Error
  • JUser: :_load: Unable to load user with ID: 42

Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

NU’MAN IBNU MUKARRIN EL MUZENI

numan_ibnu_mukarrin_el_muzeni mesoislamin.com

NU’MAN IBNU MUKARRIN EL MUZENI

“Imani (besimi) ka shtëpi, por edhe hipokrizia ka shtëpi, e shtëpia e Beni Mukarrenit është njëra nga shtëpitë e besimit.”

(Abdullah ibnu Mes’ud)

Shtëpitë e fisit Muzejne shtriheshin afër Jethribit, në rrugën e gja­të në mes të Medinës dhe Mekës. I Dërguari i Allahut kishte mig­ru­ar në Medinë. Lajmet i vinin pandërprerë fisit Muzejne prej vizi­to­rëve të hershëm dhe udhëtarëve. Për të dëgjoheshin vetëm fjalë të mira.

Një mbrëmje, kryepari i fisit, Nu’man ibnu Mukarrin el Muzenij, u ul në log me vëllezërit dhe pleqtë e fisit të tij dhe  u tha:

“O burra! Për Allahun, ne nuk kemi dëgjuar për Muhammedin tje­tër përveç fjalëve të mira, thirrja e tij nuk është gjë tjetër përveç thirrje e mëshirës, bamirësisë dhe drejtësisë. Vallë, çfarë bëj­më ne? Presim ende, ndërsa njerëzit ngarendin tek ai pareshtur!”

Pastaj vazhdoi dhe tha:

“Unë për vete kam vendosur të shkoj herët tek ai, në agim. Kur të zgjohem, kush do të më bashkohet, le të përgatitet.”

Fjalët e Nu’manit i prekën zemrat e fisit dhe, sapo ia dha agu i mëngjesit, ai vuri re se të dhjetë vëllezërit e tij dhe katërqind kalorësit e fisit Muzejne ishin bërë gati që të shkojnë me të në Jethrib për të takuar Pejgamberin e Allahut dhe për të pranuar fenë islame.

Ndonëse atë vit kishte mbajtur mot i thatë, që nuk kishte lënë pikë qumështi e as bimë, pasoja këto që i ndjeu Muzejneja, prapë­seprapë N’umani kishte vendosur që t’i prijë atij grupi dhe të shkojë te Pejgamberi i Allahut pa marrë me vete asgjë për të dhe muslimanët.

Megjithatë, Nu’mani bëri një qark rreth shtëpisë së vet dhe shtëpive të vëllezërve të vet dhe mblodhi ato që kishin mbetur nga plaçkat e luftës dhe shkoi me to te Pejgamberi i Allahut.

Ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të, deklaruan para Muhammedit (a.s.) se e pranojnë fenë islame.

Banorët e Jethribit u gëzuan shumë për ardhjen e Nu’man ibnu Mukarrrinit me shokët e tij. Kësisoji nuk mbeti shtëpi arabe pa e pranuar fenë islame prej tij, nga njëmbëdhjetë vëllezërit e lindur nga një baba dhe një nënë. Së bashku me ta fenë islame e pranuan edhe katërqind kalorës.

Pejgamberi fisnik u gëzua shumë që Nu’mani pranoi fenë islame.

“Por, disa beduinë besojnë në Allahun dhe botën tjetër dhe atë që e japin e konsiderojnë si veprim të devotshëm, i cili i afron tek Allahu, dhe me këtë veprim janë të denjë të nderohen me bekimet e Pejgamberit. Vërtet ato (veprime) i afrojnë ata tek Ai. Allahu (së shpejti) do t’i përfshijë në mëshirën e Vet, se Ai fal dhe është Mëshirëplotë.” (Et-teube:99)

Nu’man ibnu Makarrini iu bashkua radhëve nën flamurin e Pej­gam­berit të Allahut. Ai mori pjesë në të gjitha betejat e tij, në të cilat tregoi trimëri dhe vendosmëri të rrallë

Kur halifatin e mori Es‑Sidik‑u (Ebu Bekri), ai dhe fisi i tij Beni Muzejne qëndruan besnikërisht. Ata luajtën rol vendimtar në shka­tërrimin e renegatëve dhe trathtarëve të fesë islame.

Kur halifati kaloi në duar të El Farukut (Omer‑it r.a.), Nu’man ibnu Mukarrin kishte për ta kryer në kohën e tij një detyrë, që historia ende e përmend me fjalë miradie dhe mirënjohjeje.

Pak para Betejës së Kadisisë, Sa’d ibnu Ebi Vek-kasi ‑ komandant i ushtrisë muslimane, dërgoi një delegacion te Kisra Jezdexhurdi nën udhëheqjen e Nu’man ibnu Mukarrinit për ta ftuar atë popull në fenë islame. Kur arritën në kryeqytetin e Kisrasë, në Medain, kër­kuan leje të hyjnë dhe u lejuan të hyjnë. Pastaj ata ftuan përk­thyesin dhe i thanë:

- Pyeti çka i ka shtyrë që të vijnë në shtëpitë tona dhe pse dë­shirojnë të na luftojnë? Mbase ju na e keni lakmi dhe keni marrë guxim të na bëni sfidë për shkak se ne kemi larguar vëmendjen tonë nga ju e nuk dëshironim t’ju sulmojmë?!

Nu’man ibnu Mukarrini iu kthye personit që e kishte pranë e i tha:

- Nëse dëshironi, po ju përgjigjem atyre në emrin tuaj. Nëse ndo­njëri prej jush dëshiron të flasë, le të urdhërojë, ta dëgjoj!”

Ata i thanë:

- Pra, fol ti! Pastaj u kthyen nga Kisraja (Mbreti) dhe i thanë se ky njeri flet në gjuhën tonë, pra dëgjoje se ç’thotë!

Nu’mani e falënderoi Allahun dhe e madhëroi Atë, ia bëri beki­met dhe përshëndetjet e Allahut të Dërguarit të Tij, dhe tha:

‑ Allahu pati mëshirë ndaj nesh, ndaj na e dërgoi një të Dërguar i cili na urdhëron për gjëra të mira dhe na urdhëron t’i bëjmë ato. Na njofton me gjërat e këqija dhe të dëmshme dhe na i ndalon ato.

Ai na ka premtuar se, nëse i përgjigjemi në të gjithë atë që ai na ka ftuar, Allahu do të na sjellë të mira në këtë botë dhe në botën e ardhshme.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Allahu na ndihmoi t’i përballojmë vështirësitë dhe na solli begati, na këndelli nga sjelljet e çoroditura dhe na përudhi në sjellje me edukatë, çrrënjosi armiqësitë tona e na solli mëshirë dhe kultivoi vëllazërim.

Ai na ka urdhëruar që t’i ftojmë njerëzit tek ajo që është për të mirën e tyre. Dhe këtë apel po e fillojmë me fqinjët tanë.

Ne po ju ftojmë të pranoni fenë tonë. Ajo është fe që na udhëzon të bëjmë mirësi në tërësi dhe në të njeriu gjen kënaqësinë dhe motivimin për jetë. Ajo flet keq e më keq për gjërat e shëmtuara dhe na e tërheq vërejtjen që mos t’i punojmë. Ata që besojnë, i nxjerr nga errësira e mosbesimit dhe dhuna e saj në dritën e besimit dhe në drejtësinë e tij.

Nëse ju na përgjigjeni pozitivisht dhe pranoni Islamin, ne po ju lëmë Librin e Allahut dhe po ju angazhojmë të gjykoni sipas dispozitave të tij.

Ne po largohemi dhe po ju lëmë rehat me hallet tuaja. Nëse nuk pranoni Fenë e Allahut, ne do të marrim nga ju tagrën (xhizjen) dhe do t’ju mbrojmë.

Nëse refuzoni “xhizjen”, do t’ju luftojmë.

Ai u mërdhez nga zemërimi nga fjalët që dëgjoi, dhe tha:

Unë nuk kam parë popull në rruzullin tokësor që ka qenë më kryeneë se ju, me numër më të vogël, aq i përçarë dhe në gjendje aq të keqe!

Ne ua kemi besuar çështjen tuaj prefektëve të rrethinës dhe ata do të merren vesh me ju. Pastaj iu ul pakëz tensioni dhe shtoi: - Nëse është nevoja e ngutshme, që ju ka shtyrë të vini këtu, po ju japim ushqim gjersa t’ju vijë bereqeti në shtëpitë tuaja. Do t’ju veshim juve dhe popullin tuaj. Kemi emëruar, nga mesi ynë, një prijës i cili do të sillet butë ndaj jush.

Një anëtar i delegacionit reagoi në atë mënyrë saqë zemërimi i Mbretit sërish shpërtheu dhe tha:

- Po të vriteshin emisarët edhe unë do t’ju vritja. Çohuni prej këtu, se nuk keni ç’të kërkoni tek unë dhe njoftojeni prijësin tuaj se unë do të dërgoj Rustumin (komandantin e ushtrisë persiane) që t’ju luftojë gjersa ta varrosë atë dhe juve së bashku në hendekun e Kadisisë.[1]

Pastaj urdhëroi që t’ia sjellin një grusht dhe, të cilën ia sollën. Ai u tha njerëzve të vet: - Dërgojeni te më i madhi i tyre,por para juve çonie që t’i shohin njerëzit gjersa të dalin ata nga portat e kryeqytetit të pushtetit tonë. Ata pyetën delegacionin:

- Kush është më i respektuari prej jush?

Asim ibnu Omer iu afrua atyre dhe iu përgjigj:

- Unë jam.

Ata e ngarkuan me mall gjersa doli nga qyteti. Pastaj ai ia ngar­koi atë devesë për t’ia dërguar Sa’ad ibnu Ebi Vek‑kasit dhe e përgë­zoi se Allahu do t’ua hapë muslimanëve portat e Persisë dhe do t’ua bëjë të mundur t’i qeverisin ato troje.

Më pas u zhvillua Beteja e Kadisijes, hendeku i së cilës u mbu­lua me mijëra kufoma të njerëzve të vrarë, nga ushtria muslimane por nga ajo e Kisrasë.

Persianët nuk iu nënshtruan pushtimit të Kadisijes. Ata bashku­an radhët e tyre dhe mobilizuan forcat e tyre derisa u numri i tyre shkoi në 150 mijë luftëtarë.

Kur El Faruku (Omer r.a.) mori lajmin për këtë mobilizim të madh, ai vendosi të shkojë edhe vetë t’i bëjë ballë kësaj sfide të madhe.

Por masa e muslimanëve e hodhi poshtë një vendim të tillë dhe i propozuan të dërgojë një komandant të besuar për të kryer këtë mision të rëndësishëm. Omeri tha:

-       Më tregoni ju njeriun që ta angazhoj në atë front.

Ata i thanë:

- Ti më së miri, e njeh ushtrinë tënde, o prijës i muslimanëve.

Pastaj ai vazhdoi:

- Për Allahun, unë do të angazhoj në krye të ushtrisë së muslimanëve që kur të takohen të dy palët luftuese, do të jetë më i moshuari, e ai është Nu’man ibnu Mukarrin El Muzenij.

Ata i thanë:

- Ai është komandant i qëlluar. Ai i shkroi Nu’manit dhe i tha:

“Nga shërbëtori i Allahut, Omer ibnu Hattabi drejtuar Nu’man ibnu El Mukkarrinit.

Pas përshëndetjes...

Më kanë arritur lajme se grupe të mëdha të persianëve janë tubuar rreth jush në qytetin Nehavend. Kur të arrijë kjo letër imja nisu për atje me emrin e Allahut, me ndihmën e Tij dhe me muslimanët që janë me ty. Ata mos i vë në pozitë të vështirë, në mënyrë që të mos pësojnë... se një musliman është më i dashur për mua se njëqind mijë dinarë!”

Nu’mani u përgatit me ushtrinë e tij për t’u ballafaquar me armi­kun. Ai dërgoi përpara një pararojë kalorësish për të vëzh­guar rrugën. Kur kalorësit iu afruan Nehavendit, kuajt e tyre u nda­lën. I shtynë ata, por nuk u nisën. Kalorësit zbritën për të mësuar se çfarë ndodhi (me kuajt e tyre).

Në shputat e këmbëve të tyre gjetën thela hekuri, të cilat u ngjanin majave të gozhdave. Ata shikuan terrenin, me ç’rast panë se si persianët kishin shpërndarë gjemba nëpër shtigje, që shpienin në Nahavend, për t’i penguar kalorësit dhe këmbësorinë që mos të hyjnë në qytet.

*  *  *

Kalorësit vëzhgues e njoftuan Nu’manin se ç’kishin parë dhe kër­kuan nga ai që të japë mendimin e vet për atë çështje. Ai urdhëroi që të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të ndezin zjarr natën me qëllim që armiku t’i shohë ata.

Me atë rast ata simuluan se po frikësohen dhe se gjoja janë para një disfate, ndaj shprehën dëshirën për t’iu bashkuar atyre dhe kërkojnë që t’ua heqin gjembat e hekurit që i kishin vendosur.

Kjo dredhi e kalorësve muslimanë ndaj persianëve u shkoi për­dore dhe shpejt panë pararojën e ushtrisë muslimane duke ecur para tyre të mposhtur gjersa dërguan punëtorët e tyre, të cilët pastruan rrugët nga gjembat. Muslimanët iu vërsulën atyre, i sulmuan dhe i pushtuan ato shtigje.

*  *  *

Nu’man ibnu Makarrin u stacionua me ushtrinë e vet në lartësitë e “Nehavendit” dhe vendosi ta befasonte me sulm armikun e tij. Ai i tha ushtrisë së vet:

“Unë do të thërras me zë të lartë tri herë. Kur ta madhëroj Zo­tin për herë të parë, le të vihet në gjendje gatishmërie ai që nuk ka qenë i përgatitur. Kur ta madhëroj Atë për herën e dytë, le ta ngjeshë secili prej jush armën në trup. E kur ta madhëroj Atë për herë të tretë, unë do t’u vërsulem armiqve të Allahut, pra vërsuluni edhe ju me mua.”

Nu’man ibnu Makarrin mori tre tekbiret e tij dhe iu vërsul ara­dhave të armikut porsi luan. Pas tij vërshoi sakaq ushtria muslimane mu si lumi. Në mes palëve ndërluftuese u zhvillua një betejë e ashpër, për çka historia ka dëshmuar rrallë.

Ushtria persiane u shpartallua si më keq. Fushat dhe bri­gjet u mbushën me të vdekur, e gjaku i tyre vërshonte nëpër shtigje dhe rrugica. Kali i Nu’manit u vra, por edhe Nu’mani u qëllua me një të rënë vdekjeprurëse. Vëllai i tij ia mori flamurin nga dora dhe e mbuloi me një “xhelabi” të gjatë që e kishte me vete. Ai nuk u tregoi muslimanëve se kishte vdekur Nu’mani.

Kur u arrit kjo fitore e madhe, të cilën muslimanët e quajtën “triumf i triumfeve”, ushtarët ngadhnjimtarë pyetën për prijësin e tyre të patrembur, Nu’man ibnu Mukarrinin...

Vëllai i tij e ngriti xhelabinë nga ai dhe tha:

“Ky është prijësi juaj. Allahu ia plotësoi dëshirën me këtë fito­re dhe ai ia përfundoi jetën si dëshmor.”



[1] Vend në Irak, në perëndim të Nexhefit.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

SUHEJB ER-RUMI

suhejb_er-rumi

SUHEJB ER-RUMI

“Fitoi tregtia o Ebu Jahja... fitoi tregtia.”

(Muhammedi a.s.)

A thua kush prej nesh ‑ nga radhët e muslimanëve nuk e njeh Suhejb Er-Rumin dhe nuk ka dëgjuar për një pjesë të ngjarjeve nga jeta e tij dhe për biografinë e tij?!

Por, çështja të cilën nuk e dinë shumë prej nesh është se Suhejbi nuk ka qenë bizantin, por arab i pastër, nga fisi Beni NUmejr dhe e ëma nga fisi Beni Temim. Sa i përket përkatësisë së Suhejbit me bizantinët, për të ekziston një rrëfim që ende e kujton historia dhe flet për shtegtimet e tij. Para ardhjes së Kur’­anit, afro dy dekada, me Ubul‑len[1] qeveriste Sinan ibnu Malik En‑NUmejrij përmes pushtetit të Mbretit të Persisë.

Fëmija më i dashur i tij ishte djaloshi, që nuk kishte mbushur pesë vjeç, të cilin e quante Suhejb.

Suhejbi kishte fytyrë të shkëlqyer, flokë të kuqe dhe ishte tejet i zhdërvjelltë. Krahas kësaj, ai ishte i ngazëllyer, me shpirt të këndshëm, që ndillte gëzimin në zemrën e të atit, dhe ia largonte me të madhe vëmendjen nga pasuria.

E ëma e Suhejbit, me birin e saj të vogël dhe me suitën e saj shkoi në fshatin Eth‑thenij të territorit të Irakut duke kërkuar qetë­si dhe rehati. Atë fshat e sulmoi një njësi ushtarake e ushtrisë bizan­tine, e cila mbyti rojet e tij, ua plaçkiti pasurinë dhe zunë robër fë­mijët e tyre.

Në grupin e fëmijëve të zënë robër ishte edhe Suhejbi. Ai shitej në tregjet e vogla të territorit të Bizantit. Ai kalonte prej një dore në një dorë tjetër, prej një pasaniku në tjetrin, prej një shërbimi në një shërbim tjetër. Detyra e tij ishte si ajo e mijëra skllevërve të cilët kishin mbushur pallatet e perandorisë bizantine.

Edhe Suhejbit iu dha rasti të depërtojë në brendësi të bashkësisë shoqërore bizantine dhe të qëndrojë brenda.

Ai pa me sytë e vet se çfarë veprash të shëmtuara dhe çnjerëzore bëheshin atje.

Ai me veshët e vet dëgjonte se çfarë aktesh të turpshme dhe kri­mesh bënin ata. Ai e urrente atë bashkësi dhe e përçmonte. Një ditë tha me vete:

“Një bashkësi si kjo nuk mund të pastrohet me asgjë tjetër për­veçse me përmbytje.”

Megjithëse Suhejbi u rrit në oborrin e perandorisë bizantine dhe në tokat e saj dhe familjet e tyre, ndonëse harroi apo gati e harroi arabishten, atij kurrë nuk i hiqej nga kujtesa se është arab nga bijtë e shkretëtirës... Malli nuk iu hoq për asnjë çast deri në ditën kur lirohet nga robëria dhe i bashkohet popullit të vet.

Atij iu shtua malli edhe më shumë për tokat arabe. Një ditë kishte dëgjuar një prift nga priftërinjtë e krishterë duke i thënë zotërsë të tij:

“Është afrua koha për të ardhur nga Meka një pejgamber në Siuj­dhesën Arabe, i cili vërteton pejgamberllëkun e Isait,  të birit të Mejremes, dhe njerëzit do t’i nxjerrë nga errësira në dritë.”

Pastaj Suhejbit i jepet rasti të ikë nga skllavopronarët e tij dhe të drejtohet për në Mekë (me emrin e njohur Umul Kura), vend­stre­him i arabëve, vend ky nga i cili do të vijë Pejgamberi i ardh­shëm. Kur u vendos në të, njerëzit e pagëzuan me emrin Suhejb Err‑Rrumi për shkak të gjuhës së rëndë që fliste dhe flokëve të tij të kuqe.

Suhejbi arriti një marrëveshje me një zotëri nga Meka. Ai ishte Abdu­llah ibnu Xhudلn dhe zuri të merret me tregti. Ai pati shumë dobi dhe u pasurua shumë. Megjithatë, tregtia dhe fitimet nuk ia hoqën nga mendja Suhejbit fjalët e priftit të krishterë. E kurdoherë i binte ndër mend ajo fjalë e tij. Ai pyeste veten me padurim:

“Kur do të vijë ajo ditë?” Vetëm pak kohë kaloi dhe e gjeti për­gjigjen e kësaj pyetjeje.

Një ditë Suhejbi u kthye në Mekë nga një rrugë që kishte marrë më parë. Ai dëgjoi se Muhammedi, i biri i Abdullahut, është dërguar pejgamber dhe ka filluar t’i thërrasë njerëzit në besimin e të vetmit Zot, i nxit ata të mbajnë drejtësi dhe të bëjnë mirësi, i ndalon ata nga amoraliteti dhe gjërat e shëmtuara. Ai tha:

- A mos është njeriu që e quanin besnik?

Ata i thanë:

- Po.

- Ku qëndron ai njeri? ‑ pyeti Suhejb‑i.

Ata i thanë:

- Ai qëndron në shtëpinë e El Erkam ibnu El Erkamit te Safaja... por ki kujdes mos të të shohë ndonjëri nga kurejshitët, se, në të pafshin, do të të bëjnë çka të kanë bërë, e ti je njeri i panjohur. Ti nuk ke grup të fuqishëm djelmoshash që të mbron dhe as fis që të ndihmon.”

Suhejbi shkoi me të shpejtë në shtëpinë e El Erkamit duke shi­kuar me kujdes. Kur arriti te dera gjeti Ammar ibnu Jasirin, që e njihte më parë.

Ai ngurroi një çast, pastaj iu afrua dhe i tha:

- Ç’do o Ammar?

Ammari tha:

- Po çfarë do ti, se?

Suhejbi i tha:

- Dëshiroja të hyja te ky njeri dhe të dëgjoja se ç’thotë.

‑ Edhe unë dua ta dëgjoj atë, ‑ ia ktheu Ammari.

Suhejbi tha:

- Pra, po hyjmë së bashku me bekimin e Zotit. Suhejb ibnu Si­nan Errumi dhe Ammar ibnu Jasiri hynë tek i Dërguari i Allahut dhe dëgjuan seç thoshte. Drita e besimit shkëlqeu në zemrat e tyre dhe ngarendën t’ia shtrijnë dorën atij menjëherë. Ata dëshmuan se s’ka Zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij. Ata kaluan ditën tek ai duke marrë udhëzimet e tij, të kënaqur në shoqërimin e tij.

Kur erdhi nata dhe u rralluan lëvizjet e njerëzve, ata u larguan nga ai nën errësirën e natës, por me vete kishin nga një dritë në zemër, e cila do t’u mjaftojë ta ndritin tërë botën.

Suhejbi përjetoi keqtrajtime bashkë me Bilalin, Ammarin, Su­me­jen Habbabin dhe me dhjetëra muslimanë të tjerë që ua bënë kurejshitët. Ai vuante nga depresioni i paparë që ia bënin kurej­shitët. Sapo dilte në një kodër, ata menjëherë e kërcënonin. Të gjitha këto ai i përballoi me urtësi dhe durim, ngase e dinte se rruga e parajsës është e rrethuar me gjëra të neveritshme.

Kur Pejgamberi a.s. i lejoi sahabët të migrojnë në Medinë, Suhejbi vedosi të jetë në shoqërim të Pejgamberit dhe të Ebu Bek­rit, por kurejshitët e vunë re se ai kishte vendosur të shpërgulej. Ndaj dhe ia ndaluan atë. I caktuan vëzhgues në prita, që mos t’u përvidhej dhe, mos të marrë me vete atë që kishte fituar nga tregtia ‑ argjendin dhe arin.

Pas shpërnguljes së Pejgamberit dhe të shokëve të tij, Suhejbi vazhdoi të presë me padurim rastet që t’u bashkohet atyre, por kjo nuk i shkoi ndoresh, ngase ai ishte në sy të vëzhguesve, të cilët ishin mjaft vigjilentë dhe të zgjuar. Atij nuk i mbeti tjetër rrugë, vetëm se të provonte një dredhi.

Një natë të ftohtë Suhejbi dilte shpesh përjashtë kinse ka ne­vojë fiziologjike, dhe ende pa u kthye mirë nga kryerja e nevojës  dilte prapë përjashtë, po për të njëjtën gjë.

Disa roje të tij i thanë njëri‑tjetrit:

“Silluni mirë ndaj këtij (të gjori), se Lati dhe Uza’ kanë punë me barkun e tij!”

Pastaj ata u kthyen në shtretërit e tyre dhe i zuri gjumi. Su­hej­bi u përvodh midis tyre dhe ia mësyu Medinës.

Nuk kaloi shumë kohë nga nisja e Suhejbit, kur e hetuan rojet e tij. Ata u zgjuan me panik nga gjumi, u hipën kuajve të tyre, u lë­shuan frerët dhe i vajtën pas me nxitim, gjersa e arritën.

Kur i hetoi Suhejbi, u ndal në në vend të lartë, nxori shigjetën nga këllëfi i saj ngrehu harkun e shigjetës dhe tha:

- O kurejshitë! Për Allahun, ju e dini mirë se jam gjuajtësi më i mirë nga njerëzit dhe më i qeti për të qëlluar cakun. Për Zotin, mos m’u ofroni se përndryshe me çdo shtizë do të vras nga një njërin nga ju,  pastaj do t’ju luftoj me shpatë, sa të më punojë dora.

Njëri prej tyre i tha:

- Për Allahun ne nuk të ndalim ty pse po ikën me pasurinë tënde, por... ti arrite në Mekë si njeri i dobët e i varfër, u pasurove, e ke arritur suksese e suksese!!

Ai i pyeti:

- Po sikur t’ju lë pasurinë time, a do të më lironi rrugën?

Po, ‑ ia kthyen ata.

Ai i dërgoi në vendin ku kishte pasurinë, te shtëpia e vet në Mekë. Ata shkuan atje dhe ia morën atë dhe e liruan.

Suhejbi shpejtonte për në Medinë duke nxituar në Fenë e Allahut, pa iu dhimbsur pasuria, të cilën e shpenzoi për të siguruar jetën e tij të ndritshme.

Kurdoherë që e kaplonte lodhja dhe rraskapitej, dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut e këndellte dhe ai vazhdonte rrugën e vet.

Kur arriti në Kuba[2] , atë e pa i Dërguari i Allahut duke ardhur. Ai u ngazëllye, buzëqeshi dhe tha:

- Triumfoi pasuria, o Ebu Jahja, triumfoi pasuria. Këtë fjali ai e përsëriti tri herë. Fytyrën e Suhejbit e përshkoi gëzimi dhe tha:

- Për Allahun, nuk ka ardhur kush te ti para meje, o i Dërguar i Allahut. Ty nuk të ka treguar kush për këtë përveç Xhibrilit.

Vërtet fitoi tregtia... e këtë e vërtetoi frymëzimi hyjnor...

Xhibrili dëshmoi për të... ngase ai zbriti Fjalën e Allahut xh.sh. për rastin e Suhejbit.

“Ka njerëz që flijojnë veten për të fituar kënaqësinë e Allahut. Allahu është shumë mirënjohës ndaj robërve të vet.” (Bekare:207) 

Lavdi i qoftë Suhejb ibnu Sinan Er‑Rumit dhe kthimit të tij të suksesshëm (tek Allahu)!



[1] “Ubul‑len” ‑ Qytet i vjetër që është bërë pjesë e Basrasë.

[2] Fshat dy milje larg Medinës.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

EBU DERDA

ebu_derda

EBU DERDA

“Ebu Derda’ ishte larguar nga bota (e stërngarkuar materialiste) për të kërkuar e gjetur qetësi shpirtërore në të dy botët.”

Abdurrahman ibnu Avf

Uvejmir ibnu Malik El‑Hazrexhijj ‑ i quajtur Ebu Derda-u u zgjua he­rët nga gjumi dhe shkoi te idhulli i tij, që e kishte vendosur në vendin më të bukur të shtëpisë së tij. Ai e përshëndeti atë dhe e parfumosi me aromën më të mirë të shitores së tij madhe. Pastaj veshi ca rroba të reja mëndafshi nga më të mirat, të cilat ia kishte dhuruar një tregtar i ardhur nga Jemeni.

Kur u ngrit dielli lart, Ebu Derda doli nga shtëpia dhe u nis për në shitoren e vet.

Rrugët gumëzhinin nga radhët e njerëzve që ngushtoheshin du­ke shkuar pas Muhammedit (a.s.), ndërsa ata ktheheshin nga Bedri. Në krye të tyre ishin disa grupe robërish nga kurejshitët. Iu prezen­tua atyre. Nuk qëndroi gjatë dhe u takua me një djalë, i cili ishte nga Hazrexhinjtë. Djaloshin e pyeti për Abdullah ibnu Revahanë.

Djaloshi hazrexhij i tha:

-Ai është sprovuar në Luftën e Bedrit me sprovat më fisnike dhe është kthyer shëndosh e mirë dhe i tha të mos brengoset për të.

Djaloshi nuk u habit me pyetjen që ia bëri Ebu Derda lidhur me Abdullah ibnu Revahan. Pasi të gjithë njerëzit kishin dijeni për lidhjen vëllazërore që i obligonte ata në mënyrë të ndërsjellë, ngase ata kanë qenë të vëllazëruar që në kohën e injorancës. Kur u shpall feja islame, atë e pranoi ibnu Revaha, ndërsa Ebu Derda nuk e pranoi.

Por, ky veprim i tillë nuk shkëputi lidhjet e forta vëllazërore ndërmjet tyre. Kështu, Abdullahu zuri t’i propo-zojë Ebu Derdasë që t’i bëjë vizitë dhe ta ftojë në fenë islame, me ç’rast ai kërkon prej tij ta pranojë atë dhe i vjen keq që po kalonte koha e ai ende është pabesimtar.

*  *  *

Ebu Derda arriti në shitoren e tij dhe u ul në një karrige të lartë.

Ai zuri të shesë dhe të blejë gjëra, urdhëronte dhe ndalonte shër­bëtorët e tij... Ai nuk dinte gjë se ç’po ndodhte në shtëpinë e tij. Në atë kohë Abdullah ibnu Revaha shkoi në shtëpinë e shokut të tij, tek Ebu Derda. Ai kishte vendosur të bëjë një punë... Kur arriti në shtëpi, ai e pa derën e hapur, e shikoi nënën e Ebu Derdasë në oborrin e tij dhe tha:

- Shpëtimi i Zotit qoftë mbi ty, o rob i Allahut!

‑ Edhe mbi ty qoftë shpëtimi i Zotit, o vëlla i birit tim, Derdas! ‑ ia ktheu ajo.

‑ Ku është Ebu Derda? ‑ pyeti ai.

Ajo tha:

- Ai ka shkuar në shitoren e vet dhe nuk do të vonohet shumë e do të kthehet.

A më lejoni të hyj? ‑ tha ai.

Ti je i mirëseardhur, ‑ tha ajo dhe zuri t’ia lirojë rrugën. Ajo shkoi në dhomën e saj dhe u angazhua për të rregulluar shtëpinë dhe për t’u përkujdesur për fëmijët e saj.

*  *  *

Abdullah ibnu Revaha hyri në dhomën ku e kishte vënë Ebu Der­da idhullin e tij.

Ai e mori atë dhe zuri ta thyejë duke thënë:

“A nuk është çdo gjë të cilës i lutet njeriu, përveç Allahut, veprim i kotë...? A nuk është çdo gjë të cilës i lutet njeriu, përveç Allahut, veprim i kotë?”

Kur e copëtoi atë doli nga shtëpia.

Nëna e Ebu Derdas hyri në dhomën ku ishte idhulli. Ajo u shtang kur e pa atë të bërë copë e grimë... copat e tij i gjeti të hedhura për tokë... Ajo zuri t’i bjerë faqeve të saj me duar dhe tha:

“Më shkatërrove, më shkatërrove, o ibnu Revaha!”

*  *  *

Nuk kaloi shumë kohë dhe Ebu Derda u kthye në shtëpi dhe e gje­ti gruan e tij duke qarë dhe duke bërtitur, e ulur te dera e dho­mës ku ishte idhulli i thyer. Në fytyrën e saj pikaseshin shenja frik­e.

Ç’u bë me ty? ‑ tha ai.

Vëllai yt, Abdullah ibnu Revaha, ka ardhur te ne kur ti nuk ishe në shtëpi dhe, siç po e sheh, ka vepruar kështu me idhullin tënd!

Ai shikoi idhullin dhe vuri re se ai ishte thyer. U tërbua nga mlle­fi dhe i shkoi mendja t’i hakmerret për këtë, por nuk kaloi shumë kohë dhe e ndërroi atë mendim të pamatur dhe i kaloi mllefi. Mendoi në atë se ç’kishte ndodhur dhe tha:

- Po të kishte ndonjë dobi në këtë put, ai vetë do të mbrohej nga shkatërrimi.” Pastaj menjëherë shkoi te Abdullah ibnu Revaha­së dhe së bashku me të shkuan tek i Dërguari i Allahut dhe njoftoi botërisht se po e pranon Fenë e Allahut. Ai ishte banori i fundit nga lagjja e tij që pranoi fenë islame.

*  *  *

Ebu Derda që në çastin e parë besoi në Allahun dhe në të Dër­guarin e Tij me besim të sinqertë me tërë qenien e vet.

Ai u pendua sinqerisht për kohën që kishte kaluar pa bërë mirësi. Mësoi mirë se ç’kishin bërë shokët e tij në përvetësimin dhe mësimin e rregullave të Fesë së Allahut, në mësimin përmen­dsh të Librit të Tij, adhurimin (ibadetin) dhe devocionet që ishin mishëruar në shpirtrat e tyre për Allahun.

Ai vendosi t’a arrijë atë që i kishte ikur me një angazhim të madh, t’i vazhdojë pëpjekjet e natës me pëpjekjet e ditës, gjersa t’i arrijë shokët e tij dhe të mbajë shtegun me ta.

Ai filloi të bëjë adhurim duke u larguar nga kënaqësitë e kësaj bote. Filloi të marrë dije me ëndje të madhe, ndaj me përkushtim iu dha mësimit të Librit të Allahut, duke mësuar Fjalët e Tij, dhe zuri të thellohej në përceptimin e thënieve të tij.

Kur vuri re se tregtia do ta pengonte nga të shijuarit e shijes së adhurimit si dhe nga pjesëmarrja në tubime të ndryshme që bëheshin për të nxënë dituri, ai hoqi dorë nga ajo pa u hamendur dhe pa i ardhur keq fare.

Një njeri e pyeti atë për këtë veprim të tij, për të cilin u përgjigj:

- Unë isha tregtar para se t’ia jepja besën Pejgamberit të Allahut dhe kur u bëra musliman dëshiroja t’i bashkoja tregtinë dhe ibadetin (adhurimin), por unë nuk e kisha drejt. Andaj lashë mënjanë tregtinë dhe iu rreka adhurimit.”

Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i Ebu Derdas, unë nuk dëshiroj të kem sot një shitore para derës së xhamisë e të më ka­lojë një namaz pa e falur me xhemat sesa të shes, të blej dhe të fi­toj çdo ditë nga 300 dinarë.

Pastaj i hodhi një shikim pyetësit dhe i tha:

- Unë nuk them se Allahu xh.sh. ka ndaluar shitblerjen, por unë dua të jem njëri prej atyre që nuk i largon tregtia e as shitblerja nga përmendja e Allahut.”

*  *  *

Ebu Derda nuk e braktisi vetëm tregtinë, por ai u largua edhe nga shijimi i kënaqësive të botës. Hoqi dorë nga stolitë dhe orna­mentet. Ai u kënaq vetëm me një kafshatë të thatë për të plotësuar nevojat e tij jetësore dhe rroba të thjeshta për të mbuluar trupin.

Një natë kur po bënte ftohtë i madh, tek ai kthyen një grup njerëzish. Ai u ofroi ushqim të nxehtë, por mbulojë nuk u ofroi. Kur zuri t’i marrë gjumi, ata filluan të pyesin njëri‑tjetrin për mbulojë dhe njëri prej tyre tha:

- Unë po shkoj dhe po e pyes për to.

Lëre, kthehu! ‑ i tha tjetri. Por ai nuk u ndal, derisa sa arriti te dera dhe pa të zotin e shtëpisë të shtrirë, kurse gruaja e tij ishte ulur afër tij. As ajo e as ai nuk kishin gjë mbi trup, përveç nga një rrobë të hollë që nuk i mbronte nga vapa e as nga të ftohtit.

Njeriu i tha Ebu Derdas:

- Siç po shoh, t’i po bie të flesh ashtu siç po biem ne! Ku i keni plaçkat tuaja?

Ebu Derda’ iu përgjigj:

- Ne kemi një shtëpi në të cilën shokëve u sjellim çdo gjë që kemi nga sendet tona. Sikur të kishim diçka më tepër nga ato sende, ne do t’ua jepnim juve.

Pastaj, në këtë rrugë që ia kemi mësyrë, gjer në atë shtëpi, është një pengesë e fshehtë dhe e mundimshme. Ai që ka barrë më të lehtë, aq më mirë për të. Ne deshëm ta lehtësojmë barrën tonë nga sendet e rënda me shpresë që ta kalojmë atë.

Pastaj i tha njeriut:

- A kuptove?

Po, e mora vesh. U shpërblefsh me të mira! ‑ i tha ai.

Në kohën e halifatit të El‑Farukut (Omerit r.a.) atij deshën t’i jepnin për qeverisje një vilajet në Sham. Por ai e hodhi poshtë atë dhe tha:

- Nëse dëshiron (o Omer) të shkoj, që t’ua mësoj atyre Librin e Allahut dhe Sunetin (traditat dhe hadithet) e Pejgamberit dhe të falem me ta, po shkoj.

Omeri u kënaq me përgjigjen e tij.

Ebu Derda shkoi në Damask. Kur arriti atje vuri re se njerëzit ishin dhënë me pasion pas luksit dhe jetës komode. Këto e trondi­tën. Andaj dhe i ftoi njerëzit në xhami. Ata u tubuan rreth tij dhe u ngrit dhe tha:

- O banorë të Damaskut! Ju jeni vëllezërit e mi nga feja, fqinjët dhe aleatët tanë (në luftë) kundër armiqve.

O banorë të Damaskut! A thua, çfarë ju ndalon juve të mos më doni e të mos i përifillni këshillat e mia, ndërsa unë nuk kërkoj asgjë nga ju. Këto këshilla jua jap juve, por unë nuk varem prej jush. Siç po e shoh, njerëzit tuaj të ditur po shkojnë (ndërrojnë jetë), kurse të paditurit nuk po mësohen!

Unë po vërej se ju jeni dhënë pas atyre gjërave për të cilat ju ka garantuar Allahu xh.sh., ndërsa i keni lënë gjërat për të cilat jeni urdhëruar!

Po ndërtoni ndërtesa në të cilat nuk banoni!

Po meditoni për atë që nuk e realizoni!

Po grumbulloni atë që nuk e hani.

Edhe para jush popujt janë tubuar dhe kanë medituar. Nuk kaloi shumë kohë dhe turma e tyre mbeti e shkatërruar, synimet e tyre mashtrim dhe shtëpitë e tyre varreza...

Ky ishte Adi, populli i Pejgamberit Hud, o banorë të Damaskut! Toka ia ka gllabëruar pasuritë dhe bijtë...

Cili prej jush sot blen mbeturinat e Adit për dy dërhemë?

Njerëzit zunë të qajnë me zë gjersa u dëgjuan zërat nga oborri i xhamisë.

*  *  *

Që nga ajo ditë Ebu Derda’ zuri të shkojë në tubime të nje­rëzve, të futet në tregjet e tyre. Ai i përgjigjej njeriut që pyes­te, mësonte të paditurin, ia tërhiqte vërejtjen atij që ishte i pa­kujdesshëm duke shfrytëzuar çdo rast (që i jepej).

*  *  *

Ndërsa po kalonte pranë një grupi njerëzish, të cilët ishin tu­buar rreth një njeriu dhe kishin filluar ta rrahin e ta fyejnë, ky iu afrua atyre dhe i pyeti:

- Ç’u bë?!

Një njeri ka bërë mëkat të madh, ‑ i thanë ata.

Ai tha:

- Po ta kishit parë se ai po bie në ndonjë gropë, a nuk do ta nxirrnit prej saj?!

Po! ‑ i thanë ata.

- Mos e fyeni (pra), as mos e rrihni, por këshillojeni dhe mëso­jeni (mos të gabojë) dhe falënderojeni Allahun që ju ka shpëtuar të mos bëni gabim të tillë siç ka bërë ai, ‑ tha ai.

Ata e pyetën: -A nuk e urren atë?

Ai tha: -Jo, unë urrej veprën që ka bërë dhe kur të heqë dorë prej saj, ai është vëllai im.

*  *  *

Pas kësaj njeriu zuri të qajë me zë dhe u pendua.

Ky i ri iu afrua Ebu Derdasë dhe i tha:

- Më këshillo, o shok i Pejgamberit të Allahut.

Ai i tha:

- O biri im, përmende Allahun kur je më së miri, e Ai të për­mend ty kur je më së ngushti!

O biri im, bëhu i urtë dhe i ditur, i dëgjueshëm dhe mos u bë injorant, se shkatërrohesh!

O biri im, le të jetë xhamia shtëpia jote, se kam dëgjuar Pej­gam­berin e Allahut duke thënë: “Allahu Fuqiplotë u ka garantuar aty­re, për të cilët xhamitë janë shtëpi të devotshmërisë, mirëqenie, më­shirë dhe kalimin në rrugën e cila shpie në arritjen e kënaqësisë së Allahut Fuqiplotë.”

*  *  *

Ndërkaq një grup njerëzish, djem të rinj, ishin ulur në rrugë, bisedonin dhe shikonin kalimtarët. Ai iu afrua atyre dhe u tha:

- O bijtë e mi! Shtëpia e njeriut musliman është vend hermetik ku njeriut i ulet tensioni dhe ul shikimin e tij. Kini kujdes të mos uleni nëpër tregje, se një veprim i tillë ju bën të pakujdesshëm që të flitni fjalë të pamatura.

*  *  *

Gjatë qëndrimit të Ebu Derdas në Damask, valiu i Shamit, Mua­vi­jetu ibnu Ebi Sufjani dërgoi një njeri te Ebu Derda për t’ia kërkuar bijën e Derdas për djalin e vet, Jezidin. Ai nuk u pajtua që e bija e tij të martohet me të, ndaj të bijën ia dha një të riu musliman të thjeshtë, me besimin dhe moralin e të cilit ai (Ebu Derda) ishte i kënaqur. Ky lajm u përhap në popull, që zuri të thotë:

“Jezidi, i biri i Muaviut, ka kërkuar për martesë bijën e Ebu Der­dasë, por atë e ka refuzuar i ati i saj dhe ia ka dhënë një muslimani të varfër.”

Një njeri e pyeti se ç’e kishte shtyrë të veprojë ashtu.

Unë kam pyetur se përse ka vepruar ashtu Ebu Derda i devotshëm.

Ai u përgjigj: - Ç’do të mendonit për Derdan po të vinin shër­bë­torët e t’i shërbenin asaj, ndërsa ajo të gjendet në pallate, ku shkël­qimi i gurëve të çmuar t’i merr sytë...?

Ku do të mbetej besimi i saj atëherë?!

*  *  *

Gjatë qëndrimit të Ebu Derdas në Sham, prijësi i muslimanëve, Omer ibnul Hattabi, kishte shkuar në një vizitë për të parë gjen­djen e muslimanëve dhe vizitoi shokun e tij, Ebu Derdan, natën në shtëpinë e tij. Ai shtyu derën, e cila kishte qenë pa dry. Hyri pa fri­kë në dhomën e errët. Kur Ebu Derda dëgjoi zërin e tij, u ngrit në këmbë për ta përshëndetur dhe i tha të ulet.

Të dy burrat filluan të bisedojnë, e errësira nuk u mundësonte që ta shohin shoku‑shokun.

Omeri preku jastëkun e Ebu Derdasë dhe vërejti se ai ishte një shtrojë që vihet mbi kalë. Omeri vazhdoi të prekë shtratin e tij dhe vuri re se ai ishte prej gurëve të vegjël...

Kur e preku mbulojën e tij vërejti se ajo ishte një mbulojë e hollë, që nuk e pret fare të ftohtin e Damaskut.

Ai tha: - Zoti pastë mëshirë ndaj teje! A nuk të kam bërë të pasur dhe a nuk të kam dërguar ty?!

Ebu Derda i tha: - A të kujtohet, o Omer, një hadith që na e tregoi i Dërguari i Allahut?

Cili është ai? ‑ pyeti Omeri.

Ai tha: - A nuk ka thënë Pejgamberi a.s.: “Le të jetë pasuria juaj në këtë jetë sa pasuria e një udhëtari?

- Po, ashtu është.

- Ç’kemi bërë ne pas tij, o Omer?!

Omeri zuri të qajë e edhe Ebu Derdas i plasi vaji. Ata vazh­duan t’i përgjigjen njëri‑tjetrit në pyetjet e ndërsjella, ashtu duke qarë, derisa u bë mëngjes.

* * *

Ebu Derda mbeti në Damask që t’i këshillojë banorët e tij, t’ua për­kujtojë dhe t’ua mësojë Kur’anin dhe urtësinë, derisa i erdhi vdekja. Kur e kaploi sëmundja e vdekjes, e vizituan shokët e tij dhe i thanë:

- Nga çka ankohesh?

- Nga mëkatet e mia, ‑ tha ai.

- Çfarë dëshire ke? ‑ e pyetën ata.

- Dua të më falë Allahu, ‑ ua ktheu ai.

Atëherë u tha njerëzve përreth: - Thoni, La Ilahe Il‑lall‑llah, Muham‑mederr‑rresul‑lull‑llah, dhe vazhdoi t’i përsë­ri­së këto fjalë gjersa ndërroi jetë.

* * *

Kur Ebu Derda iu kthye Zotit të tij, Avf ibnu Malik El Eshxhij pa, siç sheh njeriu në gjumë, një livadh të gjelbër, hapësirë të gjerë dhe një strehimore të madhe në të cilën ishte një kupolë e madhe prej lëkure, e në të ishte një dele duke mrizuar, gjë që syri i njeriut kurrë nuk e kishte parë më parë.

E tha:

- E kujt është kjo?!

- E Abdurr‑rrahman ibnu Aufit, ‑ i thanë ata.

Abdurrahmani doli nga kupola e i tha:

- O Malik, kjo është ajo që na e ka dhënë Allahu xh.sh. me Kur’­an. E nëse ke nderin të trasosh këtë rrugë, do të shohësh çka nuk të kanë parë sytë, do të gjesh atë që shpirti yt kurrë s’e ka marrë me mend.

Ibn Maliku tha:

E kujt është tërë kjo, o Ebu Muhammed?!

Ai tha: - Allahu Fuqiplotë e ka përgatitur atë për Ebu Derdan, ngase ai ishte larguar nga bota për të kërkuar e gjetur qetësi shpirtërore për të dy botët.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

ZEJD IBNU HARITHI

zejd_ibnu_harithi

ZEJD IBNU HARITHI

“Për Allahun, Zejd ibnu Harithi ka qenë i lindur për të komanduar dhe ishte njeriu më i dashur tek unë.”

(Muhammedi a.s.)

Su’da, e bija e Tha’lebesë, doli nga shtëpia me qëllim që të vizi­tojë fisin e saj, Beni Ma’nin, ndërkaq në shoqëri me të ishte djali i saj, Zejd ibnu Harithi i fisit Ka’b. Pak para se të arrinte te fisi i saj, atë e sulmoi një grup kalorësish të Beni El Kejn. Ata ua plaçkitën pa­surinë, i çuan devetë përpara dhe ua morën fëmijët...

Në grupin e fëmijëve që i morën ishte edhe i biri i saj Zejdi ibnu Harithi.

Zejdin, ndonëse i vogël, sapo mbushi tetë vjeç e dërguan në tregun Ukadh dhe e ofruan për ta shitur.

Atë e bleu një pasanik nga paria kurejshite, i quajtur Hakim ibnu Hazam ibnu Huvejlidi, për katërqind dërhemë. Bashkë me të bleu gjithashtu edhe një grup fëmijësh dhe i solli në Mekë.

Kur halla e tij, Hatixhja, e bija e Huvejlidit, mori vesh për ardh­jen e tij nga rruga, ajo e vizitoi atë, e përshëndeti dhe i dëshiroi mirëseardhje. Ai i tha asaj:

- Oj hallë, kam blerë një grup fëmijësh në tregun Ukadh. Zgji­dhe cilin ta duash, të ta jap dhuratë!

Zonja Hatixhe u hodhi një shikim fytyrave të fëmijëve... dhe zgjo­dhi Zejd ibnu Harithin, pasi ai iu duk se kishte shenja pjekurie dhe shkoi me të.

Pas pak kohe, Hatixhja, e bija e Huvejledit u martua me Mu­ham­medin, të birin e Abdullahut. Ajo dëshiroi që t’ia japë atij dhura­të atë djalë. Ajo nuk gjeti djalë më të dashur se Zejd ibnu Harithin dhe ia dhuroi. Derisa djaloshi fatlum ishte nën përkujdesjen e Muhammedit, të birit të Abdullahut, dhe kënaqej me shoqërimin e tij fisnik dhe pajisej me cilësitë më të bukura, nëna e tij e pikëlluar nuk i ndalte lotët, as s’i hiqej malli për të dhe as s’i qetësohej shpirti.

Ajo që ia shtonte pikëllimin ishte fakti se ajo nuk e dinte a është gjallë i biri i saj, me qëllim që ta presë t’i kthehet, apo në mos është i vdekur, e t’i shlyejë shpresat për të.

Sa i përket të atit, ai zuri ta kërkojë atë në çdo vend, të pyesë çdo karvan. Nga malli që e merrte për të, ai thurte poezi elegjiake, e cila ia hante shpirtin kur e lexonte:

“Qava për Zejdin e nuk di seçka bërë,

A është gjallë e do të kthehet, a i ka ardhur vdekja?

Për Zotin unë nuk di, andaj pyes prore.

A të rrëmbeu fusha apo kodrina, duke ngarendur pas meje.

Dielli, me të lindur, atë ma përkujton.

E kur perëndon, kujtimin ma largon.

Do ta nxitoj devenë të ecë nëpër tokë duke u munduar ta gjej djalin.

As do të më lodhë rruga, as do të lodhet deveja.

Do të rroj apo do të më vijë vdekja?!”

Se çdo gjë merr fund, po ta mashtrojë shpresa.

*  *  *

Në kohën e haxhit një njeri nga fisi i Zejdit shkoi në Qabe. Ndërsa po silleshin përreth Qabës, ata u poqën fytyrë për fytyrë me Zejdin. Ata e njohën atë, por edhe ai i njohu ata. Ata e pyetën se mos ishte vetë Zejdi. E ai i pyeti se mos ishin ata nga familja e tij. Kur e kryen haxhin dhe u kthyen në shtëpitë e tyre, e njoftuan Harithin se ç’kishin parë dhe ç’kishin dëgjuar.

*  *  *

Harithi e përgatiti me të shpejtë atin e shalës. Me vete mori pasuri si shpërblim për lirimin e djalit të vet. Rrugës për në Qabe e shoqëroi i vëllai.

Ata u nisën që të dy, duke shpejtuar rrugës për në Mekë. Kur arri­tën atje, shkuan te Muhammedi, i biri i Abdullahut, dhe i thanë:

- O biri i Abdul Mutal‑libit! Ju jeni fqinjët e Allahut, ju u jepni lypsave dhe atyre që kanë gjetur strehim, ushqeni të uriturin dhe e ngushëlloni të pikëlluarin. Ne kemi ardhur për birin tonë, që është te ti. Dhe të kemi sjellë pasuri si shpërblim për lirimin e tij, ose çfarë të duash!”

Muhammedi tha:

- E kush është biri juaj, për të cilin e keni fjalën?

‑ Djaloshi yt, Zejdi, ‑ i thanë ata.

‑ A keni diçka më të përshtatshme sesa shpërblimi për lirim? ‑ i pyeti ai.

‑ E cila është më e përshtatshme? ‑ i thanë ata.

Ai tha:

- Po jua sjell këtu, para jush, e le të zgjedhë kë të dojë mes meje dhe juve. Nëse ai ju zgjedh juve, ai është juaji, pa kurrfarë shpër­blimi. E nëse më zgjedh mua, për Allahun, unë jam me atë që dëshiron të zgjedhë kë të dojë.

Ata i thanë:

- Ti u solle ndershmërisht me ne dhe ishe tejet i drejtë.

Muhammedi thirri Zejdin dhe e pyeti:

- Kush janë këta të dy?

‑ Ky është babai im, Harith ibnu Shurahili, e ky është xhaxhai im, Ka’bi- ia ktheu Zejdi.

Unë të lë të lirë të zgjedhësh; nëse do, shko me ta, e nëse do, rri me mua, ‑ i tha Muhammedi.

Pa vonuar dhe pa kurrfarë ngurrimi, ai tha:

- Jo, po rri me ty.

Për këtë, babai i tij i tha:

- Mjerë ti, o Zejd! Zgjodhe dikë tjetër të duash në vend të ba­bait dhe nënës sate?

Zejdi i tha:

- Nga ky njeri kam parë diçka dhe unë nuk mund të ndahem kurrë prej tij.

*  *  *

Kur Muhammedi dëgjoi fjalët e Zejdit, e mori për dore dhe e dërgoi te Qabja. Ai u ndal me të te guri, tek ishte një turmë kurej­shitësh, dhe tha:

- O ju kurejshitë, dëshmoni se ky është djali im, ky më tra­shëgon mua dhe unë e trashëgoj atë...

Shpirti i të atit dhe xhaxhait të tij u gëzuan. Ata e lanë atë te Mu­ham­medi, i biri i Abdullahut, e te fiset e tyre u kthyen me shpirtëra të qetësuar dhe pabrenga. Që nga ajo ditë Zejd ibnu Harithi qu­hej Zejd ibnu Muhammed. Ai vazhdoi të quhet kështu gjersa u ngar­kua me mision Pejgamberi i Allahut. Feja islame hodhi poshtë këtë lloj adoptimi fëmijëshkur zbriti Fjala e Allahut:

“Thirri ata në emër të etërve të tyre.” (El‑Ahzab: 5) 

Ndaj edhe Zejdi vazhdoi të quhej Zejd ibnu Harithi.

*  *  *

Zejdi nuk dinte se çfarë përfitimi të madh kishte fitua, atëherë e preferoi Muhammedin ndaj nënës dhe babait të vet.

Ai nuk e dinte se zotëria i tij, që e pranoi si pjesëtar familjes dhe fisit të vet, është kryezotëria i të parëve dhe të mbramëve dhe Pejgamber i Allahut për të gjitha krijesat e Tij.

Atij nuk i shkonte mendja se do të ngrihej një shtet hyjnor në rruzullin tokësor, e në mes Lindjes dhe Perëndimit do të mbushet mirësi dhe drejtësi dhe se ai vetë do të ishte prej themeluesve të parë të  kësaj perandorie të madhe...

Nga e tërë ajo asgjë nuk i sillej në kokë Zejdit... por ajo ishte dhunti prej Allahut, të cilën Ai ia jep atij që do... E Allahu është Dhurues i madh.

Kaluan vetëm ca vite rreth zgjedhjes së tij kur Allahu e dërgoi Pejgam­berin e Vet, Muhammedin, për t’i ftuar njerëzit në fenë e udhëzimit dhe të së vërtetës. Zejd ibnu Harithi ishte i pari prej meshkujve që i besoi atij.

A thua ekziston çështje tjetër, mbi këtë çështje me përparësi, ku do të konkuronin konkuruesit?

Zejd ibnu Harithi u bë besnik i fshehtësive të Pejgamberit të Alla­hut, udhëheqës i delegacioneve dhe i njësive të tij,si dhe njëri nga zëvendësit e tij në Medinë, kur Pejgamberi a.s. u largua nga ajo.

*  *  *

Ashtu siç e donte Zejdi Pejgamberin, më shumë se të ëmën dhe babain e vet, edhe Pejgamberi Fisnik e donte dhe e pranoi si pjesëtar familje dhe bir të tij të vogël. Atë e merrte malli kur i mungonte dhe i gëzohej kthimit të tij në shtëpi. Kur takohej me të, asgjë nuk e gëzonte më shumë.

Në vazhdim, ja një rast që na e përshkruan Aishja r.a. nga çastet e gëzimit të Pejgamberit të Allahut mbi takimin e tij me Zejdin, ku thotë:

“Zejd ibnu Harithi kishte ardhur në Medinë, e Pejgamberi gjen­dej në dhomën time. Ai trokiti në derë. Pejgamberi i Allahut, ashtu siç ishte i zhveshur ‑ nuk kishte gjë mbi trup, përveç një rrobe prej kërthize e gjer në gjunj ‑ shkoi te dera duke i tërhequr rrobat e veta pas, e përqafoi dhe e puthi atë. Për Zotin, nuk e kisha parë Pej­gam­berin të zhveshur para këtij rasti e as pas tij.”

Për dashurinë e Pejgamberit ndaj Zejdit u përhapën fjalë në mes muslimanëve dhe zuri të flitej edhe më tej. Ndaj atë e quanin “Zejdi i dashur” dhe e pagëzuan me nofkën i dashuri i Pejgambe­rit të Allahut. Të birin e tij, Usamën, e pagëzuan, më vonë, “i dashuri i të Dërguarit të Allahut dhe i biri i të dashurit.”

*  *  *

Në vitin VIII të hixhretit deshi Allahu, bekuar qoftë urtësia e Tij, që të vihet në sprovë “i dashuri” me rastin e ndarjes nga “i dashuri” i vet.

Kjo ndarje u bë për shkak se Pejgamberi a.s. dërgoi Harith ibnu Umejr El Ezdijja me një shkresë te Mbreti i Busrasë, që ta ftojë atë në fenë islame.

Kur arriti Harithi në “Mueteh”, në lindje të Jordanit, atij i doli para një princ i Gasasinëve, i quajtur Shurehbil ibnu Amër. E kapi atë, ia lidhi duart dhe këmbët, dhe e qëlloi në fyt.

Ky rast e brengosi Pejgamberin a.s., se kurrë më parë nuk ia kishin pritur kaq keq dhe luftuar ndonjë delegacion përveç këtij rasti. Ai përgatiti ushtrinë në përbërje prej tre mijë luftëtarësh për ta mposhtur “Muetehën”. Në krye të ushtrisë emëroi “të dashurin e tij”, Zejd ibnu Harithin, dhe tha:

“Nëse vritet Zejdi, komandën duhet ta marrë Xhafer ibnu Ebi Talibi, e nëse vritet Xhaferi, le t’ju prijë Abdullahu ibnu Revaha. Nëse vritet Abdullahu, vetë muslimanët le ta zgjedhin njërin nga radhët e tyre.”

Ushtria vazhdoi rrugën derisa arriti në “Mean”, në lindje të Jor­danit. Mbreti i perandorisë bizantine, Herakliu, mobilizoi mëse njëqind mijë luftëtarë për t’i mbrojtur Gasasinët. Atij iu bashkuan edhe njëqind mijë politeistë arabë. Kjo ushtri e madhe u vendos jo larg pozicioneve të muslimanëve.

*  *  *

Muslimanët qëndruan dy net në “Mean” duke u konsultuar se çfarë të bëjnë.

Njëri prej tyre tha:

- T’i shkruajmë Pejgamberit të Allahut dhe ta njoftojmë me numrin e forcave të armikut tonë dhe të presim urdhrin e tij.

Tjetri tha:

- Për Zotin, o burra, ne nuk luftojmë me një numër, as me një fuqi e as me një masë të caktuar, por luftojmë për hir të kësaj feje.

Pra nisuni për atë mision për të cilin keni dalë nga shtëpitë tuaja.

Allahu ju ka garantuar fitoren me njërën nga këto dy mirësi, ose triumfin ose rënien dëshmorë...”

*  *  *

Pastaj dy taborret u ndeshën në “Mueteh”. Muslimanët zhvi­llu­an një luftë e cila i habiti bizantinët. Ata ua futën frikën bizan­ti­nëve në palcë me ata tre mijë ushtarë që i bënë ballë ushtrisë së armikut, e cila numëronte më se dyqind mijë ushtarë. Zejd ibnu Harithi zhvillonte luftë të ashpër për flamurin e Pejgamberit të Allahut a.s. Historia nuk njeh njeri të ketë zhvilluar betejë të tillë si ky, gjersa ia shqyen trupin e tij dhjetëra shigjeta, nga të cilat ai ra i vdekur në tokë, i larë në gjak.

Prej tij, flamurin e mori Xhafer ibnu Ebi Talibi dhe zuri ta mbron­te atë në mënyrën më të ndershme, gjersa iu bashkua kolegut të tij (ndërroi jetë).

Prej tij, flamurin e mori Abdullah ibnu Revaha. Ai luftoi për të tri­mërisht, gjersa e gjeti ajo që i gjeti shokët e tij.

Në vend të tij njerëzit emëruan Halid ibnu Velidin. Ai sapo kish­te pranuar fenë islame. Ai u tërhoq dhe e shpëtoi atë ushtri nga shkatërrimi i paevitueshëm.

*  *  *

Pejgamberin e lajmëruan për ngjarjen e “Muetehës” dhe për vdek­jen e tre komandantëve të tij. Ai u pikëllua shumë për ta si ku­rrë­ më parë.

Ai shkoi te familjet e tyre dhe u shprehu ngushëllime. Kur arriti te shtëpia e Zejd ibnu Harithit, iu afrua bija e tij e vogël, e cila ia kishte plasur vajit. Pejgamberit të Allahut filluan t’i rrjedhin lotët, gjersa ia nisi të qajë në zë.

Ndaj Sad ibnu Ubejde i tha:

- Ç’është ky vaj, o i Dërguari i Allahut?

I Dërguari i Allahut iu përgjigj:

- Ky është vaji i “të dashurit” për “të dashurin.”

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

USAME IBNU ZEJDI

usame_ibnu_zejdi

USAME IBNU ZEJDI

“Vërtet, Ebu Usameja ka qenë më i dashur te Pejgamberi i Allahut se babai yt, madje më i dashur se ti...”

(Fjala që i tha El Faruku birit të vet)

Tani jemi në vitin VII para hixhretit, në Mekë.

I Dërguari i Allahut po vuan nga keqtrajtimet e kurejshitëve ndaj atij dhe shokëve të tij.

Ai mban në vete një dëshirë të madhe për thirrje në fenë islame, por është i vetëdijshëm për pasojat që do të dalin prej saj, që i solli jetës së tij një sërë dëshpërimesh dhe tragjedish të njëpasnjëshme.

Por në jetën e tij shkëlqyen ca vezullime gëzimi.

Një lajmëtar e lajmëroi se “Ummu Ejmen” kishte lindur djalë. Tiparet e fytyrës së Pejgamberit të Allahut shëndritën nga gëzimi me rastin e lindjes së këtij fëmije edhe fytyra e tij fisnike shkëlqeu.

A thua kush është ky djalë fatlum, lindja e të cilit e ngazëlleu aq shumë Pejgamberin e Allahut?! Ai është Usame ibnu Zejdi.

Asnjë prej shokëve të Pejgamberit të Allahut nuk u habit për gëzimin që shprehu ai për të posalindurin, duke marrë parasysh respektin që e gëzonin prindërit e fëmijës te Pejgamberi dhe afrinë e të dyve me të. Nëna e fëmijës ishte “Berekat‑ul‑Habeshij‑je”, e njohur me emrin “Ummu Ejmen”.

Ajo ishte robëreshë e Emines, bijës së Vehebit, nënës së Pejgamberit të Allahut. Ajo e kishte rritur atë sa ishte gjallë Eminia. Pas vdekjes së Emines, ajo përkudesej për të. Ky i hapi sytë në këtë botë duke mos njohur askë tjetër përveç asaj si nënë të vet.

Ai e donte atë me gjithë zemër dhe aq shumë, saqë thonte:

“Ajo është nëna ime, pas nënës që më ka lindur dhe pas anëtarëve të tjerë të familjes sime.”

Kjo është nëna e fëmijës fatlum, e babai i tij është “i dashuri” i të Dërguarit të Allahut, Zejd ibnu Harithi, djali i tij i adoptuar para shpalljes së fesë islame. Zejdi ishte shok, besnik i fshehtësive të tij dhe anëtar i familjes, më i dashuri nga të gjithë njerëzit para ardhjes së fesë islame.

Muslimanët nuk i ishin gëzuar aq shumë, kurrë më parë, lindjes së ndonjë fëmije, siç u gëzuan për lindjen e Usame ibnu Zejdit. Ky gëzim pikasej tek ata për arsye se çdo gjë që e gëzonte Pejgamberin, i gëzonte edhe ata. Çdo gjë që ia kënaqte shpirtin atij, i ngazëllente njëkohësisht edhe ata.

*  *  *

Prandej, fëmijës fatlum i dhanë ofiqin “i dashuri” dhe “biri i të dashurit”.

Muslimanët nuk e tepruan kur e emëruan me këtë nofkë fëmijën e vogël, Usamen, ngase atë e donte Pejgamberi i Allahut me një dashuri që këtij fëmije ia ka lakmi tërë bota. Usameja ishte afër në moshë me të birin e bijës së Pejgamberit, Hasan ibnu Fatimete Ez‑zehra.

Hasani ishte flokëbardhë, shumë i bukur dhe i përngjante shumë gjyshit të tij, të Dërguarit të Allahut.

Usameja ishte flokëzezë, me hundë të rrafshët dhe i përngjante shumë nënës së tij etiopiane. Por, Pejgamberi a.s. nuk bënte dallim mes tyre kur i ledhatonte. Usamen e merrte dhe e vënte në njërën, ndërsa Hasanin në anën tjetër të prehërit, pastaj i shtrën­gonte në gjoks dhe thoshte:

“Për Allahun, unë i dua që të dy.”

Dashuria e Pejgamberit ndaj Usames u vu në dukje një ditë kur ai u rrëzua në prag të derës, çau ballin dhe nga plaga që mori zuri t’i rrjedhë gjak. Pejgamberi i tha Aishes r.a. që t’ia ndalë gjakun nga plaga, por ajo nuk pati mirësinë t’ia ndalë atë. Ndaj Pejgamberi a.s. u ngrit dhe zuri t’ia thajë dhe t’ia shtrydhë plagën duke i folur fëmijës fjalë të ëmbla dhe fjalë dhembshurie.

*  *  *

Ashtu siç e donte Pejgamberi a.s. Usamen në fëmijëri, po ashtu e donte edhe në rini.

Hakim ibnu Hazami i dhuroi një parie të kurejshitëve një pallto të shtrenjtë për të Dërguarin e Allahut, të cilën e kishte blerë në Jemen, për pesëdhjetë dinarë të arit. Ajo kishte qenë e “Dhi Jezenit”, njërit nga mbretërit e Jemenit.

I Dërguari i Allahut refuzoi të pranojë dhuratën e tij, ngase atë­herë ai ishte politeist dhe e mori vetëm pasi e pagoi.

Pejgamberi fisnik e pati veshur atë një ditë të premte, pastaj e zhveshi për t’ia dhënë Usame ibnu Zejdit. Ai bridhte poshtë e lart, veshur me të, në mes moshtarëve mërgimtarë dhe ensarë (ndihmës).

*  *  *

Kur Usame ibnu Zejdi arriti moshën e pjekurisë, në të pikasej karakteri fisnik dhe cilësitë e larta, të cilat bënin meritor që Pej­gamberi i Allahut të ushqejë dashuri ndaj tij. Ai ishte i mençur dhe mjaft inteligjent, trim që s’e kishte shoqin, i urtë dhe çdo sendi ia gjente vendin e vet.

Ishte virtuoz, modest dhe kategorik ndaj çdo vepre të shëm­tuar, shok i ngushtë dhe besnik që e donin njerëzit, i devotshëm dhe i matur që e donte Allahu.

Në betejën e Uhudit, Usame ibnu Zejdi me disa nga fëmijët e sahabëve të Pejgamberit, të cilët dëshironin të shkonin në luftë në rrugë të Allahut, u paraqitën te Pejgamberi. Ai mori prej tyre atë që mori dhe ktheu çka ktheu për shkak të moshës së tyre të re. Në grupin e të refuzuarve ishte edhe Usame ibnu Zejdi. Nga sytë e tij të vegjël vërshonin lotët për shkak të dëshpërimit që nuk do të luftojë nën flamurin e të Dërguarit të Allahut.

Në betejën e Hendekut erdhi po ashtu edhe Usame ibnu Zej­di, e me të ishin disa nga djemtë e sahabëve të Pejgamberit. Ai filloi të çohet në majë të gishtërinjve për t’u dukur i madh që ta lejojë Pejgamberi i Allahut të shkojë në luftë. Pejgamberit a.s. e ledhatoi atë dhe i lejoi të shkojë me ta.

Ai vetëm e mori shpatën për të luftuar në rrugën e Allahut kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç.

 

*  *  *

Në betejën e Hunejnit, kur u mposhtën muslimanët, Usame ibnu Zejdi qëndroi i patundur me Ab‑basin, xhaxhain e Pejgamberit, me Ebu Sufjan ibnu Harithin, djali i xhaxhait dhe me gjashtë persona të tjerë nga shokët e Pejgamberit fisnik. Pejgamberi a.s. arriti që, me këtë grup të vogël të besimtarëve trima, disfatën e shokëve të vet ta shndërrojë në fitore dhe t’i mbrojë muslimanët që iknin për të mos u vrarë nga politeistët.

*  *  *

Në betejën e Mutehës, Usameja luftoi nën flamurin e Zejd ibnu Harithit, kur ishte më pak se tetëmbëdhjetë vjeç. Ai pa me sytë e vet vrasjen e babait, as nuk bëri vër e as u dekurajua, por vazhdoi të luftojë nën flamurin e Xhafer ibnu Ebi Talibit gjersa u vra (Xhaferi) para syve,  pastaj luftoi nën flamurin që e mbante Abdullah ibnu Revaha, gjersa edhe ai iu bashkua dy shokëve dëshmorë. Më pas luftoi nën flamurin e Halid ibnu Velijdit kur e shpëtoi ushtrinë e tij të vogël nga kthetrat e bizantinëve.

Pastaj Usameja u kthye në Medinë, duke e lënë trupin e babait të tij të pas­tër  në kufijtë e Shamit dhe duke e kalëruar kalin e tij, mbi të ci­lin ai kishte rënë dëshmor, me bindje të fortë se babai i tij do të marrë shpërblimin e merituar tek Allahu.

*  *  *

Në vitin XI të hixhretit, Pejgamberi fisnik urdhëroi të përgatitet ushtria për të luftuar bizantinët. Për këtë luftë angazhoi Ebu Bekrin, Omerin Sead ibnu Ebi Vek‑kasin, Ebu Ubejden, ibnu Xherrahun dhe pleqtë e tjerë nga shokët e vet. Në krye të ushtrisë emëroi Usame ibnu Zejdin, e ai ende nuk i kishte mbushur të njëzetat. E urdhë­roi për ta shkelur kufirin e “El‑Belka” dhe kështjellën e “Ed‑Derumit”, që gjendej afër Gazës, në territorin bizantin.

Ndërsa ushtria përgatitej për luftë, Pejgamberi i Allahut u sëmur.

Kur e rëndoi sëmundja, ushtria muslimane ndërpreu udhëtimin duke pritur se si do të shkojë gjendja shëndetësore e Pejgamberit të Alla­­hut, Usama tha:

- Kur e rëndoi sëmundja Pejgamberin e Allahut, edhe unë shko­va tek ai me shokë, hyra (në dhomën e tij) dhe pashë se po heshtte e nuk fliste nga lodhja që i kishte shkaktuar sëmundja e rëndë. Ai nisi ta ngrejë dorën lart e pastaj e vuri atë mbi trupin tim. Ndaj kuptova se po më thërriste.

Pastaj, posa ndërroi jetë Pejgamberit a.s., udhë­heqjen e mori Ebu Bekri, i cili urdhëroi që të kryhet misioni i Usames.

Megjithatë, një grup i ensarëve e panë të arsyeshme ta vonojnë ekspeditën dhe kërkuan nga Omer ibnul Hattabi që të bisedojë me Ebu Bekrin lidhur me këtë çështje. Ata i thanë:

- Nëse insiston të nisemi për luftë, njoftoje Ebu Bekrin se ne duam që ai ta angazhojë për këtë mision një njeri më të vjetër se Usamen.”

Me të dëgjuar këto fjalë të ensarëve nga Omeri r.a., Ebu Bekri brofi në këmbë, nga vendi ku ishte ulur, e kapi për mjekrre El Faru­kun dhe i tha me zemërim:

- Mos të pastë nëna jote dhe mos të mbajtë me mall, o ibnu Hat­tab!... (Këtë shprehje e përdorte Pejgamberi a.s.)  A po më urdhë­ron që ta largoj unë?

Për Allahun, ajo punë s’do të bëhet!

Kur u kthye Omeri te njerëzit, ata e pyetën se ç’kishte bërë, e ai iu përgjigj:

- Nisuni, he mos u paçin nënat tuaja, se unë përjetova çmos nga halifi i Pejgamberit për shokun tuajin.

*  *  *

Kur u nis ushtria nën komandën e komandantit të saj të ri, atë e përcolli halifi i Pejgamberit të Allahut duke ecur në këmbë, ndërsa Usama ishte hipur në kalë dhe tha:

- O Halif i të Dërguarit të Allahut!

Për Allahun, gjithsesi ti duhet të hipësh në kalë e unë do të zbres!

Ebu Bekri i tha:

- Për Allahun, as nuk po zbret, e as po hipi... se s’është kjo de­tyrë për mua, të pluhrosi këmbët e mia në rrugën e Allahut as për një çast! Pastaj i tha Usames: - Allahu qoftë me ty, të mbrof­të fenë, amanetin tënd dhe të ndihmoftë në përfundimin e misionit tënd! Po të porosis që ta kryesh atë për të cilën të ka urdhë­ruar i Dërguari i Allahut. Pastaj ia bëri me dorë dhe tha:

- Nëse mendon se më ndihmon me Omerin, atëherë lejoje të mbe­tet me mua. Ndaj Usameja lejoi që Omeri të mbetet.

Usame ibnu Zejdi u nis. Ai i kreu të gjitha ato detyra për të cilat e kishte urdhëruar i Dërguari i Allahut. Kuajt e muslimanëve i shkelën kufijtë e “Belkas” dhe kështjellën “Ed‑Derum” në to­kën palestineze dhe ua hoqi frikën nga zemrat e muslimanëve. Ai trasoi rrugën para tyre për të çliruar tokat e Shamit, Egjiptit dhe Afrikën Veriore në tërësi deri në Oqea­nin Atlantik.

Pastaj Usama u kthye kaluar në shalë të atit në të cilin ra dësh­mor i ati, duke sjellë me vete plaçka lufte në sasi të mëdha, saqë ishte vështirë caktimi i vlerave të tyre, derisa njerëzit thanë:

- Nuk është parë deri më sot ushtri më komplete dhe më e pa­sur se ushtria e Usame ibnu Zejdit!

Sa ishte gjallë Usame ibnu Zejdit i doli nami si njëri nga muslimanët më të shquar dhe më të dashur. Për hir të jetësimit të asaj për të cilën e kishte urdhëruar i Dërguari i Allahut dhe në sajë të madhështisë dhe personalitetit të tij të gjithë muslimanët e donin.

El Faruku i caktoi një pagë Usames, e cila ishte më e madhe se e birit të vet, Abdullah ibnu Omerit. Abdullahu i tha babait të vet:

- O baba, i ke caktuar Usames katër mijë e mua më ke caktuar ve­tëm tre mijë (dinarë). Babai i tij nuk ka qenë më i rëndësishëm se­sa ke qenë ti, edhe ky (Usameja) nuk është më i vlefshëm sesa unë.

El Faruk‑u iu përgjigj:

- Shkove larg... Babai i tij ka qenë më i dashur tek i Dërguari i Allahut sesa babai yt dhe ai ishte më i dashur te Pejgamberi i Allahut sesa ti.

Atëherë Abdullah ibnu Omeri u kënaq me pagën që i ishte caktuar.

Kur takohej Omer ibnul Hattabi me Usame ibnu Zejdin thoshte:

- Mirësevjen prijësi im..., e kur vërente dikë se po habitej me sjelljen e tij ndaj Usames, ai thoshte:

- I Dërguari i Allahut a.s. ma ka caktuar atë për prijës.

Qofshin në mëshirën e Allahut këta shpirtëra të mëdhenj, se historia nuk njeh njerëz më të mëdhenj, më të përsosur dhe më fisnikë se sahabët e Pejgamberit të Allahut!

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

SEID IBNU ZEJDI

seid_ibnu_zejdi

SEID IBNU ZEJDI

“O Zoti im, nëse më privon mua nga kjo dhunti, mos privo nga ajo birin tim, Seidin.”

(Zejdi, i ati i Seidit)

Zejdi ibnu Amër ibnu Nufejli u ndal larg nga turma e njerëzve dhe shikonte kurejshitët se si festonin një festë të tyre. Ai vuri re se njerëzit ishin mbështjell me turbana të shtrenjtë, të qëndisur me pëlhura të mëndafshit me ar. Ata krekoseshin me pallto të gjata, të shtrenjta, të Jemenit.

I shikonte gratë me fëmijë, të cilat kishin veshur rrobe të shkël­qyeshme, me stoli të bukura. Ai shikonte shtazët, të cilat i ngi pasanikët, pasi i kishin stolisur me lloj-lloj stolish, për t’i therur në mes të idhujve të gdhendura.

Ai mbështeti shpinën te shtylla e murit të Qabes dhe tha:

- O ju, kurejshit! Bagëtinë e ka krijuar Zoti. Ai ka zbritur shiun nga qielli, ndaj edhe ato janë ngopur. Atyre u ka rritur bar nga toka, me të cilin ushqehen. E ju po i therni ato jo në emrin e Tij. Unë ju trajtoj popull injorant!

Pas këtyre fjalëve, kundër tij u ngrit xhaxhai i vet, Hattabi, babai i Omer ibnul Hattabit, i ra shuplakë dhe i tha:

- Të gjet e liga! Ende po dëgjojmë prej teje këtë budallallëk. Të kemi toleruar gjersa na humbi durimi. Pastaj e sulmuan buda­llenj­të e fisit të tij, të cilët e keqtrajtuan. Ata vazhduan ta keqtrajtojnë gjersa u katandis të largohet nga Meka dhe të strehohet në kodrën Hira.

Hattabi angazhoi një grup kurejshitësh që ta pengojnë të mos hyjë në Mekë. Ai hynte në Mekë vetëm fshehurazi. Më pas, Zejd ibnu Amër ibnu Nufejl i ftoi në një takim, pa e ditur fare kurejshitët, Vere­ka ibnu Neufelin, Abdullah ibnu Xhahshin, Othman ibnu El Harithin, Umejmete Bint Abdul Mutalibin,  hallë e Muhammedit, të birit të Abdu­llahut. Ata zunë të evokojnë kujtime për ato gjëra si pasojë e të cilave arabët u krodhën në rrugë të gabuar.

Zejdi u tha shokëve të tij:

- Vërtet ju, për Zotin, e dini fare mirë se fisi juaj s’ka asgjë me vlerë. Ai e ka shtrembëruar fenë e Ibrahimit dhe po e kundërshton. Pra, kërkoni për vete një fe të cilës i përmbaheni, nëse dëshironi të gjeni shpëtim.

Të katër burrat shkuan te priftërinjtë e hebrejve dhe të krish­te­rëve dhe te paria e komuniteteve të tjera, duke kërkuar tek ata fenë e vërtetë (islame) të Ibrahimit (a.s.). Sa i përket Vereka ibnu Nufejlit, ai u bë i krishter.

Ndërkaq Abdullah ibnu Xhahshi dhe Othman ibnu El Harithi nuk arritën gjë.

Sa i përket Zejd ibnu Amër ibnu Nufejlit, për të është tre­gi­mi të cilin do ta na rrëfejë në vazhdim.

Zejdi thotë:

“U ndala te Judaizmi dhe Krishterimi dhe i hodha poshtë, pasi nuk gjeta gjë diçka që ma qetëson shpirtin. Unë zura të hulumtoj për komunitetin religjioz të Ibrahimit (a.s.) në vende të ndryshme, gjersa arrita në Siri. Atje një prift më përmendi një pjesë nga Libri i Shenjtë. Unë shkova tek ai dhe ia tregova hallin tim, e ai më tha:

‑ Siç po vërej, t’i dëshiron të dish diçka nga feja e Ibrahimit, o vëlla mek‑kas.”

Unë i thashë:

- Po, këtë gjë kërkoj.

Ai tha:

- Ti po e kërkon një fe e cila sot nuk ekziston, por shko në vendin tënd, se Allahu do të dërgojë nga populli yt një njeri që do ta përtërijë fenë e Ibrahimit dhe nëse e bashkëjeton, mos iu nda atij njeriu.

Zejdi u nis për t’u kthyer në Mekë, përfundimisht, duke shpej­tuar hapat e tij në kërkim të Pejgamberit të premtuar.

Derisa rrugëtonte, Allahu e dërgoi Pejgamberin e Vet, Muhamme­din a.s., për t’i thërritur njerëzit në fenë e udhëzimit dhe të së vërte­tës, por Zejdi nuk e takoi atë, ngase atij i doli në rrugë një grup arabësh dhe e vrau para se të arrijë në Mekë. Atij i skuqeshin sytë nga dëshira e flaktë për të parë të Dërguarin e Allahut. Ndërsa Zejdi nxirrte frymën e tij të fundit, ktheu shikimin nga qielli dhe tha:

*  *  *

“O Zoti im, nëse më privove mua nga kjo dhunti, mos e privo bi­rin tim, Seidin!”

Deshi Allahu i Madhëruar që t’i përgjigjet lutjes së Zejdit dhe, posa ia filloi i Dërguari i Allahut t’i ftojë njerëzit në fenë islame, Sei­di u gjend në grupin e atyre që besuan në Allahun dhe dëshmuan misionin e Pejgamberit të Tij.

S’është çudi, posi Seidi u rrit në një shtëpi që e urrente atë që i kishte çuar kurejshitët në humbje. Ai u edukua në prehrin e ba­bait, i cili e çoi jetën duke kërkuar të vërtetën.

Ai vdiq i etshëm, duke ngarendur pas të vërtetës.

Fenë islame nuk e pranoi vetëm Seidi, por edhe gruaja e tij Fa­ti­me bint El Hattabi, e motra e Omer ibnul Hattabit.

Djaloshi kurejshit përjetoi keqtrajtime nga fisi i tij, veprime kë­to të cilat nuk ishin të denja për ta larguar nga feja e vet. Në vend që ta largojnë atë nga feja islame, ai dhe grua­ja e tij arritën të nxjerrin nga radhët e kurejshëve një njeri më të rëndë nga pesha dhe më të rrezikshëm...

Që të dy ishin shkaktarë që Omer ibnul Hattabi të pranojë fe­në islame. Seid ibnu Amri e vuri në shërbim të fesë islame tërë ener­gjinë djaloshare, ngase ai pranoi fenë në kohën kur ende nuk i kish­te mbushur të njëzetat. Ai mori pjesë me të Dërguarin e Allahut në të gjitha luftërat, përveç Luftës së Bedrit. Mungoi nga kjo luftë meqë du­hej të kryente një detyrë që i kishte caktuar Pejgamberi a.s.

Ai mori pjesë me muslimanët në operacionin luftarak për për­mbys­jen e fronit të Kisra’së dhe shpartallimin e pushtetit të tij.

Mbase beteja më e shkëlqyeshme që  zhvilloi ai ishte ajo e Jer­mukut. Pra, në vazhdim, po citojmë një fjalë të tij, ku rrëfen për një pjesë të ngjarjes së asaj dite.

Seid ibnu Amër ibnu Nufejl thotë:

- Në e Betejën e Jermukut ne ishim njëzet e katër mijë veta, apo afro njëzet e katër mijë. Bizantinët na dolën përpara me një­qind e njëzet mijë luftëtarë. Ata afroheshin në drejtim tonin me hapa të rëndë, thuase brigjet po lëkundeshin nga ca duar të fu­qishme misterioze. Para tyre ecnin peshkopët, patrikët dhe prif­të­rinjtë duke mbajtur kryqa dhe duke kënduar psalme, të cilët i për­cillte ushtria, zëri i së cilës jehonte si të ishte zë i murmurimës!

Kur muslimanët i panë ata në këtë gjendje, u rrënqethën nga ma­si­­viteti i tyre dhe në zemrat e tyre hyri një lloj frike. Me atë rast, Ebu Ubejde ibnul Xherr‑rrahu zuri t’i nxisë muslimanët për të luftuar dhe tha:

“O ju robër të Zotit! Ndihmoni Zotin, e Ai ju ndihmon juve dhe ju forcon pozicionet tuaja...

O ju robër të Zotit! Keni durim, se durimi ju shpëton nga mo­s­besimi, ju ofron te kënaqësia e Zotit dhe ju mbron nga sjelljet e turpshme. Pra, hidhni shtizat, vëni mburojat dhe mos flitni fjalë tje­tër përveç lutjes së Zotit xh.sh. në heshtje, gjersa t’ju urdhëroj, në dashtë Allahu.”

Seidi shton:

- Me atë rast doli një njeri nga radhët e muslimanëve dhe i tha Ubejdes.

‑ Unë kam vendosur të vdes në këtë çast. A ke ndonjë mesazh t’ia dërgosh të Dërguarit të Allahut?!

Po, t’ia kumtosh mesazhin prej meje dhe muslimanëve dhe ti thuash: O i Dërguari i Allahut! Përnjëmend ne kemi gjetur atë që na e ka premtuar Zoti ynë’ i tha Ebu Ubejda.

Seidi vazhdoi:

- Me të dëgjuar fjalën e tij dhe kur pashë se si po e tërhiqte shpa­tën dhe si shkonte për t’u ballafaquar me armiqtë e Zotit, unë u hodha rrufeshëm në tokë dhe rashë në gjunjë. Hodha shtizën time dhe godita kalorësin e parë që u afrua, pastaj iu vërsula armikut, e Allahu më hoqi çdo frikë që kisha në zemër. Muslimanët nisën luf­tën kundër bizantinëve dhe luftuan vazhdimisht gjersa Allahu ua mun­dësoi muslimanëve ta përfundojnë luftën me fitore.”

Seid ibnu Zejdi mori pjesë edhe në çlirimin e Damaskut. Duke qenë se muslimanët e respektonin Seidin, Ebu Ubejde e emëron guvernator të Damaskut. Ai njëherazi ishte guvernatori (veliu) i parë musliman i Damaskut.

Në kohën e Emevive, Seid ibnu Zejdit i ndodhi një ndodhi për të cilin medinasit zunë të flasin një kohë të gjatë. Kjo ndodhi ngjau për arsye se Ervaja, e bija e Uvejsit, mendoi se ibnu Zejdi kishte uzurpuar një pjesë të tokës së saj. Ajo zuri ta përmend këtë në mesin e muslimanëve dhe fliste vazhdimisht lidhur me të. Pastaj këtë çështje e paraqiti te Mervan ibnul Hakemi dhe në Medinë. Lidhur me këtë rast Mervani i dërgoi Seidit njerëz që të merren vesh për këtë çështje.

Shokut të të Dërguarit të Allahut i vinte vështirë ta zgjidhte këtë problem dhe u tha njerëzve:

- Po thonë se i bëj të padrejtë asaj!!?

Si t’i bëj të padrejtë?!

Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë:

“Kush me të padrejtë ia merr njeriut një pëllëmbë të tokës së tij, atij njeriu do t’i lidhet një zinxhir në fyt dhe do të shafitet shtatë pash në dhé Ditën e Gjykimit.”

O Allah! Ajo ka supozuar se i kam bërë të padrejtë, nëse ajo gënjen, verboja sytë dhe hidhe në gropën e saj, të cilën e konteston, nxirre të drejtën në shesh, që muslimanët ta dinë se unë nuk i kam bërë asaj padrejtësi!

Pas pak kohe vërshoi lugina “Akik” me një vërshim si kurrënjë­herë më parë dhe u duk megja që kontestohej nga të dy dhe u pa se Seidi ishte i drejtë.

Nuk kaloi më shumë se një muaj kur gruaja u verbua.

Ndërsa sillej rreth tokës së saj, ajo ra në pusin e saj.

Abdullah ibnu Omeri ka thënë:

Kur ne ishim të rinj, dëgjonim një njeri kur i thoshte tjetrit:

“Allahu t’i verboftë sytë siç e ka verbuar Ervanë”

Kjo edhe s’është çudi, meqë Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Kini frikë prej lutjes së njeriut ndaj të cilit është bërë e padrejta, se në mes tij dhe Allahut nuk ka perde.”

E si mos të jetë kjo kështu, kur i mizoruari është Seid ibnu Zej­di, njëri ndër dhjetë personat e përgëzuar me xhenet!

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Arif Emini

UMEJR IBNU SA’DI

umejr_ibnu_sadi mesoislamin.com

UMEJR IBNU SA’DI - (1)

“Të rrallë janë njerëzit si Umejr Ibnu Sa’di.”

(Omer ibnul Hattabi)

Qysh në fëmijërinë e tij të hershme, Umejr ibnu Sa’d El Ensariu e shijoi gotën e hidhur të jetimërisë (bonjakërisë) dhe të varfërisë. Babai i vdiq pa i lënë kurrfarë pasurie apo dikë që të kujdeset për të. Mirë­po, nuk vonoi shumë dhe nëna e tij u martua me një të pasur nga fisi Evs,[1]me Xhulase ibne Suvejdin, i cili pranoi të përkujdeset për Umejrin dhe e afroi pranë vetes.

Sjelljet i mira dhe ndjenjat fisnike të Xhulases bënë që Umejri sado pak të harrojë se është jetim. Ai e deshi Xhulasen, siç do i biri babanë, por edhe Xhulaseja ushqente dashuri të madhe ndaj tij, si babai ndaj fëmijës së vet.

Sa vinte e rritej Umejri, dashuria dhe përkujdesi i Xhulases ndaj tij gjithnjë vinte e shtohej, sepse ai në të shihte shenjat e men­dje­mprehtësisë, pjekurisë dhe virtytet e besnikërisë e të sinqeritetit në çdo punë e sjellje.

*  *  *

Që fëmijë ‑ vetëm sa i kishte kaluar të dhjetat, Umejr Ibnu Sa’di përqafoi fenë islame. Imani zuri vend në zemrën e njomë të këtij djaloshi dhe u mishërua thellë në shpirtin e tij të pastër.

Edhe pse i ri, kurrë nuk vonohej që të falte namazin pas Resu­lullahit. Nënës së tij i bëhej zemra mal nga gëzimi kur e shihte të birin tek shkonte e vinte nga xhamia, herë vetëm e herë me të shoqin e saj.

 

*  *  *

Mirëpo, deshi Zoti xh.sh. që ta sprovojë zemrën dhe imanin e këtij djaloshi të ri me një sprovë të rëndë e të vështirë, të cilën rrallë kush prej mocanikëve të tij do të mund ta përballonte.

Në vitin 9 h. (hixhrijj), i Dërguari i Zotit vendosi t’iu kundër­vë­het romakëve në Tebuk[2] dhe thirri të gjithë muslimanët në mobi­li­zim të përgjithshëm. Gjatë luftërave të mëparshme Pejgam­beri a.s. gjithmonë e mbante të fshehtë kahun dhe drejtimin, përv­eçse në rastin e Tebukut. Ai e shpalli këtë botërisht për shkak të largësisë së madhe, vështirësive të udhëtimit dhe forcës së madhe të armikut.

Këtë e bëri me qëllim që njerëzit të mendojnë më shtruar dhe  të vendosin ve­të për këtë çështje.

Edhe përkundër thatësisë së madhe e cila mbretëronte atë ve­rë, e cila sapo kishte hyrë, saqë edhe frytet ishin tharë nga vapa për­cë­lluese, muslimanët me të madhe iu përgjigjën thirrjes së Pej­gamberit a.s. dhe filluan të përgatiten për këtë luftë me të gjitha mundësitë e tyre.

Mirëpo, në anën tjetër, një grup munafikësh në­për ndejat e tyre flisnin fjalë të liga kundër Resulullahut dhe në çdo mënyrë mundoheshin ta dobësonin dhe të thyenin moralin e ushtrisë muslimane duke futur dyshim në suksesin e kësaj lufte.

Në njërën prej këtyre ditëve që i paraprinë shku­arjes së ushtri­së muslimane, Umejr ibnu Sa’di u kthye në shtëpi pas faljes së nama­zit, e fytyra i shkëlqente si drita (nuri) nga të gjitha ato pamje të sakrificës dhe vetëmohimit të rrallë të muslimanëve, të cilat i kishte parë e dëgjuar me sytë dhe veshët e tij.

...I kishte parë gratë e ensarëve dhe muhaxhirëve tek vinin te Pejgamberi a.s. për t’i dhuruar hallhallet dhe stolitë e tyre, që me to të përgatitet ushtria muslimane. Kishte parë Osman ibnu Affanin r.a. duke sjellë para Pejgamberit a.s. një qyp me 1000 (një mijë) dinarë ari.

Kishte qenë dëshmitar edhe i faktit kur Abdurrahman ibnu Avfi solli para Pejgamberit a.s. 200 (dyqind) okë ari. Madje kishte parë një njeri që kishte nxjerrë në shitje edhe mbulojën e fjetjes, vetëm e vetëm që me çmimin e saj të blejë një shpatë për të luftuar në rrugën e Allahut.

Umejri i vogël filloi t’i rikthejë edhe njëherë në kujtesën e tij këto pamje të rralla dhe çuditej me ngadalësinë dhe ngathtësinë e Xhulases tek përgatitej për udhëtim me Resulullahun, edhe përkun­dër mundësive dhe pasurisë së tij. Mu për këtë shkak Umejri dëshi­ronte ta nxiste kërshërinë dhe vullnetin e Xhulases dhe filloi t’i rrëfe­jë atij për atë që kishte parë e dëgjuar, e sidomos për atë grupin e muslimanëve të cilët, nga pamundësia për të blerë armë, e lutnin Pejgamberin a.s. me lot në sy që t’i marrë edhe ata me vete në luf­të. Mirëpo, Pejgamberi a.s., i kishte refuzuar vetëm pse s’kishte kaf­shë mbartëse për të gjithë.

Ndërsa Xhulaseja, pasi e dëgjoi Umejrin deri në fund, lëshoi nga goja e tij një fjalë që e hutoi dhe e stepi në vend djaloshin besimtar...

Ai tha: “Nëse është Muhammedi i sinqertë në preten-dimin e tij se është pejgamber, atëherë ne jemi edhe më të këqinj se gomerët.”

*  *  *

Umejri, i shtanguar nga habia, nuk u besonte veshëve të tij për atë që dëgjoi. Nuk ia merrte mendja se nga goja e një njeriu të mo­shuar e të mençur si Xhulaseja mund të dalin këso fjalë, të cilat e nxjerrin njeriun atypëraty (hëpërhë) nga imani në kufër (mos­besim) të vërtetë.

...Ashtu siç i zbërthen me shpejtësi problemet e ndërlikuara ma­tematikore  llogaritësi i saktë elektronik, ashtu edhe truri i Umejrit filloi të hulumtojë e të mendojë se çfarë të bëjë...

‑ Nëse hesht dhe e mbulon atë që tha Xhulaseja, atëherë ajo do të ishte tradhti ndaj Allahut xh.sh. dhe ndaj Pejgamberit a.s. dhe njëherazi edhe dëmtim i Islamit, ndaj të cilit hipokritët po planifiko­nin kurthe, intriga e komplote të ndryshme.

‑ E nëse e shfaq dhe i përcjell fjalët e tij te Pejgamberi a.s., atë­herë kjo do të ishte padëgjueshmëri dhe gjest i mosmirënjohjes ndaj njeriut të cilin e kishte si në vend të babait. Do të ishte “shpër­blim” me të keq për të mirat e Xhulases ndaj tij, sepse Xhulaseja ishte ai që e mori në përkujdesje kur ishte jetim, e nxori nga varfëria në pasuri dhe ia kompensoi humbjen e dashurisë atërore.

Para djaloshit ishin vetëm dy zgjidhje: cilën të zgjedhë prej dy të hidhurave?!... Vendosi me shpejtësi dhe u kthye nga Xhulaseja e i tha: - Për Zotin, o Xhulase, nuk ka për mua njeri më të dashur se ti në fytyrën e tokës pas Muhammedit a.s. Ti je njeriu më i shtrenjtë, më i afërt dhe më mirëbërësi ndaj meje, por the një fjalë që, nëse e përmend do të të turpërojë para njerëzve, e nëse e mbaj, atëherë do ta tradhtoj amanetin, shpirtin dhe fenë time. Prandaj, dije se unë kam vendosur që të shkoj tek i Dërguari i Zotit dhe do ta lajmëroj për atë që the.

*  *  *

Umejri i vogël shkoi në xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe e lajmë­roi atë për fjalët që i dëgjoi nga Xhulaseja. Kur i dëgjoi Muhammedi a.s. këto fjalë e ndali Umejrin pranë vete dhe e dërgoi njërin prej shokëve të tij që të thërrasë Xhulasen.

Nuk vonoi shumë e ia behu Xhulaseja dhe pasi, e përshëndeti Pejgamberin, u ul para tij.

Ç’janë këto fjalë që ka dëgjuar Umejri prej teje, o Xhulase?! ‑ e pyeti Pejgamberi a.s.

Ka gënjyer dhe ka shpifur ndaj meje, o i Dërguar i Zotit, se prej gojës sime kurrë nuk kanë dalë fjalë të tilla ‑ ia ktheu ai.

Atëherë sahabët filluan t’i drejtojnë shikimet e tyre herë nga Xhu­la­seja e herë ka Umejri, sikur dëshironin të lexonin në shenjat e fytyrave të tyre atë që fshehnin në zemra.

Filluan të përshpërisin e njëri prej tyre i tha “dja­lë mosmirënjohës që të mirën e kthen me të keqe.” Kurse të tje­rët thonin: ‑ Jo, por djalë që është rritur në respektin ndaj Allahut, sepse shenjat e fytyrës së tij flasin se ai thotë të vërtetën.

Pejgamberi a.s. u kthye nga Umejri dhe vërejti se fytyra i ishte skuqur e tëra nga gjaku që po i vlonte dhe nga sytë lotët i pikonin pa­ndër­prerë duke iu ravijëzuar nëpër mollëzat e faqeve të tij dhe thosh­­te: “O Allah, zbriti të Dërguarit tënd sqarimin e asaj që tha­shë!...O Allah, zbriti të Dërguarit tënd sqarimin e asaj që thashë!”...

Kur e pa tërë këtë skenë, Xhulaseja u trimërua edhe më shumë dhe tha: - O i Dërguar i Zotit! Ajo që të thashë unë, ‑ ajo është e vër­teta. Nëse ke dëshirë, ne mund edhe të betohemi para teje, e unë të betohem në Allahun se nuk kam thënë asgjë nga ajo që ta ka përcjellë Umejri.

...Ende pa i mbaruar mirë Xhulaseja këto fjalë dhe kur shikimet e njerëzve filluan të drejtohen kah Umejr Ibnu Sa’di, Pejgamberin a.s. e kaploi një kotje. Shokët e tij e kuptuan se është duke i zbritur Vahji (Shpallja), prandaj menjëherë zunë vendet e tyre për të pritur se çka do t’u komunikojë i Dërguari a.s. nga ana e Allahut xh.sh.

Në këtë çast frika dhe të dridhurat filluan ta kaplojnë Xhulasen, kurse Umejrit ndjenjat e ngrohta të kënaqësisë filluan t’i përshkoj­në tërë trupin.

Atëherë Pejgamberi a.s. komunikoi Fjalët e Allahut xh.sh:  

“Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë (asgjë të keqe), e në të vërtetë, kanë thënë fjalë të kufrit (mosbesimit) dhe, pasi që patën shprehur besimin, ata e mohuan dhe u përpoqën për atë (mbytjen e Pejgamberit) që nuk e arritën. Ata nuk urrejnë për tje­tër pos pse Allahu nga mirësitë e Tij dhe i Dërguari i Tij i be­gatoi ata. Nëse ata pendohen, do të jetë më mirë për ta, e nëse re­fuzojnë, Allahu i dënon me një dënim të dhembshëm, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. E në këtë rruzull të tokës nuk ka për ta as mbrojtës e as ndihmës.” (Et‑Teube: 74)

Xhulaseja kur e dëgjoi këtë ajet, u drodh, u trishtua dhe gati iu lidh gjuha në nyjë nga frika e pastaj u kthye nga i Dërguari a.s., duke thënë: ‑ Por po pendohem o i Dërguar i Allahut, po pendo­hem...se Umejri e tha të vërtetën, o Pejgamber i Zotit, e unë isha prej gënjeshtarëve, prandaj lute Zotin që të ma pranojë pendimin, kurban u bëfsha për ty!

Në këtë çast i Dërguari i Zotit u kthye nga djaloshi i ri, Umejr ibnu Sa’di, dhe pa se lotët e gëzimit i kishin mbuluar fytyrën, e cila po ndriçonte e tëra nga nuri i imanit. E zgjati dorën e tij të bekuar kah veshi i tij dhe, pasi e lëmoi me butësi, tha: “Vesh besnik, atë që e dëgjove me veshët e ty o djalosh, atë ta vërtetoi Allahu xh.sh.” Ndërsa Xhulaseja pas pendimit u kthye dhe e përmi­rësoi Islamin e tij. Sahabët e dinin mirë gjendjen e tij, ngase kishte qenë gjithmonë bamirës e zemërgjerë, si ndaj Umejrit ashtu edhe ndaj të tjerëve. E sa herë që përmendej Umejri, ai thoshte: - Allahu e shpërbleftë me të mira në vendin tim, se ai më shpëtoi nga kufri (mosbesimi) dhe zjarri i xhehenemit.

*  *  *

Nuk është vetëm ky rast i vetmi dhe më i ndritshmi në jetën e djaloshit, Umejr ibnu Sa’d. Të tillë gjatë jetës së tij pati edhe shumë e shumë të tjerë.

...E tani, mirupafshim me Umejr ibnu Sa’din, në rininë e tij...


UMEJR IBNU SA’DI - (2)

“ Sa do të dëshiroja të kem pranë vetes njerëz si Umejr ibnu Sa’di, që të më ndihmojnë në çëshjet e muslimanëve.”

(Omer ibnul Hattabi)

Në pjesën e parë ishim dëshmitarë të një pamjeje të rrallë e të ndritshme nga jeta e sahabit të njohur, ‑ Umejr ibnu Sa’dit, në fëmi­jërinë e tij, e tani eja të shohim një pamje tjetër të ndritshme gja­të jetës së tij në moshën madhore. Edhe ju do të shihni se ngjarja e dytë nuk është aspak më e zbehtë sesa e para...

*  *  *

Banorët e Himsit ishin gjithmonë të pakënaqur me udhëhe­që­sit e tyre dhe ankoheshin vazhdimisht për ta. Sa herë u vinte ndonjë vali i ri, përpiqeshin t’ia gjejnë ndonjë të metë apo dobësi dhe menjëherë kërkonin prej halifes së muslimanëve që ta ndërrojë atë me ndonjë tjetër.

Omeri r.a. vendosi që të dërgojë atje një vali të cilit nuk do të mund t’i gjenin asnjë vërejtje a dobësi. Thirri pranë vetes njerëzit më të afërt të tij dhe nuk gjeti në mesin e tyre më të mirë e më të përshtatshëm për këtë çështje sesa Umejr bin Sa’din.

Atëbotë, Umejri gjendej në luftë në krye të ushtrisë muslimane, diku në tokat e Shamit, duke çliruar kështjellë pas kështjelle, qytet pas qyteti dhe duke nënshtruar fiset dhe popujt e atjeshëm. Në çdo tokë të çliruar ndërtonte nga një xhami.

Megjithatë, edhe përkundër kësaj, emiri i muslimanëve, ‑ Omeri r.a., e thirri Umejrin nga vija e frontit, e caktoi vali mbi provincën e Himsit dhe e urdhëroi që të shkojë atje.

Umejri e pranoi këtë me përtesë dhe pa dëshirë, sepse nuk pre­feronte asgjë më tepër në këtë botë sesa xhihadin në rrugën e Allahut xh.sh. Megjithatë, iu nënshtrua urdhrit të eprorit të vet.

*  *  *

Kur arriti Umejri në Hims e thirri tërë popullin në një namaz të përbashkët në xhami. Kur u krye namazi, pasi falënderoi Allahun xh.sh. dhe dërgoi salavate mbi Pejgamberin a.s., iu drejtua të pranishmëve me fjalët: ‑ O ju njerëz! Islami është një kështjellë e pamposhtur dhe derë e pathyeshme. Kështjella e Islamit është drej­tësia dhe dera e tij është e vërteta. Nëse kjo kështjellë dridhet e lë­kun­det dhe thyhen dyert e saj, atëherë shkatërrohet mburoja e kësaj feje. Mirëpo, Islami do të jetë gjithmonë i pathyeshëm, për­derisa sunduesi (udhëheqësi) të jetë i ashpër dhe i paluhatshëm. E ash­përsia e sunduesit nuk është as goditja me kamxhik e as mbytja me shpatë, por veprimi me drejtësi dhe fjalë të vërteta.”

Pas këtij fjalimi Umejri filloi menjëherë punën në realizimin e asaj që tha në hytben e tij të shkurtër.

*  *  *

Umejr ibnu Sa’di gjatë një viti të plotë sa qëndroi në Hims, as­njëherë nuk i shkroi halifes së muslimanëve dhe nuk dërgoi asnjë dërhem në arkën shtetërore (Bejtul Mal). Kjo e shtyri Omerin r.a., që të dyshojë pak në të, sepse konside-ronte se përveç Pejgamberit a.s. nuk ka njeri të pagabueshëm në këtë aspekt, prandaj e urdhëroi këshilltarin e vet që t’i shkruajë letër Umejrit dhe t’i thotë: “Kur të të arrijë kjo letër e emirit të muslimanëve, lëshoje Himsin dhe eja në Medinë. Me vete merr edhe tërë atë që ke mbledhur për arkën shtetërore.

Umejrit i arriti në dorë letra e Omerit r.a. (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të dy). Kur e lexoi përmbajtjen e saj menjëherë filloi të përgatitet për udhëtim. Hodhi mbi supe shtambën e ujit, pak ush­qim, një enë për të marrë abdest dhe u nis këmbë për në Medinë, duke lënë pas vetes Himsin dhe banorët e tij.

Gjatë udhëtimit të tij të gjatë e të mundimshëm për në Me­dinë, nga vapa e madhe përcëlluese, qe lodhur e cfilitur i tëri. Trupi i qe dobësuar dhe flokët i ishin rritur, saqë shenjat e mundimeve të rrugës e të udhëtimit vëreheshin shumë lehtë tek ai.

Kur hyri tek Omeri r.a., ky u habit nga gjendja e tij e rëndë dhe i tha:

Ç’’e mirë të ka gjetur, o Umejr?!

Asgjë o emiri[3] i muslimanëve. Jam shëndosh e mirë dhe për këtë e falënderoj Allahun xh.sh. Me vete kam tërë dynjanë dhe e sjell nga të dua ‑ia ktheu Umejri.

E çka ke nga dynjaja? ‑ e pyeti prapë Omeri r.a., duke men­duar se me vete ka sjellë pasuri për arkën shtetërore.

Kam një strajcë në të cilën kam futur gjërat e nevojshme të udhë­timit, një enë në të cilën ha bukë dhe një shtambë me ujë për të pirë nga ajo dhe për të marrë abdest. Këto janë kënaqësia ime në këtë botë, e për gjëra të tjera nuk kam nevojë ‑ tha Umejri.

Erdhe në këmbë? ‑ e pyeti Omeri r.a.

Po, o emiri i muslimanëve ‑ ia ktheu ai.

Përse nuk erdhe prej Himsit hipur në ndonjë kafshë?

As nuk ma dhanë e as nuk ua kërkova.

Ku është pasuria që ke sjellë për arkën shtetërore? ‑ pyeti Omeri r.a.

Nuk solla asgjë, ia ktheu prapë ai.

E përse?! ‑ u habit Omeri r.a.

‑ Sepse kur arrita në Hims, - tha ai, - i mblodha njerëzit më të ndershëm e më besnikë dhe ua besova mbledhjen e të mirave. Sa herë që tubonin diçka, i këshilloja që ta ndajnë atë me drejtësi, aty ku ndihej nevoja më e madhe.

Kur i dëgjoi Omeri r.a. të gjitha këto, i tha këshilltarit të vet: “Ripërtërija Umejrit edhe një mandat të valiut mbi provincën e Himsit!”

Ruana Zot! ‑ tha ai, - këtë nuk e pranoj dot kurrë, sepse dëshira ime e vetme është që t’i përkushtohem në qetësi jetës dhe ibadetit tim ndaj Allahut xh.sh.

...Pas këtyre fjalëve kërkoi leje që të shkojë në fshatin e tij në periferi të Medinës, pranë gjirit familjar... dhe iu lejua.

*  *  *

Nuk kaloi shumë kohë prej shkuarjes së Umejrit në fshat dhe Omeri r.a., deshi ta sprovojë edhe njëherë shokun e tij, që të bindet në drejtësinë dhe saktësinë e fjalëve të tij.

Shko si mysafir në shtëpinë e Umejr ibnu Sa’dit! ‑ i tha Omeri r.a., njërit prej të besuarve të tij, të quajtur Harith.

- Nëse sheh she­­nja të begatisë dhe jetesës së mirë, kthehu ashtu siç shkove, e nëse sheh mjerim dhe gjendje të vështirë, atëherë jepja këta 100 dinarë.

...Harithi shkoi në fshatin e Umejrit dhe pyeti bashkëfshatarët për shtëpinë e tij. Kur e takoi i tha: - Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty!

- Gjithashtu, qoftë edhe mbi ty! ‑ ia ktheu Umejri dhe e pyeti Harithin se prej nga po vjen.

Nga Medina ‑ iu përgjigj Harithi.

‑ Si i le besimtarët?

‑ Mirë.

Po si është emiri i muslimanëve?

‑ Shëndosh e mirë.

‑ A iu përmbahet rregullave të Islamit?

‑ Posi ‑ ia ktheu Harithi, - madje para disa kohësh e ka rrahur të bi­rin e tij për shkak të një mëkati që bëri, derisa vdiq nga goditjet.

Atëherë Umejri tha: ‑ O Allah! Ndihmoji Omerit, sepse e di që ai ka dashuri të madhe ndaj Teje.

*  *  *

Harithi qëndroi si mysafir në konakun e Umejr ibnu Sa’dit tri net, e çdo natë për ushqim kishin vetëm bukë të thatë elbi. Në ditën e tretë një bashkëfshatar i tha Harithit: ‑ Dije se je duke e ngush­tuar Umejrin dhe familjen e tij. A nuk e sheh se s’kanë asgjë para vete përveç kësaj buke të thatë elbi me të cilën po të nderojnë ty? Ata janë duke vuajtur e duruar urie, prandaj, nëse ta merr mendja të largohesh nga ata, atëherë urdhëro e eja tek unë.

*  *  *

Pas këtyre fjalëve, Harithi nxori nga xhepi të 100 dinarët dhe ia lëshoi në dorë Umejrit.

Ç’janë këto të holla? ‑ pyeti i habitur Umejri.

‑ T’i ka dërguar emiri i muslimanëve ‑ ia ktheu Harithi.

Ktheja prapë Omerit, përshëndete nga ana ime dhe thuaj: Umejri nuk ka nevojë për to.

Merri, o Umejr! ‑ i tha bashkëshortja e tij, me zë paksa si të lar­të. - Nëse të nevojiten, shpenzoji e nëse jo, atëherë shpërndajua aty­re që kanë nevojë, se të tillë ka shumë këtu.

Kur i dëgjoi Harithi fjalët e saj, i hodhi të hollat para Umejrit dhe u largua. Umejri i mori të hollat, por atë natë nuk vuri gjumë në sy, derisa i shpërndau të gjitha, te të varfërit, duke i veçuar po­sa­çërisht fëmijët e dëshmorëve.

Pasi u kthye Harithi në Medinë, Omeri r.a. e pyeti:

Çfarë pe, o Harith?

Gjendje të rëndë e të mjerueshme, ‑ ia ktheu ai.

A ia le të hollat?

Po, emirul mu’minin.

Çfarë bëri me to? ‑ pyeti prapë Omeri r.a.

Nuk di ‑ iu përgjigj Harithi, - por nuk besoj se do ta ndalë për vete asnjë dërhem.

Atëherë Omeri r.a. i shkroi Umejrit dhe i tha: - Kur të arrijë kjo letër imja, eja patjetër në Medinë!

*  *  *

Umejri ia mësyu Medinës dhe shkoi drejt tek Omeri r.a., i cili e përshëndeti me mirëseardhje dhe i tha:

Ç’bëre me ato të holla, o Umejr?

Përse më pyet për to, pasi vetë m’i dhurove? ‑ ia ktheu Umejri.

Pikërisht për këtë të kam ftuar ‑ i tha Omeri r.a., dhe dua ta di se ç’bëre me to?

“I deponova” për vete, që të kem dobi prej tyre në atë ditë kur nuk do të vlejnë as pasuria e as fëmijët.

Nga këto fjalë të prekshme Omerit r.a. iu mbushën sytë me lot dhe tha: “Dëshmoj se je prej atyre që më tepër dëshirojnë t’u bëj­në mirë të tjerëve sesa vetes, edhe pse vetë kanë nevojë për ndih­më”, dhe urdhëroi që Umejrit t’i jepet një sasi e konsiderueshme ushqimi dhe dy palë rroba.

Sa për ushqim, ne nuk kemi nevojë për të, o emiri i muslimanëve. Në shtëpi kam lënë dy teneqe elb, e derisa ta hamë atë, shpresoj se ndërkohë Allahu do të na furnizojë, kurse sa i përket rrobave ato do t’i marr për bashkëshorten time, sepse i janë vjetë­ruar e grisur plotësisht petkat.

*  *  *

Nuk kaloi shumë kohë prej këtij takimi të Omerit r.a. dhe sho­kut të tij dhe Allahu xh.sh. e mori Umejrin pranë fqinjësisë së Tij të përjetshme dhe afër Pejgamberit a.s., për të cilin i digjej zemra dhe aq fort e kishte marrë malli ta shohë.

Umejri kaloi në botën e amshueshme (ahiret) ‑ shpirtqetë e i pabrenga, duke mos e rënduar veten me asnjë barrë të kësaj bote. Kaloi në ahiret e me vete s’mori asgjë përveç dritës, udhëzimit, dlirë­sisë dhe devotshmërisë së tij.

Kur Omeri r.a. dëgjoi për vdekjen e tij u prek thellë dhe i pi­këlluar tha: “Sa do të dëshiroja që të kem pranë vetes njerëz si Umejr ibnu Sa’di që të më ndihmojnë në çështjet e muslimanëve.”

*  *  *

‑ Allahu xh.sh. qoftë i kënaqur me Umejr ibnu Sa’din...

‑ Ishte shembull i rrallë në mesin e as‑habëve... dhe

‑ Nxënës i shkëlqyeshëm “në shkollën” e Muhammedit a.s.



[1] Njëri nga dy fiset e mëdha arabe që banonin në Medinë, të cilët së bashku me fisin tjetër Hazrexhin, e morën të Dërguarin e Allahut nën mbrojtjen e tyre.

[2] Vend afër kufirit të sotëm saudito‑sirian, në të cilin u zhvillua njëra ndër luftërat më të njohura e më të ashpra ndërmjet muslimanëve dhe romakëve.

[3] Emir ‑ Prijës i muslimanëve (halife)

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Sabri Bajgora

ABDURRAHMAN IBNU AVFI

abdurrahman_ibnu_avfi mesoislamin.com

ABDURRAHMAN IBNU AVFI

“Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka solle... dhe Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka ndale (për familjen tënde).”

(Nga duaja Pejgamberit a.s. për të)

‑ Ky është njëri prej tetë të parëve që përqafuan fenë islame...

‑ Njëri prej të dhjetëve të përgëzuar me xhenet..

‑ Njëri prej gjashtë sahabëve që morën pjesë në konsultim në ditën e zgjedhjes së halifes së muslimanëve pas vdekjes (vrasjes) së Omerit r.a., dhe

‑ Njëri prej atyre që jepnin “fetva” ‑ në Medinë dhe i Dërguari i Allahut ende i gjallë në mesin e muslimanëve...

Para shpalljes (në kohën e injorancës) quhej Abde Amrin, e pasi e përqafoi fenë islame Pejgamberi a.s. e quajti Abdurrahman. 

*  *  *

Ky pra është Abdurrahman ibnu Avfi r.a., - Zoti qoftë i kënaqur me të. Fenë islame e pranoi vetëm dy ditë pas Ebu Bekrit r.a. dhe pak para se të hyjë i Dërguari i Allahut xh.sh. në shtëpinë e Erkamit.[1]

I përjetoi mundimet dhe torturat më të mëdha, vetëm për hir të fjalës së Allahut, ashtu siç i përjetuan edhe muslimanët e parë, por ishte i qëndrueshëm, duroi dhe nuk u ligështua, sepse ishte i sinqertë në besimin e tij. Pas gjithë këtyre peripecive, u detyrua që të shpërngulet në Abisini së bashku me shumë muslimanë të tjerë, vetëm e vetëm që ta ruajë fenë dhe fjalën e Allahut xh.sh. E pasi të Dërguarit a.s. iu lejua hixhreti në Medinë, ishte në grupin e muhaxhirëve të parë që u shpërngulën atje.

Kur Pejgamberi a.s. filloi t’i vëllazërojë muhaxhirët (mekasit) dhe ensarët (medinasit), atë e vëlla­zëroi me Sa’d ibnu Ebi Rebian r.a. Pas disa kohe, Sa’di i tha Abdurrahman ibnu Avfit: - O vëllai im Unë jam ndër më të pasurit e Medinës. I kam dy bahçe, urdhëro e shiko se cila po të pëlqen dhe merre!

‑ “Abdurrahmani i tha vëllait të vet: Allahu të dhëntë bereqet e të begatoftë në pasurinë tënde, por të lutem ma trego tregun më të afërt... Ai filloi të tregtojë, të shesë, të blejë, të fitojë dhe ta shto­jë pasurinë. Pas një kohe të shkurtër e përgatiti “mehrin” – dhu­ratën e nusërisë, u martua dhe i kënaqur e i disponuar shkoi te Pejgamberi a.s.

Ç’kemi të re? ‑ e pyeti Pejgamberi a.s.

- U martova ‑ tha Abdurrahmani.

E çfarë i dhurove bashkëshortes si “mehër”? ‑ pyeti prapë Resulullah.

I dhurova peshën e 5 dërhemëve të arit ‑ ia ktheu ai.

Atëherë Pejgamberi a.s. u lut për të duke thënë: - Allahu të begatoftë në pasurinë tënde...

Prej atij momenti ‑ thotë Abdurrahman ibnu Avfi ‑ m’u hapën dyert e të mirave të kësaj bote, saqë ma merrte mendja se në çdo gur, po ta lëvizja nga vendi i vet, do të gjeja ar ose argjend.

*  *  *

Në luftën e Bedrit, Abdurrahman ibnu Avfi luftoi me një heroi­zëm të rrallë e trimëri të pashoqe, duke mbytur njërin prej armiqve më të mëdhenj të Islamit, Umejr ibn Uthman ibnu Ka’b Et‑Tejmijjin.

E në luftën e Uhudit qëndroi i paepur dhe i paluhatshëm, në çastet më të vështira, atëherë kur filloi t’u dridhet trualli nën këmbë muslimanëve dhe as nuk u tund e as nuk u frikësua kur disa filluan të ikin. Nga beteja doli me njëzet e ca plagë, disa prej të cilave ishin aq të thella, saqë dora e njeriut mund të hynte në to.

Mirëpo, prapëseprapë, xhihadi i tij luftarak ishte i vogël në kra­hasim me xhihadin e tij në pasuri.

Një ditë prej ditësh, Pejgamberi a.s. dëshironte të përgatiste një ekspeditë luftarake dhe iu drejtua sahabëve me fjalët:

- Urdhëroni, jepni diçka (nga pasuria), sepse duam të dërgojmë një ekspeditë (kundër armiqve).”

Atëherë, Abdurrahman ibn Avfi nxitoi me të shpejtë në shtëpinë e tij dhe, kur u kthye, tha:

O i Dërguar i Zotit, kam me vete katër mijë dërhemë; dy mijë po i jap në rrugën e Allahut e dy mijë po ua lë fëmijëve të mi (familjes sime).

Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë që solle...dhe Allahu të bekoftë e të begatoftë në që çka ndale (për familjen tënde), ia ktheu Pejgamberi a.s.

*  *  *

Gjatë luftës së Tebukut, e cila është lufta e fundit në të cilën luftoi (dhe mori pjesë) Muhammedi a.s., ndihej nevojë e madhe për njerëz dhe për pasuri në përgatitjen e ushtrisë muslimane. Në anën tjetër, ushtria romake ishte nUmejrikisht shumë më e madhe dhe më e përgatitur në armatim në krahasim me ushtrinë muslimane.

Atë vit në Medinë mbretëronte thatësi e madhe, e rruga deri në Tebuk ishte shumë e gjatë. Rezervat e ushqimit ishin të pakta e ndi­hej mungesë e madhe edhe në kafshët mbartëse.

Një grup besimtarësh, të cilëve u digjej e përvëlohej zemra nga dëshpërimi për shkak të pamundësisë së shkuarjes në luftë, sepse nuk kishte deve të mjaftueshme për t’i çuar të gjithë deri në Te­buk, shkuan te Pejgamberi a.s. duke e lutur me lot në sy që t’u gje­jë edhe atyre ndonjë vend. Mirëpo, i Dërguari i Allahut me keqardh­jen më të madhe u detyrua t’i refuzojë. Ata, të dëshpëruar e me sy të përlotur, filluan të kthehen duke qarë e dënesur me ngashërim, saqë i quajtën “Të përloturit”, kurse ushtrinë e thirrën “Ushtria e vështirësisë”.

Kur e pa këtë skenë rrëqethëse e të prekshme, Muhammedi a.s. i urdhëroi shokët e vet që ta hapin zemrën dhe të japin në rrugën e Allahut atë çka kanë mundësi.

Muslimanët me nxitim iu përgjigjën thirrjes së Resulul-lahut, e ndër të parët, si zakonisht, Abdurrahman ibnu Avfi, i cili ndihmoi ushtrinë muslimane me dyqind okë ari, saqë Omeri r.a. i tha Pej­gam­berit a.s. “Më duket se Abdurrahmani ka bërë mëkat në këtë rast, sepse familjes së tij nuk i ka lënë asgjë”.

Atëherë Pejgamberi a.s. iu drejtua Abdurrahman ibën Avfit duke i thënë:

A le diçka për familjen tënde, o Abdurrahman?

Po ‑ ia ktheu ai, ‑ u lashë më shumë sesa kishin.

Sa dhe çka? ‑ e pyeti prapë i Dërguari a.s.

Atë që u ka premtuar Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij nga furnizimi, të mirat dhe shpërblimet ‑ tha Abdurrahman ibnu Avfi.

*  *  *

Ushtria vazhdoi rrugën për në Tebuk dhe këtu Allahu xh.sh. e nderoi dhe e fisnikëroi Abdurrahman ibën Avfin me një nder, me të cilin nuk u nderua e as nuk u fisnikërua askush prej muslimanëve...

...Kishte hyrë koha e namazit dhe i Dërguari a.s. nuk ishte atypari në ato çaste. Atëherë Abdurrahmani doli imam i muslimanëve në namaz. Pak para se të përfundojë rekati e parë, arriti i Dërguari a.s. dhe u lidh në namaz pas tij. A thua, a mund të ketë nder dhe vle­rë më të madhe sesa dikush të bëhet imam i krijesës më të vlef­shme ‑ Imamit të të gjithë Pejgamberëve ‑ Imam i Muhammedit a.s.?

Pasi kaloi Resulullahu s.a.v.s. në ahiret pranë mëshirës së lar­të hyjnore të Allahut xh.sh. Abdurrahman ibnu Avfi u vu në shër­bim dhe përkudesje të “nënave të besimtarëve”.

Cilësitë e larta morale dhe veprat e tij fisnike bënë që “nënat e besimtarëve” të kenë besim tek ai.

Prej mirësive të tij ndaj muslimanëve, e në veçanti ndaj “nëna­ve të besimtarëve”, përmendet se kishte shitur një pjesë të tokës për 40 mijë dinarë dhe tërë këtë pasuri ua ndau: fisit Benu Zehre (fisit të Emines ‑ nënës së Pejgamberit a.s.), të varfërve, muha­xhirëve dhe grave të Pejgamberit a.s. Kur i dërgoi pjesën që i kishte takuar Ajshes r.a., ajo pyeti:

- Kush i dërgoi tërë këto të holla?

‑ Abdurrahman ibnu Avfi, ‑ i thanë...

‑ Atëherë ajo tha: - Ka thënë Pejgamberi a.s.: “Pas meje, askush nuk do të bëjë mirësi ndaj jush, përveç durimtarëve.”

Duaja e Pejgamberit a.s. për Abdurrahman ibnu Avfin, që Alla­hut t’ia begatojë pasurinë e tij, e përcolli gjatë tërë jetës, derisa u bë më i pasuri ndër sahabët. Tregtia e tij sa vinte e shtohej. Karva­net e tij shkonin e vinin pandërprerë duke transportuar grurë, miell, vaj, enë, rroba, erëra (parfume) dhe çkado që ndihej nevoja për të, ndër banorët e Medinës.

*  *  *

‑ Një ditë arriti në Medinë karvani i Abdurrahman ibnu Avfit me 700 (shtatëqind) deve...Po, po, 700 deve, me ushqim, veshmbathje dhe sende të ndryshme!

Me të hyrë në Medinë, nga zhurmat e gëzimit, dukej se edhe toka po dridhej.

‑ Ç’është kjo zhurmë? ‑ pyeti Aisheja r.a.

‑ Është karvani i Abdurrahman ibnu Avfit me 700 e ca deve me ushqim, ‑ i thanë.

‑ Zoti e begatoftë në atë që i ka dhënë prej të mirave të kësaj bote, ‑ tha Aisha r.a., - por të mirat e tij në ahiret janë edhe më të mëdha. E kam dëgjuar të Dërguarin a.s. duke thënë: “Abdurrahman ibnu Avfi do të hyjë në xhenet gjunjazi.”

*  *  *

Ky lajm përgëzues nga “nëna e besimtarëve” Aishja r.a. i arriti menjëherë në vesh Abdurrahamnit, madje edhe para se de­vetë të ulen e të pushojnë. Shkoi me vrap tek ajo dhe i mallëngjyer nga ndje­njat e emocionet, që i kishin përshkuar tërë trupin, tha: ‑ Oj nënë, a vërtet e ke dëgjuar këtë nga i Dërguari i Allahut?

Po, ‑ ia ktheu ajo.

Atëherë Abdurrahamn ibnu Avfi nga gëzimi i papërshkru-eshëm tha:

Sikur të kisha mundësi të zgjedhja, do të hyja në xhenet në këmbë, por dëshmo, oj “nënë”, se ky karvan, me tërë atë që ka devetë, ushqimi dhe veshmbathja, prej këtij momenti janë dhuratë për të varfërit, vetëm për hir të Allahut xh.sh.

Prej asaj dite që mori lajmin përgëzues, Abdurrahmanit i ndri­çoi fytyra me një nur hirësie. Filloi të shpërndajë edhe më shumë pasuri për të varfërit, me të djathtën dhe me të majtën, fshehurazi e haptazi. Shpërndau në emër të sadakasë 40 mijë dërhem argjend, e menjëherë pas tyre 40 mijë dinarë ar. Nuk vonoi shumë e shpër­ndau edhe 200 okë ari.

I ndihmoi luftëtarët në rrugën e Allahut (muxhahidinët) me 500 kuaj dhe 1500 deve.

Para se t’i vijë momenti i vdekjes liroi shumë robër. La po­rosi që çdo luftëtari të betejës së Bedrit t’i jepen nga 400 dinarë ari, e atëbotë ishin ende gjallë 100 prej tyre.

Pastaj la amanet që çdo “nëne të besimtarëve” t’i ndahet nga një pjesë e konsiderueshme e pasurisë, saqë Aisheja r.a. lutej shpesh­herë për të dhe thoshte: “Allahu ia shoftë etjen me ujët e krojeve të xhenetit Selsebil.[2]

Përveç tërë kësaj, familjes së vet i la trashëgim pasuri që nuk mund as të numërohej. Prej tyre: 1000 deve, 100 kuaj dhe 3000 kre­rë dele. Trashëgimtarëve të tij u la ar dhe argjend të shumtë, sa­që duart e atyre që ndanin filluan të lodhen. E tërë kjo ishte fryt i duasë së Pejgamberit a.s. që Zoti t’ia shtojë dhe bekojë pasurinë e tij.

Mirëpo, edhe përkundër tërë kësaj pasurie të madhe, kjo aspak nuk e luhati e as nuk e ndryshoi Abdurrahman ibnu Avfin nga qën­drimet e tij, saqë njerëzit nuk mund ta dallonin atë në mesin e shërbëtorëve të vet.

Një ditë, derisa agjëronte, për iftar i sollën ca ushqime. E shi­koi atë me buzë në vaj dhe tha: ‑ Kur u vra Mus’ab ibnu Umejri, i cili ishte njeri më i mirë se unë, nuk mund të gjenim qefin të mjaf­tueshëm për ta mbuluar. Kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e kur ia mbulonim këmbët i zbulohej koka...Neve Allahu na furnizoi me të mirat e Tij në këtë dynja, prandaj po kam frikë se mos shpërblimi ynë është shpejtuar dhe s’do të kemi asgjë për botën e ardhshme.

Pas kësaj filloi të qajë e të dënesë me ngashërim derisa ushqimi u tha.

*  *  *

I lumi Abdurrahman ibën Avfi me një mijë lumturi...

E përgëzoi me xhenet mbartësi i fundit i shpalljes hyjnore, Mu­ham­medi a.s.

Në përcjelljen e fundit, xhenazen ia mbajti daja i Pejgamberit a.s., ‑ Sa’d ibnu Ebi Vekkasi.

Namazin e xhenazes ia fali “pronari i dy dritave”, Osmani r.a., kurse prej tij i fundit u nda Aliu r.a. me fjalët: “Allahu të mëshi­roftë! E arrite dlirësinë e kësaj feje para se të fillojnë përçarjet dhe ngatërresat.”



[1] “Shtëpia e Erkamit” ‑ Një shtëpi në Mekë në të cilën i Dërguari i Allahut thë­rriste në Islam. Kjo shtëpi quhej edhe “Shtëpia e Islamit”. I zoti i saj ishte Erkam ibnu Abdu Menaf El‑Mahzumi.

[2] Selsebil: emër i një kroi në ahiret.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Sabri Bajgora

Subscribe to this RSS feed
Back to top