NATYRSHMËRIA E PASTËR E MUSLIMANIT

Falënderimi i takon Allahut, që na pastroi prej kufrit e shirkut dhe na udhëzoi në dritën e Islamit. Paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të Dërguarin, Muhammedin, i cili na mësoi si t’i pastrojmë zemrat dhe trupat tanë, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët që e kërkojnë të vërtetën dhe e pasojnë atë.
Lexues i nderuar!
Muslimani është i urdhëruar të pastrohet nga gjynahet, sepse vetëm kështu mund të fitojë xhenetin në atë ditë të vështirë, ku nuk të bën dobi as pasuria e as familja, vetëm nëse vjen më zemër të shëndoshë (të pastër prej gjynaheve). Në të njëjtën kohë, feja jonë e pastër nuk ka lënë pas dore as pastërtinë e trupit, pra higjienën personale.
Në rreshtat e mëposhtëm do të gjeni shkurtimisht disa nga cilësitë që duhet të ketë muslimani në kujdesin për pastërtinë. Këto cilësi korrespondojnë me të gjitha cilësitë e të gjithë të Dërguarve të Allahut xh.sh. Ato janë Natyrshmëria e Pastër që Allahu ka krijuar në robin e Tij. 
Prandaj, le t’i frikësohemi Allahut sa të mundemi në zbatimin e tyre, duke e lutur Atë të na mundësojë veshjen me këto cilësi.

NATYRSHMËRIA QË KA KRIJUAR ALLAHU
Allahu i Lartësuar thotë: Përqendrohu ti (o Muhammed) në Fenë e Drejtë (besimin e pastër islam në një Zot të Vetëm). (Kjo është) Natyrshmëri e pastër (Islami i pastër i Allahut), në të cilin Ai ka krijuar njerëzimin. S’ka ndryshim (dhe as mos tentoni të bëni ndryshim) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu. Ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [Rrum, 30]
Profeti a.s. ka thënë: Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e tij të pastër” [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Natyrshmëria është dy llojesh: Natyrshmëria që ka të bëjë me zemrën, e cila është njohja dhe dashuria për Allahun, dhe natyrshmëria praktike, pra cilësitë e pastërtisë së jashtme. E para pastron shpirtin dhe zemrën, e dyta pastron trupin. Të dyja plotësojnë njëra-tjetrën”.
Transmetohet nga Aishja r.a., se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Dhjetë gjërat   vijuese janë prej natyrshmërisë: Shkurtimi i mustaqeve, lëshimi i mjekrrës, përdorimi i misvakut, pastrtimi i hundës, prerja e thonjve, larja mes gishtërinjve, heqja e qimeve nga sqetullat, pastrimi i qimeve nga vendet e turpshme, shpëlarja e gojës.” (Transmeton Muslimi) 
Por, ka edhe shumë transmetime të tjera që tregojnë se janë më tepër se dhjetë. Ibn Arabij thotë se numri i tyre arrin deri në tridhjetë. Ndërsa Ibn Haxheri thotë se cilësitë që janë përmendur me natyrshmërinë s’janë kaq (tridhjetë), por nëse bëhet fjalë për cilësitë e pastërtisë, në fenë tonë ato janë më tepër se tridhjetë.

1-Shkurtimi i mustaqeve
Dispozita: Sunnet i fortë.
Allahu thotë në Kur’an: O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e mos e braktisni atë se ju po e dëgjoni (Kur’anin).” [Enfalë, 20]
(Për mua është) vetëm njoftimi (i së vërtetës) prej Allahut dhe i mesazheve të Tij. Kushdo që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, atëherë vërtet që për të është zjarri i xhehenemit për të banuar në të përgjitmonë.” [Xhinn, 23]
Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Dallohuni nga jobesimatarët duke shkurtuar mustaqet e duke zgjatur mjekrrën.” [Transmeton Muslimi]
Gjithashtu ka thënë: “Shkurtimi i mustaqeve është prej natyrshmërisë.” [Transmeton Buhariu]

2-Lëshimi i mjekrrës
Dispozita: Detyrë e domosdoshme (Vaxhib).
Kjo ishte cilësi e të gjithë pejgamberëve, siç e kuptojmë nga fjalët e Allahut gjatë tregimit të ndodhisë së Harunit dhe Musait, paqja qoftë mbi ta. Vazhdon tregimi i ngjarjes me ajetin: “Ai (Haruni) tha: “O biri i nënës sime! Mos më kap për mjekrre dhe as për flokë [Ta Ha, 94]
Të parët tanë i kanë dhënë rëndësi të madhe mjekrrës. Këtë e kuptojmë kur marrim ndonjë shembull si ai i Kais bin Sadit r.a., të cilit nuk i dilte mjekrra. Ensarët për këtë kanë thënë: “Kaisi shquhet për trimëri e guxim, por nuk ka mjekërr. Betohemi në Allahun se, nëse do të blihej mjekrra, do t’ia blinim që t’i plotësohej burrëria.”
Dhe tallja me ata që kanë mjekrra apo me femrat besimtare që kanë vënë hixhabin, ose me çdo simbol tjetër të Islamit, është kufër (mosbesim). Allahu në Kur’an thotë: Vërtet ata që bën krime gjithnjë i përqeshin ata që besuan dhe në ajetin vijues thotë: Dhe sa herë që kalonin pranë tyre ata gjithnjë i luanin syrin njëri-tjetrit (në tallje ndaj besimtarëve).”

3-Përdorimi i  misvakut që të pastrojmë dhëmbët
Dispozita: Sunnet i pëlqyer (Mustehab).
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nëse s’do të ishte e vështirë për Ummetin tim, do t’i urdhëroja të përdornin misvakun para çdo namazi.” [Transmeton Muslimi] 
Gjithashtu ka thënë: “Misvaku është pastërti për dhëmbët dhe i këndshëm te Krijuesi.” [Transmeton Ahmedi]
Misvaku mund të përdoret në çdo kohë. Më së miri është ta përdorim në këto raste: Para namazit, para abdesit, para leximit të Kur’anit, kur të zgjohemi prej gjumit, kur falemi në shtëpi etj.

4-Pastrimi i hundës dhe i gojës  
Dispozita: Është obligim prej obligimeve të abdesit.
Kjo realizohet duke përdorur ujin për larjen e hundës dhe të gojës dhe bëhet përherë gjatë abdesit, vetëm se kur jemi agjërueshëm duhet të mos e përbijmë.
Thotë Allahu në Kur’an: “O ju që keni besuar! Kur doni të kryeni faljen, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryl, kaloni duart e lagura mbi kokat tuaja, lani edhe këmbët deri në nyje.” [Maide, 6]
Shpëlarja e gojës dhe e hundës konsiderohet detyrë sikurse larja e fytyrës dhe këtë veprim Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk e linte pa bërë kur merrte abdes. Dihet se vepra e tij e shpjegon edhe më mirë ajetin e sipërpërmendur.
Prej sunetit është të futet uji në gojë dhe në hundë me dorën e djathtë dhe të nxirret me të majtën. Në këtë moment përdoret edhe misvaku gjatë abdesit.

5-Prerja e thonjve
Dispozita: Sunnet.
Në hadith përmenden dy terma në lidhje me kuptimin e prerjes së thonjve. Kjo  me qëllim të pastrimit të papastërtive që gjenden te thonjtë. Nuk ka ndonjë ditë të caktuar për prerjen e thonjve. Thonjtë duhet të prehen kur është e nevojshme. Nuk duhet të kalojnë 40 ditë pa prerë thonjtë. Është e pëlqyer të futen thonjtë nën dhé pas prerjes, sepse kështu kanë vepruar sahabët. Zgjatja e thonjve është në kundërshtim me natyrshmërinë e pastër të njeriut dhe përngjasim me kafshët, siç ka ardhur në disa transmetime nga i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

6-Larja mes gishtërinjve  
Dispozita: Është sunnet, por jo prej sunneteve të abdesit.
Nëse gishtërinjtë nuk pastrohen me kujdes, mes tyre ngelin papastërti. Kjo këshillë pejgamberike tregon edhe njëherë rëndësinë që i jep Islami pastërtisë.

7-Shkulja e qimeve nga sqetullat
Dispozita: Sunnet i fortë.
Kryhet nëpërmjet shkuljes së tyre, por lejohet edhe rruarja e tyre. Shkulja e qimeve është më e pëlqyer dhe më higjienike se rruajtja, por nëse kjo shkakton dhembje, lejohet rruajtja, siç ka thënë Imam Shafiu në fjalën dhe veprën e tij, të cilën e ka përmendur Imam Neveviu në Sahihul Muslim.

8-Rruajtja e vendeve të turpshme (para dhe mbrapa)
Dispozita: Sunnet i fortë.
Imam Neveviu ka thënë: “Është sunnet pastrimi i qimeve në vendet e turpshme me brisk për meshkujt dhe gratë.” Kur është pyetur Shejh Uthejmini për pastrimin e tyre me çdo lloj forme, është përgjegjur: “Lejohet, por rruajtja e qimeve në vendet e turpshme dhe shkulja e tyre në sqetulla është më e mirë.”

9-Bërja Synet
Dispozita: Ka tre mendime:
1.Obligim për meshkuj dhe femra.
2.Sunnet për meshkuj dhe femra.
3.Obligim për meshkuj dhe sunnet për femra.
Mendimi i tretë mbështetet nga Ibn Uthejmini. Kjo cilësi ka të bëjë më të dy gjinitë. Prerja e lafshës së organit të mashkullit e mbron atë nga pisllëqet, ndërsa te femra bëhet për t’ia zbutur epshet, duke prerë pak nga pjesa e sipërme të organit të saj. Shumica e dijetarëve janë të pajtimit se bërja synet nuk ka kohë të caktuar, por Ibn Kajimi thotë se kur të mbushim moshën madhore duhet të jemi bërë synet.
Bërja synet është prej mirësive të kësaj feje dhe prej plotësimit të natyrshmërisë te muslimanët. Ibrahimi alejhi selam është bërë synet në moshën 80 vjeçare.

10-Spërkatja e rrobës më ujë
Qëllimi i këtij veprimi është spërkatja me ujë e të brendshmeve, p.sh. mbathjet etj., për të larguar vesveset që mund të vijnë pas urinimit. Transmetohet se i Dërguari,  pasi ka urinuar dhe ka marrë abdes, e ka spërkatur organin e vet.

11-Misku, parfumosja
Pejgamberi alejhi selam e donte shumë miskun. Nuk e refuzonte erën e mirë. Parfumosej me erërat më të mira që gjente, por misku ka qenë më i dashuri për të. Transmetohet nga Enesi radijallahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Janë bërë të dashura për mua në këtë botë gratë, parfumet dhe qetësinë time e gjej në namaz.” [Transmeton Ahmedi]
Ebu Hurejra thotë: “Nëse të ofrohet erë e mirë, mos e refuzo, sepse ajo është e lehtë për t’u mbajtur dhe ka aromë të këndshme.”
Gjithashtu lejohet parfumosja e femrave, por kjo mund të bëhet vetëm në shtëpi me qëllim të kënaqjes së bashkëshortit dhe nuk lejohet që femra të dalë në rrugë e parfumosur.

12-Lyerja e syve me kohël
Transmetohet nga Ibn Abasi r.a. se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kohël më i mirë për ju është Ithmidi, ndriçon shikimin dhe mbin qerpikët.” [Transmeton Ibn Maxhe dhe Nesaiu sipas kushteve të Muslimit]   

13-Mos’heqja e thinjave!
Është e pëlqyeshme mos’heqja e thinjave. Për këtë ka këshilluar Pejgamberi alejhi selam: “Mos i hiqni thinjat, sepse çdo thinjë që i del muslimait në Islam do të jetë për të dritë në Ditën e Gjykimit.” Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Ka për t’u shpërblyer me një të mirë dhe do t’i hiqet një e keqe.” [Transmeton Ebu Davudi dhe Ahmedi]
Kjo këshillë vlen për të dy gjinitë. Pëlqehet ndryshimi i thinjave me këna, sepse Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Çifutët dhe të krishterët nuk i lyejnë thinjat, prandaj dallohuni nga ata.”

14-Respektimi i flokëve
Pejgamberi ka pasur flokë të gjata deri tek veshët dhe gjithashtu ka këshilluar që: “Kush ka flokë, le t’i respekojë (duke i rregulluar).” Kjo sipas zakonit të vendit, por duke u larguar nga e ndaluara. Flokët prihen të gjitha njësoj dhe Pejgamberi ka ndaluar lënien e një pjese të flokëve më të gjatë se pjesa tjetër. Allahu e di më së miri!

Ky tekst është shkëputur dhe përshtatur nga libri “Cilësitë e Natyrshmërisë”, të autores Ummu Abdurrahman me parathënie të Shejh Xhibrinit.

 

(Nga arabishtja: Bahri Curri)

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.

Back to top