Ti je pengesë për fitoren e muslimanëve

A mundet një musliman të pengoj fitoren e tërë umetit?    


I ulur në vetmi, i brengosur me lajmet për muslimanët dhe fatkeqësinë që po i ndodh atyre, dëgjova një zë nga brendia ime duke thënë: ti je njëri nga fajtorët. Ti je arsyeja pse ne nuk e arrijmë fitoren. Ti je faktori kryesor për gjënë me të cilën po përballen muslimanët sot.

Unë u përgjigja: Unë! Si ka mundësi! Unë jam vetëm një rob i dobët i Allahut, një rob që nuk ka forcë në duart e tij. Nëse unë provoj t’i urdhëroj njerëzit ata kurrë nuk do të me dëgjojnë, madje edhe nëse provoj t’i këshilloj ata nuk do ta marrin parasysh këshillën time.

Me shpejtësi ky zë u kthye duke më ndërprerë: janë mëkatet tua që e kanë rraskapitur melekun që është në anën tënde të majte: ai është i lodhur dhe i mërzitur duke shkruar mëkatet ne librin tënd. Është dita dhe nata jote në betejën e mosbindjes ndaj Allahut. Është largimi yt nga veprat e mira dhe veprimi i mëkateve.

Unë: Çfarë kam bërë që më fajëson për gjithë këtë; të thuash se unë jam pengesë për fitoren e muslimanëve?

Brendia ime: Rob i Allahut, për emër të Allahut, nëse filloj t’i numëroj çfarë ke bërë do të më merr shumë kohë. Por më lejo të të pyes, A e falë namazin e sabahut me xhematë?

Unë: Po, ndonjëherë, por më shpesh mungoj.

Brendia ime: E shef! Këtu është çështja; ti e kundërshton vetveten. Si pretendon se mund të shkosh në xhihad kur ti dështon në xhihad me nefsin tënd, kur dihet se xhihadi me vetën tënde nuk të kushton me jetë as me para? Të kushton vetëm disa minuta për të falur dy rekatë namaz që janë të obligueshme nga Allahu. Si mund të thërrasësh për xhihad kur ti nuk i praktikon faljen e pesë kohëve të namazit? Kur ti nuk mund t’i falësh namazet sunnete? Kur nuk lexon së paku disa ajete të Kur’anit për çdo ditë? Kur ke harruar për dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes? Kur nuk mund ta ndalosh vetën nga te shikuarit e asaj që Allahu e ka ndaluar? Kur nuk je i sjellshëm me prindërit e tu? Kur nuk mbanë lidhje të mira me të afërmit tuaj?

Si mund te thërrasësh për aplikimin e Sheriatit në vendin tënd kur ti nuk e zbaton atë ne vetën tënde dhe familjen tënde? Ti nuk ke frikë Allahun në sjellje me familjen tënde, ti nuk i ndihmon ata në pasimin e besimit të vërtetë, ti nuk brengosesh për furnizimin e tyre nga paratë që janë fitim hallall. Dhe duke e vepruar këtë bëhesh nga njerëzit, për të cilët Allahu ka thënë: Dhe ju e doni bollëkun (pasurinë e shumtë) me një dashuri të tepruar. Por ju keni gënjyer, mashtruar dhe thyer premtimin, tani meritoni dënim nga Allahu.

Unë: ( e ndërpreva ) Dhe çfarë ka te bëjë kjo me fitoren? A mundet një musliman të pengoj fitoren e tërë umetit?

Brendia ime: Posi!! Natyrisht, për këtë janë qindra milion si ti – me përjashtim të atyre që i ka mëshiruar Allahu i Madhërishëm, janë me qindra milion që pasojnë konceptin e njëjte si ti. Ata nuk brengosen për bindje ndaj Allahut. Ata nuk i frikësohen Allahut dhe e kërkojnë fitoren me arsye se ka myslimanë tjerë që janë besimtarë më të mirë. Por e vërteta e dhembshme është se të gjithë janë po aq të këqij – përveç atyre mbi të cilët Allahu ka lëshuar mëshirë. A nuk e din, o rob i Allahut se kur shokët e të Dërduarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kërkuan fitoren dhe nuk e arritën atë, ata e kuptuan se në mesin e ushtrisë së  tyre ishte dikush që ka bërë një punë të keqe.

E si është puna me umetin që është zhytur në të gjitha llojet e mëkateve; të vogla dhe të mëdha?! A nuk e sheh çfarë po i ndodhë umetit nga lindja deri në perëndim?

Thellësisht i prekur, me lot në sy, për atë se asnjëherë nuk e kam imagjinuar që unë, njeriu që e do Allahun dhe të dërguarin e Tij, që e do Islamin dhe te gjithë muslimanët mund te jem një nga arsyet e dështimit të muslimanëve. Që unë mund të jem pjesëmarrës në lumin e gjakut të myslimanëve të pafajshëm në shumë vende islame.
Gjithnjë ka qenë e lehtë për mua të fajësoj një udhëheqës, princ, ministër ose ndonjë përgjegjës në shtet, por asnjëherë nuk kam menduar fillimisht për gabimet e mia dhe asnjëherë nuk kam menduar çfarë ka thënë Allahu: "... Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç'kanë në vetvete..” (Err-Rra’d, 11)Kështu unë i thashë vetës: Falënderimi i takon Allahut që më dha këtë shpirt vetëqortues. 
Pastaj e pyeta: Çfarë më këshillon të bëjë?

Brendia ime: Fillo me vetën tënde. Kryej rregullisht faljen e pesë kohëve të namazit të obligueshëm. Paguaj zekatin, bëhu i sjellshëm me prindërit, përpiqu të jesh afër Allahut duke falur namaze sunete etj. Shfrytëzo çdo mundësi për të qenë afër Allahut duke mos neglizhuar veprat si të parëndësishme (imtësi). Kujtoje se një buzëqeshje në fytyrën tënde është sadaka. Mos kërko nga njerëzit të bëjnë asgjë të cilën ti vet nuk e praktikon. Mos fillo të thërrasësh për aplikimin e Sheriatit, përveç nëse je shembull për të mirë në zbatimin e Sheriatit në shtëpinë, në punën tënde dhe kudo. Mos kërko nga udhëheqësit që të shpallin xhihad kur ti ke dështuar në xhihad me vetën tënde. Mos iu shmang përgjegjësisë duke fajësuar të tjerët. Ndryshoje në fillim vetën, pastaj të tjerët do të  pasojnë ty. Bëhu shembull i mirë kudo që të shkosh. Nëse e shpenzon kohën duke fajësuar të tjerët, të lutem ndalu – faleminderit shumë- Allahu të shpërbleftë- por është bërë aq shumë kritikë tashme. Gjithmonë fillo duke ndryshuar vetveten. Pas kësaj lute Allahun sinqerisht për të dhënë fitoren dhe për të  ndihmuar të gjithë muslimanët që janë pasues te sunetit. Në këtë mënyrë ti do të jesh në mesin e atyre që Allahu i ka përmendur në Kur’an: O besimtarë , nëse ju ndihmoni (fenë) e Allahut, Ai u ndihmon juve dhe ua forcon këmbët tuaja.” (Muhamed, 7)

E drejtoj fytyrën time nga Allahu duke e lutur Atë për falje, dhe duke i fshi lotët them: O Allah, jam penduar. Unë jam kthyer tek Ti, lejo të hapet për mua një faqe e re, një jetë e re, të cilën do ta filloj me dy rekate namaz në mes te natës duke tu lutur që të më bekosh gjithmonë me namaz te natës!



Autor: Abd Al-Kareem Al-Kateb          
Përktheu nga anglishtja: Bujar Gjikokaj

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top