Error
  • JUser: :_load: Unable to load user with ID: 42

Adhurime dhe praktika

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT

RREGULLAT E HAXHIT 1. Të konsultohet me të dijshmit, për të shfrytëzuar përvojën dhe diturinë e tyre rreth haxhit. 2. Të falë namaz Istihare (namaz që bëhet kur nuk dimë si të vendosim për një punë). Me këtë nuk kemi për qëllim vetë haxhin, sepse ai është mirësi dhe ibadet e nuk ka dyshim në të, por me Istiharen kemi për qëllim kohën e nisjes, grupin të cilin do ta shoqërojë dhe mjetin me të cilin do të udhëtojë. 3. T’i mësojë rregullat e haxhit. E nëse nuk ka pasur mundësi t’i mësojë,...

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT

RREGULLAT E AGJËRIMIT 1. Muslimani duhet të largohet prej fjalëve të pavërte-ta dhe të mos punojë sipas tyre. Të largohet prej shpifjes, fjalëve të turpshme, sharjes dhe dëmtimit të njerëzve sipas hadithit: “Kush nuk largohet nga rrena dhe veprat e ngjashme me të, le ta dijë se Allahu xh.sh. nuk është i nevojshëm për urinë dhe etjen e tij.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithit: “Agjërimi është mbrojtës e, kur agjëroni, mos thoni fjalë të turpshme dhe mos e ngrini zërin. Nëse ndokush ju fyen (provokon) ose ju mëshon, thoni: “Unë...

UTBE BIN GAZVANI

utbe_bin_gazvani

UTBE BIN GAZVANI

“Vërtet, Utbe bin Gazvani ka një vend të lartë në Islam.”

Omer ibnul Hattabi

Omer ibnul Hattabi, emiri i muslimanëve, pas namazit të jacisë u shtri në shtratin e tij, me qëllim që të pushojë pak dhe të për­ga­titet për shëtitjen e tij të natës.

Mirëpo, gjumi ishte tretur nga sytë e halifes, ngase postieri e kish­te lajmëruar se ushtrisë persiane, sa herë që ishte para mposh­tjes dhe në rrezik që të shkatërrohej nga ana e muslimanëve, i vinte ndihma prej të gjitha anësh dhe nuk vononin e tubonin forcat e tyre për të vazhduar luftën.

Omerit r.a. i kishte ardhur lajmi se qyteti i “Ubul‑les” (afër Bas­rës) konsiderohej si njëri nga burimet më të rëndësishme që i ofro­nin ndihmë ushtrisë persiane, në pasuri e në njerëz.

Mu për këtë, Omeri r.a. vendosi që të dërgojë një ushtri për ta çliruar Ubul‑len dhe t’ua ndërprejë ndihmën persianëve, mirëpo u befasua nga mungesa e njerëzve që  kishte pranë.

Arsyeja e kësaj mungese qëndronte në atë se rinia, burrat dhe të vjetrit kishin dalë pothuajse që të gjithë të luftojnë në rrugën e Allahut dhe s’kishte mbetur në Medinë askush përveç një grupi të vogël.

Megjithatë, kjo nuk e luhati aspak, meqë u mbështet në stra­tegjinë e tij të pashoqe, për të cilën ishte i njohur, ... e ajo ishte: kompensimi i numrit të vogël të ushtrisë me forcën e udhëheqësit... (komandantit).

Filloi t’i analizojë, një nga një, tiparet e shokëve që kishte pra­në, siç thonë “me sitë e me shoshë” dhe sakaq brofi nga shtrati i entuziazmuar, duke thënë:

‑ E gjeta... Po, e gjeta...

Pastaj u ul përsëri në shtrat - duke thënë:

‑ Me të vërtetë, është luftëtar që përballoi sfidat e Bedrit, Uhu­dit, Hendekut dhe betejave të tjera simotra...

U shqua për trimëri të pashoqe në luftën e Jemames, asnjëherë nuk është goditur nga shpata, e shtiza e tij as që ka gabuar cakun ndonjëherë... I ka përjetuar dy emigrimet (në Abisini dhe në Me­dinë) dhe është njëri prej shtatë të parëve që pranuan Islamin në sipërfaqen e tokës...

Kur agoi mëngjesi, tha:

‑ Ma thirrni shpejt Utbe bin Gazvanin.

Atë e emëroi udhëheqës të treqind e sa njerëzve dhe i premtoi se do ta ndihmojë më vonë me disa njerëz, aq sa të ketë mundësi.

*   *   *

Kur ushtria e vogël muslimane vendosi të nisej, para tyre doli Faruku (Omeri r.a.) për ta pëcjellur udhëheqësin e saj, Utbenë, dhe e porositi duke i thënë:

‑ O Utbe, të nisa kah “Ubul‑la”. Dije se ajo është njëra prej for­ti­fikatave të armikut, e lus Allahun që të ngadhënjesh dhe ta mposhtësh atë. Kur të gjendesh pranë saj, ftoje popullin e saj që t’i besojnë Allahut. Kush të përgjigjet, zmbrapsu prej tyre, e kush refuzon, merr prej tyre “xhizjen” për të vegjlit dhe të rriturit...

Në të kundërtën, luftoj dhe mbyti pa dhembje.

Ki frikën Allahut, o Utbe, për atë që t’u ka besuar!

Ki kujdes që epshi yt mos të të shpjerë në mendje-madhësi e ta humbësh botën e amshueshme. Dije se ke pasur nderin ta shoqërosh të Dërguarin e Allahut, nder me të cilin të lartësoi i Madhërishmi. Të bëri të fortë e të pathyeshëm, pasi ishe i dobët, derisa arrite të bëhesh prijës dhe udhëheqës, që urdhrat e tua të zbatohen kur flet dhe urdhëron. Sa mirësi e madhe është kjo, nëse nuk të mash­tron epshi e të bëhesh mendjemadh, ngase mosmirënjohja ndaj këtyre dhuntive të shpie në xhehenem. Le të na mbrojë Alla­hu të dyve nga zjarri i tij!

*   *   *

Utbeja u nis me luftëtarët e tij, e me të ishte edhe gruaja e tij, në mesin e pesë grave të tjera, gra dhe motra të ushtarëve, derisa arritën afër “Ubul‑les”, në një vend plot me kallam sheqeri. S’kishin asgjë me vete për të ngrënë...

Kur i kaploi uria, Utbeja u tha disave: - Kërkoni në këtë vend diç­ka për të ngrënë, me qëllim që të shuajmë urinë.

Lidhur me kërkimin e ushqimit është një ngjarje interes-ante, të cilën e ka transmetuar njëri prej tyre duke thënë:

- Derisa kërkonim diçka për të ngrënë, hymë në një pyll të den­dur, kur ja, në njërën prej pemëve i pamë të varura dy krojshe, në njërën kishte hurma e në tjetrën kokrra të bardha, të vogla, të mbësh­tjella me lëvozhgë të verdhë. I morëm me vete. Njëri prej nesh shikoi nga krojsha në të cilën ishin kokrrat dhe tha:

‑ Ky është helm të cilin na e ka përgatitur armiku, andaj mos hani.

Atëherë i morën hurmat dhe filluam t’i hamë ...

Derisa hanim hurma, një kalë që i kishte këputur frerët, iu afrua krojshes me kokrrat e bardha dhe filloi t’i hajë. Deshëm ta presim menjëherë që së paku të përfitonim nga mishi i tij, para se të ngordhte, mirëpo pronari i tij tha: - Lëreni, se do ta ruaj atë gjithë natën dhe nëse e shoh se do të ngordhë, do ta ther.

Të nesërmen, me të gdhirë, pamë se kali ishte shëndosh dhe s’e kishte gjetur gjë.

Motra ime tha:

‑ O vëlla! E kam dëgjuar babain tim duke thënë: - Helmi nuk bën dëm nëse vendoset në zjarr dhe piqet apo zihet.

Atëherë unë mora disa nga kokrrat dhe i vendosa në një enë e ia vura flakën përfund. Nuk vonoi shumë e ajo tha:

- Ejani e shikoni si janë skuqur kokrrat, pastaj prej tyre filloi të ndahej lëvozhga dhe dilnin disa kokrra të bardha. I nxorëm në një enë të madhe për të ngrënë e Utbeja na tha: Përmendeni emrin e Allahut dhe hani prej këtij ushqimi...

Kur filluam për të ngrënë, vërejtëm se kishte një shije të mirë.

Më vonë morëm vesh se ky ushqim quhej oriz.

*   *   *

“Ubul‑leja”, të cilës ia kishte mësyer Utbeja me ushtrinë e tij të vogël, ishte një qytet i fortifikuar mirë, i ngritur në brigjet e lumit Dixhle.[1]

Persianën e kishin bërë këtë qytet depo të armëve të tyre, ndër­sa pyrgjet e tij i kishin bërë vende për roje, nga të cilat përcill­nin lëvizjet e armiqve të tyre. Megjithatë, kjo aspak nuk e pengoi Utben që t’ia mësyjë mposhtjes së “Ubul‑les”, edhe pse kishte një ushtri të vogël dhe pak armë. Me vete nuk kishte më tepër se gjash­të­qind luftëtarë, të shoqëruar nga një grup i vogël grash. Të vetmet armë të tyre ishin shpatat dhe shtizat. Për këtë arsye patjetër i duhej të përdorte mençurinë dhe strategjinë e tij.

*  *  *

Për gratë, Utbeja përgatiti flamuj, të cilët i lidhi në majë të shti­zave... Ato i urdhëroi që të shkojnë pas ushtrisë dhe u tha: Kur t’i afrohemi qytetit, çoni pluhur pas nesh me tërë forcën derisa të mbushet qielli. Kur iu afruan “Ubul‑les”, ushtarët persianë u dolën para dhe i panë muslimanët duke ardhur. Shikuan flamujt tek valë­viteshin pas tyre dhe panë se pluhuri kishte mbuluar qiellin dhe i thanë njëri‑tjetrit:

‑ Vërtet, këta janë pararoja e ushtrisë muslimane. Sigurisht se pas tyre qëndron një ushtri e hatashme e cila e ka çuar tërë këtë pluhur, kurse ne jemi shumë pak...

Në zemrat e tyre hyri frika dhe i kaploi pasiguria. Filluan t’i mbartin sendet e lehta e të shtrenjta dhe nxitonin për të hipur nëpër anijet të cilat ishin të vendosura në Dixhle, duke lënë pas vetes qy­te­tin e boshatisur. Utbeja hyri në “Ubul‑le” pa humbur asnjë ushtar e pastaj çliroi qytetet dhe fshatrat përreth, një nga një.

Të mirat e fituara materiale ishin aq të mëdha, saqë vështirë nu­mëroheshin dhe tejkaluan çdo parashikim. Kur njëri nga njerëzit e tij u kthye në Medinë, njerëzit e pyetën:

- Si janë muslimanët në “Ubul‑le”?

- Për çfarë po pyetni?! ‑ pyeti ai.

Për Zotin i kam lënë duke tubuar ar dhe argjend me të madhe. Këto fjalë të tij nxitën shumë njerëz që t’ia mësyjnë “Ubul‑les”.

*   *   *

Në këtë situatë, Utbeja kishte vërejtur se me vendosjen e ush­tarëve nëpër qytetet e çliruara, kjo do të bëjë që ata të  humbin elanin për luftë, do të mësohen me një jetë pa obligime dhe do të marrin tiparet e cilësitë e banorëve vendas.

Kjo e shtyri Utbenë që t’i shkruajë letër Omerit r.a. dhe të kërkojë leje për themelimin e Basrës, pasi që më parë ia kishte për­shkruar vendin e zgjedhur për të, e Omeri r.a. i dha leje.

*   *   *

Utbeja e bëri planin e qytetit dhe ndërtesa e parë që e ndërtoi ishte xhamia madhështore... S’është çudi, ngase për hir të xhamive ai dhe shokët e tij dolën në luftë në rrugën e Allahut... Dashuria ndaj fesë dhe ndaj xhamisë i bëri ata triumfues dhe ngadh­ënjyes ndaj armiqve të Allahut.

Ushtarët garonin se kush do të marrë më tepër tokë dhe në ndër­timin e shtëpive.

Utbeja nuk ndërtoi shtëpi për vete, por vazhdoi të jetojë në një tendë, sepse kishte ndërmend diçka tjetër...

*   *   *

Utbeja vërejti se të mirat e dynjasë i kishin preokupuar muslimanët në Basra, saqë kishin harruar vetveten dhe se ata njerëz të cilët deri dje nuk dinin për ushqim më të mirë sesa orizin e zier me lëvozhgë, kishin shijuar ushqimet e persianëve si hallvë me mjaltë; kadaifin dhe ëmbëlsira të tjera, të cilat iu kishin pëlqyer.

Nga tërë kjo mirëqenie frikësohej se të mirat e kësaj bote do t’i bëjnë muslimanët që t’i lënë pas dore detyrimeve fetare. Mu për këtë arsye tuboi njerëzit në xhaminë e Kufes, u foli dhe u tha:

‑ O ju njerëz, kësaj bote të përkohshme me të vërtetë do t’i vijë fundi, e ju do të transferoheni në botën tjetër, e cila është e përjetshme.

Përpiquni që në të të kaloni me veprat më të mira. Më keni parë mua kur isha nga shtatë besimtarët e vetëm me të Dërguarin e Allahut e nuk kishim ushqim tjetër përveç gjetheve të pemëve.

Një ditë, pata gjetur në tokë, një qyrk të cilin e mora dhe e ndava me Sa’d ibni Vekkasin, gjysmën e mori S’adi për mbulesë e gjysmën tjetër e mora unë.

E sot, secili prej nesh është mëkëmbës ‑vali i ndonjë province?

Kërkoj ndihmë dhe mbrojtje prej Allahut që të mos jem i madh në vetvete e i vogël tek Allahu...

Pas këtyre fjalëve të prekshme, njërin prej tyre e la zëvendës të vetin, u përshëndet me ta dhe u nis për në Medinë.

Kur arriti tek Omeri r.a. kërkoi prej tij që ta lirojë nga posti, por ai nuk e liroi. Utbeja insistoi me ngulm që të lirohet, por halifi nguli këmbë dhe e urdhëroi atë që të kthehet përsëri në Basra.

Iu nënshtrua urdhrit të Omerit pa dëshirë dhe duke hipur në deve tha:

‑ O Zot i Plotfuqishëm, mos më kthe atje!

Allahu i Madhërishëm iu përgjigj lutjes së tij, kështu që jo fort larg Medinës deveja e tij rrëshqiti dhe ai ra prej saj pa frymë në tokë...

Allahu e mëshiroftë Utbe bin Gazvanin!



[1] Dixhle ‑ lumë që buron në Turqi, vazhdon rrjedhën e tij nëpër Irak, për t’u derdhur pastaj në Gjirin arab (persik).

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

NUAJM IBNU MES’UDI

nuajm_ibnu_mesudi

NUAJM IBNU MES’UDI

“Nuajm ibnu Mes’udi është ai i cili e kuptoi se lufta është strategji.”

Nuajm ibën Mes’udi ishte një djalosh i zgjuar, i mençur dhe i zhdërvjelltë. Nuk e ndalte kurrëfarë pengese e as kurrëfarë vësh­ti­rësie. Ishte shembull tipik i beduinit të shkretëtirës, me të gjitha ti­pa­ret e inteligjencës, pjekurisë, mendjemprehtësisë dhe largpa­më­si­së, tipare këto që ia kishte dhuruar Allahu. Krahas kësaj, ishte i dhë­në pas kënaqësive dhe dëfrimeve, të cilat më së shumti i gjente në shoqëri të çifutëve të Jethribit (Medinës).

Sa herë dëshironte të dëgjonte ndonjë këngëtare apo veshi i tij të dëgjonte ndonjë zë të rrallë, shalonte kalin dhe nisej nga vend­lindja e tij “Nexhdi” për në Jethrib, ku me gjithë dëshirë u jep­te shpër­blim çifutëve të Jethribit, e në anën tjetër ata edhe më me dëshirë i ofronin Nuajmit këna-qësinë e kërkuar.

Pasi  vizitat e Nuajmit në Jethrib ishin të shpeshta, edhe lidh­ja e tij me çifutët ishte e fortë, e posaçërisht me fisin Benu Kurejdha.

*   *   *

Kur Allahu e fisnikëroi njerëzimin me dërgimin e të Dërguarit të Tij me udhëzim dhe fe të vërtetë dhe rrethinën e Mekës e shndriti me dritën e Islamit, Nuajmi ende nuk e frenonte vetveten...

Fenë e re e refuzoi me një vrazhdësi të paparë nga frika se ajo do të jetë pengesë mes tij dhe kënaqësive të tij.

Nuk vonoi dhe u gjend në radhët e armiqve më të përbetuar të Islamit, plot mllef e pezm dhe ishte prej atyre që nuk nguruan ta vringëllojnë shpatën kundër Islamit dhe muslimanëve.

*   *   *

Mirëpo, Nuajmi i hapi vetes një faqe të re në historinë e thirr­jes islame ditën e betejës së Hendekut. Në këtë faqe ai shkroi me shkronja të arta tregimin më mahnitës të strategjisë së luftërave, tregim të cilin historia ende e përmend me një admirim të madh, me të gjitha aktet, e posaçërisht strategjinë e kryeheroit të saj të mençur e të zhdërvjelltë.

*   *   *

Për t’u ndalur te tregimi i Nuajm ibnu Mes’udit patjetër duhet të kthehesh pak prapa...

Në prag të betejës së Hendekut disa nga prijësit e çifutëve të fisit Benu Nadir zbritën në Jethrib dhe filluan bisedimet sekrete për grupimin e sa më shumë grupacioneve për ta luftuar të Dër­gua­rin e Allahut s.a.v.s. dhe për ta shkatërruar fenë e tij njëherë e përgjithmonë.

Madje shkuan edhe në Mekë për t’i nxitur kurejshët në luftë kundër muslimanëve, duke u premtuar se do t’u bashkohen atyre kur të arrijnë në Medinë dhe për këtë dhanë garanci të mëdha se nuk do ta shkelin premtimin.

Pastaj i lanë ata dhe u nisën te gatafanët në Nexhd duke i nxi­tur edhe ata në luftë kundër Islamit dhe të Dërguarit të Allahut. I ftuan që ta çrrënjosin këtë fe të re nga faqja e dheut dhe në fund u treguan atyre për marrëveshjen që kishin lidhur me kurejshitët. Edhe gatafanëve iu premtuan sikur kurejshitëve, se do ta mbajnë prem­timin për marrëveshjen e lidhur me ta.

*   *   *

Kurejshitët, i madh i vogël, kalorës dhe këmbësorë dolën nga Me­ka nën komandën e liderit të tyre Ebu Sufjan bin Harbit dhe u ni­sën për në Medinë. Po ashtu edhe gatafanët nga Nexhdi dolën që të gjithë nën komandën e Ujejne bin Hisën El Gatafanit.

Në ballë të burrave të Gatafanit ishte edhe heroi i tregimit tonë Nuajm ibnu Mes’udi...

Kur të Dërguarit të Allahut i arriti lajmi për daljen e tyre, i tuboi shokët e tij dhe u këshillua me ta se çka duhet të ndërmarrin. U pajtua me vendimin e tyre për hapjen e hendekut rreth Medinës me qëllim që ta mbrojnë nga kjo ushtri e madhe kundër të cilës nuk kishin forcë të mjaftueshme për t’i përballuar. Hendeku sado pak do të ishte një mburojë kundër kësaj ushtrie të madhe të armikut.

*   *   *

Ende pa arritur te kodrinat e Medinës dy ushtritë e nisura nga Meka dhe Nexhdi, liderët çifutë të Beni Nadirit shkuan te liderët e Beni Kurejdhas, të cilët banonin në Medinë dhe filluan t’i nxisin që të hyjnë në luftë kundër të Dërguarit të Allahut dhe t’u bash­kangji­ten dy ushtrive të mëdha që po vinin nga Meka dhe Nexhdi.

Liderët e Beni Kurejdhasve u thanë:

‑ Na ftuat në atë që dëshirojmë dhe lakmojmë, por ju e dini se ne me Muhammedin kemi marrëveshje që në rast rreziku të ndih­mohemi dhe të mbrohemi mes vete dhe që të mund të jetojmë në Medinë të sigurtë e të qetë. Ju e dini mirë se ngjyra me të cilën ësh­të shkruar marrëveshja jonë ende nuk është tharë...

Ne frikësohemi se, nëse Muhammedi fiton në këtë luftë, do të na ndëshkojë me një dënim të hatashëm dhe do të na dëbojë nga Medina përgjithmonë për shkak të tradhtisë sonë ndaj tij...

Por liderët e Benu Nadirit filluan t’i nxisin edhe më shumë në shkel­jen e marrëveshjes duke ua hijeshuar tradh-tinë ndaj Muham­me­dit a.s. I siguronin se pa dyshim kësaj radhe fati i keq do ta për­cjellë atë. Bindjen e fortë të tyre e mbështetnin në ardhjen e dy ushtri­ve të mëdha.

Nuk vonoi shumë e çifutët e Beni Kurejdhas lëshuan pe dhe shke­­lën marrëveshjen e tyre me Muhammedin a.s... E grisën shkre­sën që kishin nënshkruar me të... dhe e shpallën bashkangjitjen e tyre ushtrive që po vinin të luftonin kundër tij...

Ky lajm jehoi si bubullima te muslimanët...

*   *   *

Ushtritë aleate rrethuan Medinën dhe banorëve të saj ua ndërprenë furnizimin me ushqim dhe të mirat e tjera...

I Dërguari a.s. e ndjeu se u gjend ndërmjet nofullave të armikut...

Kurejshët dhe Gatafanët ishin përballë muslimanëve jashtë Me­di­nës, ndërsa Benu Kurejdha gjendeshin prapa muslimanëve brenda në Medinë... në çdo çast të gatshëm për sulm. Pastaj hipokritët dhe ata me zemra të luhatura në besim zbulonin fshehtësitë e shpir­të­rave të tyre dhe thonin:

“Muhammedi na premtoi se do të zotëronim thesarët e Kisrasë dhe Cezarit e ja, sot askush prej nesh nuk është i sigurtë që të shkojë as deri në nevojtore!!!” Shumë prej tyre filluan të ndahen gru­pe­­-grupe nga i Dërguari a.s., me arsyetim se po frikësohen për gra­të, fëmijët dhe shtëpitë e tyre nga sulmi i mundshëm i Benu Kurej­dhës kur të fillojë lufta. Me të Dërguarin e Allahut mbetën vetëm disa qindra besimtarë të sinqertë.

Në një natë prej netëve të rrethimit, i cili zgjati afër 20 ditë, i Dërguari i Allahut iu drejtua Krijuesit të tij dhe filloi t’i lutet Atij nga thellësia e shpirtit, duke thënë:

‑ O Zoti im, prej Teje kërkoj shpëtimin e pre­mtuar...!

‑ O Zoti im, prej Teje kërkoj shpëtimin e pre­mtuar...!

*  *  *

Atë natë, Nuajm ibnu Mes’udi rrotullohej andej‑këndej në shtra­tin e tij, por kot, gjumi që moti ishte tretur nga sytë e tij. Thuajse ishin gozhduar kapakët e syve dhe nuk mund t’i mby­lleshin për të fjetur. E kishte drejtuar shikimin e tij të mprehtë te yjet në hapësirën e qiellit të kthjellët... U kredh i tëri në mendime, kur befas iu duk se ndërgjegja e shpirtit të tij po e pyet dhe po i thotë:

“Mjerë për ty, o Nuajm!!!

Ç’të solli ty prej atij vendi të largët të Nexhdit për ta luftuar këtë njeri dhe ata që janë me të?!!

Ti nuk je duke luftuar kundër tij për ta fituar ndonjë të drejtë të cunguar apo për ta mbrojtur moralin e përdhosur familjar, por ke ardhur ta luftosh atë pa ndonjë arsye...

A i ka hije një njeriu të mençur, siç je ti, të luftojë e të vrasë apo edhe të vritet pa ndonjë arsye?!!

Mjerë për ty o Nuajm!...

Çka të shtyu ta ngresh shpatën tënde në fytyrën e këtij nje­riu të devotshëm, i cili i urdhëron pasuesit e tij në drejtësi, mirësi dhe në respektin e të afërmve?!!

Ç’është ajo që të shtyn ta futësh shtizën tënde në gjakun e shokëve të tij, të cilët e pasuan udhëzimin dhe të vërtetën me të cilën ai erdhi?!!”

Ky dialog i ashpër ndërmjet Nuajmit dhe ndërgjegjës së tij nuk për­fundoi ndryshe përveçse me vendim të prerë: të ngrihet nga shtrati në atë moment dhe të shkojë te Pejgamberi a.s.

*    *    *

Nën hijen e natës Nuajmi u përvodh nga kampi i popullit të vet dhe shkoi me nxitim tek i Dërguari i Allahut...

Kur i Dërguari i Allahut e pa para vetes, u çudit dhe tha: - Nuajm ibnu Mes’udi?!

‑ Po, o i Dërguari i Allahut, ‑ ia ktheu ai.

‑ Çka të solli ty në këtë kohë?! ‑ e pyeti prapë Resulul-lahu.

- Erdha që të dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij, dhe se ajo me çka ke ardhur është e vërtetë, ‑ u përgjigj Nuajmi dhe vazhdoi:

O i Dërguari i Allahut, unë e pranova Islamin, mirëpo populli im nuk di gjë për këtë, prandaj më urdhëro çka të duash...

I Dërguari i Allahut i tha:

- Me të vërtetë ti në mesin tonë konsiderohesh si njeri i be­sueshëm, prandaj shko te populli yt dhe largoji ata prej nesh, nëse mundesh, ngase vërtet lufta është strategji.

Po, o i Dërguari i Allahut, ‑ i tha ai, ‑ do të shohësh me sytë tu atë që do të gëzojë, në dashtë Allahu.

*   *  *

Nuajmi shkoi me nxitim te Beni Kurejdhasit, me të cilët më pa­rë kishte pasur shoqëri të ngushtë dhe u tha:

‑ O Beni Kurejdha, juve u është e njohur dashuria dhe sinqeriti im në këshillat ndaj jush.

Po, ‑ i thanë ata. ‑ Nuk je i dyshimtë te ne...

‑ Kurejshët dhe Gatafanët, në dallim nga ju, kanë tjetër pozi­të në këtë luftë, u tha ai.

Si?! ‑ pyetën ata.

Këtë vend e keni tuajin ‑ u tha prapë ai. ‑ Këtu keni pasurinë, fëmijët dhe gratë tuaja dhe nuk keni mundësi t’i transferoni në ndonjë vend tjetër... Kurse, sa i përket Kurejshëve dhe Gatafanëve, vendi, pasuria, fëmijët dhe gratë e tyre janë në vende të largëta.

Erdhën që ta luftojnë Muhammedin dhe kërkuan prej jush që ta shkelni marrëveshjen tuaj me të dhe t’u bashkoheni atyre, gjë që edhe e bëtë. Nëse ata korrin fitore ndaj tij do të marrin pasuritë e tij, por nëse nuk korrin sukses, atëherë do të kthehen në vendin e ty­re të sigurtë, e juve do t’ju lënë në duart e tij që të hakmerret ashpërsisht.

Besoj se jeni të vetëdijshëm se nuk keni fuqi kundër tij kur të mbe­teni vetëm me të... - Të vërtetën e thua, ‑ thanë ata, por çfarë të bëjmë tani?

Ai u tha:

- Unë mendoj që të mos luftoni me të derisa të mos merrni disa nga fisnikët e Kurejshëve dhe Gatafanëve dhe t’i mbani peng. Me këtë do t’i detyroni që të luftojnë së bashku me ju derisa të trium­foni ndaj tij, ose të shkatërrohet edhe njeriu i fundit, prej jush e prej tyre.

‑ Na sinjalizove dhe na këshillove... ‑ ia kthyen ata.

Pas kësaj u largua prej tyre dhe shkoi te udhëheqësi i kurej­shë­ve, Ebu Sufjani, dhe atij e të tjerëve që ishin me të u tha:

‑ O paria kurejshite, ju e dini dashurinë time ndaj jush dhe armiqësinë time ndaj Muhammedit... Kam marrë vesh diçka prandaj e pashë të udhës t’ua tregoj edhe juve. Do t’ju lutja që këtë ta mbani të fshehtë dhe të mos e shpallni se unë ju tregova.

Ashtu qoftë ‑ thanë ata.

Të dini se Beni Kurejdha janë penduar për armiqësinë e tyre ndaj Muhammedit dhe i kanë çuar fjalë atij e i kanë thënë:

- Jemi penduar për tradhtinë që kemi bërë ndaj teje...dhe kemi vendosur që të kthehemi në atë që jemi marrë vesh më parë. - A je i pajtimit që ne t’i marrim si peng disa nga Kurejshët dhe Gatafa­nët, t’i dorëzojmë ty, t’ua thesh qafën e pastaj të bashkohemi deri­sa t’i shkatërrojmë!

Ai iu ka dërguar atyre përgjigje dhe u ka thënë se pajtohem me mendimin tuaj, prandaj Nuajmi i tha Ebu Sufjanit: “Nëse çifutët kër­kojnë prej jush pengje nga njerëzit tuaj, mos u jepni asnjë njeri!”

Sa aleat i mirë që je, u shpërblefsh me të mira, ‑ i tha Ebu Sufjani.

Më pas Nuajmi doli nga Ebu Sufjani dhe vazhdoi rrugën derisa arriti te populli i tij, Gatafanët, u foli atyre ashtu siç i foli Ebu Suf­janit dhe ua tërhoqi vërejtjen ashtu siç bëri me kurejshët dhe me Ebu Sufjanin.

*   *   *

Ebu Sufjani deshi që të provojë Beni Kurejdhasit në lidhje me lajmin dhe e dërgoi të birin e tij tek ata, i cili u tha:

‑ Babai im ju dërgon përshëndetje dhe ju thotë:

“Rrethimi ynë që ia bëmë Muhammedit dhe shokëve të tij zgjati bukur shumë, saqë u mërzitëm...

Ne kemi vendosur ta luftojmë Muhammedin dhe ta heqim qafe. Babai im më ka dërguar tek ju që t’ju ftoj që nesër ta sulmojmë.

Benu Kurejdhasit i thanë atij: “Sot është ditë e shtunë, e ne nuk punojmë asgjë në këtë ditë, pastaj ne nuk do të luftojmë me ju përderisa të mos na i jepni shtatëdhjetë veta nga fisnikët tuaj dhe nga fisnikët e Gatafanit që të jenë te ne si pengje. Frikësohemi se nëse nuk do të keni sukses kundër tij, ju do të nxitoni në vendin tuaj dhe do të na lini të vetmuar me Muhammedin. Ju e dini se ne nuk kemi forcë t’i kundërvihemi atij...”

Kur u kthye i biri i Ebu Sufjanit te populli i tij dhe i lajmëroi se çka dëgjoi nga fisi Beni Kurejdha, kurejshët thanë njëzëri:

‑ Të poshtërit! Vërtet janë bij të majmunëve dhe derrrave. Për Zotin, nëse do të kërkonin si peng vetëm një dele, nuk do t’ua jepnim...

*  *  *

Nuajmi arriti që me këtë strategji të rrallë t’i shpartallojë ra­dhët e aleatëve dhe t’i përçajë e t’i bëjë pikë e pesë.

Në anën tjetër, Allahu lëshoi kundër kurejshëve dhe aleatëve të tyre një stuhi të tmerrshme, e cila ua rrënoi tendat, ua rro­tulloi plaçkat, ua shoi zjarret dhe ua mbushi sytë dhe fytyrat me pluhur...

Ata nuk gjetën rrugëdalje tjetër përveç ikjes dhe që të gjithë u larguan nën errësirën e natës...

Të nesërmen, kur u zgjuan muslimanët dhe panë se armiqtë e Allahut ua kishin mbathur këmbëve, filluan të marrin tekbire e ta madhërojnë Allahun e Plotfuqishëm.

I falënderuar qoftë Allahu, i Cili e shpëtoi robin e Tij...

E lartësoi ushtrinë e Tij... dhe mposhti ushtritë armike...

*  *  *

Prej asaj dite, Nuajmi ibnu Mes’udi u bë njeri i besueshëm tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. I besoi shumë punë të mëdha, e obligoi me përgjegjësi të ndryshme dhe i besoi mbartjen e flamujve gjatë luftërave.

Ditën e çlirimit të Mekës, Ebu Sufjani u ndal dhe derisa sodiste ushtrinë çlirimtare muslimane, shikimi iu ndal te një njeri që mbante flamurin e Gatafanit dhe i pyeti ata që ishin me të: - Kush është ky?

- Nuajm bin Mes’udi, ‑ i thanë ata.

- Ah, sa keq na e pat punuar ditën e Hendekut!... Për Zotin, ishte armiku më i përbetuar i Muhammedit, e ja tani duke mbartur me duart e tij flamurin e fisit të vet dhe na lufton neve nën flamu­rin e tij! ‑ ofshani thellë Ebu Sufjani.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama


HABBAB IBNUL ERETTI

habbab_ibnul_eretti

HABBAB IBNUL ERETTI

“Allahu e mëshiroftë Habbabin, që besoi me dëshirë, emigroi me bindje dhe jetoi si luftëtar.”

Ali ibnu Ebu Talibi

Umu Enmar El Huzaijje u nis për në tregun e robërve (shër­bë­torëve) në Mekë.

Dëshironte të blente një shërbëtor që t’i shërbente asaj dhe të përfitonte nga puna e tij. Një nga një filloi t’i vështrojë fy­tyrat e robërve të ekspozuar për shitje. Zgjedhja e saj ra në një djalosh të ri, që ende nuk kishte arritur moshën e pjekurisë. Ajo që e nxiti për ta blerë ishte shëndeti dhe shenjat e inteligjencës dhe të mençurisë që shiheshin në fytyrën e tij, kështu që e pagoi vlerën e tij dhe u largua me të.

Derisa ishin duke ecur rrugës, ajo u kthye nga djaloshi dhe e pyeti:

‑ Si e ke emrin, djalosh?

Habbab, ‑ u përgjigj ai.

Si e ka emrin babai yt? ‑ e pyeti prapë ajo.

El-Erettu, ‑ i tha ai.

Prej nga je?

Nga Nexhdi.

Do të thotë ti je arab!! ‑ tha ajo.

Po, nga fisi Benu Temim, ‑ ia ktheu ai.

Atëherë, si arrite në duart e shitësve të robërve mekas? ‑ e pyeti prapë ajo.

‑ Lagjen tonë e sulmoi njëri nga fiset arabe, na i plaçkitën bagëtitë, na i robëruan gratë dhe morën fëmijët tanë. Unë isha njëri prej atyre fëmijëve që u morën dhe dorë pas dore më sollën në Mekë dhe ja, tani arrita në duart e tua, ‑ u përgjigj me një frymë Habbabi i vogël.

*  *  *

Umu Enmari ia dorëzoi Habbabin njërit prej farkëtarëve të Me­kës që t’ia mësojë mjeshtërinë e farkimit të shpatave. Nuk shkoi shu­më kohë e djaloshi e përsosi shumë mjeshtërinë e farkimit të shpatave. Kur Habbabit iu forcua trupi, Umu Enmari ia mori një dy­qan me qira, ia bleu mjetet e punës dhe filloi të përfitojë nga shkath­­tësia e tij në punimin e shpatave.

*   *   *

Nuk vonoi dhe Habbabi u popullarizua në Mekë, saqë njerëzit vi­nin pandërprerë për të blerë shpata te Habbabi, ngase ai ishte i sinqertë dhe kishte një afinitet të stërholluar në mjeshtërinë e pu­nimit të tyre.

*   *   *

Ndonëse Hababi ishte i ri, i logjikonte gjërat me mençuri dhe ur­tësi të të vjetërve... Shpeshherë kur lirohej nga puna dhe mbetej vetëm, kredhej në mendime, duke menduar për këtë shoqëri injo­ran­te e cila ishte zhytur në punë të këqija fund e krye.

E rëndonte ajo që i kishte kapluar arabët, injoranca dhe ver­bëria, - viktimë e së cilës ishte edhe ai vetë. Shpeshherë thoshte: “Kjo errësirë patjetër duhet ta ketë fundin e saj...” E mbante shpresa se një ditë prej ditësh me sytë e vet do ta shihte zhda­va­ritjen e kësaj errësire dhe lindjen e dritës aq të pritur.

*   *   *

Fatmirësisht, pritja e Hababit nuk zgjati shumë. Mori vesh se një shkëndijë e dritës i është shfaqur njërit nga familja e Beni Ha­shimit, ‑ Muhammedit të birit të Abdullahut. Me nxitim shkoi tek ai dhe dëgjoi prej tij. Shkëlqimi i tij e mahniti të tërin dhe ia pushtoi tërë qenien. Pa një pa dy, ia shtriu dorën dhe dëshmoi se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoi se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Ishte i gjashti që e përqafoi Islamin mbi sipërfaqe të to­kës, saqë për të thuhej: Kaloi bukur një kohë e Habbabi ishte i gjashti në Islam...

*   *   *

Habbabi nuk e fshehu besimin e tij prej askujt, kështu që nuk shkoi shumë kohë e lajmi për Islamin e tij i arriti Umu Enmarit. Ajo, e mbushur plot pezm, hidhërim dhe urrejtje, mori me vete të vë­llanë, Sibaun, të cilëve pastaj iu bashkangjitën edhe një numër i të rinjve nga fisi Huza’a dhe shkuan te Habbabi, të cilin e gjetën të thelluar në punën e tij. Sibau i doli përpara dhe i tha:

‑ Për ty na ka arritur një lajm të cilin s’kemi mundur ta besojmë.

‑ Çfarë lajmi? ‑ i pyeti Habbabi

Është përhapur lajmi se ti e ke lënë fenë tonë dhe e ke për­qafuar fenë e djaloshit të Beni Hashimëve ‑ ia ktheu Sibau.

Nuk kam dezertuar por i kam besuar Allahut Një, i Cili nuk ka shok... I kam lënë idhujt tuaj dhe kam dëshmuar se Muhammedi është i Dërguari i Allahut dhe rob i Tij ‑ ia ktheu Habbabi fare i qetë.

Ende pa i përfunduar mirë këto fjalë, Sibau dhe ata që ishin me të, iu hodhën Hababit përmbi dhe filluan ta godasin me grushta e me shqel­ma, me çekanë dhe me çka u vinte në dorë prej hekurishteve, de­risa e lanë në tokë, të përgjakur e pa vetëdije.

Në Mekë, me shpejtësi rrufeje, u përhap lajmi rreth asaj që ndo­dhi mes Habbabit dhe zonjës së tij!!!

Njerëzit u habitën nga guximi i Habbabit, ngase nuk u kishte rastisur të dëgjojnë që dikush ta kishte pranuar Muhammedin dhe të kishte dalur haptas para njerëzve duke e shpallur besimin e tij, me kaq sinqeritet dhe vendosmëri. Paria kurejshite u trondit nga rasti i Habbabit. Nuk u kishte shkuar ndërmend se farkëtari i Umu Enmarit, i cili nuk ka familje e as fis që ta mbrojë dhe ta përkrah, të marrë guxim t’i dalë përballë zonjës së vet dhe haptas t’i fyejë zotat e saj duke përdhosur fenë e baballarëve dhe gjyshërve të saj.

Pareshtur i bënin pyetje vetvetes: Nëse sot ka ndodhur kështu, a thua çka do të ndodhë nesër, çka do të bëhet me të tjerët?!... Kurejshët nuk gabuan në atë që paramenduan, sepse guximi dhe tri­mëria e Habbabit nxiti shumë nga shokët e tij që ta shpallnin haptas, njëri pas tjetrit, besimin e tyre.

 

*  *  *

Paria kurejshite u tubua te Qabja në krye me Ebu Sufjanin, Velid bin Mugiren dhe Ebu Xhehlin dhe biseduan për çështjen e Muhammedit dhe konkluduan se çështja e tij po rritet dita më ditë. Vendosën që ta zhdukin këtë sëmundje para se ajo të marrë për­masa edhe më të gjera dhe vendosën që çdonjëri të ndëshkojë me ndëshkimin më të rëndë ithtarët e Muhammedit në radhët e fisit të tij, derisa t’i detyrojnë ata të largohen nga feja e Muhammedit ose të vdesin...

*  *  *

Sibae bin Abdil Uzasë dhe fisit të tij i ra barra e torturimit të Habbabit...

Kur përcëllonte dielli në mes të ditës dhe kur rrezet e diellit digj­nin tokën, e nxirrnin Hababin në periferi të Mekës, ia hiqnin pet­kat dhe në vend të tyre i vishnin një mburojë të hekurt. Nuk i jep­nin ujë derisa rraskapitej së tepërmi, e atëherë vinin e i thonin:

Ç’thua për Muhammedin?

Rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij. Na ka ardhur me fe të udhë­zi­mit dhe të drejtë, që të na nxjerrë nga errësira në dritë të vër­tetë ‑ thoshte ai.

Ia shtonin edhe më shumë të rënat dhe grushtat, e pastaj i thonin:

Ç’thua për Latin dhe Uzanë (zotërat e tyre)?!

Dy puta të shurdhër dhe memecë që nuk bëjnë as dëm e as dobi, ‑ u thoshte ai.

Atëherë, nga tërbimi, Sibai me shokë sillnin gurë të skuqur dhe i vendosnin në shpinën e tij, derisa i rridhte lëngu i yndyrshëm nga supet.

*   *   *

Umu Enmari nuk ishte aspak më e butë në ndëshkimin ndaj Hab­babit sesa vëllai i saj, Sibai. Ajo një ditë e kishte parë të Dërguarin e Allahut duke kaluar pranë dyqanit të Habbabit dhe kishte folur me të, gjë që e kishte shastisur.

Filloi të vinte te Habbabi ditë për ditë, e merrte një hekur të sku­qur nga furra dhe ia vënte në kokë, derisa i dilte tym nga koka dhe i binte të fikët.

Habbabi kërkonte ndihmë nga Zoti, e mallkonte Umu Enmarin dhe të vëllanë e saj, Sibain.

*  *  *

Kur i Dërguari i Allahut u lejoi shokëve të vet të emigrojnë për në Medinë edhe Habbabi u përgatit për dalje. Ende pa e lëshuar Mekën, Allahu iu përgjigj lutjes së Habbabit kundër Umu Enmarit...

Ajo u sëmur me një dhembje të padurueshme të kokës, saqë nga dhembjet e mëdha që i ndiente ulërinte ashtu siç ulërojnë qentë...

Djemtë e saj kërkuan mjekim për të në çdo vend. Dikush iu tha: “Nuk ka shërim për të përveç nëse e djeg ngapak kokën e saj me hekur të skuqur. Ajo filloi ta fërkojë kokën e saj me hekur të skuqur, saqë nga dhembja e harronte fare dhembjen e kokës.”

*  *  *

Habbabi, në mikpritjen e ensarëve (vendasve) të Medinës shijoi kënaqësinë dhe prehjen shpirtërore e fizike nga e cila kishte qenë i privuar një kohë të gjatë. Syri i tij u kënaq me shikimin e të Dërgua­rit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi të, pa e trazuar apo turbulluar dikush këtë çiltëri.

Me të Dërguarin e Allahut përjetoi Bedrin, duke luftuar nën fla­murin e tij... Me të Dërguarin e Allahut doli edhe në Uhud, ku Allahu xh.sh. ia qetësoi shpirtin e tij tek e shihte përfundimin (vrasjen) e Sibaut nga dora e “Luanit të Allahut” Hamza bin Abdul Mutalibit... Jetoi derisa i arriti të katër “Hulefai Rrashidinët”, dhe në mbikë­qyrjen e tyre kaloi një jetë të begatshme e krenare...

*  *  *

Një ditë, gjatë sundimit të Omerit, ai hyri te halifja. Omeri e lar­të­soi prezencën e tij, e lavdëroi atë dhe tha:

‑ Askush nuk ka përparësi në këtë tubim para teje, përveç Bilalit. Pastaj e pyeti për mundimet e rënda që i kishte përjetuar nga kurejshët, mirëpo atij i erdhi keq dhe u ngushtua t’i përgjigjet...

Kur Omeri insistoi edhe më, Habbabi hoqi mbulesën nga shpina e tij, saqë Omeri u trondit nga ajo që pa dhe tha:

Si të është bërë shpina kështu?!

Habbabi i tha:

‑ Mushrikët ndezën dru derisa ato u bënë gaca... Pastaj m’i zhveshën petkat dhe më vendosën ato gaca mbi shpinë derisa më ra mishi copa‑copa nga eshtrat e shpinës. Zjarri u fik vetëm atëherë kur nga trupi im rrodhi lëng dhe gjak.

*  *  *

Në vitet e fundit të jetës së tij Habbabi u bë njëri prej të pasur­ve. Arriti të ketë pasuri në ar e argjend, të cilën gjë s’e kishte ënd­rruar kurrë, mirëpo ai me pasurinë e tij u soll në atë mënyrë që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend... Dërhemët dhe dinarët e tij i vendosi në një vend të caktuar në shtëpi, vend të cilin e dinin të gjithë të varfërit dhe skamnorët. Këtë pasuri të tij as nuk e fshihte e as nuk e kishte futur nën dry, kështu që të varfërit vinin në shtë­pinë e tij dhe merrnin nga ajo pasuri aq sa u nevojitej, pa pyetur dhe pa kërkuar leje... Edhe pas gjithë kësaj, Habbabi frikësohej se do të jepte llogari për këtë pasuri, se mos ndoshta ajo do të bëhej shkak që në botën tjetër do të ndëshkohet.

Disa nga shokët e tij tregojnë dhe thonë:

‑ Kemi hyrë te Habbabi kur ishte i sëmurë dhe parandjente se vdekjen e kishte afër dhe na tha: - Në këtë vend kam lënë tetë­dhje­të mijë dërhemë, për Zotin asnjëherë nuk i kam ruajtur e as që e kam penguar ndonjërin prej tyre, - pastaj filloi të qajë me ngashërim.

Ç’të shtyu të qash?! ‑ i thanë shokët.

Qaj, ‑ tha ai, ‑ sepse shokët e mi shkuan e nuk shijuan asgjë nga mirësitë e kësaj jete, kurse unë mbeta dhe arrita të kem këtë pasuri, të cilës i frikësohem se është shpërblim për veprat e kësaj bote, e në jetën tjetër s’do të kem asgjë nga shpërblimet.

*  *  *

Kur Habbabi iu bashkangjit mëshirës së Allahut, emiri i muslimanëve, Ali ibnu Ebi Talibi, u ndal para varrit të tij dhe tha:

-       Allahu e mëshiroftë Habbabin, besoi me dëshirë, emigroi me bindje (dëgjueshmëri) dhe jetoi si luftëtar... Allahu nuk ua humb mundin atyre që bëjnë vepra të mira.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

RREBIË IBNU ZIJAD EL HARITHIJ

rrebi_ibnu_zijad_el_harithij

RREBIË IBNU ZIJAD EL HARITHIJ

“Askush nuk ma ka thënë të vërtetën që se jam halife ashtu siç ma ka thënë Rrebië bin Zijadi.”

Omeri, r.a.

Ja qyteti i të Dërguarit të Allahut, në të cilin ende nuk është ndal­ur dhembja për vdekjen e Siddikut (Ebu Bekrit r.a.)

Ja tek shihen edhe delegacionet e provincave të ndry-shme të shte­tit islam tek vijnë e shkojnë për çdo ditë në Medinë duke ia dhë­në besën halifit Omer ibnul Hatabit se do ta dëgjojnë dhe do t’i zbatojnë urdhrat e tij, në vështirësi dhe në mirëqenie. Në njërin prej këtyre mëngjeseve, te emiri i muslimanëve erdhi një delega­ci­on nga Bahrejni në mesin e shumë delegacioneve të tjera.

Omeri r.a. ishte përherë i interesuar të dëgjonte fjalët e dele­ga­cio­neve që i vinin, se mos ndoshta nga fjalët e tyre do të përfitojë diçka të vlefshme apo ndonjë këshillë të dobishme e cila do t’i ndih­monte në udhëheqjen e drejtë të muslimanëve. Disa nga të pra­nishmit morën fjalën, por nuk thanë diçka që vlen të përmendet.

Atëherë Omeri iu drejtua njërit, nga i cili shpresonte një kë­shi­llë të mirë, i dha shenjë për të folur dhe i tha:

‑ Urdhëro e fol!

Njeriu u ngrit, e falënderoi Allahun dhe e lartësoi Atë e pastaj tha:

- O emir i muslimanëve, dije se udhëheqja e çështjeve të këtij umeti është sprovë nga Allahu me të cilën Ai të ka spovuar. Ta kesh frikën e Allahut për atë që je ngarkuar dhe dije se, nëse humb edhe vetëm një dele në brigjet e Eufratit, do të japësh llogari në Ditën e Gjykimit!

Omeri u zhgreh në vaj dhe tha: Askush nuk më ka thënë të vërtetën prej se jam halife, ashtu siç ma thatë ju. E kush jeni ju, o vëlla i dashur?!

Rrebië bin Zijad El‑Harithij, ‑ iu përgjigj ai.

‑ Vëllai i Muhaxhir bin Zijadit? ‑ e pyeti prapë Omeri.

‑ Po, ‑ tha ai.

Kur u shpërnda tubimi, Omeri e thirri Ebu Musa El Esh’ariun dhe i tha:

- Hulumtoje çështjen e Rrebië ibnu Zijadit. Nëse vërtet është i sin­qertë, atë do ta kemi ndihmës të madh për çështje të muslimanëve. Angazhoje atë me diçka dhe pastaj më informo për të.

*  *  *

Nuk shkoi shumë kohë nga ajo ditë dhe Ebu Musa El‑Esh’ariu me urdhrin e halifes përgatiti një ushtri për çlirimin e “Menadhirit” në krahinën e Ehvazit. Në radhët e kësaj ushtrie emëroi edhe Rrebiun me të vëllanë e tij Muhaxhirin.

*  *  *

Ebu Musa El Esh’ariu e rrethoi Menadhirin dhe zhvilloi luftë të ashpër me ta. Rrallëherë në histori përsëriten luftëra të tilla. Mush­rikët u treguan shumë të fortë, gjë që nuk ishte pritur prej tyre.

Numri i të vrarëve në radhët e muslimanëve ishte bukur i madh dhe kishte tejkaluar çdo parashikim.

Në këtë luftë muslimanët luftonin duke qenë edhe agjërueshëm.

Kur Muhaxhiri, vëllai i Rrebiut, pa se numri i të vrarëve në ra­dhët e muslimanëve filloi të rritet, vendosi që ta flijojë vetveten du­ke shpresuar kënaqësinë e Allahut. U lye me vaj, u mbështoll me qefin dhe i la amanet të vëllait.

Atëherë Rrebiu shkoi te Ebu Musa El‑Esh’ariu dhe i tha:

Muhaxhiri ka vendosur ta flijojë vetveten duke qenë agjërue­shëm. Muslimanëve përveç vështirësive të luftës, i është shtuar edhe pe­sha e agjërimit, gjë që e ka dobësuar pakëz forcën e tyre. Dije se po refuzojnë ta prishin agjërimin, prandaj vepro si ta shohësh më të arsyeshme.

Ebu Musa doli para ushtrisë muslimane dhe tha:

‑ O muslimanë, prej çdo agjëruesi kërkoj që të hajë e në të kun­dërtën të mos luftojë. Dhe piu ujë botërisht nga një ibrik që e kishte me vete, me qëllim që edhe njerëzit të pijnë pas tij.

Kur i dëgjoi Muhaxhiri fjalët e tij piu një gëllënjkë ujë dhe tha: - Për Zotin, nuk më shtyu të pijë ujë etja, por dëshirova ta çoj në vend fjalën e emirit (komandantit) tim. Pastaj shtrëngoi shpatën dhe filloi t’i çajë radhët e armikut duke depërtuar thellë në mesin e tyre.

Për një çast, ushtarët e armikut e rrethuan atë nga çdo anë dhe filluan ta godasin me shpata para dhe prapa, derisa ra i vdekur në tokë.

Pastaj ia këputën kokën dhe e vendosën atë në një vend të ngritur në fushëbetejë.

Rrebiu e shikoi këtë skenë nga larg dhe tha: I lumi ti për gradën e lartë që arrite.

Për Zotin, do të hakmerremi për ty dhe për muslimanët e tjerë të vrarë, në dashtë Allahu.

Kur e pa Ebu Musa dhembjen e Rrebiut për të vëllanë dhe e kup­toi se zemra iu mbush plot mllef, pezm e hidhërim, ndaj armiqve të Allahut, ia dorëzoi atij udhëheqjen e ushtrisë dhe vazhdoi për në “Sus” për ta çliruar atë.

*  *  *

Rrebiu me ushtrinë e tij u vërsulën mbi mushrikët si një rrebesh i fuqishëm stuhie, i cili shkatërron para vetes çdo gjë, i shpartalluan radhët e tyre dhe ngadhënjyen mbi ta. Allahu ia mundësoi Rrebië Ibnu Zijadit çlirimin e “Menadhirit” me forcë, ku vrau armiq dhe zuri shumë robër. Preja e luftës ishte aq e madhe, sa nuk mund të nu­më­rohej dot.

*  *  *

Pas betejës së “Menadhirit”, ylli i Rrebiut shkëlqeu dhe emri i tij u bë shumë i njohur, saqë arriti të bëhet njëri nga udhëheqësit më të famshëm e më me nam prej të cilëve gjithmonë kërkoheshin vepra të mëdha.

Kur muslimanët vendosën ta çlirojnë “Sexhistanin”, ia be­suan atij udhëheqjen e ushtrisë duke qenë të bindur dhe plot shpresë se ai do t’ua sillte fitoren.

Rrebië Ibën Zijadi me ushtrinë e tij të pathyeshme u nis për në “Sexhistan” duke kaluar nëpër një shketëtirë të pafund, nëpër të cilën nuk kalonin dot as egërsirat. Qytetin e parë që e rrethoi gjatë marshimit të tij në “Sexhistan” ishte “Rustak Zalika”, qytet ky me pa­llate të mëdha, i rrethuar me kështjella gjigante, me plot të mira dhe begati.

*  *  *

Udhëheqësi i urtë e largpamës, Rrebiu, ia lëshoi sytë që nga larg “Rustak Zalikut” dhe shpresonte të hynte në të sa më shpejtë. Mori vesh se populli së shpejti do të dalin në një festival të tyre. Rre­biu e ruajti rastin më të përshtatshëm për sulm, mu në natën e festivalit, kur njerëzit ishin të hutuar dhe nuk pritnin kurrfarë sulmi.

Zuri robër njëzet mijë njerëz e në mesin e tyre ishte edhe krye­tari i atij qyteti.

Rrebië ibnu Zijadi në mesin e robërve vuri re një shërbëtor të kryetarit, i cili kishte tubuar më se treqind mijë florinj për t’ia dërguar zotëriut të vet dhe e pyeti:

‑ Prej nga kjo pasuri?!

‑ Prej një fshati nga fshatrat e zotëriut tim, ‑ ia ktheu ai.

‑ A vetëm një fshat mund të sjellë kaq pasuri? ‑ pyeti prapë Rrebiu nga kureshtja.

Po, ‑ i tha ai.

‑ Me çka? ‑ pyeti Rrebiu.

Me sopatat, kosat dhe me djersën tonë, ‑ ia ktheu shërbëtori.

*  *  *

Kur përfundoi lufta, te Rrebiu erdhi kryetari i zënë rob  i “Rustak Zalikut” dhe e luti që ta lirojë atë dhe familjen e tij...

Po, por me një kusht, ‑ i tha Rrebiu. Nëse u jep muslimanëve shpërblim, atëherë je i lirë.

‑ Sa dëshiron? ‑ pyeti ai.

Ngule këtë shtizë në tokë dhe hidh mbi të ar e argjend derisa ta mbulosh atë, ‑ ia ktheu Rrebiu.

Pajtohem ‑ tha ai, dhe sakaq nxori nga thesarët e tij ar e argjend dhe filloi të hedhë mbi shtizë derisa e mbuloi të tërën.

*  *  *

Rrebiu me ushtrinë e tij ngadhënjimtare depërtoi thellë në tokën e Sexhistanit. Kështjellat binin njëra pas tjetrës nën sundimin e tij, ashtu siç bien gjethet e pemëve nga forca e erërave vjeshtore.

Banorët e qyteteve dhe fshatrave të Sexhistanit filluan t’i pre­sin ushtarët muslimanë me mirëseardhje, duke kërkuar prej tyre si­guri dhe u nënshtroheshin atyre pa luftë, derisa ushtria muslimane arriti para dyerve të qytetit “Zere-nxhe” ‑ kryeqytet i Sexhistanit.

Armiku ishte përgatitur deri në dhëmbë për ta luftuar Rrebian dhe për ta penguar marshimin e ushtrisë muslimane me qëllim që t’i zmbrapsin ata nga kryeqyteti i tyre, sado i shtrenjtë që të ishte çmimi i kësaj sakrifice. Ndërmjet dy ushtrive u zhvillua një luftë e ashpër, ku asnjëra palë nuk kursente flijimin.

Kur u panë shenjat e para të triumfit të muslimanëve, i pari i po­pullit, i quajtur me emrin “Berviz”, nxitoi të bëjë paqe me Rre­biun ndonëse ende kishte forca ushtarake, por me këtë marrëveshje dëshironte t’i siguronte vetes dhe popullit të tij kushte më të favorshme.

E dërgoi një njeri te Rrebiu që të bisedojë me të dhe të kërkojë prej tij që ta caktojë një orar për takimin e tyre për të biseduar rreth paqes.

Rrebiu iu përgjigj kërkesës së tij dhe urdhëroi njerëzit e tij që ta përgatisin vendin për pritjen e “Bervizit” dhe kërkoi prej tyre që rreth tendës së bisedimeve t’i palojnë një mbi një trupat e ushta­rëve të vrarë persianë, kurse në të dy anët e rrugës nga do të kalojë “Bervizi” t’i qesin të vrarët e tjerë pa i radhitur. Rrebiu ishte një burrë shtatgjatë, i pashëm, i fortë, zeshkan dhe shpatullgjerë. Shikimi i tij i rreptë fuste frikë e llahtari në zemrat e njerëzve.

Kur “Bervizi” hyri, u shashtis dhe e humbi torruan nga pam­ja e të vrarëve, saqë nuk pati guxim as të afrohet e të përshën­de­tet për së afërmi me Rrebiun.

Tek fliste nga larg, me një gjuhë që i dridhej, duke belbëzuar, pra­noi kushtin e Rrebiut që përpara tij të parakalojnë njëmijë djem të rinj e në krye të secilit prej tyre të jetë nga një shtëmbë prej arit.

Të nesërmen Rrebiu hyri në qytet në mënyrë triumfale, i për­cje­llë nga rreshtat e të rinjve dhe nga brohoritjet e musli-manëve tek shprehnin me zë të lartë madhërimin e Allahut (Allau Ekber) dhe dëshminë islame “LA ILAHE IL‑LA ALLAH”.

Vërtet, kjo ditë madhështore ishte njëra prej ditëve të dalluara të Allahut xh.sh.

Rrebiu mbeti shpatë e pathyeshme në duart e muslimanëve, nën komandën e të cilit u çliruan shumë vende dhe u thyen shumë ushtri armike. Udhëhoqi çështjet e muslimanëve në provinca të ndryshme të shtetit Islam. Gjatë kohës së Emevive, Muaviu vendosi ta emërojë Rrebiun vali të Horasanit, ndonëse ky nuk kishte dëshirë ta merrte kë­të detyrë. Shqetësimin dhe urrejtjen për këtë emërim ia shtoi Zi­jad ibnu Ebihi, njëri nga valitë e lartë të Emevive, kur ia dërgoi një shkresë në të cilën i shkruante dhe i thoshte:

“Emiri i besimtarëve Muaviu të urdhëron që arin dhe argjendin nga preja e luftës ta lësh për arkën shtetërore, kurse të tjerat t’i ndash mes luftëtarëve...”

Rrebiu, paksa i mllefosur, i shkroi atij:

“Libri i Allahut më urdhëron të kundërtën e asaj që ti më ke ur­dhë­ruar me gjuhën e emirit të muslimanëve (besimtarëve).”

Pastaj i thirri ushtarët dhe njerëzit e tjerë që të marrin pjesën e caktuar nga preja e luftës e të mos çajnë kokën për letrën ten­den­cioze të Zijad bin Ebihit, kurse një të pestën e dërgoi sipas rregullit në qendrën e halifatit në Damask...

*  *  *

Në xhumanë e parë pas arritjes së asaj shkrese, Rrebië ibnu Zi­ja­di, i veshur i tëri me petka të bardha, doli për ta falur namazin dhe iu drejtua njerëzve me këshillimin (hytben) e xhumasë, duke u thënë:

“Vëllezër të nderuar, mua më është mërzitur jeta. Unë do ta bëj një lutje kurse ju thoni “AMIN” lutjes sime”.

Pastaj vazhdoi e tha: “O Zoti im, nëse mua më dëshiron mirësi, më merr te Ti sa më shpejt dhe pa vonesë...”

Të gjithë njerëzit e pranishëm i thanë “AMIN” lutjes së tij...

Dhe vërtet, ende pa perënduar mirë dielli i asaj dite Rrebië ibnu Zijadi shkoi pranë fqinjësisë së Krijuesit të tij, shpirtqetë dhe i kënaqur.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

ABDULLAH IBËN SELAMI

abdullah_ibn_selami

ABDULLAH IBËN SELAMI

“Kush dëshiron të shohë njërin prej banorëve të xhenetit, le të shikojë Abdullah bin Selamin.”

Husajnu ibnu Selami ishte njëri prej priftërinjve të Jethribit. Medinasit, edhe pse ishin popuj të ndryshëm dhe me fe të ndrysh­me, atë e respektonin që të gjithë.

Ishte i njohur ndër njerëz me devotshmëri, mirësjellje, qëndrim burrëror dhe me drejtësi.

*  *  *

Husajni kalonte një jetë të qetë dhe të rehatshme, por në të njëjtën kohë edhe jetë serioze e të dobishme...

Kohën e tij e kishte ndarë në tri pjesë:

Një pjesë ia kushtonte adhurimit dhe ligjërimit në Sina-gogë...

Një pjesë ia kushtonte qëndrimit në kopshtin e tij duke u kuj­desur për hurmat, rreth krasitjes dhe shartimit të tyre..., dhe pjesën tjetër ia kushtonte leximit dhe studimit të Tevratit...

*  *  *

Sa herë që lexonte Tevratin ndalej gjatë në vendet (pjesët) ku paralajmërohej paraqitja e një të Dërguari në Mekë, i cili do t’i plotësojë shpalljet e gjithë të Dërguarve të mëparshëm dhe do t’i vulosë ato.

Tek studionte cilësitë dhe shenjat e këtij të Dërguari të pritur, ndjenjat e gëzimit ia përshkonin tërë trupin, kur e dinte se ai i dër­guari do të largohej prej vendit në të cilin do të dërgohet dhe do të zgjedhë Jethribin si vend për emigrim dhe qëndrim.

Sa herë që i lexonte këto lajme, apo i shkonin ndërmend, e mban­te shpresa se Allahu do t’i japë jetë që të ketë mundësi ta përjetojë paraqitjen e këtij të Dërguari të pritur, të kënaqet me takimin e tij dhe të jetë i pari që do t’i besojë atij.

*  *  *

Allahu xh.sh. iu përgjigj lutjes së tij dhe i dha jetë derisa u dër­gua Pejgamberi i mëshirës dhe i udhëzimit.

Ia bëri të mundur që të takohet me të dhe ta ketë fatin që ta sho­qërojë atë për t’i besuar të vërtetës të cilën ia kishte zbritur i Plotfuqishmi atij. Tani le t’ia japim fjalën Husajnit, që vetë të na arrëfejë se si e përqafoi Islamin, ngase ai është më i denji për këtë.

Husajn ibnu Selami rrëfen e thotë:

- Kur dëgjova për paraqitjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. fillova të mendoj për emrin, prejardhjen, cilësitë, kohën dhe ven­din e paraqitjes së tij, dhe i krahasova me atë që është shkruajtur në librat tona, derisa u binda në vërtetësinë e thirrjes së tij. Mirëpo, këto të dhëna i fsheha nga çifutët... dhe nuk bisedova me njeri në lidhje me këtë, deri ditën kur i Dërguari i Allahut doli nga Meka dhe ia mësyu Medinës.

Kur arriti në Jethrib dhe u vendos në Kuba, erdhi një lajmëtar dhe na tregoi për ardhjen e tij. Në atë moment isha në majë të një hurme duke punuar diçka në të, kurse halla ime Halide bintul Harithi ishte ulur nën pemë. Posa dëgjova lajmin brohorita nga gëzimi: Allahu ekber... Allahu ekber.

Kur e dëgjoi tekbirin tim, halla ime m’u drejtua dhe më tha: - Alla­hu të marroftë!

Për Zotin po të kishe dëgjuar se Musa bin Imrani është duke ardhur nuk do të bëje asgjë më tepër se kjo...

Asaj i thashë:

‑ Oj halla ime! Për Zotin, ky është vëllai i Musa bin Imranit në fe dhe u dërgua me atë që u dërgua Musai...

Ajo heshti pakëz dhe tha:

- A ky është ai i Dërguari për të cilin na paralajmëronit se do të dër­gohet si vërtetues i atyre që ishin para tij dhe plotësues i shpall­jeve të Allahut?!

Po ‑ i thashë.

‑ Atëherë ky qenka ai ‑ tha ajo.

Pastaj menjëherë shkova tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe pash turmën e njerëzve tek shtyheshin për t’u afruar para Pejgam­be­rit a.s. Fillova edhe unë të shtyhem derisa arrita afër tij.

Fjalët e para që dëgjova prej tij ishin:

‑ O ju njerëz shpërndani selam, jepuni ushqim të varfërve, fa­luni natën, gjersa njerëzit e tjerë flenë, që të hyni në xhenet me selam...

E shikova me vëmendje, i kënaqa sytë në shikimin e tij dhe u binda se fytyra e tij nuk është fytyrë gënjeshtari.

Iu afrova pranë dhe dëshmova para tij se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij.

U kthye nga unë dhe më pyeti:

‑ Si të quajnë?

‑ El Husajnu ibnu Selam, ‑ thashë.

Më mirë do të përkonte emri Abdullah ibnu Selam, më tha.

Me krenari do ta mbaj këtë emër ‑ Abdullah ibnu Selam, - iu për­gjigja ngase, pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nuk dë­shiroj të kem tjetër emër pas ditës së sotme.

U largova nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për në shtëpinë time dhe i thirra në Islam gruan, fëmijët dhe familjen time dhe që të gjithë besuan. Atyre iu bashkangjit edhe halla ime, Halidja, e cila ishte një plakë e shtyrë në moshë... e pastaj u thashë:

- Mbajeni në fshehtësi Islamin tim dhe tuajin nga çifutët, derisa t’ua lejoj që ta shfaqni atë!

Po ‑ më thanë ata.

Ndërkohë u ktheva tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i thashë:

‑ O i Dërguari i Allahut, me të vërtetë çifutët janë një popull shpifës dhe gënjeshtar.

Thirri prijësit e tyre, më fsheh prej tyre në njërën prej dhoma­ve të tua, pastaj pyeti për pozitën dhe autoritetin tim te ta, para se ta marrin vesh për Islamin tim e pastaj thirri në Islam.

Nëse e marrin vesh se e kam pranuar Islamin, do të më për­qe­shin dhe do të shpifin ndaj meje çdo të qenë dhe të paqenë.

I Dërguari i Allahut veproi ashtu siç i thashë, më futi në njërën prej dhomave të tij e pastaj i thirri ata dhe filloi t’u flasë për fenë islame, duke ua bërë të dashur imanin dhe duke ua përkujtuar atë që e kishin mësuar ‑ lexuar për të në librat e tyre të shenjta.

Ata filluan të polemizojnë me të, me të pavërteta dhe ta kun­dërshtojnë të vërtetën e zbritur. Unë vetëm dëgjoja. Kur Resu­lullahu i humbi shpresat prej besimit të tyre u tha:

‑ Çfarë pozite ka Husajn Ibnu Selami te ju? Ata thanë: - Ai është zotëriu ynë dhe biri i zotëriut tonë, është prifti dhe mësuesi ynë dhe biri i priftit e mësuesit tonë!

‑ Po nëse ai beson, a do të besonit edhe ju?

‑ Ruana Zot! Ai kurrë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Zoti mos e dhashtë që ai të besojë ‑ thanë ata. Atëherë u shfaqa, dola para tyre dhe u thashë:

‑ O paria e çifutëve, keni frikë  Allahun dhe pranoni atë që i ka ardhur Muhammedit. Për Zotin, ju e dini mirë se ai është i Dër­guari i Allahut, të cilin e gjeni të shkruar në Tevrat me emrin dhe cilësitë e tij. Unë dëshmoj se ai është i Dërguari i Allahut, i besoj, e vërtetoj dhe e pranoj atë.

Atëherë m’u vërsulën me fjalë fyese e nënçmuese:

Po gënjen. Për Zotin ti je më i keqi dhe biri i më të keqit prej nesh, je injorant dhe bir i më injorantit prej nesh, - dhe nuk lanë gjë të zezë pa më thënë.

Iu drejtova të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i thashë:

‑ A nuk të kam thënë se çifutët vërtet janë një popull shpifës dhe gënjeshtarë dhe janë të prirur për tradhti e mëkate?!

*  *  *

Abdullah ibnu Selami e pranoi Islamin dhe iu qas ibadetit me për­kushtimin e të eturit për ujë...

Aq shumë u dha pas dashurisë së të lexuarit të Kur’anit, saqë gjuha e tij asnjëherë nuk ndalej nga leximi i ajeteve të Tij fisnike.

U lidh me të Dërguarin e Allahut gjersa u bë si një hije e pandash­me e Resulullahut, mëngjes e mbrëmje. Ai u zotua se do të punojë për xhenet derisa një ditë i Dërguari i Allahut e përgëzoi me të, përgëzim i cili u përhap me shpejtësi rrufeje në mesin e saha­bëve fisnikë dhe mori dhenë.

Lidhur me këtë përgëzim ekziston edhe tregimi të cilin e rrëfen Kajs ibnu Ubadete dhe disa të tjerë.

Kajsi thotë:

Isha ulur në njërin nga tubimet e diturisë që mbahej në xhaminë e të Dërguarit të Allahut në Medinë.

Në atë tubim ishte një plak i moshuar, i cili, tek e shihje, ta kënaqte shpirtin dhe ta qetësonte zemrën.

Filloi t’u flasë njerëzve me fjalë të ëmbla të cilat ndikonin menjëherë në zemrat e tyre dhe lënin mbresa.

Kur u largua, disa thanë:

‑ Kush dëshiron ta shohë njërin prej banorëve të xhenetit, le ta shikojë këtë njeri (duke aluduar në Abdul-lahun).

Kush është ky? ‑ pyeta

‑ Abdullah ibnu Selami ‑ më thanë.

Thashë me vete se do ta përcjell atë dhe e përcolla.

Ai filloi të ecë gjersa pothuajse doli nga Medina, e pastaj hyri në shtëpinë e tij. Kërkova leje prej tij që të më bëjë konak, të cilën gjë e pranoi me kënaqësi.

Cilat janë nevojat e tua, o i biri i vëllaut tim? ‑ më pyeti.

I thashë:

‑ Dëgjova njerëzit tek flisnin për ty, kur dole nga xhamia:

“Kush dëshiron ta shohë njërin prej banorëve të xhenetit, le ta shikojë këtë njeri.” Për këtë arsye t’u lëshova pas që të marr vesh se si morën vesh njerëzit se ti je prej xhenetlinjve.

Tha:

- Allahu është më i Dijshmi për xhenetlinjtë. o biri im.

I thashë:

Po... por patjetër për atë që kanë thënë kanë ndonjë arsye.

- Unë do të të tregoj arsyen, - më tha.

- Atëherë ma thuaj... Allahu të shpërbleftë me të mirë, - i thashë.

Abdullahu filloi bisedën dhe tha:

- Derisa isha duke fjetur një natë, gjatë kohës së Pejgamberit a.s., më erdhi një njeri në gjumë (ëndërr) dhe më tha:

‑ “Ngrihu!” Më kapi për dore, kur sakaq para meje nga e majta m’u shfaq një rrugë, në të cilën desha të shkoja...

Më tha:

‑ Lëre atë rrugë, se ajo nuk është për ty...

Shikova në të djathtë kur, sakaq, para meje u shfaq një rrugë e ndritshme, e ai njeriu më tha:

‑ “Pasoje këtë rrugë!”

- E pasova atë rrugë derisa arrita te një kopsht i bukur dhe i gjerë, gjelbërimi i të cilit të mahniste.

Në mes tij ishte një shtyllë, rrënjët e së cilës ishin në tokë e maja në qiell.

Në majë të tij gjendej një kurorë e artë.

‑ “Mbërrije atë”, - më tha ai.

‑ Nuk mundem, ‑ i thashë.

Atëherë erdhi një shërbëtor, më ndihmoi të ngrihem derisa arrita në majë të shtyllës dhe mora kurorën me të dy duart.

Mbeta i ngjitur për atë shtyllë derisa u zgjova nga gjumi.

Të nesërmen, sapo u zgjova, menjëherë nxitova tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tregova atij për ëndrrën time, të cilën ma komentoi dhe më tha:

- Rruga që ke parë në të majtë është rruga e banorëve të zjarrit (xhehenemit), kurse rruga e djathtë, të cilën e ke parë, është rruga e banorëve të xhenetit. Kopshti që të ka magjepsur me gjel­bë­rimin dhe bukuritë e tij është Islami... Shtyllën që e ke parë në mes të atij kopshti është shtylla e fesë (besimit)... kurse kurora është lidhja më e fortë ‑ Imani, me të cilin do të jesh përherë i li­dhur ngushtë deri në vdekje! 

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Ahmet Rama

SURAKA IBNU MALIKU

suraka_ibnu_maliku

SURAKA IBNU MALIKU

“Si do të të duket, o Suraka, kur t'i veshësh dy rrathët e arta të Kisrës?!”

Muhammedi, a.s.

Një mëngjes kurejshitët lëvizën të frikësuar dhe të tmerruar. Në vendtubimet e tyre u përhap lajmi se Muhammedi a.s. ishte larguar nga Meka fshehurazi nëpër errësirë të natës. Megjithatë, krerët kurejshit nuk i besuan lajmit.

U futën në çdo shtëpi të fisit Benu Hashim për ta kërkuar Pej­gam­berin a.s.

E kërkonin dhe pyetnin për të në çdo shtëpi të shokëve të tij, derisa erdhën në shtëpi të Ebu Bekrit. Atyre iu doli përpara e bija e Ebu Bekrit ‑ Esma.

Ebu Xhehli e pyeti atë:

- Ku është babai yt, oj vajzë?

Ajo iu përgjigj:

- Nuk e di ku është ai tani.

Ebu Xhehli ngriti dorën dhe i ra asaj në faqe, saqë ia hodhi për tokë vathin e saj.

*  *  *

Krerët e krisur kurejshit u çmendën kur u bindën se vërtet Mu­hammedi a.s. e ka lëshuar Mekën. Ata mobilizuan çdo gjurmues që ishte i aftë t'i njohë dhe ndjekë gjurmët, për ta përcaktuar rrugën të cilën e ka ndjekur Muhammedi a.s. Të gjithë shkuan së bashku për ta kërkuar atë.

Pasi arritën te shpella “Thevr”, gjurmuesit u thanë kurej­shitë­ve:

- Për Zotin, shoku juaj (aludojnë në Muhammedin a.s.) nuk e ka ka­luar këtë shpellë.

Ata nuk gabuan kur ua thanë këtë kurejshitëve, sepse Muhammedi a.s. dhe shoku i tij Ebu Bekri ishin brenda në shpellë, kurse kurej­shitët qëndronin mbi kokat e tyre (mbi shpellë).

Ebu Bekër Es‑Siddikut kur shikoi këmbët e njerëzve që lëviznin mbi shpellë filluan t'i rrjedhin lotët...

I Dërguari i Zotit xh.sh. i hodhi një shikim të dashur, por njëko­­hësisht paksa qortues.

Es‑Siddiku dënesi dhe tha:

- Për Zotin, nuk qaj për veten time, por nga frika, se nuk dëshiroj të të shoh në hall, o Pejgamber i Zotit.

I Dërguari i Zotit, duke e qetësuar atë i tha:

- Mos u brengos, o Ebu Bekër, sepse vërtet Allahu është me ne.

Atëherë Zoti qetësoi zemrën e Ebu Bekrit, i cili zuri t'i shikojë këmbët e njerëzve dhe tha:

“O i Dërguar i Zotit, po të shikonte njëri prej tyre në vendin ku qëndron me këmbët e tij, gjithsesi do të na shihte edhe neve.” Në këtë, i Dërguari ia ktheu:

- Ç’mendon ti, o Ebu Bekër, kur them se aty ku janë dy veta edhe Allahu është me ta?!!

Këtu, ata dy dëgjuan një të ri nga kurejshitët i cili iu thoshte njerëzve:

- Ejani në shpellë dhe të shikojmë në të!

Umejje ibnu Halef i tha atij me ironi:

- A nuk e sheh këtë merimangë që e ka bërë rrjetën e vet mu në derën e saj?!

- Për Zotin, ajo është më e vjetër se vetë lindja e Muhammedit...

Megjithatë, Ebu Xhehli tha:

- Për Latin dhe Uzanë, megjithatë, ma merr mendja se ai është afër nesh, dëgjon çka themi dhe shikon se çka bëjmë, por magjia e tij na i ka vërbuar sytë e nuk shohim.

*  *  *

Megjithatë, kurejshitët nuk hoqën dorë nga çështja e gjurmimit të Muhammedit a.s., e as që u sprapsën nga synimi i tyre për ta ndje­kur. Ndër fiset e shtrira përgjatë rrugës ndërmjet Mekës dhe Me­dinës shpallën lajmin: Ai që ua sjell të gjallë apo të vdekur Muhammedin a.s. do të fitojë njëqind deve të racës më të mirë.

*  *  *

Suraka ishte në njërin nga vendtubimet e njerëzve të tij në “Kudejd” afër Mekës.

Erdhi një i dërguar nga kurejshitët dhe hyri brenda. Ai e dha laj­min sensacional për shpërblimin e madh të cilin e premtuan ku­rej­shitët për atë që ua sjell Muhammedin a.s., të gjallë apo të vdekur.

Suraka, posa dëgjoi lajmin për shpërblimin prej njëqind devesh, shfaqi interesim dhe i hyri lakmia. Por, ai u përmbajt dhe nuk e tha asnjë fjalë të vetme, me qëllim që të mos lakmojnë të tjerët.

Para se të ngritej Suraka nga tubimi, aty hyri njëri prej njerëz­ve të tij dhe tha:

- Për Zotin, tani pranë meje kaluan tre njerëz dhe unë mendoj se ata janë: Muhammedi a.s., Ebu Bekri dhe udhërrëfyesi i tyre.

Por, Suraka iu tha atyre:

- Jo, ata nuk janë personat që kërkojmë, por janë bijtë e fila­nit, shkojnë për të kërkuar një deve të tyre të humbur.

Njeriu tha:

- Ndoshta janë ata dhe heshti...

Pastaj Suraka qëndroi edhe pak kohë, për të mos ia tërhequr vë­men­djen ndonjërit prej të pranishmëve me ngritjen e tij nga vend­tubimi.

Pasi njerëzit filluan një bisedë tjetër, ai u tërhoq qetas dhe pa u vërejtur prej tyre. Shkoi me nxitim në shtëpinë e vet, e ur­dhëroi shërbëtoren që t'ia nxjerrë kalin jashtë dhe që ta lidhë në mes të luginës, pa u vërejtur nga njerëzit.

Ai urdhëroi shërbëtorin e vet që t'ia përgatitë armën, t'ia nxje­rrë atë nga ana e prapme e shtëpive që të mos e shohë askush dhe ta vendosë në një vend afër kalit...

*   *   *

Suraka ka qenë njëri prej kalorësve të rrallë të fisit të tij, shtat­gjatë, vigan, gjurmues i mirë dhe shumë i durueshëm në për­ballimin e mundimeve dhe vështirësive të rrugës.

*   *   *

Suraka veshi këmishën e tij të hekurt, ngjeshi armën, kërceu mbi shalë të kalit dhe filloi të ngutet për udhëtim që të arrij Mu­hammedin a.s., para se ta kapë ndonjëri para tij dhe që të trium­fojë e ta marrë shpërblimin e madh të kurejshitëve.

Përveç tërë kësaj, ai ishte shumë i shkathët, i mençur dhe i ndie­shëm... Kurse kali i tij ishte prej kuajve të racës më fisnike.

*   *   *

Derisa Suraka po nxitonte duke kaluar vendet me shpejtësi, kali i tij papritmas zuri në thua, ai ra nga shala, u bë pesimist dhe pyeti: “Ç’është kjo?!”

U bëfsh copë e grimë, o kalë! - dhe përsëri hypi mbi shpinën e tij, por nuk shkoi larg dhe kali i tij prapë zuri në thua. Atëherë iu shtua pesimizmi dhe vendosi të kthehej. Megjithatë, nuk u tërhoq nga vendimi për shkak të lakmisë së tij për njëqind devetë e premtuara.

*   *   *

Suraka nuk u largua shumë nga vendi ku kali zuri në thua, kur pa Muhammedin a.s. me dy shokët e tij. E shtriu dorën te harku i tij, por ajo iu shtang në vend...

Kjo i ndodhi për shkak se ai pa këmbët e kalit të tij duke sha­rruar në tokë, kurse tymi ngrihej para tij dhe ua mbyllte sytë që të dyve...

E shtyu kalin, por ai tashmë kishte sharruar në tokë, sikur të ishte i gozhduar me gozhda hekuri.

U drejtua nga Pejgamberi a.s. dhe shoku i tij Ebu Bekri dhe tha me zë të shterur: - O ju të dy! Luteni për mua Zotin tuaj që t'i lirojë këmbët e kalit tim... E unë do të tërhiqem nga ndjekja juaj.

Pejgamberi a.s. u lut për të, kurse Perëndia për hir të tij i liroi këmbët e kalit të Surakës.

Nuk vonoi dhe ndjenjat lakmitare të tij përsëri u trandën, e shtyu kalin përpara drejt atyre të dyve, por këtë herë këmbët e kalit u fundosën në tokë më tepër se herën e parë.

Kërkoi ndihmë prej atyre të dyve (Muhammedit a.s. dhe Ebu Bekrit), duke thënë:

“Ja, merreni ushqimin tim (të përgatitur për udhëtim), pajis­jen dhe armën time. Ua jap besën e Zotit se do t'i kthej mbrapa të gjithë njerëzit që janë mbas meje...”

Ata i thanë: “Nuk kemi nevojë për ushqimin dhe pajisjen tënde, por ktheji njerëzit mbrapa...”

Pastaj Pejgamberi u lut për të dhe u liruan këmbët e kalit të Surakës.

Mbasi vendosi për t'u kthyer, i thirri që të dy dhe iu tha: - Ndaluni pak t'iu them se, për Zotin, nuk do t'iu vijë asgjë e keqe nga unë.

Pejgamberi dhe Ebu Bekri i thanë:

- Ç’kërkon prej nesh?!

Suraka tha:

- Për Zotin, o Muhammed, unë vërtet e di se do të triumfojë feja jote dhe do të lartësohet çështja jote, atëherë të lutem më premto se kur të vij në shtetin tënd, do të më nderosh dhe më shkruaj një shkresë për këtë...

Pejgamberi e urdhëroi Ebu Bekrin, ai i shkroi mbi një kockë e ia shpuri atij...

Meqë Suraka vendosi për t'u kthyer, Pejgamberi a.s. i tha:

- Si do të duket ty, o Suraka, kur do t'i veshësh dy rrathët nga ari i Kisrës?!

Suraka i habitur tha:

- Të Kisrës, birit të Hurmuzit (mbretit persian v.j.)?!

Pejgamberi i tha:

- Po,... të Kisrës, birit të Hurmuzit.

*   *   *

Suraka u kthye mbrapa dhe i gjeti njerëzit të cilët kishin filluar për të kërkuar të Dërguarin e Allahut, dhe iu tha:

- Kthehuni, se e shikova tokën në të gjitha anët, duke e kërkuar atë pëllëmbë për pëllëmbë, por nuk e gjeta. Juve nuk iu është e pa­njohur aftësia e të pamurit tim si dhe njohuritë e mia mbi gjurmët.

Atëherë ata u kthyen.

Ai nuk i tregoi askujt se çka i kishte ndodhur me Pejgamberin a.s. dhe shokun e tij ‑ Ebu Bekrin, gjersa u bind se ata kanë arritur në Medinë dhe janë të sigurtë nga ana e armiqve të tyre. Atëherë dha lajmin dhe tregoi për ngjarjen. Mbasi dëgjoi Ebu Xhehli për rastin e Surakës me Pejgamberin a.s. dhe qëndrimin ndaj tij, e qor­toi atë për kinse poshtërsinë, paaftësinë dhe frikën e tij që e ka lë­shuar rastin...

Suraka, duke u përgjigjur në qortimin e tij, tha:

- O Ebu Hakem (Ebu Xhehl), për Allahun, sikur ti të ishe dësh­mi­tar për çështjen e kalit tim kur këmbët e tij i sharruan në tokë, do ta dije dhe nuk do të dyshoje se vërtet Muhammedi është i dër­guar me argumente, e cili do të ishte ai që do t'i bënte ballë?!

*   *   *

Ditët kalonin...

Kurse Muhammedi a.s. i cili doli nga Meka i ndjekur, i përzënë dhe i mbrojtur nga terri i natës, tani kthehet në të si një zotëri çli­rimtar, përreth tij vringëllojnë mijëra shpata të bardha dhe shtiza të zeza...

Ndërkaq kurejshitët, në anën tjetër, që ishin mendje-mëdhenj, kokëfortë dhe shkaktonin ngatërresa në vend, tani e presin atë (Pej­gamberin) të frikësuar dhe të hutuar, kërkojnë nga ai duke thënë:

A thua, çdo të bësh me ne?!

E ai iu përgjigjet me urtësinë dhe mëshirën e Pejgam-berëve:

Shkoni, jeni të lirë...

Me atë rast, Suraka ibnu Maliku përgatiti devenë e tij dhe shkoi te Pejgamberi i Zotit që të shpallë se hyn në Islam në prani të Tij, kurse me vete kishte shkresën të cilën ia kishte dhënë atij Pej­gam­beri para dhjetë vjetësh.

Suraka ka thënë:

- Kur arrita tek i Dërguari a.s. në “El Xhi'rane”[1], iu afrova një grupi të shokëve të tij nga ensarët. Ata filluan të më preknin me pjesën e mbrapme të heshtave duke thënë:

- Largohu, largohu, çka po dëshiron?!

Unë, megjithatë, vazhdoja duke çarë radhët e tyre gjersa arri­ta pranë të Dërguarit të Zotit xh.sh. Ai kishte hypur mbi devenë e tij, e unë ngrita dorën në të cilën kisha shkresën dhe thashë:

- O Resulullah (O i Dërguar i Zotit)...

Unë jam Suraka ‑ ibnu Maliku.

Kurse kjo është shkresa Juaj për mua...

Pejgamberi a.s. atëherë tha: - Afrohu pranë meje, o Suraka, afro­hu... Kjo është ditë e përmbushjes së zotimit, sinqeritetit, besnikërisë dhe mirësisë.

Arrita tek ai dhe e pranova Islamin para Tij.

E arrita hajrin dhe mirësinë e Tij...

*   *   *

Vetëm disa muaj më vonë pas këtij takimi të Surakës me Pej­gam­berin a.s., me dëshirën e Allahut, Muhammedi a.s. kaloi në fqi­njësi të Tij (ndërroi jetë).

Suraka u pikëllua shumë për Pejgamberin a.s. Zuri t'i kujtohej ajo ditë kur kishte vendosur ta vrasë për njëqind deve. “Si mund të bëhet ajo vepër e ndyerë, mendoi ai, - kurse sot të gjitha devet e bo­tës nuk vlejnë tek ai sa të zitë e thonjve të Pejgamberit a.s.

Filloi ta përsërisë fjalinë të cilën ia kishte thënë atij Pejgamberi a.s.:

“Si do të duket ty, o Suraka, kur do t'i veshësh dy rrathët nga ari i Kisrës?!”

Duke mos patur dyshim fare në atë, sepse ai gjithsesi do t'i ve­shë ata (dy rrathët e arit, të Kisrës ‑ mbretit persian).

*   *   *

Edhe më pastaj ditët kalonin sikurse herëve të tjera, ndërsa push­tetin e mori El‑Faruku (Omeri r.a.) r.a.[2] Gjatë kohës së sundimit të tij, ushtria muslimane u vërsul mbi Perandorinë persiane, ashtu siç fryn dhe vërsulet furtuna...

Ai filloi t'i thyejë fortifikatat, kurse ushtritë persiane filluan të pësojnë disfatë pas disfate, të lëkunden fronet, t'i humbasin pasuri­të, gjersa Allahu ua hoqi nga dora perandorinë persianëve.

Një ditë, gjatë kohës së fundit të sundimit të Omerit r.a., në Medinë arritën të dërguarit e Sa'd ibnu Ebi Vekkasit dhe uronin ha­lifin e muslimanëve për fitore...

Ata mbartnin një të pestën e plaçkës së luftës, të për ta derdhur në arkën shtetërore të muslimanë­ve.

Mbasi u nxorën pasuritë përpara Omerit r.a., ai i shikoi me habi...

Në to ishte edhe kurora mbretërore e Kisrës, e stolisur me ar dhe margaritarë, kurse rrobat e tij të thurura me penj prej ari...

Ndërsa kraharorja (shiriti) e tij e thurur dhe e stolisur me xhe­va­hirë (gurë të çmueshëm)...

Dy hallkat (rrathët) e tij, të tilla çfarë nuk i ka parë kurrë syri i njeriut...

Si dhe shumë gjëra të tjera të pakufishme, prej gjërave më të vlefshme.

Omeri filloi ta rrotullojë këtë thesar të çmueshëm me një shkop...

Pastaj shikoi të pranishmit rreth tij dhe tha:

- Vërtet, njerëzit të cilët e bënë këtë janë besnikë...

Ali ibnu Ebi Talibi, i cili ishte prezent në ato çaste, i tha:

- Në të vërtetë, ti o prijës i besimtarëve, je përmbajtur dhe ruajtur nga harami, atëherë janë ruajtur edhe qytetarët tuaj... por sikur mos të ishe përmbajtur e të kishe ngrënë haramin, gjithsesi edhe ata nuk do të përmbaheshin.

Këtu el‑Faruku r.a. thirri Surakën, ia veshi atij këmishën e Kisrës, pantallonat e tij, rrobat e tij dhe këpucët e tij...

Pastaj ia vari shpatën në qafë, kurse rripin ia vendosi në bel...

Mbi kokë ia vendosi kurorën mbretërore...

Në duar i vendosi dy rrathët prej ari. Oh sa të bukur ishin ata rrathë...!

Në ato çaste muslimanët brohoritën me zë të lartë: Allahu ekber ‑ Zoti është më i madhi... Zoti është më i madhi... Zoti është më i madhi...

Pastaj Omeri u kthye nga Suraka dhe i tha:

- Oho, oho... Një beduin i vogël nga Benu Medlexhët  dhe mbi kokën e tij është kurora e Kisrës..., kurse në dy duart e tij janë rrathët e tij...!!!

Mandej ngriti kokën drejt qiellit dhe tha:

- O Zoti im, vërtet Ti nuk ia dhurove këtë pasuri të Dërguarit Tënd, kurse ai ka qenë më i dashuri te Ti dhe është më i nderuar sesa unë...

Atë nuk ia dhurove Ti as Ebu Bekrit, kurse ai ka qenë më i da­shur dhe më i nderuar te Ti sesa unë, gjithashtu...

Atë ma solle dhe ma dhurove mua. O Zot, kërkoj dhe të lutem që të mos ma dhurosh atë (pasuri) mua, por të më ndëshkosh...

Më në fund, Omeri nuk u ngrit nga vendi gjersa ua ndau atë pasuri muslimanëve.



[1] El Xhi'rane: Vend ndërmjet Mekës dhe Taifit, por më afër Mekës.

[2] Shkurtesa nga “radijall‑llahu anhu” arab., d.m.th. Zoti qoftë i kënaqur me të.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

FEJRUZ ED‑DEJLEMIJ

fejruz_eddejlemij

FEJRUZ ED‑DEJLEMIJ

“Fejruzi është njeri i bekuar, nga familja e një shtëpie me njerëz të bekuar.”

Muhammedi a.s.

Pasi u sëmur i Dërguari i Allahut pas kthimit të tij nga haxhi i lamtumirës, lajmi për sëmurjen e tij u përhap në të gjitha anët e Siujdhesës. Nën këto rrethana nga Islami u larguan: El‑Ansij në Jemen, Musejleme El‑Kedhdhabi në Jemame, kurse Tulejha El‑Esedij në vendbanimin e Benu Esedëve.

Të tre rrenacakët pretendonin se janë të dërguar (pejgamberë) dhe se secili prej tyre është dërguar te populli i vet, ashtu siç ishte i dërguar Muhammedi, i biri i Abdullahut, te kurejshitët.

*   *   *

El Esved el‑Ansij ishte një prift mashtrues (magjistar), shpirt­keq, keqbërës i rrezikshëm, shumë i fuqishëm dhe trupmadh.

Përveç kësaj ai ishte orator i pastër, i mahniste të urtit me fja­limin e tij. Ishte dinak dhe i aftë për të luajtur me arsyet e masës me trivialitetin e tij, si dhe me përfitimin e njerëzve me anë të pasurisë, nderit dhe pozitës.

Ai nuk parqitej para njerëzve me fytyrën e tij të vërtetë, por të maskuar, duke atribuar si veti madhështinë e respektin në mënyrë të errët me ndjelljen e tmerrit në zemrat e masës.

*   *   *

Në atë kohë, pushteti në Jemen ishte në duart e “Bijve”, në krye të të cilëve ishte Fejruz ed‑Dejlemijj, shoku i Pejgamberit a.s.

“El Ebna”(Bijtë) është emër me të cilin është quajtur një grup njerëzish, baballarët e të cilëve ishin persianë janë larguar nga vendet e tyre për në Jemen, kurse nënat e tyre ishin arabe.

“Badhani” ishte më i moshuari i tyre dhe ishte mbret në Je­men në kohën kur u paraqit Islami. Në atë post e kishte emëruar Kisra ‑ i Madhi i persianëve. Posa vuri në dukje sinqeritetin e Pejgamberit a.s. dhe kuptoi rëndësinë e madhe të thirrjes së tij në rrugë të drejtë, menjëherë zuri të mos e respektojë Kisranë dhe së bashku me popullin e tij hyri në fenë Islame, kurse Pejgamberi e rivendosi për sundimtar në të njëjtin vend, e ai qëndroi në atë post deri pak kohë para paraqitjes së el‑Esved el‑Ansiut, kur edhe vdiq...

*   *   *

Ata që iu përgjigjën ftesës së tij të rrejshme ishin nga fisi i tij (el‑Ansiut) ‑ Benu Medhhixhët. Ai kaloi me ta në San'a, e mbyti sun­dim­tarin e saj “Shehre”, të birin e “Badhanit” dhe pastaj u martua me gruan e tij “Adhade”.

Mandej kaloi prej San'as në krahinat e tjera, ku njerëzit filluan t'i nënshtrohen dhe të bien nën ndikimin e tij me shpejtësi të kon­siderueshme, derisa ai ndikim u përhap edhe në vendet ndërmjet Had­rameutit dhe Taifit, si dhe prej Bahreinit dhe el‑Ahsaës e gjer në Aden.

*   *   *

Shkathtësia dhe mençuria e tij e pakufizuar ishte ajo që i bëri njerëzit të jenë të mashtruar dhe të anojnë kah ai. Përkrahësit e el‑Ansiut u manipuluan se ai ka një engjëll i cili i zbret atij shpallje dhe e lajmëron për gjërat sekrete. Ai zuri të argumentojë këtë su­po­zim të tij me anën e agjentëve, të cilët i kishte dërguar në çdo vend për të mbledhur lajmet e njerëzve, t'i zbulojnë sekretet e ty­re, t'i njohin problemet e tyre si dhe të zbulojnë atë që fshihet në zemrat e tyre prej bindjeve dhe shpresave e pastaj t'ia sjellin të gjitha ato fshehurazi.

Ai ballafaqohej me çdonjërin që kishte ndonjë hall. Secili fillon­te t'i tregojë për problemin që e mundonte, kurse el‑Ansiu u sillte atyre çudira dhe habi, saqë i bënte të harrojnë mendjet e tyre dhe ua sillte në dilemë të kuptuarit e tyre me anë të intrigave të tij...

Kështu vazhdoi gjersa çështja e tij u përforcua dhe u përhap pro­paganda e tij, ashtu siç përhapet zjarri i ndezur në bar të thatë.

 

*  *  *

Posa i arriti lajmi Pejgamberit mbi dezertimin e el‑Esved el‑An­siut dhe kalimit të tij në Jemen, me shpejtësi i dërgoi të ecin rreth njëqind veta prej shokëve të tij me shkresa dërguar atyre që hynë të parët në Islam, duke iu dëshiruar mirësi (d.m.th. muslimanëve të parë në Jemen). Me anë të atyre shkresave Pejgamberi a.s. dëshiroi t'i nxitë muslimanët që me iman‑besim dhe vendosmëri ta përballojnë dhe ta thyejnë këtë fitne (intrigë, ngatërresë). Ai i urdhë­ron besimtarët që ta zhdukin el‑Esved el‑Ansiun në çfarëdo mënyre...

Nuk pati njeri të cilit i arriti shkresa e të Dërguarit a.s. që nuk iu përgjigj ftesës së tij, por nxituan për ta realizuar urdhrin e tij.

Më i pari i cili iu përgjigj apelit të Pejgamberit a.s. ishte heroi i tre­gimit tonë, Fejruz ed‑Dejlemij, dhe ata të cilët ishin me të prej radhëve të “Bijëve”.

T'i citojmë fjalët e tij (Fejruzit), me të cilat na tregon tregimin e tij të shkëlqyer. Fejruzi ka thënë:

- Unë dhe ata të cilët ishin me mua nga “Bijtë” nuk kemi dyshuar në asnjë moment në fenë e Zotit, e as që pati ndonjë përkrahje në zemrat tona për armikun e Zotit xh.sh.

Pritnim momentin e volitshëm për t'u hedhur mbi të, për ta zhdukur me çdo kusht...

Mbasi na arriti shkresa e të Dërguarit a.s., neve dhe shokëve të cilët të parët kanë hyrë në Islam, u përforcuam njëri me tjetrin dhe secili prej nesh u ngrit të kryejë detyrën e vet.

El‑Esved el‑Ansiu ishte mashtruar dhe ishte bërë mendjemadh pasi kishte arritur disa suksese. Iu rrit mendja dhe ndryshoi qëndrimin edhe ndaj liderit të ushtrisë së tij, Kajs ibnu Abdi Jeguthit, derisa Kajsi filloi të mos ndihet i sigurtë nga tirania e tij.

Shkuam tek ai unë dhe kushëriri im “Dadhevejh”, e lajmëruam për shkresën e të Dërguarit të Zotit dhe e ftuam që të drekojë me njeriun (el Ansiun) para se të darkojë me të.

Ftesës sonë iu përgjigj me gjithë zemër, na tregoi disa fsheh­të­si të tij dhe na shikoi sikur të kishim zbritur nga qielli.

Që të tre u zotuam që ta përballojmë dhe ta luftojmë rene­gatin rrenacak nga brenda, kurse vëllezërit tanë të tjerë ta sul­mojnë dhe të ballafaqohen me të nga jashtë.

Vendosëm që të bashkëpunojë me ne kushërira ime (bija e xhaxhait tim), “Dadha”, të cilën e kishte marrë për grua el‑Esved el­-An­siu mbasi kishte vrarë burrin e saj “Shehr ibnu Badhanin”.

*   *   *

Shkova në pallatin e el‑Ansiut dhe u takova me kushërirën time “Dadha” dhe i thashë:

“Oj bija e xhaxhait tim, ti e di sa të këqija dhe dëme na  ka bërë ky njeri, ty dhe neve.

Ai e ka vrarë burrin tënd, i ka çnjerëzuar gratë e popullit tuaj, i ka shkatërruar dhe zhdukur shumë syresh dhe ka rrëmbyer pushte­tin.

Ja, kjo është shkresa e Pejgamberit a.s. të cilën na e ka drej­tuar neve në veçanti, kurse popullit të Jemenit në përgjithësi. Ai na bën apel ‑ na fton ta heqim qafe këtë bela njëherë e përgjithmonë.

A dëshiron të na ndihmosh kundër tij?!

- Si t'ju ndihmoj? ‑ ma ktheu ajo.

Unë i thashë: - Që ta largojmë...

Ajo tha: - Madje edhe ta vrasim...

Atëherë unë i thashë: - Për Allahun, unë nuk kam patur tjetër qëllim, por u frikësova se do të më kundërshtosh.

Ajo tha: - Për Atë i Cili e dërgoi Muhammedin me drejtësi, përgë­zues dhe tërheqës i vërejtjes, nuk kam dyshuar në fenë time në asnjë moment, e as që ka krijuar Allahu njeri më të urryer për mua sesa këtë shejtan (djall të mallkuar)...

Gjithashtu, betohem në Allahun se atë nuk e njoha ndryshe qysh se e kam parë, por vetëm si një të pacipë, mëkatar, njeri që nuk e mbron drejtësinë dhe që nuk ndalet nga të këqijat.

E pyeta atë: - E si do ta vrasim atë (El‑Ansiun)?!

Ajo më tha: - Vërtet ai është i mbrojtur dhe i kujdesshëm për vetveten. Nuk ka vend në pallat që nuk e rrethojnë rojet, përveç kësaj dhome të largët dhe të lëshuar. Në të vërtetë, ana e prapme e saj është deri në vendin e caktuar... që del në fushë dhe kur t'iu zë terri juve, thyeni atë në errësirë të natës, atëherë në brendi të saj do të gjeni armën dhe llampën. Aty do të më gjeni duke ju pritur, pastaj hyni tek ai dhe e vriteni.

Unë i thashë asaj: - Por të çash murin e dhomës të këtij lloj pallati nuk është punë e lehtë...

Mund të kaloj ndonjëri pranë nesh, të bërtasë dhe t'i thërrasë rojet... Atëherë ndodh ajo që nuk e dëshirojmë.

Ajo tha: - Mirë e ke... Ja, kam një ide për ju.

E pyeta: - Çfarë është ajo?!

Ajo u përgjigj: - Nesër dërgoje një njeri të besueshëm në cilësinë e një punëtori, kurse unë e urdhëroj që ta shpojë dhomën nga brenda, përveç një pjese të vogël.

Pastaj, gjatë natës, ju e kryeni pjesën tjetër nga jashtë, me pak mund dhe fare lehtë.

Atëherë, unë i thashë: - Ide e qëlluar është kjo.

Pastaj u largova nga ajo dhe i lajmërova shokët e mi mbi ma­rrë­veshjen tonë, kurse ata uruan për këtë. Nga ai moment shkuam për t'u përgatitur për çështjen e caktuar.

I lajmëruam njerëzit e caktuar prej besimtarëve tonë ndihmëtarë me sinjalin e fshehtë, i ftuam ata që të përgatiten dhe e cak­tuam takimin me ta në agimin e ditës së nesërme.

Mbasi ra muzgu i natës dhe erdhi koha e caktuar, unë me sho­kun tim shkuam te vendi i shpuarjes së dhomës, e gjetëm atë dhe u futëm brenda në dhomë, e morëm armën, e ndezëm llampën dhe shkuam te dhoma e armikut të Zotit, kur, ja, kushërira ime duke qëndruar në derë të saj. Ajo më dha shenjën dhe hyra brenda tek ai, gjersa ai ishte duke fjetur dhe kërhaste.

El‑Ansiut ia vura thikën në fyt, e ai lëshoi një britmë sikur të pëlliste kau dhe u drodh si deveja e therur.

Kur dëgjuan rojet britmën e tij, arritën te dhoma dhe pyetën:  - Ç’është kjo?!!!

Kushërira ime iu tha:

- Largohuni të qetë dhe të kënaqur, sepse në të vërtetë Profe­tit të Zotit po i zbret shpallje, inspirim, - e ata u larguan...

*   *   *

Qëndruam në pallat derisa agoi, e atëherë u ndala mbi njërin prej mureve të tij dhe brohorita:

“Allahu ekber (Zoti është më i Madhi), Allahu ekber (Zoti është më i madhi)” dhe vazhdova ezanin derisa thashë: “Eshhedu en la ilahe il‑lall‑llah ve eshhedu enne Muhammeden resùlull‑llah, Ve eshhedu enne-l-Esved-el- Ansijj‑kedh‑dhab...” (d.m.th. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dëshmoj se vërtet Muhammedi është i Dërguari i Tij, si dhe dëshmoj se el‑Esved el‑Ansiu është gënjeshtar)...

Ky ishte sinjali i fshehtë.

Atëherë muslimanët arritën te pallati nga të gjitha anët dhe kur rojet dëgjuan ezanin u frikësuan dhe u tmerruan dhe të dy grupet u ndeshën në luftë me njëra‑tjetrën.

Ua hodha kokën e el‑Esved el‑Ansiut prej mureve të larta të pallatit...

Kur e panë përkrahësit e tij, u dobësuan dhe i la fuqia, kurse kur e panë muslimanët, madhëruan Allahun dhe u vërsulën mbi armi­kun e tyre... Operacioni përfundoi para se të lindë dielli.

*    *    *

Pasi zbardhi dita, ne ia dërguam një shkresë Pejgamberit a.s. përmes të cilës përgëzonim atë për përfundimin fatal të armi­kut të Allahut. Kur lajmëtarët arritën në Medinë e gjetën Pejgam­berin a.s. i cili kishte ndërruar jetë po atë natë.

Megjithatë, pas pak çastesh u njoftuan se Pejgamberi ishte ins­pi­ruar dhe kishte marrë lajmin e gëzueshëm për vrasjen e el‑Esved el‑Ansiut, po atë natë në të cilën ishte vrarë.

Pejgamberi a.s. iu kishte thënë shokëve të vet:

“El‑Esved el‑Ansiu është vrarë dje...”

“Atë e ka vrarë një njeri i bekuar, nga familja e një shtëpie të njerëzve të bekuar...”

Ata e pyetën:

“Cili është ai o i Dërguar i Zotit?”

Ai ishte përgjigjur:

“Fejruzi... Fejruzi triumfoi....”

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

THABIT IBNU KAJS EL‑ENSARIJ

thabit_ibnu_kajs_elensarij

THABIT IBNU KAJS EL‑ENSARIJ

“Testamenti i asnjë njeriu nuk është realizuar, pas vdekjes së vet, përveç testamentit të Thabit Ibnu Kajsit.”

Thabit ibnu Kajsi ishte njëri nga zotërinjtë e fisit Hazrexh[1] dhe personalitet i rrallë i Jethribit (Medinës).

Ai ishte mendjehollë, i pashëm dhe orator i shkël­qye­r dhe i zëshëm. Kur fliste, ua tejkalonte oratorëve të tjerë, e kur mbante fjalim, ai i përfitonte të gjithë ata që e dëgjonin.

Ai ishte ndër të parët në Medinë që pranoi Islamin. Posa e dëgjoi një ajet kur'anor që ia lexoi thirrësi i ri mekas, ‑ Mus'ab ibnu Umejri me zërin e tij të ëmbël dhe tingullin e tij jehues, atij pushtoi Kur'ani me ëmbëlsinë e tingëllimës, ia pushtoi zemrën me qartësinë e shkëlqyer të tij si dhe e frymëzoi mendjen e tij për udhëzim të drejtë.

Atëherë, Allahu ia pajisi zemrën me besim, ia ngriti pozitën dhe nderin e tij kur iu bashkua radhëve të Pejgamberit a.s. dhe hyri nën flamurin e tij...

*   *   *

Pasi arriti i Dërguari a.s. në Medinë si i shpërngulur, atë e priti me nderimet më të larta Thabit ibnu Kajsi, me një grup kalorësish nga fisi i tij. Ai i dëshiroi Muhammedit a.s. dhe shokut të tij  Ebu Bekrs‑Siddikut mirëseardhje të përzemërt. Para tij mbajti një fjalim me një retorikë të lartë, duke e filluar atë me lavdi ndaj Allahut të Lartmadhëruar dhe duke e falënderuar Atë, pastaj u lut për falje dhe shpëtim për të Dërguarin a.s...

Ai e përmbylli fjalimin e tij me këto fjalë:

- Vërtet, ne ta japim besën, ‑ i Dërguar i Zotit ‑ të të mbrojmë ty prej gjithë asaj që e mbrojmë edhe vetveten tonë, fëmijët dhe gratë tona, atëherë çka do të fitojmë përballë kësaj?

Pejgamberi a.s. tha:

- Shpërblim do të keni xhenetin...

Ende pa ra në vesh mirë fjala “xhenet”, filluan të shëndrisin fytyrat e njerëzve nga gëzimi e hareja dhe thanë:

- Jemi të kënaqur o i Dërguar i Allahut... Jemi të kënaqur o i Dërguar i Allahut...

Që nga ajo ditë, Pejgamberi a.s. e emëroi Thabit ibnu Kajsin për orator të vetin, ashtu siç ishte Hasan ibnu Thabiti poet i tij.

Kur Pejgamberit a.s. i vinin delegacionet arabe që të krenohen, të mburren ose të garojnë me gjuhën e gojëtarëve të rrjedhshëm dhe me retorikë të lartë që kishin oratorët dhe poetët e tyre, ai ua kundërvinte Thabit ibnu Kajsin për t'i mundur oratorët, kurse Ha­san ibnu Thabitin për t'u mburrur para poetëve.

*   *   *

Thabiti ishte besimtar i denjë dhe me besim të thellë, i devotshëm dhe i sinqertë, kishte frikë dhe përkushtim ndaj Allahut të tij, ishte shumë i kujdesshëm dhe ruhej prej çdo vepre të keqe që e hidhëron Allahun e Lartmadhëruar.

Një ditë Pejgamberi a.s. e pa të frikësuar dhe të brengosur, dridhej i tëri nga frika e droja, dhe për këtë Pejgamberi a.s. i tha:

- Ç’është me ty, o Thabit?!

E ai u përgjigj:

- Kam frikë se do të jem i humbur, o Pejgamber i Zotit...

Pejgamberi a.s. e pyeti: - Përse?!

Ai tha: - Allahu i Lartmadhëruar na ka ndaluar që të lavdërohe­mi për një punë që nuk e kemi bërë, ndërsa unë, përkundrazi, kam dëshirë të lavdërohem...

Ai na e ka ndaluar mendjemadhësinë, kurse unë kam rënë në vetëkënaqësi.

Pejgamberi a.s. e qetësonte vazhdimisht gjersa më në fund i tha:

- O Thabit, a dëshiron të jetosh i lavdëruar... të vritesh e të bëhesh shehid (dëshmor) dhe të hysh në xhenet...?

Nga ky lajm i gëzuar fytyra e Thabitit iu ndriçua dhe tha:

- Gjithsesi dëshiroj dhe jam i kënaqur o Resulullah... gjithsesi dëshiroj dhe jam i kënaqur o Resulullah...

Kurse Resulullahu (i Dërguari i Allahut) i tha:

- Vërtet, kjo është për ty.

*   *   *

Pasi zbriti ajeti kur'anor:

“O ju që keni besuar, mos ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pej­gamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri‑tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju.” (El‑Huxhurat: 2)

Thabit ibnu Kajsi iu shmangej kuvendeve të Pejgamberit a.s. ‑ përkundër dëshirës së tij të madhe për të marrë pjesë në to dhe dashurisë së fortë ndaj Pejgamberit a.s. si dhe lidhmërisë së ngush­të me të. Ai u mbyll në shtëpi të vet dhe pothuajse fare nuk dilte prej saj, përveç kur dilte për të kryer namazin.

Por, Pejgamberin a.s. e kishte marrë malli për të dhe kishte thënë besimtarëve:

‑ Kush më sjell lajm për të?

Njëri nga ensarët tha: - Unë, o i Dërguar i Zotit.

Ai shkoi te Thabiti dhe e gjeti në shtëpi të vet, të dëshpëruar e kokulur, dhe i tha: Çfarë ke, o Ebu Muhammed (o Thabit)?

Thabiti u përgjigj: - Shumë keq.

Ai e pyeti: - Përse?

Thabiti tha: - Vërtet, ti e di se unë jam njeri me zë të lartë, shpesh­herë zëri im ngrihet më lart se zëri i të Dërguarit të Zotit xh.sh., ti gjithashtu e di se çka ka zbritur nga Kur'ani. Mendoj se vepra ime është humbur dhe zhdukur krejtësisht dhe unë do të jem njëri prej banorëve të xhehenemit (ferrit)...

Ai njeri u kthye te Pejgamberi a.s., e lajmëroi për atë që pa dhe dëgjoi, kurse ai i tha:

- Shko përsëri te Thabiti dhe thuaj: “Nuk je prej banorëve të xhehenemit, por do të jesh prej banorëve të xhenetit.” Ishte ky një lajmërim dhe përgëzim madhështor për Thabitin, gjë të cilën e kishte dëshiruar dhe shpresuar tërë jetën e tij.

*   *   *

Thabit ibnu Kajsi me Pejgamberin a.s. mori pjesë në të gjitha betejat, përveç asaj të Bedrit. Ai e ka futur veten në rreziqe gjatë luf­timeve për të rënë dëshmor, ashtu si e ka paralajmëruar Pejgamberi a.s., kurse rënia dëshmor ishte pranë tij për dy shtiza e edhe më afër...

Derisa ndodhën luftërat kundër renegatëve nga feja islame. Në njërën anë ishin muslimanët, kurse në anën tjetër Musejleme el­Kedh‑dhabi, gjatë kohës së sundimit të Ebu Bekrit r.a.

Në atë kohë, Thabiti ishte komandant i ushtrisë së përbërë nga ensarët, Salimi ishte komandant i ushtrisë së përbërë nga muha­xhi­rët, kurse Halid Ibnu‑l‑Velidi ishte komandant i përgjithshëm i usht­risë muslimane, të përbërë nga ensarët, muhaxhirët dhe të tjerët...

Fillimisht, në shumicën e betejave, fitoret u takonin Musej­le­mes dhe njerëzve të tij mbi ushtrinë muslimane, gjersa atyre iu dha urdhri që ta sulmojnë tendën “El Fustat” të Halidit dhe vendosën ta vrisnin gruan e tij, Ummu Temim, kur edhe arritën t'i prej­në litarët e tendës dhe ta coptojnë atë shumë keq dhe në mënyrë të egër.

Atëherë, kur Thabiti e pa përdhosjen e muslimanëve, atij iu mbush zemra plot vrer dhe dëshpërim dhe kur dëgjoi poshtrimin që i bënin njëri‑tjetrit, iu mbush gjoksi përplot dhembje dhe zemërim...

Bijtë e qyteteve i kishin futur frikën atyre të shkretë-tirave (fshatrave), kurse këta të dytët u thonin qytetarëve se ata nuk dinë të luftojnë dhe ç'është lufta...

Në ato çaste Thabiti vendosi mbi trupin e tij një bimë,[2] u mbësh­toll me qefin, u ndal te kokat e dëshmorëve dhe tha:

“O burra muslimanë, ne nuk kemi luftuar kështu me Muham­medin a.s.!

Sa keq i keni mësuar armiqtë tuaj në mënyrë që të marrin guxim ndaj jush...

Sa keq që e keni bërë shprehi t'i nënshtroheni armikut...”

Pastaj Thabiti drejtoi shikimin kah qielli dhe tha:

- O Zoti im, dëshiroj të jem i pastër te Ti, të mos bie në poli­tei­zëm ashtu siç bëri Musejleme dhe njerëzit e tij.

Dëshiroj të jem i pastër te Ti, o Allah, nga gjithë kjo që bëjnë të këtillët (ka për qëllim muslimanët).

Mandej u sul si luani i tërbuar, krah për krah me luftëtarët e bekuar:

‑ El‑Berra Ibnu Malik‑el‑Ensarij...,

‑ Zejd Ibnu‑l‑Hattabi, vëllai i emirit të besimtarëve ‑ Omerit r.a...,

‑ Salimi, zotëriu i Ebu Hudhejfës...,

si dhe me një numër të konsiderueshëm besimtarësh të mëhershëm... 

Ai zhvilloi një luftë madhështore, e cila i mbushi zemrat e be­sim­tarëve me trimëri, vendosmëri dhe durim, kurse politeistëve u futi frikën në palcë.

Ai sillte pandërprerë në të gjitha anët dhe në çdo armë, gjersa e rënduan plagët dhe u rrëzua për tokë, në fushë të betejës, i lum­tur për atë që i ka shkruar Allahu, për të ra dëshmor ashtu si e ka përgëzuar më parë i Dashuri i Allahut,  Muhammedi a.s., i kënaqur në zemër për atë që Allahu e vërtetoi triumfin  e muslimanëve para tij.

*   *   *

Thabiti kishte të veshur një këmishë të hekurt, shumë të çmuesh­me, e kur pranë tij kaloi njëri prej muslimanëve, ia zhveshi atë nga trupi dhe e mori për vete.

Natën vijuese nga rënia e Thabitit dëshmor, njëri prej muslimanë­ve e kishte pa në ëndërr duke i thënë:

“Unë jam Thabit ibnu Kajsi. A më njeh mua?”

Ai njeri ka thënë: “Po.”

Thabiti i ka thënë (vazhdimisht në ëndërr):

“Në të vërtetë, të porosis dhe të kesh kujdes që të mos thuash se kjo është një ëndërr, e ta humbasësh atë...

Vërtet, pasi u vrava dje, njëri nga muslimanët kaloi pranë meje, i përshkruar kështu‑kështu, e mori këmishën time të hekurt dhe shkoi me të në tendën e vet, në fund të vendqëndrimit të ushtrisë, nga ana e caktuar. Ai e ka vendosur atë nën një enë të tij prej dheut dhe mbi enë ka vendosur një shalë. Shko te Halid ibnu Velidi dhe thuaj atij që të dërgojë dike tek ai njeri për t'ia marrë këmishën e hekurt, seps ajo ende është në vendin e vet...

Unë të lë edhe një porosi tjetër, ki kujdes e mos thuaj se kjo është një ëndërr, e ta humbasësh atë.

Thuaj Halidit: “Kur të shkosh te halifi i të Dërguarit të Zotit xh.sh. në Medinë, thuaj atij:” Vërtet, Thabiti ka pasur një borxh... kurse ky dhe ky njeri që kanë qenë robër të tij, le të jenë të lirë, le ta kryejë borxhin tim dhe le t'i lirojë djemtë e mi...

Atëherë njeriu u zgjua nga gjumi, shkoi te Halidi dhe e laj­mëroi për atë që dëgjoi dhe pa...

Halidi dërgoi një njeri që t'ia sjellë atij këmishën e hekurt, nga ai që e kishte rrëmbyer nga Thabiti. Këmisha u gjet në vendin e vet dhe iu soll halifit ashtu siç ishte.

Posa u kthye Halidi në Medinë, i rrëfeu Ebu Bekrit r.a. për ngjarjen e Thabit ibnu Kajsit dhe porosinë e tij, kurse ai vetë lejoi që të paguhet borxhi i Thabitit e të kryhet porosia e tij.

Nuk është e njohur që ndonjërit më parë, ose më pastaj, t'i je­të lejuar që t'i kryhet porosia e vet edhe pas vdekjes, përveç Thabitit...

Zoti qoftë i kënaqur me Thabit ibnu Kajsin, i lumtur qoftë tek Allahu dhe Ai faltë një vend të lartë në xhenet!



[1] El‑Hazrexh: Është një fis me prejardhje nga Jemeni, i cili ka shkuar në Medinë dhe është vendosur aty. Së bashku me fisin Evs, ata përbënin bazën e ensarëve.

 

Abdurr Rrahman Rafet El Basha

Përktheu: Fadil Hasani

[2] El hanut: bimë e cila vendosej mbi trupin e arabit të vdekur, të cilën në ato momente edhe Thabiti e vendosi mbi trupin e tij, në shenjë gatishmërie për të vdekur.

Subscribe to this RSS feed
Back to top