Haxhi mes obligimit dhe realitetit

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lavdërimi e shpëtimi qofshin mbi vulën e profetëve dhe të dërguarve, mbi familjen dhe shokët e tij si dhe mbi të gjithë ata që udhëzohen me udhëzimin e tij gjer në ditën e Gjykimit, e më

    Pandërprerë karvanët e besimtarëve  - e për këtë falënderojmë Allahun – e vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt vendeve të shenjta për ta kryer obligimin e Haxhit duke ndjekur shembullin e babës së pejgamberëve dhe udhëheqësit të besimtarëve të drejtë, Ibrahimin (alejhis selam) që kur ngriti me zë të lartë thirrjen e përjetshme në shenjë respekti ndaj urdhrit të Allahut të cilin e shënoi në Kuranin Fisnik: “Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta. (Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi)” (El Haxh: 27-28) si dhe duke ndjekur traditën e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i cili tha në haxhin e lamtumirës: “Merrni nga unë mënyrën e kryerjes së riteve të haxhit.”

    Dhe nuk afrohen muajt e haxhit e që motivi i dashurisë për Allahun e lartësuar dhe pasimin e traditës së Pejgamberit  (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) të mos e nxisin çdo musliman të niset drejt vendeve të shenjta për t’iu përgjigjur Allahut të lartësuar.

    Por, a kanë mundur muslimanët – të cilët sot numërojnë më shumë se një miliard frymë – ta përjetojnë këtë obligim dhe të jenë dëshmitarë të begative të përmendura në ajetin fisnik: “(Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre”(El Haxh: 28) në këtë botë dhe botën tjetër?

   Në të vërtetë të furnizuarit nga adhurimet në shoqërinë islame imponon që lëvizja e shoqërisë të ngjyroset me nënshtrimin ndaj Allahut të lartësuar në raportet mes tyre, për të dalë në sjelljet e individëve! Por, a është dukur jehona e furnizimit nga haxhi në realiteti i muslimanëve?  Adhurimit që bashkon mes zemrave të myslimanëve dhe rrënjos në to ndjenjën e ndërsjellë si fryt i adhurimit të përbashkët, a ka dalë në shesh si e tillë? A janë furnizuar myslimanët prej haxhit dhe a i kanë përjetuar urtësitë e tij gjatë kryerjes së dispozitave të tij, sipas rregullave dhe traditës pejgamberike?

   A ka lëvizur ai karvan i veshur në të bardha, që shkëlqejnë, nëpër vendet ku kryhet haxhi si një nishan që zbukuron tokën dhe me të cilët i Gjithëmëshirshmi lavdërohet para melekëve të Tij, apo si haxhinj që kanë zemrat e lidhura dhe si muslimanë që ecin sipas ligjit të Allahut? A u shfaqën urtësitë e mëdha të haxhit dhe gjurmët e tij madhështore duke lëvizur së bashku me atë karvan? A shfaqeshin këto urtësi në gjymtyrët e haxhinjve dhe a fiksoheshin në ritet e tyre? A janë shkrirë dallimet shpirtërore mes të pasurit dhe të varfrit, të fortit dhe të dobëtit dhe a janë flakur këto dallime së bashku me teshat që vishen jashtë haxhit? Dhe a duken shpirtrat të pastër, të afërt e të shoqëruar mes vete ku dëlirësia e tyre duhet të mos jetë më e paktë se shkëlqimi i teshave të ihramit?

   Realiteti është se: vërtet bashkimi i një numri kaq të madh të myslimanëve në atë vend të pastër fillimisht duket një karakteristikë pozitive e shenjave të rigjallërimit. Por, edhe pse janë shtuar hapësirat e të përmbajturit të vërtetë për fenë,  megjithatë një numër i madh i tyre ende përgjigjen negativisht në pyetjet e mëhershme dhe arsyet për këtë janë si vijon:

 

  • Shumë muslimanë janë larg parimeve të shëndosha të

besimit e kjo përbën devijim të qartë nga rruga e drejtë e Allahut dhe kundërshtim ndaj traditës profetike e cila ka tërhequr vëmendjen nga shirku i fshehtë dhe ai i vogël e lëre më shirkun e madh. Kjo e obligon rëndësinë e vetëdijesimit për njësimin e Allahut dhe adhurimin e sinqertë ndaj Tij  – qoftë i lartësuar dhe i madhëruar.

   Ajo që të bën të ndjesh keqardhje është neglizhenca e prekshme te disa dijetarë dhe heshtja e tyre e dyshimtë rreth këtyre dukurive pagane (idhujtare) ndërsa atyre iu është besuar kumtimi i shpalljes së qartë. E te Allahu shprehim ankesën tonë!

 

  • Ky adhurim (haxhi) është bërë te shumë muslimanë vetëm

një shëtitje turistike e thjeshtë, gati se është boshatisur nga ana e saj shpirtërore, bile është bërë mejdan për të garuar dhe lavdëruar!! Sikurse të jetë qëllimi që dikush të emërtohet me emrin haxhi filani e nëse nuk thirret kësisoj e konsideron si fyerje ndaj tij.

 

  • Për shkak të injorancës që mbizotëron te shumë haxhinj për

rregullat dhe etikën e këtij adhurimi  - veçanërisht në zbatimin praktik të haxhit si: gjatë kryerjes së tavafit, sajit dhe gjatë transferimit nëpër vendet ku kryhet haxhi -  është përhapur ajo që ndodh në mesin e haxhinjve prej sjelljeve jo të lavdëruara dhe shqetësimit të paarsyeshëm të tjerëve, edhe pse kjo është e ndaluar me fjalën e Allahut të lartësuar: “Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje.” (EL Bekare: 197)

 

    E me qëllim të këshillës: ne po iu përkujtojmë me disa çështje të rëndësishme në këtë temë, e nga Allahu kërkojmë ndihmë dhe sukses:

 

  • Haxhi duhet të kryhet në bazë të asaj që është vërtetuar prej

synetit dhe sikur që është transmetuar, duke sjellë ndërmend gjërat që të përkujtojnë qëndrimet e pejgamberëve dhe të dërguarve e sidomos qëndrimet e pejgamberit të Allahut, Ibrahimit (alejhis selam) kur i dha lamtumirën fëmijës dhe gruas së tij te kjo shtëpi – Qabeja, në atë shkretëtirë përvëluese por, me zemër të stërmbushur me besim dhe ai thoshte: “Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që ta falin namazin, pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoi ata me fruta.” (Ibrahim: 37).  Gjithashtu qëndrimin e pejgamberit dhe shembullit tonë Muhamedit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kur ai e kreu haxhin e tij të fundit dhe me të ishin mijëra muslimanë ndërsa ai po ua mbante atyre fjalimin e lamtumirës në të cilin i sqaroi objektivat dhe parimet e tij të përgjithshme, nga i cili do të mjaftohemi me fjalët e tij (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “”O ju njerëz: Vërtet gjaku dhe pasuria e juaj janë për njëri tjetrin nga ju të ndaluara(t’i cenoni pa të drejtë), derisa ta takoni Zotin e juaj ashtu siç është e shenjte kjo ditë e muajit tuaj në këtë vend tuajin. Veni re: Prej veprave të kohës së injorancës kam përdhosur çdo gjë: Gjaqet e kohës së injorancës janë të anuluara .. dhe kamata e injorancës është anuluar ...Dhe keni frikë Allahun në sjelljen tuaj ndaj grave. Ua kam lërë dy gjëra nëse kapeni për to nuk do të humbisni: librin e Allahut ... ”

 

  • Me haxhin e fundit të Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) përkoi edhe zbritja e fjalës së Allahut të lartësuar:  “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.” (El Maide: 3).  Gjë që e vërteton islamin si fe e cila e udhëheq tërë jetën e muslimanit dhe se çdo përpjekje për kufizimin e rolit të kësaj feje përmes pretendimeve të gënjeshtarëve është e kotë. Loja me fenë e Allahut është krejtësisht e papranueshme.

 

  • Ato skena, kujtime dhe qëndrime, që janë të dashura për shpirtin, e të cilat i kujton haxhiu në çastet kur kryen ritet e haxhit,

na mësojnë besimin e vërtetë në Allahun dhe se si duhet t’i mbështetemi Atij. E ai që mbështetet në Allahun me një mbështetje të vërtetë, me besim dhe bindje në atë që është te Allahu, atëherë Allahu ia realizon synimet e tij: “Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, All-llahu realizon dëshirën e vet dhe All-llahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” (Et Talak:3)

 

  • E ai që ka sukses ta kryej këtë obligim ka shansin para vetes që ta ripërtërijë besën me Allahun e lartësuar për shkak të shpërblimit të madh që është ndarë për këtë obligim. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Umreja deri në Umren tjetër është shpagim për mëkatet e bëra mes tyre dhe për haxhin e kryer si duhet shpërblimi i vetëm është xheneti.”

 

  • Pastaj haxhi është edhe si shfaqje e unitetit të myslimanëve

dhe ai ta përkujton tubimin në ditën e ringjalljes gjithashtu njeriu e trajnon përmes tij veten në durim, vetëpërmbajtje, përpjekje për të edukuar nefsin dhe xhihadin në luftimin e armiqve. Haxhi është prej veprave më të vlefshme. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kur është pyetur se: “Cila vepër është më e mira? (Është përgjigjur) Besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e pastaj cila? Ka thënë: Xhihadi në rrugën e Allahut .. i është thënë: pastaj cila? Ka thënë: Haxhi i pranuar.”  E kur e ka pyetur Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, e kuptuam se xhihadi është vepra më e mirë, atë mos bëjmë edhe ne xhihad? Ai tha: Jo, por xhihadi më i mirë (për ju) është: Haxhi i pranuar.”

   

   Dhe për fund: Më duhet të vë theksin në një pikë të rëndësishme të kësaj teme; Është përhapur te shumë autorë dhe mendimtarë pretendimi se haxhi është një kongres islam, dhe ata padyshim kanë për qëllim domethëniet e mira të cilat rrjedhin nga tubimi i muslimanëve dhe diskutimi rreth gjendjes së tyre si dhe puna për zgjidhje e problemeve aktuale të tyre, por kjo edhe pse është e një rëndësie të veçantë nuk është qëllimi i vërtetë i haxhit. Haxhi nuk përkufizohet  në elitën sikurse që ndodh në kongrese, të cilat nuk përkufizohen me ndonjë vend apo vende  të caktuara por, haxhi është adhurim dhe udhëtim drejt shtëpisë së vjetër – Qabesë dhe ai i përfshin çdo kë prej muslimanëve që i ka plotësuar kushtet.

   Si rrjedhim: Haxhi është ritual i cili ka shtyllat, obligimet dhe kushtet e tij dhe sa shumë kemi nevojë të njohim urtësinë e obligueshmërisë së tij, njohjen e dispozitave të tij dhe të përfitojmë maksimalisht prej tij. Na mjafton premtimi hyjnor për atë që e kryen si duhet dhe me përpikëri se shpërblimi i tij do të jetë xheneti.

   Allahun e lusim që ta pranojë haxhin nga muslimanët dhe ta bëjë haxhin e tyre të pranuar dhe mundin e tyre të shpërblyer.

Përkthim: Driton Lekaj

Botuesi: Revista ’El Bejan’ 

   

 

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top