Suneti, burim i dytë i sheriatit

Kurani i Shenjtë përfaqëson burimin kryesor të besimit Islam dhe është libri i fundit hyjnor të cilin Allahu e zbriti si shpallje të fundit, si busull orientimi dhe burim diturie për të gjithë njerëzimin. Ai përmban themelet e të gjitha virtyteve si dhe drejton të gjithë ata myslimanë të cilët në jetën e tyre udhëhiqen nga mësimet e tij.

Syneti i madhnueshëm, konsiderohet si burim i dytë i besimit Islam, menjëherë pas librit të Zotit. Ai është shpjegim i Kuranit dhe përmban veprat, citatet si dhe shembullin personal të pejgamberit, Muhamed, alejhis-selam. Për myslimanët ai është bashkë me Kuranin, burim i rëndësishëm i drejtësisë dhe diturisë fetare. Hadithet, të cilat formojnë bazën e Synetit të Pejgamberit, janë dëshmi të sinqerta e të besueshme, të regjistruara në formë të shkruar, mbi atë se çka thënë, çka bërë apo me çka është pajtuar ose jo Pejgamberi. Besimi në vërtetësinë dhe detyrueshmërinë e Synetit, është pjesë e pandarë e besimit Islam. Interpretimet e mëvonshme të këtyre haditheve prej dijetarëve të shumtë islamë përfaqësojnë udhëzime të çmuara për kuptimin e drejtë të traditës së Pejgamberit.

Syneti nuk është një koncept të cilin mund ta trajtojmë të shkëputur nga Kurani. Të dyja rrjedhin nga i njëjti burim dhe varen në mënyrë të ndërsjelltë. Në Kuran përmendet se Pejgamberi mban një peshë të rëndë, vendos rregulla, mëson ymetin (komunitetin Islam) mbi kuptimin e drejtë të Kuranit. Shumë verse të Kuranit na nxisin ta dëgjojmë Pejgamberin e Allahut dhe ta ndjekim shembullin e tij. Syneti është për ne (myslimanët) shumë i rëndësishëm sepse vetëm duke ju përmbajtur atij mund ta kuptojme tërësisht Kuranin.

„Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, për atë që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, për atë që këtë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.“ (El-Ahzab - 33:21)

Nëse studiojmë me kujdes përmbajtjen e Synetit, do të shohim se Pejgamberi i Allahut na ka dhënë plot informacione mbi shumë çështje të rëndësishme të besimit. Këto janë sqaruar nga dijetarët e atëhershëm Islamë dhe u praktikuan vazhdimisht në jetën e përditshme duke u përcjellë nga njëri brez në tjetrin. Allahu na njofton në suren Ali-Imran se Pejgamberi kishte aftësi të jashtëzakonshme në mësimin e Kuranit dhe në pastrimin e njerëzimit: „ثshtë e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe Dijen (Synetin), edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur.“ (Ali-Imran - 3:164)

Le ta analizojmë shprehjen „t’ua mësoje Kur’anin dhe Dijen“ e cila përmendet në versin e mësipërm. Interpretuesit e mirënjohur të Kuranit pajtohen me mendimin se është fjala për Kuranin dhe Synetin (Dija ose Dituria). Pra ta kuptosh plotësisht Kuranin dhe të praktikosh udhëzimet e tij nuk është mundur pa ndjekjen e Synetit të Pejgamberit. Besimi ynë është i plotë vetëm kur i ka të dyja, Kuranin dhe Synetin. Në periudhën kur u shpall Kurani, njerëzit rreth Pejgamberit mësonin dhe praktikonin besimin e tyre duke ndjekur shembullin e Pejgamebrit, Muhamed, paqja dhe shpëtimi qoftë me të. I dërguari i Zotit është padyshim shembull i rëndësishëm i praktikës së besimit tonë.

Përshembull Salati (namazi, falja) është provë e qartë dhe e pakundërshtueshme e pazëvendësueshmërisë së Synetit të Pejgamberit. Siç e dimë, në Islam është e detyrueshme për të gjithë myslimanët falja e namazit pesë herë në ditë. Në Kuran ka ajete të cilat japin vetëm informacione të përgjithshme mbi mënyrën se si kryhet falja. Mënyrën e qartë dhe të detajuar mbi faljen e duhur të namazit në fakt e gjejmë veçse në Synetin dhe shembullin personal të Pejgamberit. Ajetet nuk përmbajnë informacion të detajuar mbi atë se si të falemi, çfarë të themi gjatë faljes, cilat janë faljet e detyruara dhe ato që kryhen sipas dëshirës, si ndahen vaktet, si duhet të kryejmë abdesin dhe çka e prish atë. Këto çështje mund ti mësojmë veçse nga Syneti i Pejgamberit. Si shembull tjetër mund të përmendim rekomandimet dhe formalitet e dhëna nga Pejgamberi mbi faljen e Xhumasë.

Përveç temave të tilla si qenia e Zotit një i vetëm, besimi tek profetët, librat e shenjtë, dita e gjykimit, fati, pastërtia, ushqimi, marrdhëniet mes njerëzve, përmbajtja, rregullat e luftës dhe kushtet e paqes, në Kuran ka ajete që përshkruajnë edhe detyrime të tjera si agjërimi, zeqati dhe haxhillëku. Por këto ajete nuk përmbajnë informacione të plota. Në fakt mbi detajet e detyrimeve që përmendëm dhe se çfarë pasojash begatuese kanë ato për ne, mund të gjejmë përgjigje vetëm tek Syneti i Pejgamberit dhe shpjegimet e tij përkatëse.

Syneti ka udhëzuar dhe do të udhëzojë me ndihmën e Zotit, edhe më tej, jetët e myslimanëve në gjithë botën. Që nga fillimi i misionit të Pejgamberit tonë, myslimanët i falen Allahut sipas mësimeve të Kuranit dhe Synetit. Ritet dhe detyrimet fetare si falja pesë herë në ditë, agjërimi, zeqati, haxhillëku në Mekë si dhe bamirësia nuk kanë ndryshuar aspak deri më sot, kjo ndodh sepse zbatohen edhe sipas burimeve të besueshme të Synetit. Prandaj diskutimet mbi kuptimin dhe karakterin e këtyre çështjeve, të cilat praktikohen me shekuj, janë pa bazë. Këto janë rite dhe obligime të cilat janë përshkruar në mënyrë të detajuar në Synetin e Pejgamberit. Po ta studiojmë me kujdes Kuranin, do të gjejmë plot ajete mbi domosdoshmërinë e ndjekjes së shembullit të Pejgamberit.

Përshembull në ajetet e mëposhtëm Allahu na urdhëron ta ndjekim shembullin e Pejgamberit: „Ne të dërguam ty (Muhamed) dëshmitar, përgëzues dhe qortues. Që ju (njerëz) t’i besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe atë (Muhamedin) ta përkrahni e ta respektoni, e (Allahun) ta madhëroni për çdo mëngjes e mbrëmje. Ata që të zotohen ty (O Muhamed) , në të vërtetë, ata i zotohen Allahut, se Dora e Allahut është mbi duart e tyre. E kush e thyen (zotimin) , ai e thyen vetëm në dëm të vetin, e kush e zbaton atë që i është zotuar Allahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh.” (El-Fet-h - 48:8-10)

„Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam ty roje ndaj tyre.“ (En-Nisa - 4:80)

Duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur faktit se këto ajete i vënë theksin konceptit “dëgjojeni të dërguarin e (Zotit)”. Kjo na tregon në mënyrë të qartë se ndjekja e shembullit të Pejgamberit, domethënë respektimi i urdhëresave dhe rekomandimeve të tij, është detyrim fetar që na e ka urdhëruar Allahu. Nëse i lexojmë me vëmendje ajetet e përmendura, arrijmë në konkluzionin e drejtë dhe të pa kontestueshëm se Pejgamberi ynë ka fuqinë për të urdhëruar apo ndaluar (ose vepruar). Kjo fuqi i është dhënë atij nga Zoti dhe është në përputhje të plotë me vullnetin e Tij. Përshembull ajeti i 7-të i sures El-Hashr „... اka t’ju jep Pejgamberi, atë merrnie e çka t’ju ndalojë, përmbanju...“ i vë theksin faktit që Pejgamberi ka të drejtën t’i ndalojë komunitetit mysliman disa gjëra përveç atyre ndalesave të zbritura në Kuran. Më tej në ajete shkruhet se besimtarët paraqitën çështjet që s’i kuptonin para Pejgamberit dhe ai i gjykonte për ta. Nga ana tjetër ka raste kur ka pasur kundërshtime ndaj Pejgamberit në rolin e gjykatësit apo ndaj gjykimeve të tij të përshkruara në ajete si “fajësime”.. Siguria e llogjikës së Pejgamberit tonë dhe nevoja e pranimit të saj është theksuar edhe në një ajet tjetër: „Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai eshtë larguar shumë larg së vërtetës.“ (El-Ahzab - 33:36)

Nga ajetet e mësipërm konkludojmë se Allahu na urdhëron që t’i bindemi plotësisht urdhërave të Tij dhe të Pejgamberit. Islamin pra mund ta praktikojmë vetëm nëse respektojmë si Kuranin ashtu edhe Synetin. Ky fakt shpjegohet qartë në ajetet e mësipërm. Prandaj devijimi nga Syneti i Pejgamberit është në kundërshtim të plotë me thelbin e Kuranit si dhe me mësimet e besimit Islam. Zoti i pranon veprat tona vetëm nëse plotësojnë dy kushte: duhet të jenë të sinqerta dhe të jenë në pajtim të plotë me Kuranin dhe Synetin.

Imam Maliku, njëri nga dijetarët më të shquar Islam, e ka krahasuar Synetin me arkën e Nuhut duke thënë: „Syneti i Pejgamberit Muhamed, paqja dhe qetësia qofshin me të, është si arka e Nuhut. Kush i bashkohet, shpëton, kush e mohon, mbytet.“ Shpëtimin e vërtetë mund ta arrijmë vetëm atëherë kur secili t’i kuptojë dhe t’i pranojë me vullnet të plotë udhëzimet dhe mësimet e Synetit dhe atëherë kur këto mësime do të dominojnë jetën e komunitetit mysliman.

 

M.S.Hasna

Përgaditi: IslamOnweb.net
albislami.com

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top