- Published in Fragmente nga jeta e sahabeve
VAHSHIJ IBNU HARB
VAHSHIJ IBNU HARB
“Ai ka vrarë më të mirin njeri pas Muhammedit... kurse pastaj ka vrarë më të keqin njeri, gjithashtu”.
Historianët
A thua, kush është ai njeri që e ka lënduar zemrën e Pejgamerit a.s., atë ditë kur e vrau xhaxhanë e tij, Hamza ibnu Abdul Muttalibin, në betejën e Uhudit?!
I njëjti person, pasi kaloi në fenë islame, më vonë ka shëruar zemrat e muslimanëve atëbotë kur vrau Musejleme el‑Kedhdhabin në betejën e Jemames.
Ai quhet Vahshij ibnu Harb el‑Habeshij, i njohur me ofiqin Ebu Deseme... Atij i ka ndodhur një ngjarje pikëlluese dhe e përgjakshme. Prandaj, lexues i nderuar, përqëndroje vëmendjen në rrëfimin e tij për vuajtjet që ka patur.
Vahshiu rrëfen në vetën e parë dhe thotë:
- Isha një djalosh i urtë në shërbim të Xhubejr ibnu Mut’imit, njërit nga zotërinjtë kurejshit...
Tu’ajme, xhaxhai i tij u vra në betejën e Bedrit nga Hamza ibnu Abdu‑l‑Muttalibi, andaj ai u pikëllua pamasë dhe u betua në “Latin” dhe “Uzzanë”[1] se gjithsesi do të hakmerret për xhaxhanë e tij... Ai zuri ta presë rastin e volitshëm që ta vrasë Hamzain.
* * *
Nuk kaloi shumë kohë dhe kurejshitët vendosën të dalin në Uhud për ta likuiduar Muhammedin dhe për t’u hakmarrë për të afërmit e tyre të vrarë në Bedër...
Atëherë kurejshitët organizuan çetat e tyre, tubuan aleatët dhe bënë përgatitjet e nevojshme, kurse komandën ia besuan Ebu Sufjan ibnu Harbit.
Ebu Sufjani e pa të udhës që ushtrisë t’ia bashkangjesë një grup të grave kurejshite, të cilave u ishin vrarë baball-arët, djemtë, vëllezërit apo dikush tjetër nga të afërmit e tyre, në mënyrë që ato ta entuziazmojnë me fanatizëm ushtrinë e tyre për të luftuar, që edhe ato të rezistojnë pas burrave të tyre dhe me qëllim që të mos ikin. Në mesin e atyre grave, ndër të parat ishte gruaja e Ebu Sufjanit, Hind bintu Utbe...
Në betejën e Bedrit asaj i ishin vrarë babai, axha dhe i vëllai...
Pasi ushtria ishte përgatitur për marshim, mua m’u drejtua Xhubejr ibnu Mut’imi dhe më pyeti:
‑ O Ebu Deseme! A dëshiron të lirohesh nga skllavëria?
‑ Kush do të më lirojë mua? ‑ e pyeta.
‑ Unë, ‑ ma ktheu ai.
‑ Si? ‑ e pyeta.
‑ Nëse e vret Hamza ibnu Abdu‑l‑Muttalibin, xhaxhain e Muhammedit në shenjë hakmarrje për xhaxhain tim, Tu’ajme ibnu Udejjin, atëherë do të jesh i lirë, ‑ më tha ai.
‑ Kush më garanton për përmbushjen e këtij premtimi? ‑ e pyeta.
‑ Cili të dëshirosh ti, sepse për këtë do të dëshmoj para të gjithë njerëzve.
‑ Do ta bëj atë ‑ i thashë.
Vahshiu vazhdon rrëfimin e tij dhe thotë:
- Isha një etiopian, qëlloja me shtizë ashtu sikur qëllonin etiopianët dhe kurrë nuk e huqja cakun e dëshiruar.
Mora heshtën, iu bashkangjita ushtrisë dhe ecja në fund të saj, pranë femrave, ngase nuk kisha për qëllim e as dëshirë për të luftuar.
Sa herë që kaloja pranë Hindit, gruas së Ebu Sufjanit, apo kur ajo kalonte pranë meje, e shikonte shtizën, e cila shkëlqente në duart e mia nga rrezet e diellit, dhe më thoshte:
- O Ebu Deseme! Shërona zemrat tona të zemëruara nga Muhammedi dhe kushëriri i tij.
Kur arritëm në Uhud dhe u ndeshën palët ndërluftuese, zura të kërkoj Hamzain, të birin e Abdu‑l‑Muttalibit, të cilin e kam njohur më parë. Ai nuk fshihej prej askujt sepse vendoste një pendël struci mbi kokë që t’u tregojë trimave kundërshtarë të tij se cili ishte, ashtu siç bënin arabët e fuqishëm dhe trima.
Pas pak kohe vërejta Hamzain që turfullonte në mes të luftëtarëve siç turfullon soji i deveve më të fuqishme dhe ngjyrë përhimta. Ai i prente kundërshtarët me shpatë dhe askush e asgjë nuk i bënte ballë atij, as rezistencë...
Ndërsa përgatitesha për ta qëlluar duke u fshehur prapa ndonjë druri apo guri dhe kujdesesha që të mos më vërejë, kur ja një kalorës kurejshit, i quajtur Siba’ibnu Abdu‑l‑Uzza, bërtiste:
‑ O Hamza! Më dil në dyluftim, më dil në dyluftim...
Atëherë Hamzai i doli në dyluftim dhe i tha:
‑ Eja, afrohu, o biri i politeistes! Eja, afrohu...!
Hamzai me të shpejtë ia priti me një të rënë me shpatë dhe ai ra në tokë duke u përpëlitur dhe zhytur në gjak mu para tij.
Në ato çaste qëndroja në pozitë të dëshiruar përballë Hamzait, lëvizja heshtën derisa u qetësova dhe u binda se e kam shenjuar, kështu që e qëllova në pjesën e poshtme të barkut dhe i doli ndërmjet këmbëve të tij.
Atëherë ai bëri dy hapa të rëndë drejt meje, pastaj s’vonoi dhe u rrëzua përdhé, ndërsa heshta ishte në trupin e tij. Nuk ia hoqa atë derisa u binda për vdekjen e tij. Më në fund iu afrova, ia hoqa shigjetën, u ktheva në tendë dhe qëndrova aty, sepse nuk kisha nevojë për diçka tjetër pasi e vrava atë dhe do të lirohesha nga robëria.
* * *
Beteja u ashpërsua dhe po zhvillohej furishëm, sulmet dhe ikjet ishin të shumta, ndërsa muslimanëve, shokëve të Muhammedit, iu ngushtua rrethi dhe iu shtua numri i të vrarëve.
Në ato çaste Hindi me gratë e tjera u vërsul mbi muslimanët e vrarë dhe zunë t’i masakrojnë ata, ua shqyenin barqet, ua nxirrnin sytë, ua prenin hundët dhe ua shkulnin veshët...
Pastaj, ato bënin qafore dhe rrathë prej hundëve dhe veshëve të prerë me të cilat u stolisën, kurse një qafore dhe dy rrathë ari m’i dha mua dhe më tha:
Ato janë të tuat... ato janë të tuat o Ebu Deseme... Ruaji, sepse janë të çmueshme!
Kur u ndal lufta në Uhud, u ktheva me ushtri në Mekë, kurse Xhubejr ibnu Mut’imi e zbatoi atë që kishte premtuar, gjegjësisht më liroi dhe u bëra i lirë.
* * *
Gjendja e nderë e muslimanëve filloi të ndryshojë dita‑ditës. Numri i tyre shtohej çdo çast. Sa më shumë që konsolidohej gjendja e Muhammedit dhe e muslimanëve, aq më shumë pikëllohesha dhe më kaplonte tmerri dhe frika nga vetvetja. Derisa isha ende në këtë gjendje, Muhammedi me ushtrinë e tij trime hyri në Mekë dhe e çliroi.
Atëherë ika në Taif që të gjej strehim dhe siguri.
Nuk vonoi shumë e edhe banorët e Taifit anuan nga feja islame dhe përgatitën një delegacion për t’u takuar me Muhammedin, me qëllim që ta shpallin botërisht se e pranojnë fenë islame.
U pendova shumë dhe rashë në dilemë. Më bëhej se toka ku ecja po më ngushtohej dhe rrugët më vështirësoheshin. Andaj mendova të shkoj në Sham, Jemen apo gjetiu.
Për Zotin, unë isha i pikëlluar dhe i dëshpëruar pa masë, derisa u qetësova dhe u lirova nga një njeri, i cili më këshilloi: - Mjerë për ty, o Vahshij, për Zotin Muhammedi nuk vret asnjë njeri që hyn dhe pranon fenë islame dhe që pranon dëshminë e drejtë dhe të vërtetë (“La ilahe il‑lallah, Muhammedun Resulullah”).
Posa dëgjova këshillën e tij, menjëherë u drejtova kah Medina për ta kërkuar Muhammedin dhe kur arrita atje u njoftova për gjendjen e tij dhe mësova se ai gjendej në xhami. Hyra në të pa u vërejtur dhe me kujdes eca drejt tij derisa u ndala mu te koka e Muhammedit dhe thashë:
- Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij.
Kur dëgjoi dëshminë time, ngriti shikimin tek unë e pasi më njohu e uli shikimin dhe tha:
‑ O Vahshiu, ti je?!!
‑ Po, o Resulullah, ‑ i thashë.
Ai më tha:
‑ Ulu dhe më trego se si e ke mbytur Hamzain!
Atëherë u ula dhe e informova për atë rast dhe, kur e mbarova fjalën, e largoi fytyrën nga unë dhe më tha:
‑ Mjerë për ty, o Vahshij, fshihe fytyrën tënde nga unë që kurrë mos ta shoh atë pas sotit...
Që nga ajo ditë i shmangesha që mos t’i bija në sy Pejgamberit fisnik, kështu që, kur uleshin sahabët para tij, unë ulesha prapa tij.
Kështu veprova derisa Muhammedi a.s. ndërroi jetë dhe shkoi në fqinjësi të Allahut.
* * *
Pastaj, Vahshiu vazhdon fjalën e tij dhe rrëfen:
- Edhe pse e dija se feja islame i shlyen mëkatet e bëra para se të pranohet ajo, unë mbeta i prekur thellë nga vepra e shëmtuar që kisha kryer. Atë e konsideroja vepër të keqe dhe të kobshme, sepse me të kisha goditur fenë islame dhe muslimanët, prandaj zura të pres shansin që ta mbuloj atë vepër me një vepër të mirë.
* * *
Pasi Muhammedi a.s. kishte ndërruar jetë, pushtetin e kishte marrë Ebu Bekri. Atëherë fisi Benu Hanife lëshoi fenë islame dhe u bënë renegatë, shokë të Musejlemes rrenacak, ‑ prandaj halifi i Pejgamberit mobilizoi dhe përga-titi ushtrinë që ta luftojë Musejlemen dhe njerëzit e tij dhe t’i kthejë në fenë islame. Atëherë thashë në vetvete:
-
Kur muslimanët e sulmuan Kopshtin e Vdekjes (kopshtin e madh në të cilin ishte strehuar Musejlemeja dhe përkrahësit e tij) dhe u ndeshën me armiqtë e Allahut, zura t’i afrohem Musejlemes, të cilin e shikova duke qëndruar me shpatë në dorë, por vërejta edhe njërin nga ensarët, i cili donte të bënte të njëjtën gjë si unë.
Posa zura pozitën e përshtatshme, lëviza shtizën, e drejtova mirë dhe e qëllova...
Në të njëjtin moment kur e kam goditur Musejlemen, atë e ka qëlluar me shpatë edhe ensariu, andaj Zoti ynë e di se cili prej nesh e ka vrarë Musejlemen.
Po qe se unë jam ai i cili e ka vrarë, atëherë jam ai i cili ka vrarë njeriun më të mirë (Hamzain), si dhe ai që ka vrarë njeriun më të keq (Musejlemen) gjithashtu...
[1] Lati dhe Uzzaja ishin dy idhuj të mëdhenj të arabëve, të cilëve u besonin si zotëra në kohën e injorancës.
Abdurr Rrahman Rafet El Basha
Përktheu: Fadil Hasani