- Published in Fragmente nga jeta e sahabeve
UMMU SELEMEJA
UMMU SELEMEJA
A di se kush është Ummu Selemeja!? Sa i përket babait të saj, ai është njëri prej zotërinjve të Mahzumijve të njohur dhe njëri prej bujarëve të rrallë arabë. Ai quhej “furnizues i kalorësve”, sepse udhëtarët nuk i lënte të furnizoheshin vetë nëse ia mësynin shtëpive të tyre apo shkonin në shoqërinë e tij.
Burri i saj është Abdullah ibnu Abdul Esedi, njëri prej dhjetë të parëve që ka pranuar fenë Islame. Para tij fenë Islame e kishte pranuar Ebu Bekri dhe një grup i vogël, që nuk arrinte numrin e gishtërinjve të dy duarve.
Emri i saj është Hind, mirëpo ajo më vonë mori ofiqin Ummu Seleme dhe u bë e njohur me këtë emër.
* * *
Ummu Selemeja e pranoi fenë Islame së bashku me burrin e saj, kështu që edhe ajo pati nderin të jetë prej muslimanëve të parë.
Posa u përhap lajmi se Ummu Seleme dhe burri i saj e kanë pranuar fenë Islame, kurejshitët u ngritën në këmbë dhe filluan t’i keqtrajtojnë dhe t’i torturojnë me të gjitha mjetet në disponim. Mirëpo, ata u përballuan të gjitha torturave dhe nuk u përulën.
Mirëpo, kur torturat dhe mundimet u bënë të padurue-shme dhe atëherë kur Pejgamberi a.s. u lejoi sahabë-ve të vet të shpërngulen në Abisini, ata të dy ishin në krye të muhaxhirëve.
Ummu Selemeja së bashku me burrin e saj shkoi në një vend të huaj duke lënë në Meke shtëpinë e saj të bukur, tërë pasurinë që kishte dhe farefisin e saj, duke kërkuar kënaqë-sinë e Allahut xh.sh. dhe duke llogaritur në shpërblimin e Tij.
Edhe pse Ummu Selemeja dhe muslimanët ishin nën mbrojtjen e Nexhashiut, Allahu ia shëndritë fytyrën e tij në xhenet, mirëpo malli për Meken, djepin e Shpalljes, si dhe dashuria për të Dërguarin e Allahut, burimin e udhëzimit, ia përvëlonte zemrën e saj dhe të burrit të saj.
Në Abisini kishin arritur lajmet se numri i muslimanëve në Mekë ishte rritur dhe pranimi i Islamit nga ana e Hamza ibnu Abdul Muttalibit dhe Omer ibnul Hattabit i kishte forcuar radhët e tyre dhe persekutimet e kurejshitëve ishin pakësuar. Kjo bëri që një numër i muhaxhirëve të kthehet në Meke nga malli dhe dashuria për vendin e lindjes. Në mesin e tyre ishin Umu Selemeja dhe burri i saj.
* * *
Mirëpo, me t’u kthyer në Meke, muhaxhirët u zhgënjyen dhe kuptuan se lajmet që u kishin arritur në Abisini nuk kishin qenë të vërteta. Me kalimin e Hamzës dhe Omerit në fenë Islame, kurejshitët vetëm kishin shtuar edhe më shumë reprezaljet e tyre ndaj muslimanëve.
Pabesimtarët shpikën lloj‑lloj metodash për torturimin e muslimanëve, kështu që ata përjetuan vuajtje të papërshkrueshme.
Kështu, Pejgamberi a.s. u lejoi sahabëve të tij të shpërngulen për në Medinë. Ummu Selemeja dhe burri i saj vendosën të jenë prej muhaxhirëve të parë, për ta shpëtuar fenë e tyre dhe për t’u shpëtuar torturave të kurejshitëve.
Mirëpo, kësaj radhe shpërngulja e Ummi Selemes dhe e burrit të saj nuk do të kalojë lehtë, ashtu siç e kishin menduar. Por, ajo ishte e vështirë dhe e hidhur dhe pas vetes la një tragjedi, para së cilës çdo tragjedi tjetër është e lehtë.
Po ia japim fjalën Ummi Selemes të na rrëfejë për tragjedinë e saj. Ndjenjat e saj janë më të thella e më të fuqishme dhe përshkrimi i saj është më i hollësishëm dhe më i plotë.
Ummu Selemeja rrëfen e thotë:
- Pasi Ebu Selemeja vendosi të shkojmë në Medinë, përgatiti për mua një deve, më hypi në të e në prehërin tim vendosi fëmijën tonë, Selemen. Pastaj u nis dhe e kapi devenë për dore, duke mos i shkuar mendja për asgjë.
Para se të dilnim prej Mekës na panë disa njerëz të fisit benu Mahzum. Na dolën përpara dhe Ebu Selemes i thanë:
- Nëse nuk na ke pyetur për veten tënde, a thua, çka je duke bërë me gruan tënde? Ajo është bija jonë. A mendon se ne do të lejojmë ta marrësh atë prej nesh e të shkosh me të kah të duash?
Pastaj iu vërsulën atij, mua më zbritën me dhunë prej devesë dhe më morën me vete.
Posa i panë ata njerëzit e fisit të burrit tim, beni Abdul Esed, duke më marrë me dhunë mua dhe fëmijën tim, u hidhëruan për së tepërmi dhe thanë:
- Jo, për Zotin. Nuk ua lejojmë djalin që tonë ta marrë bija juaj, pasi ju ia morët me forcë vëllait tonë. Ai është fëmija ynë dhe ne kemi të drejtë në të.
Pastaj nisën ta tërheqin fëmijën tim, Selemen, para meje të dy palët, derisa ia nxorën dorën dhe e morën djalin me vete.
Për një çast e gjeta veten të vetmuar, pa askë.
Burri im u nis në drejtim të Medinës, duke ikur për të shpëtuar fenë dhe vetveten, kurse djalin tim e rrëmbyen njerëzit e benu Abdul Esedit para duarve të mia të copëtuara e të sakatosura.
Mua më morën njerëzit e fisit benu Mahzun dhe më dërguan në shtëpitë e tyre, kështu që për një çast mbeta pa burrë dhe pa birin tim.
Prej asaj dite, çdo mëngjes dilja në shkretëtirë dhe ulesha në vendin ku më kishte ndodhur tragjedia. Rikujtoja momentet e ndarjes nga burri dhe biri im dhe ashtu vazhdoja të qaja derisa binte terri i natës.
Në këtë mënyrë vazhdoi jeta ime një vit, apo afërsisht një vit, derisa një ditë kaloi njëri prej kushërinjve të mi, të cilit i erdhi keq për gjendjen time, e u tha njerëzve të fisit tim:
- Përse nuk e lironi këtë të mjerë? Si e keni ndarë atë prej burrit dhe birit të saj?
Ende kishte në mesin e njerëzve të fisit tim, që ndienin dhembje për atë që më kishte ndodhur mua dhe më thanë:
- Je e lirë t’i bashkangjitesh burrit tënd, nëse dëshiron!
Mirëpo, si t’i bashkangjitem burrit tim në Medinë e ta lë djalin tim, pjesën e zemrës sime, në Mekë, te benu Abdul Esedi!?
Si mund të qetësohet dhembja ime, apo të thahen sytë e mi, kur të shkoj në Medinë dhe biri im i vogël të mbetet në Mekë e unë të mos di asgjë për të?!
Disa njerëz të mirë e ndjenë dhembjen time dhe mallin tim. Shkuan te njerëzit e benu Abdul Esedit dhe u folën atyre rreth çështjes sime dhe ata ma kthyen birin tim, Selemen.
Nuk desha të vonohem në Mekë, që të gjej ndonjë njeri me të cilin do të udhëtoja, sepse kisha frikë se mos po më ndodh ndonjë e papritur e më pengon t’i bashkangjitem burrit tim.
Prandaj, fillova ta përgatis devenë time, e vendosa djalin tim në prehër dhe u nisa në drejtim të Medinë. Dëshiroja t’i bashkangjitesha burrit tim, e me mua nuk ishte askush përveç Allahut të Madhërishëm.
Posa arrita në “Ten’im”, takova Uthman ibnu Talhan, i cili më pyeti:
- Për ku ia ke mësyer, oj udhëtare?
Iu përgjigja:
- Në Medinë, te burri im.
Më pyeti:
-Nuk është askush me ty?!
Iu përgjigja;
-Jo, për Zotin, me mua nuk është askush, përveç Allahut dhe fëmijës tim të vogël.
Atëherë më tha:
- Betohem në Allahun se nuk do të të lë vetëm, derisa të mbërrish në Medinë.
Pastaj e kapi devenë për dore dhe u
Ummu Selemeja pastaj shton e thotë:
- Betohem në Allahun se nuk kam shoqëruar kurrë njeri prej arabëve më të ndershëm se ai. Kur arrinte në ndonjë vend pushimi, e ndalte devenë time, shkonte mbrapa derisa zbritja prej saj. Pastaj e çonte nën hijen e ndonjë peme, e lidhte, shkonte larg meje te një pemë tjetër dhe shtrihej për të pushuar nën hijen e saj.
Kur afrohej koha e nisjes, shkonte te deveja ime, e përgatiste dhe e sillte para meje, pastaj shkonte pak mbrapa dhe thoshte hip. Posa hipja dhe rregullohesha mbi deve, vinte e kapte devenë për freri dhe nisej.
Kështu vazhdoi të veprojë me mua për çdo ditë, derisa arritëm në Medinë. Posa e pa fshatin Kuba, ku banonin fisi benu Amr ibnu Avf tha: “Burri yt është në këtë fshat. Hy në të me bekimin e Allahut”, - e ai u kthye për në Mekë.
U bashkua familja pas një ndarjeje të gjatë. U çmallën sytë e Ummi Selemes me burrin e saj. Ebu Selemeja u gëzua pa masë për të birin dhe gruan e tij. Pastaj nisën të zhvillohen ngjarjet me një shpejtësi të paparashikueshme.
Ndodhi beteja e Bedrit, në të cilën mori pjesë Ebu Seleme, i cili kthehet prej saj me muslimanët e tjerë pas një fitoreje bindëse.
Pastaj pason beteja e Uhudit, në të cilën tregon heroizëm të jashtëzakonshëm. Mirëpo, ai kthehet prej saj i plagosur me plagë të rënda. Vazhdoi të shërohet, saqë iu duk se plaga ishte shëruar, mirëpo ai përmirësim ishte vetëm sipërfaqësor. Pas pak kohe plaga nisi të hapet, gjë që e detyroi Ebu Selemen të mbetet në shtrat.
Në kohën kur Ebu Selemeja ishte i sëmurë në shtrat, duke mjekuar plagët e tij, iu drejtua gruas së vet e i tha:
- Oj, Ummi Seleme! E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë:
“Atij që i ndodh ndonjë fatkeqësi e kthehet tek Allahu me fjalët: “Ne të Zotit jemi dhe te Zoti do të kthehemi” dhe i lutet Krijuesit duke thënë: “O Zoti im, te Ti kërkoj shpërblim për këtë fatkeqësi timen! O Zoti im, më jep tjetër më të mirë se kjo”, atëherë nuk ka dyshim se Allahu do t’i japë atij.”
* * *
Ebu Selemeja qëndroi disa ditë i sëmurë në shtratin e tij. Në një mëngjes erdhi Pejgamberi a.s. ta vizitojë. Posa e përfundoi vizitën dhe ende pa dalë prej derës së shtëpisë, Ebu Selemeja u nda nga kjo botë, kështu që Pejgamberi a.s., me dy duart e tij fisnike ia mbylli sytë sahabit të vet. Pastaj i çoi duart lart dhe tha:
- O Zoti im, fale Ebu Selemen dhe lartësoje gradën e tij në mesin e të dashurve të Tu! Trashëgoje atë me pasardhës të mirë!
Falna neve dhe atë, o Krijues i botëve! Zgjeroje dhe ndriçoje varrin e tij!
Ummu Selemes iu kujtua se çka i kishte transmetuar Ebu Selemeja nga i Dërguari i Allahut dhe tha:
- O Zot im, prej teje kërkoj shpërblim për këtë fatkeqësi timen!
Ajo ishte mjaftuar vetëm me kaq e nuk kishte thënë:
- O Zot im, më zëvendëso në këtë fatkeqësi time me atë çka është më e mirë se kjo!”
Këtë e kishte bërë për arsye se ajo i bënte pyetje vetes se kush mund të jetë më i mirë për të se Ebu Selemeja?!
Mirëpo, nuk shkoi pak kohë dhe ajo e plotësoi lutjen.
Muslimanët u pikëlluan për fatkeqësinë e Ummi Selemes, ashtu siç nuk u pikëlluan për asnjë fatkeqësi të mëparshme që u kishte ndodhur atyre. Për këtë edhe e quajtën “Ej‑jimil Arab”, apo gruaja e cila e humbi burrin e saj (e veja e arabëve).
Ummu Selemeja nuk kishte në Medinë askë prej të afërmve të saj, përveç fëmijëve të saj të vegjël.
* * *
Si muhaxhirët, ashtu edhe ensarët e ndienin se ishte obligimi i tyre t’i dilnin në ndihmë Ummi Selemes. Posa ajo e kreu periudhën e pikëllimit të saj, iu paraqit Ebu Bekri, i cili paraqiti gatishmërinë e tij ta marrë atë për grua, por ajo nuk iu përgjigj kërkesës së tij.
Pastaj iu paraqit Omer ibnul Hattabi, por edhe atij ia ktheu ashtu siç ia kishte kthyer shokut të tij.
Më vonë iu paraqit asaj Pejgamberi a.s. e ajo i tha atij:
- O i Dërguari i Allahut, unë kam tri cilësi:
- Unë jam grua xheloze e kam frikë se do të shohësh diçka prej meje që do të të hidhërojë e do të më dënojë Allahu për të.
Unë jam grua e shtyrë në moshë.
Jam grua me fëmijë.
Pejgamberi a.s. atëherë iu përgjigj:
- Sa i përket xhelozisë, unë do ta lus Allahun xh.sh. që ta largojë xhelozinë prej teje.
Kurse sa i përket moshës, edhe unë jam në të njëjtën moshë sikurse edhe ti.
Ndërsa sa i përket fëmijëve, fëmijët e tu janë fëmijët e mi.”
Pas kësaj Pejgamberi a.s. u martua me Ummi Selemen, kështu që Allahu iu përgjigj lutjes së saj dhe ia kompensoi asaj Ebu Selemen me më të mirë se ai.
Prej asaj dite Hind el‑Mahzumije nuk ishte më nënë vetëm e Selemes, por ajo u bë “Nënë e të gjithë besimta-rëve”.
Allahu xh.sh. le të bëjë që fytyra e Ummi Selemes të shkëlqejë në xhenet dhe Ai qoftë i kënaqur me të!
Abdurr Rrahman Rafet El Basha
Përktheu: Qemal Morina