M'i garantoni gjashtë gjëra ua garantoj xhenetin

"M'i garantoni gjashtë gjëra prej vetes suaj ua garantoj Xhenetin". 

Imam Ahmedi edhe të tjerë, transmetojnë nga Ubadetubnu Samit se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "M'i garantoni gjashtë gjëra prej vetes suaj (se do t'i kryeni), ua garantoj Xhenetin. Kur të flisni, të thoni të vërtetën, kur të premtoni ta përmbushni atë, kur t'iu lihet diçka në amanet ta ruani, t'i ruani organet tuaja, t'i ulni shikimet tuaja dhe t'i ndalni duart tuaja".  Shejh Albani për këtë hadith ka thënë se është sahih në "Es-Silsiletus-sahihah" nr.1470.

"M'i garantoni gjashtë gjëra prej vetes suaj ua garantoj Xhenetin". Gjashtë vepra prej më të lehtave, çështje prej çështjeve më të lehta të bamirësisë. Kush i kryen  në dynja  dhe kujdeset për to, atëherë Xheneti është i garantuar për të.

“Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm, (që do t’u thuhet:) 'Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer nga Allahu. Hyni në të(Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!”  Aty do të kenë çfarë të duan - e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë." (Kaf, 31-35)

Sa i përket cilësisë së parë prej këtyre cilësive, ajo është: sinqeriteti në të folur apo thënia e së vërtetës. Besimtari është i vërtetë (i sinqertë) në të folur. Gënjeshtra nuk zë vend tek ai. Besimtari kujdeset për sinqeritetin derisa ta shpjerë në Xhenet. I Dërguari,lavdërimi dhe paqja Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Përmbajuni sinqeritetit, sepse sinqeriteti udhëzon për në bamirësi, ndërsa bamirësia udhëzon për në Xhenet. Njeriu vazhdon të jetë i sinqertë (në të folur) dhe kërkon sinqeritetin derisa të shkruhet tek Allahu si i sinqertë". (Transmeton Muslimi).

Cilësia e dytë është: përmbushja e premtimit dhe zbatimi i marrëveshjes. Kjo cilësi është simbol i muslimanëve, madje është shenjë që tregon të devotshmit. Besimtarët nuk njihen për mospërmbushje apo thyerje të premtimit e as për prishje të marrëveshjes. Përmbushja e premtimit, është veçori themelore në ndërtimin e shoqërisë, sepse ajo përfshin të gjitha marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve. Marrëdhëniet, kontrata, premtimet…, të gjitha kanë për bazë përmbushjen e premtimit. Nëse ky element mungon, atëherë mungon besa, dhe si rrjedhojë marrëdhëniet prishen dhe përhapet e keqja.

Ndërsa cilësia e tretë është: ruajtja e amanetit. Kjo është prej cilësive më të mëdha morale, për të cilën Allahu i Madhëruar lavdëron të përshkruarit me të dhe ata që e kryejnë dhe kujdesen për të. Ajo është shenjë e besimit të kompletuar të besimtareve. Nëpërmjet amanetit ruhet feja, nderi, pasuria, trupat, shpirtrat, dituritë, etj. Profeti Muhamed, lavdërimi dhe paqja Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Besimtar është ai që njerëzit kanë besim në të, në pasuritë dhe  vetet e tyre". (Transmeton Ahmedi)

Nëse shoqërinë e udhëheq amaneti, atëherë kapja për të dhe kryerja e tij do të jetë më e madhe, lidhjet farefisnore do të jenë më të forta dhe e mira do të mbizotërojë çdokënd.

Cilësia e katërt është: ruajtja e organeve gjenitale, që të mos bien në haram. Allahu i Madhëruar thotë:

"...të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim - dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve)."(El-Mu'minun, 5-7).

Ruajtja e organeve është ruajtje e pasardhësve, shërim shoqëror dhe shpëtim prej sëmundjeve.

Cilësia e pestë është: ulja e shikimit nga harami. Allahu i Madhëruar thotë:

"Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara)dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe  të mos i shfaqin stolitë e tyre…" (En-Nur, 30 -31)

Ruajtja e shikimit ose ulja e tij ka dobi të mëdha. Besimtarit ia sjell ëmbëlsinë e imanit, dritën e shpirtit, forcën e zemrës, pastrimin shpirtëror, ruajtjen nga harami etj…

Ndërsa cilësia e gjashtë është: ndalimi i duarve nga dëmtimi i njerëzve apo padrejtësia ndaj tyre, në çfarëdo forme qoftë. Ai që iu bën keq robërve të Allahut, Allahu e urren atë. Kur njeriu largon të ligat prej njerëzve, atëherë vet vepra e tij është dëshmi për moralin e tij, edukimin dhe sjelljen e mirë të tij. A mendon se ç’mund të ndodhte me besimtarin kur morali i tij të ngrihej aq sa dhe pengesat i largon prej rruge?

Muslimi transmeton nga Ebu Hurejre se Profeti Muhamed, lavdërimi dhe paqja Allahut qofshin mbi të, ka thënë: Një njeri kaloi pranë një dege të një peme, e cila ishte e shtrirë në tokë. Tha: “Vallahi do ta largoj  këtë që të mos i pengoj muslimanët”. Allahu e futi në Xhenet".

Ja, këto janë dyert e Xhenetit të hapura, minaret e tij të dukshme, rruga e tij e lehtë. Le t'i shfrytëzojmë këto mundësi para se të kalojë koha, le t'i shumojmë të mirat para se të vdesim!

 /burmijetes.com

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top