse ato beteja karakterizoheshin me skena sa madhështore aq edhe tmerruese, ato rezultuan në sajë të një për­gatitjeje të ngjeshur për një qëndrim stoik, për të cilin do të rrëfe­het në vazhdim. Ai qëndrim do ta vetëdijësojë thellë ndërgjegjen tuaj, ashtu siç vetëdijësoi ndërgjegjet e miliona muslimanëve që nga koha e Pejgamberit a.s. e deri në ditën e sotme.

Kjo ngjarje do të të mahnisë edhe ty, ashtu siç ka mahnitur mi­liona njerëz gjatë shekujve. Pra,ndaj lexoni në vazhdim për këtë ngjar­je të bujshme që nga fillimi i saj.

*  *  *

Në vitin e nëntë pas hixhretit, feja islame ishte forcuar dhe stabi­lizuar. Ajo zuri të ngulitet me të madhe në mendjet e njerëzve, kështu që delegacionet e arabëve nga të gjitha anët e siujdhesës filluen të arrijnë në Jethrib për t’u takuar me Pejgamberin a.s., që ta shpallin pranimin e fesë islame para tij, ta përshëndesin dhe t’i binden me përkushtim.

Në mesin e këtyre delegacioneve ishte delegacioni i fisit Benu Hanife, i cili vinte nga lartësitë e Nexhdit.

* * *

Delegacioni vendosi devetë në periferi të qytetit të Pejgamberit a.s.. Për t’u kujdesur për to lanë një njeri të quajtur Musejleme ibnu Hubejb El‑Hanefi. Pastaj, delegacioni shkoi para Pejgamberit a.s. dhe dëshmuan pranimin e fesë islame. Pejgamberi a.s. i mirë­priti me respekt ata dhe për secilin prej tyre dha nga një dhuratë. Edhe kujdestarit të deveve i dha dhuratë.

Ende pa arritur delegacioni në vendbanimin e tij në Nexhd, kur papritur Musejleme ibnu Hubejbi dezertoi nga feja islame, u ngrit në mesin e njerëzve dhe u kumtoi qëndrimin e vet:

- Unë jam profet i dërguar nga Zoti te fisi Benu Hanife njësoj siç e ka dërguar Zoti të birin e Abdullahut, Muham-medin, te kurej­shitët...

Njerëzit e fisit të tij, të shtyrë nga motive të ndryshme dhe nga fanatizmi, filluan të tuboheshin rreth tij dhe njëri prej tyre tha:

- Dëshmoj se Muhammedi a.s., është i sinqertë kurse Musejle­meja është rrenacak, por rrenacaku i fisit të madh arabRebi’a është më i dashur sesa i sinqerti i fisit Mudar (fisi i Muhammedit a.s.)

* * *

Pasi u forcua dhe fitoi disa përkrahës dhe ithtarë ai i shkroi Pejgamberit a.s. një shkresë me këtë përmbajtje:

“Nga Musejlemeja, profet i Zotit, drejtuar Muhammedit, profetit të Zotit, ju përshëndes. Unë jam pjesëmarrës me ty në çështje. Ndaj, neve na takon gjysma e tokës, kurse kurejshitëve gjysma tje­tër. Kurejshitët kryejnë agresione ndaj fqinjëve.

Letrën  e dërgoi nëpërmjet dy njerëzve të tij. Pasi iu lexua shkre­­sa Pejgamberit a.s., ai pyeti ata dy njerëz: ‑ Çka mendoni ju të dy?

‑ Ata u përgjigjën: - Ne mendojmë atë që ke thënë.

Pejgamberi a.s. u tha: - Për Zotin, sikur të ishte traditë të vriten emisarët, do t’u preja kokën menjëherë.

Pastaj i dërgoi një shkresë Muselemes në të cilën thotë:

“Bismil‑lahirr‑Rramanirr‑Rrahim. (“Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit”)

Nga Muhammedi, Pejgameri i Zotit, Musejlemes gënjeshtar. Për­shëndetja i drejtohet atij i cili pason udhëzimin e drejtë. Toka është e Zotit. Ai e bën trashëgimtar të saj cilindo prej adhuruesve të Tij, kurse shpërblimet u takojnë vetëm njerëzve të devotshëm.” Shkresën e dërgoi nëpërmjet dy njerëzve.

*  *  *

Sherri i Musejleme gënjeshtarit u shtua. Përçarja u përhap dhe u zgjerua. Pejgamberi a.s. e pa të udhës që të dërgojë tek ai një shkre­së me anën e së cilës i kërkon që të shmanget nga kjo rrugë e ga­buar. Për këtë angazhoi heroin e tregimit, Habib ibnu Zejdin.

Asokohe ai ishte i ri, por kishte kaluar kohën e fëmijërisë. Ishte besimtar i denjë e shembullor.

*   *   *

Habibi u nis për të kryer detyrën që ia kishte caktuar Pej­gamberi a.s. Ai as s’ishte i pavëmendshëm e as nuk ngutej. Ai zu­ri të ngjitej në maja të larta dhe sapo i kaloi ato, vazhdoi rrugëtimin e tij duke zbritur luginave, derisa arriti te shtëpitë e fisit Benu Hanife, në rrafshnaltat e Nexhdit, ku ia dorëzoi letrën Musejlemes.

Derisa Musejlemja dëgjonte përmbajtjen e letrës, nga mllefi dhe urrejtja iu fry gjoksi, në vijat e fytyrës së tij të shëmtuar dhe të zverdhur pikaseshin shenja hakmarrjeje dhe tradhtie. Ai urdhëroi që Habibit t’i vihen prangat dhe ta sjellin të nesërmen, në mesditë.

Të nesërmen, Musejlemja kryesoi tubimin. Në anën e djathtë dhe të majtë vendosi putat e besimit  politeist të të parëve të tij. Lejoi masën e popullit që të hynte tek ai e pastaj urdhëroi që ta sillnin Habibin. Ndërsa e sillnin, ai mezi ecte nga prangat e vëna.

Habib ibnu Zejdi, në mes të masës së grumbulluar dhe urrej­të­se, qëndroi kokëlartë, i përmbajtur dhe ngrihej në me­sin e tyre si një shigjetë e fortë, e farkuar prej shigjetarit.

Atëherë Musejlemja u kthye nga ai dhe e pyeti:

‑ Dëshmon që Muhammedi është i Dërguari i Zotit?

‑ Po, dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Zotit, ‑ tha ai.

Pastaj Musejlemes i shpërtheu hidhërimi dhe pyeti:

‑ Dëshmon që unë jam i Dërguari i Zotit?

Habibi u përgjigj duke u tallur:

‑ Në të vërtetë, veshët e mi kanë pengesë për të dëgjuar atë që thua.

Atëherë ndërroi fytyra e Musejlemes, buzët e tij u drodhën nga zemërimi dhe urdhëroi xhelatin:

‑ Preje një pjesë nga trupi i tij!

Xhelati i ra me shpatë Habibit dhe ia shkëputi një pjesë të tru­pit, e cila u rrokullis në tokë...

Musejlemja ia përsëriti prapë të njëjten pyetje:

‑ Dëshmon se Muhammedi është i Dërguar i Zotit?

Habibi ia priti: ‑ Po, dëshmoj se Muhammedi është i Dërguar i Zotit. 

Musejlemja pyeti pastaj:

Dëshmon se unë jam i Dërguar i Zotit?

‑ Të thashë se kam në veshë një pengesë për të dëgjuar atë që thua, ‑ i tha Habibi.

Atëherë urdhëroi prapë xhelatin që t’i priste nga trupi i tij edhe një pjesë tjetër. Ajo iu pre dhe u rrokullis në tokë derisa u sheshua pranë pjesës së parë. Njerëzit e shikonin dhe ishin të befasuar me vendosmërinë dhe kokëfortësinë e tij.

Musejlemja vazhdimisht pyeste, kurse xhelati prente sa herë që Habibi thoshte “Dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Allahut”.

Kështu u veprua derisa gjysma e trupit të tij u bë copa‑copa, të shpër­ndara nëpër tokë. Gjysma tjetër ishte një pjesë që ende fliste...

Edhe në çastin kur po ndërronte jetë, buzët e tij të pastra përsërisnin emrin e Pejgamberit, të cilin e kishte dashur dhe ia kishte dhënë besën në Akabe...

Emri i Muhammedit a.s., të Dërguarit të Allahut... ishte fjala e tij e fundit.

*  *  *

Për vdekjen e Habibit lajmëtari e njoftoi të ëmën e tij, e cila s’u përkul për asnjë moment duke thënë:

“Për hir të Zotit dhe për një qëndrim të këtillë e kam përga­titur... Nga Zoti pres shpërblimin për të...”

Ai e ka pranuar Pejgamberin a.s. dhe ia ka dhënë besën që në na­tën e Akabes, derisa ishte i vogël, ka qëndruar pranë saj dhe e ka mbajtur edhe sot në moshën madhore.

Sikur të më lejonte Zoti, do t’i bëja vajzat e tij t’i gërvishin fytyrat e tyre duke qarë e vajtuar për të.

Dita që priste me padurim e ëma e Habibit nuk vonoi...

Kur, ja, muezini i Ebu Bekrit në Medinë që thërriste për ta vrarë profetin e rrejshëm, Musejlemen...

Muslimanët ishin të motivuar që të shkojnë për t’u ndeshur me të. Në mesin e ushtrisë ishte Nesibeja nga fisi Mazini dhe i biri i saj Abdullah ibnu Zejdi.

Në betejën e Jemames është vërejtur Nesibeja duke çarë ra­dhët si luaneshë hakmarrëse dhe duke thërritur:

‑ Ku është armiku i Zotit? Ma tregoni armikun e Zotit...

Kur arriti tek ai, e gjeti të hedhur për tokë, ndërsa shpatat e muslimanëve pikonin gjakun e tij. Atëherë u qetësua shpirtërisht, kur­se sytë iu mbushën me lot. E përse jo?! A nuk u hakmor Zoti i Lavdishëm për të birin e saj të devotshëm, të ri dhe të mirësjellshëm ndaj prin­dërve, kundër vrasësit të tij mizor dhe të humbur?!

Gjithsesi...

Secili prej të dyve kanë shkuar te Zoti i tyre, por...

Njëri prej tyre në xhenet (parajsë).

Tjetri në ferrin e tmerrshëm.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

EBU TALHA EL‑ENSARI (ZEJD IBN SEHL)

ebu_talha_elensari_zejd_ibn_sehl

EBU TALHA EL‑ENSARI (ZEJD IBN SEHL)

“Nuk kemi njohur ndonjë mehër më të çmuar sesa mehrin e Ebu Talhas për Umu Sulejemen. Mehri i tij për të ishte pranimi i fesë islame.”

(Gratë e Medinës)

Zejd ibnu Sehl En‑Nexh‑xhari, i njohur me pseudonimin Ebu Talha, mësoi që Rumejsa Bintu Milhan nga fisi Nexh‑xhar, e njohur me pseudonimin Umu Sulejm, kishte mbetur e vejë, pasi i kishte vdekur burri, dhe me të dëgjuar këtë lajm zemra e tij u bë shend e verë.

Nuk është çudi përse Ebu Talha e ndiente veten shpirtërisht ash­tu, ngase Umu Sulejmeja ishte një zonjë me moral të lartë, men­djemprehtë dhe me cilësi të larta.

Ai vendosi shpejt e shpejt që të fejohet me të, para se ta bëjë këtë ndonjëri prej atyre të cilët e lakmonin.

Ebu Talha ishte i bindur se Umu Sulejmeja nuk do të pranonte asnjë­rin prej burrave që do ta kërkojnë, përveç tij.

Ai ishte një burrë i pjekur, gëzonte respekt të madh dhe kishte pasuri të madhe, për të cilat njerëzit ia kishin lakmi... Përveç kësaj, ai ishte kalorës i njohur i fisit të tij, Benu Nexh‑xhar, dhe njëri prej shi­gjetarëve të saktë dhe të rrallë të Jethribit.

*  *  *

Ebu Talha shkoi te shtëpia e Umu Sulejmes...

Ndërsa ai po shkonte rrugës së tij, iu kujtua se si Umu Sulejmeja kishte dëgjuar për fjalën e thirrësit mekas,  Mus’ab ibnu Umejrit, li­dhur me pejgamberllëkun e Muhammedit a.s. Ajo kishte besuar Mu­hammedin dhe kishte përqafuar fenë e tij.

Por, sakaq tha në vetvete: - A thua, si do t’ia bëj kësaj pune me të?...

A nuk ishte burri i saj, ai që kishte vdekur, i lidhur me fenë e gjy­shërve të tij, kundërshtar i Muhammedit dhe i thirrjes së tij?!

Ebu Talha arriti te shtëpia e Umu Sulejmes. Kërkoi leje nga ajo që të hynte brenda dhe ajo e lejoi. Në praninë e djalit të saj, Enesit, ai i propozoi që të martohet me të...

Ajo i tha:

- Në të vërtetë, njeriu si ti nuk refuzohet, o Ebu Talha, por unë nuk do të martohem me ty sepse ti je jobesimtar.

Ebu Talha mendoi që Umu Sulejmeja me këtë qëndrim po vë kusht për ta refuzuar dhe se, sipas mendimit të tij, ajo ka zgjedhur një njeri tjetër, më të pasur, nga ndonjë fis më i famshëm.

Atëherë iu drejtua asaj:

‑ Për Zotin, ky nuk është shkaku që të më refuzosh, oj Umu Sulejme.

E cili mund të jetë ai?‑ pyeti ajo.

I verdhi dhe i bardhi... ari dhe argjendi, ‑ i tha ai...

Ari dhe argjendi?! ‑ pyeti ajo e befasuar.

Po, ‑ tha Ebu Talha.

Megjithatë, unë dëshmoj para teje, o Ebu Talha, dëshmoj para Zotit dhe Pejgamberit të Tij se, po qe se pranon fenë islame, do të të pranoj për burrë timin, pa ar dhe pa argjend, kurse pranimi i fesë islame nga ana jote le të jetë mehri yt për mua...

*   *   *

Pasi dëgjoi fjalët e Umu Sulejmes, Ebu Talhës i shkoi mendja te puti (idhulli) i tij, të cilin e kishte punuar prej drunjve të çmuar, të cilin e njihte për zot të vetin, ashtu siç bënin pjesëtarët e fisit të tij.

Por, Umu Sulejmeja kishte vendosur t’i binte hekurit sa ishte en­de i nxehtë (vendosi që të mos e humbë rastin) dhe vazhdoi t’i thotë:

A nuk e di ti, o Ebu Talha, se zoti yt, të cilin e adhuron përveç Allahut, ka mbirë nga toka!?

E di, gjithsesi, ‑ iu përgjigj ai.

A nuk ndjehesh i turpëruar kur adhuron trupin e një druri, një pjesë e të cilit tështë dhënë për zot, kurse pjesën tjetër të po atij trupi e kanë përdorur të tjerët për lëndë djegëse, për t’u ngro­hur me zjarrin e tij apo për të pjekur me të bukën?... e pyeti ajo.

Në të vërtetë, nëse pranon fenë islame o Ebu Talha, unë do të jem e kënaqur, do të të pranoj për bashkëshort timin dhe nuk dë­shiroj mehër përveç Islamit.

Kush më mëson se s’i pranohet feja islame? ‑ pyeti ai.

Unë, ‑ u përgjigj ajo.

Si? ‑ pyeti ai.

Umu Sulejmeja i tha:

Thuaj të vërtetën, pastaj dëshmo se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut, prandaj shko në shtëpinë tënde, shkatërroje putin tënd dhe përdhose atë.

Ebu Talhës iu shfaq në fytyrë gëzimi dhe hareja dhe tha:

“Esh‑hedu en la ilahe il‑llall‑llah ve esh‑hedu en‑ne Mu­ham­me­den resulull‑llah” (“Dëshmoj se s’ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Tij”).

Pastaj ai u martua me Umu Sulejmen...

Atëherë muslimanët thonin:

“Nuk kemi dëgjuar asnjëherë për një mehër më të çmuar sesa meh­rin e Umu Sulejmes... Ajo e bëri mehër të vetin fenë islame...”

*  *  *

Që nga ajo ditë, Ebu Talha hyri nën flamurin islam, iu bashkua radhëve të tyre dhe me tërë fuqinë e tij u vu në shërbim të Fesë Islame.

Ai ishte njëri nga 70 vetat të cilët zgjodhën dhe ia dhanë besën Pejgamberit a.s. në Akabe, kur me të ishte edhe bashkëshortja e tij Umu Sulejmeja.

Ishte njëri nga dymbëdhjetë eprorët të cilët atë natë Pejgam­be­ri a.s. i kishte emëruar për udhëheqje të muslimanëve të Jethribit.

Ishte pjesëmarrës i të gjitha betejave që zhvilloi  Muhammedi a.s. ku dëshmoi shkathtësi të rrallë dhe të lartë.

Por, njëra nga ditët më madhështore për Ebu Talhan, është dita e betejës së Uhudit. Ja se çfarë ndodhi atë ditë.

*  *  *

Ebu Talha e ka dashur Pejgamerin a.s. me një dashuri të sinqer­të, e cila shtohej dhe ia përshkonte trupin e tij, sikur gjaku në të gji­tha enët, prandaj nuk ngopej duke shikuar dhe me padurim priste rastin për të parë dhe dëgjuar fjalët e tij të ëmbla.

Kur ngelte vetëm me të, ulej para gjunjëve të tij dhe i thoshte:

“Shpirti im është flijues për shpirtin tënd dhe fytyra ime është në mbrojtjen e fytyrës tënde.”

Ditën kur u zhvillua beteja e Uhudit muslimanët u larguan nga Muhammedi a.s., lëvizjet e të cilit vëreheshin prej së largu, atëherë politeistët filluan t’i afrohen atij nga çdo anë. Ata ia thyen dhëm­bin, ia çanë ballin, ia lënduan buzën dhe gjaku i rridhte fytyrës...

Ai ishte në gjendje aq të keqe, saqë ndjellakëqinjtë menduan se Muhammedi a.s. është vrarë, e muslimanët vazhdimisht dobëso­heshin dhe mposhteshin para armikut të Allahut.

Në ato çaste, vetëm një grup i vogël u përqëndrua në mbrojtjen e Muhammedit a.s., në krye të të cilëve ishte Ebu Talha.

*  *  *

Ebu Talha vuri trupin e tij në mbrojtje të Pejgamberit a.s. si të ishte mburojë.

Ai ngrehu harkun e tij të pamposhtur dhe vendosi shigjetat e tij të cilat nuk i huqnin caqet dhe filloi ta mbrojë Pejgamberin e Zotit, duke qëlluar politeistët njërin pas tjetrit.

Pejgamberi zgjatej prapa Ebu Talhasë që të shihte cakun e shigjetave të tij, por Ebu Talha ia tërhiqte vërejtjen nga frika se Pejgamberi a.s. do t’i ekspozohej rrezikut dhe i thoshte:

- Ti je sikurse prindërit e mi, më je i dashur, mos u zgjat, se mund të të vrasin ose të të qëllojnë... Fyti im dhe gjoksi im flijo­hen për fytin dhe gjoksin tënd. Për ty flijohem.

Njëri nga radhët e muslimanëve po kalonte pranë Pejga-mberit a.s. duke ikur, e me vete kishte shportën e shigjetave. Pejgamberi a.s. e thirri dhe i tha:

- Hidhi shigjetat e tua para Ebu Talhasë e mos ik me gjithë ato.

Ebu Talha mbronte Pejgamberin a.s. gjersa iu thyen tri harqe, kur­se nga radhët e politeistëve vrau aq luftëtarë sa ka dashur Allahu.

Pastaj përfundoi beteja dhe Allahu e shpëtoi Pejgam-berin e Tij dhe e mbrojti atë me mbrojtjen e Tij të pathyeshme.

*  *  *

Siç ishte Ebu Talha bujar me shpirtin e tij në rrugën e Allahut, në momentet më të vështira, ai ishte bujar gjith-ashtu me pasurinë e tij në qëndrimet e duhura për të shpenzuar...

Nga bujaria e tij veçojmë kur ai kishte një kopsht hurmash dhe rrushi në Jethrib, ku nuk njihej ndonjë kopsht me më shumë pemë, as me fruta më të këndshme e as me ujë më të ëmbël.

Gjersa Ebu Talha falej nën freskitë e hijeve, atij ia tërhoqi vërej­tjen një cicërimë e një shpendi me ngjyrë të gjelbër, sqep të kuq dhe këmbë ngjyra‑ngjyra.

Ai shpend filloi të këndojë mbi degët e drejta të pemëve, duke cicëruar me një melodi ngacmuese, atëherë e mahniti pamja e bukur e tij dhe ai u kredh në mendime.

S’vonoi dhe erdhi në vete, andaj nuk i kujtohej sa rekate kishte falur!! Dy... Tri... Ai nuk e dinte...

Pasi përfundoi namazin shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i dha lajmin e keq për veten e tij, se vëmendjen e tij nga namazi ia largoi kopshti, pemët e tij me hije të gjata dhe shpendi cicërues i atij kopshti...

Pastaj tha:

- Dëshmo, o i Dërguar i Allahut, që unë e lë këtë kopsht sadakë në emër të Allahut të Lartmadhëruar...

Ndaj përdore dhe shërbehu me të aty ku Allahu dhe Pejgamberi i Tij dëshirojnë.

*  *  *

Ebu Talha jetoi duke agjëruar dhe duke luftuar në rrugën e Alla­hut... Të tillë edhe e zuri vdekja... Dëshmitarët e kohës së tij kanë thënë se pas vdekjes së Resulullahut ai kishte agjëruar rreth tri­dhje­të vjet, pa ndërprerë agjërimin asnjë ditë, përveç në ditët e Bajra­meve, kur agjërimi ishte i ndaluar. Atij i zgjati jeta gjersa u bë plak i shtyrë në moshë, megjithëqë pleqëria e tij nuk e pengoi që ta vazh­dojë luftën në rrugën e Allahut, për të ecur nëpër rrugët mbi sipërfaqen e tokës për të lartësuar Fjalën e Allahut dhe për ta nderuar dhe madhështuar fenë e Tij. Njëra nga luftërat në të cilat mori pjesë ky trim i paepur ishte edhe beteja të cilën muslimanët vendo­sën ta zhvillonin në det, në kohën e halifetit të Othman ibnu Af‑fanit.

Kur Ebu Talha filloi të përgatitet për të dalë me ushtrinë e muslimanëve, të bijtë e tij iu drejtuan:

‑ Të mëshiroftë Zoti, o ati ynë, tashmë je plakur dhe ke luftuar krahas të Dërguarit të Allahut xh.sh. dhe krahas Ebu Bekrit dhe Omerit, prandaj, a nuk ke nevojë për qetësi dhe rehati, që të na lësh të luftojmë edhe për ty?!

Ai iu tha bijve të vet:

- Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

“Merrni pjesë në luftë (në rrugën e Allahut), le t’ju vijë e lehtë ose e rëndë.” (Et‑teube 41).

Ja pra, ai na tejkaloi të gjithëve me pjesëmarrje në luftë në rrugën e Allahut... pleqve dhe të rinjve dhe na tregoi se pjesëmarrja në luftë për të çuar përpara kauzën e fesë islame për të jetësuar Fjalën e Allahut, nuk është e lidhur domosdoshmërisht me moshën e individit.

Ai assesi nuk hoqi dorë nga këmbëngulja e tij për të marrë pje­së në luftë.

*  *  *

Ndërsa që plaku tejet i moshuar, Ebu Talha, ishte në anije me ushtri­në e muslimanëve në mes të detit, u sëmur rëndë, pasojë e së cilës qe vdekja.

Muslimanët filluan të kërkojnë një ujdhesë me qëllim që ta va­rrosin në të, por nuk e gjetën derisa kaluan 7 ditë dhe Ebu Talha ende në mesin e tyre, i mbështjellur me qefin, pa ndryshuar asgjë në të, sikur të ishte i fjetur.

Kjo ndodhi në hapësirën dhe gjerësinë e detit...

Ebu Talha u varros.

Larg nga familja e gjerë dhe atdheu...

Larg nga familja e ngushtë dhe vendbanimi...

Por, përkundër të gjitha këtyre, ai ishte edhe më fatlum, sepse kaloi në fqinjësi të Allahut të Lartmadhëruar.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

REMLETEU BINTU EBI SUFJANI (REMLE, E BIJA E EBU SUFJANIT)

remleteu_bintu_ebi_sufjani

REMLETEU BINTU EBI SUFJANI (REMLE, E BIJA E EBU SUFJANIT)

“Umu Habibeja nuk ka dashur askë më tepër se Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ajo nuk  dëshiroi të kthehet në mosbesim dhe e urreu atë me gjithë shpirt, siç urren njeriu të hidhet në zjarr.”

Historianët

Ebu Sufjanit nuk i shkonte mendja që ndonjëri nga mesi i gjerë kurejshit nuk do t’i pranojë apo do t’i kundërshtojë urdhrat e tij, sep­se ai ishte zotëri i respektuar i Mekës dhe prijës i saj, res­pektohej e nderohej shumë.

Por, e bija e tij Remle, e quajtur Umu Habibe, tashmë e kish­te thyer këtë bindje. Këtë e bëri atëherë kur u shpalli mosbesim zo­tave të të atit të saj dhe së bashku me burrin e saj, Ubejdullah ibnu Xhahshin, besuan në Allahun Një, të Pashoq, dhe besuan në Shpalljen e Pejgamberit të Tij,  Muhammedit të birit të Abdullahut.

Ebu Sufjani me tërë autoritetin dhe forcën që dispononte u për­poq ta kthejë të bijën dhe burrin e saj në fenë e tij dhe të gjyshërve të tij, megjithatë ai ishte i pasuksesshëm, sepse imani, që kishte de­përtuar në zemrën e Remlesë, ishte i thellë, saqë uragani i Ebu Suj­fanit nuk do të arrijë ta shkulë dot. Ai besim ishte i patundur e kjo gjë u vu në dukje me ballafaqimin e hidhërimit të tij.

*   *   *

Ebu Sufjanit iu shtua brenga për shkak të Remlesë, e cila kishte pranuar fenë islame. Ndaj nuk dinte si t’ia bënte dhe çka t’u thonte ku­rej­shitëve kur të takohej me ta, pasi u tregua i paaftë që ta nën­shtrojë bijën e tij dhe ta bindë të mos e pasojë Muhammedin.

Pasi kurejshitët hetuan se Ebu Sufjani është brengosur për Rem­lenë dhe burrin e saj, morën guximin dhe filluan t’ua ngushtojnë rre­thin, t’i lodhin aq shumë, saqë jeta e atyre të dyve në Mekë u pa­mundësua.

Kur Pejgamberi a.s. lejoi muslimanët të migrojnë në Etiopi (Abi­si­ninë e atëhershme v.j.), Remleja, bija e Ebu Sufjanit, bija e saj e vogël Habibja dhe burri i saj Ubejdullahu ishin të parët që migruan në rrugën e Allahut duke u përpjekur që të gjejnë strehim te Ne­xha­shiu (mbret i Etiopisë), i cili kishte dëgjuar Kur’anin, kishte be­suar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i kishte strehuar muslimanët.

*  *  *

Por, Ebu Sufjani dhe krerët e tjerë kurejshit u zhgënjyen shu­më, sepse grupi i muslimanëve shpëtoi nga duart e tyre dhe shkoi ta shijojë kënaqësinë e rehatisë në vendet e Etiopisë. Andaj, ata dërguan emisarët e tyre te Nexhashiu me qëllim që të ushtrojnë ndi­kim dhe t’i kërkojnë që t’ua dorëzojë muslimanët që kishin emigruar, por edhe t’ia përkujtojnë se ata kanë thënë fjalë fyese për Isain dhe nënën e tij, Merjemen.

Nexhashiu dërgoi disa njerëz të vet të besueshëm te krerët e emigrantëve muslimanë, që t’i ftojë ata në selinë e tij dhe t’i pyesë për të vërtetën e fesë së tyre, që t’i lexojnë diçka nga Kur’ani, i cili i zbret Pejgamberit të tyre.

Pasi muslimanët e njoftuan atë mbi të vërtetën e Islamit dhe ia le­xuan disa nga versetet e Kur’anit, ai qau gjersa iu lag mjekra dhe u tha:

- Vërtet, kjo që i është zbritur Pejgamberit tuaj, Muhammedit, dhe ajo me të cilën ka ardhur Isai, i biri i Mejremes, dalin nga i njëjti burim drite.

Pastaj shpalli besimin e tij në Allahun Një dhe të Pashoq dhe be­soi pejgamberllëkun e Muhammedit a.s.

Ai gjithashtu njoftoi opinionin se do t’i marrë në mbroj-tje të gji­thë ata që kanë emigruar nga radhët e muslimanëve në vendin e tij, edhe pse priftërinjtë e tij refuzuan të besojnë dhe mbetën në Krish­terimin e tyre.

*  *  *

Umu Habibeja mendoi se pas gjithë asaj që ndodhi, vuajtjet e gjata dhe rrugëtimi i saj i mundimshëm në rrugën e dhembjeve për­fundoi në kopshtin e besimit... dhe se do të vijnë ditë të lumtura për të.

Por ajo nuk dinte se çfarë fshihet në përcaktimet e të Lart­ma­dhërish­mit...

*  *  *

Deshi Allahu, bekuar qoftë urtësia e Tij, që ta provojë Umu Habiben me një provim të vështirë, para të cilit trashen edhe men­djet e burrave të mençur.

Dhe nga ajo sprovë e rëndë, Ai deshi që ajo të dalë triumfuese, duke arritur me të suksesin më të madh në jetë.

*  *  *

Një natë, Umu Habibeja ra në shtratin e saj dhe pa një ëndërr. Ajo pa burrin e saj, Ubejdullahun, duke u përpëlitur në një det glla­bërues. E kishin mbuluar skëterrat, njëra mbi tjetrën, kurse ai (Ubej­dullahu) ishte në gjendjen më të keqe. Atëherë ajo u zgjua e trishtuar dhe e shqetësuar...

Ajo nuk dëshiroi që t’ia thotë atij dhe askujt tjetër atë që kish­te parë në ëndërr.

Por ëndrra e saj sakaq u vërtetua, ngase ende pa kaluar dita, pas asaj nate të kobshme, Ubejdullah ibnu Xhahshi ndërroi fenë isla­me dhe u krishterizua...

Pastaj, ai u vërsul mbi dyqanet e pijeve alkoolike dhe kon­su­mon­te ato që ishin burim i të gjitha të këqijave, prandaj as nuk mundi ta shuajë etjen e as të ngopet kurrë.

Asaj i propozoi të zgjedhë njërën prej dy gjërave, më e ëmbla prej atyre të dyjave ishte gjithashtu e hidhur:

- të shkurorëzohet nga ai,

- ose të krishterizohet...

*  *  *

Umu Habibeja gjeti veten e saj befas ndërmjet tri vendimeve:

‑ T’i përgjigjet burrit të saj, i cili filloi t’i bëjë presion dhe e ftonte të bëhej e krishtere, me çka ajo do të rebelonte nga feja e saj ‑ Zoti mos e dhëntë ‑ dhe do të kthehej në turpin e kësaj bote dhe të ndëshkohej në botën e amshue-shme.

Kjo është një çështje të cilën ajo kurrë nuk do ta bënte, edhe sikur t’i krehej mishi nga kockat me krehëra të hekurt...

‑ Të kthehej në shtëpinë e babait të saj në Mekë, kur ai ende konsiderohej si shtyllë e politeizmit, atëherë do të jetonte e demo­ralizuar dhe e mposhtur në fenë e saj... ose

‑ Të mbetej e vetmuar në tokat etiopiane, e dëbuar dhe e arra­tisur, pa familje, pa atdhe dhe pa ndihmës.

Atëherë ajo zgjodhi atë me të cilën Allahu është i kënaqur, e asgjë tjetër...

Vendosi të qëndrojë në Etiopi derisa Allahu të sjellë mburojë dhe ndihmë për të.

Pritja e Umu Habibes nuk zgjati shumë.

Posa i kaloi ideti (koha e caktuar që duhet të kalojë gruaja pas vdekjes së bashkëshortit ose pas shkurorëzimit nga ai) nga burri i saj, i cili nuk jetoi shumë pas krishterizimit të tij, Allahu i solli asaj ndihmën e Tij...

Në atë gjendje të pikëlluar, pa kurrfarë premtimi të caktuar... i erdhi gëzimi dhe hareja si një puhi e freskët mëngjesi në dritret e shtëpisë së saj.

Në një mesditë të ndritur, në një moment të lirë të jetës, trokiti dera e saj. Kur ajo hapi derën, u befasua kur pa “Ebrehen”, shër­bëtoren e Nexhashiut, mbretit të Etiopisë.

Ajo e përshëndeti Umu Habiben në mënyrë të njerëzishme, pastaj kërkoi leje që të hyjë brenda dhe i tha:

- Mbreti të përshëndet dhe të thotë: “Vërtet, Muhammedi, Pej­gam­beri i Zotit ka kërkuar dorën tënde për martesë.

Ai ka dërguar një shkresë te mbreti, me të cilën e autorizon që të bëjë marrëveshjen e fejesës me ty, andaj autorizo kë dë­shiron ti.”

*  *  *

Umu Habibeja gati fluturoi nga gëzimi dhe brohoriti: “Të për­gëzoftë Allahu me të mirë... Të përgëzoftë Allahu me të mirë...”

Ajo filloi t’i zhveshë stolitë që kishte, i hoqi dy rrathët e artë dhe ia dhuroi “Ebrehes” (shërbëtores personale të mbretit etiopian)...

Pastaj këtë e përcolli duke i dhënë “hallhallen” (stoli të cilën gruaja e mban në këmbën e saj)... e mëpastaj dy vathet dhe unazat e veta...

Sikur t’i posedonte të gjithë thesarët e kësaj bote, do t’ia jepte asaj në atë moment.

Pastaj i tha shërbëtores:

- Në emër timin autorizoj Halid ibnu Se’id ibnu El‑Asin, sepse ai është më i afërmi im.

*  *  *

Në pallatin e madh Nexhashiut, i ngritur mbi një bregore me drunj, në një kopsht të bukur etiopian dhe në njërën prej sallave të gjera të skalitura me shkathtësi, të ndriçuara me llampa të bukura prej bakri, të shtruara me shtroja të shtrenjta, ishin tubuar shokët e Pejgamberit që qëndronin në Etiopi, në krye të të cilëve ishin Xhafer ibnu Ebi Talibi, Halid ibnu Se’id ibnul Asi, Abdullah ibnu Hudhafe es‑Sehmi dhe të tjerët që të dëshmojnë marrëveshjen e fejesës së Umu Habibes, bijës së Ebu Sufjanit, me Pejgamberin a.s.

Kur erdhën të gjithë të ftuarit, Nexhashiu shpalli tubimin të ha­pur dhe iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë:

- Falënderoj Allahun e Lartmadhëruar, i Cili duhet besuar dhe është Fuqiplotë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij, është ai për të cilin ka paralajmëruar Isai, i biri i Merjemes.

Mëpastaj tha:

- Vërtet, Resulullahu a.s. ka kërkuar prej meje që në emër të tij të bëj kurorëzimin e tij me Umu Habiben, të bijën e Ebu Sufjanit, prandaj i jam përgjigjur në atë që ka kërkuar dhe kam paguar “meh­rin”[1] prej 400 dinarë të arit në vend të tij...

Sipas porosisë së Allahut dhe të Dërguarit të Tij...

Pastaj, ai hodhi dinarët para Halid ibnu Se’id ibnu el‑Asit.

Me këtë rast Halidi u ngrit dhe tha:

- Lavdi i takon vetëm Allahut, andaj Atë e falënderoj dhe prej Tij kërkoj ndihmë, prej Tij kërkoj falje, tek Ai pendohem dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Ai e ka dërguar atë t’i thërrasë njerëzit në fenë udhërrëfyese dhe të drejtë, që t’i vëjë the­melet e saj dhe ta bëjë atë fenë më të fuqishme, të qëndruesh­me, edhe nëse e urrejnë jobesimtarët.

Pastaj vazhdoi: “Unë iu përgjigja kërkesës së Resullullahit a.s. dhe me të kurorëzova Umu Habiben, të bijën e Ebu Sufjanit për të cilën kam autorizimin nga vetë ajo.

Pejgamberi a.s. dhe e fejuara e tij qofshin të bekuar nga Allahu.

Urime për Umu Habiben, për mirësinë që ka për­cak­tuar Allahu.

Ai pastaj e mori mehrin e saj dhe u nis që të shkojë tek ajo. U ngri­tën edhe shokët e tij dhe u nisën që të shkojnë së bashku me të.

Nexhashiu atëherë u tha:

‑ Uluni, sepse është traditë e Pejgamberëve që, kur marto­hen, të shtrojnë ushqim.

I ftoi ata për të ngrënë, andaj njerëzit hëngrën e pastaj u shpërndanë.

*  *  *

Umu Habibeja ka thënë:

- Kur më arriti “mehri” i dërgova “Ebrehesë”, e cila më kishte për­gë­zuar, mëse 50 mithkal (njësi matëse për arin dhe të ngjash­me) e unë i thashë: “Unë do të ta dhuroja këtë atëherë kur më so­lle lajmin e gëzuar, por asokohe nuk kisha pasuri...”

Nuk vonoi dhe Ebreheja erdhi tek unë, ma ktheu arin dhe nxori një kuti të erërave në të cilën ishte rrethi i arit të cilin ia kisha dhuruar asaj, ma ktheu atë dhe më tha:

- Mbreti më ka urdhëruar që të mos marr asgjë prej teje, kurse gratë e veta i ka urdhëruar që t’i dërgojnë erërat e tyre.”

Të nesërmen, ajo solli një bimë shafrani, një lloj arome për parfemosje, anber (lloj parfemi, gjithashtu) e pastaj tha:

‑ Unë kam një nevojë të ngutshme...

Çfarë është ajo? ‑ e pyeti.

Ajo më tha:

‑ Tashmë unë kam pranuar fenë islame, prandaj përcillja për­shën­det­jet e mia Pejgamberit a.s. dhe informoje që unë kam besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe mos harro!

Pastaj, më ndihmoi që të përgatitem.

*  *  *

Më pas, më transferuan tek i Dërguari i Allahut xh.sh.

Posa e takova atë, e informova se si u arrit fejesa jonë, se si u solla ndaj “Ebrehesë” kur mora lajmin e gëzuar... dhe ia përcolla përshëndetjet e saj.

Atëherë ai u gëzua pa masë për këtë lajm dhe tha:

“Edhe mbi të qoftë paqja, shpëtimi dhe bekimi i Alla-hut.”



[1] Mehri: është dhurata që burri ia jep gruas së tij me rastin e lidhjes së kurorës.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

Subscribe to this RSS feed
Back to top