- font size decrease font size increase font size
HAXHI
HAXHI
Haxh do të thotë synimi i Mekës me qëllim kryerjen e tavafit (rrotullimin rreth Qabes), ecjen ndërmjet Safas dhe Merves, qëndrimin në Arafat dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve të haxhit, për t’iu përgjigjur Allahut duke patur për qëllim kënaqësinë e Tij.
Haxhi është një prej pesë shtyllave themelore të Islamit dhe parim i domosdoshëm i tij. Ai që e mohon këtë detyrim, gjykohet si jobesimtar dhe renegat.
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se haxhi u urdhërua në vitin e gjashtë pas Hixhrit, sepse atëherë u shpall ajeti i mëposhtëm në lidhje me të: “Plotësojeni haxhin e umrën për hir të Allahut!”. (El-Bekare, 196)
Vlera e haxhit
Islami u bën thirrje muslimanëve të kryejnë haxhin. Në lidhje me këtë, përmendim:
- Haxhi: Një nga veprat më të mira
Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) u pyet njëherë: “Cila është vepra më e vlefshme?” Ai u përgjigj: “Të besosh Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Burri pyeti sërish: “Po pastaj?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Të luftosh për hir të Allahut”. Pastaj burri pyeti përsëri: “Po pas kësaj, cila është gjëja më e mirë?” Ai u përgjigj: “Haxhi Mebrur (një Haxh i përkryer pa mëkate, i begatë dhe i pranuar nga Allahu)”.
El-Haseni ka thënë: “Kjo do të thotë se një person pas kryerjes së haxhit duhet të dëshirojë dhe të priret drejt jetës në Botën e Përtejme dhe jo të jepet pas kësaj bote”.
Është transmetuar në formën merfu nëpërmjet një zinxhiri transmetimi të besueshëm se mirësia e haxhit vërehet në bujarinë në dhënien e ushqimit dhe butësia në të folur.
- Haxhi i lan mëkatet e mëparshme
Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që kryen haxhin për kënaqësinë e Allahut dhe i shmanget të gjitha fjalëve të ndyra dhe mëkateve, do të kthehet pas haxhit i çliruar nga të gjitha mëkatet ashtu siç ka qenë në ditën që e ka lindur nëna (pa gjynahe)”.Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Amër ibën El Asi tregon: “Kur Allahu më udhëzoi në rrugën e Islamit, unë shkova te Profeti (a.s) dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Zgjate dorën që unë të betohem për besnikërinë time ndaj teje. Dhe Profeti (a.s) më zgjati dorën, por unë e tërhoqa timen. Atëherë Profeti (a.s) pyeti: “O Amër! Si është puna me ty?”Unë i thashë: “Do të doja të vija një kusht!” Profeti (a.s.) pyeti: “E cili është ai kusht?” Unë i thashë: “Dua që të gjitha mëkatet e mia të mëparshme të falen!” Profeti (a.s.) tha: “O Amër! A nuk e di ti se Islami i lan të gjitha mëkatet e mëparshme e po ashtu edhe hixhreti i lan të gjitha mëkatet. Edhe haxhi i lan të gjitha mëkatet e mëparshme!”Transmeton Muslimi.
- Haxhilerët janë mysafirë të Allahut
Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Haxhilerët dhe ata që kryejnë umrën janë mysafirë të Allahut; nëse i luten Atij, Ai u përgjigjet e nëse i kërkojnë falje, Ai i fal ata.”Transmeton Nesaiu, Ibën Maxhe, Ibën Huzejme dhe Ibën Hibani në përmbledhjet e tyre të haditheve.
Në versionin e Ibën Huzejmes dhe Ibën Hibanit lexojmë: “Dhe mysafirët e Allahut janë tre: ai që kryen haxhin, ai që kryen umrën dhe ai që lufton për hir të Allahut”. [Hadith Sahih; Sahih En Nesai 2625].
- Shpërblimi për haxhin është xheneti
Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Të gjitha mëkatet e kryera në periudhën midis një umreje dhe një tjetre shlyhen dhe fshihen dhe shpërblimi për haxhin mebrur është xheneti”.Transmeton Buhariu dhe Muslimi.