- Published in Fragmente nga jeta e sahabeve
ESMA ‑ BIJA E EBU BEKRIT
ESMA ‑ BIJA E EBU BEKRIT
“Esma ka jetuar njëqind vjet e nuk i ka rënë asnjë dhëmb a dhëmballë dhe në asnjë moment nuk e humbi mendjemprehtësinë e saj, edhe përkundër pleqërisë së thellë.”
(Biografët)
Kjo është Esma ‑ sahabeja e famshme e mbuluar me kurora lavdish nga të gjitha anët.
Babai i saj ishte shoku më i afërt i Resulullahut, gjyshi i saj ishte sahab, motra e saj ishte sahabije, burri i saj ka qenë sahabij dhe kjo mjafton që ajo vërtet të jetë krenare dhe e famshme.
Pra, babai i saj ishte Ebu Bekër Es‑Siddiku, shoku më i ngushtë i Pejgamberit a.s. gjatë jetës së tij, kurse pas vdekjes së Resulullahut ishte edhe halife (udhëheqës i muslimanëve).
Gjyshi i saj ishte Ebu Atik, babai i Ebu Bekrit.
Motra e saj ishte nëna e besimtarëve ‑ Aishja r.a.
Burri i saj ishte ndihmëtari i të Dërguarit a.s. ‑ Zubejr ibnu el Av‑vam. Kurse djali i saj ishte Abdullahu.
Kënaqësia e Zotit qoftë mbi të gjithë.
Thënë shkurt, mjafton të themi se kjo është Esma ‑ bija e Ebu Bekër Es‑Siddikut.
Esma ishte ndër të parat që pranoi Islamin, ngase këtë hap e kishin ndërmarrë para saj vetëm shtatëmbëdhjetë veta.
Është titulluar si “pronare e dy shokave ‑ brezave”, sepse duke ua përgatitur ushqimin për udhëtim Pejgamberit a.s. dhe babait të saj, atë ditë kur ata emigronin, kishte bërë gati edhe një enë me ujë, por pasi që nuk gjeti diçka që t'i lidhë ato, e grisi shokën e saj në dy pjesë dhe me njërën e lidhi ushqimin, kurse me pjesën tjetër lidhi enën me ujë. Atëherë, Pejgamberi a.s. bëri lutje për të që ato dy pjesë të shokës së saj, Allahu xh.sh. t'ia zëvendësojë me dy shoka ‑ breza në xhenet. Ky është shkaku që ajo është titulluar me ofiqin “pronare e dy shokave”.
* * *
Ajo u martua me Zubejr ibnu El‑Av‑vamin, i cili ishte një djalosh i varfër, pa shërbëtor që t'i shërbejë atij dhe pa pasuri me të cilën do t'i mbante fëmijët, përveç një kalë me të cilin kryenin nevojat elementare të shtëpisë.
Ajo sillej mirë me Zubejrin dhe i shërbente atij, duke u kujdesur edhe për kalin e tij, duke e ruajtur dhe duke i shtypur drith për ushqim, derisa Allahu ia hapi Zubejrit rrugën e pasurimit dhe u bë njëri prej shokëve më të pasur të Muhammedit a.s.
Kur Esmës iu dha rasti për t'u shpërngulur për në Medinë, ajo me bindjen e saj në fenë Islame, në Allahun xh.sh. dhe në Pejgamberin e Tij, edhe pse në ditët e fundit të shtatzënësisë në djalin e saj Abdullahun, i përballoi të gjitha dhe kjo nuk e pengoi asgjë për të emigruar, dhe posa arriti në Kuba e lindi fëmijën e saj.
Muslimanët e madhëruan Allahun dhe brohoritën nga gëzimi, sepse ky qe fëmija i parë që u lind si muhaxher në Medinë.
Ajo e mbarti fëmijën deri te Pejgamberi a.s. dhe e vendosi në prehër të tij, kurse ai bëri dua për të, mori pak lëng nga goja e tij dhe e vuri në gojën e foshnjës, i cili e përbiu atë. Kështu që gjëja e parë që përbiu foshnja ishte lëngi i dhënë nga Pejgamberi i Zotit xh.sh.
Personaliteti i Esmës karakterizohet me virtyte të larta, karakter të fortë dhe arsye të shëndoshë, veti këto të cilat i kanë vetëm njerëzit e rrallë.
Ajo ishte një bujare e madhe, e për të na rrëfen djali i saj Abdullahu, i cili thotë:
“Nuk më ka rastisur të shoh gra më bujare sesa tezen time Aishen dhe nënën time Esmën, por bujaria e tyre ndryshon: Sa i përket tezës sime, ajo mblidhte pak nga pak derisa mblidhte aq sa mjaftonte dhe pastaj ua ndante atë nevojtarëve, kurse nëna ime nuk lënte asgjë për nesër, por menjëherë e shpërndante.”
* * *
Esma ishte inteligjente dhe e mençur dhe dinte ta gjejë veten në pozita të vështira e të palakmueshme.
Mençuria e saj u dëshmua kur Ebu Bekri u nis për të emigruar duke e shoqëruar Muhammedin a.s. dhe mori me vete tërë pasurinë, vlera e së cilës arrinte në gjashtë mijë dërhemë, duke mos lënë asgjë për fëmijët e tij...
Kur Ebu Kuhafe, i ati i Ebu Bekrit, i cili ishte politeist, u informua për këtë, erdhi në shtëpi të të birit dhe i tha Esmës: Për Zotin, po e shoh se ai me marrjen e pasurisë me vete u ka shkaktuar vuajtje, ashtu sikurse iu ka shkaktuar vuajtje me vetë largimin e tij, mirëpo Esma iu përgjigj: Jo, kurrsesi o gjyshi im, në të vërtetë ai na ka lënë pasuri të mjaftueshme, pastaj mori ca gurë të vegjël dhe i vendosi në një dollap në të cilin lënin pasurinë e tyre më parë, i mbuloi gurët me një rrobe dhe pastaj e mori gjyshin e vet për dore, ngase ai e kishte të pamurit e dobët, dhe i tha: “O gjyshi im, shiko sa pasuri na ka lënë” kur ai e lëshoi dorën mbi gurët e mbuluar me rroba kujtoi se janë të holla dhe gurë të çmueshëm dhe tha: “Nuk është keq, nëse ua ka lënë tërë këtë pasuri.”
Me këtë Esma dëshiroi që ta qetësojë shpirtin e plakut dhe që të mos e obligojë t'i ndajë diç nga pasuria e tij... Ajo e bëri këtë ngase e urrente që t'ia shtrijë dorën një idhujtari, qoftë ai edhe gjyshi i saj.
* * *
Nëse historia i lë në harresë të gjitha qëndrimet e Esmës ‑ bijës së Ebu Bekrit, kurrsesi nuk mund të harrohen mendjemprehtësia, vendosmëria e pashoqe dhe fuqia e besimit‑imanit me rastin e takimit të fundit me djalin e saj.
Kur djali i saj, Abdullah ibnu Zubejri, u zgjodh sundimtar (halif) pas vdekjes së Jezid ibnu Muavijes, botërisht e për-krahën Hixhazi, Egjipti, Iraku, Horasani dhe shumica e vendeve të Shamit. Por Benu Umejët, me qëllim që ta luftojnë atë, menjëherë bënë dyndjen e ushtrisë së madhe nën komandën e Haxh‑xhaxh ibnu Jusuf eth‑Thekafiut. Në mes tyre u zhvillua një betejë e përgjakshme, në të cilën Abdullahu tregoi trimëri të pashoqe, ashtu siç i ka hije një kalorësi trim.
Kur përkrahësit e tij filluan të shpartallohen dalëngadalë, atëherë ai u strehua dhe u mbrojt te Qabja, së bashku me ata që kishin mbetur me të për ta mbrojtur Qaben e madhërishme. Disa orë para rënies së tij dëshmor, ai hyri tek e ëma, Esma, e cila atëbotë ishte plakë njëqindvjeçare dhe e kishte lënë të pamurit, dhe i tha:
- Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi ty, oj nëna ime!
Ajo ia ktheu: - Gjithashtu edhe mbi ty, o Abdullah... Ç'e mirë të solli ty në këtë kohë, kur gurët të cilët po i hedhin menxhenikët[1] e Haxh‑xhaxhit mbi ushtrinë tuaj në Qabe po i dridhin tmerrësisht edhe shtëpitë e Mekës?
Abdullahu iu përgjigj: - Erdha të marr mendimin tënd, oj nënë.
Ajo i tha: - Ta marrësh mendimin tim!! Për çka?!
Ai tha: - Njerëzit më kanë braktisur dhe janë larguar prej meje nga frika e Haxh‑xhaxhit ose nga lakmia për atë që ka ai, saqë edhe fëmijët dhe familja ime janë larguar nga unë, e me mua ka mbetur vetëm një numër i vogël prej njerëzve të mi. Sado që durimi i tyre të jetë i madh dhe të kenë qëndrim burrëror, ata nuk do të mund të bëjnë ballë më tepër se një apo dy orë, kurse të dërguarit e Beni Umejjitëve më kanë vërshuar me bisedime duke më premtuar se do të më japin në këtë botë atë që dëshiroj, me kusht që unë t'i hedh armët dhe t'i nënshtrohem Abdul Melik ibnu Mervanit. Ç'mendon ti për këtë oj nënë?
Ajo ngriti zërin lart dhe tha: - Kjo është çështje jote personale, o Abdullah, dhe më së miri vetë mund ta dish... Nëse je i bindur se çështja jote është e drejtë dhe se ti thërret në drejtësi, atëherë duro dhe qëndro, ashtu sikurse kanë duruar dhe qëndruar shokët e tu të cilët janë flijuar nën flamurin tënd...
Por, nëse ti e dëshiron këtë botë, atëherë sa rob i keq do të ishe. E shkatërrove veten dhe njerëzit e tu.
Ai tha: - Por, vrasja ime qysh sot do të jetë e pashmangshme.
- Nuk ka gjë, - tha ajo, flijimi është më i mirë për ty sesa t'i dorëzohesh Haxh‑xhaxhit me dëshirë dhe të luajnë djelmoshat e Benu Umejjes me kokën tënde.
Abdullahu iu përgjigj duke i thënë:
- Nuk i frikësohem vrasjes, por frikësohem se ata do të luajnë me kufomën time.
Ajo i tha birit të saj:
- Nuk ka çka të frikësohet njeriu pas vdekjes, sepse as delja e therur nuk e ndjen rjepjen e lëkurës...
Atëherë Abdullahut i shndriti fytyra dhe tha:
- E bekuar qofsh, oj nëna ime! Të bekuara qofshin virtytet dhe karakteri yt i lartë! Unë nuk të kam ardhur ty në këtë kohë për asgjë tjetër, përveç të dëgjoj prej teje atë që e dëgjova, kurse Allahu e di se unë nuk jam as i lodhur e as i dobësuar, Allahu është dëshmitari im se unë nuk e bëra këtë duke lakmuar në të mirat e kësaj bote, përkundrazi jam i hidhëruar dhe i prekur, ngase kërkohet për t'u lejuar hara-met. Ja, unë veç po nisem në atë që ti dëshiron. Nëse vritem, mos u pikëllo për mua, dorëzoja çështjen tënde Allahut xh.sh.
Ajo tha:
- Do të pikëllohesha për ty, sikurse të vriteshe në rrugë të gabuar.
Abdullahu i tha asaj:
- Bindu se vërtet biri yt kurrë nuk e ka përkrahur një punë të urrzer (të keqe), as që ka bërë ndonjë të ligë, as nuk ka devijuar nga rruga e Perëndisë e as që e ka tradhtuar amanetin. Dije se djali yt kurrë nuk e ka përkrahur tiraninë as ndaj muslimanëve e as ndaj jomuslimanëve lojalë dhe nuk kishte tek ai gjë më të vlefshme dhe më meritore se kënaqësia e Allahut të Madhëruar... Këtë nuk e them për ta pastruar vetveten, sepse Allahu është më i dijshëm për mua sesa unë, por them këtë për të të dhënë durim dhe kurajo në zemrën tënde.
Esmaja ia ktheu:
- Falënderimi dhe Lavdia i qoftë Allahut, i cili të drejtoi në atë që Ai dëshiron dhe në atë që edhe unë dëshiroj. Afrohu pranë meje, o biri im, që ta ndjej erën tënde dhe ta ledhatoj trupin, sepse ky mund të jetë takimi im i fundit me ty.
Abdullahu e afroi fytyrën te duart dhe këmbët e saja, ia mbuloi ato me puthje, kurse ajo e afroi hundën e saj te koka, fytyra dhe fyti i tij dhe e nuhati erën e tij, duke e prekur dhe puthur. Pastaj me duart e saj filloi t'ia prekë trupin dhe kur e preku gjoksin e tij, për një çast u ndal, i tërhoqi duart prej tij dhe tha:
- Ç’është kjo që e ke veshur, o Abdullah?!
Abdullahu iu përgjigj:
- Kjo është këmisha ime e hekurt.
Ajo i tha:
- O biri im, kjo nuk është rroba e atij që dëshiron të bjerë dëshmor ‑ shehid.
Ai i tha:
- Por e kam veshur për të qetësuar ty dhe zemrën tënde.
Ajo i tha birit të saj:
- Zhvishe atë, sepse ajo është pengesë e fortë për mbrojtjen dhe trimërinë tënde, është e fortë për kërcimin tënd. Pa të lëvizja është më e lehtë, e në vend të saj vishe një këmishë të gjatë, që kur të vritesh të mos zbulohet trupi (avreti) yt.
* * *
Abdullahu e zhveshi këmishën e hekurt dhe veshi një këmishë të gjatë (jo të hekurt), e mbërtheu atë dhe shkoi te Qabja për të vazhduar luftën me ushtarët e tij, duke thënë: - Mos më ndaj prej duasë (lutjes) oj nënë.
Në ato çaste ajo drejtoi duart kah qielli e tha:
‑ O Zoti im, mëshiroje ngritjen e tij natën për të falur namaz dhe qasjen e tij të fortë në terrin e natës, kur njerëzit e tjerë flejnë... O Zoti im, mëshiroje atë (Abdullahun) kur ai është i uritur dhe i etur derisa është agjërueshëm.
‑ O Zot! Mëshiroje mirësinë dhe sjelljen e tij të mirë ndaj babait dhe nënës së tij...!
‑ O Zoti im, unë tashmë e kam dorëzuar në duart e Tua, jam e kënaqur me atë që ia ke caktuar atij dhe më dhuro mua për të nga sevapet e atyre që durojnë për hir të Madhërisë Sate!
Ende pa perënduar dielli i asaj dite, Abdullahu iu bashkangjit dëshmorëve të tjerë dhe shkoi në fqinjësi të Allahut të vet.
Vetëm pak ditë pas flijimit të tij, atij iu bashkangjit edhe e ëma e tij ‑ Esma, bija e Ebu Bekrit, pas njëqind vjet jetese në këtë botë. Asaj nuk i kishte rënë as dhëmbë e as dhëmballë, dhe asnjëherë nuk e kishte humbur mendjempre-htësinë e saj, edhe përkundër pleqërisë së thellë.
[1] Menxhenik ishte mjet lufte me anën e të cilit hidheshin gurë (dhe të ngjashme) mbi fortifikata të ndryshme.
Abdurr Rrahman Rafet El Basha
Përktheu: Fadil Hasani